Shqipëria është përfshirë nga zjarre të mëdha ditët e fundit. Situata paraqitet e vështirë në disa zona ku janë urdhëruar shpërngulje teksa të paktën një person ka humbur jetën.
Zjarret dolën nga kontrolli në Gramsh pasditen e së martës dhe po kështu ditën e sotme duke nxitur autoritetet të largonin banorët e tetë fshatrave: Nartë, Skënderbegas, Kullolas, Bletëz, Menkollarë, Ërmenj, Harunas dhe Zenelas.
Në mbrëmje situata u bë kritike edhe në Delvinë, ku u urdhërua gjithashtu largimi i banorëve. Njësoj, në Poliçan u urdhëruan edhe banorët e fshatrave Vokopolë, Zhapokikë, Plashnik dhe Panarit.
Sipas Ministrisë së Brendshme, pesë helikopterë janë angazhuar për shuarjen e flakëve, tre në Gramsh, dy në Delvinë.
Ministria e Mbrojtjes raportoi të mërkurën për 10 mijë forca në terren duke u përballur me 24 vatra aktive zjarresh të 24 orëve të fundit.
Shqipëria në flakë
Temperaturat e larta dhe thatësia e gjatë e kësaj vere ka ndihmuar në përhapjen e zjarreve, ku në disa raste ato kanë qenë edhe të qëllimshme.
Vatrat e para u raportuan më 12 qershor në Qeparo, pasuar nga mali i Krastës më 18 qershor.
Vetëm gjatë atij muaji, sipas ministrisë së Mbrotjjes pati 134 raportime zjarresh në të gjithë vendin: Tiranë, Durrës, Lezhë, Berat, Gjirokastër, Fier, Elbasan, Shkodër, Korçë dhe Vlorë.
Në korrik, numri u trefishua në 373 dhe prirja e lartë e zjarreve vijoi edhe gjatë muajit gusht, favorizuar edhe nga temperatura ekstreme mbi 40 gradë celsius.
Deri të mërkurën, 13 gusht, situata u cilësua kritike me rreth 210 vatra zjarri, ndërsa pati edhe një viktimë në fshatin Skënderbegas, ku zjarri dogji edhe shtëpi.
Ministri i Brendshmëm Ervin Hoxha deklaroi se gjatë muajit gusht ka pasur 59 zjarre të mëdha dhe 961 të vogla.
Kodi Penal në fuqi, përkatësisht neni 206/a parashikon 5 deri në 8 vite burg për shkatërrimin me dashje përmes zjarrit, të fondit pyjor dhe çdo njësie të ngjashme me të, me pasoja të rënda materiale.
“Ndërkaq, kur vënia e zjarrit të qëllimshëm ka shkaktuar pasoja të rënda për pronën, shëndetin ose jetën e njerëzve apo dëme të rënda dhe të zgjatura në kohë ndaj mjedisit, dënohet nga 10 deri në 20 vjet burg”, thuhet në Kodin Penal.
Sipas Ministrisë së Brendshme, në vitin 2025, deri më tani policia ka proceduar 120 persona për zjarrvënie të qëllimshme dhe ka arrestuar vetëm 21 persona.
Shqipëria pa kapacitete për parandalimin e zjarreve
“Janë rreth 10 mijë forca të angazhuara në terren”, u shpreh Ministri i Brendshëm Hoxha të martën nga Gramshi, ndërsa ishte në ndjekje të situatës së renduar nga zjarret.
Përpos premtimeve për të zgjeruar kapacitete për emergjencat civile, Shqipëria nuk ka në dispozicion avionë për fikjen e zjarreve. Në terren janë vetëm zjarrfikësit dhe skuadrat e emergjencës, të cilat vuajnë nga mungesa e mjeteve dhe veshjeve të duhura.
Edhe këtë vit, Shqipëria është mbështetur në Mekanizmin Evropian, duke marrë ndihmë përmes avionëve “Canadair”, të posaçëm për fikjen e zjarreve.
Ky shqetësim është përcjellë edhe nga Kryeministri Edi Rama, i cili përmes një komunikimi në rrjetin social Twitter e relativizoi situatën me vendet e tjera fqinje.
“Duke i siguruar të gjithë se kemi këto ditë mjete nga ajri më shumë se çdo vit më parë, […] i ftoj të gjithë të ngrenë një pyetje: Po fqinjët tanë, Greqia dhe Italia apo Turqia dhe Spanja, që po përcëllohen më keq se çdo vit tjetër kanë vallë mungesë avionësh?”, u shpreh Kryeministri në Twitter.
Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme
Në fshatrat e Gramshit, të cilat u përfshinë nga flakët janë djegur rreth 40 banesa, ndërsa dëme të konsiderueshme ka edhe në kullota dhe fonde pyjore.
Sipas legjislacionit shqiptar ka dy raste kur shpallet gjendja e jashtëzakonshme: kur kemi cenim të rendit publik dhe kur kemi emergjence civile në territore të caktuara.
Edhe pse vendi ynë ka përjetuar situata të vështira për shkak të situatave që lidhen me zjarret apo përmbytjet, asnjëherë qeveria nuk ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme.
Shpallja e saj do të aktivizonte të gjitha strukturat shtetërore dhe mund të kërkonte rishikim të buxhetit.
Përvoja e përmbytjeve në Shkodër tregon se mungesa e shpalljes pengon dëmshpërblimin e qytetarëve.
Në një situatë të ngjashme me zjarret, ku dëmet dhe pasojat janë të rënda për qytetarët që gjithçka kanë është shtëpia dhe bagëtia, mosbesimi se do të dëmshpërblehen qëndron aty.
Banorët e një fshati të Ersekës ankohen se kullotat e tyre po ua zë një kompani private, e cila ka fituar të drejtën për zhvillimin e një centrali fotovoltaik.
Fshatrat që po thahen nën hijen e paneleve diellore
Të enjten e parë të gushtit, në dalje të Ersekës, Petrit Zeqo na priti në fshatin e tij, Taç i Sipërm, rreth 2.5 kilometra larg qytetit.
Pavarësisht atmosferës së braktisjes, fshati kishte peizazh unik, shtëpi të grumbulluara dhe toka të punuara, ndërsa më në brendësi, një burim i vogël uji shërbente si çezmë publike.
“Këtë e ka sjellë një ushtar, për një vajzë të fshatit”, na tregoi Petriti simbolin e dashurisë së një periudhe tjetër, dëshmi që i ka qëndruar fshatit edhe sot.
Petriti na shoqëroi më tutje, pranë hijes së një arre të madhe ku po na priste një grup banorësh me vështrimin hedhur përballë makinerive të rënda që po sheshonin tokën.
Banorët e fshatit Taç/Citizens.al
Kullota, që banorët e përdornin për bagëtitë dhe si shteg për t’u lidhur me arat e tyre tanimë është shkretuar me dherat e dystuara mbi të.
Një central fotovoltaik, me qëllim prodhimin e energjisë elektrike do të zërë vend pak muaj më vonë. Punonjësit në terren, të shqetësuar nga prania jonë si media, hezitojnë të tregojnë edhe emrin e kompanisë, me justifikimin se “janë veçse punëtorë”.
“Të tëra sinoret, ku kanë qenë e ku janë tani akoma, janë të fshatit me vendim gjykate”, tha për Citizens.al Rrushan Byrekasi, 77-vjeç.
Ndërsa renditi me emra se kujt i përkasin të gjitha ngastrat e tokave të fshatit, Rrushani na tregoi se me kërkesë të pleqësisë dhe një vendim gjyqësor të fillim viteve 2000, kjo kullotë i ka kaluar në bashkëpronësi banorëve të fshatit.
Vendimin na e tregoi Petriti, i cili e kishte printuar si dokument.
“Na jepte të drejtë që kjo pronë që aktualisht këta po e marrin, po e tjetërsojnë, është e jona. Domethënë penalizojnë një fshat dhe favorizojnë privatin. Kjo është e jona, me qitap e me të tëra”, theksoi ai.
Sipas vendimit të 26 tetorit 2001 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kolonjë, 37 banorëve të fshatit ju takon secilit nga 1/37-ta pjesë e barabartë e rreth 522 hektarëve kullota (340.5 ha) dhe pyje (181.8 ha).
“Këtu, ku po bëhet ky punim është baza e blegtorisë që del blegtoria jonë, baza e ujit që marrim, edhe ujë të pijshëm edhe ujit vaditës. Këta po e shkatërrojnë. Jemi të detyruar të shpërngulemi, por s´dimë ku të vemi”, u shpreh i revoltuar Ferdinand Agolli.
Përbri tokës, ku tanimë po kryhen punime për sheshimin e saj, 150 krerë bagëtish të imëta kalojnë njëra pas tjetrës të ndjekura nga një zonjë e fshatit.
“Bëni diçka, nuk kemi ku të çojmë bagëtitë, me këto mbahemi”, na tha ajo, ndërsa ndaluam ta përshëndesnim.
Bashkëshorti, Rakip Agolli, na tregoi se ka 30 vite që merret me blegtori dhe se ky zanat është e vetmja mënyrë jetese për zonën. Centralin fotovoltaik, ai e ndjen si kërcënim për t’u larguar, për aq kohë sa nuk ka hapësira ku të kullosin bagëtitë.
“Kam pasur 300 krerë, tani 150, mot mund të kem dhe 30. Në fillim ishte mirë, nuk kishte vështirësi, kishte hapësirë, kullosnin. Tani ka vështirësi, vetëm me këtë dëmin që po na bëhet, me këtë diellorin, po na vjen në prag të shtëpisë, tani do detyrohemi të ikim,” tha Rakipi.
Sipas kryeplakut të fshatit, Ibrahim Byreku, ky shqetësim është ndjekur edhe në polici dhe pushtetin vendor, mirëpo sipas dokumenteve, kompania ndërtuese është në rregull.
“Kemi disa vendime gjyqi që i kemi pasur me sinore, por aktualisht sot, me dokumentacion (kullotat) nuk janë tonat. Kam vërtetuar dhe firmat dhe të tëra dhe për kaq sa di, ata zotërinjtë e kanë më vulë, me firmë me të tëra”, u shpreh i prerë Ibrahimi.
Në fshat ora kishte mbetur. Tek-tuk shikoje ndonjë shtëpi të re, të ndërtuar nga remitancat e emigrantëve, kryesisht në Amerikë dhe Kanada, ndërsa shërbimet e bashkisë zor se dalloheshin.
Vendgrumbullimi i mbeturinave në fshatin Taç/Citizens.al
Kjo kuptohej nga kodrat e krijuara me plehrat, të cilat sipas banorëve herë pas here digjen, pasi askush nuk vjen t’i marrë.
Ndërhyrjet e makinerive për të sistemuar kullotën për parkun e energjisë diellore dukej se kishin shkaktuar dëme në kanalin vaditës të fshatit.
“Vit për vit pastrohej nga ana e bashkisë, tani nuk na vjen më uji. Kopshtet që mbillnim një domate, një piperkë, sivjet e kemi problem për ujin. Kjo ka ardhur nga devijimi i punimeve që kanë bërë atje”, tregoi Rakip Agolli.
Procedura jo transparente për parqet diellore
Trokitjes sonë për informacion nisur nga shqetësimet e banorëve, bashkia Kolonjë iu përgjigj: “Nënkryetarja është në mbledhje dhe nuk mundet të përgjigjet”, ndërsa na referoi ti adresonim pyetjet me shkrim.
Të dhënat e shqyrtuara nga Citizens.al tregojnë se 27.6 hektarë kullota të fshatit Taç u proceduan për t’u dhënë me qira në kohën kur vendi ishte në fushatë zgjedhore për zgjedhjet lokale të vitit 2023.
Më 3 maj 2023, Bashkia Kolonjë i propozoi Këshillit Bashkiak dhënien e tyre me qira për projekte energjetike. Po atë ditë u shqyrtuan edhe dy kërkesa të tjera po për qëllime energjetike për kullotat dhe pyjet në Rehovë dhe Selenicë, duke e çuar totalin në 127 hektarë.
Punimet për centralin fotovoltaik në kullotat e fshatit Taç/Citizens.al
Afati i përdorimit u vendos 10 vjet, me qira minimale 2,100 euro për hektar në vit – rreth 60 mijë euro në vit për parcelën në fshatrat Taç-Agalli.
Sipas të dhënave të Open Data Albania, tenderi i 12 qershorit 2023 pati vetëm një ofertues: kompania “Get Solar Solution”, e cila ofroi pikërisht çmimin dysheme dhe fitoi, pavarësisht mungesës së konkurrencës.
E njëjta praktikë u ndoq edhe për rreth 100 hektarë kullota në Rehovë dhe Selenicë, të cilat iu dhanë kompanive MET Invest dhe Kail Energy.
Më 30 prill 2025, qeveria miratoi projektin e “Get Solar Solution” për central fotovoltaik me kapacitet 24 MW dhe afat operimi 49 vjet.
Një televizion shqiptar përdori inteligjencën artificiale (AI) për të gjeneruar titullin e një lajmi, por pa ia bërë të ditur publikut. Sidoqoftë kjo praktikë i doli zbuluar pasi në tekstin e artikullit, padashur, përfundoi edhe vetë kërkesa e bërë.
“Më jep një titull për këtë: Skema e re e bonusit të bebes, nga viti që vjen pritet të ndryshojë, duke nisur pagesa mujore deri në moshën 5-vjeçare,” ishte hyrja e lajmit në fjalë ku dallonte kërkesa. Artikulli u korrigjua pak kohë më vonë pas botimit.
Raste të tilla, ku artikujt shkruhen apo asistohen me AI, po bëhen më të shpeshta.
Ndërsa AI po transformon rrënjësisht mënyrën se si krijohet dhe shpërndahet informacioni mediat shqiptare, por jo vetëm, ndodhen në një moment kyç përballë sfidave: etike, të cilësisë së informacionit dhe luftës kundër dezinformimit.
Oliverda Allmuca, gazetare pranë televizionit MCN tha për Citizens.al se e ka përdorur AI-në për të marrë informacion apo përpunuar të dhëna.
“Në rastet kur ka raporte voluminoze, përmbledhja e të dhënave sasiore, pra shifra dhe statistika bëhet me vlerë dhe kursen kohë”, tha ajo.
Megjithatë, për rastin në fjalë Oliverda tha se nuk e kishte vendosur në dijeni publikun, pasi materialin e publikuar nuk e kishte zhvilluar tërësisht me AI.
“…sepse nuk kam formësuar pjesë të informacioenve përfundimtare, por vetëm ndihmë në procesin e kuptueshmërisë për mua”, saktësoi gazetarja.
Ngjashëm edhe Ledina Elezin, gazetare pranë televizionit SCAN, tha për Citizens.al se nuk e përdorte shpesh AI-në për të shkruar artikuj.
“Të vetmet raste që e përdor është kur kam ndonjë koncept teknik dhe dua që të ma bëjë më të qartë mua, pra ta kuptoj unë. Në shumë raste bën gabime, prandaj përpiqem të mos e përdor”, theksoi Ledina.
Ndryshe, Isa Myzyraj, gazetar pranë televizionit Ora News, flet me mbresa për përvojën me AI-në, pavarësisht se ai thekson se zakonisht nuk e përdor për punë.
“Po e kam përdorur në dy raste, hera e parë ka qene sapo doli, për provë kryesisht, dhe herën e dytë për një titull lajmi. Le të tregohem i sinqertë, kam mbetur i mahnitur me rezultatin”, u shpreh Isa.
Duke komentuar rreth kësaj çështjeje për Citizens.al, gazetari dhe studiuesin e medias Lutfi Dervishi, thotë se në radhët e gazetarëve ka hipokrizi.
“AI përdoret, por fshehurazi. Si struci!” theksoi Dervishi, sipas së cilit inteligjenca artificiale kërkon që të jesh i përgatitur pasi është “një terren që ndesh të reja çdo ditë”.
“Ka kureshtje padyshim, ka dhe keqpërdorim, por mungojnë dijenitë dhe nuk ka debat se deri ku mund të përdoret”, vijoi ai.
Sipas Dervishit nuk ka kufi të qartë mes “asistentit virtual” dhe “skllavit” që zbaton çdo urdhër që ti i jep.
“Hapi i parë është që duhet pranuar se po e përdorim, më pas të nisë debati si? Deri ku? Cilat janë kufijtë? Përfitimet? Rreziqet? Protokollet?”, analizoi Dervishi.
Zakonisht pas përpunimit të një teksti, apo materiali gazetaresk, AI i pyet përdoruesit nëse dëshirojnë që ta ripërpunojë më tej me një mesazh të ngjashëm si:“Nëse dëshiron, mund të ta përgatis ketë në format revistash, ese akademike, ose version të shkurtuar për botime edukative. Si dëshiron ta përdorësh këtë material?”
