Ministria e Shëndetësisë, në bazë të rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, rekomandon që institucionet publike dhe private të zbatojnë masa mbrojtëse për mbrojtjen e punëtorëve nga temperaturat e larta, për periudhën 22 – 25 korrik 2025.
Në njoftimin e MSH-së thuhet se temperaturat e larta ndikojnë negativisht në shëndetin e njeriut, veçanërisht tek grupet më të ndjeshme të shoqërisë, si: fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike, si dhe punëtorët që punojnë në ambiente të hapura apo në kushte pune me temperatura të larta.
“Ftohen të gjitha institucionet që t’i respektojnë këto rekomandime, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të punëtorëve dhe të grupeve të tjera të ndjeshme”, thuhet në njoftim.
Mbi masat mbrojtëse ndaj ekspozimeve në temperatura të larta
Ministria e Shëndetësisë rekomandon institucionet publike dhe private të marrin masa mbrojtëse të përgjithshme dhe specifike ndaj ekspozimeve në temperatura të larta, si në vijim:
Të shmanget puna në ambient të jashtëm prej orës 11:00-16:00;
Gratë shtatzëna të lirohen nga puna nga ora 11:00 deri në 16:00, nëse në vendin e punës nuk plotësohen kushtet sipas pikave 1.4, 1.5, dhe 1.6
Personat me sëmundje kronike të punojnë me orar të shkurtuar, maksimumi 4 orë në ditë;
Të përshtaten oraret e punës për të punësuarit, në mëngjes herët ose pasdite vonë, përfshirë edhe mundësinë e punës nga shtëpia;
Të sigurohet ajrosja e mjaftueshme në vendet e punës të mbyllura
Të vendosen pika freskimi (përdorimi i çadrave të lëvizshme dhe materialeve tjera për të krijuar hije apo zona freskimi) në vend punishtet e hapura për freskim të punëtorëve dhe të sigurohet qasje në ujë te ftoftë për punëtorët
Të shpërndahen informacione për mënyrat e mbrojtjes nga nxehtësia.
Ministria e Shëndetësisë rekomandon masat mbrojtëse të përgjithshme për qytetarët ndaj ekspozimeve në temperatura të larta, si në vijim:
Të shmanget qëndrimi në ambientin e jashtëm në kulmin e nxehtësisë;
Të konsumohet ujë për tu mbrojtur nga dehidrimi dhe të shmangen pijet e gazuara;
Të përdoren kapelë dhe syze mbrojtëse nga dielli kur qëndrohet jashtë;
Mos të lihen fëmijët vetëm në veturë derisa prindërit/kujdestarët kryejnë ndonjë punë;
Të kontaktohen rregullisht të afërmit e moshuar ose me sëmundje kronike për të vlerësuar nevojat shëndetësore të tyre;
Sipas nevojës të kërkohet ndihmë në shërbimet e urgjencës mjekësore, telefoni 194. /Telegrafi/
Ditën e sotme në vendin tonë, i nxehti afrikan vijon ndikimin e tij edhe gjatë ditës së martë, duke sjellë mot të kthjellët dhe temperatura të larta, ku vlera ekstrem priten në zonat jugore deri në 40 gradë Celcius.
Orët e pasdites sjellin prezencë të vranësirave të pakta në të gjithë territorin e vendit, ku më të dukshme do të jenë në zonat verilindore dhe juglindore.
Mundësia për reshje është thuajse zero. Rritet ndjeshëm lagështira relative në ajër, duke bërë që i nxehti të ndjehet edhe më shumë.
Temperaturat e ajrit do të rriten lehtë në mëngjes dhe në mesditë, duke luhatur vlerat ditore nga 13°C temperatura më e ulët e shënuar në qytetin e Ersekës, deri në 40°C vlera më e lartë e cila pritet për-gjatë Ultësirës Perëndimore.
Era do të fryjë e lehtë dhe herë pas herë mesatare me shpejtësi mbi 28 km/h nga drejtimi permanent Perëndimor, duke krijuar në brigjet detare dallgëzim të ulët.
Kur termometri kalon 30°C dhe ajri bëhet i padurueshëm, ka disa mënyra të thjeshta për të freskuar shtëpinë edhe pa kondicioner.
Mbani dritaret mbyllur gjatë ditës. Hapini vetëm në mëngjes herët ose pas perëndimit për të qarkulluar ajrin e freskët.
Përdorni ventilatorë me truke. Vendosni përpara tyre një tas me akull për efektin “klime shtëpiake”. Nëse keni ventilator tavani, sigurohuni të rrotullohet në drejtim të kundërt me akrepat e orës.
Shmangni gatimin gjatë ditës. Përdorni aspiratorin dhe ventilatorët në banjo për të larguar nxehtësinë dhe lagështinë.
Luftoni lagështinë. Një dehumidifikues ose thjesht mbajtja e ambienteve të thata do e bëjë ndjeshëm më të freskët.
Freskoni edhe trupin. Pini shumë ujë, bëni dush të shpejtë dhe qëndroni për pak kohë në ambiente të freskuara si qendra tregtare apo biblioteka.
PRISHTINË, 20 korrik /ATSH/ Një javë e nxehtë parashikohet të përfshijë Kosovën ditët në vijim.
Kjo situatë vjen si pasojë e masave të nxehta të ajrit të ardhura nga pjesa e Afrikës Veriore.
Këto masa ajrore, të cilat karakterizohen nga temperatura shumë të larta dhe përmbajtje të ulët të lagështisë, janë rezultat i qarkullimeve atmosferike që favorizojnë zhvendosjen e ajrit tropikal drejt veriut.
Ky fenomen meteorologjik shfaqet shpesh gjatë muajve të verës dhe zakonisht shoqërohet me rritje ekstreme të temperaturave, ulje të ndjeshme të reshjeve, si dhe rrezik të shtuar për thatësirë dhe zjarre në zona pyjore dhe fusha bujqësore. Temperaturat mund të tejkalojnë lehtësisht vlerat mesatare sezonale, duke shkaktuar valë të nxehti që ndikojnë negativisht në shëndetin publik.
Sipas IMHK indeksi UV (ultraviolet) do të jetë i lartë, prandaj këshillohet që nga ora 9-17 të kufizohet ekspozimi në rrezet të diellit, sidomos personat në moshë, fëmijët dhe personat me sëmundje kronike.
Citizens publikoi hartën e kullave të Tiranës me 140 projekte që pritet t’i shtohen qytetit me bekimin e qeverisë shqiptare.
Më shumë se gjysma e këtyre projekteve po zhvillohen në kushte të transparencës së cunguar, pasi gjenden vetëm në rendin e ditës së mbledhjeve të KKTU. Pavarësisht kërkesave të vazhueshme për informim institucionet kanë injoruar detyrën për të dhënë informacion nëse këto ndërtime do të realizohen, refuzohen apo ndryshohen.
Ekspertët argumentojnë se kjo është bërë e mundur përmes një përdorimi selektiv të Planit të Përgjithshëm Vendor (PPV) të kryeqytetit, që lejon “zonifikim të përzier” në shumë zona.
Por cilat janë kullat më të larta në kryeqytet?
Citizens ka listuar projektet që arrijnë nga 50-100 kate, ose thënë ndryshe nga 200-300 m lartësi.
