Bastisja e News 24: Gazetarët përballë sekuestrimit të materialeve
Dy ditë pas fikjes së sinjalit të News 24, ndërhyrja ndaj “Fokus Media Group” ka përshkallëzuar. Forca ushtarake, me mbështetjen e “Policisë së Shtetit” ndërhynë në godinën e sekuestruar të televizionit (nr. kadastral 10/300), duke marrë materialet dhe sendet personale nga redaksitë e gazetarëve.
“Grabitje e redaksisë”
Të paprecedentë, e kanë cilësuar vetë gazetarët e News 24, mësymjen e forcave policore dhe ushtarake në boshatisjen e ambienteve të një prej godinave të “Fokus Media Group”.
Gazetari Osman Stafa ka raportuar ditën e djeshme, pasditen e 11 gushtit, sesi kamionë të mbuluar kanë sekuestruar materiale private, kompjuterë dhe sende personale në redaksitë e gazetareve.
“Rrezikohet të dekonspirohen burimet, duke i vënë këta të fundit në rrezik, së bashku me familjet e tyre”, u shpreh Stafa.
Forcat policore në nisje të operacionit janë konfliktuar me gazetarët, teksa këta të fundit kërkonin bazën ligjore me të cilën po veprohej.
“Ilir Proda duhet të mbajë përgjegjësi që punonjësit e tij nuk tregojnë bazën ligjore mbi të cilën po veprojnë”- u shpreh gazetari dhe kreu i Asosacionit të Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) Isa Myzyraj.
Redaksia e televizionit News 24 i është drejtuar gjithashtu ambasadave të huaja, institucioneve ligjzbatuese, deputeteve të Parlamentit dhe kryetareve të partive politike, që të ndërhyhet menjëherë për të ndaluar konfiskimin e materialeve nga redaksitë.
Në reagimin zyrtar redaksia theksoi se në pajisjet kompjuterike ndodhen informacione të rëndësishme nga investigime mbi korrupsionin, të cilat jo vetëm që përbëjnë prova të mundshme kundër abuzimeve, por edhe rrezikojnë drejtpërdrejt jetën e gazetarëve.
“Te godina e parë janë materialet e emisioneve investigative, si përshembull emisioni “Veting”, apo “Në Shënjestër” nga Klodiana Lala”- tregon gazetari Klevin Muka për Citizens.al.
Ai thotë se zyrtarisht nuk i është komunikuar asnjë njoftim për ndonjë orar apo hapësirë, ku gazetarët mund të merrnin sendet personale.
“Nuk e dimë as çfarë po ndodh te godina e dytë, sepse është fushëpamja e zënë dhe ambienti është i rrethuar. Nuk kemi akses as atje!”- përmbyll ai.
Osman Stafa tregon për Citizens se sipas njoftimit të marrë nga kompania shtetërore e prodhimit të armëve KAYO, materialet e sekuestruara janë zhvendosur në Rrashbull, në afërsi të një strukture që përmban rezerva shtetërore.
Të papaguar, por me shpresë për rikthim
Edhe pse gazetarët e News 24, dhe mediave të grupit “Focus”, kanë disa muaj pa paga dhe sigurime, ata nuk e kanë ndalur misionin e tyre të informimit qytetar.
Momentalisht News24 po vijon operimin në qiell të hapur, duke transmetuar në kushtet më minimale materiale bruto nga një kamera.
“Teknikët kanë gjetur një format që të jemi në kanalin e News 24, por duke mos pasur asnjë lloj aksesi për editim, por vetëm transmetojmë live” – shpjegon gazetari Osman Stafa.
Dhoma Civile e Gjykatës së Tiranës e cilësoi sot si të paligjshëm ndërprerjen e punës dhe vendosi shoqëria KAYO duhet t’i garantojë punonjësve aksesin në godinën e gazetës Panorama, e cila ka një kontratë të vlefshme deri në vitin 2033, si edhe t’i kthejë me inventar të gjitha materialet e marra nga godina e sekuestruar, përfshirë sendet personale të gazetarëve dhe kompjuterët e punës brenda 48 orëve.
