Televizioneve News 24 dhe Panorama iu ndërpre sot sinjali i transmetimit ndërsa policia ndaloi gazetarët e tyre të hyjnë në zyra me arsyetimin se ishin urdhëruar të lironin godinën. Organizatat e medias dhe shoqërisë civile e dënuan rastin si pengim të punës së gazetarëve dhe cenim të lirisë së shprehjes.
Policia ndalon punën e gazetarëve
Në orët e para të mëngjesit të 9 gushtit, policia rrethoi selinë e televizioneve News 24, Panorama dhe mediave të tjera të lidhura me to. Gazetarë, operatorë dhe teknikë u nxorën jashtë dhe u ndaluan të hyjnë, më pas godinës iu ndërpre energjia dhe sinjali i transmetimit.
Në godinën që dikur ka qene “Uzina e Pjesëve të Ndërrimit të Automjeteve” në Shkozë kanë zyrat edhe “BallkanWeb”, “Panorama”, “Panorama Sport” dhe “Gazeta Shqiptare”, pjesë të “Media Focus Group” dhe “Panorama Group” të familjes Hysenbelliu.
Lajmi u bë publik nga vetë gazetarët në rrjetet sociale. Osman Stafa shkroi në Facebook se askush nga stafi nuk u lejua të hynte në vendin e punës apo të transmetonte ngjarjen.
“Kam ardhur për të nisur lajmet dhe gjeta një dyzinë policësh që na penguan të punojmë”, tha përmes një videoje postimi gazetari Klevin Muka.
Drejtoresha e Përgjithshme e News 24, Anila Jole e konsideroi aksionin policor një “sulmi brutal i paprecedentë”. Ajo tha se gazetarët “u trajtuan si kriminelë”.
Konteksti ligjor dhe reagimi i organizatave
Një vendim i qeverisë i datës 12 mars 2025 i kaloi godinën e ish-Uzinës kompanisë shtetërore të prodhimit të armëve KAYO, e cila drejtohet nga ish-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.
Objekti ku ndodhet “News 24” dhe mediat e tjera duket se do të shndërrohet në fabrikë mjetesh dhe logjistike ushtarake. Por procedura e kalimit të pronësisë ka qenë jo-transparente dhe për pretendimet e tyre, palët u janë drejtuar gjykatave.
Televizioni ka qenë qiramarrës prej vitit 2003 në këtë hapësirë, e cila deri në mars 2025 ishte në pronësi të Bashkisë Tiranë.
Aksioni policor i ndërmarrë sot u dënua nga opozita dhe organizatat e medias. Në deklarata të ndryshme përfaqësues të opozitës e konsideruan atë një sulm.
Ndërkohë, “SafeJournalist Albania” paralajmëroi se ky veprim rrezikon lirinë dhe pavarësinë e medias.
“Ky pengim kufizon qasjen e gazetarëve në redaksi dhe pengon aftësinë e tyre për të punuar. Ne po e ndjekim nga afër situatën dhe do të vazhdojmë të monitorojmë zhvillimet,” deklaroi SafeJournalist Albania.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë (UGSH) kërkoi ndërprerjen e veprimeve policore që pengojnë gazetarët.
“Institucionet shtëtërore të mos bllokojnë dhe aq më keq të ndërpresin punën e gazetarëve dhe ndërprerjen e punës raportuese të kanalit të rëndësishëm informuese në hapësirën kombëtare,” u tha në deklaratën e Unionit.
Asosacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) theksoi se policia nuk paralajmëroi mediat, duke i lënë pa kohë për të marrë masa. AGSH kërkoi negociata urgjente që të garantojnë një tranzicion të butë pa ndërprerë punën e rreth 200 punonjësve të medias.
Organizata “Qëndresa Qytetare” kërkoi transparencë mbi operacionin dhe paralajmëroi se liria e medias në vend është në rënie të ndjeshme, kjo e reflektuar prej disa vitesh edhe nga raportet ndërkombëtare.
“Një vend që cenon lirinë e medias është gati të bëjë kurban lirinë e qytetarit”, paralajmëroi ndër të tjera organizata.
Banorët e një fshati të Ersekës ankohen se kullotat e tyre po ua zë një kompani private, e cila ka fituar të drejtën për zhvillimin e një centrali fotovoltaik.
Fshatrat që po thahen nën hijen e paneleve diellore
Të enjten e parë të gushtit, në dalje të Ersekës, Petrit Zeqo na priti në fshatin e tij, Taç i Sipërm, rreth 2.5 kilometra larg qytetit.
Pavarësisht atmosferës së braktisjes, fshati kishte peizazh unik, shtëpi të grumbulluara dhe toka të punuara, ndërsa më në brendësi, një burim i vogël uji shërbente si çezmë publike.
“Këtë e ka sjellë një ushtar, për një vajzë të fshatit”, na tregoi Petriti simbolin e dashurisë së një periudhe tjetër, dëshmi që i ka qëndruar fshatit edhe sot.
Petriti na shoqëroi më tutje, pranë hijes së një arre të madhe ku po na priste një grup banorësh me vështrimin hedhur përballë makinerive të rënda që po sheshonin tokën.
Banorët e fshatit Taç/Citizens.al
Kullota, që banorët e përdornin për bagëtitë dhe si shteg për t’u lidhur me arat e tyre tanimë është shkretuar me dherat e dystuara mbi të.
Një central fotovoltaik, me qëllim prodhimin e energjisë elektrike do të zërë vend pak muaj më vonë. Punonjësit në terren, të shqetësuar nga prania jonë si media, hezitojnë të tregojnë edhe emrin e kompanisë, me justifikimin se “janë veçse punëtorë”.
“Të tëra sinoret, ku kanë qenë e ku janë tani akoma, janë të fshatit me vendim gjykate”, tha për Citizens.al Rrushan Byrekasi, 77-vjeç.
Ndërsa renditi me emra se kujt i përkasin të gjitha ngastrat e tokave të fshatit, Rrushani na tregoi se me kërkesë të pleqësisë dhe një vendim gjyqësor të fillim viteve 2000, kjo kullotë i ka kaluar në bashkëpronësi banorëve të fshatit.
Vendimin na e tregoi Petriti, i cili e kishte printuar si dokument.
“Na jepte të drejtë që kjo pronë që aktualisht këta po e marrin, po e tjetërsojnë, është e jona. Domethënë penalizojnë një fshat dhe favorizojnë privatin. Kjo është e jona, me qitap e me të tëra”, theksoi ai.
Sipas vendimit të 26 tetorit 2001 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kolonjë, 37 banorëve të fshatit ju takon secilit nga 1/37-ta pjesë e barabartë e rreth 522 hektarëve kullota (340.5 ha) dhe pyje (181.8 ha).
“Këtu, ku po bëhet ky punim është baza e blegtorisë që del blegtoria jonë, baza e ujit që marrim, edhe ujë të pijshëm edhe ujit vaditës. Këta po e shkatërrojnë. Jemi të detyruar të shpërngulemi, por s´dimë ku të vemi”, u shpreh i revoltuar Ferdinand Agolli.
Përbri tokës, ku tanimë po kryhen punime për sheshimin e saj, 150 krerë bagëtish të imëta kalojnë njëra pas tjetrës të ndjekura nga një zonjë e fshatit.
“Bëni diçka, nuk kemi ku të çojmë bagëtitë, me këto mbahemi”, na tha ajo, ndërsa ndaluam ta përshëndesnim.
Bashkëshorti, Rakip Agolli, na tregoi se ka 30 vite që merret me blegtori dhe se ky zanat është e vetmja mënyrë jetese për zonën. Centralin fotovoltaik, ai e ndjen si kërcënim për t’u larguar, për aq kohë sa nuk ka hapësira ku të kullosin bagëtitë.
“Kam pasur 300 krerë, tani 150, mot mund të kem dhe 30. Në fillim ishte mirë, nuk kishte vështirësi, kishte hapësirë, kullosnin. Tani ka vështirësi, vetëm me këtë dëmin që po na bëhet, me këtë diellorin, po na vjen në prag të shtëpisë, tani do detyrohemi të ikim,” tha Rakipi.
Sipas kryeplakut të fshatit, Ibrahim Byreku, ky shqetësim është ndjekur edhe në polici dhe pushtetin vendor, mirëpo sipas dokumenteve, kompania ndërtuese është në rregull.
“Kemi disa vendime gjyqi që i kemi pasur me sinore, por aktualisht sot, me dokumentacion (kullotat) nuk janë tonat. Kam vërtetuar dhe firmat dhe të tëra dhe për kaq sa di, ata zotërinjtë e kanë më vulë, me firmë me të tëra”, u shpreh i prerë Ibrahimi.
Në fshat ora kishte mbetur. Tek-tuk shikoje ndonjë shtëpi të re, të ndërtuar nga remitancat e emigrantëve, kryesisht në Amerikë dhe Kanada, ndërsa shërbimet e bashkisë zor se dalloheshin.
Vendgrumbullimi i mbeturinave në fshatin Taç/Citizens.al
Kjo kuptohej nga kodrat e krijuara me plehrat, të cilat sipas banorëve herë pas here digjen, pasi askush nuk vjen t’i marrë.
Ndërhyrjet e makinerive për të sistemuar kullotën për parkun e energjisë diellore dukej se kishin shkaktuar dëme në kanalin vaditës të fshatit.
“Vit për vit pastrohej nga ana e bashkisë, tani nuk na vjen më uji. Kopshtet që mbillnim një domate, një piperkë, sivjet e kemi problem për ujin. Kjo ka ardhur nga devijimi i punimeve që kanë bërë atje”, tregoi Rakip Agolli.
Procedura jo transparente për parqet diellore
Trokitjes sonë për informacion nisur nga shqetësimet e banorëve, bashkia Kolonjë iu përgjigj: “Nënkryetarja është në mbledhje dhe nuk mundet të përgjigjet”, ndërsa na referoi ti adresonim pyetjet me shkrim.
Të dhënat e shqyrtuara nga Citizens.al tregojnë se 27.6 hektarë kullota të fshatit Taç u proceduan për t’u dhënë me qira në kohën kur vendi ishte në fushatë zgjedhore për zgjedhjet lokale të vitit 2023.
Më 3 maj 2023, Bashkia Kolonjë i propozoi Këshillit Bashkiak dhënien e tyre me qira për projekte energjetike. Po atë ditë u shqyrtuan edhe dy kërkesa të tjera po për qëllime energjetike për kullotat dhe pyjet në Rehovë dhe Selenicë, duke e çuar totalin në 127 hektarë.
Punimet për centralin fotovoltaik në kullotat e fshatit Taç/Citizens.al
Afati i përdorimit u vendos 10 vjet, me qira minimale 2,100 euro për hektar në vit – rreth 60 mijë euro në vit për parcelën në fshatrat Taç-Agalli.
Sipas të dhënave të Open Data Albania, tenderi i 12 qershorit 2023 pati vetëm një ofertues: kompania “Get Solar Solution”, e cila ofroi pikërisht çmimin dysheme dhe fitoi, pavarësisht mungesës së konkurrencës.
E njëjta praktikë u ndoq edhe për rreth 100 hektarë kullota në Rehovë dhe Selenicë, të cilat iu dhanë kompanive MET Invest dhe Kail Energy.
Më 30 prill 2025, qeveria miratoi projektin e “Get Solar Solution” për central fotovoltaik me kapacitet 24 MW dhe afat operimi 49 vjet.
Një televizion shqiptar përdori inteligjencën artificiale (AI) për të gjeneruar titullin e një lajmi, por pa ia bërë të ditur publikut. Sidoqoftë kjo praktikë i doli zbuluar pasi në tekstin e artikullit, padashur, përfundoi edhe vetë kërkesa e bërë.
“Më jep një titull për këtë: Skema e re e bonusit të bebes, nga viti që vjen pritet të ndryshojë, duke nisur pagesa mujore deri në moshën 5-vjeçare,” ishte hyrja e lajmit në fjalë ku dallonte kërkesa. Artikulli u korrigjua pak kohë më vonë pas botimit.
Raste të tilla, ku artikujt shkruhen apo asistohen me AI, po bëhen më të shpeshta.
Ndërsa AI po transformon rrënjësisht mënyrën se si krijohet dhe shpërndahet informacioni mediat shqiptare, por jo vetëm, ndodhen në një moment kyç përballë sfidave: etike, të cilësisë së informacionit dhe luftës kundër dezinformimit.
Oliverda Allmuca, gazetare pranë televizionit MCN tha për Citizens.al se e ka përdorur AI-në për të marrë informacion apo përpunuar të dhëna.
“Në rastet kur ka raporte voluminoze, përmbledhja e të dhënave sasiore, pra shifra dhe statistika bëhet me vlerë dhe kursen kohë”, tha ajo.
Megjithatë, për rastin në fjalë Oliverda tha se nuk e kishte vendosur në dijeni publikun, pasi materialin e publikuar nuk e kishte zhvilluar tërësisht me AI.
“…sepse nuk kam formësuar pjesë të informacioenve përfundimtare, por vetëm ndihmë në procesin e kuptueshmërisë për mua”, saktësoi gazetarja.
Ngjashëm edhe Ledina Elezin, gazetare pranë televizionit SCAN, tha për Citizens.al se nuk e përdorte shpesh AI-në për të shkruar artikuj.
“Të vetmet raste që e përdor është kur kam ndonjë koncept teknik dhe dua që të ma bëjë më të qartë mua, pra ta kuptoj unë. Në shumë raste bën gabime, prandaj përpiqem të mos e përdor”, theksoi Ledina.
Ndryshe, Isa Myzyraj, gazetar pranë televizionit Ora News, flet me mbresa për përvojën me AI-në, pavarësisht se ai thekson se zakonisht nuk e përdor për punë.
“Po e kam përdorur në dy raste, hera e parë ka qene sapo doli, për provë kryesisht, dhe herën e dytë për një titull lajmi. Le të tregohem i sinqertë, kam mbetur i mahnitur me rezultatin”, u shpreh Isa.
Duke komentuar rreth kësaj çështjeje për Citizens.al, gazetari dhe studiuesin e medias Lutfi Dervishi, thotë se në radhët e gazetarëve ka hipokrizi.
“AI përdoret, por fshehurazi. Si struci!” theksoi Dervishi, sipas së cilit inteligjenca artificiale kërkon që të jesh i përgatitur pasi është “një terren që ndesh të reja çdo ditë”.
“Ka kureshtje padyshim, ka dhe keqpërdorim, por mungojnë dijenitë dhe nuk ka debat se deri ku mund të përdoret”, vijoi ai.
Sipas Dervishit nuk ka kufi të qartë mes “asistentit virtual” dhe “skllavit” që zbaton çdo urdhër që ti i jep.
“Hapi i parë është që duhet pranuar se po e përdorim, më pas të nisë debati si? Deri ku? Cilat janë kufijtë? Përfitimet? Rreziqet? Protokollet?”, analizoi Dervishi.
Zakonisht pas përpunimit të një teksti, apo materiali gazetaresk, AI i pyet përdoruesit nëse dëshirojnë që ta ripërpunojë më tej me një mesazh të ngjashëm si:“Nëse dëshiron, mund të ta përgatis ketë në format revistash, ese akademike, ose version të shkurtuar për botime edukative. Si dëshiron ta përdorësh këtë material?”
Dervishi tregoi se kishte hasur plot raste ku edhe redaksive serioze të vendit, në fund të shkrimeve të botuara, u kishin shpëtuar kërkesa të tilla të AI-së për përmirësimet e teksteve.
Mungesa e rregulloreve dhe transparencës me publikun
Përtej zhvillimit të teknologjisë dhe mundësisë së përdorimit të AI-së për të thjeshtuar procese apo për të shkurtuar kohë pune, redaksitë e mediave shqiptare duket se nuk janë dhe aq miqësore me të.
“Platforma si ChatGPT ose të ngjashme, janë bllokuar në serverët e kompjuterëve redaksionalë. Sipas udhëzimit, procesi i përdorimit të inteligjencës artificiale shkakton dëm serioz në memorie dhe dobëson kreativitetin”, tha Oliverda për redaksinë e MCN-së.
