Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Rrëfimi i të mbijetuarës së dhunës seksuale gjatë luftës: Na pyesnin “ku e keni NATO-n”

9 August 2025 at 23:19

Kishin qenë duke u larguar nga fshati me 15 traktorë, burra dhe gra së bashku, kur ranë në pritë të ushtarëve serbë.

Kështu e nis historinë e saj e mbijetuara e radhës e dhunës seksuale nga lufta e fundit në Kosovë, në emisionin “Debat Plus” të TV Dukagjinit.

Pasi ushtarët i kishin ndarë burrat nga gratë, këto të fundit u përballën me një prej armëve më të rënda të luftës: dhunën seksuale.

“Na ndanë burrat dhe na futën brenda. Më vonë erdhën, na tërhoqën zvarrë dhe na çuan në dhoma lart. Na dhunuan, na zhveshën, teshat na i prenë me thikë. Jo vetëm teshat, por edhe lëkurën e trupit na e çanin. Për orë të tëra na mbanin aty, na maltretonin dhe na rrihnin. Na thoshin: ‘Ku e keni NATO-n?’ dhe përmendnin emrat e udhëheqësve të saj, si Xhimi Shea…”, rrëfen ajo.

Sipas saj, burrat ishin ngujuar në hambarë, të rrahur dhe të detyruar të dëgjonin britmat e grave dhe fëmijëve.

Ajo thekson se ushtarët serbë nuk kursyen askënd, pavarësisht moshës.

“Ka pasur shumë gra, vajza, plaka. Nuk është kursyer asnjë moshë. Plakat i rrihnin, i zhveshnin lakuriq dhe i godisnin… Po, i rrihnin”, kujton ajo, duke shtuar se mes viktimave kishte edhe fëmijë.

Përveç dhunës seksuale dhe asaj fizike, torturat ishin nga më çnjerëzoret. Në natën e festës së Bajramit, ushtarët serbë i bënë një pyetje makabre:

“Cilin fëmijë do të ta presim për ta bërë kurban? Këtë nuk e harroj kurrë dhe nuk mund ta fal. E harrova veten, kur më erdhi puna te fëmija. Më gjuajtën djalin nga prehri, ma morën…”

Djali i saj ishte vetëm dy vjeç. Pas kësaj, e morën edhe atë me dhunë.

“Ma kapën djalin dhe e hodhën. Pastaj më kapën mua për flokësh. Unë nuk doja të shkoja, po bërtisja ‘s’dua, s’dua’. Më tërhoqën zvarrë për shkallë. Ishte mbrëmje… Na çonin nëpër dhoma, teshat na i prenë me thikë. Tri ditë nuk kishim asgjë për të veshur.”

Gjatë gjithë kohës, pyetja që përsëritej nga ushtarët ishte e njëjta:

“Ku e keni UÇK-në? Ku e keni NATO-n?”

The post Rrëfimi i të mbijetuarës së dhunës seksuale gjatë luftës: Na pyesnin “ku e keni NATO-n” appeared first on Telegrafi.

“Lema mu këtë të renë” – e mbijetuara e dhunës seksuale me histori rrëshqethëse

9 August 2025 at 22:51

Një tjetër e mbijetuare e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë ka ndarë historinë e saj tronditëse në emisionin “Debat Plus” në TV Dukagjini.

Ajo ka treguar se ishte vetëm 11 vjeçe kur u dhunua nga ushtarë serbë, njëri prej të cilëve e njihte që para luftës. Ky person, të cilin e përmend me emrin “Gjura”, kishte punuar më herët me babain e saj.

Derisa mendonte se babai ishte i vdekur, ajo më pas e pa të gjallë në një stacion policie ku po mbahej peng nga forcat serbe, pasi kriminelët kishin marrë atë dhe nënën e saj.

“Fiks Gjura ka qenë. Tri ditë e tri netë… Nëna në një dhomë, unë në një dhomë tjetër, që ishte një stallë lopësh. Na morën atë ditë kur e gjuajtën nga djepi vëllain tim. Aty e futën nënën në kerr, katër me maska, Gjura si ‘bos’, me grada në krah, i rrihte gjoksin dhe u kthyen të më merrnin mua”, ka rrëfyer ajo.

Ajo tregon se vendi ku u çuan ishte përdorur si “stacion dhunimi” për gratë dhe vajzat shqiptare.

“Aty kishte vetëm kashtë në dysheme, rroba dhe sende të grave. Gjura tha ‘lema mu këtë të renë’… dhe më pas nuk e dija ku po më çonin”, tha ajo.

Sipas saj, dhunuesi i kërkonte ta zhvishte dhe i siguronte ushqim vetëm nëse pranonte kushtet e tij.

“Tha: shpërthekomi pullat e këmishës. Nuk munda… duart nuk më punonin. Sot nuk e dua burrin, nuk kam dëshirë as për jetën intime. Ai më detyronte që edhe kur të kthehesha, duhej prapë ta kënaqja nëse doja ujë ose ushqim”, shtoi e mbijetuara.

Kur u takua përsëri me nënën pas largimit të ushtarëve, ajo e gjeti atë të lënduar dhe me shenja në gjithë trupin.

Pas luftës, nëna e saj e fejoi në moshën 21-vjeçare me një burrë që fillimisht e pranoi të kaluarën e saj.

“Në takimin e parë, nëna i tha të vërtetën: ‘Kjo është vajza ime deri sot’. Ai e pranoi. Por me kohën, qëndrimi i tij ndryshoi dhe filloi dhuna fizike. Nga 16 vite martesë, 11 i kalova me prindërit e tij. Dhuna e luftës u zëvendësua nga dhuna në familje”, ka treguar ajo.

Sipas saj, problemet u thelluan kur vëllai i bashkëshortit kërkoi të martohej me motrën e saj, kërkesë që ajo e refuzoi.

“Hyri inati, pse nana nuk ia dha vajzën. Ai më tha para të gjithëve: ‘Po hajt se veç unë të kam marrë ashtu si je kanë’”, kujton ajo.

Pasi vjehrri mori vesh për dhunën që ajo kishte përjetuar gjatë luftës, e përzuri nga shtëpia.

The post “Lema mu këtë të renë” – e mbijetuara e dhunës seksuale me histori rrëshqethëse appeared first on Telegrafi.

“Më dhunuan në sy të dy grave, i kishin dhunuar edhe ato”- rrëfen i mbijetuar i dhunës seksuale nga lufta e fundit në Kosovë

9 August 2025 at 20:52

Në emisionin “Debat Plus” sonte rrëfimin po e jep një tjetër i mbijetuar i dhunës seksuale nga lufta e fundit në Kosovë.

Ai ka rrëfyer gjerë e gjatë për tmerrin që e përjetuan, dhunën që panë me sy të tyre, përfshirë masakra.

Por, në kulmin e luftës, familja mbeti pa ushqime dhe këtu ai vendosi të dal për të kërkuar ushqime, në shtëpi tjera të braktisura dhe këtu i ndodhi tmerri kur hasi në tre zyrtarë policorë serbë, të cilët e morën dhe e dërguan në një restorant.

Aty thotë që përjetoi tmerrin e jetës së tij.