Dervishi tregoi se kishte hasur plot raste ku edhe redaksive serioze të vendit, në fund të shkrimeve të botuara, u kishin shpëtuar kërkesa të tilla të AI-së për përmirësimet e teksteve.
Mungesa e rregulloreve dhe transparencës me publikun
Përtej zhvillimit të teknologjisë dhe mundësisë së përdorimit të AI-së për të thjeshtuar procese apo për të shkurtuar kohë pune, redaksitë e mediave shqiptare duket se nuk janë dhe aq miqësore me të.
“Platforma si ChatGPT ose të ngjashme, janë bllokuar në serverët e kompjuterëve redaksionalë. Sipas udhëzimit, procesi i përdorimit të inteligjencës artificiale shkakton dëm serioz në memorie dhe dobëson kreativitetin”, tha Oliverda për redaksinë e MCN-së.
Sipas saj, në politikat e ndjekura në këtë televizion, AI nuk mund të zëvendësojë gazetarin, stilistikën e tij dhe rolin e tij kritik. Për këtë arsye, ajo e përdor AI-në vetëm në punë jashtë redaksisë.
Situata përshkruhet e njëjtë edhe në televizionin SCAN nga Ledina Elezi.
“Nuk kemi ndonjë udhëzim ose rregullore në redaksi, por ekziston një lloj stigme në rast se përdoret”, tha Ledina.
Ajo solli në vëmendje edhe rastet kur kolegë të saj e kishin përdorur për të gjeneruar foto për webin.
“Në ato raste nuk është vënë në dijeni publiku. U përdor vetëm tre herë dhe jo më, sepse kolegu mori kritika nga drejtori”, u shpreh më tej Ledina.
Edhe Isa tregoi se në redaksinë e Ora News nuk ka një rregullore apo udhëzim për përdorimin e AI-së si për tekstet, edhe për fotot apo videot, ndërsa shprehet se ka vënë në dijeni publikun kur e ka përdorur për materiale të postuara në llogaritë e tij sociale, apo punë jashtë televizionit.
Për Koloreto Cukalin, drejtues i Këshillit Shqiptar të Medias (KSHM), është e vështirë të besohet se, përpos halleve dhe streseve të përditshme, ndonjë media shqiptare t’i ketë kushtuar kohë hartimit të një udhëzuesi.
“Edhe pse besoj ka media dhe e di që ka media që mund ta kenë diskutuar nëpër redaksi, nuk besoj se ka një rregullore të mirëfilltë”, theksoi ai për Citizens.al.
Sipas Cukalit, është shumë e rëndësishme që të ketë transparencë nga mediat për publikun, sa herë përdoret AI.
“Standardi që po përdoret dhe që po promovohet gjerësisht në media ndërkombëtare është që kur ka një tekst të përkthyer me AI duhet të bëhet i ditur në fund, duhet treguar që është bërë me ndihmën e AI-së” vijoi drejtuesi i KSHM-së.
Megjithatë, edhe për këtë lloj transparence ka disa nivele, sipas Cukalit.
“Nëse ti e përdor inteligjencën artificiale vetëm për të bërë kërkime, por shkrimin e ke bërë vetë, sigurisht që nuk është e nevojshme ta vësh, sepse ti nuk ke përdorur ‘searching’ e Google-it, por ke përdorur AI-në për të bërë kërkime për dokumente të ndryshme”, vijoi Cukali.
Për Lutfi Dervishin, përdorimi i AI-së nuk mund të shihet si armik.
“Mund ta rrisë cilësinë nëse përdoret me mend: kërkim më i shpejtë, përmbledhje informacioni/dokumentesh, transkriptime, vizualizime të dhënash, ide për këndvështrime të reja, korrigjim të tekstit për gabime ortografike”, shtjellon Dervishi.
Megjithatë, sipas tij cilësia vritet kur ia dorëzon filtrin editorial “makinës”.
“Duke huazuar një koncept të Yuval Hararit, algoritmi ka zëvendësuar redaktorin. Ti konsumon jo atë që ka përzgjedhur redaktori, por atë që të shfaq algoritmi. Sfida është që kontrolli përfundimtar të jetë në dorë të njeriut dhe jo të AI-së”, përfundoi Dervishi.
Krijimtaria artificiale sipas AI-së.
Dezinformimi dhe sfida e përballjes me një realitet të ri
Koloreto Cukali shpjegon se dezinformimi nuk është diçka e re, përpos terminologjisë që mund të jetë e tillë. Sipas tij nevojitet që krahas zhvillimeve të përgjithshme të zhvillohet edhe vetë publiku “për mënyrën se si e merr, kërkon dhe jep informacionin”.
Për këtë, ai argumenton se nëse nuk rregullohen disa marrëdhënie, nuk mund të ketë një përmirësim apo adresim të kësaj prirjeje.
“[…] ca marrëdhënie që kanë të bëjnë me ekonominë e mediave së pari, me kontributin e publikut në këtë ekonomi së dyti, dhe me edukimin e publikut, për të kuptuar se si funksionon etika në lajme dhe se si funksionojnë të gjithë këto elementë të dezinformimit, unë nuk pres ndonjë përmirësim ose adresim të këtij fenomeni”, argumentoi Cukali.
Për gazetarët, përballja me materiale të rreme të gjeneruara me AI-në është tanimë e përditshme. Ky ekspozim duket se ka bërë që ata të fitojnë përvojë për t’i kuptuar më mirë.
“Nëse ka personazhe, shoh kryesisht duart ose këmbët, ku zakonisht janë gabimet më të zakonshme të AI-së. Mund të kontrolloj edhe aspektin fizik, pra hijet, mund të kontrolloj kohën kur është realizuar, ose nëpërmjet platformave që bëjnë ‘check AI’, kontrolloj burimin e fotografisë”, u shpreh Oliverda.
E njëjta përballje me fotot apo videot e gjeneruar me AI vjen edhe për Ledinën.
“Në rastin e fotove, zakonisht cepat janë më të lëmuar, qoftë në rastin e njerëzve ose të objekteve dhe mund të ketë ndonjë deformim të vogël ose diçka që nuk bën sens në foto” thotë ajo.
Ndërsa për tekstet sipas Ledinës, ka disa fjalë tipike që përdoren vazhdimisht.
“Ndodh që të përdorë edhe shumë mbiemra cilësorë. Shpjegimi është gjithashtu i ndarë në pika kryesore” vijon Ledina.
Për Oliverdën, kur vjen puna te të dalluarit të tekstit, është më komplekse.
“Zakonisht përpiqem të shoh burimin nga vjen ky material, sa i besueshëm është ose nëse është një personazh, kërkoj për profile zyrtare”, tha Oliverda.
Isa kujton raste të përdorimit të AI-së gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet qendrore të 2025-ës. Sipas tij ajo që i dallonte ishte një mënyrë e përdorimit të fjalëve, sintaksës, apo pikësimit që të linte ta kuptoje se “nuk është shkruar nga një njeri”.
Sipas tij AI ka një potencial të madh për të përhapur dezinformim në mënyrë masive dhe të sofistikuar.
“Teknologjitë si gjenerimi automatik i teksteve, imazheve dhe videove mund të krijojnë përmbajtje bindëse e të vështirë për t’u dalluar nga ajo autentike. Në duar të gabuara, kjo mund të shfrytëzohet për të manipuluar opinionin publik, për të krijuar narrativë të rreme ose për të ndikuar procese demokratike”, u shpreh Myzyraj.
Për Oliverdën, përballja me dezinformimin është sfidë e përditshme në punën si gazetare, por edhe si një publik që konsumon informacione në rrjet. Ndërsa sipas saj mungon edukimi për median.
Ndërkohë, Lutfi Dervishi është i mendimit se AI e ka bërë gënjeshtrën, manipulimin dhe propagandën më të lirë, më të shpejtë dhe më të personalizuar.
“Kemi ‘deepfake’ audio e video, profile sintetike dhe tekste që duken ‘gazetareske’”, shprehet ai.
Sipas Dervishit, në Shqipëri problemi shumëfishohet nga tregu i vogël, presioni i klikimeve dhe mungesa e redaktoreve.
“Sot po shikoja disa komente të përdoruesve në TikTok që habiteshin sa mire ‘flet’ një bebe dhe çfarë logjike ka dhe nuk e kuptonin se video ishte përgatitur me AI”, u shpreh Dervishi, ndërsa shtoi se audienca në Shqipëri nuk është edukuar për AI-në.
Këtë këndvështrim e ndan edhe Koloreto Cukali, ndërsa shprehet se shtimi i kapaciteteve të reja për të krijuar dezinformim e ndërlikon më tepër situatën dhe rrezikun.
“Publiku është i papërgatitur për t’u mbrojtur dhe të mos harrojmë që ndërkohë kemi një publik që ishte shumë vulnerabël, shumë i brishtë ndaj dezinformimit”.
AI dhe nevoja për të ndërhyrë në Kodin e Etikës
Duke pasur në vëmendje ndryshimet teknologjike dhe ndikimin e tyre në punën e gazetarëve, një grup ekspertësh janë duke ndërhyrë në Kodin e Etikës së gazetarit për ndërtimin e një udhëzuesi për përdorimin etik të inteligjencës artificiale.
Sipas Koloreto Cukalit, përdorimi i AI-së kërkon një manual se sa një rregullim etik.
“Një doracak për të treguar se si duhet përdorur, për të përcaktuar disa rregulla të përdorimit nga ana e gazetarëve. Është një fushë që është akoma në eksplorim e sipër meqenëse edhe vet AI është në zhvillim të vazhdueshëm. Edhe etika në raport me të është në evolucion”, u shpreh ai.
Në pikën dedikuar AI-së në Kodin e Etikës ku tanimë po ndërhyhet, thuhet se gazetarët dhe redaksitë e lajmeve mund ta përdorin AI-në në mbledhjen, krijimin dhe shpërndarjen e përmbajtjeve duke respektuar transparencën, përgjegjësinë, masat mbrojtëse etike dhe duke pasur një mbikëqyrje njerëzore.
Sipas Lutfi Dervishit, shtimi i kësaj pike në Kodin e Etikës u bë pasi mungonte detyrimi i qartë për transparencë, kur përdoret AI-ja ndaj duhej ndalimi i manipulimeve që mund të mashtrojnë publikun.
“Na duhej një kornizë për privatësinë, burimet dhe përgjegjësinë editoriale. Pra pyetja/dilema e vjetër: (di)kush mban përgjegjësi!? Apo jo?”, u shpreh Dervishi.
Megjithatë, sipas tij, ky është vetëm hapi i parë, pasi hapi i radhës është zbatimi.
Shënim: Titulli i artikullit është sugjeruar nga AI.
Kodi i ri Penal ka ngritur alarmin te gazetarët dhe organizatat e medias. Drafti i propozuar nga qeveria duket se përmban ndryshime që, sipas aktorëve të shoqërisë civile, cenojnë lirinë e shprehjes.
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH), Rrejti Ballkanik i Gazetarisë Investigative (BIRN) dhe Qendra Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV) shprehën sot përmes një deklarate të përbashkët shqetësimin e tyre për draftin.
Ata paralajmërojnë se përkufizimet e reja në kod janë të paqarta dhe të rrezikshme për demokracinë. Problematike cilësohen nenet “863” dhe “865” që flasin për “Shpifjen” si dhe neni “536” i cili flet për ndikimin nëp avarësinë e gjykatës.
“Përmbajnë elemente shqetësuese, të cilat krijojnë paqartësi dhe mundësi për interpretim arbitrar dhe abuziv në zbatimin e tyre ndaj gazetarëve, mediave, shoqërisë civile dhe rojtarëve publik në tërësi”, u shprehën organizatat përmes deklaratës.
Sipas tyre nenet “863” dhe “865” rrisin ndjeshëm gjobat dhe heqin kriterin thelbësor të ndëshkimit vetëm nëse ka dijeni se informacioni është i rremë.
“Kjo situatë i ekspozon gazetarët ndaj ndjekjeve penale edhe kur kanë qenë në mirëbesim, duke rritur pasigurinë juridike dhe frikën e raportimit kritik”, thuhet më tej në deklaratë.
Po ashtu, neni për shpifjen sipas organizatave ka një formulim subjektiv, pa pasur përkufizime konkrete.
“Masa e propozuar e dënimit me burgim deri në dy muaj për fyerjen e rëndë është joproporcionale dhe bie ndesh me jurisprudencën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, që kërkon trajtimin e fyerjes vetëm përmes masave proporcionale civile, pa burgim dhe pa rrezikuar gazetarinë kritike apo satirike”, argumentojnë organizatat.
Sa i takon nenit 536 për ndikimin në pavarësinë e gjykatave, duke ndaluar komentet apo publikimin e tyre mbi procese gjyqësore, organizatat e cilësuan këtë formulim si ndërhyrje e drejtpërdrejtë në rolin legjitim të medias, akademikëve dhe shoqërsië civile për të mbikëqyrur zhvillimet në drejtësi.
“Ky nen është formuluar qëllimisht në mënyrë të paqartë dhe mund të përdoret për të penalizuar arbitrarisht çdo koment apo raportim kritik, duke pamundësuar monitorimin publik të rasteve gjyqësore dhe hetimeve që përfshijnë figura publike dhe zyrtarë shtetërorë”, thuhet në deklaratë.
AGSH, BIRN dhe SCiDEV kërkuan që të rishikohen në thelb këto tre nene, të shmanget paqartësia dhe zbatimi selektiv, të dekriminalizohet shpifja, fyerja dhe nga ana tjetër gazetarët dhe punonjësit e medias të mbrohen në mënyrë të qartë.
Drafti i kodit të ri penal është një material voluminoz prej 331 faqesh dhe 952 nenesh, i prezantuar më 25 korrik nga ministri i drejtësisë Ulsi Manja. Sipas tij, ky kod i ri synon t’i përafrohet atij të Bashkimit Evropian në kuadër të intgrimit.
Kodi penal aktual, i përket vitit 1995. Ai ka 335 nene dhe në 30 vite është ndryshuar 24 herë me ligj dhe 10 herë pas vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Drafti për Kodin e ri është pritur me pakënaqësi nga institucionet e tjera dhe grupet e interesit.
Kryeprokurori Olsian Çela dhe kreu i Prokurorisë së Posacme Anti-Korrupsion (SPAK), Altin Dumani nuk kanë qenë pjesë e konsultimeve për draftin, teksa janë shprehur me rezerva. Ndërkohë Dhoma e Avokatisë e konsideroi si drfat “inkuizitor”, me mungesë transparence.
Për drejtuesen e SciDev, Blerjana Bino, ky draft bën hapa pas në raport me standardet ndërkombëtare për lirinë e shprehjes dhe për rekomandimet e herë pas hershme për dekriminalizimin e shpifjes si kusht për të uajtur lriinë e mdias dhe demokracinë funksionale.
Bino tha për Citizens.al se riformulimet për shpifjen jo vetëm nuk përmbushin rekomandimet e përsëritura nga ndërkombëtarët, organizatat e medias dhe shoqërisë civile, por shtojnë sanksionet penale me efekt frikësues ndaj gazetarëve dhe aktivistëve.
Banorë të fshatrave të Përmetit tregojnë për shkolla të mbyllura, biznese që nuk gjejnë vazhdimësinë dhe jetën në vetmi. Emigracioni po i kthen fshatrat si Iljara, Pëllumbari, Leusi, Draçova apo Stërmbeci në hije të vetvetes.
Kristaq Çiçolli, dikur pronar i një dyqani përballë një shkolle të mbushur me jetë dhe nxënës të numërt, sot pret në dyqan vetëm pleq dhe banorë të fshatit.
Shkolla që dikur numëronte mbi 160 nxënës në Iljarë është zbrazur; klasat janë bërë kolektive, me pak fëmijë dhe shumë boshllëk.
Prej vitit 1983, Kristaqi nuk e ka lënë punën, duke pritur dhe përcjellë. Sot, edhe pse në pension ai vijon të shërbejë në dyqan.
“Kanë emigruar. U larguan. Çdo fshat, jo vetëm ne Iljari edhe Pëllumbari, Draçova e Stërmbeci kanë pasur brez të ri shumë, por kanë shkuar. Tani ka mbetur mosha e tretë edhe ndonjë në të rrallë, brezi i ri. S´ka më!” tregon Kristaqi.
Me një memorie të admirueshme ai numëron me gishtat e dorës familjet që kanë mbetur në fshat, të gjithë pothuajse mosha e tretë.
“Sot janë 75 frymë në fshatin Iljarë, 44 në fshatin Pëllumbar. Kanikoli është drejt falimentimit si fshat. S’kanë mbetur fare-fare. Nja katër-pesë familje, kështu me nga dy veta. Tani, jemi 28-29 familje, me frymë të pakta, 1,2,3. S’ka më shumë”, vijon Kristaqi.
Në Çarçovë, Iljarë, Petran e Leusë, historia është e njëjtë: rinia ka emigruar, pleqtë kanë mbetur të vetëm.
