Hetimi urbanistik në Milano, çfarë e ndërlidh me Tiranën?
Prokuroria e Milanos dyshon se administrata lokale i shërbeu interesave klienteliste të ndërtuesve duke u kufizuar hapësirat publike qytetarëve. Në mesin e mbi 70 personave të marrë nën hetim është vënë dhe kryetari i bashkisë, Giuseppe Sala, si dhe arkitekti Stefano Boeri, i njohur për konceptin e tij të gjelbër në konceptimin e kullave si “pyll vertikal”.
Ata dyshohen për një skemë korrupsioni, favorizimesh dhe ndikimi mes bashkisë, zyrave të projektimit dhe ndërtuesve. Për Boerin kjo është çështja e tretë që ai përfshihet nën hetim, pas dy rasteve të tjera të lidhura gjithashtu me keqmenaxhimin urban të Milanos.
Njëri lidhet me konkursin për projektimin e Bibliotekës Evropiane të Informacionit dhe Kulturës (BEIC), tjetri për shkelje të rregullave të ndërtimit në një projekt kulle që zuri një truall të lirë në jugperëndim të Milanos.
Rasti i fundit ka të bëjë me një projekt të quajtur “Pirellino”, një ish-pallat komunal, blerë në vitin 2019 nga sipërmarrësi Manfredi Catella dhe rikonceptuar si “Kulla Botanike” në një projekt rijetëzimi të hartuar nga studioja e Boerit.
Projekti nuk u materializua kurrë, por prokuroria dyshon se zyrtarë të bashkisë u vunë nën presion për të çuar përpara miratimin e projektit.
“Unë dhe studioja ime kemi vepruar në mënyrë korrekte, kam besim te drejtësia,” citohet të ketë thënë arkitekti Boeri nga mediat italiane.
Por, të dhënat paraprake sugjerojnë se Boeri dhe Catella, një sipërmarrës i njohur për ndërtime të shumta në Milano – kanë pasur qasje shtytëse dhe kërcënuese në bisedat e tyre (përmes chat-eve), në mënyrë që të ndikojnë në vlerësimet e Drejtorisë së Urbanistikës në Bashkinë e Milanos.
Drejtori, Giancarlo Tancredi, dha dorëheqjen me 21 korrik gjatë një mbledhjeje të Këshillit Bashkiak për shkak të hetimit të nisur.
Si nisën hetimet?
Gjithçka nisi pranverën e vitit 2023, kur prokuroria hapi dosje hetimore mbi një pallat 7-katësh në “Piazza Aspromonte” dhe godinat e zonës së “Crescenzagos”, raste të cilësuara tipike të pallateve që u ndërtuan nga hiçi, në shkelje të lejeve, mes një oborri dhe dy magazinave.
Në pranverën e vitit 2024, hetimi u shtri në mbi një duzinë kantieresh, ndërsa rreth 150 projekte të tjera u bllokuan nga prokuroria nën dyshimin se për miratimin e tyre ishte aplikuar e njëjta skemë.
Brenda pak muajsh, sistemi i pasurive të paluajtshme në Milano u paralizua. Instituti i Studimeve “Scenari Immobiliari” vlerësoi se ishin në rrezik rreth 38-45 miliardë euro investime.
Hetimi tashmë është fokusuar mbi dyshimin në ekzistencën e një “plani territorial të errët” (Shadow Plan), që synonte ndërtime të konsiderueshme në nëntë “nyje” të reja urbane deri në vitin 2050 (nga Cascina Gobba e deri tek Assago, San Donato, Linate etj.), nëpërmjet partneriteteve publike-private që parashikonin “banesa sociale” në shkëmbim të lehtësimeve në ndërtim.
Gjithashtu po hetohen projekte si Fshati Olimpik i Milanos, stadiumi dhe zona e San Siros, për të cilat flitet për hapje të një dosjeje të veçantë.
Hetimet kryesisht janë fokusuat tek struktura institucionale brenda Bashkisë së Milanos, e ashtuquajtur “Komisioni për Peizazhin”, që po konfirmohet si “qendra e patologjive në keqmenaxhimin urbanistik”.
E gjithë kjo seri hetimesh ka çuar në vendosjen në pikëpyetje të modelit të zhvillimit të Milanos si një kryeqendër e projekteve moderne urbane në Italinë e godinave historike. Bumin e çmimeve që kanë pasuar këto zhvillime dhe pasojave sociale që janë amplifikuar me kohën.
Modeli i ngjashëm me Tiranën
Përmendja e Stefano Boerit në skema korruptive apo abuzimi urban në Itali, nxit për më shumë vëmendje në punët që ai ka bërë në Shqipëri. Hartuesi i Planit të Përgjithshëm Vendor të Tiranës, njihet në kryeqytet për projekte kullash, të cilat shkelën vetë planin e tij.
Pavarësisht se nuk ka ende një hetim të ngjashëm për shkelje urbanistike, hetimet paraprake ndaj kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, sugjerojnë për një skemë të ngjashme favorizimi në tenderë dhe leje ndërtimi për sipërmarrës të caktuar.
Të paktën tre prej tyre, Gentian Sula (AgiKons), Shkëlqim Fusha (Fusha shpk) dhe Fatmir Bektashi (Kontakt) janë vënë nën hetim, në mos si përfitues së paku, si persona në dijeni të kësaj skeme.
Por me gjasë skema shtrihet më tutje, pasi kompetencën për miratimin e kullave mbi 8 kate në Tiranë e ka qeveria.
Një hulumtim i Citizens.al zbuloi se në periudhën 2015-2025 Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit (KKTU) dhe Komiteti i Investimeve Strategjike (AIDA), ka shqyrtuar apo i ka hapur rrugën ndërtimit të rreth 140 kullave në kryeqytet.
Gjysma e këtyre objekteve shkojnë me lartësi nga 24 (mediana) deri në 100 kate duke zënë hapësira publike, apo hapësira mes zonash të tjera rezidenciale.
Në shumicën e rasteve, pas projekteve të tyre janë emra të njohur ndërkombëtar si Boeri, Winy Mass, Bjarke Ingels etj.
Teksa modeli i Milanos solli një shkundje të sistemit urban, i cili për momentin ndodhet nën lupën e sistemit të drejtësisë, mbetet e paqartë se çfarë trajektore do të marrin hetimet e autoriteteve shqiptare për një problematikë që në dukje është shumë e ngjashme.
Lexoni gjithashtu:
- Tirana tjetër e Erion Veliajt
- Si ndikoi arkitekti italian Stefano Boeri në betonizimin e Tiranës
- “Bukë, zemër dhe beton”
The post Hetimi urbanistik në Milano, çfarë e ndërlidh me Tiranën? appeared first on Citizens.al.