Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 18 July 2025Main stream

Rama: Bankat, prapambetjeje të pajustifikuar ndaj zhvillimeve digjitale

TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot përpjekjet e sektorit të inovacionit në Shqipëri si një model frymëzues për të gjithë sektorin privat, sidomos në raport me përgatitjen për integrimin në Bashkimin Europian dhe shfrytëzimin e fondeve të tij.

Gjatë një takimi në Berat me përfaqësues të teknologjisë, inovacionit dhe startup-eve shqiptare, Rama vuri theksin mbi nevojën për një ndërveprim më të ngushtë mes këtij sektori dhe institucioneve financiare, duke kritikuar qëndrimin e bankave të nivelit të dytë, të cilat sipas tij, po tregojnë një prapambetje të pajustifikuar ndaj zhvillimeve digjitale dhe progresit që kërkohet.

“Ka qenë shumë impresionuese të njihesha me disa prej jush në aspektin e aktivitetit aktual, gjëra shumë interesante dhe si rrjedhojë kanë prodhuar një sërë eventesh të tjera që ne do të realizojmë, qoftë për të prezantuar inovacionet tuaja me sektorin e investitorëve, në sektorin e investimeve në ndërtim, në turizëm, qoftë për të pasur një ballafaqim me bankat e nivelit të dytë dhe me Bankën e Shqipërisë për të përcjellë mesazhin tek bankat që janë në kushtet e një prapambetjeje që po e kërcënon progresin e sektorit dhe për më tepër një prapambetje tërësisht e pajustifikuar po të kemi parasysh se tanimë gjithë legjislacioni i nevojshëm është i miratuar. Të gjitha instrumentet nga ana e sektorit janë në dispozicion dhe këmbëngulja e bankave për të mos lëvizur me të njëjtin ritëm jo vetëm dëmton sektorin, por dëmton në tërësi interesat e shoqërisë duke penguar lehtësimin e mëtejshëm të gjitha ndërveprimeve që lidhen me transaksionet financiare”, deklaroi Rama.

/a.f/

The post Rama: Bankat, prapambetjeje të pajustifikuar ndaj zhvillimeve digjitale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dredha: Angazhim qytetar për pastërtinë dhe rregullin në qytet

TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, ka bërë sot një thirrje publike për të gjithë qytetarët dhe vizitorët, duke theksuar se Vlora është një qytet që u përket të gjithëve dhe kërkon angazhim të përbashkët për ta mbajtur të pastër dhe të rregullt.

Në një reagim publik, Dredha apeloi për ndërgjegjësim qytetar për çështje të tilla si hedhja e mbeturinave jashtë orarit të përcaktuar, parkimet e paligjshme dhe mungesa e kujdesit ndaj hapësirave publike.

“Rregulli, pastërtia dhe qarkullimi nuk janë privilegj, janë detyrim kolektiv dhe kulturë urbane. Për këtë nevojitet edukim dhe disiplinë qytetare, jo thjesht ndëshkim,” u shpreh ai.

Sipas tij, Bashkia do të përcaktojë orare të qarta për hedhjen dhe grumbullimin e mbetjeve, duke i bërë ato publike dhe të detyrueshme për t’u respektuar nga qytetarët, bizneset dhe shërbimet përkatëse.

“Kjo është një thirrje për reflektim dhe bashkëpunim, që të gjithë të japin kontributin e tyre me propozime konkrete në dëgjesa publike dhe të bëhen pjesë e zgjidhjes së problemeve,” përfundoi Dredha.

Ai shtoi se qyteti do të jetë ashtu siç sillemi me të, duke e konsideruar Vlorën si shtëpinë e përbashkët të të gjithëve.

/a.f/

The post Dredha: Angazhim qytetar për pastërtinë dhe rregullin në qytet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Ministrin për Inteligjencën Artificiale do ta zgjedhim me komunitetin e inovatorëve

TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se zgjedhja e ministrit të Shtetit për Inteligjencën Artificiale do të bëhet me pjesëmarrjen e komunitetit të inovatorëve dhe start up-eve.