“Antiqe, hajde t’ia kryejmë punën këtij, më kanë kap zhag, më rrehen, më kanë lidh duart, më kanë ngreh zhag, më kanë shti në restorant, i ashtuquajturi atëherë është quajtur Restorant “Beogradi”, është përballë kinemasë ABC, ashtu e ka pas atë emër. Aty i rrahun, i torturum kur jam hy i kam pa dy zonja, dy femra shqiptare të zhveshura, atëherë m’u kanë këput dy këmbët, ato veç i kishin pas dhunu ato. Aty më kanë shtri për toke, më ka ra shkelëm ma ka qit njani kamën këtu, më kanë desh edhe më ka dhunu qiky Antiqi, me fjalën ante, po emrin ky e ka pas Antiq, e ka pas një shejë në ballë këtu, i madh 2 metra..” ka rrëfyer ai.

I emocionuar e me zë të dridhur, ai u bënë thirrje atyre dy grave që të paraqiten për të dëshmuar atë që ndodhi aty.

“Si n’kllapi u rreha përjashta, shkelmin kur ma ka qit këtu më ka dhunu ky, dhe Antiqi, brima e atyre dy vajzave, zonjave gjithë kam kërkue është edhe dëshmitar edhe shoqata jem edhe psikologia, gjithë herë kam kërku ju lutem nëqoftëse jeni gjallë dikun, lajmërohuni në shoqatën në Prishtinë, tregone rastin edhe vendin në qoftëse nuk e dini pytne dikan restorant është quajtur restorant Beogradi, ku jeni hi ju”, shprehet ai tek thotë se përkrahja e familjes së tij asnjëherë nuk ka munguar.

Ai falënderon QKRMT-në gjithashtu për ndihmën që i kanë ofruar ndër vite për të zbutur sado pak traumën e dhimbjen që e ka nga ky krim i tmerrshëm lufte i forcave të Serbisë.

The post “Më dhunuan në sy të dy grave, i kishin dhunuar edhe ato”- rrëfen i mbijetuar i dhunës seksuale nga lufta e fundit në Kosovë appeared first on Telegrafi.

Qorrolli për vendimin e Kushtetueses: Ndërhyrje brutale në kompetencat e Kuvendit të Kosovës

8 August 2025 at 21:55

Zëvendësministri në detyrë i Drejtësisë, Vigan Qorrolli, ka reaguar ndaj vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar atë si një ndërhyrje të paprecedent në punën e Kuvendit të Kosovës.

Në emisionin special në TV Dukagjini, Qorrolli ka thënë se Gjykata Kushtetuese ka tejkaluar kompetencat e saj kushtetuese dhe ka cenuar autonominë funksionale të pushtetit legjislativ.

“Për arsye shumë të thjesht që është edhe kushtetuese, edhe juridike edhe logjike. Sepse sot në gjënë që ka shpallur gjykata Kushtuese, që nënkupton dispozitivin e një aktgjykimi, Gjykata ka marrë një veprim që në përmbajtje e tij juridike dhe pasojën institucionale që do ta prodhojë përben tejkalim të kompetencave kushtetuese dhe njëkohësisht cenim të autonomisë funksionale të Kuvendit, si pushtet legjislativ”.

“D.m.th. kjo është një ndërhyrje brutalisht e kodifikuar e Gjykatës Kushtetuese në kompetencat e Kuvendit të Kosovës. Zakonisht laikët në demokracitë e brishta thonë që po ndërhynë politike në gjyqësor. Ky është rasti më eklatant në demokracinë e reja të Evropës postkomuniste, të 35 viteve të fundit që gjyqësori ndërhynë në kompetencat e pushtetit legjislativ…”, ka thënë Qorrolli.

The post Qorrolli për vendimin e Kushtetueses: Ndërhyrje brutale në kompetencat e Kuvendit të Kosovës appeared first on Telegrafi.

Trump paralajmëron test gjinor për sportistet në Lojërat Olimpike “Los Angeles 2028”

By: armand
6 August 2025 at 21:52

Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se të gjitha sportistet femra që do të marrin pjesë në Lojërat Olimpike “Los Angeles 2028” mund t’i nënshtrohen një testimi të detyrueshëm për përcaktimin e seksit përpara se të lejohen të konkurrojnë. Ky njoftim vjen në vazhdën e polemikave që shoqëruan Olimpiadën e fundit në Paris, ku boksieret […]

The post Trump paralajmëron test gjinor për sportistet në Lojërat Olimpike “Los Angeles 2028” appeared first on BoldNews.al.

Fati i të zhdukurve mbetet peng i lojës politike – Serbia bllokon, BE hesht

2 August 2025 at 23:30

Komisioni i Përbashkët për të Zhdukurit do të duhet që deri në Qershor të mbante gjashtë takime në kryesimin e Bashkimit Evropian, sipas asaj që ishin pajtuar Kosova e Serbia, por asnjë i tillë nuk ka ndodhur. Kosova fajëson Serbinë për bllokadën, BE-ja nuk jep detaje, ndërsa njohës të procesit fajësojnë bllokun 27 anëtarësh për mungesë presioni ndaj Beogradit zyrtar.

Gjashtë takime të Komisionit të Përbashkët Kosovë-Serbi për të zhdukurit me dhunë gjatë luftës, nën kryesimin e Bashkimit Evropian, do të duhej të mbaheshin deri në qershor.

Por ende nuk është mbajtur as takimi i parë, përkundër darkordimit për termat e referencës në dhjetorin e vitit të kaluar.

Më 15 janar, duke refuzuar pjesëmarrjen, Serbia pamundësoi punimet e komisioni jo-politik dhe që atëherë nuk pati më njoftime për përpjekje të reja.

Tash e disa muaj Bashkimi Evropian përsërit përgjigjen e njëjtë për kohën kur mund të mbahet takimi i parë.

“Do ta kumtojmë në kohën e duhur”, thuhet nga Bashkimi Evropian

Bllokimi i punës së komisionit nga Serbia, sipas kabinetit të zëvendëskryeministrit në detyrë për dialog Besnik Bislimi “demaskoi qasjen destruktive dhe mungesën e vullnetit për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë”.

“Jemi në kontakt të vazhdueshëm me emisarin Sorensen në lidhje me këtë çështje e cila kërkon edhe angazhimin e BE-së por që nuk mund të ecë përpara pa reflektim nga ana e Serbisë. Mos përmbushja e termave të referencës nga Beogradi zyrtar është shkelje e qartë e dakordimit të dhjetorit të vitit të kaluar, ndërsa mungesa e shtyrjes përpara të një çështjeje të tillë urgjente e të karakterit humanitar siç shprehet edhe në Aneksin e Zbatimit të Ohrit, është tregues i refuzimit të Serbisë ndaj këtij aneksi shtojcë të Marrëveshjes Bazë dhe kundërshtimit të tyre ndaj normalizimit të marrëdhënieve e fqinjësisë së mirë”, ka deklaruar Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit për dialog

Pasi tha se Serbia më 2011 kishte nënshkruar konventën e OKB-së për mbrojtje nga zhdukja dhe nuk e zbaton atë, profesori Dritëro Arifi theksoi se kur nuk ka presion shteti fqinj shpërfill gjithçka.

“Ka një neglizhencë totale nga Bashkimi Evropian në trajtimin e vlerave humanitare, pra ky është problemi. Dhe duke e ditur një shtet siç është Serbia që nuk respekton as marrëveshjet ndërkombëtare, as vlerat njerëzore dhe humanitare, unë e shoh të pamundur të realizohet një marrëveshje e tillë në konditat çfarë gjendet shteti serb”, ka thënë Dritëro Arifi, profesor.

Profesori Arifi nuk pret zhvillime pozitive, teksa përmend që Serbia politizon secilën temë.

