Sërish protesta në Vlorë: Kërkohet largimi i TEC-eve lundruese
Qytetarë dhe aktivistë u mblodhën në orët e para të mëngjesit të sotëm para Prefekturës në Vlorë për të kërkuar largimin e dy termocentraleve (TEC) lundruese nga porti i peshkimit. Kjo është e disata herë që protestohet për këtë çështje që prej vitit 2022.
Protesta, e thirrur nga mjedisori Lavdosh Ferruni, nisi me thirrje për anulimin e kontratave të qirasë dhe largimin e dy anijeve që prodhojnë energji me djegie.
“Gjiri i Vlorës është i yni, TEC-et janë të maskarenjve”, apo “SPAK ndalo peshkaqenët me kravatë!” ishin disa nga pankartat e grupimit qytetar të quajtur “Aleanca për Vlorën”.
“Këto TEC-e nuk duhen për Shqipërinë, sepse nuk ka nevojë, ka energji hidrike, energji djellore, ere, këto duhen që të shkojnë në Itali, Greqi, pra Shqipëria të punojë për vendet e tjera,” tregoi Ferruni për Citizens.al, teksa theksoi se kjo qasje është një lloj kolonializmi ndaj shtetit shqiptar.
“Protestoj për të mirën e Vlorës, për pastërtinë e saj dhe të ardhmen e fëmijëve tanë, ekonominë e tyre, sepse këto përbindsha korruptues tërheqin para nga buxheti i shtetit,” u shprej aktivistja Lela Qejvani për Citizens.al
Grupi i qytetarëve kërkoi takim me Prefektin, Plator Nesturi, apo përfaqësues tjetër, por nuk mori përgjigje pozitive.
Pas kësaj ata marshuan drejt portit të peshkimit ku janë ankoruar dy TEC-et lundruese. Njësoj, edhe atje, qytetarët nuk u pritën nga asnjë përfaqësues i kompanive, pavarësisht thirrjeve.
Historia e TEC-eve lundruese
Dy TEC-et e mbiquajtura “Tigri 1” dhe “Tigri 3” mbërritën në Gjirin e Vlorës në janar 2022. Ato u ankoruan në portin e peshkimit, njohur edhe si Triport, që ndodhet në Pyllin e Sodës, pranë zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë.
Ardhja e tyre nga Bangladeshi u justifikua nga qeveria si zgjidhje për krizën energjetike që parashikohej të kaplonte Evropën pas përshkallëzimit të konfliktit ushtarak Rusi-Ukrainë.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, premtoi se dy anijet e marra me qira për dy vite nga kompanitë Excelerate Energy dhe Renco do të ishin të mjaftueshme për ta përballuar krizën. Në media u raportua se marrëveshja u mbështet nga përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Sipas marrëveshjes, qiraja dhe mirëmbajtja kushtojnë përkatësisht 63,000 dhe 31,500 dollarë në ditë, për një total prej 94,500 dollarësh çdo ditë, edhe nëse nuk prodhojnë energji.
Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) ka deklaruar se pagesat do të nisnin vetëm pas “komisionimit të suksesshëm” të pajisjeve, por ajo nuk ka publikuar ndonjë verifikim zyrtar nëse ky moment është arritur apo jo.
Ndërkohë, dy ndezje prove janë raportuar deri më sot: në gusht 2024 dhe shkurt 2025, por në asnjërën prej tyre nuk është raportuar prodhim energjie për rrjetin, teksa mjedisorët kanë ngritur shqetësim për mungesë transparence për procedurën.
Sipas Ferrunit, pagesat kanë nisur prej shtatorit 2024. Për këtë ai i referohet një dalje televizive të ministres Balluku, pas “komisionimit” të TEC-eve. Prej asokohe, sipas tij, qeveria paguan sistematikisht qiranë.
“Çdo muaj bëhet një pagesë ‘off-shore’ rreth 3 milionë euro,” u shpreh Ferruni për Citizens.al.
Mjedisorë dhe qytetarë të Vlorës e kanë paditur marrëveshjen e TEC-eve në gjykatë dhe seanca e radhës, e cila pritet të jetë përfundimtarja, parashikohet të zhvillohet më 22 shtator.

Rreziku mjedisor dhe paditë ndaj aktivistëve
Aktivistët dhe organizatat mjedisore kanë denoncuar që në fillim potencialin ndotës të TEC-eve lundruese, të cilat funksionojnë me naftë të rëndë dhe ndodhen pranë vijës bregdetare.
Sipas tyre, bloza e sedimentuar në tokë rrezikon Pyllin e Sodës, po ashtu edhe produktet bujqësore të fshatrave pranë.
Mjedisori Lavdosh Ferruni ka shprehur shqetësimin e impaktit që TEC-et mund të kenë edhe në botën e gjallë ujore, pasi uji që përdoret për ftohjen e motorëve të anijeve shkarkohet në det. Kjo mund të shtojë temperaturën e ujrave duke rrezikuar faunën detare në një hapësirë të gjerë.
“Nuk e japim Vlorën!“ apo “TEC fosil, largohu!“ kanë qenë disa nga thirrjet e para të protestave, të cilat kanë qenë të vazhdueshme që pas projekteve me rrezikshmëri të ngjashme si Petrolifera apo dhe vetë TEC-i i Vlorës, i cili ndodhet rreth 500 metra larg portit të peshkimit.
Por, përveç shqetësimeve mjedisore, disa prej aktivistëve janë përballur edhe me sulme personale dhe paditje.
Në vitin 2022, Ferruni u padit nga kompania italiane Renco për shpifje, pas një artikulli ku ai ngrinte shqetësime për lidhje të mundshme të kompanisë me struktura mafioze në Itali.
Por në vitin 2024, gjykata vendosi në favor të Ferrunit, duke e shpallur të pabazë padinë ndaj tij.
Lexoni gjithashtu:
- TEC-et lundruese të Vlorës; A ja vlen të ndizen?
- Aktivisti mjedisor fiton gjyqin kundër kompanisë së TEC-eve lundruese në Vlorë
The post Sërish protesta në Vlorë: Kërkohet largimi i TEC-eve lundruese appeared first on Citizens.al.