Sipas saj, në politikat e ndjekura në këtë televizion, AI nuk mund të zëvendësojë gazetarin, stilistikën e tij dhe rolin e tij kritik. Për këtë arsye, ajo e përdor AI-në vetëm në punë jashtë redaksisë.
Situata përshkruhet e njëjtë edhe në televizionin SCAN nga Ledina Elezi.
“Nuk kemi ndonjë udhëzim ose rregullore në redaksi, por ekziston një lloj stigme në rast se përdoret”, tha Ledina.
Ajo solli në vëmendje edhe rastet kur kolegë të saj e kishin përdorur për të gjeneruar foto për webin.
“Në ato raste nuk është vënë në dijeni publiku. U përdor vetëm tre herë dhe jo më, sepse kolegu mori kritika nga drejtori”, u shpreh më tej Ledina.
Edhe Isa tregoi se në redaksinë e Ora News nuk ka një rregullore apo udhëzim për përdorimin e AI-së si për tekstet, edhe për fotot apo videot, ndërsa shprehet se ka vënë në dijeni publikun kur e ka përdorur për materiale të postuara në llogaritë e tij sociale, apo punë jashtë televizionit.
Për Koloreto Cukalin, drejtues i Këshillit Shqiptar të Medias (KSHM), është e vështirë të besohet se, përpos halleve dhe streseve të përditshme, ndonjë media shqiptare t’i ketë kushtuar kohë hartimit të një udhëzuesi.
“Edhe pse besoj ka media dhe e di që ka media që mund ta kenë diskutuar nëpër redaksi, nuk besoj se ka një rregullore të mirëfilltë”, theksoi ai për Citizens.al.
Sipas Cukalit, është shumë e rëndësishme që të ketë transparencë nga mediat për publikun, sa herë përdoret AI.
“Standardi që po përdoret dhe që po promovohet gjerësisht në media ndërkombëtare është që kur ka një tekst të përkthyer me AI duhet të bëhet i ditur në fund, duhet treguar që është bërë me ndihmën e AI-së” vijoi drejtuesi i KSHM-së.
Megjithatë, edhe për këtë lloj transparence ka disa nivele, sipas Cukalit.
“Nëse ti e përdor inteligjencën artificiale vetëm për të bërë kërkime, por shkrimin e ke bërë vetë, sigurisht që nuk është e nevojshme ta vësh, sepse ti nuk ke përdorur ‘searching’ e Google-it, por ke përdorur AI-në për të bërë kërkime për dokumente të ndryshme”, vijoi Cukali.
Për Lutfi Dervishin, përdorimi i AI-së nuk mund të shihet si armik.
“Mund ta rrisë cilësinë nëse përdoret me mend: kërkim më i shpejtë, përmbledhje informacioni/dokumentesh, transkriptime, vizualizime të dhënash, ide për këndvështrime të reja, korrigjim të tekstit për gabime ortografike”, shtjellon Dervishi.
Megjithatë, sipas tij cilësia vritet kur ia dorëzon filtrin editorial “makinës”.
“Duke huazuar një koncept të Yuval Hararit, algoritmi ka zëvendësuar redaktorin. Ti konsumon jo atë që ka përzgjedhur redaktori, por atë që të shfaq algoritmi. Sfida është që kontrolli përfundimtar të jetë në dorë të njeriut dhe jo të AI-së”, përfundoi Dervishi.
Krijimtaria artificiale sipas AI-së.
Dezinformimi dhe sfida e përballjes me një realitet të ri
Koloreto Cukali shpjegon se dezinformimi nuk është diçka e re, përpos terminologjisë që mund të jetë e tillë. Sipas tij nevojitet që krahas zhvillimeve të përgjithshme të zhvillohet edhe vetë publiku “për mënyrën se si e merr, kërkon dhe jep informacionin”.
Për këtë, ai argumenton se nëse nuk rregullohen disa marrëdhënie, nuk mund të ketë një përmirësim apo adresim të kësaj prirjeje.
“[…] ca marrëdhënie që kanë të bëjnë me ekonominë e mediave së pari, me kontributin e publikut në këtë ekonomi së dyti, dhe me edukimin e publikut, për të kuptuar se si funksionon etika në lajme dhe se si funksionojnë të gjithë këto elementë të dezinformimit, unë nuk pres ndonjë përmirësim ose adresim të këtij fenomeni”, argumentoi Cukali.
Për gazetarët, përballja me materiale të rreme të gjeneruara me AI-në është tanimë e përditshme. Ky ekspozim duket se ka bërë që ata të fitojnë përvojë për t’i kuptuar më mirë.
“Nëse ka personazhe, shoh kryesisht duart ose këmbët, ku zakonisht janë gabimet më të zakonshme të AI-së. Mund të kontrolloj edhe aspektin fizik, pra hijet, mund të kontrolloj kohën kur është realizuar, ose nëpërmjet platformave që bëjnë ‘check AI’, kontrolloj burimin e fotografisë”, u shpreh Oliverda.
E njëjta përballje me fotot apo videot e gjeneruar me AI vjen edhe për Ledinën.
“Në rastin e fotove, zakonisht cepat janë më të lëmuar, qoftë në rastin e njerëzve ose të objekteve dhe mund të ketë ndonjë deformim të vogël ose diçka që nuk bën sens në foto” thotë ajo.
Ndërsa për tekstet sipas Ledinës, ka disa fjalë tipike që përdoren vazhdimisht.
“Ndodh që të përdorë edhe shumë mbiemra cilësorë. Shpjegimi është gjithashtu i ndarë në pika kryesore” vijon Ledina.
Për Oliverdën, kur vjen puna te të dalluarit të tekstit, është më komplekse.
“Zakonisht përpiqem të shoh burimin nga vjen ky material, sa i besueshëm është ose nëse është një personazh, kërkoj për profile zyrtare”, tha Oliverda.
Isa kujton raste të përdorimit të AI-së gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet qendrore të 2025-ës. Sipas tij ajo që i dallonte ishte një mënyrë e përdorimit të fjalëve, sintaksës, apo pikësimit që të linte ta kuptoje se “nuk është shkruar nga një njeri”.
Sipas tij AI ka një potencial të madh për të përhapur dezinformim në mënyrë masive dhe të sofistikuar.
“Teknologjitë si gjenerimi automatik i teksteve, imazheve dhe videove mund të krijojnë përmbajtje bindëse e të vështirë për t’u dalluar nga ajo autentike. Në duar të gabuara, kjo mund të shfrytëzohet për të manipuluar opinionin publik, për të krijuar narrativë të rreme ose për të ndikuar procese demokratike”, u shpreh Myzyraj.
Për Oliverdën, përballja me dezinformimin është sfidë e përditshme në punën si gazetare, por edhe si një publik që konsumon informacione në rrjet. Ndërsa sipas saj mungon edukimi për median.
Ndërkohë, Lutfi Dervishi është i mendimit se AI e ka bërë gënjeshtrën, manipulimin dhe propagandën më të lirë, më të shpejtë dhe më të personalizuar.
“Kemi ‘deepfake’ audio e video, profile sintetike dhe tekste që duken ‘gazetareske’”, shprehet ai.
Sipas Dervishit, në Shqipëri problemi shumëfishohet nga tregu i vogël, presioni i klikimeve dhe mungesa e redaktoreve.
“Sot po shikoja disa komente të përdoruesve në TikTok që habiteshin sa mire ‘flet’ një bebe dhe çfarë logjike ka dhe nuk e kuptonin se video ishte përgatitur me AI”, u shpreh Dervishi, ndërsa shtoi se audienca në Shqipëri nuk është edukuar për AI-në.
Këtë këndvështrim e ndan edhe Koloreto Cukali, ndërsa shprehet se shtimi i kapaciteteve të reja për të krijuar dezinformim e ndërlikon më tepër situatën dhe rrezikun.
“Publiku është i papërgatitur për t’u mbrojtur dhe të mos harrojmë që ndërkohë kemi një publik që ishte shumë vulnerabël, shumë i brishtë ndaj dezinformimit”.
AI dhe nevoja për të ndërhyrë në Kodin e Etikës
Duke pasur në vëmendje ndryshimet teknologjike dhe ndikimin e tyre në punën e gazetarëve, një grup ekspertësh janë duke ndërhyrë në Kodin e Etikës së gazetarit për ndërtimin e një udhëzuesi për përdorimin etik të inteligjencës artificiale.
Sipas Koloreto Cukalit, përdorimi i AI-së kërkon një manual se sa një rregullim etik.
“Një doracak për të treguar se si duhet përdorur, për të përcaktuar disa rregulla të përdorimit nga ana e gazetarëve. Është një fushë që është akoma në eksplorim e sipër meqenëse edhe vet AI është në zhvillim të vazhdueshëm. Edhe etika në raport me të është në evolucion”, u shpreh ai.
Në pikën dedikuar AI-së në Kodin e Etikës ku tanimë po ndërhyhet, thuhet se gazetarët dhe redaksitë e lajmeve mund ta përdorin AI-në në mbledhjen, krijimin dhe shpërndarjen e përmbajtjeve duke respektuar transparencën, përgjegjësinë, masat mbrojtëse etike dhe duke pasur një mbikëqyrje njerëzore.
Sipas Lutfi Dervishit, shtimi i kësaj pike në Kodin e Etikës u bë pasi mungonte detyrimi i qartë për transparencë, kur përdoret AI-ja ndaj duhej ndalimi i manipulimeve që mund të mashtrojnë publikun.
“Na duhej një kornizë për privatësinë, burimet dhe përgjegjësinë editoriale. Pra pyetja/dilema e vjetër: (di)kush mban përgjegjësi!? Apo jo?”, u shpreh Dervishi.
Megjithatë, sipas tij, ky është vetëm hapi i parë, pasi hapi i radhës është zbatimi.
Shënim: Titulli i artikullit është sugjeruar nga AI.
Qytetarë dhe aktivistë u mblodhën në orët e para të mëngjesit të sotëm para Prefekturës në Vlorë për të kërkuar largimin e dy termocentraleve (TEC) lundruese nga porti i peshkimit. Kjo është e disata herë që protestohet për këtë çështje që prej vitit 2022.
Protesta, e thirrur nga mjedisori Lavdosh Ferruni, nisi me thirrje për anulimin e kontratave të qirasë dhe largimin e dy anijeve që prodhojnë energji me djegie.
“Gjiri i Vlorës është i yni, TEC-et janë të maskarenjve”, apo “SPAK ndalo peshkaqenët me kravatë!” ishin disa nga pankartat e grupimit qytetar të quajtur “Aleanca për Vlorën”.
“Këto TEC-e nuk duhen për Shqipërinë, sepse nuk ka nevojë, ka energji hidrike, energji djellore, ere, këto duhen që të shkojnë në Itali, Greqi, pra Shqipëria të punojë për vendet e tjera,” tregoi Ferruni për Citizens.al, teksa theksoi se kjo qasje është një lloj kolonializmi ndaj shtetit shqiptar.
“Protestoj për të mirën e Vlorës, për pastërtinë e saj dhe të ardhmen e fëmijëve tanë, ekonominë e tyre, sepse këto përbindsha korruptues tërheqin para nga buxheti i shtetit,” u shprej aktivistja Lela Qejvani për Citizens.al
Grupi i qytetarëve kërkoi takim me Prefektin, Plator Nesturi, apo përfaqësues tjetër, por nuk mori përgjigje pozitive.
Pas kësaj ata marshuan drejt portit të peshkimit ku janë ankoruar dy TEC-et lundruese. Njësoj, edhe atje, qytetarët nuk u pritën nga asnjë përfaqësues i kompanive, pavarësisht thirrjeve.
Dy TEC-et e mbiquajtura “Tigri 1” dhe “Tigri 3” mbërritën në Gjirin e Vlorës në janar 2022. Ato u ankoruan në portin e peshkimit, njohur edhe si Triport, që ndodhet në Pyllin e Sodës, pranë zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë.
Ardhja e tyre nga Bangladeshi u justifikua nga qeveria si zgjidhje për krizën energjetike që parashikohej të kaplonte Evropën pas përshkallëzimit të konfliktit ushtarak Rusi-Ukrainë.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, premtoi se dy anijet e marra me qira për dy vite nga kompanitë Excelerate Energy dhe Renco do të ishin të mjaftueshme për ta përballuar krizën. Në media u raportua se marrëveshja u mbështet nga përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Sipas marrëveshjes, qiraja dhe mirëmbajtja kushtojnë përkatësisht 63,000 dhe 31,500 dollarë në ditë, për një total prej 94,500 dollarësh çdo ditë, edhe nëse nuk prodhojnë energji.
Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) ka deklaruar se pagesat do të nisnin vetëm pas “komisionimit të suksesshëm” të pajisjeve, por ajo nuk ka publikuar ndonjë verifikim zyrtar nëse ky moment është arritur apo jo.
Ndërkohë, dy ndezje prove janë raportuar deri më sot: në gusht 2024 dhe shkurt 2025, por në asnjërën prej tyre nuk është raportuar prodhim energjie për rrjetin, teksa mjedisorët kanë ngritur shqetësim për mungesë transparence për procedurën.
Sipas Ferrunit, pagesat kanë nisur prej shtatorit 2024. Për këtë ai i referohet një dalje televizive të ministres Balluku, pas “komisionimit” të TEC-eve. Prej asokohe, sipas tij, qeveria paguan sistematikisht qiranë.
“Çdo muaj bëhet një pagesë ‘off-shore’ rreth 3 milionë euro,” u shpreh Ferruni për Citizens.al.
Mjedisorë dhe qytetarë të Vlorës e kanë paditur marrëveshjen e TEC-eve në gjykatë dhe seanca e radhës, e cila pritet të jetë përfundimtarja, parashikohet të zhvillohet më 22 shtator.
Ilustrim grafik nga protesta kundër TEC-eve lundruese, Vlorë/Citizens.al
Rreziku mjedisor dhe paditë ndaj aktivistëve
Aktivistët dhe organizatat mjedisore kanë denoncuar që në fillim potencialin ndotës të TEC-eve lundruese, të cilat funksionojnë me naftë të rëndë dhe ndodhen pranë vijës bregdetare.
Sipas tyre, bloza e sedimentuar në tokë rrezikon Pyllin e Sodës, po ashtu edhe produktet bujqësore të fshatrave pranë.
Mjedisori Lavdosh Ferruni ka shprehur shqetësimin e impaktit që TEC-et mund të kenë edhe në botën e gjallë ujore, pasi uji që përdoret për ftohjen e motorëve të anijeve shkarkohet në det. Kjo mund të shtojë temperaturën e ujrave duke rrezikuar faunën detare në një hapësirë të gjerë.
“Nuk e japim Vlorën!“ apo “TEC fosil, largohu!“ kanë qenë disa nga thirrjet e para të protestave, të cilat kanë qenë të vazhdueshme që pas projekteve me rrezikshmëri të ngjashme si Petrolifera apo dhe vetë TEC-i i Vlorës, i cili ndodhet rreth 500 metra larg portit të peshkimit.
Por, përveç shqetësimeve mjedisore, disa prej aktivistëve janë përballur edhe me sulme personale dhe paditje.
Në vitin 2022, Ferruni u padit nga kompania italiane Renco për shpifje, pas një artikulli ku ai ngrinte shqetësime për lidhje të mundshme të kompanisë me struktura mafioze në Itali.
Por në vitin 2024, gjykata vendosi në favor të Ferrunit, duke e shpallur të pabazë padinë ndaj tij.
Citizens po përgatit një raport mbi kostot e pushimeve në bregdetin shqiptar.
Sa kanë mundësi të pushojnë shtresat e ndryshme sociale sot në Shqipëri, si pensionistët apo punonjësit me të ardhura të ulëta? Sa janë rritur kostot e pushimeve krahasuar me vitet e mëparshme dhe sa të përballueshme janë çmimet në raport me pagat?
Nëse keni një përvojë që mendoni se ka vlerë për këtë raportim, ju ftojmë të plotësoni pyetësorin më poshtë.
