TIRANË, 8 gusht/ATSH/ Gjatë periudhës janar-qershor 2025, të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale kanë tejkaluar si nivelin e planifikuar, ashtu edhe performancën e regjistruar në të njëjtën periudhë të vitit 2024, duke reflektuar një rritje të konsiderueshme.
Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave, ky tatim ka sjellë në buxhetin e shtetit 40,8 miliardë lekë, që përfaqëson një rritje prej 8,6 miliardë lekësh ose 26,6% më shumë se gjashtëmujori i parë i vitit 2024.
Kjo shumë është gjithashtu 5,4 miliardë lekë më e lartë sesa ishte parashikuar në planin fillestar të të ardhurave për këtë periudhë, duke reflektuar një realizim prej 15,4% mbi objektivin.
Kjo performancë pozitive është rezultat i një sërë faktorësh të ndërlidhur. Së pari, ndikim të drejtpërdrejtë ka pasur rritja e punësimit formal dhe përmirësimi i deklarimit të pagave në sektorin privat, ku ndërmarrjet janë nxitur nga kontrolli më i shtuar tatimor dhe nga përdorimi i teknologjive të reja për raportim dhe deklarim.
Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit, sipas të dhënave të raportuara nga Administrata Tatimore, rezultojnë 10 523 punonjës të rinj më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Njëkohësisht, rritja e pagave në sektorin publik dhe në disa sektorë strategjikë të ekonomisë, si teknologjia, ndërtimi dhe shërbimet financiare, ka çuar në një rritje të bazës së tatueshme.
Një tjetër faktor që ka ndikuar është përmirësimi i administrimit tatimor, ku përmes sistemeve të digjitalizuara, si e-filing dhe fiskalizimi në kohë reale, është rritur ndjeshëm transparenca dhe efikasiteti i mbledhjes së të ardhurave.
Përveç pagave, një kontribut të rëndësishëm në rritjen e të ardhurave ka dhënë edhe tatimi mbi burimet e tjera personale të të ardhurave, përfshirë qiratë, dividentët, të ardhurat nga vetëpunësimi dhe fitimet kapitale.
Rritja e aktivitetit në tregun e pasurive të paluajtshme dhe rritja e interesit për investime individuale mund të ketë çuar në një zgjerim të kësaj baze tatimore.
/a.f/
The post Tatimi mbi të ardhurat personale sjell 40.8 miliardë lekë në buxhet në 6-mujorin e parë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.