1. Bond Tower – 200 metra e lartë
Një projekt i ideuar nga studio e arkitekturës OODA Architecture dhe investitor Nova Construction. Kjo kullë është 200 metër e lartë rreth 55 kate lartësi. Bond Tower është me vendodhje në Rrugën “Dritan Hoxha.
2. Barcelona Tower – 202 metra
Ky projekt do të jetë 50 kate mbi tokë dhe 6 të tjera nën tokë, me një lartësi 202 metër. Kjo ndërtesë do të zërë vendin e Bankës Kombëtare Tregtare, ngjitur me Shtëpinë e Gjetheve. Ndërtuesi i kësaj kulle është kompania “Bami Holding” e biznesmenit Besnik Bami. Studio që ka ideuar projektin është RBTA – Ricardo Bofill Taller de Arquitectura.
3. Lana Riverside Residences – 204 metra
Ky projekt është e pozicionuar në Bulevardin Gjergj Fishta, te ish-Universiteti i Tiranës. Ndërtesa do të jetë 56 kate mbi tokë dhe 6 kate nën tokë, me një lartësi prej 204.5 metra, në formën e cilindrit. Kulla është pjesë e një kompleksi dhe do të ndërtohet nga “Forever Construcion”, në pronësi të Lefter Sota, i angazhuar në fushën e tregtimit të hekurit. Kjo kullë është projektuar nga studio e arkitekturës Marco Casamonti & Partners, X-Plan Studio.
4. Mount Tirana – 205 metra
Kjo kullë është e vendosur në Rrugën e Barrikadave, pas Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit është 58 kate e lartë, ose 205 metër e lartë, me ndërtues Nova Construction – 2012 . Studio që ka ideuar projektin është CEBRA Architects. Kjo kullë po ngrihet në një hapësirë që më herët shërbente si lulishte, shkaktoi dhe një sërë protestash.
5. Papuli Tower – 205 metra
Kjo kullë është e vendosurnë rrugën e Kavajës, 58 kate e lartë ose 205 metër, me zhvillues shoqërinë Classic S & J sh.p.k. Studio e arkitekturës që ka ideuar projektin është RBTA – Ricardo Bofill Taller de Arquitectura.
6. Mixed-use Tower – 245 metra
Ky projekt është me vendodhje në Bulevardin e Ri dhe është 65 kate e lartë ose 245 metër e lartë me zhvillues shoqërinë Klar shpk. Studio e arkitekturës që ka ideuar projektin është Herzog and de Meuron.
7. Piano Nobile Tower – 250 metra
Kjo kullë do të ndërtohet mbi 17,000 m2 truall në qendër të Tiranës, ku aktualisht ndodhen rreth 35 ndërtesa, përfshirë katër pallate deri në 9 kate, si dhe godinat publike të Teatrit Metropol dhe “Info-Point” i bashkisë. Kjo kullë do të jetë 250 metër e lartë ose rreth 66 kate. Investitori është Veliaj Construction në pronësi të Astrit Veliaj.
8. Kastrati Tower – 265 metra
Kjo kullë do të jetë 265 metër e lartë ose ndryshe 70 katë. Investitori i këtij projekti është Kastrati Group. Kjo kullë u prezantua për herë të parë në festivalin “Bread and Heart” nga arkitekti Steven Hall, i cili ekspozoi për herë të parë kullën “Kastrati Toëer” nga “Kastrati Group” – dy herë më masive se “Donëtoën One”, e cila parashikohet të ngrihet përballë, krah Katedrales Katolike Shën Pali.
9. Grand Park Skyline – 268 metra
Ky është një tjetër projekt ndërtimi po sfidon horizontin urbanistik të Tiranës duke synuar qiellin. Parashikon tre kulla 40, 51 dhe 71 kate për apartamente, hotel dhe qendër tregtare në hyrje të Parkut të Madh të Liqenit Artificial. Projekti është konceptuar nga arkitekti zviceran Valerio Olgiati me porosi të kompanisë “X One”, parashikon rreth 145 mijë metra katrorë ndërtim.
10. Tirana Society Tower – 300 metra
Përmes një konkursi që u zhvillua më 29 korrik 2024, juria përzgjodhi si fituese projektin “Tirana Society Towers” i arkitektit kilian Alejandro Aravena me studion Elemental.Ndërsa kompanitë që do e ndërtojnë janë shqiptare, Delta në pronësi të Luan Meçës dhe Techno Alb në pronësi të Daljan Avdiajt. Nuk ka ende një leje të zbardhur për këtë kullë, por pritet të miratohet në vijim.
Në Tiranën që po ngrihet mbi rrënojat e kujtesës dhe interesit publik, u mbajt festivali “Bukë dhe Zemër” (Bread and Heart). Disa prej emrave më të mëdhenj të arkitekturës botërore zbritën në Tiranë, jo për të vënë në pikëpyetje betejën urbane që zhvillohet përditë mbi trupin e qytetit, por për t’i dhënë asaj një pamje më të pranueshme.
Nën shkëlqimin e “Book Building”, një ndërtesë ende e papërfunduar, që i ka bllokuar qytetarëve fushëpamjen e sahatit të qytetit zuri vend një paradoks i thellë midis diskursit etik të “star-arkitektëve” dhe shërbimit të tyre konformist ndaj një qeverie, që ka ngritur modelin e vet ekonomik mbi një vrull ndërtimesh të pakontrolluara e me burime të errëta financimi.
Të ftuarit ndërkombëtarë në këtë event, për të cilin paguhej deri në 360 euro për një biletë hyrëse, vinin me një reputacion të ngjizur mbi parime të qëndrueshmërisë ekonomike, respektit ndaj mjedisit, hapësirës dhe vlerave sociale.
Alejandro Aravena, për shembull, është fitues i çmimit Pritzker – konsideruar si çmimi Nobel në arkitekturë – për projektet e rindërtimit me funksion strehimin social në Kili pas tërmetit shkatërrimtar të vitit 2010 ku humbën jetën mbi 500 persona.
Por në Tiranë ai prezantohet si fitues i konkursit për “Tirana Society Towers”, një projekt “monstruoz” kullash 300 metra të larta pas Pallatit të Kulturës, në qendër, i konceptuar si qiellgërvishtësi i parë në një qytet që po mbytet nga betoni dhe ku asnjë verifikim publik nuk bëhet mbi origjinën e investimeve që financojnë këto kulla.
E njëjta gjë vlen për Stefano Boerin, autor i planit Tirana 2030, i cili për vite u promovua nga qeveria dhe Bashkia Tiranë si një zhvillim vizionar për kryeqytetin, me përparësi për transportin publik, hapësirat e gjelbra – i paharruar kujtimi i Pyllit Orbital, Unazës së Gjelbër të Tiranësdhe kufizimi i lartësisë në zonat historike.
Kryeministri Rama, drejtorja e AZHT Roka dhe arkitekti portugez Camilo Rebelo/Citizens.al
Vetë Boeri ka marrë përsipër ndërtime masive dhe të larta në zonën e ish-Bllokut dhe pas Presidencës, në shkelje të vetë parimeve për të cilat ai punoi dhe shpalli në planin e tij “Tirana 2030”. Në ditët e festivalit Boeri promovoi edhe librin e tij për “Pyllin vertikal”, një koncept që në Tiranë u aplikua vetëm te tarraca e Bashkisë Tiranë dhe te kulla 21-katëshe e “Gener 2” prapa Stadiumit Kombëtar.