Në serinë e katërt të sezonit të katërt të podkastit “Zëra”, gazetarja Erisa Kryeziu trajton me gazetarin dhe studiuesin e medias Emirjon Senja formësimin e realitetit ku jetojmë përmes përdorimit të inteligjencës artificiale.
Në bisedë trajtohen çështje sikurse dezinformimi dhe se si duhet të mësohemi ta dallojmë atë dhe të mbrohemi prej tij; si mund gazetarët dhe punonjësit e medias të përdorin AI pa ndikuar në origjinalitetin dhe etikën e informacionit dhe po ashtu u sollën raste konkrete ku foto apo video të pavërteta të gjeneruara me AI kanë spikatur në narrativën publike.
Emirjon Senja, i angazhuar prej vitesh si gazetar dhe njohës i fushës së medias sjellë në bisedë një perspektivë personale sa i takon përdorimit të AI, por edhe të përgjithshme kur bëhet fjalët për mënyrën se si ne si qytetarë duhet ti qasemi informacionit ditët e sotme.
Sipas Senjës nëse më herët flisnim për foto të manipuluara, sot kemi video me figurë dhe zë të manipuluar.
“Unë besoj që e gjithë shoqëria nuk është ende gati për t’u përballur me këtë fluks të madh informacioni në radhë të parë, informacioni të manipuluar në radhë të dytë dhe me këtë potencial të jashtëzakonshëm që ka AI e bashkangjitur edhe me potencialin që kanë algoritmet në rrjetet sociale për të targetuar në mënyrë të shpejtë audienca të mëdha”, u shpreh Emirjon Senja në bisedën në “Zëra”.
Sipas tij me përdorimin e AI edhe format e dezinfomimit janë sofistikuar, duke ndikuar në vendimmarrje, votë apo krijimin e një perceptimi të gabuar për një çështje të caktuar. Për këtë arsye, është shumë e rëndësishme të dyshojmë gjithçka lexojmë dhe shikojmë.
“Gjithmonë për këtë sugjeroj bërjen e një liste të shkurtër të mediave që ti i beson. Dy media, tre media”, u shpreh Emirjon Senja.
Sipas Senjës, duhet të ndajmë informacionin që kemi parë në rrjetet sociale me atë që kemi lexuar në një media të caktuar, qoftë në televizon apo edhe online.
“Jo gjithçka që del në ekran është domosdoshmërisht e vërtetë. Pra nuk jemi më në kohën që e pashë ne televizor dhe kjo është e vërtetë”, deklaroi Senja.
Në kohën kur inteligjenca artificiale është bërë pjesë e pandashme, media ka një rol t shtuar në verifikimin e informacionit dhe në qartësimin e tij për publikun.
“Me Institutin e Medias kemi bërë një udhëzim për mënyrën se si duhet të përdoret përmbajtja e gjeneruar nga inteligjenca artificiale dhe një ndër pikat është që media duhet të vendosë një shënim në foto ose në tekst kur kemi të bëjmë me një përmbajtje të prodhuar e inteligjencë artificiale”, tha Emirjon Senja në “Zëra”.
Sot, edhe vetë platformat janë përshtatur me zhvillimet teknologjike.
“Edhe nëse mediat sot nuk duan ta bëjnë këtë gjë, vetë platformat, rasti më i fundit është META , në momentin që percepton që një imazh, një përmbajtje është prodhuar me AI, nuk të lejon që ti ta publikosh nëse nuk bën një shënim atje që imazhi i prodhuar me AI dhe e shënon këtë gjë”, solli në vëmendje Senja.
Në radhët e gazetarëve, përdorimi i AI tanimë është i pashmangshëm, mirëpo Senja e sheh si një mjet që ndihmon në punën e tyre, duke kërkuar që të respektohen parimet e etikës, transparencës dhe mbikëqyrjes njerëzore.
“Do të funksionojnë, do të funksionojnë!” deklaronte kryeministrja italiane Giorgia Meloni në fund të vitit të kaluar, duke iu referuar kampeve për emigrantët e paligjshëm në Gjadër. Por përmes një vendimi të marrë më 1 gusht në Luksemburg, Gjykata Evropiane e Drejtësisë (GJED) i ka vënë në pikëpyetje themelet ligjore të këtij projekti të dakordësuar me qeverinë Shqiptare të Edi Ramës.
Në çështjet e bashkuara “C‑758/24 Alace dhe C‑759/24 Canpelli” GJED i referohet caktimit të një vendi origjine si “i sigurt”, një koncept kyç në procedurat e përshpejtuara të azilit, të përdorura nga Italia për dëbimin e emigrantëve të dërguar në Shqipëri.
Sipas gjykatësve evropianë, çdo shtet anëtar ka të drejtë të hartojë një listë të vendeve të sigurta të origjinës, por kjo vendimmarrje nuk është absolute. Ajo duhet të mbështetet në të dhëna të qarta, të dokumentuara dhe të aksesueshme, dhe të jetë e kontrollueshme nga proceset gjyqësore.
“Për të justifikuar përjashtimin e një aplikimi për azil si të papranueshëm, shpallja e një vendi si i sigurt duhet të bazohet në informacion të aksesueshëm dhe të kontrollueshëm, si nga kërkuesi i azilit, ashtu edhe nga gjykata,” thuhet në deklaratën për shtyp të GJED.
“Qeveria e harton listën. Gjykatat e verifikojnë”, theksohet në përmbledhjen e vendimit të lexuar nga kreu i gjykatës Koen Lenaerts.
Rasti nga Bangladeshi dhe reagimet për GJED-në
Rasti që çoi në këtë vendim të GJED-së kishte të bënte me dy shtetas nga Bangladeshi, të transferuar në Gjadër pasi kishin kërkuar azil në Itali, por që kërkesa iu ishte refuzuar përmes procedurave të përshpejtuar.
Refuzimi bazohej në një vendim të vitit 2024, ku qeveria italiane e kishte përfshirë Bangladeshin në listën e vendeve të sigurta. Por vendimi nuk i specifikonte burimet e përdorura për të vlerësuar nivelin e sigurisë në atë shtet.
Kjo sipas GJED pengoi kërkuesit e azilit dhe gjykatat të verifikonin besueshmërinë e listës së qeverisë italiane, duke e bërë procedurën jo të drejtë nga ana ligjore.
Vendimi i GJED-së shkaktoi reagime të forta politike në Itali. Kryeministrja Meloni, nga një takim në Turqi, akuzoi gjykatën evropiane për tejkalim të kompetencave:
“Sërish gjyqësori, kësaj here ai evropian, pretendon hapësira që nuk i përkasin, për çështje që janë ekskluzivisht politike”, thuhej në deklaratën e kryeministres italiane.
Ndërkohë, opozita reagoi me akuza për dështim të projektit “Meloni-Rama” dhe keqmenaxhim të fondeve.
Elly Schlein, kryetare e Partisë Demokratike të Italisë, e quajti investimin në kampet e Shqipërisë “shpërdorim të 800 milionë eurove” që, sipas saj, mund të ishin përdorur për shëndetësinë.
Giuseppe Conte, i Lëvizjes 5 Yjet (M5S), e cilësoi vendimin “të parashikueshëm” dhe kritikoi Melonin për “propagandë boshe” dhe “viktimizim të qëllimshëm”.
Vendimi i GJED-së do të ketë efekt deri më 12 qershor 2026, kur pritet të hyjë në fuqi rregullorja e re e BE-së si pjesë e Paktit për Migracionin.
Edhe pse për momentin ndikimi real është i kufizuar – rreth 150 emigrantë janë sjellë në total në Gjadër nga viti i shkuar, – kjo vendimmarrje ngre dyshime serioze për ligjshmërinë afatgjate të modelit italo-shqiptar për “përpunimin e shpejtë të kërkesave për azil”.
Premtimet dhe aksionet e qeverisë për lirimin e plazheve të zaptuara dhe kthimin e tyre në plazhe publike nuk u shoqëruan me investime në këto zona.
Teksa qytetarët shprehen se preferojnë të pushojnë në plazhe publike për arsye ekonomike, ata janë të pakënaqur me cilësinë dhe shërbimet në këto plazhe.
Papastërtia, ndotja, mungesa e infrastrukturës dhe aksesit mbeten problemet kryesore, ndërsa personat me aftësi të kufizuara vazhdojnë të jenë të përjashtuar nga pushimet në det.
“Papastërti dhe mungesë aksesi”
Përmes një pyetësori i online, Citizens mblodhi perceptimin e qytetarëve sa i përket plazheve publike.
Shumica u shprehën të pakënaqur për pastërtinë në vijën bregdetare, hapësirat e pakta publike, mungesën e aksesit, parkimeve dhe shërbimeve. Disa prej tyre, thanë se kjo gjendje i ka shtyrë që të zgjedhin plazhet private, ose dhe të pushojnë jashtë shtetit.
“Aty ku ka plazh publik nuk ke ku parkon dhe nuk ka asnjë shërbim,” u ankua një qytetar në pyetësorin e Citizens.al.
“Kanë kthyer edhe plazhin publik në gjysmë-privat, duke ngulur çadra e zhezlongë që nuk i heqin kur largohen, i lënë aty për ditën e nesërme,” u shpreh një tjetër pushues i revoltuar.
Pamje nga plazhi publik i Currilave, Durrës, korrik 2025/Citizens.al
Jonida Velia, pushuese në Vlorë, sheh me të njëjtin shqetësim mungesën e plazheve publike me mungesën e sigurisë dhe infrastrukturës. Në këtë pikë, ajo thekson si problematike mungesën e rojeve në stacionet e plazheve, shërbimeve bazike dhe stafeve të trajnuara.
“Çmimet janë rritur, por cilësia ka mbetur e ulët. Papastërtia, mungesa e sigurisë. Nuk kam hasur asnjë roje plazhi,” tregoi ajo për Citizens.al teksa përmendi se kjo mungesë ndihej më shumë në plazhin ku pushonte, pasi frekuentohej nga familjarë.
Sipas Jonidës, duhet të ketë barazi mes plazheve publike dhe private ndërsa higjiena dhe shërbimi me stafe të trajnuara mbeten pika ku duhen investuar.
“Çdokush meriton pushime, por jo të gjithë mund t’i përballojnë çmimet e shezlongëve nga 10-100 mijë lekë,” theksoi ajo.
Mungesa e infrastrukturës së përshtatshme dhe shërbimeve të duhura duket se i shton arsyet për ta konsideruar plazhin publik një alternativë të dytë.
Mjalinda, tregoi me pakënaqësi për Citizens.al se zgjodhi të pushojë në Greqi këtë verë, pasi qasja në plazhet publike shqiptare, sipas saj, është “e kufizuar” dhe ndotja “shumë e lartë”, sidomos nga kanalizimet e ujërave të zeza, të cilat derdhen në bregdet.
“Në periudha të ndryshme, gjatë sezonit veror, mban erë të keqe,” tregon Majlinda për situatën e plazheve pranë portit të Durrësit.
Një qytetar tregoi në pyetësorin e Citizens.al se ngjashëm, ndotje, ka edhe Zvërneci në Vlorë me “plazhe të lira plot, por mbushur me mbeturina dhe xhama.”
Pamje nga plazhi publik i Currilave, Durrës, korrik 2025/Citizens.al
Përballë këtij perceptimi të qytetarëve Citizens.al iu drejtua me kërkesa për informacion njësive vendore bregdetare, të cilat administrojnë plazhe publike. Prej tyre dha përgjigje vetëm Bashkia Durrës.
Në total, në 14 zona plazhesh – nga Shetaj, Gjiri i Lalzit, Hamallaj, Porto Romano, Currilat etj. – Durrësi numëron zyrtarisht rreth 800 parcela të ndara mes resorteve (5%; 34), hoteleve dhe restoranteve (70%; 564) dhe plazheve publike (25%; 206).
Bashkia pranon se nuk ka buxhet të dedikuar për mirëmbajtjen e plazheve, por thekson se pastrimi i tyre bëhet nga privatët për parcelat e dhëna në përdorim, dhe nga Ndërmarrja Komunale për plazhet publike.
Ajo deklaron për marrjen e masave administrative kundër zaptuesve, por rezultatet mungojnë.
Agjencia Evropiane e Mjedisit (EEA) renditi Shqipërinë të fundit në Evropë për cilësinë e ujërave. Vetëm 16% e plazheve shqiptare u vlerësuan me ujë “të një cilësie të shkëlqyer”.
Situata është e përsëritur edhe në vitet e kaluara. Të dhënat e raportuara nga Citizens.al gjatë verës së 2024, paralajmëronin për një gjendje të përkeqësuar.
Ekspertët e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM) nënvizuan asokohe mungesën e investimeve në trajtimin e ujërave të ndotura, shkarkimet e pakontrolluara urbane dhe mungesën e një kalendari të qëndrueshëm monitorimi si shkaqet kryesore.
Në terren situata vazhdon të jetë e njëjtë, ndotja është e dukshme dhe hapësirat publike janë shpesh të padukshme për qytetarët dhe me mungesë shërbimesh.
Pamje nga plazhi publik i Currilave, Durrës, korrik 2025/Citizens.al
Plazhi, “tokë e ndaluar” për personat me aftësi të kufizuara
Nga raportimet e qytetarëve kuptohet se plazhet publike vuajnë për infrastrukturë të përshtatshme. Por ata që duket se e vuajnë më shumë, janë personat me aftësi të kufizuara.
Suela Lala, aktiviste për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, i quan plazhet “tokë e paprekshme” për këtë kategori. Ajo kritikon mungesën e ligjeve, investimeve dhe masave konkrete për aksesin në plazhe ku mungojnë platformat, tualetet, dushet, apo dhe dhomat e zhveshjeve.
“Ka dhe mungesë legjislacioni që e adreson aksesin në plazhe apo hapësira të tjera pushuese si pishina, liqene, lumenj,” theksoi Suela, e cila veçoi aksionin e ndërmarrë në Kavajë në vitin 2022 nga një nismë vullnetare për karriget speciale për hyrjen në det.
“Në botë, këto karrige i blen dhe i mundëson shteti,” shtoi Suela e zhgënjyer, e cila nuk kishte informacion se çfarë ishte bërë më tej me projektin në Kavajë.
Sipas Suelës kategoria e personave me aftësi të kufizuara duket se nuk është në fokusin e qeverisë apo bashkive.
“E kemi ngritur si problem edhe me vetë minsitren, duke thënë që për sa kohë turizmi është sektor strategjik bashkë me gjithë turistët vinë edhe të moshuar edhe persona më aftësi të kufizuar”, thotë Suela dhe shton se duhet që të mendohet që nga akomodimi, që nga mjetet lëvizëse, që nga shërbimi në të gjitha elementet dhe se kjo duhet parashikuar me në ligj.
Pamje nga plazhi publik i Currilave, Durrës, korrik 2025/Citizens.al
Por Shqipëria, thotë ajo, është larg aksesueshmërisë në plazhe, pasi institucionet deri më sot nuk kanë kryer as ndonjë studim “që të na ofrojnë detin dhe rërën që na i jep Zoti”.
Edhe në pyetësorin e Citizens dhjetëra qytetarë që e plotësuan u shprehën se plazhet janë të paakseushme për këtë kategori pushuesish.
Teksa qeveria dhe bashkitë promovojnë shtimin e plazheve publike, lirimin e hapësirave të zaptuara nga privati, realiteti në terren tregon një tjetër fytyrë. Plazhet publike vijojnë të jenë të pakta dhe me mungesë shërbimesh, nuk ka shërbime si tualete, dushe, kosha, roje bregdetare.
Kështu plazhet publike mbeten të pakta, të ndotura dhe pa shërbime. Qeveria dhe bashkitë promovojnë lirimin e hapësirave, por realiteti në terren nuk ndryshon.
Ky material është përgatitur në kuadër të nismës “Citizens Report” pjesë e projektit “Strengthening Media Freedom, Professionalism and Journalists’ Safety in Albania” që zbatohet nga BIRN Albania në partneritet me SCiDEV dhe Qendra Faktoje, me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij materiali është përgjegjësi i autorit dhe jo domosdoshmërisht paraqet pikëpamjet e Bashkimit Europian apo partnerëve të sipërpërmendur.