“Ministrin e Shtetit për Inteligjencën Artificiale do ta zgjedhim me pjesëmarrjen tuaj, nëse do arrini dot të krijoni një model të Inteligjencës Artificiale që të zgjedhë ministrin, do të jetë hapi i parë drejtë momentit historik, kur Shqipëria do jetë e para që të ketë qeverinë të tërën me ministra dhe me kryeministër AI”, deklaroi Rama, gjatë takimit në Berat me aktorë të sektorit të teknologjisë dhe inovacionit.

Ai shtoi se në atë moment, qeverisja do t’i kalonte tërësisht inteligjencës artificiale, ndërsa njerëzit do të mund të diskutonin për politikën pa pasur mundësinë të marrin vendime.

/a.f//r.e/

The post Rama: Ministrin për Inteligjencën Artificiale do ta zgjedhim me komunitetin e inovatorëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përfundon restaurimi i Kalasë së Bashtovës me mbështetjen e BE

TIRANË, 18 korrik/ATSH/ Zyra e Bashkimit Evropian në Tiranë njoftoi sot përfundimin e punimeve për konservimin dhe restaurimin e Kalasë së Bashtovës, një prej monumenteve historike më të rëndësishme të Shqipërisë.

E ndërtuar fillimisht në shekullin e 15-të nga venedikasit për të kontrolluar bregdetin dhe tregtinë e grurit, Kalaja e Bashtovës është ruajtur dhe restauruar përmes ndërhyrjeve të thella që kanë pasur për qëllim mbrojtjen e strukturës, nxjerrjen në pah të elementeve historike dhe përgatitjen e saj për përdorim të qëndrueshëm në të ardhmen.

Punimet përfshinë restaurimin e mureve dhe kullave të kalasë, përmirësimin e aksesit dhe elementëve të sigurisë, kërkime të detajuara arkeologjike, zhvillimin e një sistemi interpretimi interaktiv multimedial si dhe ndërtimin e një qendre për vizitorët.

Ky projekt u realizua në kuadër të programit EU4Culture, të financuar nga Bashkimi Evropian dhe të zbatuar nga UNOPS, në partneritet të ngushtë me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Zyra e BE-së fton qytetarët dhe vizitorët të ndjekin informacione të mëtejshme mbi këtë sit kulturor të rëndësishëm.

Kalaja e Bashtovës
1 nga 5

/a.f//r.e/

The post Përfundon restaurimi i Kalasë së Bashtovës me mbështetjen e BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 17 July 2025Main stream

Partizani eliminohet në turin e parë të Conference League

TIRANË, 17 korrik/ATSH/ Partizani është eliminuar në turin e parë të UEFA Conference League, pas humbjes 0-1 ndaj skuadrës estoneze Nomme Kalju në “Air Albania”.

Pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë, takimi në Tiranë zgjati 120 minuta. Koha e rregullt u mbyll pa gola, ndërsa në shtesë Ivanov realizoi për miqtë, duke i dhënë kualifikimin Nomme Kalju-s.

Partizani humbi edhe një mundësi të artë për të kaluar në avantazh, pasi në minutën e 78-të Skuka gaboi nga pika e penalltisë.

/a.f//r.e/

The post Partizani eliminohet në turin e parë të Conference League appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Muzeu Historik Kombëtar, bisedë historike mbi misionet fetare në trojet shqiptare

TIRANË, 17 korrik/ATSH/ Në ambientet e bibliotekës “Sotir Kolea” në Tiranë, Muzeu Historik Kombëtar zhvilloi sot një aktivitet me vlerë historike dhe kulturore, në kuadër të ciklit të bisedave me ekspertë të albanologjisë.

