34 vatra aktive, 13 të shuara, Rama: Gatishmëri maksimale, ndihmë edhe nga partnerët
TIRANË, 13 gusht/ATSH/ Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se gjatë 24 orëve të fundit në gjithë territorin e vendit kishte 34 vatra aktive zjarri, nga të cilat 13 janë izoluar dhe shuar.
Kryeministri e konsideroi “një ditë sakrifice dhe krenarie për të gjitha strukturat shtetërore, që vijojnë pa ndërprerje përpjekjet në terren për shuarjen e flakëve në të gjithë vendin”.
Rama bëri të ditur se në operacione janë angazhuar dhjetëra mjete zjarrfikëse dhe trupa të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi në të gjitha bashkitë e prekura.
“Po ashtu janë angazhuar mbi 600 efektivë të Forcave të Armatosura, zjarrfikës, punonjës bashkiakë dhe forca vullnetare. 5 helikopterë dhe 1 avion zjarrfikës Canadair i sjellë bujarisht nga miqtë e shtrenjtë italianë”, shtoi Rama.
Kryeministri nënvizoi se në përballje me situatën e zjarreve janë angazhuar qindra mjete, përfshirë autoambulanca dhe mjete transporti për evakuimin dhe mbështetjen e banorëve.
“Vatra që kërkojnë vëmendje në vazhdim: Delvinë, Poliçan, Gramsh, Dropull, Finiq, Berat, Tepelenë dhe Bulqizë, ku forcat nga toka dhe mjetet nga ajri po punojnë pa u ndalur për mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe pronës”, theksoi ai.
Rama siguroi se gatishmëria është maksimale dhe bashkëpunimi mes të gjitha strukturave shtetërore dhe mbështetja e partnerëve europianë dhe nga Emiratet e Bashkuara Arabe po vijon për të përballuar këtë situatë të vështirë
/m.m//a.f//r.e/
The post 34 vatra aktive, 13 të shuara, Rama: Gatishmëri maksimale, ndihmë edhe nga partnerët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.