Në një nga lagjet e vjetra të Tiranës, mes rrugëve Qemal Stafa, Hoxha Tahsin dhe Faik Tërnova, banorët që po i rezistojnë zhvillimit të vrullshëm urban, po përballen me mungesë të furnizimit me ujë, probleme me kanalizimet, ndotje akustike dhe pluhura nga ndërtimet.
Problemet nisën me hapjen e një rruge të re me porosi për tre pallate të reja, që sot janë bërë subjekt i hetimeve të SPAK. Citizens.al ka raportuar më herët për lidhjet e këtyre projekteve me interesat e familjes së Ajola Xoxës, bashkëshortes së kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.
Çështja është përfshirë në dosjen hetimore të SPAK ndaj çiftit Veliaj-Xoxa ku kryetari i Bashkisë, me këtë rast, dyshohet të ketë shpërdoruar detyrën.
Tre pallatet e reja kanë rrethuar familjen Çoku, e cila mbetet e vendosur të ruajë shtëpitë tiranase të zonës, trashëguar brez pas brezi.
Pallati që i cenon më tepër pronën duket të jetë ai i ndërtuar pas vitit 2022 nga kompania “A&G Construction” mbi një pjesë të trojeve të familjes së Ajola Xoxës.
Lindita, e cila jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kthehet shpesh ne vendlindje për t’u kujdesur për pronat e familjes, shprehet e indinjuar për situatën e krijuar.
“Sa herë vij aty do të dalë ndonjë problem, sidomos që kur ka filluar të ndërtohet pallati aty”, tha ajo përmes një bisede telefonike.
Sipas Linditës, gjatë ndërtimeve, në vitin 2024, një ekskavator ka çarë tubacionet dhe për këtë arsye shtëpia e saj përmbytet dhe vjen aromë te keqe. Ajo që e shqetëson më së shumti është fakti se me situatën “për nevojat bazike” përballen më së shumti prindërit e saj të moshuar, 77 dhe 86 vjeç.
Ajo ka trokitur në dyert e institucioneve, por nuk ka marrë zgjidhje.
“Pallati derdh të gjitha inertet aty dhe tubacionet janë bllokuar nga inertet, Ujësjellës Kanalizimet Tiranë (UKT), nuk përgjigjen dhe për këtë arsye jam ankuar”, tregon më tej Lindita, e cila e konsideron UKT-në një ndërmarrje “dembele që nuk merr përgjegjësi”.
Një tjetër banore e një prej pallateve të vjetra 5-katëshe tregon me fotografi se si ka ndryshuar lagjja që kur kanë nisur të ndërtohen aty tre pallatet. Sipas saj një rrugicë si “Faik Tërnova” nuk mund të përballonte flukset e lëvizjeve të makinerive të rënda për tre ndërtime njëherësh.
Të jetuarit përbri pallateve të reja që ngrihen çdo ditë e ka bërë jetesën për këta banorë të papërballueshme.
“Nuk hapim dot dritaret prej pluhurit dhe zhurmave, është bërë e papërballueshme”, thotë ajo teksa tregon se i gjithë pallati 5-katësh ka probleme me ujin për shkak të ndërtimit të tre pallateve në fjalë.
“Pallatet nuk heqin as inertet, imagjino për më tepër”, vijon ajo e revoltuar.
Inertet e lëna nga ndërtimi i pallatit/Foto nga banorët e zonës.
Çështja Çoku kundër çiftit Veliaj-Xoxa
Familja Çoku akuzoi kryebashkiakun Veliaj dhe bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, për manipulim të planeve urbanistike në favor të interesave personale.
Sipas Lindita Çokut, pas vitit 2019, familja Xoxa nisi zhvillimin e pronave të veta në zonën pranë rrugëve “Qemal Stafa”, “Hoxha Tahsin” dhe “Faik Tërnova” duke planifikuar ndërtimin e dy pallateve.
Për të shtuar vlerën e pronës, Bashkia Tiranë, në kundërshtim me procedurat ligjore dhe pa konsultim publik, miratoi në fund të vitit 2021 një Plan të Detajuar Vendor (PDV) që parashikonte ndërtimin e një rruge të re: rruga “Hajdar Kërçiku”, përmes truallit të familjes Çoku.
PDV-ja u rishikua me një vendim të dytë, në shkurt 2022, ku SPAK ka konstatuar rritje të intensitetit të ndërtimit nga 3.25 në 3.81.
Pas miratimit të PDV-së në zonë u regjistrua ky zhvillim pallatesh me leje nga Bashkia Tiranë:
19 tetor 2022 iu dha leja pallatit 10-katësh me projekt nga “Atelier 4” dhe zhvillues “A&G Construction”
27 dhjetor 2022 iu dha leja pallatit 10-katësh me projekt nga “StudioArch4” dhe zhvillues “Tirana-1 Konstruksion”.
25 prill 2023 iu dha leja pallatit 8-katësh me projekt nga “Atelier 4” dhe zhvillues Artan Dumi dhe “Gramozi Ndërtim Projektim”.
Banorët, të cilët zbuluan se rruga ishte një justifikim për të krijuar akses për kompleksin e ndërtuar mbi një pjesë të pronave të trashëguara të Ajola Xoxës, reaguan me ankimime ligjore.
Ata fituan gjyqin ndaj bashkisë më 3 prill 2024, ku Gjykata Administrative rrëzoi PDV-në si të pabazuar dhe në konflikt interesi.
Gjykata vërtetoi se rruga e re ishte e panevojshme, pasi lidhja urbane ekzistonte përmes rrugës “Faik Tërnova”, ndërsa vendimi i Veliajt u shpall i pavlefshëm.
Prona e familjes Xoxa dhe zhvillimi që i dha Bashkia Tiranë zonës me tre leje ndërtimi.
Irena Dule, avokate pranë studios ligjore “Res Publica”, një nga përfaqësueset e zonjës Çoku, thotë se vendimi është apeluar nga bashkia dhe çështja pritet të shqyrtohet në Gjykatën e Lartë.
“Meqenëse PDV-ja shërben si bazë zhvillimore për dhënien e lejeve të ndërtimit, anulimi i saj vë në pikëpyetje ligjshmërinë e të gjitha lejeve të lëshuara mbi të,” tha avokatja Dule.
Ajo thotë se pronat që i shpëtuan prishjes për ndërtimin e rrugës së projektuar në mënyrë të sajuar me PDV-në, janë zhvlerësuar ndjeshëm.
“Për këtë dëm, përgjegjësia bie mbi bashkinë, si autoriteti që ka lëshuar lejet, por nuk përjashtohet as mundësia që përgjegjësia të bjerë personalisht mbi kryetarin e Bashkisë, nëse provohet përfshirja e tij në kryerjen e veprës penale të shpërdorimit të detyrës,” vijon avokatja.
Nga ana tjetër, vendimet dhe projektet duket se i rrisnin ndjeshëm vlerën e truallit të mëparshëm të Ajola Xoxës, të shitur në 2020 për 140 mijë euro te kushëriri i saj Valmir Xoxa, i cili sipas SPAK, nuk ka burime të ligjshme për të justifikuar këtë transaksion.
Prokuroria e Posaçme dyshon se transaksioni ka qenë fiktiv, pasi në këtë mënyrë Veliaj mund t’i shtynte përpara miratimet e PDV-së dhe lejet e ndërtimit pa qenë në konflikt interesi.
SPAK i akuzon bashkëshortët Veliaj-Xoxa për pastrim parash, korrupsion dhe deklarim të rremë pasurie, me dyshimet se kanë përfituar qindra mijëra euro nga skema që përfshinte edhe OJF-të e Xoxës. Veliaj i ka mohuar akuzat, duke i konsideruar ato politike.
Rasti i rrugës “Hajdar Kërçuku” dhe tre pallateve të ndërtuara vrullshëm aty është kthyer në simbol të përplasjes mes interesit publik dhe kapjes së shtetit përmes rrjeteve klienteliste dhe familjare, në një qytet ku trashëgimia urbane po fshihet pas pallateve që ngrihen mbi pronat me histori.
Familja Çoku e përkufizon betejën e saj si mbrojtje e rrënjëve të qytetit dhe identitetit të komunitetit, përballë një modeli zhvillimi të bazuar në abuzim me pushtetin dhe klientelizëm.
Kodi i ri Penal ka ngritur alarmin te gazetarët dhe organizatat e medias. Drafti i propozuar nga qeveria duket se përmban ndryshime që, sipas aktorëve të shoqërisë civile, cenojnë lirinë e shprehjes.
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH), Rrejti Ballkanik i Gazetarisë Investigative (BIRN) dhe Qendra Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV) shprehën sot përmes një deklarate të përbashkët shqetësimin e tyre për draftin.
Ata paralajmërojnë se përkufizimet e reja në kod janë të paqarta dhe të rrezikshme për demokracinë. Problematike cilësohen nenet “863” dhe “865” që flasin për “Shpifjen” si dhe neni “536” i cili flet për ndikimin nëp avarësinë e gjykatës.
“Përmbajnë elemente shqetësuese, të cilat krijojnë paqartësi dhe mundësi për interpretim arbitrar dhe abuziv në zbatimin e tyre ndaj gazetarëve, mediave, shoqërisë civile dhe rojtarëve publik në tërësi”, u shprehën organizatat përmes deklaratës.
Sipas tyre nenet “863” dhe “865” rrisin ndjeshëm gjobat dhe heqin kriterin thelbësor të ndëshkimit vetëm nëse ka dijeni se informacioni është i rremë.
“Kjo situatë i ekspozon gazetarët ndaj ndjekjeve penale edhe kur kanë qenë në mirëbesim, duke rritur pasigurinë juridike dhe frikën e raportimit kritik”, thuhet më tej në deklaratë.
Po ashtu, neni për shpifjen sipas organizatave ka një formulim subjektiv, pa pasur përkufizime konkrete.
“Masa e propozuar e dënimit me burgim deri në dy muaj për fyerjen e rëndë është joproporcionale dhe bie ndesh me jurisprudencën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, që kërkon trajtimin e fyerjes vetëm përmes masave proporcionale civile, pa burgim dhe pa rrezikuar gazetarinë kritike apo satirike”, argumentojnë organizatat.
Sa i takon nenit 536 për ndikimin në pavarësinë e gjykatave, duke ndaluar komentet apo publikimin e tyre mbi procese gjyqësore, organizatat e cilësuan këtë formulim si ndërhyrje e drejtpërdrejtë në rolin legjitim të medias, akademikëve dhe shoqërsië civile për të mbikëqyrur zhvillimet në drejtësi.
“Ky nen është formuluar qëllimisht në mënyrë të paqartë dhe mund të përdoret për të penalizuar arbitrarisht çdo koment apo raportim kritik, duke pamundësuar monitorimin publik të rasteve gjyqësore dhe hetimeve që përfshijnë figura publike dhe zyrtarë shtetërorë”, thuhet në deklaratë.
AGSH, BIRN dhe SCiDEV kërkuan që të rishikohen në thelb këto tre nene, të shmanget paqartësia dhe zbatimi selektiv, të dekriminalizohet shpifja, fyerja dhe nga ana tjetër gazetarët dhe punonjësit e medias të mbrohen në mënyrë të qartë.
Drafti i kodit të ri penal është një material voluminoz prej 331 faqesh dhe 952 nenesh, i prezantuar më 25 korrik nga ministri i drejtësisë Ulsi Manja. Sipas tij, ky kod i ri synon t’i përafrohet atij të Bashkimit Evropian në kuadër të intgrimit.
Kodi penal aktual, i përket vitit 1995. Ai ka 335 nene dhe në 30 vite është ndryshuar 24 herë me ligj dhe 10 herë pas vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Drafti për Kodin e ri është pritur me pakënaqësi nga institucionet e tjera dhe grupet e interesit.
Kryeprokurori Olsian Çela dhe kreu i Prokurorisë së Posacme Anti-Korrupsion (SPAK), Altin Dumani nuk kanë qenë pjesë e konsultimeve për draftin, teksa janë shprehur me rezerva. Ndërkohë Dhoma e Avokatisë e konsideroi si drfat “inkuizitor”, me mungesë transparence.
Për drejtuesen e SciDev, Blerjana Bino, ky draft bën hapa pas në raport me standardet ndërkombëtare për lirinë e shprehjes dhe për rekomandimet e herë pas hershme për dekriminalizimin e shpifjes si kusht për të uajtur lriinë e mdias dhe demokracinë funksionale.
Bino tha për Citizens.al se riformulimet për shpifjen jo vetëm nuk përmbushin rekomandimet e përsëritura nga ndërkombëtarët, organizatat e medias dhe shoqërisë civile, por shtojnë sanksionet penale me efekt frikësues ndaj gazetarëve dhe aktivistëve.
Gjykata Kushtetuese vendos të mos e shfuqizojë ligjin që ndryshon kuadrin për “Zonat e Mbrojtura”.
Përmes një konference për shtyp, pasditen e sotme Gjykata Kushtetuese tha se kishte vendosur të rrëzojë kërkesën e një të pestës së deputetëve të Kuvendit dhe organizatave mjedisore “Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë” (AOS) dhe “EcoAlbania”, të cilët kërkonin shfuqizimin si antikushtetues të ligjit nr. 21/2024 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 81/2017 ‘Për Zonat e Mbrojtura’”.
Pretendimet për cenim të barazisë përpara ligjit, parimeve të shtetit të së drejtës dhe hierarkisë së akteve u rrëzuan për mungesë argumentesh kushtetuese.
Njësoj u rrëzua pretendimi se ndryshimet cenojnë trashëgiminë natyrore dhe identitetin kombëtar.
Gjykata vlerësoi se ligji është një ligj kuadër, pra nuk krijon pasoja të drejtpërdrejta dhe konkrete për mjedisin. Efektet reale do të vlerësohen vetëm kur të miratohen aktet nënligjore (si vendimet e Këshillit të Ministrave).
Sa i takon konsultimeve publike, Gjykata vlerësoi se ato ishin përmbushur, pasi nisma ishte parlamentare dhe Kuvendi kreu konsultimin me publikun për versionin përfundimtar të projektligjit.
Për sa më sipër, duke marrë në konsideratë dhe qëndrimin e ndarë (pa shumicë të cilësuar prej 5 gjyqtarësh) sa i takon pajtueshmërisë ose jo të ndryshimeve me Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit (MSA) dhe “acquis communautiaire”, Gjykata Kushtetuese nuk konstatoi shkelje të Kushtetutës dhe vendosi rrëzimin e kërkesës.
Për rrjedhojë ligji nr. 21/2024 mbetet në fuqi.
Në seancën e 23 qershorit, palët patën paraqitur qëndrime të kundërta mbi ndikimin mjedisor dhe standardet kushtetuese të ligjit. Organizatat mjedisore argumentuan se ligji hapte rrugën për ndërtime në zona natyrore të ndjeshme.
Vendimi, i cili pritet të zbardhet në javët e ardhshme, ka ngjallur zhgënjim nga shoqëria civile, pasi krijon precedent për dobësimin e mbrojtjes ligjore të natyrës në emër të investimeve.
Banorë të fshatrave të Përmetit tregojnë për shkolla të mbyllura, biznese që nuk gjejnë vazhdimësinë dhe jetën në vetmi. Emigracioni po i kthen fshatrat si Iljara, Pëllumbari, Leusi, Draçova apo Stërmbeci në hije të vetvetes.
Kristaq Çiçolli, dikur pronar i një dyqani përballë një shkolle të mbushur me jetë dhe nxënës të numërt, sot pret në dyqan vetëm pleq dhe banorë të fshatit.
Shkolla që dikur numëronte mbi 160 nxënës në Iljarë është zbrazur; klasat janë bërë kolektive, me pak fëmijë dhe shumë boshllëk.
Prej vitit 1983, Kristaqi nuk e ka lënë punën, duke pritur dhe përcjellë. Sot, edhe pse në pension ai vijon të shërbejë në dyqan.