I ftuar në këtë veprimtari ishte studiuesi Mark Palnikaj, i cili ndau me publikun të dhëna të rëndësishme nga relacionet e Fra Giacinto da Sospello, një dorëshkrim i vitit 1652, që ruhet në Bibliotekën e Bashkisë së Fermos në Itali. Dokumenti përshkruan 16 misione fetare të zhvilluara ndër vite në trojet shqiptare dhe përmban fakte të vyera historike e sociale për Shqipërinë e shekullit XVII.

Me këtë aktivitet, Muzeu Historik Kombëtar vijon misionin për promovimin e historisë kombëtare, duke sjellë në vëmendje dokumente, figura dhe ngjarje që dëshmojnë për identitetin dhe trashëgiminë shqiptare.

/a.f//r.e/

The post Muzeu Historik Kombëtar, bisedë historike mbi misionet fetare në trojet shqiptare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Osmani: Nëse Kuvendi nuk konstituohet deri në fundjavë, duhet të ketë pasoja juridike për deputetët


PRISHTINË, 17 korrik/ATSH/ Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se nëse nuk konstituohet Kuvendi i Kosovës deri më njëzetegjashtë korrik, afat i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, duhet të ketë pasoja juridike për deputetët.

Ajo theksoi se janë duke përgatitur lëndën për interpretim kushtetues për krizën politike, dhe nëse nuk ka formim të institucioneve as gjatë këtij vikendi, atëherë në fillim të javës së ardhshme do ta dërgojnë çështjen në organin më të lartë juridik të vendit.

Osmani, në konferencë për media të enjten, renditi një varg pyetjesh që sipas saj kërkojnë sqarime kushtetuese nga Kushtetuesja për atë që ndodh pas datës njëzetegjashtë korrik.

Kuvendi i Kosovës edhe pas më shumë se pesë muaj nga zgjedhjet e nëntë shkurtit, nuk po arrin të zgjedhë trupat e legjislativit, çka pastaj do t’i hapte rrugë formimit të qeverisë së re.

Gjykata Kushtetuese, në fund të muajit qershor, ka dalë me një aktgjykim ku i obligon deputetët ta konstituojnë Kuvendin deri më njëzetegjashtë korrik. Megjithatë, pavarësisht kësaj, ndërsa kanë mbetur më pak se dhjetë ditë nga ky afat, nuk po arrihet pajtim për zgjedhjen e kryekuvendarit dhe trupave të tjerë të legjislativit.

Osmani tha se janë duke përgatitur lëndën për Kushtetuese, dhe paralajmëroi se nëse edhe gjatë këtij vikendit nuk ka formim të institucioneve, në fillim të javës ajo do ta dërgojë çështjen për interpretim.

Duke folur për aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, ku theksohet se një deputet i certifikuar nuk mund të ushtrojë poste ekzekutive, Osmani u shpreh më e rezervuar. Ajo tha se palët e pakënaqura mund t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.

/Kosovapress/

The post Osmani: Nëse Kuvendi nuk konstituohet deri në fundjavë, duhet të ketë pasoja juridike për deputetët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndërhyrjet në pavarësinë e gjyqësorit, EULEX mbështet Supremen

PRISHTINË, 17 korrik/ATSH/ Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Rexhepi ka pritur sot në takim shefin e misionit të EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano, me të cilin ka diskutuar lidhur me gjendjen e fundit në vend, të krijuar si pasojë e përpjekjeve për ndërhyrje në pavarësinë e gjyqësorit nga pushteti ekzekutiv.

Sipas njoftimit, kryetari Rexhepi theksoi vendosmërinë e Gjykatës që drejton dhe të gjithë sistemit të drejtësisë, për të vazhduar punën, pavarësisht sulmeve e tendencave nga Qeveria në detyrë për të dëmtuar imazhin e gjyqësorit dhe për të penguar funksionimin e pavarur të saj, duke shtuar se institucionet shtetërore janë të obliguara të zbatojnë vendimet gjyqësore, si kusht për funksionimin e shtetit ligjor.

