TIRANË, 30 korrik /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë një konference për shtyp sot e cilësoi sërish procesin zgjedhor të 11 majit si një farsë elektorale të manipuluar në mënyrë masive.
Berisha tha se “patronazhistët” kanë shtrirë ndikimin e tyre deri në diasporë, duke ndikuar ndjeshëm te vota e emigrantëve shqiptarë.
Berisha përmendi rezultate në Qarkun e Fierit, ku sipas tij, janë raportuar përqindje të votimit deri në 92–93% në favor të PS-së.
Kreu i PD-së tha më tej se “1 miliard e 24 milionë euro janë përdorur për të manipuluar zgjedhjet dhe për të blerë vota”.
“Në këto zgjedhje diktatori, apo diktatura autoritare përdori 1 miliard e 24 milionë euro. Cilat janë? 500 milionë në kundërshtim me ligjin në prokurorime publike; 244 milionë në kundërshtim me ligjin interesa bankare dhe grante për fermerët; 200 e ca milionë gjoba dhe kamata të falura të 10 viteve të fundit; 76 milionë çdo pensionist 100 euro. Pa llogaritur dhe 100 milionë rrënjë kanabis, që nuk mbillen dot”, deklaroi Berisha.
I pyetur për pjesëmarrjen e PD-së në parlamentin e ri, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha u shpreh se kjo çështje do të vendoset nga forumet e partisë, duke theksuar se çdo vendim do të jetë kolektiv dhe jo personal.
Siria do të organizojë zgjedhjet e para parlamentare nën autoritetet e reja në muajin shtator, njoftoi të dielën kryetari i organit përgjegjës për procesin zgjedhor, duke konfirmuar zhvillimin për agjencinë shtetërore SANA. Mohammed Taha al-Ahmad, kryetar i Komisionit të Lartë për Zgjedhjet e Asamblesë Popullore, tha se zgjedhjet do të mbahen ndërmjet datave 15 dhe […]
Ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) po shtyn për përmbylljen e numërimit brenda afatit zyrtar – mesnata e 15 majit – rezultati i partive të reja tashmë është qartësuar për mandatet që do të mbajnë në katër vitet e ardhshme të qeverisjes.
Deri tani, në shkallë kombëtare, “Lëvizja Bashkë” ka siguruar një mandat me rreth 20 mijë vota (1.44%); Partia “Mundësia” ka fituar dy mandate me rreth 43 mijë vota (3%); ndërsa Koalicioni “Nisma-Shqipëria Bëhet” (3.9%) po lufton për një mandat të dytë në Fier me rreth 50 mijë vota të grumbulluara.
Partitë e tjera si “Koalicioni Euroatlantik” (1.33%), “Koalicioni Djathtas për Zhvillim” (0.39%), Aleanca Kombëtare Shqiptare (0.22%), Lëvizja Atdheu (0.15%) dhe Aleanca Demokracia e Re (0.07%) nuk kanë fituar asnjë mandat.
Partia Socialiste fitoi thellë me 83 mandate (52.33%) duke lënë prapa koalicionin e Partisë Demokratike “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” me 50 mandate (33.74%).
Pas tyre, me numrin më të lartë të mandateve vjen Partia Socialdemokrate (3.19%), e cila konfirmoi tre mandate – dy në Shkodër dhe një në Tiranë – ngjashëm si në zgjedhjet e shkuara.
Lista e mbyllur, vetëm në letër
Risia e këtyre zgjedhjeve është zhvlerësimi i listave të mbyllura dhe kalimi i mandateve kandidatëve më të votuar, një praktikë e vendosur si parim mes koalicionit “Nisma-Shqipëria Bëhet”, “Koalicionit Euroatlantik” (edhe pse nuk siguruan mandate), por deri diku dhe PSD-së.
Sipas rezultateve dhe renditjes në listat e mbyllura, Ana Dajko (Tiranë, Nisma-Shqipëria Bëhet), Sabina Jorgo (Shkodër, PSD) dhe Albana Pëllumbi (Tiranë, PSD) kanë fituar mandatin e deputetit – këta të fundit krah Tom Doshit, i listuar i pari në Shkodër.
Mirëpo Dajko, Jorgo dhe Pëllumbi – dhe pjesa vijuese në listën e mbyllur të partive përkatëse – duket se do t’ia lënë mandatet më të votuarve në listat e hapura.
Drejtuesi i “Nismës Thurje”, Endri Shabani, konfirmoi për Citizens se përmes një marrëveshjeje të brendshme, kandidati me më shumë vota në koalicionin me “Shqipëria Bëhet” të Adriatik Lapajt, do të marrë mandatin, pavarësisht renditjes në listë.
Aktualisht më i votuari në listën e parapëlqyer është Lapaj (mbi 3,400 vota). Pas tij vjen Shabani (mbi 1,900 vota). Mirëpo nëse “Shqipëria Bëhet” do ta mbyllë procesin me vetëm një mandat të siguruar, deputet do të bëhet Shabani.
“Adriatiku, si angazhim personal, ka thënë publikisht dhe privatisht, në çdo takim me ne, si aleatë, që nëse [koalicioni] do të ketë vetëm një mandat, do të tërhiqet.Nëse ruhet ky trend, unë do të jem përfaqësuesi për Tiranën në Kuvend,” tha Shabani.
Citizens.al iu drejtua Lapajt për një koment lidhur me mandatin e Tiranës, por ai tha se nuk mund të komentonte pa u mbyllur procesi.
Me këtë parim, në Fier, nëse “Nisma-Shqipëria Bëhet” siguron mandatin e dytë, ai do t’i kalojë Azmer Duleviçit, i cili ka marrë mbi 1050 vota dhe jo Lefter Thomës, i pari në listë.
Edhe PSD duket se ka vendosur të ndjekë këtë logjikë. Burime të Citizens.al thanë se nga kjo parti në Tiranë, deputet do të bëhet më i votuari në listën e hapur dhe jo Albana Pëllumbi – e listuara në krye të listës së mbyllur. Aktualisht më i votuari nga PSD në Tiranë është Tedi Mula, i cili ka marrë mbi 2,100 vota.
Nëse ky parim ndiqet edhe në Shkodër – duke marrë të mirëqenë se nuk do të aplikohet për kryetarin Tom Doshi – ai që mund ta marrë mandatin pritet të jetë Besnik Brahimi, i cili ka marrë mbi 3,400 vota.
Ky parim, edhe pse duket se vlerëson demokracinë, shkel kuotën gjinore, pasi u heq të drejtën për t’u përfaqësuar në parlament tre grave.