Në përgjithësi, diskutimet në katin e parë të Book Building, në prani të Kryeministrit Edi Rama, ishin një përzierje fjalimesh entuziaste, lavdërimesh për “rilindjen arkitekturore” të Shqipërisë dhe paralajmërimesh utopike për një të ardhme që vjen nga qielli.
Arkitekti Steven Hall, i cili ekspozoi për herë të parë kullën “Kastrati Tower” nga “Kastrati Group” – dy herë më masive se “Donwtown One”, e cila parashikohet të ngrihet përballë, krah Katedrales Katolike Shën Pali – foli me mbresa për një “kravatë speciale” që ia kishte dhuruar Rama.
Vetë Kryeministri, në deklaratën më të rëndësishme të eventit, ku si rallë herë lexoi një fjalim të parapërgatitur – si për të thënë, ky është një leksion i imi për ju, për arkitekturën botërore, për të cilin meritoj një “standing-ovation”, – pretendoi se “Shqipëria prodhon më shumë arkitekturë se e gjithë Europa së bashku”, një deklaratë që nuk mbështetet në asnjë statistikë, por që maskon realitetin e një zhvillimi urban të pakontrolluar, pa konsultime, pa transparencë dhe pa mekanizma të qartë që ndalojnë pastrimin e parave përmes ndërtimit.
Në të vërtetë, vetëm gjatë dekadës së fundit, sikurse Citizens.al ka treguar, në Tiranë janë shqyrtuar apo miratuar rreth 140 leje për kulla shumëkatëshe – një bum ndërtimi që ka ardhur jo si rezultat i një planifikimi të kujdesshëm urban, por si pasojë e një strategjie që favorizon një grusht sipërmarrësish, lidhjet e tyre politike dhe investimet me burime të dyshimta.
Shumë prej projekteve të ekspozuara në katin e dytë dhe të tretë të “Book Building” nuk ishin miratuar ende zyrtarisht, por ishin aty si për të sinjalizuar përkushtimin e qeverisë ndaj këtij vizioni vertikal, ku betoni zë vendin e kujtesës historike, bregdetit dhe interesit publik.
Maketi i “Kastrati Tower” dhe paraqitja me vendndodhje sipas një modelimi në “Skyscrapercity”/Citizens.al
Ndërkohë, hapësirat publike ngushtohen, ndërtesat historike lihen nën hije, fshihen ose shemben, dhe qyteti humbet karakterin, zemrën, shpirtin e vet, për t’u zëvendësuar nga këto ndërtime masive që nuk pasqyrojnë as nevojat e banorëve, as historinë urbane, por vetëm interesat e ndërtuesve dhe natyrisht: vizionin e Kryeministrit.
Në këtë kontekst, pjesëmarrja dhe entuziazmi i arkitektëve të mëdhenj ndërkombëtarë nuk mund të shihen si neutralë. Nëse këta profesionistë flasin për “arkitekturë me ndërgjegje” në vende të tjera, në Shqipëri po firmosin projekte që kontribuojnë nëshkatërrimin urban dhe social, atëherë fjala “hipokrizi” është e paktë dhe e pashmangshme.
Nën këtë hipokrizi, mes të ftuarve ishte dhe arkitekti danez Bjarke Ingels (BIG), i cili nuk publikoi shumë kontekst nga eventi në rrjetet e tij sociale. Pavarësisht kësaj, askush nuk e harron në Shqipëri, që ai u kontraktua nga sipërmarrësi privat “Fusha shpk” për të dizejnuar, pa konkurs dhe pa garë, një ndërtesë publike: “Teatrin Kombëtar” dhe pas tij një kullë 33-katëshe.
Nëse ka një dilemë etike – sipas kritikut britanik Oliver Wainwright: “A duhet të punojnë arkitektët për regjime shtypëse?” – mund të themi se kjo nuk mbetet teori në kontekstin shqiptar. Në artikullin për The Guardian (2020), Wainwright kritikonte Ingelsin për bashkëpunime me regjime si ai i Jair Bolsonaros në Brazil (2019-2023) dhe Mohammed bin Salman në Arabinë Saudite, duke ironizuar stilin e tij si “TED-Talk për diktatorë”.
Kjo qasje ilustrohet qartë në Tiranë. Ingels projektoi Teatrin e ri Kombëtar me shembje në mënyrë të dhunshme të godinës historike jashtë çdo procesi konkurrues apo konsensusi publik.
Projekti, i dhënë fillimisht përmes një ligji special, u shoqërua me akuza për favorizime politike dhe kafshim të hapësirës publike në interes ndërtimi kullash për privatin. Në këtë kontekst, angazhimi i BIG-ut në Tiranë nuk është thjesht një çështje estetike apo funksionale, por një akt me ngarkesë politike: një arkitekt që në vende evropiane – aq më shumë në Danimarkë – projekton me ndjeshmëri sociale, në Shqipëri bëhet palë në riformatimin autoritar të qytetit.
Siç paralajmëron kritiku tjetër britanik, Jeremy Till, “Arkitektura nuk është neutrale: ajo ose e forcon pushtetin ekzistues, ose e sfidon atë”. Në rastin e Tiranës, BIG-u zgjodhi të ndërtojë për pushtetin, jo për qytetin.
Projekti i arkitektit Luca Dini “Colosseum 339″/Citizens.al
Kontrasti dhe shpërfillja e arkitekturës vendase
Për ata që patën mundësi ta ndiqnin nga afër festivalin “Bukë dhe Zemër”, aktiviteti nxori në pah kontrastin mes emrave të mëdhenj të arkitekturës ndërkombëtare dhe mungesës së dukshme të përfshirjes reale të komunitetit vendas të arkitektëve, urbanistëve dhe studiove të pavarura shqiptare.
Për një event të kësaj shkalle – që bashkoi 170 pjesëmarrës të huaj nga më shumë se 20 vende – pritej që të shërbente si një platformë ku zëri i arkitektëve shqiptarë jo vetëm të dëgjohej, por të vihej në qendër të vëmendjes.
Në vend të kësaj, festivali mbeti në thelb një vitrinë e “arkitekturës së importit”, ku projektet për Shqipërinë u artikuluan nga të huajt e përzgjedhur nga pushteti, ndërsa profesionistët vendas u reduktuan në role logjistike e teknike si ndihmës ose përmendje në fund të fletushkave apo ekspozitës promovuese.
Pjesëmarrja e kufizuar e arkitektëve shqiptarë në panelet e diskutimit – së paku të eventit publik të datës 6 qershor – ishte simptoma e qartë e qasjes që nuk njeh, nuk përkrah dhe nuk investon në potencialin vendas të arkitekturës.
Përveç Kryeministrit Rama dhe dy emrave që lidhen drejtpërdrejt me organizimin dhe institucionet publike – Falma Fshazi ish-drejtore e Qendrës për Hapje dhe Dialog (COD) dhe Sonila Abdalli, arkitekte, drejtuese dhe themeluese e Destil Creative Hub – nuk pati asnjë përfaqësim tjetër në fjalime, ligjërata apo diskutime nga studiues, arkitektë apo zëra të pavarur shqiptarë.