Në Leusë shquhet Kisha e Shën Mërisë, një monument i trashëgimisë kulturore. Derën e saj na e hap Genta, e cila përpos vështirësive shëndetësore çdo ditë të javës pret e përcjell vizitorë.
Ajo na tregon me trishtim se fshati është zbrazur, shkollë nuk ka, dyqane jo, dhe as qendër shëndetësore. Sipas saj në këto kushte asgjë nuk i kthen pas të rinjtë.
“Kanë ikur të tërë, vetëm pleqt janë tani, nga dy e nga dy, nga 40 e lart,” thekson ajo teksa kujton kalldrëmet e dikurshme plot jetë përballë realitetit të sotëm në izolim të thellë.
Sot, asnjë shërbim nuk ofrohet në fshat, ndërsa qyteti i Përmetit mbetet zgjidhja e vetme.
“Për një ushqim të vogël do të shkojmë poshtë. Ose do marrim makinën të sjellim ushqimet lart,” vijon Genta.
Ndërsa del nga qyteti i Përmetit, rruga që të çon në fshatin Petran ka plot tabela për rafting. Lumi i Vjosës përbri ofron një panoramë të mrekullueshme, duke qenë pjesë e rëndësishme edhe e jetës së banorëve, të cilët punojnë tokat dhe mbajnë blegtori.
Albeti, një prodhues i vjetër bulmeti, përpiqet të mbajë gjallë një biznes në një zonë që po zbehet dita-ditës.
Ai na përshëndet nga xhami i makinës, ndërsa dërgon bulmetin e grumbulluar nga fshatarët e zonës në baxho. Shitjet janë zhvendosur në qytete të tjera të vendit për shkak të largimit të popullsisë.
“S’ka popull, nuk ka shitje”, thotë ai, ndërsa thekson se e ka pasur të vështirë të gjejë punëtorë.
Lefteri, kryeplaku i zonës tregon se për brezat e rinj, familjeve emigruese pas viteve ’90 kthimi në vendlindje do të ishte i vështirë nisur nga gjendja aktuale. Ai ndalet të flasë edhe për zbrazjen e shkollave, teksa kujton se dikur fshati ka pasur mbi 150 nxënës.
“Petrani deri dje kishe 9-vjeçare tani nuk ka as fillore. U mbyll!” thotë Lefteri.
Për Albetin shqetësim mbetet edhe vazhdimësia e biznesit. I vetëdijshëm për mundësitë më të mëdha në Tiranë, ai thotë me dhimbje se edhe një nga djemtë që e ndihmon me shitje, nuk dëshiron të kthehet në fshat për të trashëguar biznesin.
Në një realitet të tillë, ku largimi është bërë norma dhe kthimi një përjashtim, fshatrat e Përmetit pasqyrojnë plagët e emigrimit – një boshatisje fizike, ekonomike dhe shpirtërore që s’kurseu as tokën, as kujtesën.
Në Lufaj të Mirditës, banorët detyrohen të blejnë ujë të ambalazhuar pavarësisht burimeve natyrore që kanë. Shkak për këtë është bërë devijimi burimeve nga hidrocentrali i kompanisë “Seka Hidropower”. Ata thonë se kompania nuk respekton kontratën, e cila parashikon që të lëshojë ujë për nevojat e tyre. Prandaj, paralajmërojnë përshkallëzim në protesta nëse situata nuk ndryshon.
“Zoti dhe po na ndihmoi SPAK-u, te ata kemi pak shpresë” tha Jorgji Loci, i cili në mes të nxehtit të 24 korrikut mbushi bagazhin e kamionçinës me shishe uji të blerë dhe u nis drejt fshatit. Atje e prisnin banorë të tjerë për një protestë të thirrur për lirimin e rrjedhës së ujit, bllokuar nga hidrocentrali.
Zona me një peizazh të mrekullueshëm, nuk ndihmohej aspak nga rruga, e cila ishte në gjendje të amortizuar. Përgjatë saj, Jorgji ndaloi disa herë për të treguar burimet ujore, të cilat për të ishin shënjuese, pasi i kujtonin se dikur nga atje mund t’ia dëgjoje gurgullimën ujit, ndërsa tani rrjedha është futur në tuba.
“Këtu nuk ka asnjë pikë ujë, mbahet nga HEC-i,” tha ai teksa paralelizoi me enët e gjakut, që nëse një njeriu i bëhej një prerje në krah, gjaku nuk ka si t’i shkojë më në parakrah.
Fshati Lufaj i përket njësisë administrative Selitë. Bashkë me fshatrat e tjerë të kësaj njësie sikurse Bardhaj, Lëkundë, Zajs, Kthëllë e Sipërme, Kurbnesh, Mërkuth e Kumbull ofrojnë një potencial të lart natyror dhe bujqësor.
Tharja e shtratit të lumit. Foto nga Jorgji Loci.
Hidrocentrali i Sekës ka filluar punën prej vitit 2017, por banorët thanë se edhe kur u ndërtua, nuk ishin pyetur.
“As nuk na ka pyetur njeri, as nuk kemi qenë dakord,” tha Agron Kaçarri, banor i zonës.
Gjet Loci kujton se si zona mbante qindra banorë dhe mijëra bagëti teksa mbahej me grurë dhe misër.
“Tani nuk ka gram ujë”, tha ai i revoltuar teksa mungesa e ujit ka detyruar disa familje që të largohen.
Fatjon Gjinaj, i cili punon si gazetar në Tiranë, por që ka ende familjen në këtë zonë, tregoi se kompania nuk e ka respektuar kontratën, e cila e detyron që veçanërisht gjatë verës të lëshojë rrjedhë uji për në lumin e Urakës.
“Këtu është bërë një masakër,” tha ai teksa tregoi se kompania kishte abuzuar me zhvendosjen e dherave nëpër përrenj, “Është bërë një kontratë për ujin e pijshëm për të gjithë banorët, por zero! Asnjë ditë në 12 muajt e vitit nuk kalon.”
Sipas tij, pasuritë dhe puna e banorëve në këtë zonë në blegtori e bujqësi nuk është për të përfituar të tjerët në kurriz të tyre.
“Kemi kulla, kemi lumenj, kemi përrenj, kemi blegtori, kemi bujqësi. Kemi bagëti. Për çfarë? Për të fituar dikush në kurriz të të gjithëve ne të tjerëve?!”, vijoi Gjinaj.
Ai kërkoi që ky organizim i banorëve të merrej si ultimatum për kompaninë dhe organet përgjegjëse, që të zbatojnë detyrimet ligjore ndaj komunitetit dhe natyrës.
Jorgji Loci tregoi se kishte shpenzuar nga të ardhurat personale për t’i sjellë ujë fshatit nga burime të largëta. Ai e konsideroi këtë sakrificë “për të shmangur konfliktet me kompaninë”, por që edhe ky burim ishte ndërprerë.
“E kam çuar ujin në fshat me 8,500 metra zorrë vetëm që mos të hyj në sherr, dhe edhe atë ujë e kanë ndërprerë,” tregoi Loci.
Banorët e Zall-Gjocajt në solidaritet me Lufajn
Fshati Zall-Gjoçajt i përket Matit, mirëpo ndodhet pranë Lufajt, me të cilën ndan dhe burime të përbashkëta ujore. Njëjtë sikurse Lufaj, lumi Flim në Zall-Gjoçaj është futur në tubacionet e hidrocentralit të kompanisë “Seka Hidropower”.
Adem Gjokolaj, një ndër aktivistët më të zëshëm të mbrojtjes së burimeve ujore të Zall-Gjoçajt, duke qenë edhe Park Kombëtar kishte marrë rrugën për t’iu bashkuar banorëve të Lufajt.
“Në këto dy lumenj, lumin Flim dhe lumin Urakë, para ca kohësh kanë qenë mbi 2,500 bagëti që pinin ujë, mbi 2,000 bletë dhe të gjitha gjallesat mbi dhe nëntokësore po ngordhin, sepse nuk ka asnjë pikë ujë”, theksoi ai përmes megafonit.
Gjokolaj kërkoi nga të gjithë banorët që të mos ndalojnë së kërkuari të drejtën e tyre themelore për të pasur ujë të rrjedhshëm për shtëpitë dhe bagëtitë e tyre.
Sikurse Ademi, në mbështetje të banorëve të Lufajt ishte edhe Dhimitër Koleci, që bashkë me të tjerë banorë të Zall-Gjoçajt enden nëpër gjykata për të drejtën e ujit.
“Kemi për të njëjtin problem, për të njëjtin ujë, për të njëjtat HEC-e, për të njëjtit oligarkë, për të njëjtë mashtrues që kanë mashtruar të gjithë zonën,” theksoi ai teksa shtoi se rreth 80 kilometra katrorë tashmë janë kthyer në shkretëtirë.
“Kanë marrë ujë nga Parku Kombëtar Zall Gjoçaj, duke devijuar me tunele duke e sjellë në lumin e Urakës me një tunel tjetër e duke marrë edhe ujin e Urakës se nuk ngopen me lumenjtë, duke e nxjerrë këtu”.
Ai shprehu solidaritet me banorët, duke sjellë në vëmendje situatën e tyre ndër vite, punën e vështirë dhe pasojat shëndetësore në minierën e bakrit të Kurbneshit.
“Gjithë banorët e zonës që dikur kanë punuar me selikozën e bakrit në Kurbnesh dhe iu kalbën mushkëritë sot po iu thahen veshkat për ujë”, u shpreh Koleci.
Dhimitri solli në vëmendje edhe situatën në Parkun Kombëtar Zall-Gjocaj, ku gjatë ditëve të nxehta të korrikut ka pasur vatra zjarri. Sipas tij, futja e ujit nëpër tubacione, nuk bën gjë tjetër veçse përkeqëson situatën.
Paketë malesh, por pa ujë
Jorgji Loci ka një banesë në fshatin Lufaj dhe vjen shpesh për të qëndruar aty, ndërsa gjatë verës edhe më gjatë, kur fëmijët e tij janë me pushime. Ai punon në Durrës, por e ka menduar shpesh të investojë në fshatin e tij.
“Më ka rritur babai dhe unë nuk e lëshoj këtë vend, e lëshoj vetëm kur të iki te babai”, u shpreh ai për të atin, që tanimë nuk jeton më.
Jorgji tregoi se kishte dëgjuar shumë për “Paketën e Maleve”, një nismë e diskutueshme e qeverisë Rama për investimet në zonat malore dhe do të dëshironte të investonte në tokat e tij. Por, mungesa e ujit ia bën të pamundur këtë dëshirë.
“Unë jam i gatshëm të bëj fermë, jam i gatshëm të bëj bujtinë, por unë nuk kam asnjë pikë uji në fshat, është e gjitha shkretëtirë”, theksoi Jorgji për Citizens.al.
Edhe Gjet Loci, një tjetër banor i zonës shprehu dëshirën për të investuar në tokën e tij, por duke parë kushtet ka frikë të ndërmarrë një hap të tillë.
“Ne duam të vijmë të investojmë këtu, kam shtëpinë aty poshtë, ne nuk i investojmë dot. Gjendja e këtij fshati tani pas hidrocentralit që është bërë, ka mbledhur burimet e ujërave dhe tani nuk ka ujë fare”, u shpreh ai.
Shqipëria ka më pak doktorë shkencash në universitete, më shumë pedagogë me kohë të pjesshme dhe kurrikula të shkëputura nga tregu. Kjo panoramë e zymtë u bë me dije nga raporti i fundit i Bordit të Akreditimit të Universiteteve për periudhën 2017-2023.
Në tryezën me qeverinë, që u mbajt këtë javë, shqetësimeve të vjetra iu dha vëmendje me shifra.
Kryetarja e Bordit, Shqiponja Tehlaj, theksoi se 42% e stafit akademik në universitete është pa doktoraturë. Ajo tha se krahasuar me vitin 2016, ku kjo shifër ishte 46%, ka një ulje të lehtë, por që sërish “shifra mbetet e lartë”.
Sipas Tehlajt kjo tregon se gjysma e stafit pedagogjik e ka të vështirë të kryejë studime cilësore për shkak të mungesës së kualifikimit të duhur. Pikë shqetësuese në aspektin e kualifikimit u pa te cikli i dytë i studimeve: programet “Master” (MSc; MPS).
“Stafi me ‘Master’ jep mësim në programet ‘Master’,” theksoi si problem Tehlaj.
Në vitin 2023, IAL-të shqiptare patën nga një pedagog për çdo 17 studentë, çka konfirmon prirjen në rënie të numrit të tyre. Ndërkohë sa i takon gjinisë, vajzat mbeten më të shumta në numër.
“Ka një raport më të lartë të vajzave që regjistrohen në Institucionet e Arsimit të Lartë (IAL), gati 60%,” tha Tehlaj gjatë prezantimit të raportit, i cili ka identifikuar gjithashtu probleme me investimet, biblioteka minimale, mungesë literature në shqip dhe akses i kufizuar në burime dhe revista shkencore.
“Ka biblioteka sa një dhomë standarde 4×4 që është shumë shqetësuese. Ka programe që nuk kanë literaturë në shqip”, u shpreh akademikja Tehlaj, sipas së cilës ka mungesë të studimeve të mirëfillta të tregut të punës.
“Na vijnë programe që kanë 2-3 studentë. Para se të hapen duhet të shikojmë sa i shërbejnë shoqërisë dhe a mundet që një universitet ta mbajë një program me tre studentë, sepse mund të krijojë probleme me cilësinë e tyre”, vijoi Tehlaj.
Sa i takon procesit të akreditimit, nga raporti u vu re rritje në cilësi, por ende larg nivelit europian.
“Nëse në 2017 (indeksi i cilësisë) ishte 3.88, në 2023 ka qenë 4.54. Nëse marrim një mesatare është 4.26. Një rritje për t’u vlerësuar, por ka ende punë për të bërë sepse maksimumi i cilësisë në indeksin tonë është 6,”, theksoi Tehlaj.
Në përfundim të prezantimit, u shtrua nevoja për përfshirje të diasporës shqiptare, duke e konsideruar si çelësi për zhvillimin e mëtejshëm të situatës universitare në vend dhe kërkimin shkencor.
Po ashtu u kërkua përmirësim në ndërkombëtarizimin e universiteteve, përmirësimin e laboratorëve dhe infrastrukturës dhe mbështetjen e studentëve që mbarojnë studimet.
Shqetësime “të bërtitura” prej vitesh
Gjetjet e Bordit të Akreditimit u panë nga Taulant Muka, hulumtues shkencor dhe epidemiolog, si korrekte dhe si shqetësime të ngritura edhe më herët. Sipas tij, mungesa e kualifikimeve po i kushton shumë Shqipërisë.
“Për shkak të mungesës së profesoratit të përgatitur, humbasim miliona që mund t’i kishim marrë nga fondet e BE-së për kërkimin shkencor. Sigurisht që është shqetësuese që të kesh staf akademik me vetëm një master për të përgatitur pikërisht studentin e masterit dhe në kundërshtim me ligjin”, tha për Citizens.al Muka.
Rigels Xhemollari nga Qëndresa Qytetare, vlerësoi raportin si të saktë në përgjithësi, por kritikoi përdorimin e të dhënave të vjetra nga ana e bordit dhe Kryeministrit Edi Rama kur i referoheshin universiteteve.
“Nga ana tjetër kishim një konferencë rektorësh, e cila nuk pranonte kritikën”, u shpreh Xhemollari duke marrë shkas nga reagimi kritik i rektorit të Universitetit të Tiranës (UT) Artan Hoxha ndaj raportit.
Hoxha u shpreh se raporti është i njëjtë me atë të vitit 2024, duke pasur disa reflektime të shqetësimeve të adresuara, por që nuk ka ndryshuar gjë.
“Thjesht ka një kozmetikë, por konkluzionet janë po të njëjta, të cilat një pjesë e tyre i pranojmë se e dimë ku është arsimi, por që unë nuk besoj se Shqipëria mund të pranojë që pas pesë vitesh intensive pune, arsimi i lartë të jetë aty-aty apo diku edhe më pak në performancë se ai i viteve 15 apo 16 të këtij shekulli”, deklaroi rektori Hoxha.
Sipas Xhemollarit shifrat ishin të vjetra, mirëpo pavarësisht kësaj ishin therëse për realitetin akademik në vend.
“Duke filluar nga pedagogët pa doktoratura, pavarësisht se në Shqipëri ka pafund njerëz që kanë përfunduar doktoraturat, universiteti nuk i gjen dot këta. Duke filluar nga mos-lidhja e tregut të punës me universitetin dhe ajo që është thelbësore për universitetin që shkenca që ata prodhonin nuk i shërbente fare shoqërisë”, deklaroi Xhemollari.