“Kanë emigruar. U larguan. Çdo fshat, jo vetëm ne Iljari edhe Pëllumbari, Draçova e Stërmbeci kanë pasur brez të ri shumë, por kanë shkuar. Tani ka mbetur mosha e tretë edhe ndonjë në të rrallë, brezi i ri. S´ka më!” tregon Kristaqi.
Me një memorie të admirueshme ai numëron me gishtat e dorës familjet që kanë mbetur në fshat, të gjithë pothuajse mosha e tretë.
“Sot janë 75 frymë në fshatin Iljarë, 44 në fshatin Pëllumbar. Kanikoli është drejt falimentimit si fshat. S’kanë mbetur fare-fare. Nja katër-pesë familje, kështu me nga dy veta. Tani, jemi 28-29 familje, me frymë të pakta, 1,2,3. S’ka më shumë”, vijon Kristaqi.
Në Çarçovë, Iljarë, Petran e Leusë, historia është e njëjtë: rinia ka emigruar, pleqtë kanë mbetur të vetëm.
Në Leusë shquhet Kisha e Shën Mërisë, një monument i trashëgimisë kulturore. Derën e saj na e hap Genta, e cila përpos vështirësive shëndetësore çdo ditë të javës pret e përcjell vizitorë.
Ajo na tregon me trishtim se fshati është zbrazur, shkollë nuk ka, dyqane jo, dhe as qendër shëndetësore. Sipas saj në këto kushte asgjë nuk i kthen pas të rinjtë.
“Kanë ikur të tërë, vetëm pleqt janë tani, nga dy e nga dy, nga 40 e lart,” thekson ajo teksa kujton kalldrëmet e dikurshme plot jetë përballë realitetit të sotëm në izolim të thellë.
Sot, asnjë shërbim nuk ofrohet në fshat, ndërsa qyteti i Përmetit mbetet zgjidhja e vetme.
“Për një ushqim të vogël do të shkojmë poshtë. Ose do marrim makinën të sjellim ushqimet lart,” vijon Genta.
Ndërsa del nga qyteti i Përmetit, rruga që të çon në fshatin Petran ka plot tabela për rafting. Lumi i Vjosës përbri ofron një panoramë të mrekullueshme, duke qenë pjesë e rëndësishme edhe e jetës së banorëve, të cilët punojnë tokat dhe mbajnë blegtori.
Albeti, një prodhues i vjetër bulmeti, përpiqet të mbajë gjallë një biznes në një zonë që po zbehet dita-ditës.
Ai na përshëndet nga xhami i makinës, ndërsa dërgon bulmetin e grumbulluar nga fshatarët e zonës në baxho. Shitjet janë zhvendosur në qytete të tjera të vendit për shkak të largimit të popullsisë.
“S’ka popull, nuk ka shitje”, thotë ai, ndërsa thekson se e ka pasur të vështirë të gjejë punëtorë.
Lefteri, kryeplaku i zonës tregon se për brezat e rinj, familjeve emigruese pas viteve ’90 kthimi në vendlindje do të ishte i vështirë nisur nga gjendja aktuale. Ai ndalet të flasë edhe për zbrazjen e shkollave, teksa kujton se dikur fshati ka pasur mbi 150 nxënës.
“Petrani deri dje kishe 9-vjeçare tani nuk ka as fillore. U mbyll!” thotë Lefteri.
Për Albetin shqetësim mbetet edhe vazhdimësia e biznesit. I vetëdijshëm për mundësitë më të mëdha në Tiranë, ai thotë me dhimbje se edhe një nga djemtë që e ndihmon me shitje, nuk dëshiron të kthehet në fshat për të trashëguar biznesin.
Në një realitet të tillë, ku largimi është bërë norma dhe kthimi një përjashtim, fshatrat e Përmetit pasqyrojnë plagët e emigrimit – një boshatisje fizike, ekonomike dhe shpirtërore që s’kurseu as tokën, as kujtesën.
Një draft-propozim që supozohej të modernizonte Kodin Penal shqiptar, po kritikohet si kërcënim për të drejtat themelore.
Qeveria e quan reformë të domosdoshme, por shumë aktorë publikë, përfshirë opozitën, organet e drejtësisë, avokatët dhe organizatat të shoqërisë civile, ngrenë alarmin për mungesë transparence dhe rreziqe, sidomos në lirinë e shprehjes.
Proces i nxituar, përmbajtje e kontestuar
Drafti final i Kodit të ri Penal u prezantua të premten, datë 25 korrik nga ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja. Sipas tij, Kodi aktual që është në fuqi nuk i përgjigjet më sfidave të kohës dhe zbatimi i tij krijon vështirësi për gjyqësorin, prokurorinë dhe vetë avokatët.
Kodi aktual, me 335 nene u miratua në janar 1995 dhe në 30 vite u ndryshua 24 herë me ligj dhe 10 herë pas vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Kodi i ri parashikon 952 nene bashkë me nenet e shfuqizimeve dhe hyrjes në fuqi.
Sipas ministrit Manja, Kodi Penal i ri synon t’i përshtatet normës ligjore të Bashkimit Evropian në kuadër të integrimit. Për këtë ai ftoi opozitën, mediat, organizatat e shoqërisë civile dhe ekspertë ligjorë që të kontribuojnë me opinionet e tyre gjatë fazës së konsultimit publik.
Por drafti nuk është pritur mirë. Kryeprokurori Olsian Çela e cilësoi atë “ngrehinë pa bazë” duke nënkuptuar këtu mungesën e konsultimeve të gjera me nevojat sociale dhe institucionale.
Sipas Çelës ky hap i qeverisë “nuk përfaqëson më shumë se një veprim të nxituar që rrezikon të minojë në mënyrë të pariparueshme mirëfunksionimin e drejtësisë penale”.
Kryeprokurori ka shprehur shqetësim për formulimet e neneve, të cilat, sipas tij rrezikojnë të sjellin konfuzion te magjistratët duke sjellë një situatë ku për raste të ngjashme të aplikohen interpretime të ndryshme.
Në një takim me gazetarët, të enjten, 31 korrik, Kreu i Prokurorisë së Posaçme Anti-Korrupsion, (SPAK), Altin Dumani, tha se ata nuk ishin përfshirë në grupin e punës dhe as nuk ishin konsultuar për draftin.
“Në momentin që do të na e sjellin, do të kemi një qëndrim zyrtar,” tha Dumani i cili theksoi se personalisht pajtohej me qëndrimin e shprehur nga kryeprokurori Çela.
Dhoma e Avokatisë e përshkroi propozimin e qeverisë si draft “inkuizitor”, me mungesë transparence në përgatitje.
“Nuk kemi prezencën e nevojës, se përse duhet Kodi i ri, nuk është si rrjedhojë e nevojës së organeve të drejtësisë,” theksoi në një konferencë për shtyp Maksim Haxhia, kreu i Dhomës së Avokatisë.
Ndërkohhë Partia Demokratike e quajti procesin të fshehtë dhe draftin si rezultat të një vullneti të njëanshëm politik.
Kodi mund të dënojë satirën
Qeveria ka propozuar ashpërsimin e ndëshkimeve për “përdhosjen e Republikës dhe simboleve të saj” duke përdorur një riformulim që mund të keqpërdoret për të kufizuar dhe ndëshkuar talljen apo dhe satirën publike.
Ndryshe nga kodi aktual – “Neni 268” – që sanksionon vetëm dëmtimin e flamurit ose stemës në institucionet shtetërore me gjobë ose burgim deri në tre muaj, projektligji i ri – “Neni 236” – zgjeron konceptin e përdhosjes duke përfshirë Presidentin, Kuvendin, Qeverinë, gjykatat, forcat e armatosura dhe dëshmorët e atdheut.
Për fyerje, përçmim apo tallje ndaj këtyre institucioneve parashikohet dënim me burgim deri në tre vjet, ndërsa për personat juridikë mund të vendoset edhe ndalim i veprimtarisë deri në pesë vjet.
Dispozita e re, e përfshirë në kapitullin mbi veprat kundër rendit kushtetues, e konsideron “përdhosje” çdo akt që shihet si dhunim ose poshtërim i vlerave të nderuara të institucioneve të përmendura.
Termat e përdorur janë të gjerë dhe përfshijnë përçmimin, talljen apo përbuzjen, duke ngritur shqetësime për mundësinë e përdorimit të ligjit për të goditur kritikët, mediat dhe gazetarët, pasi me këtë nen mund të dënohet edhe satira.
Ky ndryshim e vendos në të njëjtin nivel mbrojtjeje ligjore flamurin dhe figurat institucionale, me dënime më të larta se ato aktuale.
Ndikimi mbi lirinë e medias dhe shprehjes
Kodi i ri Penal bën hapa prapa në raport me standardet ndërkombëtare për lirinë e shprehjes, sidomos në kontekstin e direktivave të BE-së dhe praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), të cilat kanë rekomanduar disa herë dekriminalizimin e shpifjes si kusht për ruajtjen e lirisë së medias dhe demokracisë funksionale.
Në kodin aktual shpifja trajtohet në “Nenin 120” dhe nenet “240”; “241” si shpifje për shkak të detyrës apo “Presidentit të Republikës”. Në to, përhapja e qëllimshme e thënieve apo informacioneve që cenojnë nderin apo dinjitetin e personit, dënohet me gjobë 50,000-500,000 lekë dhe nëse përsëritet dhe u drejtohet disa personave në grup, shkon deri në 3,000,000 lekë.
Në kodin e ri, “Nenin 865” e trajton sërish shpifjen si vepër penale me dënime disproporcionale më të larta: gjobë 500,000-1,500,000 lekë, deri në detyrim për falje publike.
Ky nen penalizon më rëndë ata që shprehen përmes medias apo rrjeteve sociale, duke goditur gazetarët dhe qytetarët kritikë. Për më tepër, kur “shpifja” u drejtohet funksionarëve publikë, dënimet dyfishohen, duke u dhënë atyre mbrojtje të veçantë përballë kritikës publike — në kundërshtim me parimet e një demokracie funksionale.
Por përveç këtij neni, “Neni 536”, i cili dënon me gjobë ose me burgim deri në 3 vjet komentet për gjyqtarë dhe çështje në hetim, konsiderohet një kërcënim i hapur për transparencën publike.
Qendra “Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim” (SciDev), SafeJournalists dhe Asociacioni i Gazetarëve (AGSH) kanë kërkuar rishikimin e këtyre neneve, të cilat i konsiderojnë kërcënuese për lirinë e shprehjes pasi penalizojnë gazetarët dhe qytetarët aktivë.
Për drejtuesen e SciDev, Blerjana Bino, riformulimet për shpifjen jo vetëm nuk përmbushin rekomandimet e përsëritura nga ndërkombëtarët, organizatat e medias dhe shoqërisë civile, por shtojnë sanksionet penale me efekt frikësues ndaj gazetarëve dhe aktivistëve.
“Riformulimi i shpifjes dhe ndikimi në pavarësinë e gjykatës janë shqetësuese për lirinë e shprehjes,” tha Isa Myzyraj, kreu i AGSH për Citizens.al, sipas të cilit neni që ndalon komentet e gjyqësorit duhet fshirë i tëri.
“Gjithashtu, Neni 536, i cili penalizon ndërhyrjet në pavarësinë e gjykatës, paraqet rrezik të konsiderueshëm për gazetarët që raportojnë mbi procedurat gjyqësore, duke mos parashikuar përjashtime apo dispozita të qarta mbrojtëse për aktivitetin gazetaresk”, tha Bino për Citizens.
Drafti për Kodin e ri Penal duket se nuk ka kaluar një proces të gjerë konsultimi shoqëror dhe profesional. Mungesa e analizës së kontekstit dhe e transparencës rrezikon të prodhojë pasoja afatgjata për të drejtat themelore.
Në vend të një reforme gjithëpërfshirëse, aktualisht duket se kemi një dokument që nxit mosbesim dhe alarm nga shumë aktorë.
Rishikimi i thelluar, me pjesëmarrje të gjerë, duket i domosdoshëm për të shmangur dështime ligjore dhe politike.
Ndërsa propagandohej si parku i dytë i madh i Tiranës, liqeni i Farkës u shndërrua në zonë vilash dhe kullash eksluzive. Në dekadën e fundit, kodrat e gjelbra rreth liqenit u shndërruan në kantiere të mëdha ndërtimi.
Projekti më i fundit “Albora’s Lake” parashikon plot 17 kulla dhe dhjetëra rezidenca e vila private, në atë që duket se i jep fund një herë e përgjithmonë konceptit të publikes në parkun e madh të Farkës.
Një masiv ndërtesash buzë liqenit
Projekti “Albora’s Lake” u paraqit në festivalin kontrovers të arkitekturës “Bread & Heart” që u mbajt në qershor.
Ai është realizuar nga studioja e arkitektit britanik Amin Taha, Groupwork, i cili ishte gjithashtu prezent në festival si i ftuar.
“Albora’s lake” parashikon një kompleks “të frikshëm” ndërtimi të shtrirë në rreth 30-35 hektarë tokë në verilindje të Liqenit të Farkës.
Sipas maketeve të shqyrtuara nga Citizens.al aty parashikohet të ndërtohen të paktën pesë rreshta me rreth 70 vila, 40 pallate (pesë deri në dhjetë kate), një impiant me qendër tregtare, galeri dhe pishinë olimpike, një park dhe pak më tutje një masiv prej 17 kullash 30-katëshe.
Pamje nga maketet e Albora’s Lake dhe etiketa shpjeguese/Citizens.al
Në etiketën shpjeguese të maketit theksohej se lejet për këtë koncept janë siguruar në periudhën 2024-2025 dhe se puna ka nisur me periudhë përmbyllëse vitet 2027-30.
Aktualisht i vetmi dokument publik që flet për këtë projekt është një rend dite i mbledhjeve të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit. Në mbledhjen e 28 janarit 2025, KKTU shpreh shkurtimisht se parashikohet miratimi i lejes së zhvillimit.
Nuk është e qartë nëse ky projekt realisht ka nisur të ndërtohet. Në të njëjtën zonë po ndërton edhe grupi Balfin, i sipërmarrësit Samir Mane.
Prej vitit 2023, kompania e sipërmarrësit Mane po zhvillon projektin e “Rolling Hills Liqeni” me hyrje-dalje direkte në anën lindore të “Unazës së Madhe”.
Sipas broshurës prezantuese për shitjet (fq 14-15), kuptohet se në zonën ku mendohet të shtrihet projekti i “Albora’s Lake” është konceptuar faza e dytë e vilave dhe komplekseve rezidenciale të Balfinit.
Kush është zhvilluesi?
Projekti i “Albora’s Lake” është porositur nga “Lion Construction shpk” e sipërmarrësve Erion Gina dhe Bardhjus Bushaj, të cilët kanë një portofol të rëndësishëm ndërtimesh në Tiranë dhe bregdet dhe gëzojnë lidhje dhe kontakte me sipërmarrës të tjerë si Aleksandër Frangaj, Florenc Gjikuria, etj.
Kompania “Lion Construction” është e njohur për projektin në ish-restorantin “Lion Park” në hyrjen verilindore të Liqenit Artificial të Tiranës, që pas vitit 2019 u shndërrua në kullën 14-katëshe “Lion Residence”.
Në maj të vitit 2022, Gina dhe Bushaj i blenë Samir Manes për rreth 250 mijë euro kompaninë “Urbalb Construction”, e cila në dhjetor të atij viti mori leje ndërtimi për shndërrimin e ish-“Shkollës së Partisë” në Laprakë në një kullë 34-katëshe.
Projekti, i konceptuar nga “ylli i arkitekturës”, italiani Giacomo Garziano (GG-Loop), tanimë quhet “Lion Residence II”, në 2025 leja u rishikuar, duke shtuar një kat nëntokë.
Gina dhe Bushaj zotërojnë gjithashtu kompani të tjera si “Top Realty Albania”, “Golden Key”, “Seaside Construction”, apo “EBG Group”, me të cilat ata kanë zhvilluar projekte të tjera ndërtimi si “Drymades Village, njohur si Santorini” (2021), “Village Square” (2023), apo dhe “Park Houses Mjull-Bathore”.
