Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 17 August 2025Main stream

Shkollat në prag të grevës, SBASHK vendos ultimatum për dialog me MASHTI-n

17 August 2025 at 12:46

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, ka paralajmëruar grevë dhe masa të tjera sindikale nëse deri më 20 shtator të këtij viti nuk fillon dialogu me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Ndër kërkesat kryesore të SBASHK-ut janë negocimi dhe nënshkrimi i kontratës së re kolektive, rritja e vlerës së koeficientit, si dhe zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për kompensimin e përvojës së punës, bashkë me çështje të tjera që lidhen me të drejtat dhe kushtet e punëtorëve të arsimit.

Nënkryetarja e SBASHK-ut, Vjollca Shala, ka thënë për KosovaPress, se nëse deri më 20 shtator nuk fillon dialogu me MASHT-in, sindikata do ta thërrasë këshillin drejtues për të shqyrtuar situatën dhe mund të ndërmarrë veprime sindikale, përfshirë edhe grevën.

“Kur flasim për çështjen e mësimdhënësve dhe çështjen e kërkesave të SBASHK-ut, ne më herët e kemi mbajtur një kongres të jashtëzakonshëm, kongresin e nëntë. Në kongres është marrë një vendim si organi më i lartë i SBASHK-ut që nëse deri më 20 shtator nuk fillon dialogu me Ministrinë e Arsimit, atëherë do të mblidhet këshilli drejtues si organ më i lartë i SBASHK-ut në mes të dy kongreseve dhe do ta analizojë gjendjen dhe pastaj mund të shkohet edhe me veprime sindikale duke mos përjashtuar edhe grevën”, thotë Shala.

Derisa përmend kërkesat kryesore të SBASHK-ut, Shala potencon se rritja e pagave për 55 euro është simbolike karshi ngritjes enorme të çmimeve.

“Kërkesat e SBASHK-ut janë… negocimi dhe nënshkrimi i kontratës së re kolektive. Po ashtu, është kërkesë edhe ngritja e vlerës së koeficientit. Tashmë veçse janë bërë dy vite që nuk është ngritur vlera e koeficientit në ligjin e pagave edhe përkundër rritjes së inflacionit. Kemi një rritje të rangimit të koeficientit që është një ngritje prej 55 eurove, që është shumë simbolike karshi ngritjes enorme të çmimeve të produkteve elementare për jetesë. Është edhe zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese ku nga korriku i vitit 2024 është dashur të zbatohet një vendim i tillë i Gjykatës Kushtetuese për përvojën e punës për 15 vitet e para, që është duke u paguar me 0.25 për qind e vendimi i gjykatës është që të paguhet 0.5 për qind”, potencon Shala.

Shala thekson se SBASHK-u ka dorëzuar një iniciativë legjislative qytetare për ndryshimin e ligjit të skemave pensionale të financuara nga shteti. Kjo iniciativë, siç thotë ajo, synon që vitet e punës së mësimdhënësve gjatë periudhës 1990–1999, të cilat aktualisht nuk llogariten si vite kontributdhënëse, të njihen si të tilla.

Po ashtu, Shala përmend kushtet e vështira të punës në shkollat e Kosovës, duke theksuar mungesën e dixhitalizimit në shumë prej tyre, ndryshe nga shtetet fqinje ku ky proces është përparuar më tej.

Nënkryetarja e SBASHK-ut, Vjollca Shala, thotë se që nga viti 2022 nuk kanë pasur takime të frytshme me Ministrinë e Arsimit dhe veçanërisht me ministren Nagavci.

“Me Ministrinë e Arsimit dhe në veçanti me ministren Nagavci që nga viti 2022 kemi pasur një takim kur ka qenë nënkryetari i sindikatës së mësuesve të SHBA-së, edhe atë një takim veç formal 15-minutësh, pa pasur mundësi t’i paraqesim kërkesat e punëtorëve të arsimit. Dhe kemi pasur një takim në ditën kur është mbajtur protesta… Përndryshe, për kërkesat që ne në vazhdimësi i bëjmë për t’u ulur dhe bashkëbiseduar me qëllim të zgjidhjes së problemeve dhe kërkesave që i kanë punëtorët e arsimit, ne nga viti 2022 nuk kemi pasur takim të tillë”, tregon Shala.

Ndër të tjera, Shala flet edhe për mënyrën e subvencionimit të librave shkollorë për nxënësit, për çka thotë se dy vitet e fundit nuk ka qenë e duhur. Ajo vlerëson se më efektive dhe më e lirë ka qenë mënyra kur librat siguroheshin paraprakisht për nxënësit.

“Është parë edhe në dy vitet e kaluara që nuk ka qenë mënyrë e duhur, ngase nxënësit ndoshta edhe me muaj të tërë nuk kanë qenë të pajisur me libra shkollorë. Shumë më e mirë ka qenë mënyra kur janë siguruar paraprakisht dhe ka qenë më e lirë… Ka pasur raste kur një subvencionim i tillë është bërë në familje, duke pasur parasysh që kemi edhe familje të varfëra, ndoshta familjet e tilla i kanë marrë ato të holla të cilat u kanë takuar për blerjen e librave për fëmijët e tyre. Por, një gjë e tillë, duke pasur mungesë ndoshta edhe të produkteve elementare për jetesë, apo mjete i kanë shpenzuar për jetesë. Ndërsa, nxënësi ka shkuar ndoshta edhe tërë vitin pa libra”, potencon Shala.

SBASHK-u ka zhvilluar protestën e fundit më 4 dhjetor 2024 duke kërkuar rritje të pagave dhe nënshkrimin e Kontratës Kolektive. /KP/

The post Shkollat në prag të grevës, SBASHK vendos ultimatum për dialog me MASHTI-n appeared first on Telegrafi.

Zëvendësimi i rrënjës së aortës duke kursyer valvulën aortale – Operacioni David

17 August 2025 at 04:16

Teknika David: alternativë fiziologjike ndaj operacionit Bentall të modifikuar

 

Dr. Kushtrim Shala
Mjek specialist kardiokirurg
tel: +38348587588
e-mail: dr.kushtrimshala@gmail.com

Çfarë është Operacioni David?

Rrënja aortale është zona fillestare e aortës apo enës më të madhe të trupit që lidh aortën me barkushen (ventrikulin) e majtë, dhomën kryesore të pompimit të zemrës, dhe brendësi përmban valvulën aortale. Valvula aortale kontrollon rrjedhën e gjakut nga ventrikuli i majtë në aortë. Operacioni/procedura David, konsiston në rindërtimin rrënjës së sëmurë të aortës duke ruajtur valvulën aortale native të pacientit. Është një prej teknikave të zëvendësimit të rrënjës së aortës duke ruajtur valvulën aortale (VSRR), e njohur ndryshe edhe si teknika e reimplantimit. Gjatë operacionit David valvula aortale native reimplantohet brenda një tubi/grafti Dacron i madhësisë së përshtatshme me të cilin rivendoset gjeometria normale e rrënjës së aortës dhe përforcohet unaza apo anulusi aortal. Në rastet kur duhet të zëvendësohet rrënja e aortës pjesë e së cilës është edhe valvula aortale e cila në të shumtën e rasteve mund të jetë e shëndoshë, pra e padëmtuar rekomandohet që ajo të ruhet duke zëvendësuar vetëm rrënjën e aortës. Përparësia e këtij operimi është se riparimi i rrënjës së aortës dhe regurgitimit aortal që e shoqëron pa e zëvendësuar valvulën me një protezë (mekanike ose biologjike – operacioni Bentall i modifikuar) me çka shmanget përdorimi i antikoagulantëve gjatë gjithë jetës dhe ndërlikimet që lidhen me valvulat prostetike.

Cilët pacientë mund të jenë kandidat për operacionin David?

Pacientët me aneurizma të rrënjës së aortës: Pacientët me zgjerim ose fryrje të rrënjës së aortës janë në rrezik për çarje apo rupturë të aneurizmës.

Njerëzit me sëmundje gjenetike të indit lidhor: Njerëzit me sëmundje gjenetike të indit lidhor si sindroma Marfan, sindroma Loeys-Dietz ose sindroma Ehlers-Danlos janë në rrezik për zgjerim të rrënjës së aortës dhe diseksion të aortës.

Zgjerimi i rrënjës së aortës me insuficiencë të valvulës aortale: Me operacionin David, rrënja e aortës korrigjohet dhe valvula aortale ruhet, duke penguar rrjedhjen e gjakut prapa (insuficiencën aortale).

Pacientët që kanë pësuar diseksion apo çarje të rrënjës së aortës: Diseksioni i aortës është një çarje në murin e aortës që lejon që gjaku të rrjedhë midis shtresave të murit të aortës.

Pacientë më të rinj: me anatomi të përshtatshme të valvulës për të shmangur valvulën prostetike dhe antikoagulimin gjatë gjithë jetës,

Pacientët me valvula bikuspidale: mund të jenë kandidatë nëse cilësia dhe gjeometria e kuspiseve lejojnë riparim të qëndrueshëm – por anatomia bikuspidale kërkon gjykim të kujdesshëm dhe përvojë të kardiokirurgut.

Tek të gjitha patologjitë e mësipërme, valvula aortale e pacientit duhet të përmbushë kushtet e mëposhtme:

▪ Kuspiset/fletëzat valvulare të jenë strukturalisht të shëndosha.
▪ Valvula të jetë duke funksionuar siç duhet ose me insuficiencë sekondare si pasojë e dilatimit të anulusit e që mund të riparohet.
▪ Ka pak ose aspak depozita kalciumi (kalcifikim) në kuspise.
▪ Nuk ka stenozë valvulare.

Avantazhet e procedures David (teknika e reimplantimit) kundrejt operimit Bentall të Modifikuar

1. Ruajtja e fiziologjisë së valvulës native

Kuspiset native ruajnë dinamikën natyrale të rrjedhjes dhe shmangen e problemet e gradientit të valvulave prostetike. Kjo përkthehet në hemodinamikë të shkëlqyer.

2. Pa antikoagulim gjatë gjithë jetës

Shmang rreziqet e antikoagulimit (gjakderdhje, monitorim) të lidhura me valvulat mekanike – një avantazh i qartë për pacientët e rinj dhe aktivë. Kjo gjithashtu përmirëson cilësinë e jetës.

3. Rreziqe më të ulëta që lidhen me valvulat prostetike

Eliminon rreziqet e endokarditit të valvulës prostetike që lidhen drejtpërdrejt me fletëzat e valvulës së implantuar dhe degjenerimin strukturor të valvulës (në valvulat biologjike). Si çdo operim edhe operacion David ka rrezikun e vet të rioperimit, liria e përgjithshme nga ndërlikimet që lidhen me valvulën është më e favorshme.

4. Qëndrueshmëria më e lartë në pacientë të përzgjedhur

Në qendrat me përvojë, mbijetesa afatmesme dhe afatgjatë dhe liria nga ri-operimi janë të shkëlqyera krahasuar me operacionin Bentall në shumë seri; studimet tregojnë shkallë pak më të ulët të ri-operimit, Pashtu shkalla e mbijetesës dhe e eventeve që lidhen me valvulën mbeten të favorshme kur përzgjedhja dhe teknika janë optimale.

Si kryhet operacioni David?

Si edhe operimet tjera kardiake kryhet nën anestezion të përgjithshëm me sternotomi mediane apo ministernotomi. Mirëpo mund të bëhet dhe me qasje minimale invasive me prerje të vogël mes brinjëve nën sqetull. Me këtë metodë, sternumi mbetet i paprekur.

Aorta e zgjeruar hiqet së bashku me sinuset aortale, dhe arteriet koronare përgatiten duke prerë aortën në pikat e tyre të daljes. Valvulat aortale mbeten në vend.

Përgatitet një graft sintetik Dacron i përshtatshëm për gjerësinë e rrënjës së aortës me të cilin rindërtohet rrënja e aortës.

Valvulat aortale, së bashku me indet përreth, implantohen brenda graftit Dacron me qepje të vazhdueshme, poashtu komisurat fiksohen në graft.

Butonet koronare të shkëputura më parë qepen në vrimat e hapura në graftin Dacron dhe zëvendësimi i rrënjës aortale përfundon.

Pjesa distale e graftit Dacron apo rrënjës së re të aortës anastomozohet në indin aortik të paprekur ose përmes një grafti të dytë Dacron, dhe operacioni përfundon.

Procesi pas operacionit

Rehabilitimi postoperativ te pacientët me ndërhyrje kirurgjike në zemër dhe në aortë nuk dallon shumë. Pacientët zakonisht lirohen në shtëpi në ditën e 7 pas operimit. Me ndërhyrjen kirurgjikale tradicionale që përfshin një prerje të sternumit, shumica e pacientëve mund të kthehen në aktivitetet e tyre të përditshme brenda pak javësh. Megjithatë, shërimi i plotë mund të zgjasë 2-3 muaj. Me ndërhyrjen minimale invazive nën sqetull, pacientët mund të kthehen në aktivitetet e tyre të përditshme dhe të punojnë më shpejt sesa me ndërhyrjen kirurgjikale të hapur. Për më tepër, nuk ekziston nevoja për përdorim të përjetshëm të antikoagulantëve (hollues gjaku), duke minimizuar rrezikun e ndërlikimeve nga valvulat artificiale. Pacientët marrin aspirinë me dozë të ulët për 3-6 muaj pas operacionit.

Sa është e suksesshme ndërhyrja kirurgjike sipas Davidit?

Procedura David është një teknikë kirurgjikale e sigurt dhe efektive për trajtimin e problemeve të valvulës aortale dhe rrënjës së aortës. Ruajtja e valvulës aortale native të pacientit përmirëson cilësinë e jetës së pacientit pas operacionit dhe zvogëlon rrezikun e komplikacioneve afatgjata.

Ndërhyrja riparon me sukses rrënjën dhe valvulën e aortës në më shumë se 95% të rasteve.

Shkalla mbijetesës në ndërhyrjen kardiokirurgjike David është mbi 99 përqind në pacient të zgjedhur.

Në varësi të gjendjes së valvulës, ka të ngjarë që pacienti të mos ketë nevojë për një ndërhyrje tjetër kirurgjikale të valvulës së aortës. Shumica e pacientëve (92% deri në 98%) nuk do të kenë nevojë për një të tillë brenda 10 viteve nga operacioni.

Përafërsisht 95% e pacientëve me anatomi të valvulës aortale trikuspidale ose çrregullime të indit lidhës nuk kanë nevojë për përsëritje të kirurgjisë së valvulës aortale pas 10 vitesh dhe nuk përjetojnë pamjaftueshmëri të rëndë të valvulës aortale.