“Çdo problem teknik me Serbinë është në nivel politik, pra është nivel i luftës që prek gjithçka. Kosova e ka të pamundur të bëj më shumë. Kosova e ka bërë, deri diku, po themi, maksimumin sa ka mundur ta bëjë. Por, presionin politik dhe ligjor mund ta bëjë vetëm Bashkimi Evropian, sepse ai është e fasilituesi, por është edhe financuesi më i madh i vendeve të Ballkanit Perëndimor, respektivisht Kosovë, Serbi. Dhe, nëse BE-ja e mban një neutralitet karshi çështjes humanitare unë e shoh si një çështje që nuk do të zgjidhet  edhe për një kohë shumë të gjatë”, ka thënë Dritëro Arifi, profesor.

Me marrëveshjen bazë dhe shtojcën e Ohrit, çështja e personave të zhdukur ishte cilësuar humanitare dhe me nevojë urgjente për t’u zgjidhur.

Në këtë kontekst, Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq më 2 Maj 2023 u pajtuan për një deklaratë të përbashkët për të zhdukurit, por e cila mbeti vetëm në letër./Tv Dukagjini

The post Fati i të zhdukurve mbetet peng i lojës politike – Serbia bllokon, BE hesht appeared first on Telegrafi.

Tre serbë u vranë nga kushëriri i tyre në Busi të Prishtinës, banori rrëfen për tentativën serbe për të manipuluar të vërtetën

2 August 2025 at 21:46

Në një rrëfim për televizionin Dukagjini, Imer Gashi nga fshati Busi i komunës së Prishtinës ka treguar se si Serbia po përpiqet që për vrasjen e tre serbëve, nga një serb tjetër, fajin t’ua lë shqiptarëve. Gashi tha se më 1999, Sërgjan Simiq kishte vrarë me sopatë Zhivojin, Trojan dhe Zhivko Simiqin, e më pas kishte ikur drejt Serbisë. Ai tregoi se me qëllim të fabrikimit dhe propagandës, së fundmi në fshat ishin një grup serbësh.

Tre serbë që dyshohet të jenë vrarë me sopatë nga kushëriri i tyre në maj të vitit 1999 në fshatin Busi të Prishtinës, nëpërmjet fabrikimit e propagandës, Serbia po përpiqet t’i paraqesë si “të masakruar nga fqinjët shqiptarë”.

Në një rrëfim për televizionin Dukagjini, Imer Gashi nga Busia tha se në përvjetorin e vrasjes së Zhivojin, Trojan dhe Zhivko Simiq – në fund të muajit maj të këtij viti – një grup serbësh së bashku me prijës fetarë ishin në fshat.

Ai fillimisht ishte habitur me numrin njerëzve, automjeteve dhe kamerave që pa poshtë pronës së tij.

Sipas Gashit, në vendin ku ishin vrarë tre serbët, ata vendosën lule dhe një kryq të improvizuar – teksa kryen filmime, siç tha, për një “dokumentar” propagandues.

“Isha pak ma naltë, edhe më thotë një pop, a e din qysh u kanë ngjarja? Po qysh ka me kanë ngjarja, ju vet i keni mytë, thashë”, ka thënë Imer Gashi, Banor i fshatit Busi, Prishtinë.

Duke përmendur me emër e mbiemër dëshmitar nga komuniteti serb, Gashi tha se tre serbët i kishte vrarë kushëriri i tyre Sërgjan Simiq, për të cilin tha se nga paslufta jeton në Serbi – pasi edhe para luftës u bënte probleme shqiptarëve.

“Ky krimineli është njëfar, Sërgjan… Simiq, Sërgjan Simiq. Këta ma ka tregu edhe një serb është i këtuhit, kojshi i joni, jeton atje ***, ma ka tregu historinë se qysh ka ndodhë vrasja e këtyre serbëve”, ka thënë Imer Gashi, banor i fshat Busi, Prishtinë.

Teksa tregoi se më 1999, kur kishte ndodhur rasti, në fshat nuk kishte shqiptarë, Imer Gashi tha se sherr për vrasjen mes serbëve ishte bërë ndarja e mbi 1000 bagëtive të cilat ata, sipas tij, i kishin vjedhur.

“Këta i ka pre një bashkëvendas i tyre, d.m.th këta dojnë me bë një propagandë kinse i kena pre na shqiptarët. Këta pas luftës i kanë vjedhë gjanë (bagëtinë) e katunit, të Busisë, të Kullecve edhe të Mramorit, edhe i kanë pru këtu te shpijat e tyre ku i kanë ma poshtë. Edhe nuk kanë mujt me ra në marrëveshje me i nda gjanë (bagëtinë) d.m.th. lopë, dhenë e çka kanë pasë, edhe ai krimineli që i ka pre këta, i ka marrë gjanë (bagëtinë), i ka shitë dhe ka ecë për Serbi”, ka thënë Imer Gashi, Banor i fshat Busi, komuna e Prishtinës.

Gashi tha se një kohë serbët ishin përpjekur që fajin t’ia mveshin një bashkëfshatari shqiptar, tashmë të ndjerë, por shtoi se për përpjekjet për fabrikim mori vesh vetëm së fundmi.

Në një libër propagandues, Serbia fajëson, siç thuhet, fqinjët shqiptarë për kasaphanen ndaj anëtarëve të familjes Simiq.

Prokuroria, e cila kuptoi për rastin vetëm pas interesimit të televizionit Dukagjini, shprehi gatishmëri për veprim.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës nuk ka pranuar deri më tani asnjë informacion lidhur me rastin për të cilin keni adresuar pyetjen. Megjithatë, Departamenti për Hetimin e Krimeve të Luftës do ta trajtojë këtë informacion në bashkëpunim me hetuesit policorë”, ka thënë Arbnora Luta, zëdhënse e Prokurorisë Speciale.

Ndërkohë, Gashi u shpreh i gatshëm që rrëfimin e tij ta japë edhe në institucionet e drejtësisë.

The post Tre serbë u vranë nga kushëriri i tyre në Busi të Prishtinës, banori rrëfen për tentativën serbe për të manipuluar të vërtetën appeared first on Telegrafi.

Kryeministri Rama ndan pamje nga Rruga e Dukagjinit: Investim strategjik, që lidh veriun me Kosovën

By: Rovena
2 August 2025 at 10:54

Kryeministri Edi Rama ka publikuar sot në rrjetin social Facebook pamje lidhur me ecurinë e punimeve në aksin rrugor Prekal–Lotaj–Ndërlysaj, pjesë e të ashtuquajturës “Rruga e Dukagjinit”, që konsiderohet një ndër arteriet më të rëndësishme të veriut të vendit.

Sipas Ramës, kjo rrugë lidh Shkodrën me Lekbibajn në Tropojë, për të vazhduar më tej drejt Bajram Currit, luginës së Valbonës dhe Gjakovës në Kosovë, duke krijuar një korridor të ri zhvillimi për turizmin dhe ekonominë rurale të zonës.

“Rruga e Dukagjinit apo aksi Prekal-Lotaj-Ndërlysaj, është një ndër segmentet me të rëndësishme të veriut të vendit, që lidh Shkodrën me Lekbibaj në Tropojë e në vijim me Bajram Currin, luginën e Valbonës si dhe me Gjakovën në Kosovë.