Për Mukën ideja se duhet të prodhohet një ligj i ri për arsimin e lartë, nuk qëndron, pasi problemi është mungesa e zbatimit të ligjit. Ai sheh me shqetësim edhe plagjiaturat, për të cilat edhe Kryeministri Rama u shpreh se nuk është adresuar siç duhet.
“Sikurse e tha edhe kryeministri jemi atdheu i plagjiaturave, por ka edhe hipokrizi brenda sepse nuk mund të thuash atdheu i plagjiaturave dhe ndërkohë 12 vite kryeministër ke pasur mundësinë ta zgjidhësh këtë çështje dhe jo vetëm që nuk e ke zgjidhur, por vë ministre arsimi Ogerta Manastirliun e cila ka plagjiaturë”, deklaroi Muka.
Muka theksoi dhe një tjetër shqetësim: faktin që Agjencia shqiptare e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ASCAL) nuk është pjesë e Agjencisë Evropiane për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) dhe kjo, sipas tij hedh poshtë të gjithë propagandën e qeverisë për diploma që njihen nga BE-ja.
“Sigurisht që nuk mund të njihen kur bëhet fjalë për një profesorat që ka nivel masteri, maksimumi doktoraturë në përgatitjen e vet akademike”, deklaroi Muka.
Sipas Xhemollarit nëse sipas rektorit të UT-së, universiteti ka përparuar, mjafton të shikojmë që ky institucion nuk ka një revistë shkencore.
“Mund të pyesni çdo universitet, edhe të dobët edhe të fortë, në Evropë dhe asnjë prej tyre nuk ka një universitet pa një revistë shkencore, që do të thotë pedagogët e tij nuk prodhojnë artikuj dhe shkencë”.
Në këto kushte, sipas Mukës zgjidhje emergjente është ndryshimi i drejtimit në Ministrinë e Arsimit. Ndërsa të dy, Muka dhe Xhemollari bien dakord për nevojën për veting akademik.
“Kemi një nevojë të jashtëzakonshme për rishikimin e titujve akademikë dhe vendosjen e meritokracisë në universitete, përfshirë këtu edhe plagjiaturën”, thekosi Muka.
Qëndresa Qytetare përmes raporteve vjetore që kryen për monitorimin e universiteteve publike ka kostatuar se për vitin 2023-2024, shtatë universitete publike shpenzuan 88 milionë euro, ku shumica e parave shkuan për paga, udhëtime e mobilime zyrash.
Sipas Xhemollarit ky veting nis së pari me vetingun pasuror të dekanëve dhe rektorëve.
“Me vetingun akademik të titujve, të gradave shkencore etj, dhe me vetingun e plagjiaturave që është një problem tashmë i përmendur shpeshherë”, theksoi ai.
Banorët e gjashtë fshatrave të Kaçinarit në Mirditë u mblodhën sot në shenjë proteste para Gjykatës së Lezhës ku pritej të shqyrtohej vijimi ose jo i hetimeve për mënyrën se si iu dha e drejta për të ndërtuar katër hidrocentrale në këtë zonë kompanisë “Shpërdhaza-Energji”.
Pasi e shtyu fillimisht seancën për mungesë dokumentacioni të plotë, nga ora 11:30 në 15:30, gjykata vendosi që ta shtyjë përfundimisht shqyrtimin e kërkesës së prokurorisë për mbyllje të çështjes për më 15 shtator ora 9:00.
Banorët pretendojnë se kompania e ka përfituar koncesionin me shkelje, pa konsultim publik dhe madje duke falsifikuar firmat e banorëve. Për këtë, në vitin 2019 ngritën kallëzim kundër kompanisë.
Prej asokohe, ata janë endur dyerve të gjykatës duke kërkuar drejtësi. Prokuroria e Lezhës ka kërkuar dy herë pushimin e çështjes, teksa gjykata i ka kërkuar rihetimin. Por situata duket të ketë ngecur këtu.
“Jemi munduar me mbi 32 protesta paqësore në harkun kohor të gjashtë viteve si në Kaçinar dhe Tiranë, dhe sot jemi para gjykatës së Lezhës për të njëjtën gjë, të rihetohet çështja dhe të dalin personat përgjegjës për falsifikimet e të gjithë koncesionit,” u shpreh paraditen e së hënës para gjykatës Gjon Pjetri.
Gjergj Deda, kryetar i fshatit Simon, i bëri thirrje gjykatës të mos të pranojë pushimin e çështjes, por të detyrojë prokurorinë për t’i çuar përgjegjësit para drejtësisë.
“I bëj thirrje prokurorisë e gjykatës së rrethit gjyqësor Lezhë mos ta lerë problemin ta zgjidhë komuniteti. Nëse do të bëhet puna ta zgjidhë komuniteti do të jetë fatale për zonën e Kaçinarit”, u shpreh Deda.
Për Tonin Beqirin, banor i fshatit Simon kjo është një çështje që prek interesat e një komuniteti prej 3 mijë banorësh, për të cilin nuk mund të vendosin firmat e disa personave.
“Preket interesi i shumëkujt, jo i dikujt. Nuk kërkojmë kurrgjë, kërkojmë vetëm drejtësi,” theksoi Beqiri.
Për banorët që jetojnë në fshatrat e njësisë administrative të Kaçinarit, uji është jetësor për përditshmërinë e tyre.
“Nëse do ta fusin ujin nëpër tuba nuk do të ketë më burime. Nuk do ketë ku të pinë ujë gjallesat e natyrës. Çdo gjë do të shkretohet do të bëhet Sahara”, u shpreh Gjok Beqiri për Citizens.
Avokati Marash Logu denoncoi mungesën e dokumenteve dhe shtyrjen e seancave prej katër vitesh. Sipas tij, hetimi nuk ka qenë i thelluar, por tentativë për ta mbyllur rastin teksa banorët protestojnë prej dhjetë vitesh.
Njësoj si një javë më parë, seanca u shty për mungesë dokumentacioni. Logu tregoi se prokuroria paraqiti një akt-ekspertizë të paplotë me mungesë të shumtë faqesh.
“Të gjitha faqet tek mungojnë. Pra kemi faqen 1-2, mungon faqja tre, kemi faqen katër, mungon pesa… si mund ta kuptojmë një akt ekspertimi, të cilit i mungojnë 27 faqe dhe kjo mbetet një pikëpyetje e madhe,” argumentoi avokat Logu.
Ndërkohë banorët janë të shqetësuar pasi kompania ka vazhduar punimet pavarësisht se, sipas avokatit Logu, asaj i kanë përfunduar leja e ndërtimit, leja mjedisore dhe leja për shfrytëzimin e burimeve ujore.
Banorët dhe bashkia Mirditë kanë kërkuar pezullim të punimeve deri në sqarimin e plotë të situatës ligjore, por makineritë në Kaçinar vazhdojnë të dëmtojnë terrenin.
Kundërshtitë ndaj projektit të katër hidrocentraleve të “Shpërdhaza-Energji” vijojnë prej vitesh.
Në fund të marsit të 2025 banorët e Kaçinarit protestuan në Qafën e Vorres, ndërsa makineritë ishin ngjitur në atë zonë. Ata kërkuan zmbrapsjen e tyre teksa kompania kishte nisur të ndërtonte fillimisht rrugën, për të vijuar më pas me ndërtimin e HEC-eve.
Me 15 prill banorët organizuan protestën tjetër në bjeshkë, ndërsa u panë forca të shumta policie që shoqëronin përkrah makineritë e rënda të kompanisë.
Në 2 maj, banorët protestuan para ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë ku kërkuan ndërhyrje të institucioneve për të ndalur punimet. Por deri më sot duket se protestat e tyre kanë rënë në vesh të shurdhët.
Të drejtat e punëtorëve mbeten të kërcënuara në vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, Kosovën dhe Serbinë.
Ligji dhe kodet e punës anashkalohen, ndërsa investimet e huaja shpesh përfitojnë në dëm të punëtorëve. Shkelja apo mungesa e kontratave, pagat e ulëta dhe punësimi informal konsiderohen normë e tregut të punës në rajon.
Serbi: Shteti i shërben më pak punëtorit
Prej vitesh kuadri ligjor që mbron të drejtat e punëtorëve në Serbi duket të jetë dobësuar. Bojana Tamindzija, nga Programi për të Drejtat e Punëtorëve, thotë për Citizens.al se kjo prirje është ndjerë që pas shpërbërjes së Jugosllavisë.
Sipas saj, Serbia dhe shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor janë në një garë për tërheqjen e investimeve të huaja përmes lehtësimeve fiskale, ofrimit të krahut të lirë të punës dhe madje edhe mbrojtjes së ulët ligjore për punëtorët.
“Politikat e punësimit të të gjitha qeverive, që nga viti 2000, janë bazuar në tërheqjen e investimeve të huaja,” thekson Tamindzija në këtë këndvështrim.
Kështu, në Serbi kapitalit të huaj u ofrohen subvencione, taksa të ulëta dhe përfitime të tjera si për shembull mbështetje në infrastrukturë, të cilat në thelb favorizojnë kompanitë, jo punëtorët.
Sipas Tamindzijas, ka raste që subvencionet e kësaj politike mund të shkojnë deri në 150,000 euro për një vend të ri pune.
Ajo është e mendimit se me këtë qasje ndaj investimeve të huaja dhe faktit se ekonomia e Serbisë është e varur, grupe punëtorësh, si për shembull punonjësit e sektorit industrial, mbeten pa përkrahjen dhe mbrojtjen e duhur.
Nga ana tjetër, sektori publik, edhe pse më i sigurt dhe me kushte më të mira, vuan nga kufizimet e punësimit, sipas kërkesave të FMN-së – të aplikuara gjatë vitit 2014.
Pavarësisht se kufizimet ishin në plan për dy vite, me disa ndryshime ligjore, ato janë ende në fuqi, duke ndikuar negativisht në të gjithë sektorin publik, sidomos në shëndetësi dhe arsim, thekson më tej ajo.
Pagat minimale nuk mjaftojnë për jetesë, ndërsa shkeljet në sektorin e industrisë duket të jenë të zakonshme.
“Paga minimale që marrin shumica e punonjësve në tregun industrial është tre herë më e ulët se paga minimale,” thekson Tamindzija.
Sipas një hulumtimi të kryer nga Programi për të Drejtat e Punëtorëve në Serbi, në sektorë si tekstili apo industria automobile, puna jashtë orarit aplikohet shpesh nën trysni nga kompanitë.
Disa nga shkeljet më të zakonshme të hasura në këto sektorë janë mohimi i lejes shëndetësore dhe puna në mjedise të ndotura dhe të rrezikshme.
Kosovë: Ligjet mbesin në letër
Drenusha Canolli nga Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari” në Kosovë tregon se edhe pse ligjet që garantojnë të drejtat bazë të punëtorëve ekzistojnë, zbatimi i tyre është i mangët. Për këtë, Canolli thotë se kanë përgjegjësi institucionet, të cilat, sipas saj, neglizhojnë shpesh.
Nën këtë dinamikë, punëtorët në Kosovë janë të ekspozuar ndaj punës informale: pa kontratë, me orare të pacaktuara, pa pushime vjetore, apo dhe pa sigurime shëndetësore.
Sipas Canollit, punësimi shpesh ndikohet edhe nga përkatësia politike ndërsa kontratat afatshkurtra mbeten normë.
“Në disa raste, punëtorët mbahen për vite me kontrata afatshkurtra, ose me kontrata mbi vepër, gjë që i pengon në sigurimin e të drejtave të plota,” tha Canolli për Citizens.al
Ndërkohë, sektori privat në Kosovë duket se përballet edhe me vonesat e pagave dhe kushtet e rrezikshme të punës.
Nga ana tjetër, në sektorin publik sfidë mbeten politizimi, klientelizmi dhe shkelja e orareve të punës.
Teksa punëtorët përballen me pasiguri ekonomike dhe mungesë perspektive, Kosova mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor pa një skemë sigurimi të papunësisë, duke e bërë tregun e punës edhe më të brishtë.
“Ky hendek si dhe dominimi i kontratave afatshkurtra i detyron punëtorët të mbështeten me mjetet private dhe familjare për të përballuar papunësinë,” thekson Canolli.
Shqipëri: Pagat në lekë, çmimet si në BE
Protestat e 1 Majit 2025 në Shqipëri denoncuan pabarazinë në rritjen mes pagave dhe kostos së jetesës. Thirrja “Paga shqiptare, çmime evropiane” vinte si një revoltë ndaj kostove në rritje përballë pagave të ulëta dhe një fuqie punëtore që po largohet nga vendi.
Sipas Gertjana Hasallës, nga Qendra për të Drejtat në Punë, pagat e ulëta janë sfida kryesore e punëtorëve shqiptarë.
“Çdo ditë, mijëra familje detyrohen të bëjnë zgjedhje të pamundura, të paguajnë ushqimin, qiranë apo shërbimet bazë, pasi të gjitha nuk mbulohen nga të ardhurat mujore,” thekson Hasalla.
Mes të tjerash ajo rendit si problematikë punësimin informal, mungesën e kontratave të rregullta dhe mbrojtjes sociale.
“Një numër i konsiderueshëm punëtorësh nuk kanë sigurime shëndetësore, nuk kontribuojnë në skemat e pensioneve dhe për pasojë jetojnë çdo ditë nën rrezikun e mbetur pa garanci për të ardhmen,” argumenton ajo.
Në këtë pikë, situata bëhet më e rëndë për gratë dhe të rinjtë që punojnë në fasoneri apo sektorin e thirrjeve telefonike (Call-Centers), ku paga minimale për punë intensive dhe presioni i vazhdueshëm cenojnë të drejtat themelore.
Sipas Hasallës në gjithë këtë panoramë, të rinjtë nuk shohin perspektivë për jetë dinjitoze.
“Shqipëria mbetet gjithnjë e më e zbrazët, me një treg pune gjithnjë e më të dobët dhe pa fuqi për të ndërtuar të ardhmen,” përfundon ajo.
Vende të ndryshme, problematika të njëjta
Në Serbi, ndërtimi dhe industria kanë numrin më të lartë të aksidenteve fatale në punë. Sipas Bojana Tamindzijës, pagat e ulëta i detyrojnë punëtorët të punojnë orë shtesë, duke rritur rrezikun e aksidenteve. Ajo sheh me shqetësim për këtë prirje edhe punëtorët sezonal, të cilët mbeten të pambrojtur nga ligjet.
Sipas raportit të Inspektoratit të Punës në Serbi, gjatë vitit 2024 janë kryer 59 inspektime lidhur me aksidentet fatale në vendin e punës. Ndërsa numri më i lartë i viktimave ndodh në sektorin e ndërtimit, pa përjashtuar sektorët e tjerë.
Në Shqipëri, ndërtimi, minierat dhe fasoneritë mbeten sektorët më të rrezikshëm. Gertjana Hasalla thotë se natyra e punës së këtyre sektorëve përfshin përdorimin e makinerive të rënda, punën në lartësi, kimikatet dhe faktorë të tjerë, të cilët kërkojnë masa shtesë në siguri.
Ndërsa në Kosovë, punëtorët hezitojnë të raportojnë abuzimet nga frika e pushimit nga puna. Sipas Drenusha Canollit, mungesa e asistencës ligjore përkeqëson më tej situatën. Ajo thotë se në shumë raste inspektorët nuk marrin masa dhe nuk ofrojnë mbrojtje ndaj punëtorëve denoncues duke ndikuar në zbehjen e besimit te institucionet.
Ndërsa të rinjtë përballen shpesh me diskriminimin për shkak të moshës, me praktika të papaguara për të fituar eksperiencë. Për gratë diskriminimi ndodh kur janë të reja, të cilat pyeten shpesh për statusin martesor dhe planifikimin familjar gjatë marrjes në punë.
Ky lloj diskriminimi për gratë është i pranishëm si në Serbi edhe në Kosovë, veçanërisht gjatë shtatzënisë. Bazuar në ligjin e punës, periudha më e gjatë nëntë mujore e pushimit të lehonisë merret përsipër nga punëdhënësi dhe nuk menaxhohet nga një institucion i sigurimeve shoqërore.
“Kjo i dekurajon punëdhënësit të punësojnë gra të reja duke e ditur se ka të ngjarë të lindin”, thekson Canolli.
Ballkani Perëndimor duket se ka nevojë për forcim të organizimit sindikal dhe për një lëvizje të re punëtore. Bojana Tamindzija, Drenusha Canolli dhe Gertjana Hasalla tregojnë për situata relativisht të ngjashme.
Në Serbi, sindikatat kanë ndikim të kufizuar për shkak të strukturave shumëkombëshe të kompanive të mëdha. Në Kosovë, ato nuk u fuqizuan kurrë dhe nuk kanë fituar ndikim të fortë social. Ndërsa në Shqipëri, sindikatat e reja po përpiqen të mbrojnë të drejtat e punëtorëve, por besimi mbetet i ulët.
