BERLIN, 7 gusht /ATSH-DPA/ – Ministri i Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt tha se vendi do të zgjerojë kontrollet aktuale kufitare dhe do të kërkojë të dëbojë më shumë njerëz që nuk janë të autorizuar ligjërisht të qëndrojnë në Gjermani.
“Ne do të vazhdojmë të ruajmë kontrollet kufitare”, tha Dobrindt për podkastin “Table.Today”.
Ai shtoi se nuk do të ketë vetëm kontrolle, por edhe kthime mbrapsht.
Gjermania intensifikoi kontrollet kufitare, të cilat më parë ishin sporadike, në kufijtë e saj të jashtëm më 8 maj, me një urdhër të lëshuar nga Dobrindt menjëherë pasi qeveria e re e koalicionit e udhëhequr nga konservatorët mori detyrën.
Ai gjithashtu urdhëroi që migrantët e parregullt të kthehen mbrapsht në kufi edhe nëse ata aplikojnë për azil, një politikë e diskutueshme në Gjermani.
Ky veprim ka tërhequr kritika të forta nga disa vende fqinje.
Gjermania është pjesë e zonës Schengen, e cila është projektuar për të pasur kufij të hapur.
“Ne po punojmë për të organizuar fluturime shtesë dëbimi në Afganistan dhe gjithashtu në Siri”, deklaroi ministri i Brendshëm.
Ai deklaroi se kjo ishte “absolutisht e nevojshme” për të siguruar që njerëzit – përfshirë kriminelët – që nuk mund dhe nuk duhet të qëndrojnë në Gjermani të riatdhesohen në vendet e tyre të origjinës.
Në mesin e korrikut, qeveria deportoi 81 afganë në Afganistan me një aeroplan çarter.
Ky ishte vetëm fluturimi i dytë i tillë që kur talebanët islamikë rimorën pushtetin në gusht 2021./ /os/
TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Festivali i muzikës elektronike “Lumina Electronic” solli ritëm dhe atmosferë për të gjithë adhuruesit e muzikës elektronike.
Aktiviteti dëshmoi edhe një herë se Korça është jo vetëm një qytet i kulturës dhe historisë, por edhe i rinisë dhe energjisë së jashtëzakonshme.
Kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo e konsideroi këtë edicion të dytë të festivalit “Lumina”, si të jashtëzakonshëm.
Filo u shpreh se për dy net me radhë, parku “Rinia” u mbush me ritme elektrizuese, energji pafund dhe qindra të rinj që festuan muzikën moderne në një atmosferë që vetëm “Lumina” di ta krijojë.
“Ky edicion e forcoi më tej identitetin e festivalit si një nga eventet më të rëndësishme verore në Korçë, duke tërhequr vizitorë dhe adhurues të muzikës elektronike nga e gjithë Shqipëria dhe rajoni”, tha Filo, në një postim në rrjetet sociale.
Të rinj vendas dhe turistë të huaj u entuziazmuan, në një atmosferë që vështirë të përshkruhet me fjalë.
Lumina Electronic Festival është tashmë një traditë që do të vazhdojë çdo vit, me synimin për të rritur edhe më shumë ndikimin kulturor dhe turistik të Korçës, si një destinacion festash bashkëkohore dhe përjetimesh unike.
Në vitin 1997, Steve Jobs u rikthye tek Apple, pas një mungese 12-vjeçare. Kompanisë që ai kishte bashkëthemeluar po i mbaronin paratë dhe ishte pranë falimentimit. Jobs mbajti një mbledhje të stafit dhe shpjegoi rolin që pasioni do të luante në rigjallërimin e markës:
“Apple nuk është vetëm prodhim kutish me të cilat njerëzit të kryejnë punët e tyre, ndonëse edhe këtë ne e bëjmë shumë mirë. Apple është më shumë se kaq. Vlera e saj qëndron në faktin se ne besojmë që njerëzit që kanë pasion, mund ta ndryshojnë botë, për ta bërë më të mirë”.
Thjeshtë fraza – “njerëzit me pasion mund ta ndryshojnë botën” – përmban sekretin e suksesit në sipërmarrje. Pothuajse një dekadë më vonë, në vitin 2005, Jobs iu rikthye kësaj teme në fjalimin e tij të famshëm, përpara studentëve të Universitetit të Stanfordit.
“Duhet të gjesh atë që do të bësh”, tha Jobs. “E vetmja mënyrë për të bërë punë të mëdha, është të duash atë që bën. Nëse nuk e keni gjetur ende, vazhdoni kërkoni. Mos rrini. Ashtu si me të gjithë gjërat që kanë të bëjnë me zemrën, do ta kuptoni kur ta keni gjetur”.
Pasioni është gjithçka. Ndjekja e pasionit është sekreti për të kapërcyer pengesat që ndeshin të gjithë sipërmarrësit, dhe për të ndërtuar rezistencë kundër nihilistëve të pashmangshëm, që do të vënë gjithmonë në dyshim vizionin tënd. Është gjithashtu një përbërës thelbësor në komunikimin e suksesshëm. Nëse nuk je ti pasionant për idetë që ke, askush tjetër nuk do të jetë.
Sipërmarrësit e suksesshëm e kanë pasionin me bollëk – por jo domosdoshmërisht për produktin. Ata janë pasionantë për misionin e tyre. Ata janë pasionantë, për domethënien që produkti ose shërbimi i tyre, ka në jetët e klientëve të tyre. Ata janë pasionantë për të ndryshuar botën.
Për shembull, Jobs nuk ishte pasionant për kompjuterët. Ai kishte për pasion ndërtimin e mjeteve që do të ndihmonin njerëzit të çlironin krijueshmërinë e tyre personale.
Kur intervistova CE)-në e Starbucks, Houard Schultz, ne folëm për më shumë se një orë, dhe ai nuk e përmendi asnjëherë fjalën “kafe”.
“Kafeja është produkti, por nuk është biznesi ku jemi ne”, më tha ai.
Schultzi ndërtoi një perandori të tërë nga hiçi, pikërisht sepse ai nuk ishte aq pasionant për produktin, se sa ishte për “krijimin e një vendi të tretë, mes punës dhe shtëpisë”. Çdokush mund ta shesë një filxhan kafe. Duhet një inovator i vërtetë për të krijuar një eksperiencë.
“Kushdo që është pasionant, zhytet i tëri në një fushë të caktuar. Dëshiron të dijë gjithçka për të”, thotë Maxine Clark, themeluese e “Build-a-Bear”.
Gjatë një bisede të kohëve të fundit, Clark më rrëfeu se sa shumë admironte Steve Jobsin, si një njeri që ndoqi pasionet e tij, kudo ku ata e çuan.
“Ai ishte kurioz. Kishte studiuar kaligrafinë, artin, muzikën dhe i bashkoi të gjitha bashkë, për ne të tjerët”, thotë ajo.