Pamje satelitore të Farkës/Google, 2015.
Farka – Nga park publik, në park rezidencial
Liqeni i Farkës ndodhet rreth 10 km nga qendra e Tiranës dhe 10 vitet e fundit është promovuar si “parku i dytë” i qytetit. Por ai ka pasur vetëm 1.1 hektarë hapësirë publike, sipas Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit.
Pjesa më e madhe e sipërfaqes së parkut është liqeni, pra pjesa ujore, rreth 75 hektarë.
Për krahasim, Parku i Liqenit Artificial, shtrihet në rreth 157 hektarë tokë dhe ka një liqen me sipërfaqe rreth 45 hektarë.
Kjo mangësi në sipërfaqe toke ka bërë që Farka të promovohej kryesisht për rekreacionet e ujit, si peshkimi, kanotazhi dhe noti.
Por në 10 vitet e fundit, investimet e bashkisë u kufizuan në shëtitore, pemë, rrugë për biçikleta dhe jo zgjerim të parkut.
Ndërkohë ndërtimet zunë kodrat përreth duke zbehur krejtësisht propagandën e gjelbër me mbjellje pemësh.
Pamjet satelitore të Google tregojnë se në vitin 2015, vetëm 3% e truallit rreth liqenit ishin të urbanizuara; ndërsa sot, ndërtimet zënë rreth 20% të kodrave dhe plani i “Albora’s Lake” synon ta çojë deri në 35%.
Në një perimetër prej rreth 195 hektarësh përgjatë liqenit 10 vite më parë kishte rreth 6 hektarë parcela trojesh me ndërtime. Pra, 97% e kodrave të Farkës ishte e gjelbër.
Sot, pamjet satelitore tregojnë për një katrahurë ndërtimesh. Kodrave u janë shtuar rreth 39 hektarë me parcela ndërtimore, të cilat zënë 20% të së njëjtës hapësirë të dikurshme.
Nëse marrim të mirëqenë se parcela që kërkon projekti “Albora’s Lake” është rreth 30 hektarë, përqindja e kodrave të urbanizuara shkon në 35% duke shuar përgjithmonë vizionin e një parku publik.
Gjurmët e urbanizimit të Farkës/Citizens.al
Parku i premtuar i Farkës ishte në fakt pronë private, e cila nuk u ble e as nuk u tjetërsua nga bashkia e Tiranës për ti shërbyer publikut.
Investimet e bashkisë për shëtitore, dekor dhe mbjellje pemësh rreth liqenit duken sot si një plan i mirëmenduar për t’i shërbyer komplekseve private dhe jo qytetarëve të Tiranës.
Ndërkohë duket e paqartë se si do të mund të ushqehet me infrastrukturë dhe shërbime kjo dyndje e madhe rezidenciale në një zonë të konsideruar “rekreative”.
Qeveria i ka rritur vetes kompetencat sa i takon zhvillimit urban duke kufizuar më tej rolet e bashkive në vendimmarrje për ndërtimet. Në një vendim që zhvendos më tej balancën e autonomisë vendore, Kryeministri grumbullon më tepër fuqi ekzekutive mbi territorin, mjedisin dhe ekonominë.
Në tre vitet e fundit lejet për ndërtime deri në 8 kate jepeshin nga bashkitë, por me vendimin e datës 23 korrik të Këshillit të Ministrave, Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit (KKTU) – i cili drejtohet nga Kryeministri – e uli këtë kufizim për objekte deri në 6 kate.
Për më tepër, KKTU merr kompetencën për vendime për çdo ndërtim në zonat bregdetare, pavarësisht kushteve dhe kritereve të zhvillimit. Nga ana tjetër qeveria ka ndaluar ndërtimin apo shfrytëzimin si parkingje apo me rrethime të hapësirave të destinuara për të qenë publike.
Ndërtimi nën pushtetin e qeverisë
Para vitit 2015, KKTU (asokohe thjesht KKT) ishte menduar si organ mbikëqyrës për planifikimin urban kombëtar.
Fillimisht, miratonte planet vendore dhe shqyrtonte projekte të rëndësisë kombëtare. Por me ndryshimet në ligjin Nr.107/2014 dhe ndryshimet në VKM 408/2015, profili i Këshillit ndryshoi rrënjësisht.
Prej vitit 2024, KKTU vepron si autoritet që vendos dhe zbaton, pa pasur kufizime lokale apo mjedisore. Ky transformim i KKTU-së u bë teksa po debatohej ndryshimi i ligjit për Zonat e Mbrojtura.
Ky centralizim shqetësoi organizatat mjedisore të cilat e konsideruan KKTU-në “Zot të Zonave të Mbrojtura” pasi “rrëmben pushtetet dhe politikat për këto zona”. Kjo mund të shihet te kompetenca e përcaktimit si “zonë me prioritet ekonomik” edhe të pronave shtetërore duke anashkaluar shqyrtimin në nivel vendor.
KKTU kontrollohet nga qeveria dhe drejtohet nga kryeministri. Ajo përcakton zonat me prioritet ekonomik, turistik dhe industrial. Jep akses në prona shtetërore, me përjashtim të pyjeve, kullotave dhe tokave bujqësore.
Ka të drejtë të vendosë për shpronësime dhe konfiskime. Madje, mund të legalizojë objekte pa leje “për strehim social”.
Por, ky përqendrim kompetencash shtron pyetje serioze mbi balancën institucionale.
Për më tepër, KKTU merr vendime pa procese të hapura publike dhe shpesh pa konsultim me komunitetet lokale, apo banorët e zonave ku jepen lejet e zhvillimeve dhe ndërtimeve.
Citizens.al ka dokumentuar mungesën e transparencës në ndarjen e lejeve të zhvillimit apo ndërtimit për rreth 140 kulla në Tiranë.
Në mungesë të transparencës dhe llogaridhënies, favorizohen interesa private dhe klienteliste duke kufizuar më tej edhe të drejtën e zhvillimit.
Në letër, qeveria thotë se synon zhvillim të qëndrueshëm. Në praktikë, po mundohet të kontrollojë çdo rrugë investimi.
KKTU po zëvendëson pushtetin vendor dhe po përjashton qytetarët nga vendimmarrja. Në mungesë transparence, nuk ka garanci për interesin publik në planet e zhvillimit.
Qytetet dhe territori po drejtohen nga një institucion i vetëm: qeveria – me më shumë pushtet, por gjithnjë e më pak llogaridhënie.
Përballë kësaj qasjeje, nevojitet një trysni më e madhe politike nga opozita, shoqata e njësive vendore, ekspertët e ndërtimit, zhvillimit, administrimit urban si dhe shoqëria civile.
Shembja e Teatrit Kombëtar simbolizon humbjen e hapësirave publike në Tiranë dhe zëvendësimin e tyre me kulla. Por kujtesa kolektive, zëri qytetar dhe sheshet nuk mund të zëvendësohen me beton.
Nga Teatri te trotuari – Kronika e një qyteti të shembur me ligj
Në fillimin e verës së 2018-ës Tirana pa, edhe pse ende e pandërgjegjshme për atë që po dëshmonte, të vendosej një mikrofon në një nga hapësirat publike të saj, në sheshin e Teatrit Kombëtar.
E dizajnuar në vitin 1938 nga arkitekti Giulio Berté, godina kishte shërbyer gjatë jetës së vetë kryesisht në tre funksione kryesore: si hapësirë socializimi të spektatorëve në pushimin para dhe mes akteve; si shesh vallëzimi për hapësirën e jashtme të restorantit kur nuk kishte shfaqje; si fushë ping-pongu duke shoqëruar fushën e tenisit dhe pishinën e kompleksit kulturor dhe sportiv “Skanderbeg”.
Tetëdhjetë vite më pas, ai shesh do të përdorej edhe si një hapësirë ku do të zhvillohej një protestë për ta mbrojtur atë.
Teatri i kishte mbyllur dyert dhe përveç punëtorëve, që herë pas here dilnin nga salla e kuqërremtë me kuti materialesh në duar, që nga 2 korriku i 2018, kur u vu shfaqja e fundit në skenë, nuk shiheshin më spektatorë në mjediset tij.
Tre ditë më pas, më 5 korrik, Kuvendi do të miratonte me 75 vota, “Ligjin për Teatrin”*, apo siç njihet ndryshe, “Ligji Special”, i cili e transferonte hapësirën publike, si sheshin ashtu edhe teatrin, tek shoqëria private, “Fusha shpk”, që kjo e fundit të mund të ndërtonte.
Pas atij votimi, protesta për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar mori përmasa të tjera dhe hyri në një rrugëtim ku dorëzimi nuk ishte opsion.
Në sheshin e teatrit u krijua një kuvend i qytetit. Një hapësirë e paindoktrinuar, e pakapur nga interesa të ngushta private apo motive antiligjore. Ndërsa ndërtesa që u mor nën kontroll nga qytetarët më 24 korrik 2019, të cilët filluan ta rijetëzonin edhe pse pa përvojë, mësuan ta menaxhonin dhe kujdeseshin për të.
Ndërsa salla zhvillonte aktivitete artistike dhe kulturore – rreth 65 shfaqje u vunë në skenë në më pak se 8 muaj – në sheshin e tij protesta zhvillohej 24 orë, 7 ditë në javë, në dukje si gardiane e teatrit, dhe njerëzit rojtarët e tij.
Teatri Kombëtar duke u shembur 17 maj 2020/Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, Flicr.
Nga një shesh proteste, tek një rrugë kalimi për kullën.
Ato 75 vota që miratuan ligjin Fusha, ishin edhe goditja e parë që iu dha Teatrit Kombëtar, 682 ditë përpara se Erion Veliaj të çonte fadromat për të shembur ndërtesat e tij, në orën 04:30 të mëngjesit të datës 17 maj 2020.
Miratimi i ligjit për teatrin ishte një goditje që iu bë jo vetëm protestës – si akt demokratik, – apo ndërtesës – si dëshmi e historisë së brezave para nesh – por edhe vetë hapësirës, sheshit si vendkrijim i fjalës së lirë dhe lirisë së shprehjes, nga vetë përfaqësuesit e pushtetit të popullit në kuvend.
Ato 75 kartonë jeshil, rrëzuan jo thjesht një ndërtesë, por hapësirën e përbashkët ku njerëzit shkonin për të qenë bashkë – jo thjesht për të kaluar, por për të mbetur. Ishte goditje ndaj asaj nyje urbane që mblidhte këdo, nga të katër anët, dhe nga të gjithë dhe më pas krijonte diçka.
Sot ajo hapësirë nuk ekziston më në qytet.
Shembja e “17 Majit”, i hapi rrugë lejeve të njëpasnjëshme nga “Rama & Veliaj”, të cilët vunë në zbatim planin e Bjarke Ingels, të kullës me teatër.
Sot pas më shumë se dy vjetësh nga fillimi i punimeve në atë shesh, hapësira publike nuk ekziston më. Në vend të saj, është një kalim i zgavruar në tunelin e betonuar, i cili qëndron i hijezuar nën ndërtesën si flutur e Bjarke Ingels, e cila sot të ngjan si porta hyrëse për në kullën e Fushës.
Të dyja kantieret sot janë bashkuar në një të vetëm dhe kanë lidhur mes tyresh hekurin i cili më pas mbulohet në beton, duke zhdukur krejtësisht atë çfarë ka mbetur nga dikur hapësira publike e teatrit.
Tashmë ato dy projekte po shpalosin në shkallë reale se si grabitet dhe më pas zaptohet me ligj hapësira publike.
Grabitje nga e cila do të përfitonte kushdo biznesmen apo politikan që ka investuar para në dy gropat tashmë të hapura dhe betonizuara në truallin e Teatrit Kombëtar.
Ndërsa ky i fundit, ashtu siç i ka ngritur kryet si karabina, të ngjan më shumë me një roje të kullës, e cila shkeli interesin publik, mori dhe përvetësoi tokën publike dhe grabiti përveç tokës edhe 33 kate ajër.
Teatri ishte vetëm fillimi
Ai shesh, ai mikrofon i hapur, ai mur ku shkruhej “Monument Kulture, mbrohet nga populli”, dhe nuk lejonte që qyteti të shembej me turp, duhej zhdukur.
Duhej vrarë ideja që hapësira publike është e jona. Sepse aty ku publiku mbledh zërin dhe kujtesën, aty nuk ndërtohen kulla, aty nuk qarkullon paraja e zezë.
Që ajo të rrjedhë pa pengesë, duhej zhdukur sheshi, duhej shembur gjithçka që kujtonte se qyteti është i njerëzve.
Kantieri i Pixel Tower/Doriana Musai, Citizens.al
Dhe ashtu ndodhi edhe me “Pazarin e Ri” – një tjetër hapësirë publike e zaptuar, e shndërruar në “pronë private” me çati xhami dhe çmime që përjashtojnë të përditshmit dhe larguan tregtarët.
Me Sheshin “Skënderbej”, që nga vendtakim për të gjithë, u bë një shesh që eskpozon vetëm kullat.
Me Liqenin Artificial apo atë të Farkës që është rrethuar me ndërtim dhe kulla biznesi.
Me vilat historike të qytetit, zonën historike të tij, e cila u flijua për një imazh që ka për fasadë hipokrizinë.
Në çdo goditje ndaj qytetit fshihet një gënjeshtër që ka emër: integrimi evropian. Sepse çdo kullë ndërtohet me emrin e zhvillimit, çdo shembje justifikohet me progresin, çdo përvetësim me modernizimin.
Por qyteti nuk matet me lartësinë e ndërtesave, por me lartësinë e qytetarëve që guxojnë të flasin. Dhe nëse zërat e tyre janë shtypur me beton, kjo nuk është rruga drejt Evropës. Është rruga drejt një talljeje publike me ëndrrën evropiane.
Ndërkohë që BE predikon pjesëmarrjen, decentralizimin, transparencën dhe mbrojtjen e trashëgimisë, qeveria jonë betonon, centralizon përjashton dhe zhduk kujtesën.
“Në BE vetëm me Edin!” slogani që Edi Rama shpalli si lokomotivë fushate elektorale, ishte më shumë se sa propagandë; ishte privatizimi simbolik i ëndrrës evropiane të të gjithë shqiptarëve. Një fjalë e thjeshtë që i vuri drynin qytetit ku çelësat e tij i ka një njeri i vetëm.
Por historia nuk mbyllet me shembjen e teatrit.
Në vend të ndërtesës së teatrit, ngrihet rrëfimi. Në vend të sheshit, mbetet kujtesa. Në vend të mikrofonit, jemi ne – sepse ne jemi Teatri. Qyteti është ende aty ku janë njerëzit që nuk harrojnë.
Dhe po, ajo hapësirë nuk është më fizike. Por ajo ekziston në çdo rrëfim, në çdo kujtim, në çdo artist që nuk u shit, në çdo qytetar që s’u tërhoq.
Në çdo deputet që nuk votoi “pro”, në çdo anëtar këshilli, punonjës administrate, që rezistoi dhe nuk pranoi të bëhej pjesë e krimit mbi qytetin.
Në çdo të ri që sot pyet: “Po kush e dha këtë vendim? Kush e firmosi këtë turp? Kush e heshti këtë vjedhje?”
Ata që firmosën, janë ende aty. Por edhe ne jemi ende këtu. Dhe sa kohë jemi, historia nuk mbyllet.
Ajo fillon aty ku kujtesa bëhet revoltë. Dhe hapësira publike rifillon aty ku qytetari e ndjen veten pronar jo të truallit, por të së drejtës për të thënë: Ky është qyteti im. Nuk jepet me koncesion.
Hipokrizia e “pastrimit” të hapësirave publike
Për të kompletuar farsën, po i kthehen qytetit me një tjetër maskë: atë të pastërtisë morale. Po shembin mbulesat e hijezuesve, po heqin çadrat, po dëbojnë kafenetë nga trotuaret si të kishin zbritur nga ndonjë Olimp i etikës urbane.
Por kush ua lejoi? Kush ua dha lejet të zgjeroheshin me platforma druri në trotuare? Kush i mbylli sytë për vite me radhë?
