TIRANË, 15 korrik /ATSH/ Policia e Shtetit vijon punën në koordinim të plotë me Inspektoratin Kombëtar të Territorit, për lirimin e hapësirave publike të zëna në kundërshtim me ligjin.
Në këtë kuadër, është liruar sot një hapësirë publike në rrugën “Ali Demi” në Tiranë, e cila ishte zënë nga familjarët e një 67-vjeçari të arrestuar rreth një jave më parë, për të njëjtën paligjshmëri.
Gjatë këtij operacioni janë hequr blloqet e betonit që ishin vendosur në hapësirën e zënë, ndërkohë që më herët, nga e njëjta hapësirë, janë hequr dhe sekuestruar dy automjete të vendosura në mënyrë të kundërligjshme.
Për këtë rast, më datë 7 korrik 2025, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, Tiranë, arrestuan shtetasin B. D., 67 vjeç. Sot, ka nisur procedimi në gjendje të lirë për djalin e tij, shtetasin E. D., 25 vjeç.
Sipas Policisë së Shtetit, ata akuzohen se kanë falsifikuar dokumente në lidhje me pronësinë mbi këtë hapësirë publike, të cilën e zinin vazhdimisht me objekte të ndryshme, në kundërshtim me ligjin. Gjithashtu, familjarët e tyre konfliktoheshin me banorët e një pallati pranë kësaj hapësire, për të mos lejuar parkimin e automjeteve.
Operacioni u zhvillua nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DPPSh-së, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë dhe me shërbimet e Drejtorisë së Mirëmbajtjes së Trotuareve dhe Zgarave të Bashkisë Tiranë, në kuadër të një procedimi penal të regjistruar nga Prokuroria e Tiranës, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Vetëgjyqësia” dhe “Kanosja”.
Materialet procedurale për këtë rast janë referuar Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
/a.f/
The post Tiranë – Lirohet një hapësirë publike tek “Ali Demi” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.