Clark nuk është më CEO e kompanisë që vetë e krijoi dhe tani po investon në kompanitë që ndodhen në faza të hershme, si dhe si mentore sipërmarrësish. Ajo thotë se pasioni është një tipar themelor, të cilin ajo e kërkon kur duhet të vendosë se kë të mbështesë dhe këtë mësojë. Ajo dëgjon me vëmendje fjalët që përdorin njerëzit. Për shembull, nëse dikush dëshiron që “thjeshtë të bëhet i pasur”, dhe nuk ka pasion për atë ide të caktuar, Clarku e anashkalon. “Nuk më mjafton. Nuk ka nxitim për të krijuar një biznes, për të cilin nuk ke pasion”, thotë ajo. “Në terma afatgjatë nuk do të funksionojë. Duhet të vësh zemrën. Është zemra që do të të udhëheqë pastaj, për të fituar para”.
Shumë investitorë u kanë bërë jehonë vëzhgimeve të Clarkut. Kohët e fundit më ndodhi të takoj Doug Leonen e Sequoia Capital. Investitori legjendar ka mbështetur Google, AirBnB, whatsApp dhe qindra kompani të tjera.
“Cila është cilësia që e kanë të gjithë sipërmarrësit e suksesshëm?”,- e pyeti një pjesëtar i audiencës. “Nuk e bëjnë për paratë”, u përgjigj atypëraty Leone. “Kanë pasion për misionin e tyre”.
Kryetarja e votuar e PD Manola Nikollo kundër qëndrimit të këshilltarëve për votën PRO: “Vendimi për tokën në Nivicë është një hap pas për demokracinë vendore” Pas reagimeve të forta nga qytetarë dhe figura politike mbi vendimin e Këshillit Bashkiak Sarandë për dhënien me qira të 60 hektarëve në Nivicë për ndërtimin e një […]
Shembja e Teatrit Kombëtar simbolizon humbjen e hapësirave publike në Tiranë dhe zëvendësimin e tyre me kulla. Por kujtesa kolektive, zëri qytetar dhe sheshet nuk mund të zëvendësohen me beton.
Nga Teatri te trotuari – Kronika e një qyteti të shembur me ligj
Në fillimin e verës së 2018-ës Tirana pa, edhe pse ende e pandërgjegjshme për atë që po dëshmonte, të vendosej një mikrofon në një nga hapësirat publike të saj, në sheshin e Teatrit Kombëtar.
E dizajnuar në vitin 1938 nga arkitekti Giulio Berté, godina kishte shërbyer gjatë jetës së vetë kryesisht në tre funksione kryesore: si hapësirë socializimi të spektatorëve në pushimin para dhe mes akteve; si shesh vallëzimi për hapësirën e jashtme të restorantit kur nuk kishte shfaqje; si fushë ping-pongu duke shoqëruar fushën e tenisit dhe pishinën e kompleksit kulturor dhe sportiv “Skanderbeg”.
Tetëdhjetë vite më pas, ai shesh do të përdorej edhe si një hapësirë ku do të zhvillohej një protestë për ta mbrojtur atë.
Teatri i kishte mbyllur dyert dhe përveç punëtorëve, që herë pas here dilnin nga salla e kuqërremtë me kuti materialesh në duar, që nga 2 korriku i 2018, kur u vu shfaqja e fundit në skenë, nuk shiheshin më spektatorë në mjediset tij.
Tre ditë më pas, më 5 korrik, Kuvendi do të miratonte me 75 vota, “Ligjin për Teatrin”*, apo siç njihet ndryshe, “Ligji Special”, i cili e transferonte hapësirën publike, si sheshin ashtu edhe teatrin, tek shoqëria private, “Fusha shpk”, që kjo e fundit të mund të ndërtonte.
Pas atij votimi, protesta për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar mori përmasa të tjera dhe hyri në një rrugëtim ku dorëzimi nuk ishte opsion.
Në sheshin e teatrit u krijua një kuvend i qytetit. Një hapësirë e paindoktrinuar, e pakapur nga interesa të ngushta private apo motive antiligjore. Ndërsa ndërtesa që u mor nën kontroll nga qytetarët më 24 korrik 2019, të cilët filluan ta rijetëzonin edhe pse pa përvojë, mësuan ta menaxhonin dhe kujdeseshin për të.
Ndërsa salla zhvillonte aktivitete artistike dhe kulturore – rreth 65 shfaqje u vunë në skenë në më pak se 8 muaj – në sheshin e tij protesta zhvillohej 24 orë, 7 ditë në javë, në dukje si gardiane e teatrit, dhe njerëzit rojtarët e tij.
Teatri Kombëtar duke u shembur 17 maj 2020/Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, Flicr.
Nga një shesh proteste, tek një rrugë kalimi për kullën.
Ato 75 vota që miratuan ligjin Fusha, ishin edhe goditja e parë që iu dha Teatrit Kombëtar, 682 ditë përpara se Erion Veliaj të çonte fadromat për të shembur ndërtesat e tij, në orën 04:30 të mëngjesit të datës 17 maj 2020.
Miratimi i ligjit për teatrin ishte një goditje që iu bë jo vetëm protestës – si akt demokratik, – apo ndërtesës – si dëshmi e historisë së brezave para nesh – por edhe vetë hapësirës, sheshit si vendkrijim i fjalës së lirë dhe lirisë së shprehjes, nga vetë përfaqësuesit e pushtetit të popullit në kuvend.
Ato 75 kartonë jeshil, rrëzuan jo thjesht një ndërtesë, por hapësirën e përbashkët ku njerëzit shkonin për të qenë bashkë – jo thjesht për të kaluar, por për të mbetur. Ishte goditje ndaj asaj nyje urbane që mblidhte këdo, nga të katër anët, dhe nga të gjithë dhe më pas krijonte diçka.
Sot ajo hapësirë nuk ekziston më në qytet.
Shembja e “17 Majit”, i hapi rrugë lejeve të njëpasnjëshme nga “Rama & Veliaj”, të cilët vunë në zbatim planin e Bjarke Ingels, të kullës me teatër.
Sot pas më shumë se dy vjetësh nga fillimi i punimeve në atë shesh, hapësira publike nuk ekziston më. Në vend të saj, është një kalim i zgavruar në tunelin e betonuar, i cili qëndron i hijezuar nën ndërtesën si flutur e Bjarke Ingels, e cila sot të ngjan si porta hyrëse për në kullën e Fushës.
Të dyja kantieret sot janë bashkuar në një të vetëm dhe kanë lidhur mes tyresh hekurin i cili më pas mbulohet në beton, duke zhdukur krejtësisht atë çfarë ka mbetur nga dikur hapësira publike e teatrit.
Tashmë ato dy projekte po shpalosin në shkallë reale se si grabitet dhe më pas zaptohet me ligj hapësira publike.