Rruga është ende në ndërtim e sipër, ku aktualisht është mbyllur loti 1, Prekal-Kir prej 17 km, dhe ka filluar loti i dytë Kir-Ndërlysaj. Ky investim ka një impakt të madh jo vetëm për banorët e fshatrave përreth, Kir, Prekal, Shosh, Shalë, Bradhosh, Xhan, që i lidh me Shkodrën, por mundëson edhe kompletimin e gjithë rrjetit rrugor të Alpeve në funksion të zhvillimit të turizmit dhe ekonomisë rurale”, ka shkruar kryeministri Rama.

/abcnews.al

Paqartësi dhe heshtje: Bizneset kanë rrymë por s’dinë kush ua sjell, ZRRE-ja s’flet

1 August 2025 at 23:43

Ndonëse nuk janë shkyçur përkundër tejkalimit të afatit për furnizim të përkohshëm nga KEK, bizneset e mëdha, pa kontrata, nuk e dinë se na kush po furnizohen. Derisa paqartësitë vazhdojnë në mungesë të informacioneve zyrtare, sipas llogaritjeve të Odës Ekonomike dëmi ditor në faturat e rrymës, si pasojë e moszbatimit të aktgjykimit të Komerciales, është 328 mijë euro.

As në ditën e dytë nga përfundimi i periudhës 60-ditore të furnizimit të përkohshëm nga KEK-u, si Furnizues i Mundësisë së Fundit, bizneset e mëdha, që nuk kanë kontrata, nuk e dinë se nga kush po e marrin rrymën.

Në heshtje dhe pa njoftim për të ardhmen e procesit të hapjes së tregut, ata nuk janë shkyçur, përkundër tejkalimit të afatit.

Duke vënë në pah paqartësitë në mungesë të njoftimit zyrtar, në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë vazhdimin e furnizimit e lidhin me aktgjykimin e Gjykatës Komerciale, në të cilin thuhet se “anulohet në tërësi” vendimi i ZRRE-së për hapjen e tregut të energjisë elektrike për bizneset e mëdha.

“Çka ka ndodhë tash? Tash nuk e di askush çka është duke u bë, do të thotë shkyçje nuk ka, sepse vendimi nuk e lejon një gjë të tillë, derisa të dalë vendimi final”, ka thënë Kushtrim Ahmeti, Drejtor i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë.

Duke mirëpritur aktgjykimin dhe duke kërkuar hetime për procesin, Ahmeti e vlerësoi të çuditshme, siç u shpreh, “mbylljen e ZRRE-së pas krekosjes se kanë të drejtë deri në ditën e publikimit të aktgjykimit”

“Kam pritur që ZRRE-ja, së pari, të dalë menjëherë dhe ta sqarojë në publik e jo të fshihet në zyrë tash, e jo me nejtë gjithë ditën mbyllë nëpër mbledhje. Por të dalë prej momentin që e ka marrë aktgjykimin e gjykatës dhe ta sqarojë në publik, me ua dërgua edhe njoftimet kompanive që i ka qitë padrejtësisht, por edhe vetë kompanive që janë në proces më u thënë duhet ta stoponi këtë punë”, ka thënë Kushtrim Ahmeti, Drejtor i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë.

Duke përmendur pasojat financiare, Oda Ekonomike përsëriti kërkesën ndaj ZRRE-së për pezullim të procesit, duke thënë se ai vendim do të përbënte “akt patriotik”.

“Bazuar në të dhënat preliminare, konsumi vjetor i bizneseve të përfshira në tregun e lirë vlerësohet të jetë rreth 550 GWh. Me çmimet aktuale të ofruara në tregun e lirë, kjo përkthehet në një kosto minimale prej rreth 120 milionë euro në vit. Nga kjo rezulton një dëm mesatar prej rreth 328 mijë euro në ditë, respektivisht rreth 10 milionë euro në muaj, si pasojë e moszbatimit të aktgjykimit të Gjykatës Komerciale nga ZRrE“, ka thënë Oda Ekonomike e Kosovës.

Më 30 Korrik u publikua një aktgjykim i Gjykatës Komerciale që e shpalli të jashtëligjshëm dhe e anuloi në tërësi njoftimin e ZRRE-së për nxjerrjen bizneseve në tregun e hapur nga 1 Qershori.

Megjithatë, As ZRRE, KEK e as KESCO nuk janë përgjigjur për këtë çështje./RTV Dukagjini

The post Paqartësi dhe heshtje: Bizneset kanë rrymë por s’dinë kush ua sjell, ZRRE-ja s’flet appeared first on Telegrafi.

U dhunua nga policët serbë me shishe xhami, e mbijetuara e dhunës seksuale në luftë: Edhe sot i vuaj pasojat

1 August 2025 at 21:53

Në ciklin e rrëfimeve të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, gratë përpos se viktima, patën edhe role të tjera esenciale për atë kohë.

Përveç që u përball me dhimbjen dhe dhunën, e mbijetuara që po rrëfen sonte historinë e saj në “Debat Plus”, u bë nënë e çdo ushtari dhe bijë e çdo të plagosuri.

Me zë të ngadalshëm e fjalë të rënduara nga emocionet, ajo kujton se aso kohe kujdesej për çdo nevojë të ushtarëve.

“Mbeta shtatzënë, i kisha dy muaj e tre javë qashtu. Majshim miell, bajshim miell për familjen, për refugjatët, janë kanë edhe disa ushtarë në shtëpinë tonë aty, në tonën jo në fakt në qat shpijën që ishim pozicionu. Sigurojshim bukën. Ua kom la çorapat, ua kom la të mbathurat në mbramje, ju kom bo bukë ka 4-5 herë në ditë. Edhe pastaj jemi shku me bajt miell”.

Por ajo që e përjetoi më rëndë ishte skena kur në një shtëpi të braktisur ku qëndronin, u detyrua të pastrojë të mbeturat e dikujt që kishte mbetur i vrarë nga një granatë.

“Na ishim në *** te vorret të pozicionuar në shtëpinë e ***, edhe vllaun e *** e patën vra me granatë dore. Unë vet me duart e mija e kom la gjakun e tij edhe copat mishit. Po njeri po u bojke i fortë”, rrëfen ajo momentin e rëndë.

Ajo kujton se në luftën për mbijetesë kërkonin për ushqim nga fshati në fshat.

Por pikërisht në një prej këtyre ditëve, vetëm pak metra pas ndarjes prej familjares hasi në policine serbe.

Nga familjarja u nda dhe vetëm 200 metra më pas hasi në ata për të cilët kishte dëgjuar shumë por përballë nuk i kishte pasur deri atëherë.

Ajo rrëfen momentin kur hasi në forcat serbe të veshura me uniforma policie.

“Para ftyrës edhe mbrapa ftyrës kom pa policë, ka pas të maskum e të pamaskum, po kujt i ka ra ndërmend me u merr me ta. Po armët, që të bëjnë përshtypje, gjuha serbe, një femër krejt zi oborri, para shpinde dhe prapa shpinde edhe ma kanë bo ‘Digji vamo’ (hajde këtu), se unë serbisht nuk di. Ia kom bo, e kom gabu rrugën. Edhe më kanë kap për momentin tu m’sulmu, fizikisht. Më goditshin, këto sheja të ballit i kom krejt prej armëve”, ka shpjeguar momentin e përballjes me policët serbë.

Pas dhunës fizike, që e kujton sa herë që del para pasqyrës, e mbijetuara u tërhoq zvarrë drejt një dhome ku do të përjetonte aktin më çnjerëzor të luftës.