Sidoqoftë përpara se të marrin në konsideratë ndërhyrjen kirurgjikale, është e rëndësishme që pacientët të konsultohen me një kardiokirurg me përvojë në kirurgjinë zemrës dhe aortës dhe të marrin informacion të detajuar në lidhje me rreziqet dhe përfitimet e procedurës. /Telegrafi/

Referencat:
• 1.Arabkhani B, Klautz RJM, de Heer F, et al. A multicentre, propensity score matched analysis comparing a valve-sparing approach to valve replacement in aortic root aneurysm: Insight from the AVIATOR database. Eur J Cardiothorac Surg 2023;63:ezac514. 10.1093/ejcts/ezac514
• 2.Isselbacher EM, Preventza O, Hamilton Black J, 3rd, et al. 2022 ACC/AHA Guideline for the Diagnosis and Management of Aortic Disease: A Report of the American Heart Association/American College of Cardiology Joint Committee on Clinical Practice Guidelines. Circulation 2022;146:e334-482. 10.1161/CIR.0000000000001106
• 3.Mastrobuoni S, Govers PJ, Veen KM, Jahanyar J, van Saane S, Segreto A, Zanella L, de Kerchove L, Takkenberg JJM, Arabkhani B. Valve-sparing aortic root replacement using the reimplantation (David) technique: a systematic review and meta-analysis on survival and clinical outcome. Ann Cardiothorac Surg. 2023 May 31;12(3):149-158. doi: 10.21037/acs-2023-avs1-0038. PMID: 37304702; PMCID: PMC10248907.
• 4. Cardiac Surgery Operative technique 2nd edition 2012

The post Zëvendësimi i rrënjës së aortës duke kursyer valvulën aortale – Operacioni David appeared first on Telegrafi.

Before yesterdayMain stream

NJË SHI I RRËMBYESHËM KA ME RA

13 August 2025 at 10:33

Nga: Bob Dylan
Përktheu: Agron Shala

Oh, ku ishe ti, biri im me sy të kaltër?
Oh, ku ishe ti, vogëlushi im i dashur?
Ngeca rrëzë dymbëdhjetë maleve me mjegull
Eca dhe u zvarrita në gjashtë rrugë dredha-dredha
Shkela nëpër shtatë pyje të trishtueshme
U çorientova në një duzinë oqeanesh të vdekura
I kalova dhjetë mijë milje në birucën e një varreze
Dhe është i rrëmbyeshëm, dhe është i rrëmbyeshëm, është i rrëmbyeshëm, dhe është i rrëmbyeshëm
Dhe një shi i rrëmbyeshëm ka me ra

Oh, çka ke pa ti, biri im me sy të kaltër?
Oh, çka ke pa ti, vogëlushi im i dashur?
Pashë një foshnjë të porsalindur mes ujqërve të egër
Pashë një rrugë me diamante pa asnjë njeri mbi të
Pashë një degë të zezë me gjakun që pikonte pa pra
Pashë një dhomë plot burra me çekiçët e tyre që rridhnin gjak
Pashë një shkallë të bardhë të mbuluar me ujë
Pashë dhjetë mijë folës gjuhët e të cilëve ishin prishur
Pashë armë dhe shpata të mprehta në duart e fëmijëve të vegjël
Dhe është i rrëmbyeshëm, dhe është i rrëmbyeshëm, është i rrëmbyeshëm, është i rrëmbyeshëm
Dhe një shi i rrëmbyeshëm ka me ra

E, çka dëgjove ti, biri im me sy të kaltër?
E, çka dëgjove ti, vogëlushi im i dashur?
Dëgjova zhurmën e bubullimës që ulërinte si paralajmërim
Dëgjova gjëmimin e një dallge që mund të përmbyste gjithë botën
Dëgjova njëqind daullexhinj duart e të cilëve digjeshin flakë
Dëgjova dhjetë mijë vetë që pëshpëritnin, por askush nuk i dëgjonte
Dëgjova një njeri që vdiste nga uria, dëgjova shumë të tjerë që qeshnin
Dëgjova këngën e një poeti që vdiq në një pellg
Dëgjova zërin e një palaçoje që qante në një rrugicë
Dhe është i rrëmbyeshëm, dhe është i rrëmbyeshëm, është i rrëmbyeshëm, është i rrëmbyeshëm
Dhe një shi i rrëmbyeshëm ka me ra

Oh, me kë u takove, biri im me sy të kaltër?
Kë takove ti, vogëlushi im i dashur?
Takova një fëmijë të vogël pranë një poni të ngordhur
Takova një burrë të bardhë që shëtiste një qen të zi
Takova një grua të re trupi i së cilës po digjej
Takova një vajzë të re – ajo ma dha një ylber
Takova një burrë të lënduar nga dashuria
Takova një tjetër të plagosur nga urrejtja
Dhe është i rrëmbyeshëm, është i rrëmbyeshëm, është i rrëmbyeshëm, është i rrëmbyeshëm
Një shi i rrëmbyeshëm ka me ra

Oh, çfarë do të bësh tani, biri im me sy të kaltër?
Oh, çfarë do të bësh tani, vogëlushi im i dashur?
Sërish do të dalë, para se të fillojë shiu
Do të lëviz drejt thellësive të pyllit më të errët
Aty ku njerëzit janë të shumtë, por duart i kanë krejt bosh
Aty ku plumbat me helm përmbytin ujërat e tyre
Aty ku shtëpia në luginë puçet me burgun e lagësht e të fëlliqtë
Aty ku fytyra e xhelatit është gjithnjë e maskuar
Aty ku uria është e shëmtuar, ku shpirtrat janë harruar
Aty ku e zeza është ngjyrë, ku hiçi është numër
Dhe do ta them, do ta mendoj, do ta rrëfej dhe nga kjo do të marrë frymë
Dhe do ta pasqyroj nga maja e malit që të gjithë shpirtrat ta shohin
Pastaj do të qëndroj mbi oqean, derisa të filloj të fundosem
Por do ta njoh mirë këngën time para se ta këndoj
Dhe është i rrëmbyeshëm, është i rrëmbyeshëm, është i rrëmbyeshëm, është i rrëmbyeshëm
Një shi i rrëmbyeshëm ka me ra

/Telegrafi/

The post NJË SHI I RRËMBYESHËM KA ME RA appeared first on Telegrafi.

“Prishtina pa barriera”, 22 lokacione të adaptuara për personat me aftësi të kufizuara

11 August 2025 at 16:44

Ekipi i Komunës së Prishtinës së bashku me IHRC, ka ndërhyrë në 22 lokacione për t’i mundësuar lëvizje më të lehtë personave me nevoja të veçanta.

Kjo është bërë në kuadër të fushatës “Prishtina pa barriera”. Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama në një konferencë për media, tha se projektet e mëdha si platforma që ndërlidhë lagjen “Arbëria” me qendrën, krijimi i hapësirave të gjelbra publike dhe digjitalizimi i shkollave, do t’ua lehtësojë lëvizjen të gjithë qytetarëve, posaçërisht atyre me aftësi të kufizuara.

Ndërsa, ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Kosovën në IHRC, Elvana Shala tha se kjo fushatë nuk është vetëm për personat me nevoja të veçanta, por edhe të moshuarit e grave me fëmijë me karroca, ku në 22 lokacione më së shumti kanë hasur në mungesë uljesh të trotuareve e mbajtësve të shkallëve.

Shala theksoi se një ndihmesë e madhe ka qenë edhe nga qytetarët e kryeqytetit, të cilët kanë dërguar foto të lokacioneve.

Rama dhe Shala kërkuan mbështetje nga qytetarët e vendit, që të bashkëpunojnë me komunën për të evidentuar lagjet që nuk kanë qasje për qytetarët me aftësi të kufizuara.

The post “Prishtina pa barriera”, 22 lokacione të adaptuara për personat me aftësi të kufizuara appeared first on Telegrafi.

Kosova në Luftën e Madhe Turke të viteve 1683-1699

11 August 2025 at 16:41

“Shënime dhe reflektime mbi trupat e lavdishme të forcave perandorake në vitin 1689” është një dorëshkrim anonim në gjuhën gjermane, i ruajtur në Arkivin Ushtarak (Kriegsarchiv) në Vjenë, Austri, i cili është përkthimi i një vepre më të gjatë në gjuhën italiane me titull Origine della guerra fra l’Imperatore dei Christiani, e quello de Turchi l’anno 1682. Ai fokusohet, ndër të tjera, mbi ofensivën perandorake austriake kundër forcave osmane në Kosovë, Maqedoni dhe në Shqipërinë veriore gjatë Luftës së Madhe Turke të viteve 1683-1699. Dorëshkrimi ka interes të veçantë për historinë shqiptare, pasi përshkruan praninë e organizuar të shqiptarëve dhe të forcave të tyre ushtarake në Kosovën e shekullit XVII. Me interes është gjithashtu edhe përmendja e kryepeshkopit shqiptar Pjetër Bogdani dhe vdekjes së tij në Prizren. Shqiptarët përmenden në këtë dorëshkrim si albanezë [albanese] dhe arnaut;, ku termi i parë i referohet pa dyshim më shumë katolikëve dhe i dyti myslimanëve, ndërsa serbët përmenden si rashkjanë [rashkjanë]. Numrat e fletëve të dorëshkrimit dhe emrat modernë të vendeve, aty ku gjenden, janë shtuar në kllapa për lehtësinë e lexuesit.

Përktheu në anglisht (nga gjermanishtja): Robert Elsie[1]
Përktheu në shqip (nga anglishtja): Agron Shala

[…32r] Besoj se tashmë kam shkruar mjaft për Transilvaninë dhe kam detyrimin të përshkruaj veprat e Piccolominit[2] në pushtimin e Nissa-s [Nish], planifikimin e tij të shkëlqyer dhe kaosin që pasoi në ato anë pas vdekjes së tij, një situatë të cilën Veterani[3] arriti ta ndreqë me shumë mund, duke përdorur gjithë virtytin dhe guximin e vet. Do të rrëfej gjithashtu çfarë ndodhi midis njerëzve që ndiqnin Corbellin dhe të atyre nga ai rajon.

Kur Madhëria e Tij von Baden[4] u largua nga Nissa, ai ia besoi kontit Piccolomini komandën e atij qyteti. Duke avancuar drejt Procopia-s [Prokuple], një qytet i madh dhe i hapur, ai mori nën zotërim miellin, tërshërën dhe foragjeret dhe ngriti një magazinë atje. Për ta mbrojtur atë, ai e shkatërroi qytetin e Leskovisza-s [Leskovci] në të majtë [33v] dhe pushtoi kështjellën Costnitz [Koznik] në të djathtë me 200 trupa gjermane dhe 200 rashkjanë [serbë]. Kur të gjitha këto u arritën, ai u nis më 14 tetor për në Scopia [Shkup], një qytet i gjerë, i populluar mirë dhe pothuajse krejtësisht i pambrojtur e me shumë tregtarë. Gjatë marshimit të tij, hasi një i arratisur [i cili i tha] se turqit do të përpiqeshin të rimerrnin Nissa-n. Duke reflektuar mbi pamundësinë e kryerjes së një ndërmarrjeje të tillë, Piccolomini megjithatë vazhdoi marshimin dhe më 12 [tetor] ndodhej në një rajon të ashpër malor – të banuar nga fiset Clementa [Kelmendi] – dhe Rosajaceva [Rozhajë], që me vendbanimet dhe fshatrat e tyre të ndryshme përbëjnë një territor të konsiderueshëm i cili i çdo vit Portës ia paguan një shumë të caktuar parash. Meqenëse është kohë lufte, perandori turk merr prej tyre trupa të ndryshme në vend të pagesës. Gjenerali qëndroi aty për disa ditë për të dhënë urdhra për çështjet që kishin të bënin me atë rajon, i cili i ishte nënshtruar atij vullnetarisht. Reputacioni i këtij komandanti rritej gjithnjë e më shumë për shkak të rendit të tij, aq sa 5 000 arnautë [shqiptarë myslimanë] në Pristina [Prishtinë], të cilët ishin ngritur kundër turqve, dhe [banorët e] shumë qytete të mëdha aty pranë, kishin dhënë të kuptohej se do t’i nënshtroheshin sundimit të Perandorit. Kështu, kur ai mbërriti në Pristina, ata bënë betimin e besnikërisë ndaj Perandorit dhe, në atë çast, kjo hapësirë e madhe territoriale ra nën hijen e dafinave të Madhërisë së Tij Perandorake.

[33r] Nga Pristina, ai avancoi më datë 23 për në Cazianez [Kaçanik], një qytet në krye të një gryke. Ky qytet kishte një kala me mure të forta, të rrethuara nga hendeqe mjaft të gjera. Kur trupat turke në Cazianeck, gjithsej 150 vetë, dëgjuan për mbërritjen e gjermanëve, ata u arratisën natën përtej Danubit, të ndjekur kot nga një njësi prej 200 hungarezësh dhe 40 kalorësish gjermanë. Por, aty, njerëzit tanë hasën një forcë të madhe barbarësh që po vinin nga Scopia për të forcuar Cazianeck-un, të cilët nuk e dinin se trupat e tyre e kishin braktisur vendin me nxitim. Pasoi një përleshje e armatosur që zgjati mbi një orë. Më pas, turqit u tërhoqën me disa të burgosur, por të krishterët kapën katër flamuj, dhe fusha mbeti e mbushur me trupat e të vrarëve dhe të plagosurve të armikut. Kjo fitore i kushtoi Perandorit gjashtë të burgosur, katër të vrarë dhe dhjetë të plagosur, ndër të cilët ishte edhe një kapiten hungarez i plagosur rëndë.

Më datë 25, falë Zotit, Gjenerali mbërriti nga malet dhe ngriti kampin në fushë. Atje mësoi se shumë osmanë kishin mbërritur në Scopia, dy milje larg prej tyre, për ta mbrojtur atë dhe popullsinë deri në pikën e fundit të gjakut. Megjithatë, ai e dinte nga burime të ndryshme se banorët e atij qyteti ishin të tmerruar nga ardhja e gjermanëve dhe se po përgatiteshin të iknin, aq më tepër për shkak të murtajës që po përhapej në atë qytet të madh.

Ndër shumë lajme dhe raporte të ndryshme [34v] që mori Piccolomini, ishte edhe një që e njoftonte se Mamut Bassa [Mahmut Pasha] ishte tërhequr nga Scopia me 8 000 vetë, prej të cilëve 6 000 ishin ushtarë, kryesisht rashkjanë [serbë] dhe albanezë [shqiptarë], dhe kishte ngritur kampin në një luginë në të djathtë të qytetit, dy orë larg trupave tona perandorake; dhe se ishin mjaft larg nga Scopia për t’i bërë rezistencë Gjeneralit dhe për t’iu shmangur sëmundjes që kishte përfshirë qytetin.