Ishte e njëjta administratë, e njëjta bashki, e njëjta qeveri që sot bën sikur është e tronditur nga “shpërdorimi i hapësirës publike”.
E njëjta dorë që i hapi rrugën, sot vjen dhe thotë: “Çfarë keni bërë kështu?” E njëjta dorë që firmosi lejet, sot vendos shiritin e verdhë për moral publik.
I toleruan, i ushqyen, i kthyen në normalitet – sepse për vite me radhë edhe trotuari ishte pronë për t’u shitur. Dhe kur erdhi momenti i “Rilindjes 2.0”, në vend që të godasin veten, godasin të vegjlit. Jo ata që ndërtojnë kulla, e zaptojnë hapësira publike duke i shkatërruar dhe vjedhur, por ata që vendosin një karrige plastike mbi pllakat e betonit të trotuareve.
Ky nuk është pastrim. Është amnezi e planifikuar, është rigrabitur dhe mbuluar me moral. Është një narrativë e prodhuar nga vetë shkaktarët e kaosit, që tani luajnë rolin e shpëtimtarit. Por qyteti nuk harroi. Sepse trotuaret nuk i zaptuan qytetarët – i zaptuan ata që shesin edhe ajrin midis hapave në rrugë.
Sot, hapësira publike në Shqipëri nuk grabitet më natën – ajo miratohet me ligj, zbatohet me fadromë dhe justifikohet me moral të rremë.
Në emër të rendit, pastrohet kaosi që vetë kanë krijuar. Në emër të qytetarisë, përjashtohet qytetari. Në emër të zhvillimit, fshihet çdo gjurmë kujtese.
Por qyteti ka memorie. Dhe për sa kohë kujtojmë si u shemb Teatri, si u grabit sheshi, si u mbyt fjala dhe si u zëvendësua me beton – për aq kohë kjo histori nuk është e mbyllur.
Ata e duan qytetin pa njerëz, pa pyetje, pa rezistencë. Por qyteti nuk është kartolinë. Nuk është planimetria e një kompanie ndërtimi. Është ai vend ku dikush mund të ulet, të flasë, të protestojë, të kujtojë dhe të mos harrojë.
Për aq kohë sa nuk harrojmë, hapësira publike nuk është plotësisht e humbur. Ajo jeton në kujtesën tonë, derisa të kemi forcë ta rikthejmë.
Me mikrofonin e hapur. Me sheshin e mbushur. Dhe me qytetin si pronë të përbashkët, jo si çmim ndërtimi, jo si mall shumice për tu shitur tek kushdo kalimtar i rastit.
Shënim: Lista e deputetëve që votuan “pro” duke miratuar ligjin special, është marrë nga dokumentat e Kuvendit. Një numër i konsiderueshëm i atyre që votuan, 25% e tyre, sot janë në burg, nën hetim penal ose në kërkim nga SPAK.
*Projektligji për Teatrin 37/2018, formuluar “Për përcaktimin e procedurës së veçantë të për negocimin dhe lidhje ne kontratës me objekt: ‘Projektimin dhe realizimin e projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar’,” u botua online për konsultim më 8 qershor 2018. U shqyrtua dhe votua me procedurë të përshpejtuar 20 ditë më vonë dhe u rimiratua dy muaj më tutje pasi Presidenti e pati kthyer për rishqyrtim.
Në Lufaj të Mirditës, banorët detyrohen të blejnë ujë të ambalazhuar pavarësisht burimeve natyrore që kanë. Shkak për këtë është bërë devijimi burimeve nga hidrocentrali i kompanisë “Seka Hidropower”. Ata thonë se kompania nuk respekton kontratën, e cila parashikon që të lëshojë ujë për nevojat e tyre. Prandaj, paralajmërojnë përshkallëzim në protesta nëse situata nuk ndryshon.
“Zoti dhe po na ndihmoi SPAK-u, te ata kemi pak shpresë” tha Jorgji Loci, i cili në mes të nxehtit të 24 korrikut mbushi bagazhin e kamionçinës me shishe uji të blerë dhe u nis drejt fshatit. Atje e prisnin banorë të tjerë për një protestë të thirrur për lirimin e rrjedhës së ujit, bllokuar nga hidrocentrali.
Zona me një peizazh të mrekullueshëm, nuk ndihmohej aspak nga rruga, e cila ishte në gjendje të amortizuar. Përgjatë saj, Jorgji ndaloi disa herë për të treguar burimet ujore, të cilat për të ishin shënjuese, pasi i kujtonin se dikur nga atje mund t’ia dëgjoje gurgullimën ujit, ndërsa tani rrjedha është futur në tuba.
“Këtu nuk ka asnjë pikë ujë, mbahet nga HEC-i,” tha ai teksa paralelizoi me enët e gjakut, që nëse një njeriu i bëhej një prerje në krah, gjaku nuk ka si t’i shkojë më në parakrah.
Fshati Lufaj i përket njësisë administrative Selitë. Bashkë me fshatrat e tjerë të kësaj njësie sikurse Bardhaj, Lëkundë, Zajs, Kthëllë e Sipërme, Kurbnesh, Mërkuth e Kumbull ofrojnë një potencial të lart natyror dhe bujqësor.
Tharja e shtratit të lumit. Foto nga Jorgji Loci.
Hidrocentrali i Sekës ka filluar punën prej vitit 2017, por banorët thanë se edhe kur u ndërtua, nuk ishin pyetur.
“As nuk na ka pyetur njeri, as nuk kemi qenë dakord,” tha Agron Kaçarri, banor i zonës.
Gjet Loci kujton se si zona mbante qindra banorë dhe mijëra bagëti teksa mbahej me grurë dhe misër.
“Tani nuk ka gram ujë”, tha ai i revoltuar teksa mungesa e ujit ka detyruar disa familje që të largohen.
Fatjon Gjinaj, i cili punon si gazetar në Tiranë, por që ka ende familjen në këtë zonë, tregoi se kompania nuk e ka respektuar kontratën, e cila e detyron që veçanërisht gjatë verës të lëshojë rrjedhë uji për në lumin e Urakës.
“Këtu është bërë një masakër,” tha ai teksa tregoi se kompania kishte abuzuar me zhvendosjen e dherave nëpër përrenj, “Është bërë një kontratë për ujin e pijshëm për të gjithë banorët, por zero! Asnjë ditë në 12 muajt e vitit nuk kalon.”
Sipas tij, pasuritë dhe puna e banorëve në këtë zonë në blegtori e bujqësi nuk është për të përfituar të tjerët në kurriz të tyre.
“Kemi kulla, kemi lumenj, kemi përrenj, kemi blegtori, kemi bujqësi. Kemi bagëti. Për çfarë? Për të fituar dikush në kurriz të të gjithëve ne të tjerëve?!”, vijoi Gjinaj.
Ai kërkoi që ky organizim i banorëve të merrej si ultimatum për kompaninë dhe organet përgjegjëse, që të zbatojnë detyrimet ligjore ndaj komunitetit dhe natyrës.
Jorgji Loci tregoi se kishte shpenzuar nga të ardhurat personale për t’i sjellë ujë fshatit nga burime të largëta. Ai e konsideroi këtë sakrificë “për të shmangur konfliktet me kompaninë”, por që edhe ky burim ishte ndërprerë.
“E kam çuar ujin në fshat me 8,500 metra zorrë vetëm që mos të hyj në sherr, dhe edhe atë ujë e kanë ndërprerë,” tregoi Loci.
Banorët e Zall-Gjocajt në solidaritet me Lufajn
Fshati Zall-Gjoçajt i përket Matit, mirëpo ndodhet pranë Lufajt, me të cilën ndan dhe burime të përbashkëta ujore. Njëjtë sikurse Lufaj, lumi Flim në Zall-Gjoçaj është futur në tubacionet e hidrocentralit të kompanisë “Seka Hidropower”.
Adem Gjokolaj, një ndër aktivistët më të zëshëm të mbrojtjes së burimeve ujore të Zall-Gjoçajt, duke qenë edhe Park Kombëtar kishte marrë rrugën për t’iu bashkuar banorëve të Lufajt.
“Në këto dy lumenj, lumin Flim dhe lumin Urakë, para ca kohësh kanë qenë mbi 2,500 bagëti që pinin ujë, mbi 2,000 bletë dhe të gjitha gjallesat mbi dhe nëntokësore po ngordhin, sepse nuk ka asnjë pikë ujë”, theksoi ai përmes megafonit.
Gjokolaj kërkoi nga të gjithë banorët që të mos ndalojnë së kërkuari të drejtën e tyre themelore për të pasur ujë të rrjedhshëm për shtëpitë dhe bagëtitë e tyre.
Sikurse Ademi, në mbështetje të banorëve të Lufajt ishte edhe Dhimitër Koleci, që bashkë me të tjerë banorë të Zall-Gjoçajt enden nëpër gjykata për të drejtën e ujit.
“Kemi për të njëjtin problem, për të njëjtin ujë, për të njëjtat HEC-e, për të njëjtit oligarkë, për të njëjtë mashtrues që kanë mashtruar të gjithë zonën,” theksoi ai teksa shtoi se rreth 80 kilometra katrorë tashmë janë kthyer në shkretëtirë.
“Kanë marrë ujë nga Parku Kombëtar Zall Gjoçaj, duke devijuar me tunele duke e sjellë në lumin e Urakës me një tunel tjetër e duke marrë edhe ujin e Urakës se nuk ngopen me lumenjtë, duke e nxjerrë këtu”.
Ai shprehu solidaritet me banorët, duke sjellë në vëmendje situatën e tyre ndër vite, punën e vështirë dhe pasojat shëndetësore në minierën e bakrit të Kurbneshit.
“Gjithë banorët e zonës që dikur kanë punuar me selikozën e bakrit në Kurbnesh dhe iu kalbën mushkëritë sot po iu thahen veshkat për ujë”, u shpreh Koleci.
Dhimitri solli në vëmendje edhe situatën në Parkun Kombëtar Zall-Gjocaj, ku gjatë ditëve të nxehta të korrikut ka pasur vatra zjarri. Sipas tij, futja e ujit nëpër tubacione, nuk bën gjë tjetër veçse përkeqëson situatën.
Paketë malesh, por pa ujë
Jorgji Loci ka një banesë në fshatin Lufaj dhe vjen shpesh për të qëndruar aty, ndërsa gjatë verës edhe më gjatë, kur fëmijët e tij janë me pushime. Ai punon në Durrës, por e ka menduar shpesh të investojë në fshatin e tij.
“Më ka rritur babai dhe unë nuk e lëshoj këtë vend, e lëshoj vetëm kur të iki te babai”, u shpreh ai për të atin, që tanimë nuk jeton më.
Jorgji tregoi se kishte dëgjuar shumë për “Paketën e Maleve”, një nismë e diskutueshme e qeverisë Rama për investimet në zonat malore dhe do të dëshironte të investonte në tokat e tij. Por, mungesa e ujit ia bën të pamundur këtë dëshirë.
“Unë jam i gatshëm të bëj fermë, jam i gatshëm të bëj bujtinë, por unë nuk kam asnjë pikë uji në fshat, është e gjitha shkretëtirë”, theksoi Jorgji për Citizens.al.
Edhe Gjet Loci, një tjetër banor i zonës shprehu dëshirën për të investuar në tokën e tij, por duke parë kushtet ka frikë të ndërmarrë një hap të tillë.
“Ne duam të vijmë të investojmë këtu, kam shtëpinë aty poshtë, ne nuk i investojmë dot. Gjendja e këtij fshati tani pas hidrocentralit që është bërë, ka mbledhur burimet e ujërave dhe tani nuk ka ujë fare”, u shpreh ai.
Në një intervistë për dokumentarin “Pa rregulla, pa kufij”, ekspertja e sigurisë Fatjona Mejdini analizon ndikimin që ka krimi i organizuar shqiptar në ekonominë dhe shoqërinë, si brenda vendit, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.
Mejdini thekson se grupet shqiptare kanë kaluar nga trafikimi i qenieve njerëzore dhe kanabisit në vitet ’90, në kontrollin e tregtisë ndërkombëtare të kokainës. Sipas saj, pas viteve 2000, këto grupe nisën të krijojnë baza në Amerikën Latine, sidomos në Ekuador dhe Kolumbi, duke u bërë pjesë e pesë rrjeteve më të mëdha kriminale në Evropë.
“Ata tanimë nuk janë më vetëm transportues, por aktorë të rëndësishëm që kontrollojnë aleanca, çmime dhe tregje të kokainës,” thotë Mejdini, drejtuese e Observatorit të Evropës Juglindore, në Iniciativën Globale Kundër Krimit të Organizuar Transnacional (GI-TOC).
Sipas saj, paratë e narkotikëve po injektohen masivisht në ekonominë shqiptare përmes ndërtimit, sektorit të energjisë dhe pasurive të paluajtshme.
“Ndërtimi i kullave nuk pasqyron kërkesë reale, por nevojën për të pastruar para,” thotë ajo, duke shtuar se ky fenomen po shkatërron konkurrencën dhe po forcon korrupsionin.
Mejdini, autore e një raporti skrupuloz rreth lidhjeve të grupeve nga Ballkani me grupet e Amerikës latine, paralajmëron se Shqipëria rrezikon të përjetojë skenarin e këtyre vendeve, ku trafiku i drogës solli dhunë, destabilitet dhe varfëri.
Ajo nënvizon se krimi shqiptar ka ndërtuar lidhje të forta me grupet lokale të këtij kontinenti përmes aleancave biznesi dhe martesave me familje kriminale vendase. Kjo strategji, sipas saj, u ka dhënë shqiptarëve avantazh të fortë në zinxhirin e trafikut.
Ndërkohë, ajo sheh me shqetësim edhe pastrimin e parave në Dubai dhe përdorimin e kriptomonedhave, që sipas saj po bëhen mjete për të shmangur kontrollin ligjor.
Drejtuesja rajonale e GI-TOC, paralajmëron se përveç pasojave ekonomike, krimi po ndikon edhe në modelet sociale përmes glorifikimit të jetës kriminale në rrjetet sociale. Ajo kërkon një reagim të fortë shoqëror për të frenuar këtë fenomen, veçanërisht ndaj rekrutimit të të rinjve.
“Nëse nuk ndërhyjmë, rrezikojmë që paratë e krimit të bëhen normë e ekonomisë sonë,” përfundon Mejdini.
Pandemia u shtoi varësinë ekonomike vajzave dhe grave pasi shumë prej tyre humbën vendet e punës. Për rastet me dhunë në familje, ajo u shtoi edhe vështirësitë apo rrezikun e integritetit fizik dhe mendor.
Por pas kapërcimit të këtyre sfidave që solli pandemia, fryma e re politike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përhapi një valë konservatorizmi, e cila po ua vështirëson punën aktorëve të shoqërisë civile në Ballkan sa i takon kauzave feministe dhe queer.
Pandemia, sfida të shtuara për gratë dhe vajzat
Ines Leskaj nga Rrjeti i Fuqizimit të Gruas thekson se mbyllja e shkollave dhe çerdheve rriti barrën e kujdestarisë. Gratë u detyruan të mbajnë punë të keqpaguara, apo papaguara dhe humbën mundësi zhvillimi profesional.
“Këtu duhet theksuar roli i madh i organizatave që e vijuan punën pavarësisht vështirësive të pandemisë” kujton Leskaj për Citizens teksa nënvizon se gjatë kësaj periudhe shërbimet mbrojtëse u bënë më pak të aksesueshme.
Sipas Leksajt tematika kryesore që dominoi agjendën publike përgjatë pandemisë, ishte dhuna me bazë gjinore, sepse përgjatë izolimit, rastet sipas saj u dy-tre fishuan. Të njëjtën prirje, e parashtron edhe aktivistja feministe nga Kosova, Liridona Sijarina.
“Këto vite kemi parë rritje të raportimeve nga vajzat e gratë për dhunë me bazë gjinore si rrahja, dhuna seksuale, shantazhet, frikësimet dhe shtrëngimet e ndryshme të bëra nga të njohur të tyre, kryesisht burra,” shpjegon Sijarina.