“Thethi një kartolinë e mrekullisë shqiptare katandisur në një praktikisht territor toke të xanun”, u shpreh kryeministri Rama në një komunikim në Facebook në fillim të javës, ndërsa në terren, në fshatin turistik nisi shembja e dhjetëra godinave prej druri.
“Boll ma, tokë e xanun!” ishte edhe thirrja e kreut të bashkisë Shkodër, Benet Beci. Por, pikërisht kjo shprehje evokon një etiketim përçmues të vuajtur prej vitesh nga qytetarët e Shqipërisë së veriut si “të ardhurit” me veprime “kundër shtetit”. Dhe në këtë rast jo të gjitha janë të vërteta.
Citizens, ishte në terren dhe për këtë ju parashtron disa të vërteta:
Familjet në Theth janë autoktone pasi në këtë zonë banorët jetojnë prej qindra vitesh dhe askush nuk ka zenë tokën e askujt.
Problemi qëndron se jo të gjithë kanë mundur të pajisen me certifikata pronësie. Kjo, për shkak të lëmshit që krijoi qasja me ligjin 7501 dhe se në vitin 1966 zona u shpall Park Kombëtar, status i cili nuk i ndihmoi aspak banorët e Thethit të gëzonin certifikata pronësie.
Madje, edhe ata që mundën të siguronin certifikata hasën në vështirësi për të rregulluar qoftë edhe shtëpitë e vjetra të tyre, pasi në Parqet Kombëtare, zhvillimi urban është i kufizuar.
Pas vitit 2017, Thethi u shpall Qendër Historike e Mbrojtur, duke ua ndërlikuar më tej çështjen. Zona, me këtë cilësim vlerësohet për historinë e saj dhe arkitekturën unike të kullave.
Por, edhe pse rregullorja parashikonte mundësinë e restaurimeve dhe rijetëzimit urban në zonë, banorët u përballën me zvarritje dhe sorollatje në procesin e marrjes së lejeve.
Në disa raste, një projekt restaurimi që miratohej nga Ministria e Kulturës, refuzohej për leje pikërisht nga bashkia Shkodër.
Në tërë këtë histori, familjet e Thethit me dëshirën për të punuar në fshatin dhe tokat e tyre investuan në turizëm duke kthyer shtëpitë dhe bujtinat dhe duke zgjeruar më pas aktivietetin në kabina druri.
Paligjshmëria e tyre u nxit nga mungesa e vullnetit shtetëror për të zgjidhur çështjen e certifikatave të pronësisë dhe mënyrës së ndërtimit, pa plan apo vizion real.
Në këtë këndvështrim, nuk ka kuptim që një vit më parë ata të jenë “kartolina e turizmit të veriut”, dhe një vit më pas “uzurpues të tokave të tyre”.
Qendrime të ndryshme për ndërtimet pa leje në Theth
“Mirë se ke ardhur e mirë se të ka prurë Zoti!”, iu drejtua një vit më parë një nga vajzat e Thethit kryeministrit Rama duke i shërbyer bukë.
Vetë kryeministri iu drejtua banorëve se nuk janë “thjesht banorë të një fshati, sot Thethi është destinacion evropian turistik”.
Rama shpërndau atë kohë 200 tituj pronësie, ndërsa përmendi edhe 50 tituj të tjerë, të cilat sipas tij janë ndërtuar në pronën e tyre, por përtej afatit të lejuar nga ligji ekzistues për legalizimet. Ndërsa përmendi dhe faktin se janë vendosur shumë gjoba për ndërtimet pa leje.
“Janë vendosur si rezultat i ndërhyrjeve apo ndërtimeve aty ku keni pasur shtëpinë e vjetër apo aty ku keni truallin tuaj që janë bërë për shkak të nevojës për të krijuar ekonomi përmes turizmit”, u shpreh Rama, ndërsa premtoi se qeveria do t’i falë të gjitha këto gjoba.
Ai legjitimoi faktin se banesat nuk janë ndërtuar sipas ligjit “jo se banorët nuk kanë dashur”, por se shtrëngimi i legjislaciont në këtë zonë e bën të pamundur.
Një vit më pas, qëndrimi ka ndryshuar: 80 banesa shemben në Theth në kulmin e sezonit turistik.
Një banor i fshatit Simon të Mirditës u dhunua mëngjesin e sotëm në Rrëshen mes dyshimeve për hakmarrje ndaj aktivizmit të tij kundër HEC-eve në zonën e Kaçinarit.
Kol Ndoji, 58 vjeç, u sulmua pasi kishte blerë ushqime në tregun e qytetit. Ngjarja ndodhi rreth orës 9:00 kur dy persona iu afruan dhe pasi i tërhoqën vëmendjen e goditën. Njëri prej tyre është ndaluar nga policia, ndërsa tjetri është shpallur në kërkim.
Sipas deklaratës së bërë në polici, Ndoji ka mundur t’u largohet, por ata e kanë ndjekur me makinë dhe më pas i kanë bërë pritë pas rrethimit të një banese.
“Aty më kanë dalë para dhe jemi përleshur, më kanë goditur me gurë dhe unë u jam përgjigjur, po me gurë,” ka treguar Ndoji versionin e tij përpara oficerëve të policisë gjyqësore.
Dëshmia iu mor në spitalin e qytetit të Rrëshenit, ku ai u shtrua për të marrë ndihmë mjekësore për plagët e marra në kokë.
Ndoji rezulton ta ketë hasur edhe më parë njërin prej agresorëve: në protestën e 15 prillit në Kaçinar. Sipas 58-vjeçarit, personi në fjalë ndodhej atë ditë “në një fuoristradë të zezë me fenelina policie” që u kishte bllokuar rrugën protestuesve.
Në dëshminë e tij, Ndoji thotë se me këtë person ka shkëmbyer fjalë, të cilat lënë të kuptohet për një përplasje verbale.
“I kam thënë hape rrugën dhe i kam vendosur dorën në qafë. Ai më ka thënë se ‘do të të dalë punë me mua dhe do të shihemi’ dhe pastaj ka hapur rrugë,” ka deklaruar Ndoji.
Prej disa vitesh, banorët e fshatrave të Kaçinarit, rreth 25 kilometra në veri të Rrëshenit, kanë kundërshtuar ndërtimin e katër hidrocentraleve nga kompania “Shpërdhaza sh.p.k”.
Tre muajt e fundit ata kanë përshkallëzuar protestat, duke akuzuar firmën për mungesë transparence dhe dëme mjedisore. Kol Ndoji ka marrë pjesë në to bashkë me të tjerë banorë.
Kjo ka nxitur edhe më shumë dyshimet se ngjarja e fundit ka lidhje me angazhimin e tij si aktivist.
Pas ngjarjes, banorët e zonës u solidarizuan me Kol Ndojin dhe e shoqëruan në spital. Ata e cilësojnë sulmin të paprecedentë dhe si përpjekje për t’i trembur dhe ndalur protestat.
Sipas kryeplakut të fshatit Simon, Gjergj Deda, agresorët janë roje të firmës që po kryen punimet e hidrocentraleve në Kaçinar. Sipas tij nuk ka asgjë personale në aktin e dhunës, veç konfliktit për hidrocentralet.
“Nuk janë të njohur tërë jetën e vetë, vetëm problemi i hidrocentraleve është”, theksoi Deda.
Aktualisht, banorët janë të përfshirë në dy procese gjyqësore me firmën “Shpërdhaza sh.p.k”. Në njërin, ata akuzojnë kompaninë për falsifikim të firmave të banorëve, të cilat i hapën rrugë lejeve.
Në tjetrin, kompania i ka paditur banorët për shpifje. Mes të paditurve është edhe vëllai i Kol Ndojit, i dhunuar së fundmi. Për këtë padi ditën e mërkurë u zhvillua një seancë gjyqësore ku u paraqitën pretendimet mes palëve. Seanca e radhës pritet të mbahet më 6 shtator.
“Ne nuk kemi ofenduar askënd, çfarë kemi folur, e kemi pasur me kompaninë, jo individëve”, shton Deda.
Sipas kryeplakut të fshatit Simon, ndryshimi i administratorëve të kompanisë nuk ndryshon faktin që komuniteti nuk i do hidrocentralet dhe për këtë po përballet me mungesë përgjegjshmërie institucionale.
Dhunimi i Kol Ndojit ngre pikëpyetje të forta mbi sigurinë e qytetarëve dhe komunitetit që ushtron të drejtën për protestë.
Avokati i banorëve në çështjen e HEC-eve, Marash Logu, tha për Citizens se kjo ngjarje është e rëndë dhe se për këtë i janë drejtuar Komisariatit të Policisë Mirditë, Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë dhe Prokurorisë Lezhë për hetimin dhe zbardhjen e plotë të saj.
“Edhe më përpara banorët janë përballur me presione, kërcënime, shantazhe dhe kanosje, por deri më sot nuk kishin hasur dhunë fizike,” tha Logu, sipas së cilit konflikti në Kaçinar ka degraduar dhe për këtë nevojitet medoemos pezullimi i punimeve.
“Deri në sqarimin e plotë të situatës ligjore, dokumenteve, lejeve dhe konsultimeve me banorët, që duhet të ishin bërë dhe nuk janë bërë,” theksoi më tej Logu duke kujtuar se kjo çështje e tensionuar vijon prej vitit 2015.
“Ky është Thethi pas një masakre nga një individ i paarritshëm nga ligji”, u shpreh kryeministri Rama në një komunikim në rrjetet sociale të hënën, teksa tregonte kishën e Thethit me disa fjétë për turistët ngritur pas.
Dalja e Ramës “Live!” në Facebook njoftoi aksionin kundër ndërtimeve pa leje që nisi në fshatin turistik. Siç ka ndodhur më parë, ndërhyrjet e tilla vishen me bujë propagandistike.
Në fakt, prej vitit 2013, çdo mandat i kryeministrit Rama ka nisur dhe vijon me fushata të ngjashme. Aksionet shoqërohen me retorikë ndëshkuese, propagandë vizuale dhe identifikimin e një fajtori të tretë si “armik publik”.
Faji nuk është asnjëherë i qeverisë. Pavarësisht se për pak javë nis mandatin e katërt, ajo vijon të matet me qeverinë e një dekade më parë.
Mandat i ri, aksione të vjetra
Maratona qeverisëse e Ramës nisi me moton “Ne [socialistët] bëjmë shtet!”. Por një dekadë më pas, leksionet e saj kanë nevojë për përsëritje.
Në vitin 2013 qeveria Rama nisi “luftën” kundër ndërtimeve pa leje. Fushata e shembjeve u shtri në qytetet kryesore dhe në bregdet. Kryeministri i quajti “kancer agresiv në veprim”.
Në 2014 nisi fushata kundër “hajdutëve të energjisë elektrike”. Rama tha se të gjithë “do të dërgohen prapa hekurave” dhe se “asnjë nuk do të tolerohet”.
Në 2015 vijoi fushata për “kasat fiskale” kundër informalitetit, e cila u përsërit në vitin 2016. Asokohe qeveria nisi dhe aksionin kundër kanabisit, të cilin Rama e quajti “njolla jeshile e turpit”.
Në 2017 u denoncua situata me ujin e pijshëm dhe nisi fushata kundër “vjedhjes së ujit”. Rama tha se nga situata dilej vetëm me një “reformë si ajo e energjisë”.
Në fund të vitit 2018 u mbyllën zyrtarisht bastet sportive duke vijuar aksionin e ashtuquajtur “fund marrëzisë”. Rama i konsideroi bastet si “ves” dhe “gangrenë për shoqërinë”.
Por koha tregoi se asnjë nga këto aksione nuk pati rezultat të qëndrueshëm.
Vesi i basteve vijoi në të zezë. Njësoj dhe kultivimi i kanabisti: jo më në Lazarat, por në plot zona të malësisë.
Entet e energjisë dhe ujësjellësve vijojnë të jenë me bilance negative. Ekonomia vijon në gjysmë-informalitet: rasti i Bankers Petroleum, që dyshohet se nuk ka paguar taksa për 20 vjet.
Qeveria e shpall luftën ndaj çdo problemi. Por betejat e saj janë të përkohshme. Shuhen pas kalimit të “sezonit mediatik” dhe rikthehen pas çdo mandati të ri.
Për shembull, në vitin 2021 qeveria iu rikthye ndërtimeve pa leje në bregdet. Me moton “Bregdeti ynë!” Rama u thoshte sipërmarrësve “prishini dhe pastrojini vetë” pasi “kur të përballeni me forcën e operacionit tonë, do të jetë shumë vonë”.
Ngjashëm, në nisje të mandatit të katërt, Rama ka rikthyer “luftën për hapësirat publike”. Nën moton “Boll ma tokë e xanun!” ai ka bërë thirrje për lirimin edhe të “parkimevetë zaptuara”.
Nisi në Vlorë, vijoi në Durrës, Tiranë e më tej në Theth.
Qeverisje me valë dhe asnjëherë fajtore
Këtë javë, qeveria shpërndau në rrjetet sociale foto të Kishës së Thethit me mbishkrimin “si ishte dhe si u bë”. Pas saj dukeshin 12 kabina turistike, të cilat u tha se ishin ngritur pa leje.
Për këtë “zhvillim”, Rama akuzoi prokurorinë e Shkodrës që “hodhi në kosh denoncimet e policisë”.
Mirëpo prokuroria tha se rasti ishte kundravajtje administrative, jo penale dhe se për të vepruar i takonte bashkisë, jo prokurorisë.
Forca të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit mësynë të martën Thethin duke thyer zhurmshëm betonin e shtruar poshtë kabinave. Aksioni, në mes të sezonit turistik, u shoqërua me kamera, dronë dhe plot batuta dhe komente në rrjetet sociale.
Daljet “Live!” të Ramës në rrjet, apo “kontrollet e befta” në bashkinë Vlorë, nxisin idenë se “shteti po punon”.
Por askush nuk tha se pse ngritja e 12 kabinave nuk u ndal në kohë. Pse iu lidh energjia elektrike pavarësisht se paskan qenë pa leje? Por institucionet heshtën, veçanërisht bashkia Shkodër.
Dy standarde për të njëjtën shkelje
Në vitin 2022, në Tiranë, katet pa leje të disa kullave “u legalizuan” me një të rënë të lapsit. Vepra penale e ndërtimit pa leje u amnistua me një VKM të Ramës.
VKM-ja parashikonte konfiskim të objektit. Më pas mundësi për marrëveshje me ndërtuesin, e cila i hapte rrugë ndryshimit të lejes në Këshillin Kombëtar të Territorit (KKT).
Pra, Rama u mundësoi ndërtuesve në Tiranë legalizim pa ndëshkim.
Por ky “standard i ri” nuk aplikohet për ndërtime të vogla apo familjare. Ligji duket të jetë “fleksibël” për të mëdhenjtë dhe “i rreptë” për të vegjlit. “Rreptësia” hidhet më pas “online” si një shfaqje përmes së cilës qeveria propagandon “të bërit shtet!”.
Foto: Doriana Musai/Arkitekte
Pikërisht kryeqyteti është simboli i normalizimit të zaptimeve të publikes. Edhe trotuaret në Tiranë, nëse i sheh nga afër, e dëshmojnë këtë normalitet. Kulla, kantieret e të cilave rrethojnë trotuaret dhe lokale që shtyjnë këmbësorët në rrugë janë bërë “pjesë të zhvillimit”.
Foto: Doriana Musai/Arkitekte
Kësisoj, qeveria duket se punon me fushata, jo me politika. Ajo shmang përgjegjësinë dhe drejton gishtin nga prokuroria, nga gjykatat, opozita apo qytetarët. Ndërkohë, mban pushtetin duke centralizuar çdo institucion që nga viti 2013.
Në këtë pikëpamje, të thuash “fajin e ka tjetri” nuk është më vetëm strategji propagande: është model qeverisës.
Qytetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile protestuan sot para Prokurorisë dhe Bashkisë së Elbasanit për situatën e rënduar mjedisore të krijuar nga djegia e mbetjeve. Ata theksuan nevojën për ndërhyrje të menjëhershme që situata të mos përsëritet më.
Prej së hënës, banorët janë ekspozuar ndaj një ndotje të rëndë të ajrit, ndërsa ky është i treti vit që vendgrumbullimi i mbetjeve në Elbasan merr flakë gjatë verës.
Protesta, e thirrur nga organizata “Drejtësi Sociale”, nisi fillimisht pranë Prokurorisë. Aty ata kërkuan më shumë masa nga organet hetimore.
Gentian Sejrani, avokat dhe aktivist, i bëri apel prokurorisë që të zhvillojë hetime gjithëpërfshirëse. Ai tha se duhen hetuar jo vetëm rastet e zjarreve, por edhe prokurimet publike që janë mbajtur nga bashkitë e qarkut të Elbasanit, për menaxhimin e mbetjeve si dhe pagesat e kryera për procesin e incenerimit.