Kur lejtnant feldmareshali u bind për këtë, ai i përgatiti të gjitha forcat e veta për të sulmuar Pashën. Prandaj, organizoi një festë të vogël në kampin e tij me breshëri armësh dhe, po atë natë, dërgoi 400 kalorës dhe 200 kalorës me parzmore në drejtimin e përmendur, ndërsa vetë u nis në marshim më datë 6, para agimit, për të mbështetur trupat e tij dhe për të mundur turqit nëse do t’i hasnin.

Kur Mamuti dëgjoi për afrimin e trupave perandorake dhe ushtarët e tij të dridhur dëgjuan të shtënat [e armëve] e tyre, ata u tërhoqën në çrregullim të plotë, dhe kur hungarezët dhe gjermanët arritën aty, u shkaktuan shumë dëme trupave në tërheqje. Çrregullimi ishte aq i madh saqë njerëzit e Pashës lanë pas gjithë bagazhet e veta dhe disa flamuj, si dhe gjithçka tjetër që kishin me vete, duke lënë gjithçka në dorë të trupave perandorake.

Ky rast çliroi shumë familje të krishtera nga robëria, të cilat pashai barbar Mamut i kishte marrë me vete në karrocat e tij. [34r] Ai la pas mbi njëqind të vrarë, si dhe të burgosur – 100 myslimanë dhe 100 hebrenj. Me të krishterët që po vazhdonin rrugën e tyre fitimtare, ushtria mbërriti dhe Gjenerali dëshironte të ngrinte një kamp aty ku kishte qenë Pasha. Ky i fundit kishte ikur në një pyll dhe po fshihej atje me 200 nga njerëzit e tij më besnikë. Prej andej, nën errësirën e natës, ai u nis për në Scopia.

Më 22, Piccolomini dëshironte të afrohej me qytetin e Scopia-s dhe urdhëroi Kontin Czáky, kolonel i husarëve, të shkonte përpara tij dhe ta njoftonte nëse qyteti ishte në të vërtetë i braktisur. Konti u kthye te Gjenerali dhe raportoi se nuk kishte asnjë njeri në Scopia, porse qyteti ishte plot me ushqime dhe se shumë nga dyqanet me harqe të tregtarëve, të gjitha të hapura, ishin të mbushura me mallra të ndryshme të zgjedhura. Duke e dëgjuar këtë, Kont Piccolomini avancoi deri në periferi të qytetit, ku ngriti kampin. Më pas, kureshtar për ta parë vetë vendin, ai zgjodhi të shpërfillte thashethemet se qyteti ishte padyshim i goditur nga murtaja. Kur hyri në qytet, nuhati dhe shqyrtoi gjithçka, për të mirën e trupave të tij.

Scopia është një vendbanim i gjerë, jo shumë më i vogël se Praga, madje ndoshta po aq i madh. Unë e quaj vetëm “vendbanim” sepse nuk ka mure apo palisada. Megjithatë, ai ka një hendek [35v] me një llogore të vogël dhe, në disa pjesë, ka ngritje natyrore të terrenit. Po ashtu, këtu kishte shumë xhami madhështore dhe ndërtesa të larta, të ndërtuara sipas zakonit të turqve, domethënë prej druri, me përjashtim të themeleve dhe kateve përdhese të cilat janë prej tulle dhe guri. Më larg nga qendra kishte kopshte të bukura dhe burime, të vendosura në lagje të ndryshme të Scopia-s, gjë që ishte kënaqësi për syrin e shikuesit.

Pozicioni i tij është gjithashtu i këndshëm për t’u parë, pasi ndodhet në një fushë të gjerë, pjellore për të gjitha gjërat dhe e punuar mirë. Në Scopia jetonin deri në 60 000 njerëz, prej të cilëve 3 000 ishin hebrenj. Kështu, kur popullsia dëgjoi për afrimin e trupave perandorake, ata u larguan më 25 tetor.

Piccolomini e vështroi këtë qytet të gjerë dhe vendosi ta digjte, duke marrë parasysh faktin se do të ishte e pamundur ta mbante. Prandaj, duke nxjerrë prej tij gjithçka me vlerë, ai ia vuri zjarrin atë ditë, më datë 27. Të tjerët kanë shkruar se kjo ndodhi më 26-tën. Por, unë jam i vetmi që shkruaj për të nga përvoja e parë. Kur Gjenerali mbaroi punën e vet aty, shumë gjyqtarë nga fshatrat dhe vendbanimet përreth erdhën për të bërë betimin e besnikërisë ndaj Madhërisë së Tij Perandorake. Të pritur me shumë mirësjellje nga Konti, ata u kthyen jashtëzakonisht të kënaqur në shtëpitë e veta.

[35r] Koha po afrohej dhe Piccolomini vendosi të kthehej përsëri në Cazianeck [Kaçanik]. Kur mbërriti atje, duke e fortifikuar [vendin] me trupa, ai e ndau ushtrinë e tij dhe urdhëroi Dukën e Holsteinit[5] të nisej më 1 nëntor drejt Malit Hemas me regjimentin e tij dhe atë të Princit August të Hanoverit, për të eksploruar rajonin e përmendur dhe për të mbledhur haraç. Ai mbërriti me forcat e tij në Lipari [Lipjan], ku shumë krerë dhe udhëheqës të popullsisë vendase ishin mbledhur për të takuar Gjeneralin dhe për t’iu lutur atij të kishte mirësinë t’i pranonte si vasalë dhe nënshtetas të Madhërisë së Tij, Perandorit të Perëndimit.

Mund vetëm të hamendësoj se sa e madhe duhet të ketë qenë kënaqësia e Piccolominit kur pa se palma e fitores po i rritej para syve, pa qenë nevoja të nxirrte shpatën nga këllëfi. Kur komandanti i një ushtrie nuk ka drejtësi, përulësi, mëshirë, mirëkuptim dhe drejtësi, ai kurrë nuk mund të quhet i madh. Është detyra e një ushtari të ndershëm të luftojë, por nëse do të jemi fitimtarë kjo nuk varet aq shumë nga ne, sa nga fakti nëse, pas përplasjes së armëve, e vërteta mund të fitojë dhe të triumfojë.

Nga Pristina, Gjenerali menjëherë urdhëroi Strasserin të nisej me këmbësorët dhe artilerinë e tij drejt kështjellave të Panza-s dhe Revery-t [Zveçan?], prej të cilave e para, që përbëhej nga tridhjetë vendbanime dhe 300 vetë, [36v] iu dorëzua më 2 nëntor lejtnant kolonelit von Soyrum, Herr Maussberg. E dyta, megjithatë, duhej pushtuar me forcë. Kur Strasseri u nis për në Bosnjë, Piccolomini dha urdhër, para 3 nëntorit, të marshonte drejt Shqipërisë me regjimentin e tij dhe atë të Soyrumit, si dhe disa pjesë artilerie, për të mësuar çfarë kishte arritur lejtnant koloneli i tij, Herr von Hossberg, në Bosnje, kryeqytetin e Epiro-s [Epirit].

Fati e pa me sy të mirë këtë natyrë largpamëse dhe të guximshme, të përcaktuar nga sëmundja e Kontit, që shumë njerëz besonin se ishte murtaja. Me forcë gjithnjë e në rritje, u këputën edhe më shumë dafina fitoreje për Perandorin. Ende i sëmurë, ai mbërriti në Capuznitz dhe qëndroi aty një ditë, më datë 5, por më pas vazhdoi për në Pani, ku mësoi se komandanti i Pirotit, me 600 gjermanë, si këmbësorë ashtu edhe kalorës, dhe dy herë aq rashkjanë [serbë], kishte sulmuar dhe mundur Nahn [?] bej Dragomanin me mbi 3 000 këmbësorë turq. Duke mos pasur kujdes, ai u përpoq të depërtonte edhe më tej në atë vend derisa, më në fund, më datë 4, u mund rëndë nga dy njësi turqish me gjithsej 4 000 vetë.

Është e habitshme sa i tronditur nga kjo ishte Piccolomini, i cili kurrë nuk e humbte optimizmin,. Ai urdhëroi Strasserin të shkonte në Nissa që armiku të mos përfitonte nga incidenti dhe të bënte më keq. Nga ana e tij, ai vazhdoi marshimin dhe më datë 6, siç është raportuar më parë, mbërriti në Prisiran [Prizren], kryeqytet i Shqipërisë, ku u prit nga Kryepeshkopi[6] [36r] i atij vendi dhe nga Patriarku i Clementa-s [Kelmend] me ceremonitë e tyre të ndryshme fetare.

Jashtë Priserin-it [Prizren] kishte të paktën 6 000 albanezë [shqiptarë], si dhe të tjerë që më parë kishin qenë në shërbim të turqve dhe që njihen si arnautë. Kur trupat gjermane kaluan aty pranë, ata qëlluan tri herë me breshëri zjarri si shenjë gëzimi dhe më pas bënë betimin e besnikërisë ndaj Perandorit, sipas zakonit të tyre. Piccolomini kështu kishte nën urdhrat e tij mbi 20 000 rashkjanë dhe albanezë, të gjithë burra me temperament luftarak, të gatshëm të ndërmerrnin çdo ndërmarrje, sado e madhe të ishte, në përputhje me vullnetin e Gjeneralit.

Konti nuk harroi të merrte këshillë nga Kryepeshkopi dhe nga udhëheqësit e tjerë gjermanë nëse ishte ide e mirë t’i besonte një force të tillë njerëzish që kishin ndërruar anë dhe që ishte trefishi i forcave të tij. Kryepeshkopi, megjithatë, jo vetëm që e siguroi, por madje e inkurajoi ta vazhdonte kursin e tij fitimtar me këto trupa etnike dhe, si i tillë, ai dha urdhra dhe udhëzime të ndryshme për të siguruar para dhe ushqim të mjaftueshëm për të mbajtur një milici të tillë, pa e rënduar tepër popullsinë nga e cila shpresonte të ndihmohej më vonë.

Në fakt, fati i Piccolominit nuk vinte natyrshëm, megjithëse ishte, me hirin e Zotit, për lavdinë më të madhe të Madhërisë së Tij Perandorake. Mënyra e tij e veprimit, [37v] guximi i tij dhe kujdesi në çdo çështje bënë që ai të vlerësohej me nderim të madh nga populli. Vartësit e tij do të bënin mirë të imitonin një burrë kaq të madh, i cili ishte i gatshëm të sakrifikonte interesat e veta për të mirën e përgjithshme. Ai ishte ai që vuri themelet e vërteta për monarkinë universale të Perandorit Leopold.

Nëse të gjithë komandantët e tjerë ushtarakë të Perandorit do të kishin bërë të njëjtën gjë, nuk do të kishte më turq në Evropë, dhe nuk jam i sigurt se si do të ishte pastaj puna me francezët, sado të guximshëm që janë.

Duhet ta mbyllim këtë kapitull sepse ende nuk kishte ardhur koha që armët romake të ktheheshin në lavdinë e tyre të lashtë dhe që shqiponja të hijezonte tokën në fluturimin e saj madhështor. Megjithatë, shpresoj ta përjetoj këtë para vdekjes sime.

Ndërkohë, vështirësitë e gjeneralit u shtuan. Ai u përpoq t’i jepte shpirtit të tij të thyer forcë hyjnore dhe sakramentale, ashtu siç ia ofroi Kryepeshkopi. I zhveshur nga çdo forcë, ai u përgatit për një largim të afërt në përjetësi, gjë që trupat perandorake e shihnin me shumë frikë. Në këtë pikë, dëshiroj të lavdëroj devotshmërinë dhe karakterin katolik të Piccolominit. Do të them vetëm këtë: se, duke qenë në çdo kohë një zotëri katolik dhe i krishterë, si gjeneral i Perandorit, ai ia dorëzoi shpirtin Zotit më datë 9, në orën shtatë të mëngjesit [37r], duke lënë pas kujtime tek ata që e njihnin dhe aq më tepër tek ata që do të njihen me veprat e tij të lavdërueshme.

Pak para vdekjes së tij, Piccolomini ia dorëzoi komandën Dukës së Holsteinit, duke e informuar me hollësi për të gjitha çështjet. Përndryshe gjërat do të kishin marrë një rrjedhë tjetër, sepse, kur humbet timonieri, një anije në det të hapur do të përplaset nga erërat dhe do të fundoset.

Për shkak se albaneszët ishin trajtuar keq në një mënyrë aq arrogante, ata filluan ta humbnin përbuzjen e tyre ndaj turqve. Meqë nuk po mbaheshin në nderimin e duhur, shumë prej tyre u kthyen më pas në anën e turqve.

Meqenëse njerëzit tani ishin nën një barrë më të madhe nga sa Piccolomini u kishte premtuar, ata filluan të protestonin dhe u treguan të vështirë për t’u qetësuar, veçanërisht për shkak të mungesës së disiplinës midis ushtarëve. Ajo që i zemëroi më shumë ishte fakti që, kur shkonin te oficerët për t’u ankuar dhe për të kërkuar dëmshpërblim për padrejtësitë që kishin pësuar nga milicia, nuk merrnin asgjë tjetër veçse përbuzje, tallje dhe fyerje. Në këtë situatë mbërritën tre regjimentet e thirrura nga Badeni dhe u vendosën me urdhër të Dukës në zonën e Priserin-it, drejtimi i vendqëndrimit të tyre duke u shtrirë deri në Nissa. [38v] Pas kësaj, më 13 nëntor, arnautët dhe shumë këmbësorë rashkjanë, gjithsej 1 000 vetë, dhe 100 kalorës gjermanë nën urdhrat e Herr Sanoskit, një kapiten nga regjimenti i Piccolominit, u sulmuan dy milje nga Prisserin-i [Prizren] nga një forcë prej 1 500 turqish që po vinin nga drejtimi i Scopia-s, të cilët, pasi patën sukses në sulmin e tyre, u tërhoqën dhe lanë pas në fushën e betejës 80 të vrarë nga të dyja palët dhe një numër të ngjashëm të burgosurish, prej të cilëve vetëm 12 ishin marrë nga forcat tona perandorake.

Ndërsa kjo njësi armike po kthehej, Pasha i Scopia-s, i quajtur Ahmet, i cili kishte ardhur nga Adrianopoja [Edirne] me njerëzit e tij, deshi të provonte fatin dhe më 16 nëntor, për aq sa di unë, për fatin tonë të keq, hasi një grup tjetër rashkjanëve, të udhëhequr nga komisari Kessler, pothuajse 900 vetë, duke përfshirë disa ushtarë gjermanë dhe shërbëtorët e tyre. Meqenëse dielli nuk shkëlqen gjithmonë dhe komisari nuk ishte i aftë të përgjigjej si një komandant i vërtetë, ai u mund dhe u kap rob. Kjo i bëri barbarët edhe më të guximshëm. Pasha i përmendur më pas mblodhi 3 000 turq dhe tartarë dhe shumë refugjatë nga Stipo [Shtip] dhe i çoi përsëri në atë vend.