Grabitje nga e cila do të përfitonte kushdo biznesmen apo politikan që ka investuar para në dy gropat tashmë të hapura dhe betonizuara në truallin e Teatrit Kombëtar.
Ndërsa ky i fundit, ashtu siç i ka ngritur kryet si karabina, të ngjan më shumë me një roje të kullës, e cila shkeli interesin publik, mori dhe përvetësoi tokën publike dhe grabiti përveç tokës edhe 33 kate ajër.
Teatri ishte vetëm fillimi
Ai shesh, ai mikrofon i hapur, ai mur ku shkruhej “Monument Kulture, mbrohet nga populli”, dhe nuk lejonte që qyteti të shembej me turp, duhej zhdukur.
Duhej vrarë ideja që hapësira publike është e jona. Sepse aty ku publiku mbledh zërin dhe kujtesën, aty nuk ndërtohen kulla, aty nuk qarkullon paraja e zezë.
Që ajo të rrjedhë pa pengesë, duhej zhdukur sheshi, duhej shembur gjithçka që kujtonte se qyteti është i njerëzve.
Kantieri i Pixel Tower/Doriana Musai, Citizens.al
Dhe ashtu ndodhi edhe me “Pazarin e Ri” – një tjetër hapësirë publike e zaptuar, e shndërruar në “pronë private” me çati xhami dhe çmime që përjashtojnë të përditshmit dhe larguan tregtarët.
Me Sheshin “Skënderbej”, që nga vendtakim për të gjithë, u bë një shesh që eskpozon vetëm kullat.
Me Liqenin Artificial apo atë të Farkës që është rrethuar me ndërtim dhe kulla biznesi.
Me vilat historike të qytetit, zonën historike të tij, e cila u flijua për një imazh që ka për fasadë hipokrizinë.
Në çdo goditje ndaj qytetit fshihet një gënjeshtër që ka emër: integrimi evropian. Sepse çdo kullë ndërtohet me emrin e zhvillimit, çdo shembje justifikohet me progresin, çdo përvetësim me modernizimin.
Por qyteti nuk matet me lartësinë e ndërtesave, por me lartësinë e qytetarëve që guxojnë të flasin. Dhe nëse zërat e tyre janë shtypur me beton, kjo nuk është rruga drejt Evropës. Është rruga drejt një talljeje publike me ëndrrën evropiane.
Ndërkohë që BE predikon pjesëmarrjen, decentralizimin, transparencën dhe mbrojtjen e trashëgimisë, qeveria jonë betonon, centralizon përjashton dhe zhduk kujtesën.
“Në BE vetëm me Edin!” slogani që Edi Rama shpalli si lokomotivë fushate elektorale, ishte më shumë se sa propagandë; ishte privatizimi simbolik i ëndrrës evropiane të të gjithë shqiptarëve. Një fjalë e thjeshtë që i vuri drynin qytetit ku çelësat e tij i ka një njeri i vetëm.
Por historia nuk mbyllet me shembjen e teatrit.
Në vend të ndërtesës së teatrit, ngrihet rrëfimi. Në vend të sheshit, mbetet kujtesa. Në vend të mikrofonit, jemi ne – sepse ne jemi Teatri. Qyteti është ende aty ku janë njerëzit që nuk harrojnë.
Dhe po, ajo hapësirë nuk është më fizike. Por ajo ekziston në çdo rrëfim, në çdo kujtim, në çdo artist që nuk u shit, në çdo qytetar që s’u tërhoq.
Në çdo deputet që nuk votoi “pro”, në çdo anëtar këshilli, punonjës administrate, që rezistoi dhe nuk pranoi të bëhej pjesë e krimit mbi qytetin.
Në çdo të ri që sot pyet: “Po kush e dha këtë vendim? Kush e firmosi këtë turp? Kush e heshti këtë vjedhje?”
Ata që firmosën, janë ende aty. Por edhe ne jemi ende këtu. Dhe sa kohë jemi, historia nuk mbyllet.
Ajo fillon aty ku kujtesa bëhet revoltë. Dhe hapësira publike rifillon aty ku qytetari e ndjen veten pronar jo të truallit, por të së drejtës për të thënë: Ky është qyteti im. Nuk jepet me koncesion.
Hipokrizia e “pastrimit” të hapësirave publike
Për të kompletuar farsën, po i kthehen qytetit me një tjetër maskë: atë të pastërtisë morale. Po shembin mbulesat e hijezuesve, po heqin çadrat, po dëbojnë kafenetë nga trotuaret si të kishin zbritur nga ndonjë Olimp i etikës urbane.
Por kush ua lejoi? Kush ua dha lejet të zgjeroheshin me platforma druri në trotuare? Kush i mbylli sytë për vite me radhë?
Ishte e njëjta administratë, e njëjta bashki, e njëjta qeveri që sot bën sikur është e tronditur nga “shpërdorimi i hapësirës publike”.
E njëjta dorë që i hapi rrugën, sot vjen dhe thotë: “Çfarë keni bërë kështu?” E njëjta dorë që firmosi lejet, sot vendos shiritin e verdhë për moral publik.
I toleruan, i ushqyen, i kthyen në normalitet – sepse për vite me radhë edhe trotuari ishte pronë për t’u shitur. Dhe kur erdhi momenti i “Rilindjes 2.0”, në vend që të godasin veten, godasin të vegjlit. Jo ata që ndërtojnë kulla, e zaptojnë hapësira publike duke i shkatërruar dhe vjedhur, por ata që vendosin një karrige plastike mbi pllakat e betonit të trotuareve.
Ky nuk është pastrim. Është amnezi e planifikuar, është rigrabitur dhe mbuluar me moral. Është një narrativë e prodhuar nga vetë shkaktarët e kaosit, që tani luajnë rolin e shpëtimtarit. Por qyteti nuk harroi. Sepse trotuaret nuk i zaptuan qytetarët – i zaptuan ata që shesin edhe ajrin midis hapave në rrugë.
Sot, hapësira publike në Shqipëri nuk grabitet më natën – ajo miratohet me ligj, zbatohet me fadromë dhe justifikohet me moral të rremë.
Në emër të rendit, pastrohet kaosi që vetë kanë krijuar. Në emër të qytetarisë, përjashtohet qytetari. Në emër të zhvillimit, fshihet çdo gjurmë kujtese.
Por qyteti ka memorie. Dhe për sa kohë kujtojmë si u shemb Teatri, si u grabit sheshi, si u mbyt fjala dhe si u zëvendësua me beton – për aq kohë kjo histori nuk është e mbyllur.
Ata e duan qytetin pa njerëz, pa pyetje, pa rezistencë. Por qyteti nuk është kartolinë. Nuk është planimetria e një kompanie ndërtimi. Është ai vend ku dikush mund të ulet, të flasë, të protestojë, të kujtojë dhe të mos harrojë.
Për aq kohë sa nuk harrojmë, hapësira publike nuk është plotësisht e humbur. Ajo jeton në kujtesën tonë, derisa të kemi forcë ta rikthejmë.
