Doktori nuk pyet për statut, Mërtiri: Sindroma e një lideri që nuk ndryshon, praktikisht sot Berisha është i shkarkuar
Analisti Ergys Mërtiri ka bërë një koment të drejtpërdrejtë dhe kritik lidhur me situatën e brendshme në Partinë Demokratike dhe figurën e liderit historik të saj, Sali Berisha. Në një intervistë për “Tirana Live” në ABC News, Mërtiri analizoi zhvillimet e fundit politike në PD, duke theksuar se Berisha ka qenë gjithmonë në qendër të vendimmarrjes, edhe kur formalisht nuk ka qenë në krye të partisë.
Sipas tij, Berisha ka ndërtuar një model të qëndrueshëm kontrolli personal mbi strukturat e PD-së dhe nuk ka treguar asnjë shenjë vullneti për t’u tërhequr nga skena politike, madje edhe në kushtet kur, sipas statutit të vetë partisë, ai konsiderohet i shkarkuar.
“Berisha ka qenë dhe do që të jetë i përjetshëm edhe kur vendosi Bashën kryetar ka qenë gjithmonë pas perdes. Berisha po tregohet qartë që është një lider që nuk pranon që të ikë nga politika në asnjë mënyrë, ai pranon të jetë edhe kur shkatërron partinë e vet. Nuk mund të ketë nen statuti që e largon, kur nuk e largojnë kushtet reale, nuk ka nen që e largon.”
Mërtiri solli në vëmendje edhe paradokset në qëndrimet e Berishës, të cilat sipas tij ndryshojnë në varësi të rrethanave politike, si dhe mungesën e reformës dhe modernizimit në parti për gati katër dekada. Ai theksoi se Partia Demokratike sot ndodhet në një krizë të thellë identiteti dhe funksionaliteti, pikërisht për shkak të qëndrimit të gjatë të një lideri të vetëm në krye.
“Statuti u fut në vitin 2021 kur futi Lulzim Bashën, dhe këtë gjë e tha me idenë që lideri i ardhshëm të mos ankohej për vjedhjen e zgjedhjeve, kurse tani që është vetë thotë që Bashës nuk ia vodhën dhe mua mi vodhën. Berisha nuk largohet edhe sikur zgjedhjet të ishin më të mirat që janë bërë ndonjëherë. Këto janë thjeshte sebepe, sepse statuti e thotë qartë. Praktikisht sot Berisha është i shkarkuar sipas statutit. Berisha në 35 vite ka thënë që do e modernizojë partinë dhe këtë gjë nuk e ka bërë në 35 vite. Kjo është sindroma e një lideri që nuk ndryshon, ndërkohë që gjërat dhe koha ka ndryshuar. Këtu tregon që kjo parti ka një problem të madh reformimi, dhe sigurisht që nuk mund të reformohet kur mban për 35 vite të njëjtin lider. Kjo parti është zhytur në një pikë ku pikësëpari ka humbur arsyen.”
Në vijim, analisti trajtoi edhe tendencën e Berishës për të etiketuar si “armiq” apo “të shitur” çdo figurë që del jashtë rrethit të tij të ngushtë, përfshirë edhe persona apo institucione që në të kaluarën kanë qenë në favor të Partisë Demokratike. Si shembull, Mërtiri përmendi kryetarin e KQZ-së, Ilirjan Celibashi, për të cilin tha se ka marrë disa vendime që kanë përmbushur kërkesat e PD-së, por që gjithsesi është bërë objekt sulmesh nga Berisha.
“Berisha bën atë që ka bërë gjithmonë, akuzon këdo që i del përpara, këdo që nuk është në oborrin e tij dhe e konsideron të shitur. Në fakt Celibashi më shumë ka qenë në krah të PD, në çdo vendim që ka marrë. Celibashi hoqi votimin elektronik vetëm se e kërkoi PD. Po, Berisha këtë gjë ka bërë gjithmonë, ka sulmuar gjithmonë ata që i kanë shërbyer.”/abcnews.al