Stipo është një vendbanim mjaft i madh me një barrikadë mbrojtëse ose palisadë. Kur milicia mbërriti atje, banorët qëndruan të qetë për të vëzhguar lëvizjet e trupave tona perandorake. [38r] Kur Duka i Holsteinit mori vesh për praninë e tyre, ai mblodhi regjimentin e tij, atë të Princit Carl të Hanoverit,[7]  Seranit, Piccolominit dhe husarët e Csakyt dhe shumë rashkjanë dhe arnautë, meqenëse ata ishin furnizuar me municion dhe ushqim për disa ditë, dhe u nis më 24 nëntor për Orisovia [Orizari?]. Duke marshuar me shpejtësi, ai mbërriti pranë Stipo-s më datë 27 në orët e para të mëngjesit, ku hasi jo vetëm 3 000 të pafe të Mamut Pashës, ish-komandant i Scopia-s, por edhe 3 000 myslimanë të tjerë. Kështu, ishin gjithsej 6 000 prej tyre, kryesisht në kalorësi, si dhe 80 jeniçerë dhe shumë arnautë. Avangarda e trupave perandorake udhëhiqej nga Madhëria e Tij, Princi Carl i Hanoverit, i cili sulmoi rojet e barbarëve si një luan me 400 kalorësit e tij. Ata u mbrojtën me guxim, por në fund u detyruan t’i hapnin rrugë vrullit të të krishterëve dhe u tërhoqën në kaos drejt ushtrisë së tyre. Trupat kryesore, duke dëgjuar alarmin, dolën nga qyteti ku po qëndronin dhe deshën të përgatiteshin për betejë si duhet, por nuk arritën ta bënin këtë, sepse u pushtuan nga skuadrat e ndryshme që u dërguan për të ndihmuar avangardën. Prandaj, Princi dhe katër standardet e regjimentit të tij morën disa shtëpi dhe hambarë për të forcuar krahun e djathtë të ushtrisë, në dëm të turqve, dhe detyruan [39v] forcat armike, që ende nuk ishin rreshtuar për betejë, të ktheheshin në fushë, duke shkaktuar çrregullim në kampin e tyre.

Kur Madhëria e Tij, Duka i Hanoverit, kuptoi çfarë kishte ndodhur me trupat dhe krahun e djathtë, ai nxitoi me trupat kryesore [Corps de Bataille] dhe krahun e majtë, të cilin arriti ta formonte me kohë para myslimanëve, dhe mundi t’i shpërndante ata dhe t’i detyronte të iknin. Më shumë se 1 000 prej tyre u therën nga musketarët gjermanë dhe nga shpatat e husarëve, dhe shumë të tjerë u morën rob.

Ajo që mbetej për njerëzit tanë, për të qenë në gjendje të thoshin se kishin arritur një fitore të plotë, ishte të shtypnin forcën rezervë (e cila ishte bashkuar me shumë osmanë trima). Duka, pra, urdhëroi kalorësit të sulmonin. Ky sulm doli shumë më i vështirë se sa ishte planifikuar, sepse mbrojtësit, në situatën e tyre të dëshpëruar, bënë gjithçka që mundën për ta kundërshtuar këtë ndërmarrje, e cila dështoi. Forcat perandorake humbën 150 ushtarë, dhe nëse nuk do të kishin vendosur të digjnin palisadën, të krishterët dhe trupat e tyre nuk do të kishin arritur kurrë ta shkatërronin Stipo-n.

Ndërsa flakët digjnin drurin e thatë, ata përfituan nga rasti për të bërë një sulm të ri, i cili doli më i suksesshëm se i mëparshmi. Të rrethuar dhe të sulmuar nga të gjitha anët, pra nga zjarri, gjermanët, ulërimat dhe të qarat e grave dhe fëmijëve të tyre, [39r] barbarët më në fund ranë viktimë e shpatave të të krishterëve. Plaçka ishte aq e madhe sa do të dukej si përrallë po të përshkruhej. Më kanë thënë burime të besueshme se ushtarët mbushën kapelat e tyre deri në me realë argjendi dhe lyventalerë [monedha].

Ky sukses i shquar i armëve perandorake do të kishte sjellë përfitime të mëdha, sikur të ishin ndjekur parimet e të ndjerit Piccolomini. Megjithatë, duke qenë se ato u shpërfillën krejtësisht, ngjarjet në terren u komplikuan shpejt.

Kur Madhëria e Tij von Holstein u largua nga Stipo, ata forcuan mbrojtjen e Priseren-it me pesë kompani të Regjimentit të Hanoverit dhe nga vetë Princi Carl, i cili siguroi mbrojtjen e qytetit dhe të rajonit së bashku me pesë kompani të tjera të Piccolominit. Kërcënimet e reja erdhën nga Mamut Pasha, i cili bënte zhurmë se do ta kthente qytetin në hi. Kishte gjithashtu mosmarrëveshje të ndryshme me udhëheqësit e arnautëve të cilët Duka i urdhëroi të dorëzonin armët dhe të shpërndanin milicinë e tyre dhe të paguanin haraç për gjermanët, siç bënin fshatarët. Kjo ishte një fyerje e patolerueshme për këtë komb të lirë dhe luftarak.

Ndërkohë, Duka ishte i mendimit se nëse armiku mund të mposhtej në të gjitha qytetet, këto toka të pushtuara mund të viheshin nën kontroll të përhershëm dhe banorët [40v] mund të detyroheshin të nënshtroheshin për të pranuar rregullat e zotërimeve patrimoniale të Perandorit, ashtu siç bënë hungarezët, bohemianët, sllavonët dhe gjermanët. Ai, pra, vendosi ta ndiqte Mamut Pashën me 1 000 kalorës nga të gjitha regjimentet dhe një numër të barabartë këmbësorësh gjermanë, disa topa dhe shumë husarë dhe rashkjanë, gjithsej rreth 3 000 vetë.

Ai kështu u nis nga Priseren-i më 2 dhjetor dhe, duke marshuar shpejt, arriti në malet e Lumës ku e dinte se Mamut Pasha ishte tërhequr me pesë deri gjashtë mijë njerëz. Mbërritja e të krishterëve i alarmoi shumë trupat e Mamutit, aq sa oficerët e tyre shkuan tek ai dhe protestuan se nuk do të luftonin me trupat tona në asnjë rrethanë dhe se ai duhet të jepte urdhrin e tërheqjes një ditë para se të mbërrinte Duka, më 3 dhjetor. Me të, banorët e zonës përreth u larguan menjëherë, duke marrë me vete pasuritë e veta. Ata gjithmonë kishin refuzuar të paguanin haraç për forcat perandorake, sepse kishin dhënë betimin e besnikërisë.

Kur Madhëria e Tij mbërriti atje, ai nuk ishte në gjendje të merrte asnjë informacion mbi vendndodhjen e armikut. Për t’i ndëshkuar banorët, ai dogji disa fshatra. Pastaj ata u kthyen në Pristina, me qëllim që të vizitonin Peechia-n [Peja], ku pesë kompanitë e tjera të Piccolominit ishin [40r] vendosur. Aty, ata kishin ndërmend të tërhiqnin një vijë nga vendqëndrimi i tyre deri në Petropopol në drejtim të Arcecovina-s [Hercegovina], një vendbanim i fortifikuar nën kontrollin e Topat [Topal] Pashës,[8] ish-guvernator i Bosnjës.

Për të penguar veprimet tona, qielli vendosi që Kryepeshkopi i Shqipërisë të vdiste, ai që kishte mbajtur nën kontroll të gjithë popullin e tij dhe shumicën e arnautëve nën nënshtetësinë e Madhërisë së Tij Perandorake. Kështu, kur më 8 dhjetor ai e braktisi këtë luginë të errësirës për gëzimet e Parajsës, fati ynë në tokë na la përkohësisht bashkë me të.

Ndërkohë, edhe Duka nuk ishte mirë nga shëndeti. Megjithatë, ai vendosi të eksploronte zona dhe toka të ndryshme, duke dërguar kapitenin e Piccolominit, Herr von Sanoski, me 100 këmbësorë gjermanë dhe 400 rashkjanë.

Pasi u nis nga Pristina më 20 dhjetor, ai mbërriti brenda dy ditësh në qytetin Vellez [Veles], pesë milje nga Scopia, të cilin e gjeti të hapur. Ata e sulmuan qytetin nga të gjitha anët dhe e morën, duke i detyruar banorët të iknin. Tridhjetë vetë nga armiku u vranë dhe shumë u morën rob, dhe një numër i panumërt turqish dhe të krishterësh që banonin aty u shpërndanë.

Pas këtij suksesi, të krishterët morën shumë krerë bagëtish. Kështu, Sanoski, i kënaqur, po kthehej kur hasi një trupë të madhe të jeniçerëve. Ai mori me vete dhjetë kalorës [41v] dhe shkoi në një vend pranë rojës së pasme për të hetuar, por u plagos për vdekje dhe katër orë më vonë dha shpirt në Caczenek [Kaçanik], ku ishte transportuar në gjendje të mjerueshme nga njerëzit e tij.

Kur Duka kuptoi se nuk mund të përfitonte asgjë nga kokëfortët apo nga maksimat tona, ai filloi të bisedonte me ta dhe me turqit në mënyrë të sjellshme dhe të dashur. Ah, sikur ta kishte bërë këtë që në fillim! Atëherë gjërat do të kishin qenë shumë më mirë. Por, ishte tepër vonë sepse albanezët tani ishin të tërbuar nga koprracia dhe arroganca e oficerëve gjermanë që i përbuznin ata dhe kështu sollën rënien e tyre.

Megjithatë, ai arriti të bënte disi paqe dhe, po të mos ishte ndeshur Strasseri me një fatkeqësi të tillë, Holsteini me siguri do të kishte qenë në gjendje të mbante territorin dhe kufijtë e pushtuar deri në mbërritjen e Veteranit. Një shembull i kësaj ishte Rosajo [Rozhaja?], një qytet mjaft i madh dhe i fortifikuar që ishte rebeluar kundër Portës dhe ishte vënë nën mbrojtjen e forcave perandorake më 12 dhjetor. Për të dhënë një dëshmi më të qartë të besnikërisë së tyre, ata vendosën të shkatërronin mbrojtjet e banorëve të Pilippopoli-t [Plovdiv?].

Kur beu i qytetit të përmendur Pilippopoli mësoi për sjelljen e guximshme të Rosajo-s, ai mbërriti më datë 23 personalisht me 50 jeniçerë, tre topa, 1 000 arnautë dhe 500 kalorës. Ai i vendosi arnautët mbi një kodër dhe filloi të qëllonte mbi [41r] fortesën e Rosajo-s. Njerëzit brenda fortesës u gjendën në presion të madh dhe kërkuan falje. Kur kjo iu dha nga beu, ata u dorëzuan dhe u kthyen në besnikëri ndaj Portës.

Pas këtij suksesi, Duka u informua nga lejtnant koloneli von Apremont se një forcë e madhe armike prej 2 000 vetash dhe edhe më shumë kalorësish kishte ardhur nga drejtimi i Soffia-s [Sofja] dhe kishte detyruar banorët e Palancka-s [Kriva Palanka] të iknin më datë 20. Banorët e qytetit përbëheshin nga rashkjanë të ndryshëm, ushtarë dhe gjermanë të ndryshëm. E njëjta gjë ndodhi me pushtuesit gjermanë të Orsova-s më datë 22. Ai vuri re gjithashtu se kjo forcë mburrej se së shpejti do të rritej në 18 000 turq dhe tartarë dhe, me një fuqi të tillë, do të përpiqeshin të dëbonin forcat perandorake nga rajoni i Nissa-s. Gjithçka që shkroi [në mesazh e tij] e kishte mësuar nga dy burime.

Kur informacionet e tilla u morën edhe nga burime të tjera, Madhëria e Tij Perandorake thirri një këshill lufte më 27 dhjetor, ku u vendos të rezistohej armiku me çdo kusht dhe të mblidhej milicia. Në të njëjtën kohë, u morën lajme të papritura se tre mijë tartarë nën urdhrat e Sulltan Naradinit [Nureddin] kishin kaluar në territoret e sapopushtuara përmes shtigjeve malore dhe kishin djegur shumë fshatra në rajon.

[42v] Për këtë arsye, Duka urdhëroi kolonelin Strasser, komandantin e Nissa-s, i cili kishte mbërritur për t’u marrë me çështje të ndryshme të nevojshme, që të shkonte dhe të shtypte tartarët me milicinë nga Pristina dhe t’i shtynte ata larg kufijve.

Kur Strasseri mori komandën atë ditë, me një milici prej 600 këmbësorësh gjermanë, 500 kalorësish dhe 1 000 rashkjanë, Sultan Naradini deshi ta sulmonte me 1 300 kalorës të zgjedhur dhe, në të njëjtën kohë, ai vetë u tërhoq me njerëzit e tij, së bashku me plaçkën dhe robërit, përfshirë disa gjermanë të kapur, salvagardë, hungarezë dhe vendas.

Duke arritur këtë, ai mbërriti në buzë të një pylli dhe hasi ballin e forcave tona perandorake. Sipas zakonit ushtarak, ata u rreshtuan, duke i dhënë Naradinit kohë të mjaftueshme për të vëzhguar kapacitetin luftarak të njerëzve tanë dhe për t’i sulmuar. Mendimi i tij i vetëm ishte të kapte robër dhe t’i merrte në pyetje për të zbuluar çfarë planifikonin forcat katolike. Ai ia doli të bënte të gjitha këto. Është e vërtetë se ai humbi pesë ose gjashtë vetë dhe la shumë robër në duart e forcave perandorake. Nga ana e tij, ai kapi dy hungarezë dhe dy gjermanë.

Kur Strasseri kuptoi se armiku kishte lënë rajonin dhe se do të ishte humbje kohe ta ndiqte, ai u kthye [42r] në Pristina, ku Madhëria e Tij Perandorake, pasi bëri një këshillim në ditën e parafundit të dhjetorit, kuptoi se Caccianech-u [Kaçanik], që po mbrohej nga jo më shumë se 100 musketarë, po rrethohej dhe se së shpejti do të binte në duart e turqve me 18 000 njerëz të tyre. Për këtë arsye, Duka, pa pritur më tej, urdhëroi që i përmenduri kolonel Strasser të përgatiste ushtrinë për betejë, pa mbledhur më tej furnizime për të. Kalorësia kishte 300 kalorës nga Stiria, 300 nga Hanoveri, 300 nga Holshtajni – gjithsej 900 kalorës, të cilëve do t’u bashkohej atje regjimenti i Piccolominit i përbërë nga 500 ushtarë. Të gjitha trupat e përmendura më sipër do të ishin nën urdhrat e Madhërisë së Tij, Princit Carl të Hanoverit. Sa për këmbësorinë, kishte vetëm 400 ose më pak musketarë të komanduar nga koloneli Kont Solari. Gjermanëve iu bashkuan pothuajse 1 500 luftëtarë, si rashkjanë ashtu edhe arnautë, në mënyrë që e gjithë ushtria e mbledhur në Pristina më 1 janar 1690 kishte 3 500 vetë gjithsej.