Presioni ndaj partive të reja
Sipas Redi Muçit, i cili pritet të marrë mandatin e vetëm parlamentar nga Lëvizja Bashkë, zgjedhjet e 11 majit u karakterizuan nga “influenca masive” dhe presioni i të ashtuquajturve “patronazhistë të votës” – një strukturë brenda PS-së e denoncuar që gjatë zgjedhjeve të vitit 2021.
Ai pohon se kandidatë të Lëvizjes Bashkë janë përballur me presion për t’u tërhequr nga listat zgjedhore.
“Por sidoqoftë […] jemi të kënaqur që kemi hyrë në parlament dhe nga ky moment, nga ky hap i parë, thjesht do ndërtojmë mbi këtë,” theksoi Muçi.
Për kandidaten e Koalicionit Euroatlantik në qarkun e Elbasanit, Mirela Karabina, gara ishte e pabarabartë. Ajo tha se votuesit ishin frikësuar, ndërsa maxhoranca përdori administratën dhe mësuesit për qëllime elektorale.
“[Qytetarët] janë të frikësuar, përderisa nuk dilnin dot një foto [me mua], edhe pse u thosha që nuk është e thënë se do të votonin për ne,” shpjegon Karabina.
“Elbasani po vdes ngadalë, ndotja kancerogjene dhe sëmundjet janë në rritje. Nuk e di kur do të zgjohet vota popullore,” tha Karabina sipas së cilës partia në pushtet, PS-ja, kishte prapa edhe sipërmarrës të fuqishëm me fonde për fushatën.
Sfida e opozitës në parlamentin e ri
Erald Kapri, i cili pritet të marrë mandatin e deputetit për partinë “Mundësia” shprehet i kënaqur me rezultatin, ndonëse priste më shumë.
Partia e themeluar nga Agron Shehaj, ish-deputet i PD-së njëherësh edhe ish-kandidat për kreun e saj, grumbulloi mbi 20 mijë vota në Tiranë, duke marrë mundësinë e dy mandateve në parlament, një numër i kënaqshëm në raport me rezultatin që morën dhe partitë e tjera të reja, por që sidoqoftë është i pamjaftueshëm për të krijuar një grup parlamentar.
Përballë një “supermaxhorance” me 83 mandate, opozita duket e brishtë për të gjetur instrumentat që do të mund ta pengonin PS-në për të ndërhyrë në ligjet apo reformat që kërkojnë shumicë të cilësuar.
Nisur nga kjo, Kapri theksoi se sfida e parë për opozitën e re do të jetë “mbrojtja e institucioneve të drejtësisë”.
“Ne dyshojmë që një nga shtysat e Ramës në legjislaturën e ardhshme do të jetë kufizimi i rolit të SPAK. Kjo do jetë një sfidë e madhe për opozitën, që të ruaj pavarësinë e institucioneve të drejtësisë” citoi ai.
“Mesazhi me mbi 200 mijë vota për partitë e reja është i qartë: qytetarët kërkojnë ndryshim,” përfundoi Kapri.
Për herë të parë në tre dekada, socialistët po shkojnë drejt një shumice të cilësuar në parlament me 82-84 mandate. Përballë një opozite të fragmentarizuar rezultati i jep asaj mundësinë për një kontroll të gjerë mbi proceset legjislative dhe institucionale në vend. Nisur nga përvoja politike, ekspertët e shohin me shqetësim këtë përqendrim pushteti.
Ashtu si në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021, edhe në zgjedhjet e 11 majit 2025, opozita dështoi të paraqiste në fletën e votimit një koalicion gjithëpërfshirës, teksa partitë e reja sfiduan ndjeshëm “status-quo”-në e saj.
Ky polarizim i la rrugë një rezultati të thellë të Partisë Socialiste, e cila megjithëse mori thuajse të njëjtin numër votash me zgjedhjet e shkuara, siguroi numër më të lartë mandatesh.
Për herë të parë që prej vitit 1997, socialistët po shkojnë drejt një shumice të cilësuar në parlament. Asokohe në një parlament me 155 deputetë PS e drejtuar nga Fatos Nano siguronte 101 mandate përballë PD-së së Sali Berishës, e cila u ndëshkua me votë për krizën piramidale të periudhës janar-gusht.
Duke parë prirjen e votave të 11 majit 2025, legjislatura e XI-të mund të shohë rikthimin e PS-së në një “supermaxhorancë” të tillë – edhe pse jo fiks në numër për të përbërë 3/5 e Kuvendit për atë që konsiderohet si shumicë e cilësuar.
Sidoqoftë, për Lutfi Dervishin, gazetar dhe njohës i mirë i politikës, rikthimi i një situate të tillë në pushtetin legjislativ mund të ketë ndikim të madh për demokracinë e vendit.
“Kjo shumicë e madhe i jep qeverisë avantazh në miratimin e reformave dhe ligjeve, por gjithashtu, vë në pikëpyetje forcimin e institucioneve dhe cilësinë e demokracisë,” tha ai për Citizens.al.
Ngjashëm mendon dhe Afrim Krasniqi, studiues dhe drejtues i Institutit të Studimeve Politike (ISP). Sipas tij me një situatë të tillë mund të vihen në diskutim ligje apo reforma, të cilat janë miratuar apo kërkojnë shumicë të cilësuar në Kuvend.
“Ky është rasti i parë pas 20 viteve kur një parti politike ka numrin e nevojshëm të votave për të ndryshuar ligje specifike, siç quhen ligjet organike të tilla, me votat e saj, ose me aleatë siç mund të jetë rasti i PSD-së, e cila voton gjithmonë për PS-në,” komentoi Krasniqi.
Partia Socialdemokrate, e drejtuar nga Tom Doshi, rezultoi e para në Vaun e Dejës, teksa siguroi 2 mandate në qarkun e Shkodrës duke thyer raportet mes partive kryesore. Së bashku me një mandat në qarkun e Tiranës, PSD mund të përsërisë rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2021 ku fitoi 3 mandate.
Zakonisht, për ligjet bazë kërkohet shumicë e thjeshtë. Ndërsa për të ndryshuar kodet, ligjet që organizojnë pushtetin gjyqësor, prokurorinë apo dhe institucione të tjera nevojitet shumica e cilësuar.
Ngjashëm kërkohet shumicë e cilësuar për të emëruar anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, Këshillit të Lartë Gjyqësor, Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë, Prokurorin e Përgjithshëm, Avokatin e Popullit, Kontrollin e Lartë të Shtetit etj.
Thënë këtë, një “supermaxhorancë” mundet t’i ndryshojë ligjet kyçe dhe të zgjasë kontrollin mbi institucionet më të larta të shtetit, pa pasur nevojë për gjetjen e një dakordësie me opozitën.