Me mikrofonin e hapur. Me sheshin e mbushur. Dhe me qytetin si pronë të përbashkët, jo si çmim ndërtimi, jo si mall shumice për tu shitur tek kushdo kalimtar i rastit.
Shënim: Lista e deputetëve që votuan “pro” duke miratuar ligjin special, është marrë nga dokumentat e Kuvendit. Një numër i konsiderueshëm i atyre që votuan, 25% e tyre, sot janë në burg, nën hetim penal ose në kërkim nga SPAK.
*Projektligji për Teatrin 37/2018, formuluar “Për përcaktimin e procedurës së veçantë të për negocimin dhe lidhje ne kontratës me objekt: ‘Projektimin dhe realizimin e projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar’,” u botua online për konsultim më 8 qershor 2018. U shqyrtua dhe votua me procedurë të përshpejtuar 20 ditë më vonë dhe u rimiratua dy muaj më tutje pasi Presidenti e pati kthyer për rishqyrtim.
Camila Cabello ka bërë zyrtarisht publike lidhjen me të dashurin e saj prej 7 muajsh, biznesmenin libanez Henry Junior Chalhoub. Këngëtarja 28-vjeçare ndau me ndjekësit një foto të ëmbël nga pushimet në Ibiza, ku shihet dorë për dore me partnerin, teksa në mbishkrim shkruan: “Po bie në dashuri”.
Çifti është parë më herët duke shkëmbyer përqafime dhe puthje gjatë një zhytjeje në ujërat e Detit Balearik, një romancë që tashmë s’ka më asgjë për të fshehur.
Henry Junior është trashëgimtar i perandorisë Chalhoub, një emër i madh në industrinë e luksit me bazë në Dubai. Dyshja janë parë së bashku në evente të rëndësishme si Formula 1 në Monako, sfilatat e modës në Paris e Londër dhe festa ekskluzive në Arabinë Saudite.
Camila Cabello dhe i dashuri i saj prej shtatë muajsh, biznesmeni libanez Henry Junior Chalhoub, kanë bërë debutimin e tyre zyrtar në Instagram duke ndarë një fotografi romantike nga pushimet në Ibiza.
Këngëtarja 28-vjeçare nga Kuba postoi një imazh ku shfaqen duke mbajtur duart, ndërsa në mbishkrimin e saj zbuloi se po “binte në dashuri”.
Çifti u pa më parë në momente të ëmbla gjatë një zhytjeje në Detin Balearik, ku nuk munguan puthjet dhe përqafimet shkruan DailyMail.
Henry Junior vjen nga familja e njohur e pasur Chalhoub, e cila zotëron një kompani të madhe të modës luksoze me seli në Dubai.
Përpara pushimeve në Ibiza, ata u panë së bashku në garat e Formula 1 në Monako dhe kanë shfaqur ndjenjat e tyre në evente të ndryshme të modës në mbarë botën, duke nisur që nga një festë në Arabinë Saudite deri në sfilatat në Paris dhe Londër.
Ky postim i fundit në Instagram tregon se marrëdhënia e tyre po merr një kthesë më të hapur dhe të dashur, teksa Camila dhe Henry po shijojnë çdo moment së bashku. /Telegrafi/
“Ka vetëm një gjë që e bën të pamundur një ëndërr që të arrihet: frika nga dështimi”.
2. “Gjithkush duket se ka një ide të qartë se si njerëzit e tjerë duhet të udhëheqin jetën e tyre, por nuk kanëasnjë në lidhje me atëtë tij ose të saj”.
3. “Mos e humbni kohën tuaj me shpjegime: njerëzit dëgjojnë vetëm ato që duan të dëgjojnë”.
4. “Miqtë tanë të vërtetë janë ata që janë me ne kur ndodhin gjërat e mira. Ata na brohorasin dhe janë të kënaqur nga triumfet tona. Shokët e rremë shfaqen vetëm në periudha të vështira, me fytyrat e tyre të trishtueshme, mbështetëse, kur, në të vërtetë, vuajtja jonë po shërben për t’i ngushëlluar ata për jetën e tyre të mjerueshme”.
5. “Dhe, kur ju doni diçka, i gjithë universi komploton ndaj jush për ta arritur atë”.
6. “Sekreti i jetës, sidoqoftë, është të rrëzoheni shtatë herë dhe të ngriheni tetë herë.”
7. “Mos harroni se kudo që të jetë zemra juaj, atje do të gjeni thesarin tuaj”.
8. “Askush nuk humbet asnjërin, sepse askush nuk zotëron asnjërin. Kjo është përvoja e vërtetë e lirisë: të kesh gjënë më të rëndësishme në botë pa e zotëruar atë”.
9. “Cila është gënjeshtra më e madhe në botë? … Ështëkjo: që në një moment të caktuar të jetës sonë, ne e humbim kontrollin e asaj që po ndodh me ne, dhe jeta jonë kontrollohet nga fati”.
10. “Dy testet më të vështira në rrugën shpirtërore janë durimi për të pritur momentin e duhur dhe guximi për të mos u zhgënjyer me ato që hasim”.
11.”Ju keni dy zgjedhje: për të kontrolluar mendjen tuaj ose për të lënë mendjen tuaj t’iu kontrollojë ju”.
12. “Gjithçka që ndodh një herë nuk mund të ndodhë më. Por gjithçka që ndodh dy here, me siguri do të ndodh edhe për herë të tretë”.
13. “Ji i çmendur! Por mësoni si të jeni të çmendur pa qenë në qendër të vëmendjes. Jini të guximshëm për të jetuar ndryshe”.
14. “Pasioni e bën një person të ndalojë së ngrëni, të flejë, të punojë, të ndjehet në paqe. Shumë njerëz janë të frikësuar sepse, kur ai shfaqet, ai shkatërron të gjitha gjërat e vjetra që gjen në rrugën e vet”.
15. “Nëse e doni dikë, duhet të jeni të gatshëm për t’i lënë ato të lirë”.
16. “Pra, unë ju dua sepse i gjithë universi komplotoi të më ndihmojë që t’ju gjej.”
17. “Një fëmijë mund t’i mësojë një të rrituri tre gjëra: të jetë i lumtur pa asnjë arsye, të jetë gjithmonë i zënë me diçka dhe të dijë të kërkojë me gjithë fuqinë e tij atë që ai dëshiron”.
18. “Pranoni atë që ju ofron jeta dhe përpiquni të pini nga çdo kupë. Të gjitha verërat duhet të shijohen; disa duhet të pihen vetëm pak, por me të tjerët, pini të tërë shishen”.
19. “Të presësh është e dhimbshme. Harrimi është i dhimbshëm. Por të mos dish se çfarë të bësh është lloji më i keq i vuajtjeve”.