“Me armë, më kanë shti me një dhomë. Vërtetë t’u hi e kom pa gjakun nëpër korridor, gjakun e kom pa. Më kanë shti, më kanë dhunu, tre-katër vetë tu m’sillë, më kanë zhvesh, jom kon me trenerka. Kom pas shaminë kështu ndër fyt, se më thojke nana si parandjenjë mos po të dhunojnë, po më kishte bo Zoti guri nuk kom ditë as me u tut as me u trembë prej dhimbjes të njerëzve, me hongër me pi. S’di, s’kom ditë me u frikësu deri kom has n’ta. Jom mundu mos me i lanë me më zhvesh. Kom pas do trenerka të gumës, të Gjermanisë ato pos me i preh se nuk çkyhen, tesha gumë, teshat e brendshme mi kanë çky. Kanë fillu tu m’goditë, tu m’zhveshë edhe kanë nis tu m’dhunu. Njoni më dhunojke tjetri dilke te dera përcjellke terrenin, të tjerët u nijshin atje në oborr. Më ka dhunu i pari tu m’sillë, më ka dhunu i dyti, u ardhë tjetri, ky më dhunojke ai i mshojke armë e dilke përjashtë. Edhe ky më mshojke me armë…”, vazhdon rrëfimin e mbijetuara e këtij akti barbar nga policët serb.

Megjithatë, nuk përfundoi vetëm me kaq. Për ta poshtëruar dhe lënduar deri në skaj, polici i pestë që e kishte dhunuar përdori edhe një shishe xhami.

“I nijsha unë krismat, a janë kanë UÇK-ja gati për me iu hi me iu ra, a për me u taku, a çka po di unë veç qaq janë dal rreptë apo janë dal shpejt sikur vetima, se iu ka ardh urdhëri t’u i bërtitë serbisht njëri-tjetrit hajde a ‘bërrzhi’ a qysh nifar fjale me ik. Me pantoll për këmbë u dal i fundit, një shishe të xhamit kanë tentu, edhe i ka bërtitë ky tjetri a dinë ma shpejt, se unë se kuptoj serbishten e as nuk di, veç janë dalë, dmth në fund ma kanë qit shishen edhe sot jom edhe e çkyme. Ma kanë, dmth në pjesët intime shishen e xhamit në fund ma kanë qit. Tani unë e kom pa veç që kanë dal. Unë e dekt se e dekt. Jom çu si zhag t’u u vesh”, ka përshkruar ajo momentet e fundit tronditëse.

Me largimin e policëve, ajo gjeti forcën që të ngrihet e të largohet nga ajo shtëpi e kur arriti aty, nuk i tregoi askujt.

“Po më thotë vjehrra, a je tranu, a t’kanë lanë ment ti je shtatëzane e ti po hin në ujë të ftohtë, thash jom lodhë, e jom rrëzu e jom vrae thash po ma don qashtu me hi. Krejt ujë shkojke po e ngrejke kjo a e dinë që osht si ujëmbledhës e në oborr shkojke gjaku. Ajo veç pak me u pas afru, e kish pa gjakun vade, shkojke me ujë. Hi kaculna ndër çeshme me kry e me krejt. Thotë ti a je tranu, thotë ti qysh po hin shtatzanë në ujë. Me i thanë se cka m’ka gjetë…shkoj dhe me thotë *** se çka u vonove, ajo që u nda. Thash – valla e humba rrugën edhe thash e tu ik e asi u çka ki kështu, thash jom rrëzu e jom sakatu thash”, vazhdon ajo tutje rrëfimin.

Sot e kësaj dite, fjetja me dritë fikur për të është e pamundur.

The post U dhunua nga policët serbë me shishe xhami, e mbijetuara e dhunës seksuale në luftë: Edhe sot i vuaj pasojat appeared first on Telegrafi.

Faruk Mujka tregon pse iu ndërpre marrëdhënia e punës Agim Pllashnikut

31 July 2025 at 23:33

Ndërmarrja “Ibër-Lepenc” ia ka ndërprerë marrëdhënien e punës punëtorit Agim Pllashniku, i cili ditë më parë ishte përfshirë në një incident me deputeten e LVV-së, Fitore Pacolli.

Gent Gjini, avokat i Agim Pllashnikut, publikoi dy faqe (të parën dhe të fundit) të vendimit të “Ibër-Lepencit”, sipas të cilit, Pllashnikut i është ndërprerë marrëdhënia e punës në ditën e nënshkrimit të vendimit, më 31.07.2025.

Kreyshefi ekzekutiv i Ndërmarrjes “Ibër-Lepenc”, Faruk Mujka, në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se shkëputja e marrëdhënies së punës me Agim Pllashnikun nuk ka lidhje me incidentin mes tij dhe deputetes së LVV-së, Fitore Pacolli, e as me aktivitetin politik të Pllashnikut.

Mujka ka thënë se shkëputja e marrëdhënies së punës është bërë për shkak të mosrespektimit të orarit të punës.

Ai tha se Agim Pllashniku ka pasur edhe aktivitete (aksione) të tjera politike dhe se këto aktivitete po i bën gjatë orarit të punës.

Sipas Mujkës, Pllashniku gati gjatë gjithë korrikut nuk ka qenë në punë dhe, siç ka thënë ai, duke mos e arsyetuar mungesën në punë ka marrë një vërejtje me shkrim.

Mujka ka akuzuar Pllashnikun se e ka kërcënuar dhe kanosur drejtorin e tij.

“Krejt këto aksione po i bën brenda orarit të punës, e ne pastaj e kemi marrë gjendjen, hyrjet dhe daljet e tij dhe rezultoi që ai nuk është në vendin e punës, nuk ka pushim vjetor, nuk ka pushim mjekësor, thjesht pa asnjë arsyetim del dhe kjo askund nuk lejohet”- ka thënë Mujka, duke paralajmëruar edhe hapje të rastit ndaj Pllashnikut për sulm fizik dhe kanosje.

Mujka ka thënë se në vendimin prej 10 faqeve janë dhënë edhe arsyet për shkëputjen e marrëdhënies së punës, porse vendimi i plotë nuk është publikuar nga avokati.

The post Faruk Mujka tregon pse iu ndërpre marrëdhënia e punës Agim Pllashnikut appeared first on Telegrafi.

EMRI/ Lëvizte me taksi për të shmangur kontrollet e Policisë, arrestohet i riu i armatosur në Tiranë

28 July 2025 at 10:50

Policia e Tiranës ka arrestuar një të ri, i cili është kapur i armatosur dhe lëvizte me taksi për të shmangur kontrollet e uniformave blu. Në kuadër të operacionit të koduar “Destinacioni” është vënë në pranga shtetasi Paulo Gjini, 23-vjeç, banues në Lezhë, i cili akuzohet për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i […]

The post EMRI/ Lëvizte me taksi për të shmangur kontrollet e Policisë, arrestohet i riu i armatosur në Tiranë appeared first on BoldNews.al.

FRANCË – Çifti Macron padit blogeren amerikane për shpifje lidhur me gjininë e Brigitte Macron

PARIS, 24 korrik /ATSH-AFP/ – Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe bashkëshortja Brigitte ngritën një padi për shpifje në Shtetet e Bashkuara kundër blogeres amerikane, Candace Owens për përhapjen dhe shfrytëzimin e gjerë, në një video, të informacionit të rremë se Brigitte Macron “ka lindur burrë”.

Ky lajm i rremë, i cili është rishfaqur rregullisht në mediat sociale në Francë që nga zgjedhjet e para të Emmanuel Macron në 2017, ka lulëzuar jashtë vendit, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara pasi blogerja e ekstremit të djathtë Candace Owens e shfrytëzoi atë në mars 2024 duke i dhënë asaj jehonë globale që nga janari 2025 me një seri videosh të titulluara “Duke u bërë Brigitte”.