“Kjo do të ishte e nevojshme për të parë nëse ka pasur ‘incenerim të taksave’ tona, apo jo,” ironizoi Sejrani, sipas së cilit fakti që prokuroria nuk ka arrestuar ende asnjë përgjegjës për situatën lë vend për mosbesim.
Me pankarta në duar të cilat bënin thirrje se “Elbasani s’është kazan” apo se “Zjarret në ladfill, janë zjarre për shëndetin tonë!” qytetarët më pas iu drejtuan bashkisë të cilën e konsiderojnë përgjegjëse për mosmarrjen e masave të duhura.
“Ne po vrasim fëmijët tonë, ne po flijojmë fëmijët tonë. Ka katër ditë në Elbasan që po qelbemi erë. Era kërrmë, nuk durohet dot. Cfarë bëjnë institucionet?”, u shpreh një nga qytetarët protestues.
Për Ilir Çopjan, banues pranë ish-fushës së mbetjeve, era e tmerrshme e mbetjeve ishte realitet i përditshëm.
” Na u premtua nga kjo qeveri se me hapjen e landfillit qyteti i Elbasanit do të shpëtonte nga mbetjet dhe nga era e keqe. Por ja që shohim që cdo dy vjet, apo cdo herë që duhet të digjet, ajo digjet”, deklaroi Copja.
Për Ervis Çotën, aktivist dhe banues në Elbasan, kjo situatë ka vendosur në vështirësi shëndetësore të moshuarit azmatikë ndërsa nuk janë bërë as udhëzime konkrete nga institucionet se si të mbrohen në këtë situatë. Ndërsa kërkoi hetim të plotë.
“Prokuroria e Elbasanit tashmë e ka nisur një hetim që prej vitit të kaluar, por ndërkohë nuk ka dhënë asnjë shpjegim, nuk ka dalë asnjë gjë konkrete se çfarë ka ndodhur, kush janë personat përgjegjës dhe çfarë masash janë ndërmarrë konkretisht?”, deklaroi Çota.
Prej mesditës së të hënës fusha e mbetjeve në Elbasan u vu nën pushtetin e flakëve. Sot, tymrat dhe erërat e rënda ndjeheshin ende në qytet, ndërsa temperaturat e larta e bënin të vështirë qëndrimin në mjediset publike.
Kjo ishte protesta e dytë qytetare. Paraditen e së enjtes, një grup aktivistësh protestuan edhe në Tiranë, para Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.
Duke përmendur edhe rastin e zjarreve në Vlorë, ata kërkuan përgjegjësi dhe reagim nga institucionet, teksa në mënyrë simbolike i ndryshuan emrin ministrisë në “Ministria e Tymit dhe Ndotjes”.
Vetëm këtë vit janë regjistruar të paktën tre djegie masive mbetjesh në të gjithë vendin. Sipas aktivistëve, pamjet e tymit që mbulon zonat turistike si ato të Vlorës, “janë bërë simbol i turpit mjedisor shqiptar.”
Një matje në terren gjatë djegies së mbetjeve në Elbasan e organizatës Instituti për Zhvillimin e Habitatit (Co-PLAN), nxori në pah se ndotësit ajrorë ishin disa herë mbi normat e lejuara.
“Matjet në terren treguan përqendrime të larta të ndotësve të ajrit, që paraqesin një rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin publik dhe mjedisin përreth”, u shprehën në reagimin e tyre Co-PLAN.
Zjarret nxjerrin në pah dështimin në menaxhimin e mbetjeve
Leli Kaja, administratori i kompanisë publike “Eco Elb” tha të mërkurën për Citizens.al se zjarri u shkaktua nga temperaturat e larta.
Ai përjashtoi neglizhencën, duke theksuar se ngjarja lidhet me “shkaqe natyrore”. Sipas tij, prej të nxehtit të pazakontë “po digjet gjithandej” dhe kompania është e hapur për hetim të plotë.
Elbasani ka incenerator për djegien e mbeturinave. Projekti prej 26 milionë eurosh që nisi në vitin 2017 në formën e një partneriteti publik-privat, u mbyll me më shumë se 10 persona të dënuar për shpërdorim detyre dhe korrupsion, përfshirë ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka.
Në vitin 2021, impianti u konfiskua dhe i kaloi në përdorim bashkive të qarkut Elbasan. Por inceneratori nuk arriti të vihej në punë plotësisht.
Administratori i “Eco-Elb” tha për Citizens.al se impianti punoi vetëm shtatë muaj gjatë vitit 2023 dhe u fik në dhjetor.
Prej asokohe nuk ka marrë përgjigje nga institucionet për riparimin e tij. Kompania u ka dërguar shkresa të gjitha institucioneve, por pa rezultat.
Rasti i Elbasanit është i ngjashëm me inceneratorët e Fierit dhe Tiranës, të cilët gjithashtu nuk u vunë në punë asnjëherë, pavarësisht pagesave të larta të projekteve.
Prej mesditës së të hënës fusha e mbetjeve buzë lumit Shkumbin në Elbasan është nën pushtetin e flakëve. Tymi i zi dhe era mbuluan zonat përreth, duke arritur deri në qendër të qytetit.
Zjarri u përhap shpejt, duke përfshirë gjithë territorin e mbetjeve pranë ish-kombinatit metalurgjik. Forca të shumta zjarrfikëse ndërhynë për shuarjen e flakëve, përpjekje të cilat vijuan edhe gjatë mbrëmjes.
Temperaturat dyshohet se shkaktuan zjarrin
Leli Kaja, administratori i kompanisë publike “Eco-Elb”, e cila merret me trajtimin e mbetjeve, lidhi temperaturat e larta me shpërthimin e zjarrit.
Në një lidhje telefonike për Citizens.al ai përjashtoi neglizhencën njerëzore, duke theksuar për “shkaqe natyrore” dhe se kompania ishte duke bashkëpunuar dhe e hapur për hetime.
“Shkaku është për arsye natyrale, me temperaturat që shikoni dhe që po digjet kudo në çdo shtet e në çdo vend,” tha Kaja.
“Megjithatë janë organet kompetente ato që hetojnë më mirë, do t’ua lemë atyre të shprehen. Ne jemi të hapur për çdo lloj hetimi”, theksoi më tej administratori i “Eco-Elb”.
Sipas Kajës aktualisht janë aktive “disa vatra të vogla zjarri”, të cilat po kapsulohen me dhé.
Në një deklaratë për shtyp shpërndarë edhe në rrjetet sociale, Bashkia Elbasan tha të hënën se zjarri ishte përhapur edhe në zona të tjera si një ullishte në pjesën veriperëndimore, në pyllin me pisha, si dhe në fshatin Samurr.
“Temperaturat mbi 40 gradë sot në Elbasan dhe era e fortë favorizojnë flakët duke vështirësuar punën e ekipeve tona,” thuhej në njoftimin e bashkisë.
Zjarret nuk janë rastësi në Elbasan
Ky nuk është një episod i izoluar për Elbasanin. Çdo verë, fusha e mbetjeve në këtë qytet përfshihet nga zjarret.
Deri tani, asnjë masë efektive nuk është marrë për parandalim apo menaxhim të qëndrueshëm. Për këtë çështje Kaja pohoi për Citizens.al se kanë kërkuar ndërhyrje nga instancat më të larta, por pa sukses konkret.
“Nëse mali me plehra është i madh dhe ekspozohet në diell ne nuk kemi çfarë t’i bëjmë,” u shpreh Kaja, i cili tregoi se paralelisht ishte duke u kryer një studim fizibiliteti për ndërtimin e një vendgrumbullimi të ri.
“Po bëhet një studim, por akoma nuk është përfunduar,” theksoi administratori i “Eco-Elb”.
Por kërkesa për një vendgrumbullim të ri nuk gjeti përkrahjen e Këshillit Bashkiak, i cili në muajin mars votoi kundër projektvendimit. Shkak për këtë bllokim është bërë kontrata dhe situata e paqartë e “Eco-Elb” në lidhje me impiantin e inceneratorit.
Inceneratori “i fikur”, përshkallëzon krizën e mbetjeve
Impianti i inceneratorit të Elbasanit u përurua në prill 2017. Ai kushtoi 26 milionë euro dhe u ndërtua në partneritet me privatin për të përpunuar mbetjet e gjithë qarkut dhe paralelisht për të prodhuar energji.
Por sot, objekti është jashtë funksioni. Sipas administratorit të “Eco-Elb”, inceneratori punoi vetëm shtatë muaj në vitin 2023. Ai u fik në dhjetor të atij viti dhe prej atëherë nuk ka marrë asnjë përgjigje institucionale.
“Kemi çuar shkresat përkatëse çdo lloj bashkie dhe çdo lloj ministrie që ka të bëjë me këtë punë dhe jemi në pritje të zgjidhjes së situatës”, deklaroi Kaja për Citizens.al.
Çështja e inceneratorit kaloi një kalvar hetimesh dhe gjykimesh nën dyshimin se ishte sugjeruar dhe drejtuar nga interesa korruptive. Mbi 10 persona, përfshirë ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka, dhe ish-deputetin Alqi Bllako janë ndër të akuzuarit.
Impianti u konfiskua nga shteti në vitin 2021 dhe i kaloi në përdorim bashkive të qarkut Elbasan.
Qeveria ka premtuar shlyerjen e detyrimeve ndaj ish-punonjësve të televizionit “Ora News”, i cili prej vitit 2020 është nën administrim publik. Deklarata erdhi pas denoncimeve të rreth 80 ish-punonjësve për mos pagim të kontributeve shoqërore dhe shëndetësore.
Në një deklaratë për shtyp, ministria e Brendshme pranoi se për shkak të vështirësive financiare, këto pagesa nuk janë kryer. Ajo tha se për këtë situatë Agjencia e Administrimit te Pasurive te Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK) ka kryer një auditim dhe shtoi se personat përgjegjës janë referuar në prokurori.
“Në përputhje me legjislacionin […] të gjitha detyrimet e prapambetura ndaj punonjësve të shoqërisë, përfshirë edhe pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore, do të adresohen në mënyrë të plotë dhe transparente,” theksoi ministria.
Sipas ish-punonjësve, deklarata e ministrisë nuk zgjidh asgjë dhe synon vetëm mbrojtjen e AAPSK-së. Ata thonë se u intereson pagesa e kontributeve të papaguara, jo masat ndaj ish-menaxherëve.
AAPSK e ka çuar çështjen në SPAK, por ish-punonjësit janë të shqetësuar pasi radiotelevizioni ka kërkuar falimentimin dhe kjo u rrezikon pagesat që u takojnë me ligj.
Rrjeti “SafeJournalists” kërkon hetim dhe shlyerjen e pagesave
Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt (SafeJournalists) dhe Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) reagoi duke mbështetur kërkesat e ish-punonjësve për pagesat e kontributeve.
Ata përmendën faktin se, më 19 qershor 2025, dhjetë ish-punonjës dorëzuan ankesë zyrtare në institucionet shtetërore. Në ankesë dokumentoheshin dorëheqje të detyruara, pushime të paligjshme dhe kontrata të ndërprera pa njoftime paraprake.
Nga ana tjetër rreth 80 ish-punonjës pretendojnë se janë hequr padrejtësisht nga regjistrat zyrtarë të punësimit. Veprime të pretenduara se kanë ndodhur gjatë periudhës 2024-2025.
SafeJournalists dhe EFJ i bënë thirrje institucioneve që të garantojnë hetim të pavarur dhe pagesa të menjëhershme.
Historia e administrimit të Ora News dhe RTV Ora
Shoqëria aksionere “Ora”, njohur rëndomtë si “Ora News” u themelua në vitin 2006 dhe një vit më vonë i kaloi në pronësi sipërmarrësit Ylli Ndroqi për 25 milionë lekë. Falë investimeve, televizioni i formatit informativ, fitoi vëmendje të konsiderueshme të publikut.
Në vitin 2010 Ndroqi bleu dhe kompaninë italo-shqiptare “TeknoTrade” për 26.5 milionë lekë, të cilën e rikonceptoi si “Channel One” dhe pak vite më vonë si “RTV Ora”, të cilën e zhvendosi pranë selisë së “Ora News” në ish-Kinostudio.
Ndroqi i shiti 70% të aksioneve të “RTV Ora” në vitin 2019, ndërkohë që një vit më vonë, në gusht 2020 të dy televizionet u vendosën nën sekuestro – ashtu sikurse pasuritë kryesore të Ndroqit, rreth 10 kompani, prona dhe makina luksoze.
Masa u mor me urdhër të SPAK pas dyshimit se pasuritë e Ndroqit ishin kryesisht produkte të pastrimit të parave. Gjatë kësaj periudhe, gazetarët dhe organizatat e medias denoncuan presionin ndaj pavarësisë editoriale të këtyre televizioneve.
Me vendime të shkallës së parë (2022) dhe Apelit të Gjykatës së Posaçme (2023) “Ora News” dhe 30% të aksioneve të “RTV Ora” u konfiskua nga shteti. Prej asaj kohe, ajo ndodhet tërësisht nën administrimin e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.
Shtatë vitet e fundit Manjola* i kujton si endje nëpër klinika. Dëshira për të pasur fëmijë me bashkëshortin, me të cilin ka 15 vite martesë, nuk e ka zmbrapsur përpos vështirësive për ta pasur një të tillë në mënyrë natyrale.
Nga analizat dhe vizitat e kryera në disa klinika rezultoi se problemi qëndronte te bashkëshorti: numri i ulët i spermatozoideve të shëndetshëm në riprodhim.
“Na thanë që nuk mund të kishte fëmijë, vetëm nëse aplikohej me ‘in vitro’, por me spermatozoide të dikujt tjetër”, kujton Manjola.
“In vitro” është termi i shkurtuar në latinisht i procesit të “fekondimit në gotë” (shqip) që nënkupton riprodhimin e asistuar jashtë trupit të njeriut. Në zhargon quhet edhe “bebe në provëz”.
Në vitin 2015, Manjola ngulmoi që ta niste këtë proces, mirëpo kushtonte shumë.
“Një analizë spermatozoidi që bënte bashkëshorti, në atë kohë, kushtonte diku te 3,500 lekë,” tregon ajo, teksa kujton se vizitat në spitalet publike ishin të kota: “Mjekët na drejtonin te klinikat e tyre private!”.
Të dy nuk kishin punë fikse. Manjola angazhohej kryesisht si aktiviste e komunitetit rom, ndërsa bashkëshorti si mekanik. Të ardhurat i kishin nën minimalen prandaj, për ta, ishte thuajse e pamundur për ta provuar procesin “in vitro”.
Situata i shtyu që në vitin 2023 të shkonin si azilkërkues në Francë dhe tashmë, dy vite më pas, të jenë në pritje për ta provuar.
“Kjo ka qenë një nga arsyet që kam ardhur këtu,” tregon Manjola, “Burrit i kanë dhënë shpresë se mund të bëjmë fëmijë. Na kanë treguar edhe analizat që nuk përputhen fare me ato që kemi bërë në Shqipëri.”
Ajo tregon se autoritetet franceze po e ndihmojnë në proces duke përgjysmuar koston falë politikave sociale që aplikojnë.
Drejt procesit “in vitro” shkoi edhe Gentjana* me bashkëshortin. Në të 35-at, pas gjashtë vitesh bashkëjetesë, ata donin të kishin fëmijë. Ndiheshin të sigurt se kjo gjë do të ndodhte në mënyrë natyrale, për aq kohë sa edhe miqtë e tyre, në të njëjtën moshë ishin bërë prindër.
“Kam qenë e para që kam folur për dëshirën për fëmijë, ata në një moment u bënë, ndërsa ne na zgjati diku te një vit e gjysmë deri sa kuptuam që duhej të bënim ndonjë analizë se pse nuk po ndodhte”, tregon Gentjana.
Këshillimi me miqtë i drejtoi ata te mjekët, nga ku rezultoi se bashkëshorti i Gentjanës vuante nga varikoçela, një anomali e enëve të gjakut, që mund të shkaktojë infertilitet.
Në këto kushte ata u gjendën përballë dy mundësish: ndërhyrje kirurgjikale te partneri, që kërkonte 1 vit e gjysmë rikuperim, ose t’i futeshin procesit “in vitro”. Faktori kohë i shtyu që të zgjidhnin alternativën e dytë.
Mes konsultash dhe sugjerimesh, çifti iu drejtua një klinike private. Nxjerrja e 25 vezëve për moshën dhe parametrat që kishte Gentjana, 36 vjeçe, ishte një lajm shpresëdhënës. Mirëpo, edhe pse mbeti shtatzënë embrioni nuk u zhvillua, duke pësuar dështim.
Por në përsëritjen e procedurës gjërat shkuan mbarë. Transferimi i kryer pak muaj më vonë rezultoi me sukses dhe Gentjana mbeti shtatzënë.