20. “Kjo është ajo që ne e quajmë dashuri. Kur ju duan, ju mund të bëni cdo do gjë në krijim. Kur ju duan, nuk ka nevojë aspak të kuptoni se çfarë po ndodh, sepse gjithçka ndodh brenda jush”.
21. “Dashuria është një forcë e pazbutshme. Kur përpiqemi ta kontrollojmë, ajo na shkatërron. Kur përpiqemi ta burgosim, ajo na skllavëron. Kur përpiqemi ta kuptojmë, ajo na lë të ndjehemi të humbur dhe konfuz”.
22. “Asgjë në botë nuk është kurrë plotësisht e gabuar. Edhe një orë e ngecur është e saktë dy herë në ditë. ”
23. “Në jetën reale, dashuria duhet të jetë e mundur. Edhe nëse nuk kthehet menjëherë, dashuria mund të mbijetojë vetëm kur ekziston shpresa se do të jeni në gjendje të fitoni mbi personin që dëshironi”.
24. “Në çdo moment të jetës sonë, të gjithë kemi një këmbë në një përrallë dhe tjetrën në humnerë”.
25. “Gjërat e thjeshta janë gjithashtu gjërat më të jashtëzakonshme, dhe vetëm të mençurit mund t’i shohin ato”.
26. “Mos dëgjoni komentet e këqija të atyre miqve, të cilët, duke mos marrë asnjë rrezik vetë, mund të shohin vetëm dështimet e njerëzve të tjerë.”
27. “Unë nuk jetoj as në të kaluarën time, as në të ardhmen time. Unë jam i interesuar vetëm për të tashmen. Nëse mund të përqendroheni gjithmonë në të tashmen, do të jeni një burrë i lumtur. Jeta do të jetë një festë për ju, një festival i shkëlqyeshëm, sepse jeta është momenti kur po jetojmë tani”.
28. “Askush prej nesh nuk e di se çfarë mund të ndodhë edhe në minutën tjetër, megjithatë, ne përsëri vazhdojmë përpara. Sepse ne besojmë. Sepse kemi Besim”.
29. “Kur duam, gjithmonë përpiqemi të bëhemi më të mirë se sa jemi. Kur përpiqemi të bëhemi më mirë seç jemi, gjithçka rreth nesh bëhet edhe më e mirë”.
30. “Fal, por mos harro, ose do të lëndohesh përsëri. Falja ndryshon perspektivat. Të harruarit humbet mësimin”.
31. “Disa gjëra në jetë thjesht duhet të përjetohen- dhe kurrë nuk shpjegohen. Dashuria është një gjë e tillë”.
32. “Mos u shqetësoni duke u munduar për të shpjeguar emocionet e tua. Jetoni gjithçka aq intensivisht sa mundeni dhe mbani gjithçka që ndjeni si dhuratë nga Zoti. Mënyra më e mirë për të shkatërruar urën midis të dukshmes dhe të padukshmes është duke provuar të shpjegoni emocionet tuaja”.
33. “Një njeri dashurohet sepse e dashuroni. Asnjë arsye nuk është e nevojshme për të dashuruar”.
34. “Kur çdo ditë është e njëjtë me ditën tjetër, kjo është për shkak se njerëzit nuk arrijnë të njohin gjërat e mira që ndodhin në jetën e tyre çdo ditë që dielli lind”.
35. “Kur e presim më së paku, jeta na bën një sfidë të provojmë guximin dhe gatishmërinë tonë për të ndryshuar; në një moment të tillë, nuk ka asnjë kuptim të pretendosh se asgjë nuk ka ndodhur ose të themi se ne nuk jemi akoma të gatshëm. Sfida nuk do të presë. Jeta nuk shikon prapa”.
36. “Është mundësia për të realizuar një ëndërr ajo që e bën jetën interesante”.
37. “Unë mund të zgjedh ose të jem viktimë e botës ose një aventurier në kërkim të thesarit. Është e gjitha një pyetje se si e shoh jetën time”.
38. “Ndonjëherë, ne jemi aq të lidhur me mënyrën tonë të të jetuarit, saqë ne hedhim poshtë mundësi të mrekullueshme thjesht sepse nuk dimë se çfarë të bëjmë me të”.
39. “Nëse filloni të premtoni ato që nuk keni ende, do të humbni dëshirën për të punuar drejt arritjes së saj”.
40. “Mos u frikësoni nga mendimet e njerëzve të tjerë. Vetëm mediokriteti është i sigurt në vetvete, prandaj merrni rreziqe dhe bëni atë që dëshironi të bëni”.
41. “Kurdo që të doni të arrini diçka, mbajini sytë hapur, përqendrohuni dhe sigurohuni që e dini saktësisht se çfarë dëshironi. Askush nuk mund të arrijë objektivin me sy të mbyllur”.
TIRANË, 25 korrik/ATSH/ Korça në verë është një ndjesi e freskët, e qetë, mbushur me aromë lulesh dhe kujtimesh.
Shtëpitë karakteristike, rrugicat me kalldrëm dhe historia që ndihet në çdo hap e bëjnë këtë qytet gjithmonë të veçantë.
Kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo, publikoi në rrjetet sociale pamje nga rrugicat karakteristike të “qytetit të serenatave”, me kalldrëmet e pastra, portat e vjetra që ia shtojnë hijeshinë dhe oborret plot lule që rrëfejnë për vëmendjen e korçarëve ndaj së bukurës. Ai e cilësoi Korçën, një qytet i cili përmirësohet çdo ditë, por pa humbur kurrë shpirtin që e bën kaq të dashur.
Pikërisht sot, në Korçë, nis aktiviteti i shumëpritur sidomos prej të rinjve, festivali i muzikës elektronike Lumina.
“Qyteti ynë bëhet skenë e ritmit dhe dritës, aty ku muzika elektronike takohet me natyrën, nën qiellin e hapur të Parkut Rinia”, shkroi Filo duke i rikujtuar korçarëve por edhe vizitorëve të shumtë, këtë ngjarje që do të zhvillohet për dy net rresht 25 dhe 26 korrik dhe ku hyrja do të jetë pa pagesë.
Me festivalin Lumina, Korça bëhet zemra e ritmit, dritës dhe magjisë, duke ftuar të rinj e të reja nga e gjithë Shqipëria dhe më gjerë, për të përjetuar një atmosferë unike dhe për të zbuluar një tjetër dimension të Korçës. /j.p/
Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryetarit të bashkisë Tiranë, Erjon Veliaj, ka shfaqur interesin për të blerë një apartament në kompleksin luksoz “Met Building”, që po ndërtohet në qëndër të Tiranës, prapa ish-hotel Dajtit. Godina është investim i shoqërisë tregtare “Met Invest”, që zotërohet nga familja Malo. Në këtë objek që shihni në foto, Ajola Xoxa […]
Pozita e Britanisë në shekullin XIX ishte më e fuqishme se ajo e ShBA-së sot. Ambasadorët britanikë kishin një peshë shumë të madhe në arenën ndërkombëtare. Kur përmendeshin “Fuqitë e Mëdha”, menjëherë të vinte ndërmend Anglia, Franca dhe Rusia. Për këtë arsye, drejtuesit e shtetit osman përpiqeshin të mbanin marrëdhënie sa më të mira jo vetëm me ambasadorët, por edhe me diplomatët e niveleve të tjera. Një nga praktikat e Abdylhamidit II ishte “komprometimi” i tyre me dhurata.