Nuk e di pse Duka nuk iu bashkua vetë kësaj ekspedite. Dikush mund të përgjigjej, siç u tha, se ai ishte i sëmurë në atë kohë. Kur mori vesh për disfatën e forcave tona, ai u nis me ngut, i sëmurë, për në Nissa.

Kam dëgjuar se ai nuk donte të vuante reputacionin e atij që kishte humbur këto toka kufitare për Perandorin, veçanërisht kur pa se hapat e parë kishin shkuar keq. Për këtë arsye, ia dorëzoi komandën Strasserit. Ai shpresonte, ashtu siç i ishte urdhëruar, se nuk do t’i duhej të përballej me një forcë shumë më të madhe, por se do të kishte kohë të mblidhte më shumë njerëz dhe të provonte fatin vetë në një betejë të përgatitur siç duhet dhe do të ishte në gjendje të rivendoste rendin me fitore.

Madhëria e Tij Perandorake zbuloi se nga 20 000 arnautë që nën ndikimin e Piccolominit kishin bërë betimin e besnikërisë ndaj Perandorit, vetëm 300 prej tyre mbeteshin të besueshëm, sepse ishin trajtuar aq keq nga Madhëria e Tij dhe oficerët e tjerë. Po të mos kishte ndërruar mendje Duka kur e kuptoi gabimin, nuk do të kishte asnjë prej tyre nën komandën e tij. Edhe pse ata pak të mbetur marshonin mes forcave tona perandorake, në zemrat e tyre nuk ishin të gatshëm.

Gabon kushdo që mendon se mund t’i nënshtrojë vendet e mëdha me ashpërsi, disiplinë dhe forca modeste. Mund të arrihet shumë me një ushtri mesatare, por vetëm duke ndjekur rregullat dhe duke marrë këshilla kur bëhen gabimet.

Holsteini fillimisht i hodhi poshtë këto popullsi si të panevojshme dhe i konsideronte si konkurrencë dhe pengesë për interesat e Madhërisë së Tij Perandorake. Pasi u bind nga disa prijës se të gjithë këta popuj të nënshtruar dhe ata që kishin bërë betimin e besnikërisë [43r] duhej të paguanin haraç dhe të mos mbanin armë, ai besonte se një forcë e vogël do të mjaftonte për të mbajtur një mbretëri të tërë nën kontroll.

Vetëm atëherë ai e kuptoi mjetin e nevojshëm për t’i mbajtur këto toka të pushtuara të qeta dhe për t’i nxitur vazhdimisht kundër turqve. Kur ata kishin riorganizuar milicinë e tyre të mëparshme, vendosën të sulmonin garnizonet e austriakëve dhe, të nxitur nga arnautët që ishin trajtuar keq nga njerëzit tanë, u kthyen në besnikërinë e tyre të mëparshme ndaj myslimanëve.

Duke u kthyer te Strasseri, ai besonte se mund të bënte mrekulli me korpusin e tij mendjemadh dhe të dëbonte armikun deri në Sophia. Nga natyra ishte njeri i dhunshëm dhe jo veçanërisht i sjellshëm. Kishte zakon të shkëmbente fyerje me oficerët, si gjermanë ashtu edhe rashkjanë, gjë që i neveriste njerëzit tanë. Madje edhe Princi Carl më shumë se një herë ishte penduar që e kishte nën komandën e tij.

Meqë Strasseri ishte në thelb ushtar, megjithëse disi tepër i rreptë, ai donte t’i provokonte barbarët që të dilnin në betejë me të. Prandaj, bëri hapin e parë, duke besuar se njerëzit e tij, të cilët në fakt nuk e donin, nuk do ta braktisnin.

[44v] Kur trupat kishin marshuar për katër orë, arritën në një grykë, më pak se një milje nga Caccianek-u [Kaçanik], të cilin zbuluan se turqit e kishin marrë. Koloneli ngriti kampin aty dhe, kur u nis në orën dy të mëngjesit, u paralajmërua nga një lejtnant kolonel i arnautëve që të mos avanconte më tej, sepse forcat turke ishin tepër të mëdha. Megjithatë, ai e talli atë dhe e quajti potron [mace?]. Pas kësaj, shqiptari shkëmbeu disa fjalë të tjera. I zemëruar, Strasseri nxori pistoletën dhe e qëlloi në krah, duke e plagosur rëndë. Madje, shkoi edhe më tej dhe ekzekutoi një tjetër ushtar, nga radhët e albanezëve, për një faj të vogël. Duke shpërfillur të gjitha paralajmërimet, ai vazhdoi përmes grykës së Cacianeck-ut [Kaçanik] dhe ndaloi për të pushuar me trupat e tij në një kënetë, ku turqit nuk mund t’i sulmonin lehtë.

Më pas, pa menduar la kampin e tij të zgjedhur mirë dhe u ndal në një zonë të hapur, e cila ishte e ekspozuar ndaj sulmeve nga të gjitha anët. Princi i Hanoverit dhe oficerët e tjerë e kundërshtuan këtë, duke i shpjeguar se sapo të mbërrinte regjimenti i Piccolominit dhe trupat e tjera, fitorja do të ishte e sigurt dhe se nuk duhej të rrezikonin kot së koti kurorën e Madhërisë së Tij.

[44r] Nëse është e shkruar të kesh fat të keq, këshillat e mira shpërfillen dhe nuk bëhen përgatitjet për katastrofën e ardhshme. I tillë ishte Strasseri i cili, i bindur për guximin e njerëzve të tij dhe pa marrë parasysh numrin e tyre të vogël, e vuri veten në rrezik të hapur dhe e provokoi armikun me të shtëna topash dhe me zhurmë nga pajisjet ushtarake, në mënyrë që ky të dilte dhe të luftonte.

Ushtria turke, e komanduar nga pashallarët e lartpërmendur Ahmet dhe Mamut, përbëhej nga 3 000 tartarë nën Sultan Naradinin, një numër i barabartë spahinjsh, 4 000 arnautë me agën e tyre dhe mbi 1 500 jeniçerë gjithashtu me agën e tyre. Arnautët tradhtarë mbanin lidhje me njerëzit tanë. Ata kishin braktisur anën tonë për shkak të trajtimit të keq që kishin marrë nga Koloneli dhe sepse Strasseri kishte dënuar me vdekje një prej shokëve të tyre. Ata e bënë të qartë se, nëse gjermanët do të sulmonin vërtet, ata do të kalonin në anën osmane dhe do të ndihmonin në shkatërrimin e plotë të forcave perandorake. Pasi u arrit një marrëveshje me këtë komb barbar e çnjerëzor, ose më mirë të themi, sepse Strasseri ashtu deshi, Naradini avancoi me tartarët e tij në të djathtë të trupave perandorake ku ishin vendosur rashkjanët. Fillimisht ata qëndruan të fortë, por më pas u thyen dhe u tërhoqën duke lënë zonën [45v] të hapur. Kalorësia dhe këmbësoria pësuan humbje të mëdha kur tartarët u dyndën brenda.

Ndërsa kjo po ndodhte në krahun e djathtë, spahinjtë në krahun e majtë po pësonin një fat të ngjashëm. Pasi bënë një rezistencë të dobët, ata u braktisën nga arnautët dhe gjithë formacioni ynë u hodh në rrëmujë. Strasseri pastaj u përpoq të riparonte dëmin, ashtu si edhe trimi Princi Carl, por ishte e kotë. Në këtë situatë të skajshme, duke parë se nuk kishte ç’të bënte, doli në pah guximi i një burri të madh. Ai u hodh mes armikut me armë në dorë, duke hapur rrugë për t’i ardhur në ndihmë trupave të veta të ndryshme. Pasi kreu disa vepra të jashtëzakonshme me këtë armik e atë armik, të cilët i rrëzoi dhe i vrau, më në fund ra edhe vetë, viktimë e sulmit të egër të armikut.

Megjithëse gjermanët bujarë kishin humbur Princin Carl të dashur të tyre, i cili ishte i dashur dhe i nderuar më shumë se shumë të tjerë, dhe panë veten të përballur me një ditë kaq fatale, ata megjithatë e kthyen situatën, të vendosur të mos e shisnin lirë jetën e tyre. Komandantët morën këshillë dhe i shtynë turqit [45r] dhe tartarët përsëri drejt rreshtave të tyre dhe, në mes të zjarrit, duke u bashkuar pjesërisht me shpatat, shigjetat, me therje e vdekje, vazhduan betejën për një farë kohe, duke kryer vepra të mrekullueshme.

Në mungesë të Strasserit të plagosur, i cili kishte mbetur në rrëmujë gjatë sulmit të parë [të armikut], Kont Solari, me ndihmën e kalorësisë, arriti të rikthente rreshtin e musketarëve dhe t’i bënte ata të kryenin detyrën e vet. Beteja u ndez edhe më shumë dhe u bë më e përgjakshme. Turqit nuk do të kishin mundur kurrë të arrinin fitoren nëse njerëzit tanë do të kishin mundur të mbanin mbrojtjen në pjesën e pasme dhe anësore. Por, duke qenë se ndodheshin në një fushë të hapur dhe të rrethuar nga armiku, ata filluan të humbnin shpresën, sidomos sepse municioni u pakësua.

Kur osmanët vunë re se forcat perandorake kishin ulur të shtënat, kuptuan se nuk kishin më plumba e barut. Pa humbur kohë, trupi kryesor i ushtrisë avancoi, duke sulmuar katolikët e pathyeshëm përpara, nga prapa dhe nga anët. Pesha e sulmit ishte e tillë që nuk mund të ndodhte ndryshe veçse të mundeshin. Shpirtrat e tyre, megjithatë, nuk u mundën nga barra e jetës së tyre të shkurtër dhe të vështirë, por dolën fitimtarë, duke mbajtur me vete palmën e fitores për të forcuar radhët e Parajsës. [46v] Pak nga shumë njerëzit tanë u morën robër ose mbetën gjallë. Disa, nën errësirën e natës, në pyjet aty pranë, ikën mbrapsht në Pristina, ku arritën të nesërmen. Shumë nga oficerët, përfshirë Kontin Solari, u morën robër. Sa për Strasserin, disa thonë se u pa i vrarë. Të tjerët janë të sigurt se u plagos dhe u kap rob dhe ia dorëzoi shpirtin Zotit. Thuhet se fusha ishte e mbushur me trupat e ushtrisë perandorake, dhe megjithatë një numër i dyfishtë i të pafeve u shfaros.

Kur Duka mori lajmin e këtij rasti të hidhur, ai u tërhoq në Nissa, duke treguar kujdes të madh. U shkaktua një shkatërrim i pafund dhe reputacioni gjerman ndër banorët e rajonit u dëmtua. Milicia e mbetur austriake ishte e tmerruar. Në të njëjtën kohë, ata braktisën me mendjelehtësi qytetin e Pristina-s dhe magazinën e tij e cila ishte mjaft e madhe për të ushqyer tre deri në katër mijë njerëz për katër muaj dhe që përmbante mjaft ushqim për të kaluar dimrin për 1 200 kuaj. Nuk kishte më ç’të bëhej, dhe po të mos ishte kthyer Veterani në këtë zonë kufitare, ajo do të ishte humbur deri në Beograd. Fatkeqësia e Strasserit [46r] ishte një nga arsyet e kësaj katastrofe. Ushtritë e Madhërisë së Tij në Transilvani dhe në Serbi ishin shkatërruar dhe nuk ishin në gjendje të rimëkëmbeshin dhe të rezistonin ndaj çdo avancimi që armiku do të ndërmerrte seriozisht, siç ndodhi më vonë.

Ndërkohë, regjimenti i Piccolominit po marshonte nën komandën e kolonelit, Kontit Monticelli, për t’u takuar me Holsteinin. Ai mbërriti pranë vendit ku kishte ndodhur humbja, ditën pas betejës, d.m.th. më datë 3, pa e ditur aspak se çfarë kishte ndodhur.

Duke hasur njësi të ndryshme tartarësh këtu e atje, ai i sulmoi dhe i detyroi të tërhiqeshin. Gjatë kësaj, kapi tre burra rob. Duke i marrë në pyetje, kuptoi me lot në sy tragjedinë që kishte rënë mbi ushtarët perandorakë. Për këtë arsye, pa hezituar më tej, marshoi për në Pristina.

Kishte marshuar për vetëm gjysmë ore kur pa gjithë furinë e tartarëve pas tij me shpejtësi të plotë. Ishin një mijë, me vetë Sultan Naradinin, i cili kishte mbetur pas me pjesën më të madhe të njerëzve të tij, ndërsa turqit triumfues po largoheshin për në Pilipoppoli [Plovdiv], duke marrë me vete [47v] plaçkën, robërit dhe topat.

Nga marrja në pyetje e tre robërve të përmendur më sipër, Monticelli ishte i bindur se me shumë gjasë do t’i duhej të luftonte. Kështu, ai iu drejtua oficerëve dhe njerëzve të tij, duke i frymëzuar të jetonin dhe të vdisnin bashkë me të. Kur pa tufën e armikut që po afrohej shpejt, ai kërkoi vetëm të kalonte një urë dhe të vendoste njerëzit e tij në një kënetë të vogël. Duke u përgatitur aty, priti armikun. Ai gjithashtu caktoi një toger trim dhe 40 kalorës për të ruajtur urën të cilën sapo e kishte kaluar i gjithë regjimenti.

Beteja zgjati mbi dy orë. Të krishterët qëllonin breshëri pas breshërie mbi barbarët me koburet e tyre dhe barbarët hodhën shigjeta mbi katolikët. Por, ura dhe këneta qëndronin mes tyre. Si rrjedhojë, tartarët nuk ishin në gjendje, ose nuk patën guximin, të sulmonin njerëzit tanë nga prapa. Kur u afrua mbrëmja, koloneli, i pajisur plotësisht për betejë, i udhëhoqi njerëzit e tij përmes kënetës, të shoqëruar për një kohë nga ulërimat dhe britmat e myslimanëve, por nuk u ngacmuan shumë nga afër. Në këtë gjendje, ai mbërriti në Pristina pas [47r] mesnate dhe konstatoi se kishte humbur vetëm njëzet ushtarë dhe se vetëm një kapiten dhe disa ushtarë të thjeshtë ishin plagosur.

Monticelli bëri përgatitjet në Pristina dhe thjesht i plotësoi trupat. Pastaj u nis përsëri për në Scopia. Duhet të lavdërohet virtyti, guximi dhe sjellja e atij Konti.