Këtë pikë, Dervishi e sheh me shqetësim, pasi rrezikohen balancat. Ai thotë në mënyrë figurative se “me gërshërën e madhe që mori më 11 maj, shumica socialiste mundet t’i presë më lehtë thonjtë SPAK-ut.”
Pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, përpara fushatës zgjedhore, Kryeministri Rama, mbajti një qasje të ashpër ndaj SPAK-ut duke paralajmëruar ndërhyrje për të ndryshuar kompetencat apo mënyrën se si kjo strukturë vepron.
Krasniqi sheh te ky paralajmërim ndërhyrjen në sistemin legjislativ për të hequr nga vlerësimi si vepër penale të “shpërdorimit të detyrës” nga zyrtarët.
“[Rama] nuk e ka fshehur asnjëherë prirjen për të larguar përgjegjësitë publike që vijnë nga zyrtarët e lartë, në lidhje me këtë vepër penale që është objekt i SPAK-ut,” thekson Krasniqi, sipas së cilit nëse PS ndërhyn për ta ndryshuar kuadrin ligjor do të deformonte të gjitha aktet që lidhen me funksionimin e SPAK-ut.
Një mazhorancë kaq e fortë numerikisht e ka më të lehtë edhe të ndryshojë Kushtetutën, e cila kërkon “2/3-at e votave”, pra 93 vota. Numrat e bëjnë më të lehtë për të negociuar duke ulur ndikimin e opozitës në situata të tilla.
Në këtë perspektivë, nisur nga përvoja e shkuar në zgjedhje ku PS është forcuar, prej 2017 qeveris e vetme, Krasniqi është i mendimit se rezultati tregon një cenim të besimit se vota mund të ndryshojë qeverisjen në Shqipëri.
“Është një lloj zhvillimi anti-historik në aspektin e qeverisjes dhe në aspektin e sovranitetit qytetar”, analizon Krasniqi, ndërsa shpjegon se kjo tregon që problemi është sistemi dhe se PS-ja ka krijuar “një lloj sistemi patronazhist që kontrollon gjithë territorin, kontrollon votën, kontrollon burimet shtetërore dhe si të tilla i përkthen këto në vota”.
Ndarja e mandateve në 34 vite sistem pluralist në Shqipëri
Zgjedhjet e para pluraliste në Shqipëri u zhvilluan në vitin 1991. PS, e cila ishte ende e organizuar si Partia e Punës e Shqipërisë (PPSH), fitoi 169 nga 250 mandate që kishte asokohe në total të Kuvendi – PD mori 75 mandate.
Mirëpo në zgjedhjet e parakohshme të vitit 1992, për Kuvendin e riformatuar me 140 mandate, PD fitoi bindshëm duke siguruar 92 deputetë, ndërsa PS u tkurr në 38, partitë e tjera: PSD 7, Partia Republikane 1, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut 2.
Zgjedhjet e vitit 1996, u shoqëruan me bojkot të pjesshëm të PS-së dhe aleatëve të saj, pasi PD kishte miratuar një kuadër ligjor që kufizonte pjesëmarrjen e ish-funksionarëve të sistemit komunist në proces. Për rrjedhojë, PD fitoi 122 mandate, por procesi, i cili u shoqërua me parregullsi, u kontestua ashpër.
Për shkak edhe të krizës politike dhe piramidale që pasoi këto zgjedhje, vendi shkoi në zgjedhje të parakohshme në vitin 1997 ku PS u kthye në pushtet duke fituar 101 mandate nga 155 të Kuvendit që u riorganizua.
Në zgjedhjet e vitit 2001, me mbështetjen e aleatëve të saj, PS ruajti pushtetin duke siguruar 73 nga 140 mandate.
Në vitin 2005, pushteti kaloi në duart e PD-së, e cila fitoi 56 mandate, ndërsa Partia Socialiste mori vetëm 42 mandate. PR fitoi 11, PSD 7 dhe Lëvizja Socialiste për Integrim fitoi 5.
Në zgjedhjet e vitit 2009, PS rriti numrin e mandateve në 65, por PD qëndroi në pushtet përmes një koalicioni me LSI, pasi asnjëra prej tyre nuk kishte shumicën e nevojshme për të qeverisur.
Ky koalicion u përmbys në zgjedhjet e vitit 2013, kur PS fitoi sërish 65 mandate, por arriti të formojë qeverinë përmes aleancës me LSI-në, duke çuar numrin e përgjithshëm të mandateve në 83.
Në vitin 2017, PS fitoi e vetme shumicën në Kuvend me 74 mandate dhe të njëjtin rezultat e përsëriti edhe në zgjedhjet e vitit 2021.
Rreziku i përqendrimit të pushtetit
Një parti që zotëron një shumicë kaq të gjerë në Kuvend e ka të lehtë të anashkalojë debatet parlamentare dhe të përjashtojë opozitën nga procesi vendimmarrës duke vënë kështu në rrezik sistemin demokratik.
Paralelisht “supermaxhoranca” mund të zbehë rolin e Presidentit, mund të çojë përpara reforma të njëanshme dhe të kthejë opozitën në një “lloj dekori”.
“Një shumicë prej 3/5 në Kuvend mund të jetë një shpatë me dy tehe. Njëra anë ofron stabilitet dhe efikasitet në qeverisje, ana tjetër përbën rrezik për minimin e institucioneve të pavarura,” shpjegon Lutfi Dervishi.
Në shumë raste, Kuvendi ka fuqinë të rrëzojë dekretet e Presidentit me shumicën prej 3/5, duke e reduktuar rolin e Kreut të Shtetit në një funksion kryesisht ceremonial.
Në këto kushte, reforma të rëndësishme si ato në drejtësi, procesin zgjedhor apo ndryshimet kushtetuese, mund të kalojnë pa dakordësi të gjerë dhe pa konsensus me opozitën.
Ky përqendrim i pushtetit krijon një realitet, ku shumica qeverisëse kontrollon edhe Kuvendin, duke e kthyer atë në një mekanizëm miratues të vendimeve të saj duke i zhbërë rolin kontrollues që ka parlamenti. Sipas Dervishit një situatë e tillë do ta kthente parlamentin “në noter të qeverisëdhe ndoshta zeron dhe debatet e brendshme”.
Për Afrim Krasniqin, një mazhorancë e tillë është “gati vrasëse” për konceptin e demokracisë.
“Edhe në kuadër integrimi, një numër i tillë votash, tregon që maxhoranca nuk do të ketë nevojë për opozitën. Ose do të ketë nevojë për një opozitë fasadë, që do të thotë nuk do të ndjejë asnjë lloj presioni për të pasur dakordësi politike për çdo lloj nisme që ajo mund të marrë në kuadër të procesit të integrimit dhe në përfaqësimin e Shqipërisë,” analizon Krasniqi.
