Gazetarët solidarizohen kundër bllokimit të “News24”
Dhjetëra gazetarë, aktivistë dhe përfaqësues të opozitës protestuan sot para radiotelevizionit “News24” për mbylljen e sinjalit të transmetimit që iu bë nga policia asaj dhe mediave të tjera të lidhura me të. Prej 9 gushtit mjediset e këtij grupi mediatik nuk qasen dot nga rreth 230 punonjës pasi qeveria ia ka kaluar ndërtesën një kompanie shtetërore të prodhimit të armëve.
“Demokracia vdes në errësirë” ishte thirrja e Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) për protestën që u mbajt sot përpara godinës së “News24”. Kreu i AGSH, Isa Myzyraj, kërkoi ndalimin e veprimeve nga ana e IKMT-së, Ministria e Mbrojtjes dhe institucionet e tjera të përfshira, duke paralajmëruar se “sot është News24, nesër mund të jetë çdo media tjetër”.
Drejtoresha e përgjithshme e News24, Anila Jole, u shpreh e tronditur nga ndërprerja e sinjalit, duke e quajtur ngjarjen jo vetëm goditje profesionale, por edhe personale.
“Konfliktet civile zgjidhen në gjykata, jo duke fikur ekranin e një televizioni. Liria e medias është themeli i demokracisë”, tha ajo, duke u bërë thirrje qytetarëve dhe kolegëve gazetarë të mos lejojnë shuarjen e zërit të lirë.
Konteksti dhe dinamika e zhvillimit të çështjes
Radiotelevizioni “News24” dhe mediat e tjera të lidhura me të si “Gazeta Shqiptare” apo “BalkanWeb”, zotërohen nga “Focus Media Group”, e themeluar nga një ortakëri sipërmarrësish italian në vitin 2002.
Prej vitit 2003 “Focus Media Group” u vendos si qiramarrëse në mjediset e ish-Uzinës së Pjesëve të Ndërrimit të Automjeteve, njohur ndryshe si ish-“Uzina e Autotraktorëve”. Ajo mori godinën që ndodhet në anë të rrugës me numër kadastral 10/300.
Në vitin 2011 “Focus Media Group” u ble për rreth 6 milionë euro nga një ortakëri e kryesuar nga familja Hysenbelliu, e cila zotëron edhe kompaninë “Panorama Group”, që boton gazetat “Panorama” dhe “Panorama Sport”.
Prej vitit 2013 grupi mediatik mori me qira edhe një godinë tjetër pas selisë së “News 24”, e cila përdorej kryesisht për studiot e emisioneve. Godina ndodhet në pasurinë 10/304 e pretenduar nga qeveria.
Mëngjesin e së shtunës, datë 9 gusht, mjediset e radiotelevizionit “News24” dhe mediave të tjera të lidhura me të u rrethuan nga forca të shumta të policisë. Ata deklaruan se kishin urdhër për boshatisjen e godinës në pronën 10/300.
Rreth 230 gazetarë dhe punonjës të mediave u ndaluan të hynin në zyra. Ndërtesës iu shkëput energjia elektrike e për rrjedhojë televizioneve iu mbyll sinjali i transmetimit. Ata deklaruan se aksioni ishte pa paralajmërim dhe nuk u dha kohë për zhvendosjen e sistemit të transmetimit në godinën tjetër.
Opozita, organizata të medias dhe shoqërisë civile dënuan aksionin policor si të paprecedentë dhe cenim të lirisë së medias.
Në mesditë, Avokatura e Shtetit lëshoi një deklaratë për shtyp, në të cilën tha se kontrata e qirasë me familjen Hysenbelliu kishte përfunduar prej majit 2022 dhe se për çdo pretendim të ngritur gjykatat janë shprehur në favor të shtetit.
Avokatura tha se prej marsit 2025 godina i ishte dhënë përmes një vendimi të qeverisë kompanisë shtetërore të prodhimit të armëve “KAYO”. Deklarata për shtyp (foto) nuk u gjend më online në faqen e Avokaturës, sot e hënë.

Familja Hysenbelliu kundërshtoi këto pretendime duke i cilësuar “keqinformuese” dhe “të pavërteta”. Ajo i kërkoi Avokaturës të bënte publike vendimin e gjykatës që kërkon lirimin e ambientit, teksa denoncoi “ndërprerjen e dhunshme të aktivitetit mediatik” nga policia dhe Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike si të paprecedentë.
Rreth orës 17:00 në mjediset e “News 24” u vendosën forcat e ushtrisë, teksa në rrjetet sociale u botua një version i kontratës së qirasë, që linte të nënkuptohej se ajo ishte e vlefshme deri në vitin 2033.
Por, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) u shpreh se kontrata në fjalë, ishte për pronën tjetër në zonën 10/304. Grupi mediatik u kundërpërgjigj duke thënë se kontrata lidhej me godinën ku operon “Panoarama TV”, që gjithashtu ishte mësyrë nga ushtria dhe ajo mund t’i lejohej për ta vazhduar punën.
Në një deklaratë tjetër, pasditen e së dielës, MEKI tha se familja Hysenbelliu nuk ka paguar qiranë për godinën që prej shkurtit 2017 dhe se aktualisht detyrimet e saj “përllogariten mbi 2 milionë euro”.
MEKI e shoqëroi deklaratën e radhës me një hartë kadastrale në të cilin shpjegohej ndarja e pronave të ish-Uzinës mes “Ndërmarrjes Industriale Nr.1” në varësi të saj dhe kompanisë “KAYO” në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes.
Lexoni gjithashtu:
- Policia ndalon punën e News 24: Godina e saj do të jepet për fabrikë armësh
- Administrimi shtetëror i “Ora News” lë pa paguar kontributet e punonjësve
- Gazetarëve lokalë u ndryshohet kontrata e punës “nga sot për nesër”
The post Gazetarët solidarizohen kundër bllokimit të “News24” appeared first on Citizens.al.