Çifti presidencial ngriti dje një padi për shpifje, në një gjykatë në Delaware duke kërkuar dëmshpërblim “shembullor” që do të përcaktohet në gjyq.

Avokatët e tyre pohojnë në padi se Candace Owens ishte plotësisht në dijeni të falsitetit të këtyre akuzave dhe hodhi poshtë sistematikisht të gjitha kërkesat për korrigjim, duke vazhduar në “fushatën e saj të shpifjes” për të “fituar famë dhe për të fituar para” duke vënë në dukje se ajo tani ka 6,9 milionë abonentë në llogarinë e saj X dhe 4,7 milionë në YouTube.

Sipas lajmit të rremë që e nisi këtë aferë, e cila qarkulloi gjerësisht në Francë nga grupe duke përfshirë teoricienë konspiracioni, skeptikë të COVID dhe të djathtën ekstreme, Brigitte Macron, mbiemri i vajzërisë Trogneux, nuk ka ekzistuar kurrë, por vëllai i saj Jean-Michel e mori këtë identitet pasi iu nënshtrua një ndryshimi gjinor.

Dy gra, Natacha Rey dhe Amandine Roy, të cilat e kishin përhapur gjerësisht atë, u urdhëruan nga gjykatat franceze në shtator të paguanin disa mijëra euro dëmshpërblim për Brigitte Macron dhe 5 000 euro për Jean-Michel Trogneux, por ato u liruan nga akuzat në apel më 10 korrik.

Brigitte Macron dhe vëllai i saj e kanë apeluar këtë vendim./  a.jor.

The post FRANCË – Çifti Macron padit blogeren amerikane për shpifje lidhur me gjininë e Brigitte Macron appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gjini reagon pas arrestimit të katër zyrtarëve komunalë në Gjakovë: Prokuroria të sqarojë për çfarë po akuzohen

23 July 2025 at 19:48

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka reaguar pas arrestimit të katër zyrtarëve komunalë nga Policia e Kosovës, të dyshuar për përfshirje në veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Gjini e ka cilësuar këtë veprim si të panevojshëm, duke shprehur besimin e plotë në ndershmërinë dhe profesionalizmin e kolegëve të tij.

Ai ka kërkuar nga Prokuroria që të sqarojë publikisht arsyet konkrete të arrestimit, sidomos për faktin se ngjarja ka ndodhur në një kohë të ndjeshme para zgjedhjeve.

“Jam sinqerisht i befasuar me arrestimin e ish-kolegëve dhe kolegëve të mi. E shoh këtë arrestim si plotësisht të panevojshëm, derisa kjo ngjarje ka shkaktuar shqetësim të kuptueshëm – si brenda institucionit, ashtu edhe në opinionin publik. Jam i bindur në ndershmërinë dhe profesionalizmin e kolegëve dhe ish-kolegëve të mi,” ka deklaruar Gjini.

Policia e Kosovës konfirmoi se katër persona janë arrestuar më 23 korrik 2025 në Gjakovë, me dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Sipas zëdhënësit të Policisë, Daut Hoxha, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh me vendim të Prokurorit të Shtetit.

“Policia e Kosovës, konkretisht hetues kundër krimeve ekonomike dhe korrupsionit, në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, kanë ndërmarrë veprime hetimore në lidhje me dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare nga zyrtarë komunalë në Gjakovë. Katër persona të dyshuar janë intervistuar dhe ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit,” tha Hoxha.

Ndaj rastit janë duke vazhduar hetimet për të vërtetuar rrethanat dhe përgjegjësitë lidhur me këtë çështje.

The post Gjini reagon pas arrestimit të katër zyrtarëve komunalë në Gjakovë: Prokuroria të sqarojë për çfarë po akuzohen appeared first on Telegrafi.

Lobimet e SHBA, Gerald Gjeogjini thirret në SPAK për lidhjet e Metës

By: xhir jeta
22 July 2025 at 13:31

Gerald Gjeogjini thirret në SPAK për një takim që ka realizur Meta për lobimin në SHBA.

Gazetari Ermal Vija tha për ABC Neës se Gjeogjini do japë sqarime si person që ka dijeni për këtë takim.

Hidhet shorti për sezonin e ri në Superligë, derbi në xhiron e parë

21 July 2025 at 13:52

Sot, në ambientet e Federatës së Futbollit të Kosovës, u bë tërheqja e shortit për edicionin e ri të garave në Superligë dhe Ligën e Parë.

Në emër të FFK-së, kryetari i Komisionit të Garave, Abdyl Bellopoja, u dëshiroi një edicion të mbarë klubeve pjesëmarrëse, ndërsa njëkohësisht u bëri thirrje atyre që të organizohen sa më mirë për mbarëvajtjen e garës.

Pas tërheqjes së shortit, në javën e parë të Superligës do të zhvillohen këto ndeshje:

Dukagjini –Prishtina

Gjilani –Ballkani

Malisheva –Prishtina e Re

Ferizaj –Drita

Drenica –Llapi

Sezoni i ri fillon më 16 gusht, ndërsa ndeshjet e xhiros së parë do të zhvillohen më 16 dhe 17 gusht 2025. /Telegrafi/

The post Hidhet shorti për sezonin e ri në Superligë, derbi në xhiron e parë appeared first on Telegrafi.

Astrologia Meri Gjini: Javë vendimtare për 2025-n e kësaj shenje

By: V K
21 July 2025 at 11:23

Një javë me aktivitete që ndihmohen nga vendosjet planetare. Nisim javën me Hënën te Binjakët, ku gjendet aty edhe Venusi.

Ky bashkim, ndihmon shumë për të zgjidhur çështje që i përkasin ekuilibrave emocionalë.

Nisim gjithashtu javën me një Uran në një hyrje shumë të bukur me Saturnin dhe në të kundërt me Neptunin.

Të lindurit në ditët e para të çdo shenje, i kanë të gjitha mundësitë për ta pasur të papriturën si faktor shumë favorizues.

Dashi
Nëse duan t’i marrin maksimumin kësaj periudhe, duhet të jenë të fokusuar. Sa më të qartë të jenë në profesion, aq më shumë rezultate të kënaqshme do të ndihen. Për ata që janë vigjilentë, do të kenë shanse shumë të mira për të hapur rrugën drejt pikës maksimale në ekonominë e tyre. Qëllimi i periudhës për Dashin është të ristrukturohet nga fillimi në karrierë.

Demi
Kjo hyrje e fortë e Uranit me Saturn-Neptun nxjerr në sipërfaqe dyzimin: aq sa duan të marrin riskun për të bërë ndryshimet, aq edhe hezitojnë dhe kanë pasiguri. Kjo për shkak të paqëndrueshmërisë në projektime që i kanë pasur për një kohë të gjatë. Ka ardhur koha të mendoni shumë seriozisht se çfarë korrigjimesh duhet të bëni në profesion, ku mund të aplikoni. Mërkuri në të kundërt do t’ju ndihmojë për korrigjime në punë.

Binjakët
Me tri hyrje të forta te ju. Nisur nga Hëna në qendër, që bën të mundur që familja dhe shtëpia të marrin ngjyrat më të bukura ose të zgjidhen problemet më të vështira që i përkasin dashurisë. Edhe për beqarët duket sikur shënohet fillimi i një periudhe shumë të mirë për njohje të reja dhe prurje të reja nga fati. Bashkimi i Hënës me Venusin nëse keni ndonjë çështje pagesash, vendoseni në agjendë që sot paradite.