Edhe Dervishi shpreh gjithashtu shqetësimin për dekurajimin e alternativave të reja politike dhe dobësimin e demokracisë pluraliste.
“Në kuadër të përafrimit me legjislacionin e BE-së, shumica nuk ka më nevojë për konsensus me opozitën,” thotë ai.
Në mungesë të balancave dhe kontrollit të vërtetë opozitar, një përqendrim i tillë i pushtetit mund të çojë në kapjen e institucioneve dhe në dobësimin e sistemit demokratik.
“Pyetja është ‘A do ta përdorë PS/Rama këtë fuqi për të forcuar institucionet demokratike, apo për të konsoliduar më tej kontrollin mbi to?’ Druaj se do të ndodhë kjo e dyta,” përmbyll Dervishi.
Në seancën e sotme plenare, deputetët demokratë kanë sjellë problematikën e shkaktuar nga zjarri katastrofik në vendgrumbullimin e mbetjeve në Elbasan.
Deputetja Jorida Tabaku kërkoi që si Kuvendi, si Ministri i Financave dhe instancat e përfshira, të mbajnë përgjegjësi në lidhje me inceneratorët që nuk funksionojnë edhe pse vijojnë të paguhen nga paratë e taksapaguesve shqiptarë.
“Kam drejtuar dhe një komision hetimor, në emër të grupit të PD kemi kërkesë për një debat parlamentar për atë që ndodhi në Elbasan. E kemi nisur këtë diskutim në 2017, sot ndodhemi para faktit që asnjë nga inceneratorët nuk punon. Ministri i Financave duhet të japë llogari për pagesat e inceneratorëve. Skandal mjedisor që agravohet, nëse nuk diskutojmë për këtë, për çfarë do diskutojmë?”, tha Tabaku.
Edhe deputeti demokrat, Qani Xhafa foli në Kuvend për zjarrin në landfillin e Elbasanit, ku sipas tij zjarri ka qenë i qëllimshëm për të zhdukur provat. Ai u ndal edhe te takimi i kryeministrit Edi Rama një ditë më parë në Cërrik, të cilin e quajti një teatër.
“I është vënë zjarri fushës së mbetjeve pranë landifillit, një ditë pasi prokuroria e Elbasanit thirri 21 persona, nëpunës të bashkisë Elbasan dhe punonjës të inceneratorit, për zhdukjen e provave aty është vënë zjarri. Është i qëllimshëm. E kam paralajmëruar më herët që në Elbasan do kemi katastrofë të rëndë mjedisore. Teatri që bëri dje kryeministri, të ndalonte te inceneratori dhe t’i kërkonte falje banorëve të Elbasanit për ata katastrofë që ka krijuar. Ajo fushë të bllokohet dhe të gjendet vend i përshtatshëm për mbetjet urbane”, tha Xhafa.
Ndihmoni që kombi im të votojë i lirë. Kështu iu drejtua kreu demokrat Sali Berisha anëtarëve të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, që po zhvillon punimet në Porto të Portugalisë.
Berisha ka theksuar nevojën që Shqipërisë t’i kthehet institucioni i zgjedhjeve të lira, përkundër farsës elektorale, si në diktaturë. Ai i ka informuar pjesëmarrësit për zgjedhjet e 11 majit dhe shkeljet e makinerisë elektorale të partisë-shtet të Edi Ramës që prodhuan farsën zgjedhore e cila vihet në pah edhe në raportin e OSBE-ODHIR.
Ai tha se pa një qeveri teknike, shqiptarët nuk do të kenë mundësi të bëjnë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“Ndaj sot, në emër të opozitës shqiptare, kërkoj nga ky institucion i nderuar:
Së pari, të mbështesni raportin paraprak të ODIHR (Gjithçka që ju përmenda është e shkruar në raportin paraprak të ODIHR).
Së dyti, iu bëj thirrje institucioneve ndërkombëtare të ndjekin rekomandimet e shkruara në raportet e fundit të OSBE-ODIHR, që prej vitesh kanë mbetur të pa zbatuara për shkak të mungesës së vullnetit të narkoqeverisë”, tha Berisha.
Kreu demokrat u shpreh se Shqipëria është i parë dhe i vetmi narkoshtet në Europë.
“Europa ka njohur shumë lloje diktaturash, por kurrë më pare një narkodiktaturë.
Kjo është një diktaturë e një natyre tjetër. Edhe në këtë diktaturë të gjitha pushtetet përqendrohen në dorën e vetëm një personi, të Kryeministrit.
Por ashtu siç shkruante Samuel Huntington për këto lloj diktaturash, narkodiktatura karakterizohet nga fakti që asnjë ligj, asnjë rregull dhe asnjë parim nuk respektohet.
Edi Rama e ka kthyer Shqipërinë në një narkodiktaturë. Për këdo që është i interesuar: ai këtë e ka bërë haptas dhe pa fshehur asgjë. Në këtë kuadër, Kryeministri i Shqipërisë, pak javë para zgjedhjeve, me dekret miratoi mbjelljen e 29 mijë hektarëve kanabis, kryesisht pranë kufijve me vendet fqinj.
Ndërkohë në Amerikën Latine, janë 14 mijë shqiptarë që punojnë në kartelet e drogës, dhe disa prej tyre i drejtojnë këto kartele, si për shembull karteli i drogës Sinaloa.
Kartelet e drogës në Shqipëri janë direkt të lidhura me qeverinë dhe janë shumë të fuqishme: karteli Troplini/Poja kontrollon portin e Durrësit, portin më të madh të vendit dhe të rajonit. Karteli Çela i Elbasanit kontrollon autostradën e trafikimit të heroinës që vjen nga Lindja. Këto kartele janë shumë të fuqishme, emërojnë ministra, gjyqtarë, prokurorë, shefa policie, deputetë etj.
Kjo ishte situata me të cilën ne hymë në zgjedhjet e 11 majit.
Në këto zgjedhje, është e vërtetë që kishte kandidatë të forcave të ndryshme politike. Por nga ana tjetër, të gjitha potencialet dhe burimet e shtetit u përdorën si instrument elektoral nga partia-shtet. Nga ana tjetër, ashtu si në diktaturat komuniste, të gjitha mundësitë financiare, burime të jashtëzakonshme, u përdorën për përfitime elektorale.
E gjithë administrata publike, në shkelje të ligjit, është shndërruar në një rrjet patronazhistësh, cdo punonjes i saj duhet te kontrollojë një numër ta caktuar votuesish nëpërmjet keqpërdorimit të të dhënave personale. Çdo nëpunës civil ishte i detyruar të sillte 20 votues të tjerë që të votonin për Partinë Socialiste në pushtet.