Mungesa ishte edhe më domethënëse nëse merret parasysh se aktiviteti nuk pati asnjë emër shqiptar nga Kosova, Maqedonia e Veriut apo Mali i Zi mes të ftuarve zyrtarë – paraqitur në webfaqe – ndonëse këto vende ndajnë realitete të ngjashme urbane dhe kulturore me Shqipërinë, dhe mund të kishin sjellë përvoja të vlefshme rajonale.
Stenda e “AYA” në aktivitetin Bread and Heart/Citizens.al
Ekspozitat në katet e sipërme të “Book Building” – që përmbanin projekte të më shumë se 60 studiove të njohura ndërkombëtare – u ndërtuan nga stafi i Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, i studios 51N4E dhe iRI, në bashkëpunim me disa kompani ndërtimi dhe studio vendase. Këto të fundit, ishin përmendur në cep të broshurave më tepër “në rolin e asistentëve teknikë” sesa si aktorë të barabartë në procesin krijues.
Ngjashëm, stendat rreth Bashkisë Tiranë dhe “Book Building” ekspozonin emrat e disa prej kompanive shqiptare, por prania e tyre ishte më shumë si dëshmi e rolit prej zbatuesi të projekteve “të hartuara gjetkë”.
Jashtë kësaj fasade zyrtare, në një nga stendat më të vogla, por më domethënëse – të organizuar nga grupimi Albanian Youth Architects – opinioni ishte krejt ndryshe.
Në një mori fletushkash të vendosura për diskutim të hapur, arkitektët e rinj tërhoqën vëmendjen për mungesën e pjesëmarrjes vendase në vendimmarrjen urbane, për anashkalimin e traditës, mungesën e hapësirave të gjelbra dhe planifikimit gjithëpërfshirës.
“Arkitektura është shumë premtuese, por planifikimi urban është lënë pas dore,” thuhej në një prej fletëve, ndërsa në një tjetër theksohej se “korrupsioni i jep formë horizontit të qytetit”.
Në pyetjet e hapura për të ardhmen e qyteteve të Shqipërisë, komentet e pjesëmarrësve ishin shqetësuese: “Kaos”, “mungesë hapësirash publike”, “zhvillim që nuk merr parasysh njeriun”.
Kjo qasje kritike ndaj vizionit vertikal të Tiranës dhe rolit gjithnjë e më të kufizuar të arkitektëve vendas u ilustrua edhe me komente mbi projekte specifike.
Opinione të shprehura në stendën e AYA/Citizens.al
Për shembull, një i pranishëm e përshkruante projektin e kullës së Luca Dini-t si “i frikshëm”, ndërsa një tjetër sugjeronte vlerësimin dhe përfshirjen e elementëve tradicionale dhe ruajtjen e elementëve që dallojnë identitetin në ndërtimet e reja.
Për projektin “Downtown One” të “Kastrati Group”, një pjesëmarrës shënonte: “Lartësi mbresëlënëse, por mungon hapësira e vërtetë publike rreth objektit”. Ishte një reflektim i drejtpërdrejtë i problemit thelbësor: mungesës së një plani urban që vë në qendër qytetarin.
Në këtë panoramë, festivali “Bukë dhe Zemër” i ngjau më shumë një ekspozite të kontrolluar, ku arkitektura përdoret për të legjitimuar politikat e ndërtimit, sesa një forumi të hapur për ide, konkurrencë dhe përfshirje.
Kështu, festivali mund të ketë sjellë “bukë” për karrierat e disave dhe “zemër” për vizionet autoritare të qeverisë për transformimin e vrullshëm urban, por për qytetarët ai përforcoi një tjetër realitet: atë të një vendi që po shet shpirtin për një fasadë me shkëlqim, të financuar nga interesa të padeklaruara dhe të firmosura nga ata që, gjoja, do ta mbronin, ruanin, dhe zhvillonin në të mirë për publiken.
Vendi ynë edhe sot do të jetë në ndikimin e kushteve atmosferike relativisht të paqëndrueshme. Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak moti parashikohet me kthjellime dhe vranësira të përqendruara në veri të vendit dhe përgjatë relieveve malore. Në orët e mesditës dhe deri në orët e vona të mbrëmjes në zonën e veriut dhe përgjatë relieveve malore të vendit […]
Në një intervistë televizive, meteorologia Rezarta Xhakollari, u shpreh se muaji korrik do të jetë i nxehtë, me temperatura tipike për stinën e verës.
Xhakollari u shpreh se në mes të korrikut, temperaturat do të shkojnë deri në 41 gradë.
“Dita e djeshme është regjistruar 37 gradë në disa qytete. Edhe nesër, do të kemi rritje 1-2 gradë, por ende nuk kemi atë 40 gradshin e famshëm. Javës tjetër do të kemi temperatura 40 gradë.
Pas datës 21 do të kemi temperatura të larta. Nga e mërkura deri të shtunën, do të kemi temepratura 40-41 gradë celcius. Parashikohet në fund të korrikut të ketë reshje. Nga sot, na pret një korrik dinamik, por nuk kemi korrik klasik të thatë”, tha meterologia për Abc News.
Ndërsa britanikët marrin frymë lirisht pas zbutjes së valës së tretë të të nxehtit në vitin 2025, shumë po pyesin veten nëse kjo periudhë moti ekstrem është “normalja e re” nën ndryshimet klimatike.
I publikuar këtë mëngjes, raporti vjetor i vlerësimit të klimës i Zyrës Meteorologjike e konfirmon këtë: nivelet bazë po ndryshojnë, rekordet thyhen më shpesh dhe nxehtësia dhe reshjet ekstreme po “bëhen normë”, transmeton Telegrafi.
Tre vitet e fundit kanë qenë më të nxehtat e regjistruara në Mbretërinë e Bashkuar – me vitin 2024 vitin e katërt më të ngrohtë në të dhënat që datojnë që nga viti 1884.
Viti i kaluar ishte më i nxehti i regjistruar në nivel global, pasi emetimet e gazrave serrë nga djegia e gazit, naftës dhe qymyrit vazhdojnë të rriten, duke ngrohur atmosferën.
“Çdo vit që kalon është një tjetër hap lart në trajektoren e ngrohjes në të cilën ndodhet klima jonë”, thotë Mike Kendon, shkencëtar i klimës në Zyrën Meteorologjike dhe autor kryesor i raportit të Klimës për Gjendjen e Mbretërisë së Bashkuar.
“Vëzhgimet tregojnë se klima jonë në Mbretërinë e Bashkuar tani është dukshëm e ndryshme nga ajo që ishte vetëm disa dekada më parë. Tani po shohim rekorde që thyhen shumë shpesh, ndërsa shohim ekstreme të temperaturës dhe reshjeve që preken më shumë nga klima jonë në ndryshim”, shtoi ai.
Sa është ngrohur Mbretëria e Bashkuar?
Mbretëria e Bashkuar është ngrohur me një shpejtësi prej afërsisht 0.25°C për dekadë që nga vitet 1980, me dekadën më të fundit (2015-2024) 1.24°C më të ngrohtë se 1961-1990, tregon raporti.
Ai bazohet në vëzhgime nga një rrjet prej disa qindra stacionesh meteorologjike në të gjithë vendin, të cilat kanë të dhëna për temperaturën dhe reshjet që shtrihen që nga shekulli i 19-të.
