Investimet pa transparencë: Katet shtesë dhe 6 kullat e Kastratit te ish-Sheratoni
Në Tiranë, investimet madhore zhvillohen përmes lejeve jo-transparente që shfrytëzojnë agresivisht hapësirën urbane.
Rasti i ish-hotel Sheratonit, i kthyer në një projekt gjigand ndërtimi nga grupi Kastrati, është ilustrimi tipik i këtij modeli ku mungon transparenca.
Në vend të një zhvillimi në harmoni me Parkun e Liqenit, Kastrati gëzoi rritje intensiteti dhe kate shtesë në projektin që nuk pa asnjë herë leje ndërtimi të zbardhur dhe ndryshoi të paktën dy herë në dy vite.
Pamja e re e “projektit të vjetër”
Prej javësh, puna në kantierin e ish-hotel “Sheraton” mes “Arenës Kombëtare” dhe Universitetit Politeknik të Tiranës (UPT) është shtuar ndjeshëm.
Nga lart godina qendrore ka nisur të vishet me konceptin zigzag të fasadës së re modulare, konceptuar nga Marco Casamonti, arkitekti italian që “kullëzoi” ish-stadiumin “Qemal Stafa”.
Hoteli simbol i luksit të Tiranës së fillimviteve 2000 nuk do të ketë më fasadën prej xhami dhe do të rrethohet nga një kompleks prej gjashtë kullash të larta deri në 15 kate.
Në të gjitha anët e kantierit dallohen blloqe të mëdha me materialet e fasadave, të cilat janë ndryshe nga ato që reklamohen në renderat e projektit.

Gjithçka nisi në shkurt të vitit 2018 kur Leonardi, djali i sipërmarrësit Shefqet Kastrati, njoftoi në Instagram marrëveshjen për blerjen e ish-Sheratonit.
“Tashmë ish-hotel Sheraton i përket kompanisë Kastrati, sapo u mbyll transaksioni”, njoftoi ai.
Dy muaj përpara shitjes, kompania amerikane e hotelerisë “Sheraton” hoqi emrin nga hoteli i ”MAK Albania-s” duke zyrtarizuar largimin nga Shqipëria.
MAK Albania u themelua në vitin 1992 nga familja kuvajtiane Mohamed Abdulmohsin Al-Karafi, e cila siguroi nga qeveria e kohës troje dhe incentiva si “investitor strategjik” për zhvillime kompleksesh turistike në Tiranë, Dajt dhe bregdetin e Kavajës.
Pjesë e incentivës ishte dhe trualli buzë Parkut të Liqenit, krah UPT-ës. Familja Al-Karafi nisi ta ndërtojë hotelin në vitin 1993, por mundi ta përmbyllë si një filial të markës së njohur “Sheraton” vetëm në fillimvitet 2000.
Në vitin 2018 mediat raportuan se Kastrati e bleu MAK Albanian për 30 milionë euro. Por kontrata e shitjes tregon se objekti u ble për 18 milionë. Pjesa tjetër ishte garanci për të shlyer borxhet dhe huatë e marra ndër vite.
Bilanci i vitit 2017 tregon se MAK Albania kishte rreth 14.5 milionë euro detyrime, por një kapital prej rreth 95 milionë eurosh (rreth 12 miliardë lekë) asete, ndërtesa dhe troje.
Kjo situatë duket se krijoi mundësinë e një ujde për familjen Kastrati, e cila zuri vendin e oligarkëve kuvajtianë.
Në atë periudhë Kastrati hyri fuqimisht në sektorin e ndërtimeve në kryeqytet me projekte të tjera hotelerie, rezidenciash dhe zyrash, ku spikaste projekti “Downtown One” në rrugën e Elbasanit.
Planet aspak transparente të investimeve
Rreth një vit pas blerjes së ish-Sheratonit, Kastrati siguroi leje zhvillimi nga qeveria për një projekt madhor zgjerimi.
Studiot Archea (Marco Casamonti) dhe X-Plan (Ornela Muçaj) propozuan zgjerimin e hotelit ekzistues dhe ngritjen e gjashtë kullave 7-13 kate përreth.
Koncepti fillestar parashikonte 121 mijë m2 ndërtim (69 665 m2 mbi tokë) në 30,000 m2 truall me intensitet 2.32 dhe koeficient shfrytëzimi 44.3%. Projekti parashikonte parkim 3-4 kate nën tokë.
Leja e zhvillimit u sigurua më 8 nëntor 2019. Qeveria ia delegoi kompetencën e lejes së ndërtimit bashkisë Tiranë, e cila nuk i ka bërë asnjëherë publike këto dokumenta.
Sidoqoftë, ligji detyron ndërtuesin ta shfaqë lejen e marrë në një tabelë të dukshme në kantier. Në rastin e Kastratit, ajo nuk është parë kurrë, as pas datës 10 qershor 2021 kur përfitoi leje të re zhvillimi nga qeveria.
Koncepti i ri në lejen e dytë parashikonte shtimin me rreth 36% të sipërfaqes së ndërtimit mbi tokë (nga 69,665 m2 në 108,827 m2) duke shtuar intensitetin në 3.6, me lartësi deri në 15 kate dhe parkingje 5 kate nën tokë.
Nuk është e qartë se kur bashkia Tiranë ia dha lejen e parë të ndërtimit Kastratit – aq më shumë lejen e dytë – por pamjet satelitore dëshmojnë se në kompleksin e ish-“Sheratonit” vinçi ishte ngritur një muaj para se të jepej leja fillestare e zhvillimit nga qeveria: tetor 2019.
Bashkia e Tiranës, kompania Kastrat dhe studiot e arkitekturës nuk iu përgjigjën kërkesave për informim apo koment të Citizens.al rreth kësaj çështje.