Dita e zgjedhjeve ishte edhe më keq. Kartelet e drogës diktuan rezultatin për 28 deputetë, disa prej këtyre deputetëve ishin më të votuarit. Ata madje morën më shumë vota se vetë Kryetari i Partisë Socialiste (Kryeministri Edi Rama)”, tha Berisha.
TIRANË, 1 korrik /ATSH/ Procesi i rinumërimit të votave në qarkun e Fierit po vijon sot në ditën e dytë, pas vendimit të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS).
Procesi po zhvillohet në Pallatin e Sportit “Farie Hoti” në Tiranë dhe përfshin hapjen e 587 kutive të votimit.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), deri në orën 13:25 janë numëruar 314 kuti.
Nga të dhënat e KQZ, koalicionit të Partisë Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore i janë shtuar 80 vota në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, vota këto që i janë zbritur nga rezultati përfundimtar. Partisë Socialiste nga ana tjetër i janë hequr në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, 34 vota. 10 vota i janë shtuar edhe koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet.
Rinumërimi përfshin si votat për subjektet politike, ashtu edhe ato për kandidatët, me qëllim verifikimin e saktësisë së rezultatit të 11 majit.
Vendimi për rinumërim erdhi me kërkesë të koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”.
TIRANË, 26 qershor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha tha sot se rinumërimi i votave të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit është kërkesë e kandidatëve të PD-së dhe jo kërkesë e partisë.
“Dhe një herë, e kam theksuar dhe e theksoj, rinumërimi i votave nuk është një kërkesë e PD-së. Rinumërimi i votave është kërkesë e kandidatëve të saj, të cilëve ne kurrë, në asnjë rrethanë, në asnjë rast nuk mund t’u mohojmë një të drejtë të tillë”, tha Berisha.
Berisha nënvizoi se teza e PD-së është që “vota vdiq pa hyrë në kuti”.
“Rinumërimi ka të bëjë me përshtypjen që kandidatët kanë se votat e njërit kandidat mund të jenë spostuar tek votat e një kandidati tjetër po të PD. Kërkesa e cila nga PD ka përgëzime në çdo rast për shkak të transparencës. Unë e them këtu, nuk ka gjë më të drejtë sesa të kërkosh të rinumërohen votat në qoftë se ke dyshime se nuk të janë numëruar apo të janë devijuar votat.
Kurse për të tjerët, të paguar çdo ditë nga qeveria, përpiqen të mbrojnë farsën, unë u them se janë pjesë e një propagande kriminale antivotë, një propagande që synon të përligjë shkelmimin e të drejtës më themelore të njeriut pas fjalës, që është vota e lirë”, u shpreh Berisha.
Sipas Berishës, “farsa” e 11 majit nuk mund të fshihet me asnjëlloj propagande.
Berisha shtoi se “ata që kritikojnë opozitën se po turpëron Shqipërinë, ata janë turpi i turpit të njeriut, turpi i turpit të Shqipërisë”.
“Ata që pretendojnë se qenka e turpshme të denoncosh dhunimin e votës, të denoncosh kartelet e drogës, ata janë turpi i turpit të njeriut dhe turpi i turpit të Shqipërisë dhe kjo opozitë nuk do jetë kurrë e tillë. Do të bëjë detyrën e saj”, tha Berisha.
TIRANË, 23 qershor /ATSH/ Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (APKiE) miratoi sot raportin për zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri.
Asambleja Parlamentare e KiE u bëri thirrje sot autoriteteve shqiptare që të tregojnë vullnet të fortë politik për të adresuar mangësitë e identifikuara gjatë vëzhgimit të zgjedhjeve të fundit parlamentare 11 maj it “në mënyrë që të sigurohet përputhshmëria me standardet evropiane në proceset zgjedhore”.
APKIE u bëri thirrje autoriteteve që, në veçanti, të zbatojnë rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe OSBE/ODIHR-it, të rishikojnë rregullat financiare të fushatës, të depolitizojnë administratën zgjedhore, të ruajnë integritetin e procesit zgjedhor dhe të ndajnë qartë partinë në pushtet nga shteti.
Delegacioni gjithashtu bëri thirrje për forcimin e kapaciteteve të Zyrës Kombëtare të Hetimit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për të luftuar në mënyrë efektive këtë fenomen, përfshirë edhe në kuadër të procesit zgjedhor.
Sipas raportit të Simone Billi (Itali, ECPA), i paraqitur sot në seancën plenare nga Luz Martinez Seijo (Spanjë, SOC), zgjedhjet në Shqipëri ishin “konkurruese dhe të zhvilluara në mënyrë profesionale”, por u zhvilluan në “një mjedis jashtëzakonisht të polarizuar”.
Teksti thekson se kandidatët përgjithësisht ishin në gjendje të zhvillonin fushatë lirshëm, megjithëse disa raportuan përballje me frikësim.
Votimi i diasporës, i futur për herë të parë, shënoi “një hap të rëndësishëm në historinë demokratike të Shqipërisë” dhe duhet të vlerësohet për të identifikuar fushat që kërkojnë përmirësim.
Për më tepër, delegacioni i APKiE theksoi se, partia në pushtet kishte përfituar nga përdorimi i gjerë i burimeve administrative gjatë fushatës, duke krijuar një avantazh të padrejtë në pozicionin e saj aktual, dhe vuri në dukje shumë pretendime për ushtrim presioni ndaj votuesve, veçanërisht punonjësve të sektorit publik.
Ai shtoi se përqendrimi i pronësisë mediatike, vetëcensura në radhët e gazetarëve dhe dominimi i dy partive më të mëdha në mbulimin mediatik, kanë kufizuar mundësitë e votuesve për të bërë një zgjedhje të informuar.
Sipas raportit, dita e zgjedhjeve ishte përgjithësisht e qetë dhe mirë e organizuar, por me mungesë përmbushjeje të procedurave në shumë qendra votimi, një numër të konsiderueshëm incidentesh intimidimi dhe ndërhyrjes së vëzhguesve dhe anëtarëve të partive në proces, si dhe pretendime për blerje votash. /s.m/ /gj.m/j.p/
TIRANË, 23 qershor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha deklaroi se PD paraqiti sot në grupin parlamentar të Partisë Popullore një video në lidhje me “farsën elektorale të 11 majit”.
Berisha tha se “pamjet e paraqitura në tempullin, në grupin parlamentar të Partisë Popullore, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ishin shokuese për audiencën”.
“Sot në Këshillin e Evropës do të paraqitet nga kryetari i delegacionit të Këshillit Evropës, që vëzhgoi zgjedhjet, raporti i parlamentarëve Europianë, anëtarë të Asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës, Simone Billi. Ky raport është diskutuar sot në grupet parlamentare dhe do të diskutohet në seancën plenare të kësaj asambleje, për të marrë formën përfundimtare.