Numri i ditëve me temperatura 5°C mbi mesataren 1961-1990 është dyfishuar për dekadën më të fundit krahasuar me 1961-1990. Për 8°C mbi mesataren numri është trefishuar dhe për 10°C është katërfishuar.
“Ky ritëm ndryshimi dhe grumbullimi i të dhënave të njëpasnjëshme nuk është një ndryshim natyror në klimën tonë”, thekson Kendon.
“Studime të shumta kanë treguar se si emetimet njerëzore të gazrave serrë po e ngrohin atmosferën dhe po ndryshojnë motin që përjetojmë në tokë. Klima jonë në Mbretërinë e Bashkuar tani është dukshëm e ndryshme nga ajo që ishte vetëm disa dekada më parë, kjo është e qartë nga vëzhgimet tona”, shtoi Kendon.
A po bëhet më e lagësht Mbretëria e Bashkuar?
Ndërsa klima e Mbretërisë së Bashkuar ngrohet, ajo po bëhet edhe më e lagësht, sepse çdo 1°C i mundëson atmosferës të mbajë rreth 7 përqind më shumë lagështi – duke çuar në reshje më të dendura shiu.
Raporti tregon se rritja e reshjeve në Mbretërinë e Bashkuar është tërësisht për shkak të një tendence rritëse në gjysmën e vitit të dimrit, nga tetori në mars. Për vitet 2015-2024, gjysma e vitit të dimrit është tani 16 përqind më e lagësht se sa ishte në vitet 1961-1990.
Periudha nga tetori 2023 deri në mars 2024 ishte gjysma e vitit të dimrit më e lagësht e regjistruar ndonjëherë për Anglinë dhe Uellsin në mbi 250 vjet, duke shkaktuar përmbytje të përhapura në Skocinë lindore, Derbyshire, Nottinghamshire dhe Midlands Perëndimore.
Të kuptuarit e trajektores rritëse për temperaturën e lartë dhe reshjet e shiut është jetike, thonë shkencëtarët, pasi këto ekstreme të motit kanë tendencë të shkaktojnë ndikimet më të mëdha në formën e përmbytjeve dhe valëve të nxehtësisë.
“Po përjetojmë ngjarje më të rënda të motit në Mbretërinë e Bashkuar për shkak të ndryshimeve klimatike”, thotë shkencëtari kryesor i Met Office, profesor Stephen Belcher.
“Ato janë një kujtesë e fuqishme e përgjegjësisë sonë ndaj qytetarëve tani dhe ndaj brezave të ardhshëm, për të përshpejtuar përpjekjet për të përshtatur shoqërinë dhe infrastrukturën tonë për t’u përballur me këto ekstreme të motit”, shtoi Belcher.
Vëzhgimet aktualisht nuk sugjerojnë që Mbretëria e Bashkuar po bëhet më erëra ose më e stuhishme, megjithëse stuhitë patën një ndikim shkatërrues në vitin 2024. Paralajmërime të kuqe u lëshuan për stuhinë Isha në janar dhe stuhinë Darragh në dhjetor, vëren raporti; një kujtesë se stuhi të tilla janë një pjesë e brendshme e klimës për shkak të pozicionit të Mbretërisë së Bashkuar në rrugën e stuhive të Atlantikut.
Niveli i detit në Mbretërinë e Bashkuar po rritet më shpejt se mesatarja globale
Për herë të parë, raporti thekson gjithashtu se si niveli i detit në Mbretërinë e Bashkuar po rritet më shpejt se mesatarja globale.
Të dhënat e matësve të baticave që nga vitet 1900 ofrojnë prova vëzhguese se rritja e nivelit të detit rreth Mbretërisë së Bashkuar po përshpejtohet, me dy të tretat e rritjes së vëzhguar të nivelit të detit gjatë asaj periudhe që kanë ndodhur vetëm gjatë tre dekadave të fundit.
Kjo përkeqëson ndikimin e stuhive – siç është stuhia Kathleen në prill 2024, e cila përkoi me baticat pranverore dhe u ndikua nga nivelet e larta mesatare të detit në sfond.
“Ngjarjet e valëve të stuhive që përjetoi Mbretëria e Bashkuar në vitin 2024 demonstrojnë potencialin që Mbretëria e Bashkuar të preket nga përmbytjet bregdetare”, thotë Dr. Svetlana Jevrejeva nga Qendra Kombëtare e Oqeanografisë.
“Ndërsa nivelet e detit vazhdojnë të rriten rreth Mbretërisë së Bashkuar, ky rrezik vetëm do të rritet më tej”, shton ajo, dhe “siç e dimë nga ngjarjet historike, është vetëm çështje kohe derisa Mbretëria e Bashkuar të jetë e radhës në rrugën e një ngjarjeje të madhe valësh stuhie”.
Shenja të tjera të ndryshimit të klimës në Mbretërinë e Bashkuar
Edhe pse të gjithë britanikët janë të ndjeshëm ndaj valëve të nxehtësisë në verë, për dashamirësit e natyrës që janë të vëmendshëm, shenjat e ndryshimit të klimës janë të shumëfishta.
Koha e aktivitetit sezonal në bimë dhe kafshë (e njohur si fenologji) është regjistruar në Mbretërinë e Bashkuar nga një rrjet vullnetarësh. Të dhënat e tyre tregojnë se pranvera e vitit 2024 ishte më herët se mesatarja për 12 nga 13 ngjarjet e pranverës të monitoruara.
Ishte gjithashtu më e hershmja në seri (nga viti 1999-2024) si për shfaqjen e vezëve të bretkosave ashtu edhe për folezimin e mëllenjave.
“Duke parë të dhënat e fenologjisë, mund të shohim shembuj se si natyra po i përgjigjet si motit, në afat të shkurtër, ashtu edhe klimës, në afat të gjatë”, thotë Dr. Judith Garforth nga Woodland Trust.
“Për shembull, moti veçanërisht i ngrohtë në shkurt të vitit 2024 rezultoi në shikimin më të hershëm mesatar të vezëve të bretkosave në Mbretërinë e Bashkuar që nga fillimi i serisë në vitin 1999; por në planin afatgjatë, lulëzimi i lajthisë, i cili mund të ndodhë që në dhjetor, po fillon të tregojë një trend në rritje gjatë të gjithë 26 viteve të serisë së të dhënave”, shtoi Garforth.
“Ky raport nuk është vetëm një regjistrim i ndryshimit, por një thirrje për veprim”, thotë Profesor Liz Bentley, Drejtore Ekzekutive e Shoqërisë Mbretërore Meteorologjike.
“[Ai] tregon qartë se sa shpejt po evoluon klima jonë për të informuar politikat, planifikimin e qëndrueshmërisë dhe përshtatjen”, shtoi për fund Bentley. /Telegrafi/
Dita më e nxehtë e vitit, deri më tani, u regjistrua të shtunën (12/7) në Skoci, Uells dhe Irlandën e Veriut, të cilat u përballën me valën e tretë të të nxehtit të verës. Siç raporton SkyNews, temperaturat arritën në 32.2 gradë Celsius në Aviemore të Skocisë, ndërsa në Uells, temperatura maksimale prej 33.1 gradë Celsius u regjistrua në Bute Park të Cardiffit. Në Irlandën e Veriut, termometri tregoi 30 gradë Celsius në Magilligan, Qarku Londonderry.