Të gjithë oficerët duhet të jenë si ai. Duhet hyrë në betejë vetëm kur është absolutisht e nevojshme ose kur sheh një përparësi për eprorët dhe për vendin në përgjithësi. Të shmangësh betejën me një fuqi të madhe është shenjë e vërtetë guximi dhe jo frike. Por, kur je i detyruar të luftosh, duhet ta bësh këtë dhe do të dalësh fitimtar, sepse virtyti i vërtetë dhe guximi i vërtetë janë shokë të pandashëm të fatit.

Veterani ishte plagosur në Vllahi. Ai mori urdhra nga Hirësi e Tij von Baden që të bashkohej me komandën në Nissa. Në këtë situatë ai u nis për në Beograd, thjesht sepse ai dhe njerëzit e tij nuk kishin ushqim dhe as sanë për kuajt. Për këtë arsye, marshimi në mes të dimrit ishte veçanërisht i mundimshëm.

[48v] Kur më në fund mbërriti në Beograd, ai mësoi për fatin e Strasserit dhe të shumë oficerëve e ushtarëve të tjerë të njohur dhe kështu u nis me vrull të madh në atë drejtim.

Ndërsa Konti po përpiqej të arrinte sa më shpejt në Nissa, u ndesh me dy korrierë, pesë orë larg njëri-tjetrit, të cilët Duka i kishte dërguar në Oborr për ta informuar mbi mbledhjen e madhe të forcave turke. Prej tyre ai mori një letër nga koloneli, Konti von Herberstein, i cili e informonte për humbjen e Strasserit. Teksa Konti vazhdonte rrugën e tij, vërente gjithnjë e më shumë shenjat e frikës së gjermanëve.

Në një situatë kaq kaotike, hutimi dhe frika po e pushtonin gjithnjë e më shumë Dukën. Të gjitha garnizonet ishin në lëvizje dhe secili ose po braktiste milicinë, ose po tërhiqej në rrëmujë, ose sillej si zog mbi degë, gati për fluturim. Duka ishte gati t’ia linte Nissa-n armikut, sepse i dukej e pamundur ta mbronte. Megjithatë, falë urdhrit të rreptë dhe të pathyer të Veteranit, të cilin ushtarët e shpërndarë e respektonin dhe që uli nivelin e konfuzionit, kjo nuk ndodhi.

[48r] Vetë ai arriti së shpejti në Nissa, duke sjellë me vete rendin dhe, duke mbledhur aty, nga qyteti i pushtuar dhe nga rrethinat një korpus burrash dhe tre topa, u nis në drejtim të barbarëve më 9 janar.

Ai u dha guxim trupave të trembura perandorake me këto vepra prej një Gjenerali dhe me fjalë të guximshme për të gjithë. Njëkohësisht, ai dërgoi urdhra të rreptë në të gjitha garnizonet dhe njësitë që të gjithë oficerët dhe ushtarët të qëndronin aty ku ishin, nën dënimin me vdekje, edhe nëse nuk kishin më ushqim dhe sanë për kafshët. Edhe pse turqit dhe tartarët po digjnin dhe po shkatërronin tokat që paguanin haraç, ata do të duhej ta bënin domosdoshmërinë virtyt, për pak kohë, dhe të hanin mish kali dhe, nëse ishte e nevojshme, të avanconin pozicionet e veta.

Vetëm Veterani ishte i aftë të kapërcente një situatë kaq të tmerrshme. Nevoja ishte për një milici të patrembur dhe të vendosur, e cila do të tregonte dashuri dhe respekt për të, për një njeri që me mirësjellje zbatonte drejtësinë dhe e mbante fjalën e vet.

Ndërsa përparonte, më shumë për të lënë përshtypje sesa për të gjetur dhe për ta ballafaquar armikun, ai nuk harroi t’u shkruante të gjitha autoriteteve të vendit për t’i nxitur që të vazhdonin të tregonin besnikëri ndaj Perandorit [49v] dhe u premtoi se shumë shpejt do të çliroheshin dhe do të shpëtonin nga turqit.

Në të vërtetë, nuk e di me siguri nëse emri i Veteranit i trembte ata apo thjesht ishte çështje fati. Ai, sidoqoftë, ishte mjaft i njohur dhe i nderuar edhe nga myslimanët. Mund të them vetëm se u zhdukën përgatitjet e mëdha dhe shfaqja e forcës që këta të fundit kishin bërë vetëm disa ditë më parë, ashtu si lindja dhe rritja të çojnë në vdekje. Kjo i dha Gjeneralit kohë për të rregulluar punët e veta dhe për të vendosur gjithçka në rregull në selinë e tij, si vijon: Ai urdhëroi që regjimentet e Strasserit dhe Herbersteinit dhe gjysma e regjimentit të Seranit të vendoseshin në Nissa. Pjesa tjetër e njerëzve të Seranit do të vendosej në Procopia nën komandën e kolonel lejtnantit të hajdutëve i cili kishte të vendosur atje të gjithë regjimentin e tij. Në Pristina ai urdhëroi Dukën e Holsteinit me regjimentet e Apremontit, Aueshpergut dhe kalorësit me parzmore të Hanoverit. Me këto regjimente u bashkuan edhe regjimentet e kalorësve me parzmore të Stirisë, Hanoverit dhe Holshtajnit. Në Prisren [Prizren] ai dërgoi kolonelin Antonio me rashkjansët e tij, shumë arnautë dhe 200 musketarë. Pasi mori këto vendime, ai rivendosi themelet e kongresit të popullit [?] dhe u kthye menjëherë në fushë, veçanërisht kur dëgjoi se të pafetë [49r] e kishin braktisur atë.

Është vërtet e pabesueshme se si turqit u vunë përsëri në vendin e vet kur, në një moment të caktuar, vunë re se gjermanët që po tërhiqeshin kishin kthyer ballin e tyre të patrembur drejt tyre dhe kishin rimarrë pozicionet e mëparshme. Ata madje avancuan deri në kufijtë e Maqedonisë dhe Caczianeck-ut [Kaçanik], një qytet i madh që ishte braktisur nga forcat perandorake që para vdekjes së Kryepeshkopit të Shqipërisë. Këto rajone u pushtuan sërish dhe Veterani u përpoq të merrte dhe të ribashkonte jo vetëm tokat përpara tij, por edhe ato prapa dhe anash. Për këtë arsye, ai u tregua veçanërisht i sjellshëm me udhëheqësit e rashkjanëve, kolonelët Pranisova dhe Studeniza, dhe i vendosi ata në zonën e Jagodinës për të mbajtur rrugët në atë rajon. Pasi gjithçka u bë dhe u urdhërua sipas vullnetit të tij krenar, ai dërgoi një korrier përsëri në Oborr dhe pak më pas dërgoi një kolonel, Kontin Seran, për t’i informuar mbi këto ngjarje.

Tani duket se ka ardhur koha që unë të largohem për një kohë nga Serbia dhe të kthehem te veprat e Kont Corbellit gjatë rrethimit të Grosva5rdajnit [Oradea] … /Telegrafi/

____________________

[1] Ekstrakt nga Annotationes und Reflexiones der gloriosen kayserlichen Waffen im Jahr 1689. në: Arkivat e Shtetit Austriak (Österreichisches Staatsarchiv), Arkivat Ushtarake (Kriegsarchiv), Vjenë, AFA, Kartoni 195, 1689-13-1, fl. 32r-49r. Përkthyer nga gjermanishtja nga Robert Elsie.
[2] Giovanni Norberto Piccolomini (1650-1689).
[3] Friedrich von Veterani (1630-1695).
[4] Margrave Ludwig Wilhelm of Baden (1655-1707).
[5] Christian von Holstein.
[6] Pjetër Bogdani (rreth 1630-1689), ital. Pietro Bogdano, shkrimtar dhe figurë fetare katolike shqiptare. Në vitin 1656, Bogdani u emërua Peshkop i Shkodrës dhe, nga viti 1677 deri në vdekjen e tij, shërbeu si “Kryepeshkop i Shkupit dhe Administrator i Mbretërisë së Serbisë”.
[7] Princi Karl Philipp i Hanoverit (1669-1690), vëllai i Mbretit të ardhshëm George I të Britanisë së Madhe.
[8] Topal Gazi Hüsein Pascha (regj. 1688, 1688-1689).

The post Kosova në Luftën e Madhe Turke të viteve 1683-1699 appeared first on Telegrafi.

Shkeli me këmbë flamurin e Kosovës në sheshin e Prishtinës, nga Prokuroria thonë se nuk ka elemente të veprës penale

7 August 2025 at 13:10

Një incident ndodhi një ditë më parë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ku një qytetar nga Shqipëria ka përdhosur flamurin e Kosovës duke e shkelur me të dy këmbët.

Personi i përfshirë në këtë akt, i identifikuar si shtetas nga qyteti i Fierit, ishte i veshur me bluzë kuq e zi dhe në duar mbante flamurin e Shqipërisë.

Veprimi i tij është regjistruar në video nga kalimtarë të rastit dhe është publikuar gjerësisht në rrjetet sociale, duke ngjallur reagime të ashpra.

Në lidhje më këtë rast Prokuroria Themelore në Prishtinë ka vlerësuar se rasti nuk përmban elemente të një vepre penale.

Sipas zëdhënëses Kaltrina Shala, çështja është trajtuar si kundërvajtje për prishjen e rendit dhe qetësisë publike.

“Prokurori i shtetit ka vlerësuar që nuk ka elemente të veprës penale, andaj kjo çështje ka kaluar në kundërvajtje për prishjen e rendit të qetësisë publike”, ka deklaruar ajo.

Ndryshe, zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti kishte thënë për Telegrafin se i dyshuari është ndaluar dhe është intervistuar nga autoritetet.

“Ai është nga Fieri dhe është duke u intervistuar nga Policia”, ishte shprehur Ahmeti. /Telegrafi/

 

 

 

The post Shkeli me këmbë flamurin e Kosovës në sheshin e Prishtinës, nga Prokuroria thonë se nuk ka elemente të veprës penale appeared first on Telegrafi.

Blinin vota për kandidatin e PD-së Shkëlqim Hoxha, SPAK çon në gjyq 5 persona

4 August 2025 at 17:44

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka përfunduar hetimet paraprake dhe ka dërguar për gjykim 5 persona, ku 4 prej tyre akuzohen për korrupsion zgjedhor në zgjedhjet lokale të vitit 2023. Mes të pandehurve është edhe ish-kandidati i opozitës për kreun e Bashkisë së Rrogozhinës, Shëlqim Hoxha. Ndërkohë, 4 të pandehurit e tjerë janë shtetasit: Limon Shala […]

The post Blinin vota për kandidatin e PD-së Shkëlqim Hoxha, SPAK çon në gjyq 5 persona appeared first on BoldNews.al.

Nga burgjet e regjimit serb në odat shqiptare, rrëfimi i fuqishëm i Havë Shalës për pajtimin e gjaqeve

2 August 2025 at 23:07

Havë Shala, një nga nismëtaret e Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve, e kujton veprimtarinë e saj nga vuajtjet e në burgje si një e re që luftonte për liri kundër regjimit serb, te ideja e më pas Lëvizja për të ndalur hakmarrjen midis shqiptarëve.

Qelia e vogël e burgut, me dritën e fortë të llambës që ende i shkakton dhimbje koke, për Havë Shalën u bë vendi ku lindi një ide – e thënë por e pashkruar – që pak vite më vonë, krejt rastësisht u shndërrua në një lëvizje popullore që ndryshoi rrjedhën e realitetit shqiptar të vitit 1990.

Për të, atëkohë 17-vjeçare e pabindur ndaj pushtetit shtypës serb nën ish-Jugosllavi, burgu i viteve 1994-1998 ka qenë njëkohësisht shkatërrues por edhe nxitës. Prapa grilave iu përforcuan bindjet për t’u rebeluar ndaj shtypjes që u bëhej shqiptarëve nga regjimi, ndërsa brenda saj lindi një forcë për të ndalur vëllavrasjet.

Gjakmarrja nuk është e drejtë në asnjë kohë, por di të bëhet veçanërisht tejet e dëmshme kur armiku i vërtetë përpiqet ta përdorë atë si alibi për të fshehur krimet e veta, është e bindur Hava Shala me prejardhje nga Lugu i Baranit të Pejës, ish-studente e Letërsisë Shqipe, e njohur mirë me konceptin e marrjes së hakut.

“Akile [shoqes së saj të burgut Akile Dedinca] i them: “Populli është në lëvizje po e shohim, po e ndiejmë, shihej, ishte emocionale… Kur lëviz populli mund të bëjë gjëra të mëdha. Dhe, ishte momenti që të bëhet diçka e madhe në këtë drejtim. Një gjë e madhe ishte heqja e gjakmarrjes. Dhe, menduam të shkruajmë një letër të cilën do ua dërgonim shokëve dhe shoqeve tona që ishin jashtë me shpresën që mund të bëhej diçka në këtë drejtim”. Këtë letër, siç tregoi Hava Shala në emisionin “Kallxo Përnime” nuk kishin arritur ta dërgojnë për shkak të kontrolleve të rrepta brenda burgut.

Ajo ishte arrestuar në vitin 1984 si 18-vjeçare së bashku me gjashtë vajza dhe dy djem të tjerë, për rastin që njihet “Grupi i Vajzave të Pejës” për shkak të shkrimit të letrave politike dhe leximit të librave dhe revistave të ndaluara atëkohë.

Një pjesë të burgut e kishte kaluar në atë të Lipjanit, e një pjesë në Mitrovicë.

U lirua nga burgu në vitin 1988. Pas daljes nga burgu, ajo iu bashkua Lëvizjes për Pajtimin e Gjaqeve.

Më 1 maj të vitit 1990 ishte organizuar një nga tubimet kryesore për pajtimin e gjaqeve, i njohur si tubimi i “Verrave të Llukës”, dhe Shala ishte një nga nismëtaret që mbajti fjalim para të pranishmëve. Ajo bashkë me shoqet e shokët e burgut ishin përkrah me veprimtarët Anton Çetta e Zekeria Cana në pajtimin e gjaqeve.

“Jo alibi për t’u fshehur krimet serbe”

Hava Shala kujton kohën kur në vitin 1990 kishte protesta e demonstrata ndaj regjimit serb, saqë për herë të parë kishte parë teksa njerëzit rraheshin, plagoseshin dhe vriteshin në Pejë.

Vrasja e një djali të ri ishte bërë një nga shkaqet që ia kishte trasuar rrugën drejt një rastësie për nisjen e saj për pajtimin e gjaqeve. Atëkohë, me sa e mban në mend Shala ka qenë rreth 24-vjeçare kur Fatmir Uka ishte vrarë krejt pranë saj. Së bashku me shokë e shoqe ishin munduar që ta zhvendosin trupin e tij për ta dërguar në spital që mos ta shohin demonstruesit e tjerë.