“Zonja Albana Vokshi, e pranishme në grupin parlamentar të Partisë Popullore, paraqiti që në mëngjes një video shokuese, shokuese për audiencën, e cila tregoi se pse zgjedhjet në Shqipëri, ishin një farsë e tipit të Zimbabve të 30 viteve më parë”, u shpreh Berisha.
Sipas Berishës zgjedhjet “nuk kanë të bëjnë me zgjedhje, me standardet evropiane”.
Nga selia blu Berisha publikoi videon, ndërsa theksoi se “është dëshmi e një përpjekjeje të jashtëzakonshme që po bën opozita në luftën kundër farsës elektorale. E quajta të domosdoshme t’i njoh shqiptarët me përpjekjen e jashtëzakonshme që ne po bëjmë për t’i dëshmuar atyre dhe botës, farsën e turpshme të 11 majit.
Nuk mundet kurrë ndërgjegjja e një njeriu të pranojë këtë farsë. Por sido qoftë ne e bëjmë këtë si detyrim. Natyrisht përgjigja dhe zgjidhja është vetëm tek shqiptarët, në dorën e tyre”.
Berisha tha se qytetarët duhet të ngrihen për të mbrojtur të drejtat e tyre themelore dhe të dalin kundër “një farsë të turpshme elektorale”.
Berisha tha se “Partia Demokratike kurrë nuk do t’i pranojë këto zgjedhje”.
TIRANË, 20 qershor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha në një konferencë për mediet u ndal sot tek procesi elektoral në diasporë ku theksoi se “zgjedhjet u manipuluan”.
Berisha tha se “dokumente të pakundërshtueshme faktojnë krimin e shëmtuar kushtetues elektoral, manipulimin e tij ekstrem, shtetëzimin e procesit të votimit të diasporës nëpërmjet akteve më madhore korruptive të njohura ndonjëherë”.
“Shtetëzimi dhe manipulimi i votës së shumicës së shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, që kësaj here me një përfaqësi prej 340 mijë vetësh zgjodhën të votojnë, është një goditje e rëndë e idealeve të lirisë së shqiptarëve, e përpjekjeve të tyre madhore për të qenë së bashku, pavarësisht se ku jetojnë, për të gëzuar të drejtat kushtetuese të vendit të origjinës”, u shpreh Berisha.
Berisha tha ndër të tjera në fjalën e tij se ka besim se diaspora do të angazhohet kundër qeverisë dhe do të kontribuojë në rivendosjen e të drejtës së votës së qytetarëve shqiptarë.
“PD në betejën e saj, në luftën e saj për votën e lirë të shqiptare, ka besimin më të madh se diaspora shqiptare do të mobilizohet dhe angazhohet me të gjithë forcën, potencialin e saj, kundër narkodiktaturës në Shqipëri dhe do japë kontributin e madh në rivendosjen e të drejtës së votës qytetarëve shqiptarë në Shqipëri dhe kudo që janë.
“Ftoj qytetarët shqiptarë që kanë votuar që të përgatiten për një luftë pa kompromis kundër këtij narkoshteti si një ndëshkim i merituar për krimin monstruoz që kreu ndaj atyre dhe vendit dhe për rikthimin e të drejtës së votës qytetarëve shqiptarë”, tha Berisha.
Berisha publikoi disa video për të cilat tha se janë “dëshmi e manipulimit të votave të diasporës”.
Kreu i PD-së tha se “jemi në fazën e dokumentimit të farsës, më pas do nisin të gjitha format e domosdoshme të protestave në Shqipëri dhe në botë”.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Berisha tha se “vendi nuk mund të ketë opozitë të vërtetë pa rikthyer votën e lirë”.
“Ka vetëm një objekt tani, shqiptarët duhet të votojnë të lirë. Opozitë të vërtetë pa rikthyer votën e lirë, vendi nuk mund të ketë. Nuk mund të jetë opozitë e vërtetë ajo e cila pajtohet me këtë situatë. Ndaj dhe opozita do mobilizojë të gjithë potencialet e saj t’u rikthejë shqiptarëve votën e lirë”, u shpreh Berisha.
TIRANË, 20 qershor /ATSH/ Socialistët festuan dje 34-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste. Në selinë rozë u organizua një takim festiv i cili mblodhi bashkë figura që kanë kontribuuar ndër vite për Partinë Socialiste si dhe skuadrën e re të deputetëve fitues të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste ndau sot në rrjetet sociale foto nga aktiviteti i zhvilluar një ditë më parë.
“Fotoalbumi i ditëlindjes së 34-të të Partisë Socialiste, e cila erdhi fill pas fitores sonë më spektakolare për Shqipërinë 2030″, shkruan Rama.
Në fjalën e tij dje para të ftuarve, kreu i qeverisë tha se fitorja në zgjedhjet e 11 majit është e lidhur me një mandat besimi të jashtëzakonshëm për të udhëhequr vendin dhe për ta anëtarësuar Shqipërinë në Bashkimin Europian brenda kësaj dekade. /j.p/
Indrit Sefa: “Rinumërimi tregon se ‘treni bullgar’ është vetëm imagjinatë, nuk ka ndikim në rezultat”
Analisti Indrit Sefa, i ftuar në një emision televiziv, komentoi procesin e rinumërimit të votave në katër qarqe të vendit.
Sipas tij, pretendimet e Partisë Demokratike për një “farsë elektorale” dhe për ekzistencën e të ashtuquajturit “treni bullgar” nuk gjejnë mbështetje në realitet. Sefa u shpreh se këto fenomene duket se ekzistojnë vetëm në kokën e doktorit dhe jo në kutitë e votimit.
Ai pranoi se mund të ketë gabime të vogla gjatë procesit, por sipas tij këto janë shifra të papërfillshme që nuk ndikojnë në rezultatin përfundimtar.
“Administrata zgjedhore nuk është më e trajnuara e mundshme. Nuk kemi administratë të depolitizuar, kemi njerëz që i vendosim aty ditën e fundit, as nuk i trajnojmë. Ligji parashikon që trajnimi duhet të fillojë 30 ditë para. Patjetër, ‘treni bullgar’ është treni i Sali Berishës për të mbajtur vendin e kryetarit, nuk ka asgjë tjetër. Treni është pjesë e imagjinatës kolektive”, u shpreh Sefa.
Ai theksoi gjithashtu se nuk vidhen zgjedhjet ditën e zgjedhjeve, siç pretendon PD, duke shtuar se mund të ketë ndikime të mëparshme, por që nuk mjaftojnë për të ndryshuar rezultatin.