Përshkallëzimi i ngjarjes ka sjellë reagimin edhe të Irfan Hysenbelliu, pronari i “Focus Group” i News24 dhe Panorama TV, Gazeta Panorama dhe Panorama Sport, Panorama Online, Gazeta Shqiptare Online. Ai e ka cilësuar jo një “incident të zakonshëm”, por një akt brutal dhe që përbën një shkelje flagrante të lirisë së shtypit dhe të drejtës themelore të qytetarëve për t’u informuar.
“News24 nuk mbyllet. E vërteta nuk zhduket”- u shpreh Hysenbelliu.
Ndërsa Hysenbelliu nuk ka komentuar në lidhje me pagat e prapambetura të stafit të tij, gazetarët e News 24 e kanë artikuluar këtë problematikë edhe në protestën e mbajtur dje, 11 gusht, protestë e thirrur nga Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH).
“Një media e lirë nuk mund të ekzistojë pa gazetarë të mbrojtur në ambientin e tyre të punës, me sigurime dhe paga korrekte për punën e tyre”- tha gazetari Endri Xhafo gjatë fjalës së tij.
Ai përmbylli se protesta, nuk është vetëm për të kundërshtuar një veprim policor, por dhe për të thënë se të drejtat bazike të punonjësve të medias duhet të mbrohen çdo ditë, nga vetë gazetarët në radhe të parë, përpara se të arrihet në momente si ky.
Ekspertët: “Situata më shqetësuese që kemi parë ndonjëherë”
Kryetari i “Këshillit Shqiptar te Medias” Koloreto Cukali e cilëson konfiskimin e materialeve të gazetarëve të News 24 të papranueshëm, por dhe si situatën më shqetësuese prej shumë kohësh.
“ Unë di që kur dikush nxirret nga përmbarimi jashtë ndërtesës, të gjitha objektet nxirren në oborr. Nuk merren dhe cohen nëpër vende që s’dihet se ku, aq më tepër kur janë materiale sensitive” – shprehet Cukali.
Cukali thekson se ende nuk dihet nëse ka pasur ndonjë procesverbal të mbajtur për materialet e marra.
“Nuk është problemi te një media, apo një kompjuterë, apo 40 dosje, por te çfarë vjen më mbrapa. Kjo është një demonstrim i hapur force, që ja ç’të gjen kur i kundërvihesh kryeministrit” – shton ai.
Sipas tij problematike është dhe mos mbulimi i kësaj çështje nga mediat e tjera dhe kjo tregon kryekëput një media tradicionale të kapur.
“Kur mediat injorojnë këtë lajm, kjo është një shenjë e keqe jo për median, kjo është një shenjë e keqe për publikun shqiptarë dhe kjo na lë të kuptojmë shumë qartë dinamikat pas kësaj” – përmbyll Cukali.
Ngjarja është denoncuar edhe nga 27 organizata ndërkombëtare dhe kombëtare të lirisë së medias, të cilat me anë të një deklarate të përbashkët kanë adresuar problematikat dhe kërkesat jo vetëm ndaj grupit “Focus Media Group”, por edhe ndaj institucioneve shqiptare.
Ndërhyrjen e 11 gushtit, organizatat e kanë cilësuar “mbi baza ligjore të paqarta”, ku ligjshmëria dhe proporcionaliteti i këtij veprimi policor vendosen seriozisht në pikëpyetje.
Lexo gjithashtu:
Policia ndalon punën e News 24: Godina e saj do të jepet për fabrikë armësh
Gazetarët solidarizohen kundër bllokimit të “News24”
The post Bastisja e News 24: Gazetarët përballë sekuestrimit të materialeve appeared first on Citizens.al.