Qyteti që na premtuan nuk ekziston – Rrënojat kanë emra dhe një i pandehur nuk mjafton
Gjashtë vjet më parë, më 23 korrik 2019, Teatri Kombëtar u mor në mbrojtje nga qytetarët. Në të vërtetë, ishte hera e parë që qyteti nisi të mbrohej me trup – jo thjesht si një godinë, por si ide, si truall, si simbol, si hapësirë për njerëzit dhe jo për interesat e betonit.
Qyteti nisi të përkufizohej jo më për çfarë ndërtohej mbi të, por për çfarë nuk lejohej të shembej. Sot, gjashtë vjet më vonë, një nga ekzekutorët e asaj shembjeje, Erion Veliaj, mban statusin zyrtar të të pandehurit.
Jo më thjesht në sytë tanë, por edhe në letrat e drejtësisë.
A është kjo një ditë feste? Po.
A mund të gëzojmë? Vështirë, sepse ndërkohë që fituam një akt simbolik drejtësie, humbëm gjithçka tjetër që ai simbol përfaqësonte.
Humbëm teatrin. Humbëm hapësirën publike. Humbëm qytetin.
Për më shumë se një dekadë kemi ngritur zërin për mbrojtjen e të përbashkëtës. Në sheshe, në media, në rrjete sociale.
Kemi protestuar për parqet, për shkollat, për trotuaret, për ajrin dhe për dritën. Për gjithçka që duhet të na përkiste të gjithëve dhe që na është marrë copë-copë.
Sot, për të mbyllur ciklin, vjen një absurditet i madh, se paskemi qenë ne fajtorët. Ne që pimë kafe. Ne që ulemi në trotuar, që “e kemi zënë qytetin” me praninë tonë.
Pas 12 vitesh ndërtimesh pa kriter, mijëra metra katrorë të zaptuar me leje e pa leje, tashmë sulmi vjen mbi karriget.
Është një zëvendësim i qëllimshëm i debatit të vërtetë mbi qytetin me një teatër të rremë histerie, ku gishtat tregojnë qytetarët, ndërkohë që ndërtuesit dhe firmëtarët ikin pa zhurmë nga pasarelat e betonit që vetë ngritën.
Nëse duam të dimë se kush e zuri realisht qytetin, s’mjafton të shohim kafenetë. Mjafton të shohim kullat.
Artikulli i fundit i Citizens.al, “Hetimi urbanistik në Milano, çfarë e ndërlidh me Tiranën?”, që ndërlidh rastin e Milanos me Tiranën, e shpjegon qartë: hapësira publike nuk u zaptua nga karriget, por u zhduk me plan.
U zhduk me firmë.
Dhe ata që e zhdukën, sot na mësojnë si të sillemi në rrugët që vetë i ngushtuan.
Trotuaret janë kthyer në korridore mes kangjellave dhe xhamave të errët. Parkimet zënë gjithçka që mbetet. Parqet janë bërë qendra tregtare.
Ndërsa liqenet janë shndërruar në pasqyra uji, ku reflektojnë vitrinat e betonit, të vetkënaqura si Narcissus, tek pa veten të rekflektuar. Edhe ndonjë copë e gjelbër që shpëton mes betonit, konsiderohet luks.
Janë po ata që miratuan planet, që firmosën lejet, që shpikën rregullat. Dhe janë po ata që tani na flasin për “zaptimin e qytetit”.
Pas aksionit propagandistik në Theth, me truproje, dronë dhe buldozerë, u lançua një tjetër klishe: “Rilindja Urbane 2.0”. Faza e dytë, nëse mund ta quajmë kështu, e një projekti që nuk ka dhënë asnjëherë llogari për fazën e parë.
Nuk kemi parë asnjë raport për efektin ekonomik të ndërhyrjeve që kanë kushtuar 365 milionë euro. Nuk kemi parë asnjë analizë për impaktin social. Nuk dimë asnjë gjë për pasojat afatgjata. Dimë vetëm se qyteti është bërë më i shtrenjtë, më i dendur, më i zhurmshëm, më i pashëtitshëm, më i pajetueshëm.