“Nuk vidhen zgjedhjet ditën e zgjedhjeve, para hajde dhe të flasim, sepse ka ndikime. A ndikojnë këto situata për ndryshim rezultati? Për mua ndikojnë në një përqindje të vogël, por jo në rezultat”, tha ai.
TIRANË, 14 qershor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha deklaroi sot se 11 maji ishte farsë elektorale, ndërsa theksoi se “vota e shqiptarëve vdiq pa rënë në kuti”.
Sipas Berishës, “farsa elektorale primitive e 11 majit përbën krimin kushtetues zgjedhor më të rëndë në historinë e pluralizmit shqiptar”.
“E vërteta është për çdo shqiptar se vota e qytetarëve shqiptarë vdiq, në sensin si votë e lirë, pa rënë në kuti”, tha Berisha.
Berisha listoi edhe disa nga arsyet sipas tij se pse ndodhi kjo.
“Votën e vdiqën pa rënë në kuti përdorimi i 76 milionë eurove si dhuratë për votë 100 euro për çdo pensionist, në tërësi 48 përqind e votuesve apo 760 mijë pensionistë. Votën e qytetarëve shqiptarë e vdiqën pa rënë në kuti 4500 aktivitete të organizuara në periudhën e ndaluar nga ligji. Votën e lirë të shqiptarëve e vdiqën pa rënë në kuti, falja dy ditë para zgjedhjeve e 200 milionë eurove”, tha ai.
“Votën e lirë të qytetarëve shqiptarë e vdiqën pa rënë në kuti 29 mijë hektarë kanabis për mbjelljen e 100 mijë rrënjë kanabis në gjithë Shqipërinë për vota. Votën e qytetarëve shqiptarë e vdiqën pa rënë kuti dhjetëra mijëra leje ndërtimi, leje legalizimi dhe certifikata pronësie, të dhëna të gjitha për të rrëmbyer votën”, tha Berisha ndër të tjera.
Berisha publikoi edhe disa video që sipas tij dëshmojnë “farsën elektorale, nga treni bullgar deri tek mbushja e kutive”.
Në fjalën e tij, Berisha hodhi akuza edhe në drejtim të drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumanit.
Sipas Berishës “ai është një armik i egër i pluralizmit, i votës së lirë të qytetarëve shqiptarë, pasi ai, pasi instaloi me dosjet 184 dhe 339, praktikën e mosndëshkimit të krimit elektoral, u bë de facto licencues kryesor i shumëllojshmërisë së krimeve elektorale pas atyre zgjedhjeve”.
Berisha tha se farsa elektorale nuk do pranohet kurrë.
“Këtu ne do vazhdojmë në respekt të shqiptarëve idealistë, të shqiptarëve patriotë, të shqiptarëve të ndershëm që besojnë se e ardhmja duhet të përcaktohet nga qytetarët e lirë me vullnetin e tyre dhe se pa zgjedhje të lira, pa votën e lirë, të ardhme në Shqipëri nuk ka dhe nuk mund të ketë”, u shpreh Berisha. /j.p/
TIRANË, 13 qershor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha tha sot në një deklaratë për mediet se mbështet propozimin për një kandidat të përbashkët nga opozita për bashkinë e Tiranës, por që nuk duhet të jetë njeri jopolitik.
“Për të dalë partitë opozitare më një kandidat, këtë e mbështes plotësisht. Por që të pretendohet të zgjidhet kryetari i bashkisë së kryeqytetit, një njeri jopolitik, një gjë të tillë nuk e kam dëgjuar ndonjëherë. Sepse ai të paktën duhet të ketë një program, në të cilin çmonton të gjithë batërdinë bazuar në politikën e narkoshtetit në Tiranë” tha Berisha.
Gjatë konferencës për shtyp me gazetarët, Berisha u ndal sërish edhe tek denoncimet e opozitës për “farsën elektorale” të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.
Berisha publikoi disa pamje ku theksoi se “kishte qytetar të pajisur me dy fletë votimi”.
“Të dhëna flagrante nga qendrat e votimit të akteve antiligjore dëshmojnë se zgjedhjet ishin një farsë fund e krye dhe jo një proces zgjedhor. Do paraqes kërcënimet që iu bënë komisionerëve në qendrat e votimit”, tha Berisha.
TIRANË, 13 qershor /ATSH/ Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) vendosi sot që të hapë kutitë e votimit në bashkitë Gramsh dhe Peqin, pas kërkesës së Partisë Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore, e cila ka paraqitur dyshime për parregullsi të evidentuara në pamjet filmike të procesit zgjedhor.
Vendimi për rinumërimin e votave u mbështet nga dy anëtarët e Partisë Demokratike në KAS, të cilët argumentuan se ka indicie që kërkojnë verifikim të mëtejshëm të rezultatit zgjedhor në këto zona.
Sipas përfaqësuesit të PD-së në KAS, Elvis Çefa, në pamjet filmike të siguruara nga procesi i numërimit janë konstatuar momente që ngrenë dyshime të forta për manipulim apo mosrespektim të procedurave zgjedhore, çka ka çuar në vendimin për rihapjen e kutive dhe rinumërimin e votave.
“Të hapen të gjitha kutive e materialeve zgjedhore për KZAZ-të 45 dhe 52 dhe eventualisht të gjitha kutitë e votimit për efekt të rakordimit të gjetjeve në kutitë e materialeve zgjedhore”, tha Çefa.
Procesi për hapjen e kutive u kërkua nga KAS që të zhvillohet të hënën.
I ftuar në një emision televiziv, Kajsiu u shpreh se bazuar në analizën e tij, vendi ndodhet në një sistem të ri qeverisës, që e përcaktoi si neo-feudalizim politik.
Kajsiu tha se ka një gërryerje të demokracisë dhe mungon hapësira publike. Politologu komentoi mbi zhvillimet më të fundit në vend, pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.
Blendi Kajsiu:
“Debati ynë nuk është kaq shumë për llojin e regjimit, sesa një debat për zgjedhjet. Mendoj se nuk e kemi të qartë se në çfarë regjimi jemi, sepse është një sistem i ri. Ne këto fenomene i shohim edhe në vende demokratike si SHBA. Ka krizë të demokracisë në nivel global. Mendoj se koncepti i diktaturës, e përshkruan në mënyrë të pjesshme. Unë po përpiqem të mendoj sistemin si neo-feudalizim politik. Fragmentizim i sferës politike, ku secili është Zot në feudin e tij. Rama është Zot në feudin e tij, në PS merr përmasat e një monarkie. Berisha është në feudin e tij, nuk ka të bëjë me demokracinë dhe të drejtat e njeriut.