Rasti është i ngjashëm me projektin “Downtown One” te rruga e Elbasanit, po nga Kastrati.
Leja e zhvillimit u dha nga qeveria më 14 prill 2017 për kullë 36 kate me 62,000 m2 sipërfaqe ndërtimi, intensitet 16.26 dhe koeficent shfrytëzimi trualli 45%. Dhënia e lejes së ndërtimit iu delegua bashkisë Tiranë, e cila nuk e bëri publike.
Ajo që dihet është se Kastrati nisi punën paralelisht me gërmimet, që u bënë te ish-parku “7 Xhuxhat” në kuadër të projektit për ndërtimin e parkingut nëntokësor publik.
Projekti në fjalë nisi në janar 2018, rreth tetë muaj pasi Kastrati kishte marrë lejen e zhvillimit për kullën.
Në të njëjtën datë kur përfitoi leje të dytë zhvillimi për ish-Sheratonin, Kastrati përfitoi rishikim të lejes së zhvillimit për “Downtown One”.
Në lejen e re të datës 10 qershor 2021 struktura fitoi 4 kate lartësi, por shtoi vetëm 92 m2 sipërfaqe totale. Për këtë ndryshim Kastrati lëshoi rreth 5% koeficient shfrytëzimi të truallit për qëllime publike për një total prej 60.5%.
Nuk është e qartë se përse është dashur ky rishikim në leje, ku praktikisht nuk është përfituar ndonjë sipërfaqe ndërtimi. Por ka gjasa ajo mund të jetë bërë për të legjitimuar gërmimet jashtë kufirit të pronës në ndërtimin e parkingut të kullës.
Kastrati ka dalë me gërmime deri në rrugën “Fatmir Haxhiu”, pjesë për të cilën ditët e fundit po ripunohet me betonarme (foto 2023; foto 2025).

Shkelje të mundshme konstatohen edhe te projekti i ish-Sheratonit.
Në fillim të vitit 2022 Kastrati rrethoi pjesën para duke vijuar punimet për parkingun nëntokësor.
Pamjet satelitore tregojnë se kompania rrethoi edhe rreth 1,800 metra katrorë përtej rrugës ekzistuese të hotelit. Kjo ndërhyrje nuk ishte parashikuar në asnjë nga dy lejet e zhvillimit – të vetmet dokumente publike.
Një rrugë e re u hap krah UPT-së në atë që hartat e Kadastrës tregojnë të jetë prona 7/18 e Zonës 8160. Kështu Kastrati u zgjerua nëntokë deri në kufi të pronës së tij dhe përfitoi një rrugë që i shkon direkt në hyrjen e parkingut.

Lëvizjet në hije të “investitorëve strategjikë”
Zhvillimi i ish-Sheratonit është nisur nga Kastrati në ortakëri me sipërmarrësin Samir Mane, por sot nuk kuptohet nëse vijon e njëjta ortakëri.
Leja e parë e zhvillimit për ish-Sheratonin përmendte si zhvillues kompanitë e grupit Kastrati (Kastrati Residences dhe Kastrati Hotels & Tower) dhe Mak Elite Offices (MEO) një kompani e themeluar në vitin 2017 nga Balkan Finance Investment Group (Balfin) e sipërmarrësit Mane.
Dokumentet tregojnë se në shkurt 2018 – pra, kur Kastrati bleu ish-Sheratonin – grupi bleu për 700 mijë lekë edhe 50% të aksioneve të Manes te projekti “Downtown One”, të cilat zotëroheshin nga BFI Invest – tjetër kompani e Balfin-it.
Nuk kuptohet qartë se si Balfin është tërhequr nga një projekt si “Downtown One” për kaq pak para, kur për më tepër kishin nisur punimet.
Nga ana tjetër, për MEO-n mund të themi se nuk ka pasur ecuri të gjatë. Kjo kompani e Balfinit rriti kapitalin me rreth 180 mijë euro në vitin 2020 dhe një vit më pas pezulloi dhe çregjistroi aktivitetin.
Balfin nuk iu përgjigj një kërkese për koment nga Citizens.al nëse vijonte të ishte e përfshirë në investimin te ish-Sheratoni, edhe pse në lejen e dytë të zhvillimit ajo nuk përmendet më.
Projekti i Kastratit u reklamua bujshëm nga kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj se do të tërhiqte si filiale markat ndërkombëtare të hoteleve Hyatt dhe Hilton. Në një njoftim në faqen e saj, Hilton thoshte se do të mund të niste punën në mjediset e reja nga fundi i vitit 2023.
Të dy markat ndërkombëtare nuk iu përgjigjën kërkesave për koment nga Citizens.al rreth arsyes së shtyrjes së këtij afati dhe periudhës se kur mund të mbarojnë punimet.
Por, rasti i ish-“Sheratonit” tregon se investimet në zemër të Tiranës nuk janë më çështje zhvillimi, por demonstrim influencash dhe pushteti.
Në një shtet ku ligji vepron selektivisht dhe informacioni mbahet i fshehur, fiton më shumë ai që ka akses te pushteti. Humb qyteti, humbin qytetarët.
The post Investimet pa transparencë: Katet shtesë dhe 6 kullat e Kastratit te ish-Sheratoni appeared first on Citizens.al.