Ndërkaq shefin i EULEX-it, Pietro Barbano, duke dënuar sulmet e fundit, potencoi se e mbështesin fuqishëm Gjykatën Supreme derisa sulmet e Qeverisë në detyrë i cilësoi të papranueshme. Sipas tij, etiketimi dhe atakimi i gjyqtarëve me emra, duke i vendosur ata në rrezik nga ndonjë sulm i mundshëm, është i pa-tolerueshëm dhe i papranueshëm.

Takimi i kryetarit Rexhepi me shefin e EULEX Pietro Barbano dhe ekipin e tij, u  zhvillua meqë ndaj Gjykatës Supreme, në dy ditët e fundit pati një varg reagimesh nga Qeveria në detyrë, pasi kjo gjykatë, përmes aktgjykimit P.A.nr.09/2025, shfuqizoi Udhëzimin Administrativ (MFPT) nr.01/2025 për Shfrytëzimin e Pajisjeve Elektronike Fiskale, Sistemeve Fiskale dhe Softuerëve Elektronikë Fiskalë.

/Kosovapress/

The post Ndërhyrjet në pavarësinë e gjyqësorit, EULEX mbështet Supremen appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Osmani: Serbia ka tendenca destabilizuese ndaj Kosovës


PRISHTINË, 17 korrik/ATSH/ Presidentja Vjosa Osmani deklaroi se në muajin maj kanë marrë informacion që Serbia ka tendenca destabilizuese ndaj Kosovës.

“Në fund të muajit maj kemi marrë informata specifike. Gënjeshtrat e Serbisë janë pjesë e propagandës së tyre të vazhdueshme. I siguroj qytetarët që nuk ka nevojë për panik. Kërcënimet nga Serbia janë të vazhdueshme, megjithatë institucionet tona kanë gjithçka nën kontroll”, tha ajo.

Osmani tha se qytetarët janë informuar për këto tendenca, teksa përmendi edhe deklarimet e ministrit në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, raporton KosovaPress.

Në konferencë për media, presidentja Osmani deklaroi se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka pasur takime jashtëzakonisht të rëndësishme. Ajo tha para mediave se në këto takime u konfirmua se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e shohin Kosovën si aleat strategjik.

/KosovaPress/

The post Osmani: Serbia ka tendenca destabilizuese ndaj Kosovës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Manastirliu: Gjimnazi “Dhaskal Todhri” do t’i nënshtrohet rikonstruksionit të plotë

TIRANË, 17 korrik/ATSH/ Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, bëri të ditur sot se gjimnazi “Dhaskal Todhri” në Elbasan do t’i nënshtrohet së shpejti një rikonstruksioni të plotë, duke sjellë standarde më të mira infrastrukturore për nxënësit dhe mësuesit.

Gjatë një takimi me mësuesit e kësaj shkolle, Manastirliu theksoi se investimi në arsimin cilësor mbetet prioritet, ndërsa nënvizoi se janë duke u ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të përmirësuar cilësinë e mësimdhënies dhe për të mbështetur më tej mësuesit.

“Me mësuesit e shkollës ‘Dhaskal Todhri’ në Elbasan ndamë lajmin e mirë se ky gjimnaz shumë shpejt do t’i nënshtrohet rikonstruksionit të plotë, ndërsa diskutuam për hapat që po hedhim për të rritur cilësinë e mësimdhënies dhe për të mbështetur më shumë mësuesit tanë, që janë shtylla e sistemit arsimor”, shkruan ministrja Manastirliu në një postim në rrjetet sociale, teksa ndau pamje dhe të projektit për rikonstruksionin e gjimnazit “Dhaskal Todhri”.

Ky investim vjen si pjesë e programit të qeverisë për përmirësimin e infrastrukturës shkollore dhe krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin e procesit mësimor.