Në vitin 1878 rusët dolën fitues me Perandorinë Osmane dhe kishin vendosur shtabin e tyre në një lagje të njohur të Stambollit (Yeşilköy). Ishin ditët kur perandoria kishte më shumë se kurrë nevojë për Mbretërinë e Bashkuar. Sulltani dëshironte t’i dhuronte Mr. Sandisonit, Sekretarit të Parë të Ambasadës Britanike në Stamboll, një kuti cigaresh e zbukuruar me bizhuteri të shtrenjta. Por, Sandisoni nuk mund të pranonte këtë dhuratë pa dijeninë dhe miratimin e ambasadorit. Prandaj, në mënyrë të sjellshme e refuzoi. Më pas shkoi në Ambasadë dhe pyeti eprorin e vet, ambasadorin britanik, Henry Layard, se çfarë duhej të bënte. Ky i fundit i shkroi menjëherë ministrit të Jashtëm, Lord Salisbury, duke i thënë se nuk mund ta pranonin këtë “dhuratë” pa dijeninë dhe miratimin e tij.
Pas përshëndetjeve formale në letrën zyrtare, Salisbury iu përgjigj kështu pyetjes së ambasadorit:
“It depends on service which is expected.
(“Kjo varet nga shërbimi që pritet.”)
Me fjalë të tjera: “Përpara se të marr një vendim, dua të di se për çfarë shërbimi është menduar t’i bëhet kjo dhuratë.”
Ky ishte niveli i ndjeshmërisë dhe ndershmërisë së diplomatëve britanikë dhe një nga arsyet pse Mbretëria e Bashkuar për disa shekuj ishte kthyer në mbretëreshën e deteve.
Në futboll, ‘tradhtarët’ nuk falen. Një tifoz mund të ndihet shpejt i tradhtuar, sidomos kur një lojtar transferohet te një klub rival.
Me rastin e këtij afati kalimtar të ndezur, ne t’ju prezantojmë 5 transferime që u pritën shumë keq nga grupet e tifozëve.
Luis Figo – Barcelona → Real Madrid (2000)
Një nga shembujt më ikonik: Figo largohet nga Barcelona për t’u bashkuar direkt me Real Madridin.
Kur u kthye në ‘Camp Nou’, u sulmua me objekte (përfshirë një kokë derri) dhe u quajt ‘tradhtar’ nga një pjesë e madhe e tifozëve katalanas.
Ashley Cole – Arsenal → Chelsea (2006)
Largimi i tij nga Arsenal drejt Chelseas shkaktoi zemërim të madh. Gjatë ndeshjeve mes dy klubeve, tifozët e Arsenal-t i hodhën para false, i vunë nofkën ‘Cashley’ dhe këndonin emrin e tij si simbol tradhtie.
Anthony Mounier – i përfolur nga OL te Saint-Etienne (janar 2017)
Njoftimi për nënshkrimin e tij me Saint-etienne, ndërkohë që ishte ish-lojtar i Lyonit, shkaktoi një valë të madhe protestash nga tifozët e Saint-etienne. Në fund, transferimi u anulua më pak se 48 orë pas miratimit, për shkak të një armiqësie pothuajse të pakontrollueshme.
Habib Diallo – Metz → Strasbourg (tetor 2024)
Ligue 1 është plot rivalitete të ashpra, dhe Habib Diallo e përjetoi këtë vetë. Ky transferim i fundit mes dy klubeve rajonale rival shkaktoi një reagim të fortë nga tifozët e Metzit, të cilët krijuan grafite shumë fyese ndaj lojtarit.
Megjithatë, pavarësisht kundërshtimeve, transferimi u realizua, por në një atmosferë shumë të tensionuar.
Steven Gerrard – i përfolur Liverpool → Chelsea (verë 2005)
Në verën e vitit 2005, Steven Gerrard ishte shumë pranë kalimit te Chelsea. I zhgënjyer nga mungesa e ambicies në klubin e tij të lindjes, ai dërgoi edhe një kërkesë transferimi. Por reagimi i tifozëve ishte i ashpër: fyerje, fanella të djegura, kërcënime.
Përballë këtij kundërshtimi, Gerrard ndryshoi mendje dhe zgjati qëndrimin te Liverpooli. Kjo tregon se statusi i një legjende klubi mund të jetë shumë i brishtë./Telegrafi/
Në vitin 2022, Edi Rama ndërmori një aksion ku IKMT ushtroi kontrolle në kullat e Tiranës dhe kapi me shtesa pa leje ndërtuesit Pëllumb Salillari, Armand Lilo apo Julian Morina i njohur ndryshe si “Lul Morina”. Pavarësisht se e propagandoi me të madhe aksionin e atëhershëm, shtesat pa leje këta ndërtues abuziv i “ligjëruan” dhe […]
TIRANË, 21 korrik/ATSH/ Prej orëve të para të mëngjesit, strukturat e Emergjencave Civile, punonjësit e Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike, punonjës të Njësisë Administrative Bulgarec dhe Drejtoria e Shërbimit Pyjor kanë rinisur punën në terren për vënien nën kontroll të zjarrit që ka përfshirë zonën malore të fshatit Dishnicë.
Kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo, bëri të ditur se zjarri vijon të jetë aktiv, ndërsa terreni i thepisur po e bën të vështirë ndërhyrjen nga toka.
“Strukturat po veprojnë me intensitet maksimal për të shmangur përhapjen më tej të flakëve dhe për të mbrojtur sipërfaqet pyjore, banesat dhe jetën e banorëve”, tha Filo, i cili shtoi se ka dyshime për zjarrvënie të qëllimshme, çka e bën edhe më të rëndë këtë akt që dëmton natyrën, pasurinë dhe sigurinë publike.
Kryebashkiaku Sotiraq Filo bëri apel për bashkëpunim dhe raportim të menjëhershëm nga komuniteti për çdo rast të dyshimtë. “Vetëm së bashku mund të parandalojmë dëme të tilla”, u shpreh Filo. /j.p/
Shqipëria është renditur në nivelin e tretë nga pesë kategoritë e indeksit vjetor të Konfederatës Ndërkombëtare të Sindikatave (ITUC), që mat shkeljet e të drejtave të punëtorëve në mbarë botën. Sipas raportit të publikuar së fundmi, vendi ynë vijon të jetë pjesë e shteteve ku shkeljet e të drejtave të punëtorëve janë të vazhdueshme.