“E kemi marrë me duart tona, i kemi pasë të përlyera në gjak. E kemi marrë dhe jemi dalë në pjesën tjetër të qytetit. Nuk lenin nga pjesa e Karagaçit ta çonim në spital. Ishte një dramë atë ditë. Shumë njerëz u vranë e u plagosën”- tregoi ajo.

Rrugës, afër urës së gurit në Pejë, Shala thot se ka hyrë brenda në një furrë për t’iu shmangur ndjekjes së Policisë dhe po aty kishte takuar një burrë që kishte kërkuar ndihmën e saj për të kërkuar besë për një gjakmarrje të të afërmve të tij në Lumbardh.

“Vjen aty një burrë i Breliqit me mbiemrin Gashi, mos gabofsha quhet Abdyl Gashi, familja e të cilit, një kushëri i afërt ishte në gjak me familjen Leka në Lumbardh. Edhe më thot: Havë unë i pash të rinjtë e dy familjeve dhe kam frikë se do të vrahen mes veti. Në protesta, në demonstrata. Thot: të lutem a mund të bësh diçka. Kam frikë, thot ai. Idenë e kish për të shku me marr besë, sa të kalojnë demonstratat”- tregoi ajo.

Mirëpo, sipas saj, i kishte thënë se nuk beson që vritet dikush mes vete në demonstrata.

Ndërkohë që Shala tregon se po i njëjti person kishte shkuar të babai i saj në mbrëmje, meqë kjo ishte strehuar te dajtë e saj në Strellc të Deçanit, që ta luste t’i ndihmojë duke marrë parasysh që grupi i saj i të burgosurve politikë ishin të njohur në Pejë.

Babai i Hava Shalës kishte shkuar ta lajmërojë, por kjo e kishte lënë përgjigjen pezull duke mos besuar se shqiptarët mund të vriten mes vete në kohë kur të këqijat i prisnin nga armiku. Mirëpo, po atë mbrëmje, ajo thot se kishte dëgjuar në lajme që zyrtarët serbë po përpiqen të fshehin krimet e veta duke i akuzuar shqiptarët si popull që vrasin veten.

“Në lajme u tha përmes folësit në radiotelevizion u lexu një letër e një ministri të Punëve të Brendshme të nivelit të Jugosllavisë mos gabofsha, dhe tha që vrasjet, se u patën vra ato ditë 24 veta e dikur u bënë 40 veta. Gjithnjë më shumë. Tha se nuk janë të vrarit nga Policia, ushtria [serbe], por janë të vrarë se ata [shqiptarët] janë një popull që vrasin vetveten”- tregoi Shala.

Në atë moment, Shala kishte reflektuar duke thënë se “ndoshta i duhen njerëzimit rastësi të tilla”, në mënyrë që të lindin aksione të mëdha.

“Mirëpo, për mua mos të bëhej diçka menjëherë ishte sikur t’i nënshkruash atyre një alibi, alibi për krimet e tyre. Të nesërmen kam thanë me ba pajtimin e gjaqeve…Pajtimi i gjaqeve ka filluar në Lumbardh, se zotëri Gashit i kam dhënë fjalën që do të bëj diçka”- u shpreh ajo.

Të nesërmen kishin takuar ish-të burgosurit politikë, Lulzim Etemin dhe Brahim Dreshën, të cilët u pajtuan me idenë e tyre – ide që u shtrua në odën e Adem Grabovcit, kaloi në takim me profesor Rexhep Qosjen për t’u orientuar nga ai e deri të propozimi i Qosjes që njeriu i duhur për oda është Anton Çetta.

“Nuk ishte pyetja a të bëhet a mos të bëhet, por si të bëhet. Ta bënim ne vetë ne nuk kishim dyshim se mund ta bënim, por ne kishim vetëm një dyshim, që mund të arrestoheshim. Ne ishim të gatshëm të arrestoheshim në çdo moment. Ne nuk ishim egoistë dhe donim që Lëvizja të bëhej”- thot ajo.

Pajtimin e parë të gjaqeve kishin shkuar ta bëjnë në Lumbardh te familja Leka.

“Ne shkuam atë ditë dhe na priti profesor Anton Çetta. Ai na tha: “Po, e keni gjetë pikën”. Tha: “Po, është një punë e mençur. Bëhet mirë”. Na thot: “Na nxjerrni nga zyret se gati u kalbëm”. Tha si me shaka, por ishte shumë i vërtetë në ato që thoshte. Na tha: “Po, për këto punë na duhet edhe Zeqa, Zekeria Cana. Ai merret me të drejtat e njeriut”- tregoi ajo.

Ode për gruan në odë burrash

Mes burrash me mustaqe e që në pamje duken hijerëndë, Havë Shala bashkë me shoqen e saj, Myrvete Dreshaj, e të rinj të tjerë, kishin bërë thirrje që të ndalen gjakmarrjet ndër shqiptarë. Madje, ajo u thot që burrëria matet duke hequr dorë nga shprehi të tilla.

Përderisa një qetësi ndihej në odë, Shala e cila afër kishte Zekeria Canën e Myrvete Dreshajn, i thoshte me bindje të plotë që është koha të ndalen gjakmarrjet dhe ta ndihmojnë Kosovën me jetën edhe me vdekjen tonë.

“Në këtë moment ndoshta më shumë do të ndihmojmë me vdekjen. Sidomos me vdekjen e atyre që janë vra me dorën e njëri-tjetrit, por edhe me hilen e armikut, të jeni të bindur. Mundësojuni atyre të vdekurve që me jetën e tyre t’i ndihmojnë krejt Kosovës”- thot Shala në një odë të burrave, në incizimin që atëkohë e kishte bërë kameramani Murteza Kurti.

Shala me një veshje krejt të thjeshtë e me duar që shprehte vendosmërinë në fjalët që nxirrte nga goja, pa pikë frike në sy kërkonte që burrat të hapin shtigjet për ta ndalë atë dukuri që atëkohë kishte përfshirë popullin.

“Më vjen keq që më parë femra nuk ka marrë pjesë në odën e burrave, po më vjen mirë që pikërisht në këtë moment marrin pjesë kur baballarët tanë e masin burrnisht burrninë, e për trimëri kemi lexuar në histori. Mateni ju lutem burrninë, populli po e kërkon. Kosova po e kërkon”- u drejtohet ajo burrave në odë.

E për këtë rast të fjalimit të saj në oda e shumë të tjera saqë nuk i mban në mend as vet sa, thot që asnjëherë askush nuk e ka drejtuar gishtin nga ajo ose ta kenë gjykuar që është grua, në atë kohë që burrat konsideroheshin si ata që flasin.

“Asnjëherë nuk ka qenë problem që jam grua. Ndoshta ne kemi qenë dëshmia e të pamundshmes. Ne ishim bërë një mundësi.  Ne kapërcyem kufirin e burrave dhe i liruam ata vetë prej kufirit të tyre. Sepse të jesh bashkë, je shumë më i fortë se të jesh vetëm”- tregon ajo.

Mirëpo, ajo beson që thjeshtësia e tyre si vajza dhe të njohja e odave e ka mundësuar që mos të ndalohen, gjykohen apo çfarëdo tjetër. Sipas saj, ka dëgjuar raste që disa vajza i kanë përzënë nga odat për shkak se në rast të vdekjes kanë shkuar të veshura në mënyrë solemne.

“T’i shkosh dikujt veshur në mënyrë solemne kur ai ka vdekje dhe t’i kërkosh gjakun… ajo, vdekja ka qenë shumë prezente. Na ia kemi njoftë dhimbjen. Dhe se në këtë kohë secili ka obligim më të madh të mundshëm që të bëjë diçka për vendin”- thot ajo.

Ajo thot se ka pasur raste që kanë shkuar 3-4 herë në të njëjtën familje për të kërkuar faljen e gjakut, por ka pasur raste që kanë shkuar edhe 20 herë. Për vrasjet mes njëri-tjetrit, ajo gjykoi regjimin që sipas saj i ka lënë njerëzit pa asgjë, pa institucione, pa punë, pa para dhe si pasojë e ka rrënjosur thellë problemin. Ajo mban në mend që ka pasur raste të vrasjeve për mexhë.

Në këndvështrimin e saj, falja e gjakut ka qenë një problem shumë, shumë, shumë kompleks për shkak se është dashur të hysh brenda dhimbjes së njeriut.

“Asnjëherë nuk kemi guxuar të harrojmë që personi që ka hy brenda njeriut për t’i kërkuar gjakun e djalit, të djemve, babës, axhës, e njerëzve të familjes duhet të jetë bukur i dëshmuar moralisht në gatishmërinë e tij për të dhënë diçka nga vetja. Sepse vetëm ashtu ke të drejtë t’i kërkosh dikujt diçka”- tregon ajo.

Shala ende bart pasojat e dhunës që ka përjetuar në burg, saqë dhe drita e fortë në skenën e “Kallxo Përnime” i pengoi, ia kujtoi burgun.

“Më kanë goditë në muskuj. Qelitë e vogla sa s’ke pasë hapësirë. Qelitë nuk kanë pasë dritare veç një hapësirë të ngushtë me hekura. S’ke pasë dritë dielli në dhomë. Ajo dritare ka ra në korridor. Drita e llambës në dhomë ka qenë shumë e fortë. Ajo drita ka shkaktu dhimbje të forta të kokës”- tha Shala, duke treguar edhe për problemet me veshkë, si pasojë e burgut.

Shokët e rinj të Çettës

Anton Çetta, studiues e mbledhës i folklorit, ishte në krye të Këshillit të Pajtimeve të Gjaqeve në fillim të viteve 1990. Falë kontributit të tij dhe bashkëveprimtarëve në këtë Kuvend, i cili është më i madhi në historinë e shqiptarëve, 106 familje shtrinë dorën e pajtimit edhe pse ishin të rrethuar nga okupatori serb.

Grupi i të rinjve nismëtarë të pajtimit të gjaqeve ishin bërë miq të mirë të Çettës, saqë Shala nuk harron dot disa nga ‘meselet’ e porositë që ia ka lënë ai para se të vdesë. Fjalitë e tij, Shala thot se e kanë përcjellë e vazhdojnë ta përcjellin edhe tash kur ajo nuk jeton në Kosovë.

Ideja për organizimin e një tubimi madhështor te “Verrat e Llukës” ka qenë e një grupi studentësh bashkë me dy profesorët e tyre. Pos, Havë Shalës ishin edhe Musa Berisha, Myrvete Dreshaj, Ethem Çeku, etj., si dhe dy profesorët Anton Çetta dhe Zekeria Cana. Ata që kontribuuan në këtë kuvend janë edhe personalitetet si: Mark Krasniqi, Dom Lush Gjergji, Ibrahim Dreshaj, Azem Shkreli, Mulla Ajni Ramadani, prof. Ramiz Kelmendi, Nimon Alimusaj dhe Nëna Ajshe Gërvalla.

Pas tubimit madhështor të “Verrave të Llukës” në Deçan, Shala thot se rruga ishte e hapur, njerëzit hapën dyert e hapën zemrat.

“Pas 1 majit 1990 ka qenë dukshëm më lehtë të hysh të kërkosh gjakun, dhe dukshëm më lehtë të falet gjaku, sepse ishte gatishmëria. Ai donte të falte tokë, të bënte diçka për Kosovën. Këtu qëndron mrekullia e pajtimit të gjaqeve. Falë kësaj force shpirërore ishte aksioni që u bë det”- tha Shala duke treguar për rastet kur gjatë këtij tubimi dikush që nuk ka pasur raste të faljes së gjakut, kishin falur tokë për Kosovën.

Tubimet madhështore ishin organizuar anembanë Kosovës e trojeve tjera etnike, si në Kaçanik e Lug të Drinit, Rrafsh të Dukagjinit, Verra të Llukës, në Shalë e në Karadak, në Llap, Drenicë e Gollak, në Has, Rekë, Podrime, Llapushë, Podgur e Rugovë, Rrafsh i Kosovës e në viset e tjera.

Gjatë periudhës së ekzistencës, 2 shkurt 1990 – 17 maj 1992, të Lëvizjes për Faljen e Gjaqeve, Plagëve dhe Ngatërresave, u arritën mbi 2,500 pajtime apo falje, ku kemi: mbi 1 mijë gjaqe, mbi 500 plagë dhe 1 mijë ngatërresa.

Një ‘mesele’ të Çettës, Shala e tregoi në lidhje me filozofinë e odës, gënjeshtrën dhe mënyrën se si njerëzit sillen në oda.

“Antoni tha se në oda flet gjithkush. Dikush e di rendin e dikush s’e di. Por, oda e ka një princip që nuk i thot dikujt: “rrejte”, ose oda është instancë e lartë e mençurisë, e filozofisë popullore. E tregoi një mesele, tha: “i tha njëri kryeplakut të lutem sot më ma dhënë gjithqysh fjalën, dua të them edhe unë diçka, të dukem i mençur në atë kuptim. Dhe, i tha e ke fjalën dhe foli diçka. Por, kryeplaku i tha, që i tha “të lumtë goja në koftë qashtu”. Ai e thoshte këtë mesele duke na bërë neve me të ditur që edhe në oda ku jemi ne “të lumtë goja në qoftë qashtu” se s’është qashtu”- tregoi ajo.

Shala që prej para luftës të Kosovës jeton në Zvicër thot se ka marrë oferta për t’u përfshirë në politikë, por një gjë të tillë nuk e ka dashur. E pyetur se si do të pajtonte politikanët mes vete në Parlamentin e Kosovës, ajo u përgjigj thjesht e shkurtër me një porosi të Çettës.

“Për herë të fundit kur e pash para se me u nisë për Zvicër, Anton Çetta më tha: “Unë e kam më lehtë se ju, se ju të rinjtë”. Tha: “Unë shyqyr nuk do të jetoj edhe gjatë e e kam lehtë të vdes i pakoritur. Ju uroj juve Havë Shala dhe shokëve të juaj të jetoni të pakoritur!. Është fjala e fundit e tij”.

“Nëse do isha në Parlament do ta mendoja çdo ditë këtë porosi të profesor Anton Çettës”- e përmbylli bisedën Havë Shala./Kallxo.com

The post Nga burgjet e regjimit serb në odat shqiptare, rrëfimi i fuqishëm i Havë Shalës për pajtimin e gjaqeve appeared first on Telegrafi.

Falsifikimi i kujtesës: Historia si mjet i propagandës komuniste

30 July 2025 at 15:46

Nga: Anna Zofia Cichocka, historiane
Përktheu: Agron Shala

Që në momentin kur bolshevikët morën pushtetin në Rusi në vitin 1917, historia – si shkencë e së kaluarës – u shkatërrua. Ajo u shndërrua në një mjet politik, tërësisht të kontrolluar nga autoritetet komuniste dhe në një vegël të propagandës komuniste. Historia iu nënshtrua plotësisht ideologjisë marksist-leniniste dhe ishte Partia Komuniste ajo që vendoste gjithmonë se cili interpretim i kësaj ideologjie ishte i saktë. Kjo krijoi mundësinë për të manipuluar dhe rishkruar vazhdimisht historinë, sipas nevojave dhe ndjesive politike të regjimit sovjetik dhe në çdo moment të caktuar. Rezultati ishte një manipulim dhe falsifikim masiv i së kaluarës.