Gaforrja
Kjo javë, pavarësisht se planeti i fatit ju bën të mos humbni optimizmin, nxjerr në pah çështje pagesash, detyrime ekonomike, kthim borxhesh ose lekësh nga çështje që janë bërë. Detyrimet ekonomike do të jenë stresi i ditës, por e sigurt është që do të ketë ndihma në drejtim të xhepit. Kujdes, duhet të jeni shumë tolerantë në ambientet profesionale, sepse lehtësisht mund të keqkuptoheni.

Luani
Mërkurin e kanë te vetja në një hyrje trekëndore me Venusin te Binjakët. Ka një tendencë për të rikthyer njerëz të së shkuarës në rutinë. Ka një tendencë për të zgjidhur problematika në çift që janë krijuar para disa kohësh. Dashuria ka momentin e vet dhe jep mundësi shumë të mira për Luanin. Është shenja më e favorizuar në dashuri. Zgjidhje të vogla në ekonomi do të jenë gjithashtu të favorizuara.

Virgjëresha
Kanë Marsin te vetja, ky Mërkur në hyrje shumë pozitive me Venusin. Është e sigurt që java ka lajme për ekonominë e tyre. Favorizohen shumë vështirësitë e vogla që shkaktojnë ankth. Ky Jupiter i ndihmon – ka mundësi shumë të mira që ankthi dhe stresi për çështjet e profesionit të zvogëlohet. Por arsye për të ankuar nga lodhja dhe agjenda do të kenë plot, pasi ky Mars e bën të përditshmen të lodhshme.

Peshorja
Duket sikur s’kanë çfarë bëjnë dhe trazojnë ujërat. Do të ishte mirë të merren me çështje të rëndësishme: shkresa, legalizime, dokumente, hipoteka. Vendosni prioritet çfarë keni të rëndësishme dhe mos u merrni me çfarë thonë të tjerët. Merrni iniciativa vetë. Bëjeni që sot, ndryshe do të analizoni emocione dhe do të ndiheni të padrejtë nga të tjerët.

Akrepi
Marsi i favorizon shumë në profesion dhe duket se do të gjejnë zgjidhjet e duhura. Mërkuri në një hyrje jo shumë komode sjell një vonesë në zgjidhje, por nuk e pengon rezultatin. Do ta arrijnë qëllimin pavarësisht rrugës me pengesa. Venusi ka të bëjë me kujdesin ndaj vetes, por jo me ngjyrat emocionale. Mërkuri në të kundërt i bën më të fjalëpakët se zakonisht.

Shigjetari
Të privilegjuarit e kohës për dashurinë, për martesën, për bebin, për marrjen e një vendimi për çati apo shtëpi. Shfrytëzojeni këtë periudhë deri në fillim të tetorit, pasi më pas do të zbehet ndihmesa nga fati deri në pranverën e ardhshme. Çfarë keni të rëndësishme për 2025, këtë javë do të jetë momenti që mund ta realizoni dhe që mund të shënojë 2025-ën tuaj. Qëndroni larg sporteve ekstreme.

Bricjapi
Në fazën ku ndodhen, me Jupiterin përballë, do të ndiejnë shumë ndihmesën e fatit. Çështjet që kanë pasur në familje duket se në mesjavë zgjidhen dhe lihen pas. Del prioritet vetja e tyre. Kjo periudhë shoqërohet me njohje të reja, miq me të cilët mund të kenë këmbime idesh shumë të mira në favor të punës.

Ujori
Favorizohen në drejtim të dashurisë. Erosi sentimental, raportet në çift apo çifte të reja do të kenë mundësi të evoluojnë dhe të zhvillohen. Ujorët që janë në lëvizje, që janë me pushime, do ta vërtetojnë shumë shpejt shijen e kësaj. Mbani sytë pak larg emocioneve në raportet profesionale – jo në ambientet profesionale, sepse mund të trazojnë ekuilibrat.

Peshqit
Është një periudhë ku e vetmja gjë që ju mban është siguria që kanë te njerëzit që duan dhe mbështetja e tyre. Pjesa tjetër shkakton luhatje, paqartësi dhe vazhdon të tregojë pasiguri në mënyrën se si ndihen në raport me fizikun, vlerat dhe aftësitë e tyre. Ky Venus, ndryshe nga shenjat e tjera, te Peshqit nxit anën e vështirë të dashurisë këtë javë, nxit hallet që vijnë nga dashuria. Peshqit e lindur në ditët e para favorizohen shumë në karrierë.

The post Astrologia Meri Gjini: Javë vendimtare për 2025-n e kësaj shenje appeared first on Albeu.com.

Gjakova hap dyert për kulturën shqiptare – nis festivali “Ditët e Shqiptarit”

18 July 2025 at 22:20

Në Gjakovë ka nisur zyrtarisht festivali “Ditët e Shqiptarit”, një ngjarje kulturore që këtë verë do ta shndërrojë qytetin në epiqendër të kulturës shqiptare.

Me moton “Kultura shqiptare festohet n’Gjakovë”, festivali sjell performanca artistike, muzikë dhe aktivitete të ndryshme që nderojnë trashëgiminë kulturore të shqiptarëve.

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, përmes një postimi në Facebook, ka ftuar qytetarët që të bëhen pjesë e këtij festivali që zhvillohet në disa data gjatë korrikut dhe gushtit.

“Artistë të njohur dhe zëra të fuqishëm do të jenë këtu, për t’i dhënë qytetit sharm dhe hijeshi”, ka shkruar Gjini, duke përgëzuar gjithashtu performancën e parë të mbrëmjes nga Endrit Xërxa & Band.

Aktivitetet e festivalit do të vazhdojnë edhe më: 19, 25 dhe 26 korrik 01, 02, 08, 09 dhe 10 gusht.

Festivali organizohet nga Fondacioni për Gjakovën në bashkëpunim me Komunën e Gjakovës./Telegrafi/

The post Gjakova hap dyert për kulturën shqiptare – nis festivali “Ditët e Shqiptarit” appeared first on Telegrafi.

Interesim i madh për t’u bërë polic, trajnimi në akademi pritet të kthehet në 6 muaj

14 July 2025 at 23:54

Për 350 vende në Policinë e Kosovës kanë aplikuar afro 6900 qytetarë në konkursin e fundit, i cili u mbyll së fundmi. Sipas njohësve të kësaj fushe, kjo po bëhet më shumë për të hyrë në punë të shtetit shkaku i stabilitetit më të madh, ndërkaq trajnimi i tyre do të zgjatet në 6 muaj, siç kishte qenë më herët.

Shumë shpejt pritet që Kosovës t’i shtohen edhe 350 policë të rinj.

Kjo pasi që sapo është mbyllur konkursi i hapur nga Policia e Kosovës.

Megjithatë, për këto pozita do të zhvillohet një garë e ashpër, meqenëse numri i aplikimeve është goxha i madh

“Në konkursin për zyrtarë policorë, që ka qenë i hapur nga data 17 qershor deri më 7 korrik, kanë aplikuar gjithsej 6818 veta, prej tyre 5569 meshkuj dhe 1249 femra.”

Por, si shpjegohet një interesim kaq i madh për një numër të kufizuar të të pranuarve?