Indeksi i ITUC vlerëson 151 vende duke përdorur 87 tregues të bazuar në standardet e Kombeve të Bashkuara dhe traktatet ndërkombëtare. Ai i ndan vendet në pesë kategori, ku kategoria e pestë përshkruhet me situatën më të keqe – për vendet ku nuk ka asnjë garanci ligjore për të drejtat e punëtorëve – ndërsa kategoria e parë përfshin vendet me shkelje sporadike.
Shqipëria mbetet në nivelin e tretë, duke u pozicionuar si një vend ku shkeljet ndodhin rregullisht.
Raporti thekson një përkeqësim të përgjithshëm të të drejtave të punëtorëve në mbarë botën, me më shumë se një në tre vende që klasifikohen në nivelin më të ulët të mundshëm – pa garanci për të drejtat e punëtorëve.
Në Evropë, vetëm 7 vende kanë arritur të ruajnë vlerësimin më të lartë, përballë 18 vendeve që ishte në vitin 2014.
“Ky trend i tmerrshëm nënvizon ashpërsinë e sulmit të vazhdueshëm nga qeveritë dhe korporatat mbi të drejtat dhe liritë themelore të punës gjatë dekadës së fundit,” thuhet në raport.
Ndërkohë, raporti përmend se në Shqipëri dhe disa vende të tjera si Hungaria, Moldavia, Mali i Zi dhe Mbretëria e Bashkuar, qeveritë kanë abuzuar me pushtetin ligjor duke e zgjeruar në mënyrë të tepërt përkufizimin e “shërbimeve thelbësore”, për të kufizuar të drejtën e grevës.
Renditja e Shqipërisë në nivelin e tretë nga pesë në total.
Sipas raportit shkeljet e të drejtës së punëtorëve për grevë mbetën në nivelin më të lartë globalisht që nga fillimi i Indeksit në vitin 2014.
“Në vitin 2025, grevat u kufizuan ose u ndaluan në 131 vende (87%), të pandryshuara nga viti 2024 dhe nga 63% në vitin 2014”.
Kjo shtypje, sipas raportit, ndodh në një kohë kur greva si e drejtë është njohur nga Konventa 87 e Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), e ratifikuar nga 158 prej 187 shteteve anëtare të saj.
Raporti citon gjithashtu përpjekjet sistematike të disa kompanive në Evropë për të minuar aktivitetin sindikal, ndërsa në disa vende është vërejtur krijimi i të ashtuquajturave “sindikata të verdha”, të kontrolluara nga punëdhënësit, që zbehin rolin e mbrojtjes së të drejtave të punonjësve.
Në renditjen globale, 10 vendet me situatën më të keqe për të drejtat e punëtorëve përfshijnë Bangladeshin, Bjellorusinë, Ekuadorin, Egjiptin, Eswatinin (Afrikë), Mianmarin, Nigerinë, Filipinet, Tunizinë dhe Turqinë.
Në vitin 2025, ndalimi ose kufizimi i grevave u evidentua në 131 vende (87%), një shifër që ka mbetur e pandryshuar nga viti i kaluar, por përbën një rritje të madhe krahasuar me vitin 2014, kur kjo ndodhte në 63% të vendeve.
Raste konkrete përmenden edhe në Belgjikë dhe Zvicër, ku sindikalistë u arrestuan apo u gjobitën për pjesëmarrje në greva, duke përforcuar prirjen e frikësimit dhe shtypjes së të drejtës së organizimit sindikal.
Më 11 maj 2025, Shqipëria voton në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Gjatë këtij muaji, Citizens.al zgjodhi një formë ndryshe të raportimit të fushatës elektorale, duke u distancuar nga propaganda e partive politike, për t’u fokusuar tek ajo që ndodh realisht.
Çfarë na tregoi kjo fushatë? Më shumë sesa një garë idesh politike, partitë e vjetra vunë në skenë një lojë të pabarabartë, me shumë zhurmë dhe pak substancë. Aktorët kryesorë shfrytëzuan çdo aset për të ndikuar te publiku, ndërsa partitë e reja u fokusuan kryesisht me fushata njerëzore dhe aktivitet në rrjetet sociale.
Nën këtë dinamikë qytetarët u lanë shpesh përballë një oferte të mjegullt dhe të pashtjelluar politike teksa premtimet variuan nga “Pasaporta Evropiane”, te “Pastrimi i Shqipërisë”, “Heqja e vizave me SHBA-në”, “Vendosja e euros si monedhë zyrtare” etj.
Ky artikull sjell një panoramë të asaj që ndodhi — nga premtimet që sfidojnë logjikën ekonomike, te heshtja përballë komuniteteve të margjinalizuara; nga televizionet që përqafuan pushtetin, te diaspora e trajtuar si rezervuar votash.
Një vështrim kritik përtej retorikës, për të kuptuar dhe shpjeguar ofertën politike 2025.
Ne analizuam retorikën e zbrazët për përfaqësim dhe barazi, duke treguar se vetëm dy parti ofruan një qëndrim të qartë për barazinë gjinore. Për pjesën tjetër, kjo çështje trajtohet si një instrument për stabilitet familjar, jo si një çështje e demokracisë.
Premtimet për fuqizimin e vajzave dhe grave mbeten më shumë një dekor elektoral sesa një synim konkret. Për këtë çështje Citizens i kushtoi edhe një nga seritë e podkastit “Zëra”.
Nga “Shqipëria bëhet!” te “Shqipëria Madhështore”, e deri te slogane si “Shqipëria 2030 në BE vetëm me Edi Ramën dhe PS”, fushata e vitit 2025 u karakterizua nga mesazhe të mëdha dhe të personalizuara.
Partitë shqiptare vijuan të shmangin apo ngatërrojnë pozicionimin e qartë ideologjik, duke harruar konceptet tradicionale të së majtës dhe së djathtës.
Në këtë kontekst, Citizens i kushtoi vëmendje mënyrës sesi sloganet u përdorën si mjete të fuqishme emocionale për të tërhequr votues, më shumë sesa për të artikuluar vizione politike të qarta.
Monitorimi i edicioneve informative të tre televizioneve kombëtare për tre javët e para të fushatës tregoi një prirje të qartë favorizuese ndaj partisë në pushtet dhe partisë më të madhe të opozitës, ku figura si Edi Rama dhe Sali Berisha dominuan ekranin.
Diversiteti politik u mbyt nga një propagandë e drejtuar te pushteti, duke lënë zërat alternativë pa mbulim. Partitë e reja nuk gjetën hapësira duke u shtyrë kështu gjithmonë e më shumë në një fushatë online, si një zgjidhje pa shumë kosto dhe përtej “duopolit mediatik PS-PD”.
Një raport i Altax vlerësoi se realizimi i premtimeve elektorale kërkon disa dhjetëra miliardë euro, ndërkohë që buxheti vjetor i shtetit është vetëm 7-8 miliardë. Premtimet elektorale, në këtë kontekst, u dukën më afër “spekulimeve të mirëmenduara” sesa strategjive për zhvillim.