Temperaturat në të gjithë Anglinë ishin midis 20 dhe 30 gradëve, por jo aq të larta sa të thyenin rekordin prej 35.8 gradësh të regjistruar në Kent në fillim të korrikut. Vlen të përmendet se Mbretëria e Bashkuar po përjeton aktualisht valën e tretë të të nxehtit të vitit dhe Midlands dhe Anglia jugore dhe lindore janë nën një alarm portokalli deri të hënën (14/7).
Temperaturat e larta dhe thatësira kanë shtuar ndjeshëm qarkullimin e gjarpërinjve dhe insekteve helmuese në zonat rurale, duke rritur edhe rastet e pickimeve. Sipas mjekëve të urgjencës në QSUT, çdo javë raportohen të paktën tre raste të pickimeve nga gjarpërinjtë, kryesisht te pacientë që vijnë nga zonat rurale. Një rast më i rëndë u regjistrua […]
PRISHTINË, 9 korrik/ATSH/ Rreth 300 raste zjarresh janë regjistruar në Kosovë vetëm gjatë pesë ditëve të fundit, si pasojë e temperaturave të larta që kanë përfshirë vendin.
Drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave (AME), Genc Metaj, tha se gjatë kësaj periudhe ekipet kanë ndërhyrë në 295 raste zjarresh nëpër komuna të ndryshme të Kosovës.
Në konferencën e thirrur për media, Metaj deklaroi se dita më e rënduar ka qenë 7 korriku, kur janë shënuar gjithsej 66 raste të zjarreve, prej të cilave 57 kanë ndodhur pasdite.
Metaj shtoi se situata është menaxhuar me sukses deri më tani, por rreziku mbetet i lartë për shkak të kushteve të motit.
Sipas tij, dyshohet që zjarrëvëniet mund të jenë të qëllimshme dhe shumica prej tyre janë në toka bujqësore dhe që shpërndahen edhe në zona malore.Metaj tha se numri i zjarrfikësve është i kënaqshëm, por duhet të jetë edhe më i madh.
Drejtori i AME-së, Genc Metaj tregoi se aktualisht janë 3 vatra aktive, një në Pejë dhe dy në Skënderaj.
AME apelon për kujdes të shtuar nga qytetarët dhe bashkëpunim në parandalimin e zjarreve, duke shmangur ndezjen e zjarreve në hapësira të hapura dhe duke raportuar çdo rast të dyshimtë.
Metaj u shprehu ngushëllime familjarëve, të afërmve dhe miqve për vdekjen e shefit të Operativës në Brigadën e Zjarrfikësve të Gjakovës, Kaqun Lima.
Moti i nxehtë i zgjatur po ndryshon qytetet e Evropës, ndërsa temperaturat mbi 32 gradë Celsius zgjaten deri në vjeshtë.
Ndërsa temperaturat globale vazhdojnë të rriten, qytetet evropiane përjetojnë nxehtësi ekstreme për shumë më gjatë sesa muajt tradicionalë të verës.
Disa qytete në Evropë tani përballen me temperatura të larta deri në pesë muaj në vit, sipas një studimi të ri nga organizata “Climate Resilience for All”.
Analiza, e udhëhequr nga ekipi meteorologjik i kësaj OJQ-je, shqyrtoi të dhënat e temperaturave nga viti 2019 deri në 2023 në 85 qytete në mbarë botën, raporton euronews.
Ajo u përqendrua në ditët e para dhe të fundit kur secili qytet arriti temperaturën 32 gradë Celsius, një kufi për nxehtësi ekstreme që paraqet rreziqe serioze për shëndetin dhe mjedisin.
Ata zbuluan se të ashtu-quajturat ‘sezone të nxehtësisë’ nuk kufizohen më vetëm në muajt e njohur të verës dhe tani zgjasin shumë më gjatë.
Në mesatare, ekipi i udhëhequr nga shkencëtari i klimës Dr. Larry Kalkstein, thotë se sezonet e nxehtësisë zgjasin mesatarisht 214 ditë në qytetet që kanë studiuar. Ditë shumë të nxehta kanë ndodhur në çdo periudhë të vitit në 20 nga 85 qytetet e studiuara.
Ku po zgjat më gjatë sezoni i nxehtësisë në Evropë?
Në Evropë, sezonet e nxehtësisë tani zgjasin shumë më tepër se sa dikur konsideroheshin muajt e verës.
Studimi thotë se Athina në Greqi përballet tani me një nga sezonet më të gjata të nxehtësisë në kontinent, me temperatura të larta që zgjasin rreth 145 ditë, nga mesi i majit deri në fillim të tetorit.
Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, renditet në vend të dytë në listën e “Climate Resilience for All” me 143 ditë nxehtësi ekstreme.
Në Portugali, sezoni i nxehtësisë në Lisbonë zgjat rreth 136 ditë, nga vonë pranvera deri në fillim të vjeshtës. Madridi në Spanjë përjeton një sezon nxehtësie prej 119 ditësh, që shtrihet nga fundi i majit deri në mes të shtatorit.
Zyrtarët në Paris po përgatiten për një ngrohje prej 4 gradë Celsius, por kryeqyteti francez tashmë sheh gati tre muaj nxehtësi ekstreme, me temperatura mbi 32 gradë Celsius nga mesi i qershorit deri në mes të shtatorit.
Munichu dhe Varshava kanë sezone më të shkurtra por përsëri të rëndësishme të nxehtësisë, që zgjasin rreth një deri në dy muaj.
Pse janë problem sezonet më të gjata të nxehtësisë?
Hulumtimet e mëparshme kanë gjetur se ndryshimi i klimës i shkaktuar nga njeriu shtoi mesatarisht 30 ditë nxehtësi ekstreme për rreth gjysmën e popullsisë së botës vitin e kaluar.
Kjo do të thotë katër miliardë njerëz të ekspozuar ndaj temperaturave të zgjatura dhe të rrezikshme.
Studimi i bërë nga World Weather Attribution, Climate Central dhe Red Cross Climate Centre shqyrtoi periudhën nga maji 2024 deri në maj 2025.
Ai gjeti se ndryshimi i klimës të paktën dyfishoi numrin e ditëve të klasifikuara si “nxehtësi ekstreme” në 195 nga 247 vendet dhe territoret që analizuan, krahasuar me mesataren e mëparshme.
Evropa është një nga rajonet që tashmë po përjeton pasojat më të dukshme dhe vdekjeprurëse të ngrohjes globale.
Periudhat e zgjatura të nxehtësisë tregojnë se si klima e kontinentit po ndryshon dhe shqetësimet për shëndetin dhe infrastrukturën që vijnë me këtë ndryshim.
“Kjo analizë e bën të qartë: nuk mund ta trajtojmë më nxehtësinë thjesht si një pjesë normale të verës”, thotë Kathy Baughman McLeod, CEO e Climate Resilience for All dhe shtoi se “‘sezoni i verës’ që shumë prej nesh njohën dikur, ka ikur.”
Pse qytetet janë kaq të nxehta?
Studimi thekson efektin e ishullit urban të nxehtësisë, ku qytetet bëhen më të nxehta se zonat rurale përreth për shkak të infrastrukturës së dendur dhe hapësirave të kufizuara të gjelbra, si një faktor kryesor që përkeqëson stresin nga nxehtësia në qendrat urbane të Evropës.