Foto ilustruese, pajisje të fertilizimit in vitro/Ministria e Shëndetësisë.
Përballja me infertilitetin
“In vitro” është një teknikë e aplikuar gjerësisht pas viteve 80-të, ku vezët e gruas pllenohen jashtë mitrës. Kësisoj, embrionet krijohen në laboratorë dhe më pas vendosen në mitër për t’u zhvilluar si shtatzëni.
Andrologu Evin Dani, vlerëson si pozitive ekzistencën e kësaj metode riprodhuese, por thekson se edhe në këtë proces mosha luan rol të rëndësishëm.
Ai thotë se pas moshës 35 vjeç, aftësia e grave për të prodhuar vezë të shëndetshme bie. Për këtë aplikohet një metodë, ku në një moshë më të hershme vezë të shëndetshme vendosen në konservim: ngrirje.
Por ndonëse shpesh pamundësia për të bërë fëmijë iu mveshet grave, statistikat tregojnë përqindje të lartë infertiliteti edhe mes burrave.
“Statistikat nxjerrin që në 60% të rasteve problem është gruaja dhe në 40% burri,” tregon andrologu Dani, i cili thekson se për të siguruar riprodhimin meshkujve iu duhet të gëzojnë numër dhe përqendrim të lartë spermatozoidesh të shëndetshëm: rreth 40 milionë.
“Kur kemi ulje të numrit të spermatozoideve, atëherë çifti do të vonojë ose nuk do të realizojë dot shtatzëni,” shpjegon andrologu.
Por, përveç numrit dhe dendësisë së lartë që të arrihet një shtatzëni duhet që spermatozoidet të kenë dhe lëvizshmëri.
“Mund të kesh numër, por jo lëvizshmëri, atëherë i bie që spermatozoidi të mos shkojë drejt vezës, të rrijë aty deri sa ta shkatërrojë organizmi”, shpjegon andrologu Dani, i cili shton se për të qenë riprodhues një burri i nevojitet të ketë në gjendje lëvizjeje të paktën 32% e spermatozoideve.
Dani shton se që një spermatozoid të quhet normal, duhet që mbi 4% e tërësisë së tyre të kenë formë morfologjike normale. Sipas tij, ndër shkaqet kryesore të infertilitetit te meshkujt është varikoçela.
“Enët e gjakut, për një arsye apo tjetër, nga dëmtimi i kllapave, do të sjellë si pasojë pellgëzimin dhe do të bëjë që të rritet temperatura e skrotumit dhe kjo sjell si pasojë atë që quhet dëmtim i spermatozoideve,” shpjegon andrologu.
Ndër shkaqe të tjera që kanë ndikim në infertilitet ai rreshton mënyrën e jetesës, ushqimin, lëndët toksike që përdoren për rritjen e frutave dhe perimeve si dhe temperatura e ambientit. Sipas mjekut, të tjerë shkaktarë janë edhe lëndët narkotike dhe duhani.
“Kemi vënë re që shumë veta që kanë dëmtim të spermatozoideve janë duhanpirës dhe me ndërprerjen e duhanit, pas 3-6 muajsh kemi rezultat”, shpjegon më tej doktor Dani.
Sipas mjekëve, djemtë dhe burrat e kanë të vështirë të flasin për jetën dhe organet e tyre seksuale. Mirëpo, së fundmi, kjo situatë ka ndryshuar falë edhe medias në sensibilizim dhe emisione të dedikuara.
“E konsiderojmë sukses sepse jeta seksuale nuk është se mbaron në një moshë të caktuar, ajo mbaron kur të mbarojë jeta,” thekson andrologu.
Prindërimi dhe kostoja e lartë e shpresës
Pas vitesh tentativë për të pasur fëmijë Erla dhe bashkëshorti iu drejtuan një klinike private në Tiranë për të nisur fertilizimin “in vitro”. Përtej përgjigjes së një mjekeje se “kurrë nuk do të bëhej nënë”, ajo gjeti forcën për të besuar te procedura.
Procesi kërkoi më tepër kohë se sa kishin menduar: gati pesë vite.
“E kam bërë disa herë procedurën dhe nuk më jepte rezultat. Unë gocën e kam me ‘in vitro’-n e katërt”, rrëfen Erla përvojën e saj.
Sot ajo është sërish shtatzënë, por në mënyrë natyrale. Fakt që i ka lumturuar pamasë të dy.
Erla kujton se në momentin kur lindi vajzën, mjeku i pati thënë që të mos provonte më me “in vitro” pasi do të kishte mundësi për shtatzëni normale.
Rrugëtim të njëjtë ka pasur edhe Brikena. Pas tri vitesh martesë ajo solli në jetë djalin e saj. Mirëpo më pas e kishte të vështirë të kalonte sërish në shtatzëni të dytë.
Shkak për këtë ishte një ndërlikim në tubat e fallopit, ku vezët e kanë të vështirë të kalojnë drejt mitrës për shkak të një bllokimi të tubave. Për këtë Brikena iu drejtua procedurës “in vitro” për të pasur mundësinë për një fëmijë të dytë.
Sot ajo gëzon edhe vajzën e saj, ndërsa gjithë procesi i fertilizimit i zgjati shtatë muaj, duke përfshirë analizat, ekot dhe transfertën e embrionit.
Ajo tregon për Citizens.al se nëse nuk do të kishte rezultuar e suksesshme që në tentativën e parë nuk do ta vijonte më tej, pasi stimulimet dhe mjekimet me hormone kanë efektet e tyre.
“In vitro e kam bërë vetëm për faktin që nesër pasnesër, kur të kalonin vitet mos të thosha pse nuk e provova, të mos më ngelej peng,” vijon ajo.
Foto ilustruese, pajisje të fertilizimit in vitro/Ministria e Shëndetësisë.
Pas çdo embrioni, një rrugëtim i lodhshëm emocional
Manjola e kujton si stresuese periudhën e analizave dhe konsultimeve në klinikat private për procesin “in vitro”. Ajo thotë se kjo i ndikoi edhe në sjelljen karshi bashkëshortit.
“Ka qenë stresuese dhe kam qenë pak agresive ato kohë. U bëra keq! Fillova ta përjetoj keq dhe ia hidhja fajin bashkëshortit”, ndan Manjola me Citizens.al
Për Gentjanën terapia te psikologu filloi paralelisht me nisjen e transfertës së dytë të fertilizimit “in vitro”.
“E kam vazhduar terapinë edhe pas lindjes. Ky është proces i ndërlikuar, por asgjë nuk është më e ndërlikuar se sa mëmësia”, rrëfen Gentjana.
Pyetjes nëse në të njëjtin proces ishte edhe partneri i saj, ajoi përgjigjet se “ata janë të lirë”.
“Partnerët mund të jenë aty të të mbështesin në proces, por e gjitha barra fiziologjike është mbi ty”, vijon më tej Gentjana.
Sipas psikologes Tana Aliaj, infertiliteti sjell sfida të shumta fizike, emocionale dhe psikologjike te çiftet. Aliaj analizon se në tërësi koncepti i shoqërisë shqiptare për familjen dhe prioriteti që i jepet krijimit të saj nxit ndjesi zhgënjimi dhe humbjeje në çiftet që nuk ia dalin dot.
Sipas saj, gratë ndikohen më shumë në këtë proces.
“Ky presion shpesh çon në izolim emocional dhe vështirësi në ruajtjen e mirëqenies mendore dhe të marrëdhënies në çift”, shpjegon më tej Aliaj.
Për Erlën, mospasja e një fëmije pas tre tentativash të fertilizimit “in vitro” solli zhgënjim pas zhgënjimi.
“Fillon pastaj një moment që fajëson veten. Nuk është se ka pasur ndonjë krisje. Kemi qenë të dy së bashku duke i dhënë kurajë njëri-tjetrit dhe duke vazhduar akoma, duke këmbëngulur”, tregon ajo.
Sipas psikologes Aliaj, edhe burrat edhe gratë pësojnë dhimbje e trishtim kur secili prej tyre mëson se është infertil. Mirëpo, ndjenja e fajit dhe vetmisë dominon më shumë te gratë, sidomos në realitetin shqiptar.
“Ato shpesh ndihen si ‘të paplota’ për shkak të perceptimit të rrënjosur se të qenit grua lidhet automatikisht me të qenit nënë. Madje, ndjenja e fajit shkon përtej vetes dhe lidhet me pritshmëritë familjare për ‘t’u bërë nënë për prindërit’ apo për të përmbushur rolin që shoqëria i ka përcaktuar”.
Aliaj thekson se ka një presion të shtuar mbi çiftet infertilë, lidhur kjo edhe me strukturat familjare tradicionale.
“Ky presion i jashtëm forcon ndjesinë se vlera e çiftit matet me aftësinë për të lindur fëmijë, duke e lënë pak hapësirë për kuptim dhe mirëkuptim,” thekson psikologia.
Në studime të ndryshme çiftet në pritje e kanë vlerësuar ankthin e fertilizimit “in vitro” si më të madh se çdo ngjarje tjetër të jetës së tyre.
“Ndonëse zhvillimi i teknikave alternative ka ofruar shpresë për çiftet që përballen me infertilitetin është e rëndësishme të tejkalohen barrierat psikologjike dhe normat kulturore”, përfundon Aliaj.
Kosto të larta financiare, ende pak besim te “publikja”
Kostot e larta financiare dhe pamundësia ekonomike e shtynë Manjolën të shkonte jashtë shtetit, me shpresën se do të përfitonte nga programet sociale atje.
Për Gentjanën nuk ka një përgjigje të saktë të vlerës totale, pasi gjithë procesi ka qenë i fragmentarizuar në periudha të ndryshme.
“Rreth 2,500 euro ‘in vitro’ dhe nja 500 euro ilaçe. Pastaj për çdo transfertë diku te 1,000 euro,” tregon Gentjana.
Mirëpo, ajo kujton se për 14 injeksionet që ia bëri vetes për të përgatitur vezën për procesin e fertilizimit, iu desh të shkonte në Prishtinë, për shkak të kostos së përgjysmuar.
“Të nesëmem i kemi hipur makinës, shkuam në Prishtinë me firgorifer me vete. Diferenca ishte 500 euro deri në 1 mijë euro”, rrëfen Gentjana.
“Nëse dua edhe sot të provoj për një fëmijë të dytë, kam embrione në ngrirje dhe mund të shkoj ta bëj sërish procesin”, shton ajo, duke theksuar edhe kostot e analizave të herëpashershme për të gjithë procesin.
Nga ana tjetër, Brikena tregon për një kosto rreth 8,000 euro.
“Nga fillimi, analizat e mia, të bashkëshortit, pagesën që ishte 3,000 euro dhe ‘in vitro’, embrionet, vizitat, ekot e njëpasnjëshme,” rendit ajo në llogaritjen totale.
Kostoja më e lartë është paguar nga Erla, për shkak se ajo dhe bashkëshorti provuan katër herë. Sipas saj kostoja ka shkuar në 80,000 euro.
“S’do ta besosh, por ka shkuar… ka shkuar kaq sepse mjekimet dhe stimulimet janë të shtrenjta, edhe procedura kushton, analizat përsëri kushtojnë”, na tregon Erla.
Spitali Obstretik-Gjinekologjik “Koço Gliozheni”/Ministria e Shëndetësisë.
Në shkurt të vitit 2024, shërbimi i fertilizimit “in vitro” nisi në sistemin shëndetësor publik, pranë Spitalit Universitar Obstetrikë Gjinekologjik “Koço Gliozheni”. Pavarësisht se laboratori për fertilizimin u ndërtua në këtë institucion prej vitit 2013, financuar nga Bashkimi Evropian me rreth 250 mijë euro dhe trajnim të mjekëve jashtë vendit, kjo sallë nuk u hap kurrë për 11 vite.
Sipas të dhënave nga spitali “Koço Gliozheni” prej nisjes së shërbimit ka pasur shumë kërkesa nga çiftet shqiptare.
“Në vitin 2024 ka pasur 73 aplikime, ndërsa për vitin 2025 deri më tani janë 117 aplikime”, thuhet në përgjigjen zyrtare për Citizens.al nga spitali obstetrikë-gjinekologjik.
Megjithatë, ky proces është përzgjedhës. Sipas formularëve që plotësohen nga çiftet që nisin këtë procedurë, mosha e grave që pranohen për të kryer teknikat e FIV-ICSI (fertilizimi in vitro dhe Injektimi Intracitoplazmatik i Spermatozoidit) nuk duhet të kalojë 42 vjeç për gratë që kanë cikël menstrual të rregullt.
Sipas spitalit “Koço Gliozheni”, në vitin 2024, nga 73 aplikime janë pranuar 30 dhe nga 117 aplikime deri më tani në 2025-ën janë pranuar 53 çifte që plotësojnë kriteret.
Në vitin 2024 ka pasur 9 rezultate pozitive, ndërsa në vitin 2025 (deri më tani) janë 12 rezultate pozitive. Por nga të gjitha këto vetëm dy lindje të shëndetshme janë shënuar në spitalin “Koço Gliozheni” përmes fertilizimit “in vitro”.
Andrologu Dani shpjegon se përse rezultatet pozitive nuk përkthehen në lindje. Ai thotë se mund të ndodhë që të jetë kryer me sukses transferta e vezëve të pllenuara në uterus, por më pas ajo të mos zhvillohet më tej.
Megjithatë, Erla dhe Brikena, të dyja pjesë e administratës publike rrëfejnë se edhe nëse do t’iu jepej mundësia për ta kryer procesin në shtet, sërish do të zgjidhnin ta merrnin këtë shërbim në privat.
“Kam besim te mjeku që jam dhe nuk do ta ndërroja. Kam ndërruar disa mjekë dhe te ky kam gjetur besim”, rrëfen Erla.
“Ne që punojmë në shtet shkojmë të privati mbarojmë punë. Punojmë vetë aty dhe na sorollasin, jo më një qytetar i thjeshtë që nuk di ku të shkojë”, shprehet me mosbesim Brikena.
Projektligji “Për shëndetin seksual dhe riprodhues” ende në rishqyrtim nga ekspertët
“Me buxhetin e vitit të ardhshëm, rreth 150 çifte të reja do të mbështeten për të realizuar ëndrrën e tyre për të krijuar familje”, u shpreh ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu në dhjetor të 2024, duke u shprehur se ky shërbim brenda 2025-ës do të ofrohet edhe në Maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”.
Mirëpo, në aspekt ligjor fertilizimi “in vitro” u soll sërish në vëmendje përmes projektligjit “Për shëndetin riprodhues dhe atë seksual” që synon të garantojë të drejta seksuale dhe riprodhuese për qytetarët. Në këtë projektligj nuk përcaktohet qartë se si do të mbështeten çiftet që nuk munden dot të bëjnë fëmijë.
“Projektligji është tërhequr nga ministria, pas konsultimeve publike që ato patën në faqen e tyre online dhe që nga ai moment, nuk ka më asnjë reagim”, tha për Citizens.al Zheni Gjergji, kryetare e Komisionit të Shëndetësisë.
Sipas deputetes Gjergji, ky projektligj nuk kishte asnjë paketë sociale të parashtruar për gratë në nevojë dhe që nuk kanë mundësi ekonomike të kryejnë fertilizimin “in vitro”.
“Nuk ishte parashikuar asgjë, as nuk e citonte që do të ishte në institucionet publike, por thoshte në institucionet publike dhe jopublike. Nuk është se ishte prioritet publiku. Por ishte publike dhe private”, argumenton deputetja Gjergji.
Sipas Gjergjit, Shqipëria nuk ka ende një regjistër kombëtar të infertilitetit, duke mos pasur mundësi kësisoj të hartohen politika të duhura shtetërore.
*Emrat janë ndërruar për të ruajtur privatësinë e zonjave që besuan të rrëfejnë historinë e tyre për Citizens.al
Oborri i shtëpisë së Jetmira Kajoshit në Shtoj të Ri u mbush me gra e vajza që kishin ardhur për t’u njohur me Shkodrën përmes duarve të një artizaneje.
Në katin e parë të shtëpisë së saj, Jetmira ka ngritur një punishte për prodhimin e sapunëve nga bimët vendase si livanda, sherebela apo çaji i malit.
Dhjetë vite më parë, ideja për të prodhuar sapunë dukej e largët. Sot, ajo është shembull i qëndrueshmërisë, kurajës dhe formalizimit të punës në tregun vendas.
“Në fillim askush nuk besonte që sapuni bëhej këtu. Me kalimin e kohës produkti u përqafua,” rrëfen Jetmira për Citizens.al.
Të bësh biznes në Shqipëri nuk është e lehtë, sidomos për gratë që ndeshen me mosbesim dhe pengesa administrative që nga dita e parë.
“Publiciteti bëhet bukur, por realiteti është ndryshe,” thotë ajo duke treguar vështirësitë që haste për të bindur klientët për produktin vendas.