1 nga 5

/a.f//r.e/

The post Manastirliu: Gjimnazi “Dhaskal Todhri” do t’i nënshtrohet rikonstruksionit të plotë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Kosova rikthehet me të drejta të plota në Regjistrin Evropian për Cilësi të Arsimit të Lartë

TIRANË, 16 korrik /ATSH/ Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi sot se rikthimi i Kosovës në Regjistrin Evropian për Cilësi të Arsimit të Lartë (EQAR) është një sukses i madh dhe dëshmi e angazhimit për të rritur cilësinë e arsimit të lartë dhe për ta përafruar atë me standardet evropiane.

“Vendi ynë ka qenë edhe më herët anëtar i këtij organizmi, por në vitin 2018 e patëm humbur anëtarësinë për shkak të ndërhyrjeve politike të qeverisë së atëhershme të PAN-it në strukturën e Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA)”, tha Kurti.

Ai nënvizoi se qeveria e tij, përmes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, që prej vitit 2021 ka mbështetur Agjencinë e Kosovës për Akreditim, duke i krijuar kushtet për të vepruar në mënyrë të pavarur dhe autonome, me profesionalizëm dhe përkushtim.

“Tashmë jo vetëm që u rikthyem anëtarë, por edhe me të drejta të plota, duke qenë vendi i parë në Ballkanin Perëndimor me këtë status”, theksoi Kurti, duke shtuar se kjo sjell mundësi të reja për universitetet dhe studentët kosovarë për të pasur qasje të plotë në programet e BE-së, përfshirë mobilitetin, bursat dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

/a.f/

The post Kosova rikthehet me të drejta të plota në Regjistrin Evropian për Cilësi të Arsimit të Lartë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

OVL-UÇK: Vendimi i Speciales, zhgënjyes dhe shqetësues për drejtësinë

PRISHTINË, 16 korrik/ATSH/ Organizata e Veteranëve të Luftës ka reaguar pas vendimit të sotëm të Gjykatës Speciale në Hagë për të refuzuar mocionin për rrëzimin e një pjese të aktakuzës në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

“OVL, SHIL, dhe SHFD kanë ndjekur me vëmendje rrëzimin e mocionit të paraqitur nga mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara. Ky vendim është zhgënjyes dhe ngjall shqetësime serioze për drejtësinë dhe paanshmërinë që kjo gjykatë pretendon ta përfaqësojë”, thuhet në reagim.

Sipas OVL-UÇK rrëzimi i mocionit është mesazh negativ për drejtësinë.

Përmes një postimi në Facebook, Organizata e Veteranëve të Luftës ka bërë thirrje për opinionin publik dhe komunitetin ndërkombëtar që të mos bien pre e narratives së shtrembëruar.

“I bëjmë thirrje opinionit publik dhe komunitetit ndërkombëtar që të mos bien pre e një narrative të shtrembëruar. Kjo gjykatë po rrezikon të shndërrohet në mjet për rishkrim të historisë, e jo në garanci të drejtësisë. Në emër të të gjithë atyre që sakrifikuan për lirinë e Kosovës, do të qëndrojmë gjithmonë në mbrojtje të së vërtetës dhe të drejtave të bashkëluftëtarëve tanë”, thuhet ndër të tjerash në reagim.

Specialja rrëzon mocionin e mbrojtjes në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

/Kosovapress/

The post OVL-UÇK: Vendimi i Speciales, zhgënjyes dhe shqetësues për drejtësinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KPA vendos trajnim 1-vjeçar për prokuroren Elona Alvora


TIRANË, 16 korrik/ATSH/ Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA) shpalli sot vendimin për çështjen nr. 39/2022, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, lidhur me subjektin e rivlerësimit Elona Alvora.

Trupi gjykues i KPA-së, i përbërë nga Ina Rama kryesuese, Rezarta Schuetz relatore, Albana Shtylla, Mimoza Tasi dhe Sokol Çomo anëtarë, vendosi në mënyrë unanime ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 538, datë 7 qershor 2022, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Elona Alvora.