“Qytetet që nuk janë projektuar kurrë për nxehtësinë tani përballen me goditje dhe strese të reja nga nxehtësia”, shpjegon Baughman McLeod.
Me sezonet e nxehtësisë që zgjaten shumë përtej muajve të njohur të verës, qeveritë dhe planifikuesit e qyteteve përballen me një sfidë të rëndësishme: si të mbrojnë njerëzit nga valët e nxehtësisë që po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe të zgjatura?
Kohëzgjatja e ndikimit të kërcënimit nga nxehtësia kërkon strategji si rritja e hapësirave të gjelbra urbane, përmirësimi i dizajneve të ndërtesave, caktimi i zonave të freskëta për strehim dhe zhvillimi i sistemeve paralajmëruese.
Por, pavarësisht kërcënimit në rritje, masat e planifikimit dhe reagimit të qeverive për nxehtësinë, sipas Baughman McLeod, ose nuk ekzistojnë fare, ose janë shumë të pamjaftueshme për shkallën e krizës.
“Është thelbësore që të përhapim ndërgjegjësimin dhe kuptimin për nxehtësinë ekstreme, në mënyrë që qeveritë, bizneset dhe punëdhënësit të menaxhojnë rreziqet dhe ndikimet me urgjencën që këto kushte kërkojnë”, tha ai. /Telegrafi/
Pas pandemisë kostot e prodhimeve bujqësore janë rritur me ritme shumë më të larta se para pandemisë, sidomos për kulturat e perimeve dhe prodhimet blegtorale. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT kostot e prodhimit në bujqësi u rritën me 4.7 për qind ndërmjet 2016 dhe 2020, ndërsa nga 2021 në 2024 u shtuan me 37.4%. […]
Mjekja pediatre pediatrike Sonila Brati e ftuar në një intervistë televizive këshillon kujdes të veçantë për fëmijët 0–2 vjeç si mënyra më e mirë për të shmangur komplikacionet.
Me rritjen e temperaturave, pediatrit apelojnë për kujdes të shtuar ndaj fëmijëve, veçanërisht në orët me diell të fortë, nga ora 10 e paradites deri në 5 pasdite.
“Vapa është në fakt ka më tepër rrezikshmëri se sa periudha e dimrit, kjo dhe për shkak të temperaturave ekstreme që ne po kalojmë këto ditë dhe kemi parë që fëmijët nuk kanë shpëtuar nga kjo gjë.
Janë prekur nga virozat, kanë pësuar djegie të lëkurës, por apeli jonë është gjithmonë për prindërit dhe kujdesin që duhet të kenë për minimizimin që duhet të kenë në lëvizjet në orët e pikut dhe kujdesin që ata duhet të kenë qoftë me fëmijët e vegjël fare, por edhe ata më të rritur, sepse edhe ata njëlloj si me të moshuarit preken nga sëmundjet kronike”, u shpreh mjekja Sonila Brati.
Luhatjet e motit duket se kanë përfunduar duke i lënë vendin temperaturave përvëluese. Këto temperatura janë më të papërballueshme sidomos për fëmijët dhe moshat e thyera.
Por vapa e madhe është tepër e rrezikshme sidomos për njerëzit që vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare.
Si ndikon vapa tek organizmi
Temperatura e trupit nuk duhet të jetë as shumë e nxehtë dhe as shumë e ftohtë. Sipas të dhënave, nëse temperatura rritet ndjeshëm, proteinat që e mbrojnë organizmin dhe që janë përgjegjëse për çdo proces të tij reshtin së funksionuari.
Trupi i njeriut arrin të përballet me nxehtësinë e lartë në dy mënyra të cilat e stresojnë zemrën.
Rrezatimi
Nxehtësia në trup kalon nga zonat e ngrohta tek ato më të ftohta. Për sa kohë ajri përreth është më i ftohtë se trupi, organizmi rrezaton nxehtësi në ajër.
Ky rrezatim ndalon që në momentin kur temperatura e ajrit i përafrohet asaj të trupit. Rrezatimi është një proces që kërkon një qarkullim më të centralizuar të gjakut sidomos në zonën e lëkurës.
Kjo e bën zemrën të rrahë më shpejtë dhe të pompojë më shumë gjak.
Në një ditë të nxehtë, zemra qarkullon dy ose katër herë më shumë gjak në minutë se në një ditë të freskët.
Avullimi
Çdo molekulë djerse që avullon nga lëkura merr me vete nxehtësinë e tepërt. Në një ditë pa lagështi, avullimi i djersës (një sasi e barazvlefshme me një lugë çaji) e freskon ndjeshëm të gjithë gjakun.
Por kur lagështia rritet në mbi 75%, avullimi i djersës bëhet tepër i vështirë.
Avullimi i djersës rrit presionin në sistemin kardiovaskular.
Sipas të dhënave, djersa merr më shumë nxehtësi nga trupi, bashkë me shumë minerale të dobishme për nervat, muskujt dhe ekuilibrat e lëngjeve.
Kjo e detyron trupin të çlirojë më shumë hormone të cilat e ndihmojnë organizmin të mbajë më shumë ujë dhe të minimizojë humbjen e mineraleve.
Shëndeti i zemrës dhe përballja me vapën
Njerëzit e shëndetshëm arrijnë të kenë një tolerancë më të lartë ndaj ndryshimeve të temperaturave. Njerëzit që kanë probleme me zemrën kanë një organizëm më të stresuar dhe rrjedhimisht goditen më fort nga vapa.
Zemra tek njerëzit që kanë pësuar një atak e ka më të vështirë të pompojë mjaftueshëm gjak për tu përballur me vapën.
Enët e bllokuara të gjakut si pasojë e kolesterolit kanë një qarkullim të dobët të gjakut në lëkurë. Ishemia, Parkinsoni, Alzheimeri, Diabeti e të tjerë ndikojnë negativisht në reagimin e trurit ndaj dehidratimit.
Kësisoj, truri nuk arrin të dërgojë sinjalet e etjes dhe trupi vuan pasojat.
Si të luftoni vapën
Ekspertët rekomandojnë që njerëzit që kryejnë aktivitet fizik, ta bëjnë atë në mëngjes herët ose në mbrëmje vonë. Në pikun e vapës, sigurohuni që të qëndroni në një ambient me ajër të kondicionuar, të bëni banjë ose të vendosni kompresa të ftohta nën sqetulla.
Këshillohet që në ditët e nxehta të siguroheni që të pini ujë çdo një orë. Mos pini lëngje të gazuara, me sheqer, alkool ose kafeinë të cilat përkeqësojnë dehidratimin.
Valët e të nxehtit nuk janë vetëm shqetësim fizik. Sipas mjekes psikiatre Irena Thoma, temperaturat e larta ndikojnë drejtpërdrejt në gjendjen emocionale dhe psikike të individëve, veçanërisht atyre që vuajnë nga probleme të shëndetit mendor.
“I nxehti rrit ndjeshmërinë, zemërimin, predispozitën për konflikte dhe ndikon në funksionimin e neuroneve,” shpjegon ajo. “Ka një lidhje të drejtpërdrejtë mes çrregullimeve psikotike dhe temperaturave ekstreme.”