Në qendër të këtij transformimi, që nuk ka më as pamje dhe as përmbajtje publike, qëndron Plani TR030, dizajnuar nga Stefano Boeri, pa asnjë garë publike, por me urdhër politik. U paraqit si “vizion i gjelbër”, si “pyll orbital” për të mbrojtur bujqësinë rreth qytetit.
Çfarë hipokrizie!
Atë që në fakt plani i Boerit bëri, ishte pikërisht ajo që u denoncua nga dhjetra ekspertë të akademisë dhe planifikimit urban në veçanti: në vend që të frenonte zgjerimin informal, e formalizoi atë me leje. Zhbëri kufijtë urbanë. Legjitimoi ndërtimet vertikale. Ngjeshi qytetin deri në kufijtë e frymëmarrjes.
Të gjitha këto u shoqëruan me imazhe të përpunuara në photoshop, me unaza të gjelbra dhe pyje masive, për të përdorur edhe dronë që fluturojnë vetëm sipër gënjeshtrave.
Tirana Riverside është shembulli më i ndyrë i këtij modeli. I promovuar si rindërtim post-tërmet dhe “smart city”, në një zonë të paqtë, që nuk ishte prekur nga tërmeti. Banorët u përzunë në dimrin e 2020-ës me polici.
Jo për t’i ndihmuar nga ndonjë fatkeqësi natyrore, por për t’ua marrë truallin. I gënjyen me dekada se do t’ia legalizonin investimin, por më pas i përzënë dhe i morën çfarë kishte qenë në posedim dhe përdorim të tyre. I shkatërruan shtëpinë, dyqanin apo garazhin dhe i flakën rrugëve.
Plani i ri solli vetëm përjashtim dhe beton. Dhe kjo është paradigma që po përsëritet. Projekti i qytetit të së ardhmes po ndërtohet duke zhdukur të shkuarën dhe duke përjashtuar të tashmen. A mund të ketë të ardhme ky qytet?
Ndërkohë, kriza e strehimit është kthyer në një krizë ekzistence. Qiratë janë më të larta se pagat. Në periferi, mbi 500 euro; në qendër, dyfish. Paga mesatare, vijon të qëndrojë në kufijtë 400 euro.
Apartamentet e reja fillojnë nga 1500 dhe shkojnë deri në 7000 euro për metër katror, sipas zonës. Janë ndërtuar mbi 10 milionë metra katrorë të reja, dhe shumica janë bosh.
Janë blerë, por jo për të jetuar në to. Janë blerë për të fituar. Dhe banorët që jetojnë pranë tyre, nuk e përballojnë më as qiranë, as taksat, as jetën. Të vetmet rrugë që u kanë mbetur janë jashtë qytetit – ose jashtë vendit.
Qyteti i premtuar i Boerit, Ramës dhe Veliajt, nuk ekziston.
Qyteti që kemi është qytet mallrash, jo qytetarësh. Me rrënimin e hapësirës publike, Tirana ka humbur pjesën më të rëndësishme të vetes – pjesën e përbashkët, hapësirën publike. Nuk është më një vend për të gjithë. Është një produkt për ata që kanë para. Për të tjerët – rruga, në kuptimin më të plotë të fjalës.
Tani që edhe Veliaj është zyrtarisht i pandehur, nuk mjafton të ndalemi tek një emër. Sepse ai nuk është i vetmi. Janë shumë të tjerë që heshtën, që firmosën, që përfituan.
Dhe janë shumë vendime që kaluan pa asnjë diskutim publik, pa asnjë konsultim me ata që do t’i preknin jetën realisht. Është koha për të kërkuar më shumë se një përgjegjës.
Është koha për të kërkuar përgjegjësi politike. Dhe mbi të gjitha, për të rikthyer pyetjen që na është mohuar për shumë gjatë: A është ky qyteti që donim? Dhe nëse jo, kush do ta paguajë këtë rrënojë?
Lexoni gjithashtu:
- Akuzat që sollën arrestimin e Erion Veliajt
- Tirana tjetër e Erion Veliajt
- Dosja Veliaj: Hetimet, akuzat dhe faktet
The post Qyteti që na premtuan nuk ekziston – Rrënojat kanë emra dhe një i pandehur nuk mjafton appeared first on Citizens.al.