Në përfundim të gjykimit, KPA vendosi pezullimin nga detyra të Elona Alvorës për një periudhë njëvjeçare dhe detyrimin e saj për të ndjekur programin e trajnimit, sipas kurrikulave të miratuara nga Shkolla e Magjistraturës.

Ky vendim ka efekt të menjëhershëm dhe u shpall sot, më 16 korrik 2025, në Tiranë.

/a.f/

The post KPA vendos trajnim 1-vjeçar për prokuroren Elona Alvora appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lirohet një hapësirë publike në Durrës, arrestohet 42-vjeçari

TIRANË, 16 korrik/ATSH/ Vijojnë kontrollet intensive në terren për evidentimin e ndërtimeve të paligjshme dhe lirimin e hapësirave publike të zëna në kundërshtim me ligjin, në qytetin e Durrësit.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake dhe me Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit (IMT), gjatë kontrolleve të zhvilluara në Lagjen nr. 4, konstatuan një objekt prej druri që po ndërtohej pa lejen përkatëse, në një pronë publike.

Në vijim të veprimeve procedurale u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit F. B., 42 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, kryer për qëllime fitimi.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Policia e Durrësit liron hapësirat publike
1 nga 3

/a.f//r.e/

The post Lirohet një hapësirë publike në Durrës, arrestohet 42-vjeçari appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Moti sot – Temperaturat deri në 36°C

TIRANË, 16 korrik /ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se ditën e mërkurë, vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të qëndrueshme, sipas parashikimit të Shërbimit Meteorologjik Ushtarak.

Moti do të jetë i kthjellët, me alternime vranësirash të mesme dhe të larta, të cilat do të jenë më të dukshme kryesisht mbi relievet malore.

Era do të fryjë nga drejtimi veriperëndim–verilindje, me shpejtësi mesatare 7 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore era pritet të arrijë hera-herës shpejtësi deri në 14 m/s, duke sjellë valëzim në det të forcës 1-3 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 20/36 Diell pak re
Kukës 19/34 Diell re
Lezhë 20/36 Diell
Dibër 17/32 Diell re
Durrës 20/35 Diell
Tiranë 22/36 Diell pak re
Elbasan 22/36 Diell pak re
Berat 17/35 Diell pak re
Vlorë 21/34 Diell
Korçë 18/32 Diell
Gjirokastër 17/36 Diell re
Sarandë 20/34 Diell re

 

/a.f/

The post Moti sot – Temperaturat deri në 36°C appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Egnatia” eliminohet nga Liga e Kampionëve

TIRANË, 15 korrik/ATSH/ “Egnatia” ka përfunduar udhëtimin në Ligën e kampionëve. Skuadra kampione e Shqipërisë është mundur me rezultatin 5-0 në Islandë kundër
“Breidablik”.

Edhe pse ndeshja e parë u fitua nga “Egnatia” me rezultatin 1-0, në sfidën e kthimit, të besuarit e trajnerit Edlir Tetova pësuan pesë gola dhe shfaqën brishtësi të mëdha përballë një kundërshtari që tronditi katër herë portën e rrogozhinasve në 38 minuta lojë.

Pjesa e parë u mbyll me avantazhin e katër golave nga vendasit, ndërsa në të dytën ata realizuan dhe të pestin, ndërsa Egnatia nuk ia doli dot të shënonte golin e nderit.
Kështu Kampionët e Shqipërisë e mbyllin që në turin e parë aventurën e tyre në Champions, teksa do të kalojnë në kualifikueset e Conference League, aty ku do të ndeshet me skuadrën humbëse nga dueli Dinamo Minsk – Ludogorets.
/r.e/

The post “Egnatia” eliminohet nga Liga e Kampionëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lirimi i hapësirave publike, Koçiu vlerëson bizneset e Njësisë 11 për bashkëpunimin

TIRANË, 15 korrik /ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, njëherazi deputete e zgjedhur në qarkun Tiranë, vlerësoi sot bizneset e Njësisë Administrative nr. 11 që po bashkëpunojnë vullnetarisht në lirimin e hapësirave publike.