Sot Jetmira administron punishten vetë. Në periudha sezoni punëson gra të tjera nga komuniteti për mbledhjen e bimëve dhe përgatitjen e sapunëve artizanalë.
Në dallim nga nismat e tjera, Jetmira e formalizoi biznesin që në fillim, edhe pse nuk kishte më shumë se 100 sapunë në magazinë.
“E hapa NIPT-in pa ditur si do shkonte. Por ka qenë vendimi më i mirë që kam marrë,” kujton ajo me bindje.
Sot, sapunët e saj shiten si suvenire shqiptare në dyqane artizanale dhe në aeroportin e Rinasit, duke mbartur aromën dhe identitetin e Shtojit të Ri.
Pasdite në Shirokë me peshkatarët e liqenit
Në të njëjtën ditë, pak kilometra larg, Agim Kallmi përgatitej të nisej me varkë në liqenin e Shkodrës. Ai është një prej peshkatarëve të fundit të zonës.
Për 35 vite, Agimi ka dalë çdo ditë në liqen për të peshkuar. Sot, më shumë sesa punë, e quan këtë një mënyrë jetese.
“Kam peshkuar me vëllain pastaj dhe me nusen, por kemi punuar mirë,” thotë ai teksa shtyn varkën në ujë.
Sipas Agimit, liqeni ka shumë specie, por peshkimi është përqendruar te krapi i madh, që kalon pesë kilogramët.
Dita për të nis në orën katër të mëngjesit dhe përfundon pas perëndimit. Ai thotë se të rinjtë nuk duan më të futen në varkë, e cila mbart dhe rreziqe. Këtu merr për shembull të birin.
“Më mirë thotë rri kamerier se të rrezikoj në liqen,” tregon Agimi i mësuar me motin e paparashikueshëm.
Fuqizimi i gruas përmes turizmit
Jetmira dhe Agimi ishin pjesë e një turi të organizuar nga UN Women Albania, që synon të fuqizojë gratë përmes përfshirjes në turizëm të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës.
Sipas Irena Shtrazës, drejtuese e projektit, turizmi është një mundësi e artë për të përparuar barazinë gjinore dhe për të ndërtuar ekonomi lokale të qëndrueshme.
“Kjo nuk është vetëm tendencë, është një mundësi reale për zhvillim të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës,” u shpreh ajo për Citizens.al.
Në guidë përfshihen gra nga zona të ndryshme, që ofrojnë përvoja të ndryshme: hiking, artizanat, kulinari, peshkim, apo kundrim shpendësh.
Shembuj konkretë janë: “Hello Albania” në Vlorë, “Guided Holidays” në Shkodër, apo “Balkan Pearls” në Tiranë që ofron ture për nënat me fëmijë.
Sipas Irenës, 82% e vendimeve për udhëtime në botë merren nga gratë dhe deri më 2028, ato do të kontrollojnë 75% të shpenzimeve për pushime.
“52% e grave në botë kanë udhëtuar solo me prirjen për destinacione të sigurta, fuqizuese dhe autentike nga ana kulturore,” shton ajo.
Industria turistike po përshtatet: gjithnjë e më shumë produkte dhe shërbime po krijohen për gratë që udhëtojnë vetëm, me fëmijë, apo për të takuar komunitete të tjera grash.
Kjo po nxit nevojën për një turizëm që ofron edhe përvoja njerëzore që nxisin ndërveprimin me komunitetet lokale.
Rreth 80 ish-punonjës të radiotelevizionit “Ora” pretendojnë se nuk u janë paguar kontributet shëndetësore dhe shoqërore të tre viteve të fundit.
Sipas tyre, pagesat mujore u janë shlyer rregullisht dhe emrat janë deklaruar në sistemin tatimor, por kontributet nuk figurojnë të paguara.
Shqetësimi për kontributet u bë publik nga Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH), që kërkoi publikisht hetim administrativ mbi këto shkelje nga Inspektorati Shtetëror i Punës.
AGSH deklaroi se largimi i këtij grupi punonjësish është kryer në shkelje të Kodit të Punës, pa ndjekur procedurat ligjore për pushim kolektiv.
Sipas deklaratës, administratorët shtetërorë kanë dështuar të garantojnë funksionimin ligjor, etik dhe transparent të një pasurie që menaxhohet në emër të publikut.
AGSH thekson se pavarësisht statusit juridik apo pronësisë, mediat janë pjesë e interesit publik dhe duhet të funksionojnë sipas standardeve të shtetit të së drejtës.
“[…] të drejtat e gazetarëve dhe punonjësve të medias janë të pandashme nga standardet themelore të të drejtave të njeriut dhe lirisë së shprehjes,” thuhet në deklaratë.
Asociacioni i kërkon Ministrisë së Financave dhe Drejtorisë Tatimore të realizojnë një audit të plotë mbi pagesat dhe kontributet e prapambetura të punonjësve.
Po ashtu, kërkohet që punonjësit të përfshihen si kreditorë të privilegjuar në çdo procedurë falimentimi që mund të zhvillohet ndaj televizionit.
Menaxhimi i dështuar nga AAPSK
Televizioni “Ora” ka qenë në pronësi të sipërmarrësit Ylli Ndroqi, por prej vitit 2020 administrohet nga shteti përmes Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.
Sekuestrimi u vendos nga SPAK, pasi dyshon se Ndroqi është përfshirë në veprimtari kriminale me pasuri të pajustifikuara në Shqipëri, Itali dhe Turqi.
Sipas vendimit të Gjykatës së Posaçme Nr.16, datë 1.08.2020, Ndroqit i janë sekuestruar 26 pasuri, përfshirë televizionet “Ora News” dhe “Channel One”.
SPAK pati deklaruar se pasuritë e Ndroqit dhe të familjarëve të tij nuk justifikohen dhe dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti kriminal në disa shtete.
Nga mungesa e rampave e deri te kostot e larta të transportit, jeta në Tiranë për personat me aftësi të kufizuara mbetet sfiduese. Por një projekt pilot i zbatuar nga Fondacioni “Së Bashku”, me mbështetjen e UNDP-së dhe financim nga qeveria zvicerane, ka sjellë për 10 muaj një ndryshim të ndjeshëm në jetën e disa qytetarëve përmes ndihmësit personal.
Për Kristiana Lee, një grua me aftësi të kufizuar, lëvizja e pavarur në Tiranë është sprovë e vazhdueshme nëse nuk shoqërohet nga familjarë. Infrastruktura e dobët, mungesa e rampave dhe përballja me shkallë janë mundim i përditshëm për të.
“Dy herë që kam provuar të dal vetëm, jam detyruar të eci në rrugën e makinave, një rrezik i madh për mua,” thotë ajo.
Kristiana është e punësuar dhe nënë e një djali. Bashkëshorti e ndihmon në përkujdesjen e tij, prandaj nuk mundet ta shoqërojë kudo. Vajtja dhe ardhja nga puna është mundimi më i madh për Kristianën, e cila tregon se shpesh lëviz me taksi dhe kjo i merr një pjesë të konsiderueshme nga paga.
E njëjta situatë paraqitet edhe për Ervisa Kukën, një vajzë me aftësi të kufizuara në shikim, e cila nuk e gëzon plotësisht pavarësinë në lëvizje për shkak të kostos së lartë që i kërkon transporti me taksi.
Ajo tregon se vajtja dhe kthimi nga puna është një stres për të pasi shërbimi taksi i kushton shtrenjtë.
“Marr taksi kur kam mundësi ekonomike, por prapë para punës sime bëhet keq, parkingu plot, taksisti nuk ndalon ku dua dhe më duhet të kërkoj prapë ndihmë,” tregon Ervisa.
Një ndihmës që nuk është familjar
Projekti pilot i përbashkët i OKB-së “Askush të mos mbetet pas” u dha mundësinë Kristianas, Ervisës dhe disa të tjerëve që për herë të parë të kenë ndihmës personal dhe jo familjar. Kjo përkthehet në pavarësi e mirëfilltë dhe një jetë më e denjë.
Vajtja në punë, në institucione, apo banka u bë më e lehtë me ndihmës personal për Kristianën, e cila vlerëson faktin se me një ndihmës përditshmëria e saj nuk diktohet nga familja.
“Pjesa më me vlerë është se ti i jep komandë jetës sende, ke pavarësinë tënde, që fatkeqësisht e kam të limituar nga ana fizike,” tregoi Kristiana përvojën me asistentin e saj, Ervinin.
Për Ervisën, asistenti personal përfaqëson më shumë se një lehtësim apo ndihmë praktike – ai është burim qetësie dhe besimi. “
“Ta dish që jashtë derës së shtëpisë të pret dikush që të shoqëron në punë, kjo përkthehet në cilësi jetese, mirëqenie, më ndihmon të bëj një jetë dinjitoze,” tha Ervisa.
Sipas Suela Lalës, drejtuese e Fondacionit “Së bashku”, asistenca personale është themelore për të ndërtuar jetë të qëndrueshme për personat me aftësi të kufizuara.
Ajo mund të jetë zgjidhje për prindërit e fëmijëve me aftësi të kufizuara, të cilëve u mundon pyetja se çfarë do të ndodhë me fëmijët e tyre kur ata të mos jenë më.
“Ata që kanë prindërit të moshuar, ose nuk kanë mbështetje të madhe [familjare], me gjasa janë më të izoluar në shoqëri, nuk janë këtu mes nesh”, u shpreh Lala.
Ligji shqiptar e njeh këtë shërbim, por pagesat e ulëta nuk e bëjnë atë të qëndrueshëm.
“Kjo nuk lejon që realisht dikush të punësojë dikë në tregun e hapur të punës dhe të ketë vërtetë përfitime të asistencës personale në mënyrë që të kryejnë aktivitetet e përditshme,” shpjegoi Suela.
Entela Lako nga UNDP theksoi se qasja gjithëpërfshirëse e ndjekur nga projekti mund të shërbejë si model për politika publike.
“Projekti ndihmon për ta bërë këtë problem më të dukshëm, për të nxitur diskutimin, analizën dhe për të sjellë modele konkrete,” u shpreh Entela.
Ligji ekziston, por mungon zbatimi
Xhilda Papajani, përfaqësuese e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, pranoi gjatë një takimi me komunitetin se Shqipëria ende nuk ka përmbushur angazhimet që dalin nga Konventa për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara.
Sipas saj, nuk mund të vazhdohet me reformat e kërkuara nga procesi i integrimit në BE nëse nuk mundësohet shërbimi i ndihmësit personal.
“Ky është një shërbim kyç për deinstitucionalizimin,” shpjegoi Xhilda, e cila tha se asistenti personal do të nisë të mundësohet fillimisht për fëmijët dhe të rinjtë me aftësi të kufizuara.
Pozicioni i asistentit personal synon të lejojë që personat me aftësi të kufizuara të jetojnë të pavarur në shtëpitë e tyre, pa mbështetjen e përhershme të prindërve.
Mimoza Bendo, nënë e një djali me autizëm, mori pjesë në projektin pilot si asistente personale për një grua me probleme në shikim. Ajo tregoi se ishte hera e parë që përkujdesi i saj shtrihej përtej familjes.
“Fillimi nuk ka qenë i lehtë, por sot jemi dy mikesha të mira,” tregon Mimoza, së cilës iu desh të mësonte aspekte të tjera të kujdesit, pavarësisht se për 15 vite është kujdesur për djalin e saj.
Orari fleksibël dhe mbulimi i sigurimeve e bënë këtë punë të përballueshme për të. Ajo thotë se një projekt i tillë duhet të jetë i përhershëm.
“Aftësia e kufizuar nuk zgjat 10 muaj. Ajo është përjetë, ndaj edhe shërbimi duhet të jetë i vazhdueshëm,” thekson ajo.
Afërdita Seiti, nënë e Erjonës, një vajzë me aftësi të kufizuara në intelekt dhe lëvizje, njëkohësisht aktiviste për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, rrëfeu se për vite me radhë, ajo dhe bashkëshorti kanë punuar me sakrifica për të mos e lënë vajzën pa mbështetjen e duhur.
Megjithatë ajo theksoi se askush nuk mund të zëvendësojë terapinë dhe ndihmën profesionale.
Erjona, falë ndihmësit personal, rifitoi rutinën e saj. “Ngrihej vetë, hapte derën kur vinte ndihmësi, dilte për kafe, për aktivitete. Ishte më e gëzuar, më aktive,” tregon Afërdita.
Ligji shqiptar (93/2014 “Për përfshirjen dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuar”) parashikon që personat me aftësi të kufizuara mund të kenë akses në ndihmës personal për të jetuar në mënyrë të pavarur. Por zbatimi ka qenë i pjesshëm.
Pagesat e ndihmësit personal janë të ulëta krahasuar me nevojat – nga 8 000 deri në 13 000 lekë – dhe nuk njihen vitet e punës për shumicën e kategorive.
Xhilda Papajani, nga Ministria e Shëndetësisë, pranoi se sistemi aktual i sigurimeve është i mangët në këtë pjesë: “Vitet e punës njihen vetëm për personat tetraplegjikë dhe paraplegjikë.”
Shqipëria është renditur në nivelin e tretë nga pesë kategoritë e indeksit vjetor të Konfederatës Ndërkombëtare të Sindikatave (ITUC), që mat shkeljet e të drejtave të punëtorëve në mbarë botën. Sipas raportit të publikuar së fundmi, vendi ynë vijon të jetë pjesë e shteteve ku shkeljet e të drejtave të punëtorëve janë të vazhdueshme.
Indeksi i ITUC vlerëson 151 vende duke përdorur 87 tregues të bazuar në standardet e Kombeve të Bashkuara dhe traktatet ndërkombëtare. Ai i ndan vendet në pesë kategori, ku kategoria e pestë përshkruhet me situatën më të keqe – për vendet ku nuk ka asnjë garanci ligjore për të drejtat e punëtorëve – ndërsa kategoria e parë përfshin vendet me shkelje sporadike.
Shqipëria mbetet në nivelin e tretë, duke u pozicionuar si një vend ku shkeljet ndodhin rregullisht.
Raporti thekson një përkeqësim të përgjithshëm të të drejtave të punëtorëve në mbarë botën, me më shumë se një në tre vende që klasifikohen në nivelin më të ulët të mundshëm – pa garanci për të drejtat e punëtorëve.
Në Evropë, vetëm 7 vende kanë arritur të ruajnë vlerësimin më të lartë, përballë 18 vendeve që ishte në vitin 2014.
“Ky trend i tmerrshëm nënvizon ashpërsinë e sulmit të vazhdueshëm nga qeveritë dhe korporatat mbi të drejtat dhe liritë themelore të punës gjatë dekadës së fundit,” thuhet në raport.
Ndërkohë, raporti përmend se në Shqipëri dhe disa vende të tjera si Hungaria, Moldavia, Mali i Zi dhe Mbretëria e Bashkuar, qeveritë kanë abuzuar me pushtetin ligjor duke e zgjeruar në mënyrë të tepërt përkufizimin e “shërbimeve thelbësore”, për të kufizuar të drejtën e grevës.
Renditja e Shqipërisë në nivelin e tretë nga pesë në total.
Sipas raportit shkeljet e të drejtës së punëtorëve për grevë mbetën në nivelin më të lartë globalisht që nga fillimi i Indeksit në vitin 2014.
“Në vitin 2025, grevat u kufizuan ose u ndaluan në 131 vende (87%), të pandryshuara nga viti 2024 dhe nga 63% në vitin 2014”.
Kjo shtypje, sipas raportit, ndodh në një kohë kur greva si e drejtë është njohur nga Konventa 87 e Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), e ratifikuar nga 158 prej 187 shteteve anëtare të saj.
Raporti citon gjithashtu përpjekjet sistematike të disa kompanive në Evropë për të minuar aktivitetin sindikal, ndërsa në disa vende është vërejtur krijimi i të ashtuquajturave “sindikata të verdha”, të kontrolluara nga punëdhënësit, që zbehin rolin e mbrojtjes së të drejtave të punonjësve.
Në renditjen globale, 10 vendet me situatën më të keqe për të drejtat e punëtorëve përfshijnë Bangladeshin, Bjellorusinë, Ekuadorin, Egjiptin, Eswatinin (Afrikë), Mianmarin, Nigerinë, Filipinet, Tunizinë dhe Turqinë.
Në vitin 2025, ndalimi ose kufizimi i grevave u evidentua në 131 vende (87%), një shifër që ka mbetur e pandryshuar nga viti i kaluar, por përbën një rritje të madhe krahasuar me vitin 2014, kur kjo ndodhte në 63% të vendeve.
Raste konkrete përmenden edhe në Belgjikë dhe Zvicër, ku sindikalistë u arrestuan apo u gjobitën për pjesëmarrje në greva, duke përforcuar prirjen e frikësimit dhe shtypjes së të drejtës së organizimit sindikal.