Deklaratë zyrtare e DHTI: Tiranë mbi lajmet e rreme të publikuara ndaj kompanisë “Uji Lajthiza”
DHTI-Tiranë, duke ndjekur me shqetësim publikimin lidhur me lajmin e rremë dhe të pabazuar ndaj kompanisë “Lajthiza “, shpreh mbështetjen e plotë ndaj këtij subjekti prodhues i cili, ndër vite, ka dëshmuar standard të lartë profesionalizmi, cilësie dhe përgjegjësie ndaj konsumatorit shqiptar.
Kompania “Lajthiza”, anëtare prej vitesh pranë DHTIT, është një aktor i rëndësishëm në sektorin ushqimor vendas dhe operon me certifikime të vlefshme të sigurisë ushqimore dhe me monitorim të vazhdueshëm nga institucionet përgjegjëse.
Nisur nga ky rast, ne, dënojmë me vendosmëri këtë praktikë të papranueshme ku “gjyqi” i opinionit publik bëhet përmes titujve anonimë dhe jo përmes institucioneve shtetërore, të vetmet të autorizuara për të verifikuar cilësinë e produkteve dhe standardet e kompanive.
Gjithashtu, u bëjmë thirrje institucioneve përkatëse shtetërore dhe organeve rregullatore që të marrin masa të menjëhershme për të parandaluar dhe ndëshkuar përhapjen e informacionit të rremë, duke garantuar një treg të ndershëm, të sigurt dhe transparent për konsumatorin dhe bizneset në vend.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë do të vijojë të jetë zëri i të gjithë sipërmarrjeve që operojnë ndershmërisht, në respektim të standardeve të sigurisë ushqimore dhe për mbrojtjen e konsumatorit në tregun shqiptar. Ne jemi të vendosur të mbrojmë integritetin e tyre, të promovojmë një klimë biznesi të shëndetshme dhe të bashkëpunojmë ngushtësisht me institucionet për të garantuar respektimin e të drejtave të bizneseve dhe konsumatorëve njëkohësisht.
Në përfundim, inkurajojmë kompaninë “Lajthiza” të vazhdojë punën me integritet dhe përkushtim, dhe jemi të gatshëm të ofrojmë mbështetje institucionale dhe publike për të tejkaluar këtë situatë të padrejtë.