Edhe në këto zgjedhje, komuniteti rom dhe egjiptian u la jashtë vëmendjes. Jeta e tyre në skajet e politikës pasqyron një mungesë të thellë të vullnetit për përfshirje dhe integrim të barabartë.
Ndërkohë PS me kandidimin e një figure të spikatur në shoqërinë civile nga ky komunitet u mundua ta portretizojë veten si alternativën e duhur që mund të japë zgjidhje dhe përfaqësim.
Por kjo dukej lëvizje e qëllimshme, pasi kështu PS la menjëanë përgjegjësitë e 12 viteve qeverisje për këtë komunitet.
Raportimet të ndryshme treguan për shfrytëzim të aseteve publike – shkolla dhe zyra shtetërore – në funksion të partisë në pushtet. Kjo praktikë që thellon mosbesimin ndaj institucioneve dhe dëmton integritetin e procesit zgjedhor u theksua në rrethe.
Mësues të ndryshëm treguan për trysninë që ndeshën nga politika, teksa shkollat dhe profilet e tyre online u kthyen në një makineri për të përzgjatur propagandën e qeverisë.
“Oferta e gjelbër” mbeti një deklaratë pa substancë nga ana e partive politike duke e lënë të pashpresë idenë se qeveria e ardhshme mund t’u japë zgjidhje problemeve të mjedisit përballë ndryshimeve klimaterike, projekteve për zhvillim dhe trysnisë për të prodhuar më shumë energji.
Premtimet për të kaluar nga hidrocentralet drejt energjisë diellore dhe erës përballen me sfida dhe pikëpyetje mbi qëndrueshmërinë dhe realizueshmërinë e tyre në një raport të balancuar ndërmjet interesave ekonomike dhe sociale.
Diaspora, me gjithë të drejtën historike për të votuar për herë të parë nga jashtë, u trajtua më shumë si një burim votash sesa një zë për përfaqësim të sinqertë.
Në një përpjekje për të siguruar mbështetjen e emigrantëve për zgjedhjet parlamentare, partitë politike kryesore kanë zhvilluar dhjetëra takime me diasporën, nga Evropa në Amerikë, por asnjë prej tyre nuk ofroi transparencë për shpenzimet, ndërsa kandidatët që vinin nga diaspora ishin të paktë.
Sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së, rreth 245 mijë shqiptarë jorezidentë në Shqipëri u regjistruan për të votuar nga jashtë. Shumica ishin nga Italia (36.5%), Greqia (27.3%), Gjermania (10.2%) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (8.2%).
Me këtë numër dhe shpërndarje, votat e diasporës mund të ndikojnë në fatet e deri 4 mandateve në Tiranë dhe të paktën të 6 mandateve në Durrës, Fier dhe Elbasan.
Partitë e mëdha përfituan më shumë nga fondet publike, ndërsa të rejat mbetën jashtë skemës. Ndërkohë në listat zgjedhore u përfshinë 16 kandidatë nën hetim nga SPAK.
Ky fakt e vë në pikëpyetje besueshmërinë e sistemit të filtrimit etik të kandidatëve ndërsa ngarkon me përgjegjësi direkte partitë politike, dhe kryetarët e tyre të cilët jo vetëm që i përfshinë në lista, por disa prej tyre i vunë edhe në lista të mbyllura.
Fushata në rrjetet sociale u shoqërua edhe me angazhimin e profileve anonime dhe manipulimeve vizuale ku u përdor edhe inteligjenca artificiale. Kjo shndërroi informimin publik në një terren të vështirë për të dalluar të vërtetën nga publiku dhe qytetarët.
Këta të fundit u ekspozuan rrezikshëm përballë manipulimit, teksa mediat tradicionale dështuan të bëjnë filtrin e duhur.
Në prag të zgjedhjeve, ekspertja e të drejtave të njeriut dhe çështjeve të integritetit në politikë, Edlira Cepani, iu përgjigj pyetjeve të ndjekësve të Citizens.al mbi financimin e partive politike, premtimet elektorale dhe transparencës gjatë fushatës.
Zgjedhjet Parlamentare të vitit 2025 në Shqipëri mund të përshkruhen si një garë formale e zhvilluar në një “skenografi të kontrolluar”.
Edhe pse procesi u shënua nga një klimë më e qetë se në të shkuarën, zgjedhësit shpesh mbetën të painformuar, të papërfaqësuar dhe të papërfshirë realisht. Në një muaj ku format ishin të shumta, batutat të zëshme dhe ngjyrat të forta, ajo që mungoi më së shumti ishte përmbajtja.
Citizens.al do të vazhdojë të jetë këtu, pavarësisht fushatave dhe propagandës, për të ndjekur, analizuar dhe raportuar me integritet, ngjarjet që kanë vërtetë rëndësi.
Gjatë një përplasjeje intensive të së enjtes mes Santos dhe Flamengos, tifozët në tribuna nisën të ofendonin lojtarin rival Danilo, duke e quajtur “mercenar”.
I pranishëm në stadium, Neymar Junior dëgjoi ofendimet dhe nuk hezitoi të reagojë për t’i dalë në mbrojtje Danilos.
“Respekt, dreqi ta marrë!”, iu kundërpërgjigj Neymar tifozëve të Santos që po shanin lojtarin rival.
Ky moment ka ngjallur shumë reagime në rrjetet sociale, duke hapur debat mbi kufijtë e tifozerisë dhe etikën sportive. /Telegrafi/
TIRANË, 17 korrik/ATSH/ Bizneset lokale në bashkitë Korçë, Pogradec dhe Përrenjas kanë tashmë një mundësi të re për zhvillim dhe inovacion.
Kryetari i bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, bëri të ditur sot se është hapur një thirrje për aplikime që ofron grante deri në 50 000 euro për nisma që kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm dhe promovojnë ekonominë qarkulluese.
Programi i mbështetur nga GIZ synon të ndihmojë bizneset që veprojnë në sektorë si turizmi, agropërpunimi, fasoneria, apo edhe në fusha të reja si menaxhimi i mbetjeve dhe zgjidhjet inovative për qytete më të pastra. Iniciativa u drejtohet sipërmarrësve që kanë ide me potencial për të gjeneruar ndikim pozitiv mjedisor dhe ekonomik në nivel vendor.
Thirrja për aplikime është e hapur deri më 15 gusht 2025, ndërsa për të informuar më mirë të interesuarit, më 17 korrik u organizuan dy seanca informuese në qytetet e Korçës dhe Pogradecit. Këto takime u zhvilluan në kuadër të programit “Zero City Lab”, një nismë që synon të ndërtojë qytete më të gjelbra dhe më të qëndrueshme përmes bashkëpunimit me komunitetin dhe sektorin privat.