Ajo shton se formë tjetër e dhunës është ajo virtuale, e cila ka shënuar rritje të hovshme pas pandemisë dhe po bëhet burim i rrezikshëm dhune për gratë, sidomos vajzat e reja. Ngjashëm fenomeni është zhvilluar edhe në Shqipëri, ku mungon një sistem i plotë ligjor mbrojtjeje.
“Është për t’u theksuar, që (shpërndarja e paautorizuar e materialeve intime)po përdoret edhe si metodë sulmi, sepse është vendi ku ka më shumë ndjekës dhe njerëz që mund të arrihen,” analizon Leskaj.
Ndryshe nga përpara pandemisë, ku më të ekspozuar ndaj sulmeve dhe gjuhës së urrejtjes ishin gratë në politikë, sipas Leskajt, tanimë me to po përballen edhe gra gazetare, aktiviste dhe profesioniste.
Angel Dimitrievski nga Maqedonia e Veriut kujton si gjatë pandemisë nisën të hapeshin grupe anti-gjinore. Fillimisht ishte si një grup individësh të shpërndarë, të cilët protestonin kundër vaksinimeve dhe teknologjisë 5G.
“Sot, jemi dëshmitarë të një lëvizjeje më të organizuar, e përfaqësuar përmes organizatave të regjistruara të shoqërisë civile si Koalicioni për Mbrojtjen e Fëmijëve, një rrjet prej mbi 30 organizatash, biznesesh dhe madje edhe partish politike,” analizon Angel për Citizens.
Sipas tij kjo lëvizje gëzon përkrahje nga kisha dhe qeveria që promovojnë riprodhimin si vlerë kombëtare.
Konservatorizmi në rritje
Në mars 2025, administrata Trump njoftoi mbylljen e 83% të programeve të mbështetura nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) në rreth 100 vende të botës. Vendimi prekte dhe rajonin e Ballkanit, teksa përfshiheshinte edhe programet për median, demokracinë, shëndetësinë, luftën kundër korrupsionit etj.
Ines Leskaj thotë se konservatorizmi tashmë nuk është më retorikë publike, por realitet, jo vetëm kundrejt programeve, por edhe kundrejt aktivistëve të shoqërisë civile. Por, për të, ky është gjithashtu një moment për mobilizim të aktorëve progresistë.
“Ky është momenti që të përforcojnë angazhimin e tyre për drejtësinë sociale dhe të drejtat në përgjithësi,” shton ajo.
Sipas Liridona Sijarinës, agjendat konservatore përhapen përmes individëve dhe mediave të pavarura.
Ajo shpjegon duke u nisur nga rastet e hasura në Kosovë se kjo frymë është përhapur mes grupeve që në dukje nuk japin idenë e përkatësive politike, çka e bën më të koklavitur momentin politik.
Sijarina tregon se në zgjedhjet e fundit në Kosovë një parti doli hapur kundër kauzave feministe dhe queer. Ajo shton se edhe mediat, apo individët që marrin hapësira mediatike dhe virtuale, apo grupime të paidenfitikueshme shpërndajnë ligjërime konservatore.
“Aktualisht është bërë më problem për t’u piketuar grupet konservatore dhe për t’i rezistuar këtyre agjendave, meqë po vijnë në masë të madhe prej formacioneve që dalin përtej partive” përmbyll ajo.
Angel Dimitrievski shton se shumë të rinj, veçanërisht djem, ndjekin figura të njohura për qëndrime ekstreme dhe seksiste si Andrew Tate dhe versionet kopje të tij në podcaste lokale. Sipas Dimitrievskit ata kanë ndikim të zgjeruar pasi mobilizojnë audienca të mëdha online.
“Lëvizja queer përballet gjithashtu me tensione, veçanërisht rreth çështjeve si mbështetja për Palestinën. Ndërsa shumica e lëvizjes sonë mbështet hapur kauzën palestineze, siç u demonstrua gjatë Paradës së Krenarisë së Shkupit këtë vit, kjo qasje mbetet përçarëse dhe shpesh etiketohet si radikale nga të tjerët,” tregon ai.
Angel tregon për një shkollë verore për LGBT+ që gjatë fazës së thirrjeve nga organizata joftimiprurëse Ekvalis u zhvendos për shkak të kërcënimeve. Eventi qe hapur për të rinjtë e komunitetit, të cilët do të përdornin arsimin joformal për të krijuar hapësira më të sigurta dhe më gjithëpërfshirëse.
“Situata u bë aq e rrezikshme sa u detyruam ta zhvendosnim fshehurazi të gjithë shkollën verore dhe për herë të parë në historinë e organizatës sonë, të zbatonim siguri të përhershme,” vijon ai.
Angel thekson se vendet tona nuk tregojnë vullnet të mbrojnë komunitetet e margjinalizuara, edhe kur ato përballen me rreziqe ekstreme. Për këtë ai nënvizon si të nevojshme krijimin e aleancave ndër-sektoriale dhe ndër-rajonale nga lëvizjet sindakale, lëvizjet mjedisore, feministe dhe queer..
“Nuk besoj se lëvizjet tona mund të lulëzojnë në izolim, sepse betejat janë thellësisht të ndërlidhura,” përmbyll Angel.
Në Tiranë, investimet madhore zhvillohen përmes lejeve jo-transparente që shfrytëzojnë agresivisht hapësirën urbane.
Rasti i ish-hotel Sheratonit, i kthyer në një projekt gjigand ndërtimi nga grupi Kastrati, është ilustrimi tipik i këtij modeli ku mungon transparenca.
Në vend të një zhvillimi në harmoni me Parkun e Liqenit, Kastrati gëzoi rritje intensiteti dhe kate shtesë në projektin që nuk pa asnjë herë leje ndërtimi të zbardhur dhe ndryshoi të paktën dy herë në dy vite.
Pamja e re e “projektit të vjetër”
Prej javësh, puna në kantierin e ish-hotel “Sheraton” mes “Arenës Kombëtare” dhe Universitetit Politeknik të Tiranës (UPT) është shtuar ndjeshëm.
Nga lart godina qendrore ka nisur të vishet me konceptin zigzag të fasadës së re modulare, konceptuar nga Marco Casamonti, arkitekti italian që “kullëzoi” ish-stadiumin “Qemal Stafa”.
Hoteli simbol i luksit të Tiranës së fillimviteve 2000 nuk do të ketë më fasadën prej xhami dhe do të rrethohet nga një kompleks prej gjashtë kullash të larta deri në 15 kate.
Në të gjitha anët e kantierit dallohen blloqe të mëdha me materialet e fasadave, të cilat janë ndryshe nga ato që reklamohen në renderat e projektit.
Fasada e re e ish-hotelit Sheraton/Citizens.al
Gjithçka nisi në shkurt të vitit 2018 kur Leonardi, djali i sipërmarrësit Shefqet Kastrati, njoftoi në Instagram marrëveshjen për blerjen e ish-Sheratonit.
“Tashmë ish-hotel Sheraton i përket kompanisë Kastrati, sapo u mbyll transaksioni”, njoftoi ai.
Dy muaj përpara shitjes, kompania amerikane e hotelerisë “Sheraton” hoqi emrin nga hoteli i ”MAK Albania-s” duke zyrtarizuar largimin nga Shqipëria.
MAK Albania u themelua në vitin 1992 nga familja kuvajtiane Mohamed Abdulmohsin Al-Karafi, e cila siguroi nga qeveria e kohës troje dhe incentiva si “investitor strategjik” për zhvillime kompleksesh turistike në Tiranë, Dajt dhe bregdetin e Kavajës.
Pjesë e incentivës ishte dhe trualli buzë Parkut të Liqenit, krah UPT-ës. Familja Al-Karafi nisi ta ndërtojë hotelin në vitin 1993, por mundi ta përmbyllë si një filial të markës së njohur “Sheraton” vetëm në fillimvitet 2000.
Në vitin 2018 mediat raportuan se Kastrati e bleu MAK Albanian për 30 milionë euro. Por kontrata e shitjes tregon se objekti u ble për 18 milionë. Pjesa tjetër ishte garanci për të shlyer borxhet dhe huatë e marra ndër vite.
Bilanci i vitit 2017 tregon se MAK Albania kishte rreth 14.5 milionë euro detyrime, por një kapital prej rreth 95 milionë eurosh (rreth 12 miliardë lekë) asete, ndërtesa dhe troje.
Kjo situatë duket se krijoi mundësinë e një ujde për familjen Kastrati, e cila zuri vendin e oligarkëve kuvajtianë.
Në atë periudhë Kastrati hyri fuqimisht në sektorin e ndërtimeve në kryeqytet me projekte të tjera hotelerie, rezidenciash dhe zyrash, ku spikaste projekti “Downtown One” në rrugën e Elbasanit.
Planet aspak transparente të investimeve
Rreth një vit pas blerjes së ish-Sheratonit, Kastrati siguroi leje zhvillimi nga qeveria për një projekt madhor zgjerimi.
Studiot Archea (Marco Casamonti) dhe X-Plan (Ornela Muçaj) propozuan zgjerimin e hotelit ekzistues dhe ngritjen e gjashtë kullave 7-13 kate përreth.
Koncepti fillestar parashikonte 121 mijë m2 ndërtim (69 665 m2 mbi tokë) në 30,000 m2 truall me intensitet 2.32 dhe koeficient shfrytëzimi 44.3%. Projekti parashikonte parkim 3-4 kate nën tokë.
Leja e zhvillimit u sigurua më 8 nëntor 2019. Qeveria ia delegoi kompetencën e lejes së ndërtimit bashkisë Tiranë, e cila nuk i ka bërë asnjëherë publike këto dokumenta.
Sidoqoftë, ligji detyron ndërtuesin ta shfaqë lejen e marrë në një tabelë të dukshme në kantier. Në rastin e Kastratit, ajo nuk është parë kurrë, as pas datës 10 qershor 2021 kur përfitoi leje të re zhvillimi nga qeveria.
Koncepti i ri në lejen e dytë parashikonte shtimin me rreth 36% të sipërfaqes së ndërtimit mbi tokë (nga 69,665 m2 në 108,827 m2) duke shtuar intensitetin në 3.6, me lartësi deri në 15 kate dhe parkingje 5 kate nën tokë.
Nuk është e qartë se kur bashkia Tiranë ia dha lejen e parë të ndërtimit Kastratit – aq më shumë lejen e dytë – por pamjet satelitore dëshmojnë se në kompleksin e ish-“Sheratonit” vinçi ishte ngritur një muaj para se të jepej leja fillestare e zhvillimit nga qeveria: tetor 2019.
Bashkia e Tiranës, kompania Kastrat dhe studiot e arkitekturës nuk iu përgjigjën kërkesave për informim apo koment të Citizens.al rreth kësaj çështje.
Pamje satelitore ku shfaqet vinçi i ngritur në ish-Sheraton që para marrjes së lejes së zhvillimit/Citizens.al
Rasti është i ngjashëm me projektin “Downtown One” te rruga e Elbasanit, po nga Kastrati.
Leja e zhvillimit u dha nga qeveria më 14 prill 2017 për kullë 36 kate me 62,000 m2 sipërfaqe ndërtimi, intensitet 16.26 dhe koeficent shfrytëzimi trualli 45%. Dhënia e lejes së ndërtimit iu delegua bashkisë Tiranë, e cila nuk e bëri publike.
Ajo që dihet është se Kastrati nisi punën paralelisht me gërmimet, që u bënë te ish-parku “7 Xhuxhat” në kuadër të projektit për ndërtimin e parkingut nëntokësor publik.
Projekti në fjalë nisi në janar 2018, rreth tetë muaj pasi Kastrati kishte marrë lejen e zhvillimit për kullën.
Në të njëjtën datë kur përfitoi leje të dytë zhvillimi për ish-Sheratonin, Kastrati përfitoi rishikim të lejes së zhvillimit për “Downtown One”.
Në lejen e re të datës 10 qershor 2021 struktura fitoi 4 kate lartësi, por shtoi vetëm 92 m2 sipërfaqe totale. Për këtë ndryshim Kastrati lëshoi rreth 5% koeficient shfrytëzimi të truallit për qëllime publike për një total prej 60.5%.
Nuk është e qartë se përse është dashur ky rishikim në leje, ku praktikisht nuk është përfituar ndonjë sipërfaqe ndërtimi. Por ka gjasa ajo mund të jetë bërë për të legjitimuar gërmimet jashtë kufirit të pronës në ndërtimin e parkingut të kullës.
Kastrati ka dalë me gërmime deri në rrugën “Fatmir Haxhiu”, pjesë për të cilën ditët e fundit po ripunohet me betonarme (foto 2023; foto 2025).
Brenda kantierit të Downtown One, ku po punohet me betonarme zona fundore/Citizens.al
Shkelje të mundshme konstatohen edhe te projekti i ish-Sheratonit.
Në fillim të vitit 2022 Kastrati rrethoi pjesën para duke vijuar punimet për parkingun nëntokësor.
Pamjet satelitore tregojnë se kompania rrethoi edhe rreth 1,800 metra katrorë përtej rrugës ekzistuese të hotelit. Kjo ndërhyrje nuk ishte parashikuar në asnjë nga dy lejet e zhvillimit – të vetmet dokumente publike.
Një rrugë e re u hap krah UPT-së në atë që hartat e Kadastrës tregojnë të jetë prona 7/18 e Zonës 8160. Kështu Kastrati u zgjerua nëntokë deri në kufi të pronës së tij dhe përfitoi një rrugë që i shkon direkt në hyrjen e parkingut.
Rruga e re dhe pjesa e shtuar e hotelit të Mak-Albanias/Citizens.al
Lëvizjet në hije të “investitorëve strategjikë”
Zhvillimi i ish-Sheratonit është nisur nga Kastrati në ortakëri me sipërmarrësin Samir Mane, por sot nuk kuptohet nëse vijon e njëjta ortakëri.
Leja e parë e zhvillimit për ish-Sheratonin përmendte si zhvillues kompanitë e grupit Kastrati (Kastrati Residences dhe Kastrati Hotels & Tower) dhe Mak Elite Offices (MEO) një kompani e themeluar në vitin 2017 nga Balkan Finance Investment Group (Balfin) e sipërmarrësit Mane.
Dokumentet tregojnë se në shkurt 2018 – pra, kur Kastrati bleu ish-Sheratonin – grupi bleu për 700 mijë lekë edhe 50% të aksioneve të Manes te projekti “Downtown One”, të cilat zotëroheshin nga BFI Invest – tjetër kompani e Balfin-it.
Nuk kuptohet qartë se si Balfin është tërhequr nga një projekt si “Downtown One” për kaq pak para, kur për më tepër kishin nisur punimet.
Nga ana tjetër, për MEO-n mund të themi se nuk ka pasur ecuri të gjatë. Kjo kompani e Balfinit rriti kapitalin me rreth 180 mijë euro në vitin 2020 dhe një vit më pas pezulloi dhe çregjistroi aktivitetin.
Balfin nuk iu përgjigj një kërkese për koment nga Citizens.al nëse vijonte të ishte e përfshirë në investimin te ish-Sheratoni, edhe pse në lejen e dytë të zhvillimit ajo nuk përmendet më.
Projekti i Kastratit u reklamua bujshëm nga kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj se do të tërhiqte si filiale markat ndërkombëtare të hoteleve Hyatt dhe Hilton. Në një njoftim në faqen e saj, Hilton thoshte se do të mund të niste punën në mjediset e reja nga fundi i vitit 2023.
Të dy markat ndërkombëtare nuk iu përgjigjën kërkesave për koment nga Citizens.al rreth arsyes së shtyrjes së këtij afati dhe periudhës se kur mund të mbarojnë punimet.
Por, rasti i ish-“Sheratonit” tregon se investimet në zemër të Tiranës nuk janë më çështje zhvillimi, por demonstrim influencash dhe pushteti.
Në një shtet ku ligji vepron selektivisht dhe informacioni mbahet i fshehur, fiton më shumë ai që ka akses te pushteti. Humb qyteti, humbin qytetarët.