Por më të rrezikuarit, sipas saj, janë të rinjtë. Konsumi i substancave narkotike në ambiente festive, veçanërisht në plazhe apo evente verore, ka çuar në rritje të ndjeshme të rasteve me çrregullime psikotike.
“Nëse ekziston një prirje gjenetike për probleme mendore dhe shtohet edhe përdorimi i drogës, rreziku për shpërthime psikotike rritet ndjeshëm,” thotë Thoma. “Kemi gjithnjë e më shumë të rinj që paraqesin probleme serioze mendore pas ekspozimit ndaj substancave dhe kushteve ekstreme.”
Për familjet që kanë anëtarë me probleme të shëndetit mendor, mjekja jep disa këshilla të thjeshta por jetike:
•Qëndrim në ambiente të freskëta
•Hidratim i vazhdueshëm
•Rishikim i skemës së mjekimit në konsultim me mjekun specialist
Moti ekstrem nuk është vetëm një sfidë fizike, është edhe një kërcënim për stabilitetin mendor, ndaj kujdesi duhet të jetë i shumëfishtë gjatë muajve të verës.
Moti parashikohet i kthjellët në pjesën më të madhe të territorit si dhe vranësira të pakta deri mesatare kalimtare në relievet malore në lindje në orët e mesditës deri ato të pasdites.
Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, Elbasani, Berati dhe Gjirokastra pritet të shënojnë nesër temperaturat më të larta që do të arrijnë deri në 38 gradë celcius.
Era do të fryjë me drejtim jugperëndim – juglindje me shpejtësi mesatare 8 m/s, në lugina dhe bregdet hera-herës fiton shpejtësi 10-14 m/s, ndërsa valëzimi në det do të jetë 2-3 ballë.
Moti i nxehtë i zgjatur po riformëson qytetet e Europës, ndërsa temperaturat mbi 32°C shtrihen deri në vjeshtë. Ndërsa temperaturat globale vazhdojnë të rriten, qytetet europiane po përjetojnë vapë ekstreme për shumë më gjatë se muajt tradicionalë të verës.
Disa qytete në Europë tani përballojnë temperatura të larta deri në pesë muaj në vit, pohon një studim i ri nga Climate Resilience for All.
Analiza, e udhëhequr nga ekipi meteorologjik i OJQ-së, shqyrtoi të dhënat e temperaturës nga viti 2019 deri në vitin 2023 në 85 qytete në të gjithë botën. Ajo u përqendrua në ditët e para dhe të fundit kur secili qytet arriti 32°C, një prag për nxehtësinë ekstreme që paraqet rreziqe serioze për shëndetin dhe mjedisin.
Ata zbuluan se të ashtuquajturat ‘stinë të nxehtësisë’ nuk kufizohen më vetëm në muajt e njohur të verës dhe tani kanë kohëzgjatje shumë më të gjatë. Mesatarisht, ekipi, i udhëhequr nga shkencëtari i klimës Dr. Larry Kalkstein, thotë se stinët e nxehtësisë zgjasin 214 ditë në të gjitha qytetet që ata shqyrtuan.
Ditë jashtëzakonisht të nxehta ndodhën në çdo kohë të vitit në 20 nga 85 qytete. Studimi thotë se Athina në Greqi tani përballet me një nga stinët më të gjata të nxehtësisë në kontinent, me temperatura të larta që zgjasin rreth 145 ditë, nga mesi i majit deri në fillim të tetorit.
Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, renditet e dyta me një diferencë të ngushtë në listën e “Rezistencës ndaj Klimës për të Gjithë” me 143 ditë me nxehtësi ekstreme.
Në Portugali, sezoni i nxehtësisë në Lisbonë zgjat rreth 136 ditë, nga fundi i pranverës deri në fillim të vjeshtës. Madridi në Spanjë përjeton një sezon nxehtësie prej 119 ditësh, që shtrihet nga fundi i majit deri në mesin e shtatorit.
Zyrtarët e Parisit po përgatiten për një ngrohje prej 4°C , por kryeqyteti francez tashmë po përjeton gati tre muaj nxehtësi ekstreme, me temperatura mbi 32°C nga mesi i qershorit deri në mesin e shtatorit.
Mynihu dhe Varshava kanë stinë të nxehta më të shkurtra, por ende të konsiderueshme, që zgjasin rreth një ose dy muaj.
Pse sezonet më të gjata të nxehtësisë janë problem?
Studimet e mëparshme kanë zbuluar se ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu shtuan mesatarisht 30 ditë nxehtësi ekstreme për rreth gjysmën e popullsisë së botës vitin e kaluar. Kjo do të thotë se katër miliardë njerëz u ekspozuan ndaj temperaturave të zgjatura dhe të rrezikshme.
Studimi nga World Weather Attribution, Climate Central dhe Qendra e Klimës së Kryqit të Kuq shqyrtoi periudhën midis majit 2024 dhe majit 2025. Ai zbuloi se ndryshimi i klimës të paktën dyfishoi numrin e ditëve të klasifikuara si “nxehtësi ekstreme” në 195 nga 247 vendet dhe territoret që ata analizuan krahasuar me mesataren e mëparshme.
Europa është një nga rajonet që tashmë vuan pasojat më të dukshme dhe vdekjeprurëse të ngrohjes globale. Periudhat e zgjatura të nxehtësisë nxjerrin në pah se si po ndryshon klima e kontinentit dhe shqetësimet shëndetësore dhe infrastrukturore që vijnë me këtë ndryshim.
Sezonet më të gjata të nxehtësisë nënkuptojnë një rrezik në rritje të sëmundjeve që lidhen me nxehtësinë, duke çuar në një barrë më të madhe në sistemet e kujdesit shëndetësor dhe sfida për popullatat vulnerabël. Është veçanërisht problematike për të moshuarit dhe ata me sëmundje të mëparshme.
“Kjo analizë e bën të qartë: nuk mund ta trajtojmë më nxehtësinë si një pjesë normale të verës”, thotë Kathy Baughman McLeod, CEO e Climate Resilience for All.
Studimi thekson efektin e ishullit të nxehtësisë urbane , ku qytetet bëhen më të nxehta se zonat rurale përreth për shkak të infrastrukturës së dendur dhe hapësirës së gjelbër të kufizuar, si një faktor kyç që përkeqëson stresin e nxehtësisë në qendrat urbane të Evropës.
“Qytetet që nuk janë projektuar kurrë për ngrohje, tani përballen me goditje dhe strese të reja nga nxehtësia”, shpjegon Baughman McLeod.
Me stinët e nxehtësisë që shtrihen shumë përtej muajve të njohur të verës, qeveritë dhe planifikuesit e qytetit përballen me një sfidë urgjente: si t’i mbroni njerëzit nga valët e të nxehtit gjithnjë e më të shpeshta dhe të zgjatura?
Mjeku Ilir Alimehmeti, flet për rreziqet shëndetësore të stinës së verës, duke theksuar se temperaturat e larta dhe ekspozimi në natyrë mund të ndikojnë rëndë veçanërisht tek të sëmurët kronikë, fëmijët dhe të moshuarit. ”Temperaturat ekstreme mund të përkeqësojnë gjendjen e të sëmurëve me zemër dhe hipertension. Po ashtu, janë një rrezik për goditje nga i nxehti dhe duhet patjetër të shmangen…