“Sinqerisht mirënjohje për të gjitha bizneset që po bëhen pjesë e këtij procesi të rëndësishëm për komunitetin, duke liruar hapësirat publike dhe kontribuar për një mjedis më të mirë për të gjithë”, u shpreh Koçiu.

Ministrja gjithashtu vlerësoi punën e palodhur të strukturave të Bashkisë së Tiranës dhe të taskforcës së ngritur për zbatimin në terren të këtij aksioni, që ka për qëllim rikthimin e hapësirave të përbashkëta në funksion të qytetarëve.

/a.f//r.e/

The post Lirimi i hapësirave publike, Koçiu vlerëson bizneset e Njësisë 11 për bashkëpunimin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Osmani prezanton potencialin e Kosovës për investitorët e huaj

PRISHTINË, 15 korrik/ATSH/  Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me Dhomën Ekonomike të Letonisë, ku ka prezantuar potencialin që ofron Kosova për investitorët e huaj.

Zyra e Presidencës përmes një komunikate për media njoftoi se Osmani ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim ekonomik me Letoninë.

“Në takimin me Odën Ekonomike të Letonisë, prezantova potencialin që ofron Kosova për investitorët e huaj: qasje të lirë në disa tregje ndërkombëtare, një klimë që bazohet në sundimin e ligjit dhe inovacion, fuqi punëtore të re dhe të kualifikuar, e legjislacion në përputhje të plotë me standardet evropiane. Jemi të hapur për të ndërtuar ura të reja partneriteti me Letoninë, ndërsa bashkëpunimi ekonomik mbetet ndër prioritetet kryesore”, thuhet në njoftim.

/KosovaPress/

The post Osmani prezanton potencialin e Kosovës për investitorët e huaj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KPA lë në fuqi shkarkimin nga detyra të prokurorit Ilir Hoxha

TIRANË, 15 korrik /ATSH/ Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) ka lënë në fuqi vendimin për shkarkimin nga detyra të prokurorit të Durrësit, Ilir Hoxha.

Vendimi u mor nga trupi gjykues i KPA-së, i përbërë nga Sokol Çomo kryesues, Ina Rama relatore, Albana Shtylla, Mimoza Tasi dhe Natasha Mulaj anëtare, pas shqyrtimit të ankimit të bërë nga Ilir Hoxha kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), nr. 734, datë 22.01.2024.

“Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja ‘a’ të ligjit nr. 84/2016, ‘Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë’, në mënyrë unanime, vendosi: Lënien në fuqi të vendimit nr. 734, datë 22.01.2024 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Ilir Hoxha. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm”, thuhet në njoftimin zyrtar të KPA-së.

Shkarkimi i prokurorit Ilir Hoxha vjen në kuadër të procesit të Vetting-ut të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si pjesë e Reformës në Drejtësi në vend.

/a.f//r.e/

The post KPA lë në fuqi shkarkimin nga detyra të prokurorit Ilir Hoxha appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zjarr në depon ushqimore në Lipjan, një zjarrfikës dërgohet në emergjencë

PRISHTINË, 15 korrik/ATSH/ Një zjarr i madh në Lipjan ka përfshirë një depo dhe zyrat qendrore të një rrjeti të supermarketeve që vepron në Kosovë.

Nga zjarri nuk raportohet për persona të lënduar nga radhët e civilëve, por megjithatë një zjarrëfikës është dërguar në emergjencë për trajtim mjekësor pasi pas intervenimit i është përkeqësuar gjendja.

Ekipet e zjarrfikësve janë në vendin e ngjarjes , duke u përballur me flakët që kishin përfshirë të gjithë objektin.

Ende nuk dihet shkaku i shpërthimit të zjarrit dhe as shuma e dëmeve materiale që janë shkaktuar.

/KosovaPress.

The post Zjarr në depon ushqimore në Lipjan, një zjarrfikës dërgohet në emergjencë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