Njëlloj si Trumpizmi që funksionon si monarki dhe jo demokraci. Pra sistem ku secili ka feudin e vet, përfshirë pronarin e mediave. Në këtë aspekt, kemi gërryerje të demokracisë. Demokracia pa një hapësirë publike. Secili ka realitetin e vet. Faktet e njërit thonë jemi në masakër, faktet e tjetrit që kemi zgjedhje. Secili vendos normat e veta, nga feudali kryeministri dhe me rradhë. Jemi në neo-feudalizëm politik. Edhe mediat nuk flasin në emër të interesit publik. Media-politikë apo edhe krimi i organizuar”.
E ftuar në një emision televiziv kandidatja Ilda Zhulali theksoi se duhet të hidhet dritë mbi mekanizmat e deformimit të vullnetit të qytetarëve në procesin zgjedhor në Shqipëri.
Zhulali tha sot se tjetërsimi i votës është rezultat i një sistemi të ndërlikuar që synon kontrollin mbi rezultatin zgjedhor dhe mbajtjen e pushtetit.
“Ajo që është më frustruesja në gjithë këtë situatë është se sa e vështirë është të shpjegosh përmasën e ndikimit të këtyre fenomeneve tek qytetarët blerja e votës, ndikimi i krimit, dhe të gjitha elementet e tjera që, nëse i zbërthen pak nga pak, kupton që nuk është vetëm një instrument në dorën e qeverisë që bën diferencën e madhe dhe tjetërson votën. Janë të gjithë këta faktorë së bashku që sjellin këtë tjetërim.
Tjetërsimi i votës ndodh në një masë të caktuar 5% tek një kategori, pastaj më tej tek një tjetër dhe kështu është arritur në këtë përqindje prej 53% të votave, të përkthyera në 83 mandate. Kjo është një tjetërsi e të gjithë sistemit.
Është si një mur i ndërtuar tullë pas tulle nga qeveria aktuale. Dhe ajo që është më e rëndë përveç shkeljes së ligjit, të cilën as institucionet e drejtësisë nuk e panë apo nuk donin ta shihnin është bashkëpunimi me krimin e organizuar. Kjo është diçka që nuk mund ta “marrësh” dot, siç mund të bësh, për shembull, me pensionistët. Kjo pjesë tjetër është shumë më e vështirë për t’u matur dhe për t’u transmetuar te zgjedhësit, sepse ajo që kuptova ishte një ndjenjë e thellë frike tek njerëzit.
Një frikë ndaj procesit zgjedhor, ndaj mënyrës si lexohet dhe tjetërsohet vota. Kjo ishte një ndjesi që e shprehnin të gjithë ata që takonim gjatë fushatës. Një tjetër rast që tregon nën çfarë presioni ndodhet një qytetar shqiptar sa i frustruar dhe i frikësuar është është rasti i helmimit të fëmijëve në Gramsh. Në një kopsht publik, as fëmijët dhe as prindërit nuk patën guximin të protestonin, të kërkonin llogari për jetën e fëmijëve të tyre. Jeta e fëmijës është në rrezik, dhe ti ke frikë të flasësh. Nëse ke frikë të flasësh për fëmijën tënd, për të cilin pretendohet se sakrifikon gjithçka, imagjino sa e lehtë është të kërcënohesh dhe të frikësohesh për një votë.
Ky është niveli i frikës për të cilin po flasim. Dhe kjo tregon trysninë dhe presionin e një qeverie që ka akumuluar gjithë pushtetin dhe që bashkëpunon me krimin e organizuar. Sot ka një situatë të re. Më parë, në deklarata për Ballkanin përmendej kapja e shtetit, por nuk përmendeshin qartë vendet ku kjo ndodhte. Tani po shkojmë drejt identifikimit konkret të këtyre vendeve. Kjo është thënë për Serbinë, por drejt të njëjtit përfundim po shkon edhe Shqipëria. Dhe kur t’i vihet emri kësaj situate, ajo do të delegjitimojë jo vetëm pushtetin e Ramës, por edhe këto zgjedhje. Pas kësaj do të pasojnë kushtëzime të tjera ndërkombëtare”,-tha Zhulali.
TIRANË, 12 qershor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha në një deklaratë për mediet theksoi sot se qëllimi i parë i PD-së është mos pranimi i legjitimitetit të këtyre zgjedhjeve
“Tani, ajo që zhvillohet në KQZ duhet ta kenë të qartë të gjithë shqiptarët se qëllimi i parë, numër një i PD dhe Aleancës për Shqipërinë Madhështore është ky: nuk pranojmë legjitimitetin e këtyre zgjedhjeve”, tha Berisha.
Berisha shtoi se PD ka paditur çdo qark për legjitimitetin e zgjedhjeve dhe kemi dokumente të pafundme
Së dyti shtoi Berisha qëllim tjetër është “transparenca jo vetëm që është parim i pakundërshtueshëm, është e drejtë e pakundërshtueshme e çdo individi”.
“Në këtë kuadër, PD jo vetëm që nuk pengon asnjë kandidat të saj, por do i mbështesë, meqenëse ligji nuk i përligj ata dhe duhet mbështetja e partisë në këtë proces, secili që kërkon transparencën, do mbështetet pa asnjë lloj paragjykimi. Partia nuk njeh legjitimitetin e këtyre zgjedhjeve, prandaj po kërkon për çdo qark”, tha Berisha.
I pyetur në lidhje me ndarjen e datës për nisjen e gjykimit për dosjen “Partizani”, Berisha tha se “ne nuk kemi ende në dorë vendimin e marrë nga gjykatësja që ka dërguar çështjen për gjykim”.
“Komenti im është vetëm ky: personalisht ne të interesuarit dhe trupa e mbrojtjes nuk ka gjer sot në dorë vendimin e marrë nga gjykatësja që ka dërguar çështjen për gjykim. Nuk kemi vendimin. A mund të imagjinoni ju? Edhe kjo ndodh. Të gjitha të tjerat do përcaktohen nga konsulta me avoketërit, e cila është jashtë kësaj salle”, tha Berisha.
TIRANË, 11 qershor /ATSH/ Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) ka rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore e cila kërkoi pavlefshmëri të rezultatit të zgjedhjeve të 11 majit për qarkun e Shkodrës, si të pambështetur në ligj dhe në prova.
Në përfundim të shqyrtimit të kërkesës së PD-ASHM-së, KAS me shumicë votash vendosi që të lërë në fuqi vendimin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve për miratimin e tabelës përmbledhëse të votimit për qarkun e Shkodrës, për subjektet zgjedhore dhe kandidatët për deputetë në zgjedhjet për Kuvendin të datës 11 maj.
Në zgjedhjet parlamentare të 11 majit në qarkun e Shkodrës, Partia Demokratike mori 5 mandate deputetësh, Partia Socialiste mori 4 mandate, Partia Socialdemokrate mori dy mandate. /j.p/