“Qytetarët e Kosovës e kanë një përshtypje që domosdo duhet të jenë të punësuar në një punë të shtetit, e cila është një qasje e gabuar e djemve dhe vajzave të reja, sepse një punë e shtetit nuk sjell edhe një punë të sigurt, një punë e shtetit nuk të sjell të ardhura të mjaftueshme dhe të sigurta për të jetuar”, tha Visar Rrecaj, ish-zyrtar i Policisë së Kosovës

E pas rastit të fundit në Lipjan, ku një qytetar ndërroi jetë, e dyshimet janë që kanë kaluar kompetencat e tyre zyrtarët policorë, si pasojë e mos profesionalizmit të tyre dhe mos përgatitjes së tyre të mjaftueshme në Akademinë e Policisë, e cila momentalisht zgjatë afro 3 muaj, nga 6 sa ka qenë, sipas Rrecajt, ka qenë një gabim.

“Trajnimet kryhen, por koha gjatë së cilës ata i kryejnë këto trajnime, nuk mjafton që këto trajnime të kthehen në shprehi, sepse trajnimet fizike e psikike duhet të përsëriten shumë gjatë, deri të kthehen në shprehi”, tha Visar Rrecaj, ish-zyrtar i Policisë së Kosovës

Televizioni Dukagjini ka pyetur Policinë nëse trajnimi në Akademinë Policore do të kthehet në 6 muaj prej gjeneratës së re e tutje, nga 3 muaj sa është aktualisht, por ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.

Megjithatë, prej burimeve të saj televizioni mëson se një gjë e tillë do të ndodhë.

Pritshmëri të tilla ka edhe ish-nënkoloneli Refki Morina.

“Trajnimi që ka qenë 3 muaj, shumë shpejt do të kthehet në 6 muaj. Në bazë të informacioneve që kemi, do të kenë trajnime të mjaftueshme si për armë dhe të tjerat, dhe duhet t’i kushtohet rëndësi shumë edhe trajnimeve që do të kryhen pas Akademisë, sidomos në punën e tyre fushore 19-javore”, tha Refki Morina, Ish-nënkolonel në Policinë e Kosovës .

Ani pse zyrtarisht nuk është thënë, si arsye për shkurtimin e trajnimit është përmendur në opinionin publik nevoja që policët e rinj të dalin në terren meqë, sipas diskutimeve, ka pasur mungesë të tyre./RTV Dukagjini/

The post Interesim i madh për t’u bërë polic, trajnimi në akademi pritet të kthehet në 6 muaj appeared first on Telegrafi.

Një zë që thyen heshtjen – rrëfimi i një të mbijetuari të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë

14 July 2025 at 21:28

Në episodin e parë të ciklit të ri të emisionit “Debat Plus”, para publikut vjen një rrëfim rrëqethës e tronditës nga një i mbijetuar i luftës në Kosovë.

Kjo dëshmi nuk është vetëm për të dokumentuar krimet e kryera, por për të thyer heshtjen që për vite kishte rënduar mbi barrën e përjetimit dhe dhunës.

Emisioni nisi me një reflektim mbi jetën e para luftës e të mbijetuarit të dhunës seksuale nga forcat serbe – një jetë modeste në një fshat malor, e mbushur me vështirësi, punë si arsimtar dhe përpjekje për një jetë të dinjitetshme.

Por, ngjarjet që ndodhin në vitin 1998-1999 shënuan pikën e kthesës.

Ishte periudha kur ai për herë të parë dëgjoi për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e cila po luftonte forcat serbe, pikërisht atëherë frika, dhuna dhe persekutimi hynë në mënyrë brutale në jetën e tij dhe të familjes së tij.

Rrëfimi i tij përfshin ndarjen nga gruaja dhe fëmijët, djegien e fshatit, depërtimin me dhunë, rrahjet, poshtërimin dhe aktet e dhunës seksuale ndaj tij.

Tmerr çka s’ta merr mendja hiq. E filloi lufta edhe neve si zakonisht, e kemi pas punktin e policisë dy kilometra prej fshatit tonë edhe gjithë kemi qenë me frikë, hyjshin policia vazhdimisht, çdo dy ditë, na gjithë kemi fjetë në mal, më së zori e kanë pas fëmija edhe gratë, se prapë na iknim por fëmija e gratë e kanë pas zor, se ka pas herë që me ka dy ditë s’kemi hangër bukë… Ujë pijshim se gjenim përrockave, e me hangër ka ndodhë dy ditë s’kemi hangër”, ka rrëfyer ai.

“… me maska vinin, dy ofansiva kanë hy në fshat tonë. Ofansiven e parë s’kanë mujt s’kanë mujt me më za, ndërsa, në ofansiven e dytë me kanë za dhe na kanë mbledhë në fshat aty, kemi qenë 480 vetë, kurr s’e harroj atë 480 vetë edhe na kanë mbleshë një arë edhe e kanë djegë tërë fshatin…Po, po krejt, edhe gra e fëmijë i kanë marrë i kanë qu për *******, neve burrave na kanë mbledhë në një arë edhe, se e dinin disa gjuhën, unë s’e kam ditë gjuhën serbe, thamë, çka bahet me neve, thanë, me juve po ju pret masakra e ******** se dy ditë kanë hy në ************ e kanë kry masakrën, tani kanë hy në fshatin tonë”, ka rrëfyer ai..

Në këtë rrëfim rrëqethës, i mbijetuari tregon se si u kap nga forcat serbe, bashkë me 480 burra të tjerë nga fshati dhe zona përreth, dhe u dërgua në drejtim të ************, me tanke para e mbrapa, të shtyrë e të rrahur brutalisht.

“Po pas masakrës së **********në ora 4 u kry ofansiva, ata qysh thoshin, edhe u mblidhen të shkolla në fshat aty që janë mbledh ushtria, policia krejt me maska, të ngjyrosur, edhe tha, u kry ofansiva, tha me sukses edhe këta krejt me i marrë e me i qu në ***********…. edhe kah jemi shku rrugës në fshatin **********, **********”, ka thënë ai.

Dy herë ai përjetoi dhunë seksuale nga policë serbë – njëri prej tyre e urinoi mbi trupin e tij të përgjakur dhe të rrëzuar në dysheme.

“… edhe veç ma ka ba me gisht hajde, edhe na kanë qu e kemi shkarku zhavorin e kena maru si punkt edhe me kanë marr mu me kanë shti mrena në shpi të ******** edhe me kanë dhunu.…Jo, unë kam qenë një dhomë vetëm edhe krejt ata gjashtë kanë qenë, i kanë qu tjetër vend…Krejt të maskum, edhe më ka ra të fikt, unë s’kam ditë kurgja hiq, kur më ka dal çpia(më ka ardhë vetëdija), më urinonte, një polic, kur kqyri krejt gjak isha kanë….edhe më ka rrokë grykë automati në shpinë, bile i kam shenjat në shpinë edhe më ka thanë serbisht hyn në kolonë”, ka rrëfyer ai.

Përmes zërit të tij të thyer por të vendosur, dëshmitari solli një kujtesë të gjallë për tmerret që ndodhën në luftën e fundit në Kosovë.

Ky rrëfim nuk është vetëm dokument i së shkuarës, por një thirrje për drejtësi dhe një kujtim i gjallë për brezat e sotëm e të ardhshëm që të mos harrojnë. Kjo është vetëm një nga shumë dëshmitë që emisioni “Debat Plus” do të sjellë në ciklin e tij të ri, i cili synon të ndriçojë të vërtetat e pathëna të luftës përmes zërave të atyre që mbijetuan.

The post Një zë që thyen heshtjen – rrëfimi i një të mbijetuari të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë appeared first on Telegrafi.

❌
❌