Ideologjia marksist-leniniste përcaktonte se forca lëvizëse e historisë ishte lufta e klasave që përbënte një marshim të pandalshëm drejt fitores së pashmangshme dhe globale të komunizmit. Teza e pashmangshmërisë legjitimonte shtetin e parë komunist, krijimi i të cilit paraqitej si një pikë kthese në historinë e njerëzimit. Ajo gjithashtu shërbente për të justifikuar politikat kriminale të bolshevikëve në Rusi dhe në territoret e pushtuara prej tyre. Grushti i shtetit me të cilin bolshevikët përmbysën në mënyrë efektive Republikën e sapokrijuar Ruse – e dalë nga rrënojat e regjimit carist – paraqitej si “Revolucioni i madh socialist i tetorit” i masave punëtore kundër shfrytëzuesve.

Bolshevikët fabrikuan versionin e tyre të historisë kombëtare dhe asaj botërore. Ata zgjidhnin prej saj vetëm ato ngjarje apo figura që shërbenin për të justifikuar vazhdimësinë e një procesi njëdrejtimësh historik. Ngjarjet dhe figurat që kishin (sipas interpretimit bolshevik) karakter revolucionar dhe që përfaqësonin “progresin” në etapa të ndryshme të historisë, paraqiteshin në mënyrë pozitive: nga Lufta e Gladiatorëve deri te Revolucioni Francez, nga Spartaku deri te pararendësit e shekullit XIX të komunizmit.

Lexo po ashtu: Totalitarizmi dhe virtyti i gënjeshtrës

Nga tradita ruse, përzgjidheshin ata që kishin luftuar kundër autokracisë cariste, si dekabristët apo Aleksandër Herzeni. Në thelb, në propagandën sovjetike BRSS-ja përfaqësonte vetë progresin – që do të thotë se gjithçka që i shërbente interesave të tij ishte progresive, dhe gjithçka që e kundërshtonte ishte reaksionare.

Këto parime ndiqeshin përmes eliminimit të përmbajtjes së “pasaktë” – që nga botimet historike e deri te tekstet shkollore. Pati edhe zëvendësime të emrave të rrugëve. Si pjesë e planit të Leninit për propagandën monumentale, u shkatërruan monumentet e heronjve para-revolucionarë dhe u zëvendësuan me të rinjtë që përkujtonin ngjarjet e lidhura me “revolucionin”. Këto ishin shpesh karikatura, të ndërtuara me shpejtësi dhe të lehta për t’u çmontuar nëse heronjtë e rinj binin nga piedestali. Kjo ishte, në mënyrë më të gjerë, një simbolikë e politikës historike të bolshevikëve.

Kalendari i festave zyrtare u ndryshua për të nxjerrë në pah ngjarjet e lidhura me grushtin e shtetit bolshevik. Për një kohë, historia – si lëndë – u zhduk nga shkollat. Kjo skemë u kopjua më pas edhe në vendet e tjera komuniste, përfshirë vendet e nënshtruara nga BRSS-ja.

Edhe historia e vetë Partisë Komuniste u manipulua. Pas vdekjes së Leninit, Josif Stalini eliminoi kundërshtarët dhe mori kontrollin e plotë të shtetit sovjetik. Kundërshtarët e tillë u zhdukën nga librat e historisë së Partisë. Propagandistët dhe historianët e frikësuar mezi arrinin të mbanin ritmin me ndryshimet. Që nga vitet ‘30 të shekullit XX e tutje, ishte vetë Stalini ai që diktonte versionin “e saktë” të historisë së Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik (bolshevikëve), e cila nuk ishte më një parti “leniniste”, por një parti “leniniste-staliniste”. Me rritjen e kultit të individit në BRSS, roli i Stalinit në Revolucion u ekzagjerua gjithnjë e më shumë.

Stalini gjithashtu u lavdërua si pasardhësi i despotëve që kishin ndërtuar fuqinë e perandorisë ruse në të kaluarën: Ivani i Tmerrshëm, Pjetri i Madh dhe Katerina e Madhe. Në vitet ’30 të shekullit XX, në propagandën dhe kulturën sovjetike u shfaq një nacionalizëm rus në rritje. Doli se edhe carët mund të ishin “reaksionarë” ose “progresistë”, për aq kohë sa i shërbenin fuqisë së shtetit dhe përfaqësonin përfitimet e autokracisë. Burimet e krenarisë kombëtare u kërkuan në historinë e Rusisë para-revolucionare. Motivi i një “Rusie të fortë” u paraqit në fjalimet e Stalinit. Patriotizmi sovjetik dhe ai rus u bënë një.

Historia e Partisë Komuniste e Bashkimit Sovjetik (bolshevikëve) u botua në vitin 1938. Ajo synonte të përfundonte një herë e përgjithmonë të gjitha debatet rreth historisë së Partisë, si dhe të çështjeve të tjera historike. Autorësia e veprës anonime, me kalimin e kohës iu atribuua Stalinit i cili e emëroi veten si historiani më i shquar.

Kjo e ashtuquajtur “bibël e stalinizmit”, plot me gënjeshtra dhe maskime, përcaktonte në mënyrë të prerë versionin e vetëm “të ligjshëm” të së kaluarës. U bë teksti i detyrueshëm shkollor, si për qytetarët e BRSS-së ashtu edhe për vendet e tjera të nënshtruara prej tij në vitet që do të pasonin. Gjatë kësaj periudhe, ajo kishte mbi 300 botime, u përkthye në më shumë se 60 gjuhë dhe pati një tirazh prej mbi 40 milionë kopjesh. Kursi i shkurtër paraqiste një skemë të thjeshtuar të zhvillimit botëror, e cila reduktohej në një varg formacionesh: shoqëria primitive, skllavëria, feudalizmi, kapitalizmi dhe socializmi. Kjo ishte mënyra e vetme se si duhej të përshkruhej historia – madje edhe në ato vende ku formacionet e tilla nuk kishin ekzistuar kurrë. Ai vendoste kultin e Vladimir Leninit dhe dishepullit të tij më të devotshëm, Stalinit, si udhëheqësit gjenialë dhe të pagabueshëm të Partisë Komuniste, duke ekzagjeruar rolin e Stalinit në organizimin e Partisë Bolshevike, Revolucionin e Tetorit dhe shtetin sovjetik.

Në të njëjtën kohë, drejtuesit realë të revolucionit ose injoroheshin, ose përshkruheshin si tradhtarë. Prej atëherë, historianët ishin të detyruar të citojnë të gjitha këto “zbulime”. Faktet e bazuara në dokumente nuk kishin më rëndësi, dhe arkivat përfunduan gjithsesi nën kontrollin e policisë politike. Çdo largim nga interpretimi zyrtar rrezikonte represion. Historia përfundimisht u nacionalizua. Filozofi i shquar, Leszek Kołakowski, e quajti këtë “një tekst të përsosur të kujtesës së falsifikuar”, përmes së cilës “partia duhej të ushtronte pushtet mbi mendjet dhe të shkatërronte si mendimin kritik, ashtu edhe kujtesën shoqërore për të kaluarën e vet”.

Pas nënshkrimit të Paktit Molotov-Ribentrop me Gjermaninë Naziste në vitin 1939, propaganda ofroi argumente historike për ta justifikuar atë. Gjithashtu, e gjithë përmbajtja anti-gjermane u zhduk gjithashtu nga botimet historike. Gjermania u paraqit si djep i marksizmit, dhe krahasimet e Hitlerit me Napoleonin u ndaluan.

Sulmi i Rajhut të Tretë ndaj Bashkimit Sovjetik në vitin 1941 u pasua nga një kthesë tjetër në propagandën sovjetike. Ideologjia marksiste u zbeh në favor të temave kombëtare dhe patriotike. Sloganet komuniste rezultuan të padobishme për të nxitur ndjenjën e identifikimit me atdheun dhe gatishmërinë për të bërë sakrifica. Lufta kundër Hitlerit u përshkrua si “Lufta e madhe patriotike”, një referencë ndaj traditës së mbrojtjes kundër pushtimit të Napoleonit në vitin 1812. Në fjalimet e tij, Stalini përmendte komandantë të mëdhenj: Aleksandër Nevskin, Dmitri Donskoin, Aleksandër Suvorovin dhe Mihail Kutuzovin.

U krijuan urdhra që i referoheshin faqeve të lavdishme të historisë ushtarake të perandorisë, duke theksuar kështu vazhdimësinë midis forcave të armatosura historike të Rusisë dhe Ushtrisë së Kuqe të kohës. U vu në dukje roli i fesë ortodokse në historinë e kombit dhe të shtetit, si rezultat i një ndryshimi taktik të qëndrimit ndaj Kishës Ortodokse. Shteti i financoi bujarisht filmat historikë. Filmi i Ajzenshtajnit, Aleksandër Nevski, i cili ishte hequr nga ekranet pas Paktit me Hitlerin për shkak të temave “anti-gjermane”, u shfaq sërish. Vetë Stalini e hoqi nga skenari skenën e vdekjes së Aleksandrit, duke thënë: “Një princ kaq i mirë nuk mund të vdesë”!

Propaganda sovjetike falsifikoi për vite të tëra pamjen e Luftës së Dytë Botërore. Pushtimi sovjetik i Polonisë në vitin 1939 u përshkrua si “çlirimi i popujve vëllazërorë”, ndërsa aneksimi i shteteve baltike në vitin 1940, si “fitorja e revolucionit socialist” dhe “drejtësi historike”. Sipas propagandës sovjetike, Lufta e Dytë Botërore zgjati nga viti 1941 deri në vitin 1945, duke shmangur të vërtetën e papërshtatshme të aleancës me Hitlerin.

Nuk u përmendën represionet sovjetike në territoret e pushtuara nga BRSS-ja, si deportimet në thellësi të BRSS-së të estonezëve, finlandezëve, lituanezëve, letonezëve, polakëve, rumunëve, ukrainasve, hebrenjve dhe të tjerëve, si dhe rrethanat që lidhen me Masakrën e Katinit të vitit 1940 e cila iu atribuua gjermanëve. Edhe ndihma materiale e Perëndimit për BRSS-në, gjatë luftës, ishte një temë e ndaluar.

Pas fitores në Luftën e Dytë Botërore, shovinizmi i madh rus dhe kulti i Stalinit si “udhëheqësi gjenial”, arritën kulmin dhe përmasat e karikaturës. Propaganda sovjetike e ndërthurte këtë me marksizmin, duke krijuar një lloj përzierjeje hibride. Një nga shfaqjet e këtij fenomeni ishte pretendimi se të gjitha shpikjet kryesore në historinë e teknologjisë ishin vepër e rusëve.

Kjo tezë pasqyrohej në zërat e Enciklopedisë së madhe sovjetike, e botuar për herë të parë në vitin 1949. Mohimi i këtyre “të vërtetave” stigmatohej si shenjë e “kozmopolitizmit” dhe poshtërim ndaj Perëndimit. Antisemitizmi ishte gjithashtu një veçori e propagandës së kohës, pasojë e së cilës ishte heshtja rreth Holokaustit.

Pas vdekjes së Stalinit në vitin 1953, u bë sërish e qartë ajo që historiani i parë marksist rus, Mihail Pokrovski, kishte thënë: “Historia është politikë e projektuar mbrapsht”. Në vitin 1956 u mbajt Kongresi i XX i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Udhëheqësi i ri, Nikita Hrushovi, mbajti një fjalim, “Mbi kultin e individit dhe pasojat e tij”, në një seancë të mbyllur.

Ai e dënoi Stalinin për ndërtimin e kultit ndaj vetes, si edhe për represionet ndaj anëtarëve të partisë (ndërsa viktimat e tjera të krimeve masive u anashkaluan), për deportimet e popujve dhe për gabimet e bëra gjatë Luftës së Dytë Botërore, përfshirë besimin ndaj Hitlerit. Që nga ai moment, fitorja në Luftën e Dytë Botërore filloi të paraqitej në propagandë si rezultat i përpjekjes kolektive të popullit dhe ushtrisë, dhe si meritë e komandantëve të cilët tani riktheheshin në vlerë.

Kjo çoi në botimin e shumë kujtimeve të komandantëve të Ushtrisë së Kuqe, si Ivan Konev dhe Georgij Zhukov. Hrushovi kritikoi Kursin e shkurtër, duke vënë në pikëpyetje mënyrën si paraqitej Stalini në këtë vepër. Ai theksoi nevojën për një tekst të ri marksist për shkolla, të bazuar në fakte, për historinë e Partisë dhe për një rikthim te parimet leniniste. Si pasojë, u rehabilituan shumë aktivistë të Partisë të përjashtuar nga Stalini.

Duke fajësuar Stalinin, Hrushovi e lau veten dhe bashkëpunëtorët e tjerë të tiranit, duke i çliruar nga përgjegjësia për krimet në të cilat kishin marrë pjesë. Gënjeshtrat historike shërbyen si një mjet në luftën për pushtet dhe garantonin vazhdimësinë e sistemit. Në këtë version, despoti ishte fajtor, ndërsa vetë sistemi mbetej në thelb i drejtë. Autoriteti i Stalinit paraqitej si një devijim i përkohshëm nga komunizmi i cili, sipas Hrushovit, duhej të kthehej në shinat e duhura – me vetë atë si pasuesin e vërtetë të Leninit.

I njëjti mekanizëm u përdor më pas nga pasardhësit e tjerë të udhëheqjes sovjetike, dhe teza se partia dhe populli nuk kishin dijeni për abuzimet e Stalinit me pushtetin, mbeti në fuqi deri në fundin e ekzistencës së BRSS-së. Ky manipulim çon në tezën e rreme se stalinizmi nuk mund të barazohet me një sistem komunist që në thelb është legjitim. Kritika ndaj Stalinit vazhdoi edhe gjatë Kongresit të XXII të Partisë në vitin 1961. As epoka e Hrushovit nuk ishte pa gjurmë të kultit të individit. Tani ishte vetë Hrushovi ai që paraqitej si pasardhësi i vetëm legjitim i Leninit. Tekstet e reja shkollore e ekzagjeronin rolin e tij në “revolucionin” bolshevik, në luftë dhe në periudhën pas saj.

Pasardhësi i Hrushovit, Leonid Brezhnevi, gjithashtu ndërtoi një kult rreth vetes. Ndër të tjera, u ekzagjerua roli i tij në “Luftën e madhe patriotike”. Episodi i vogël i pjesëmarrjes së tij në luftë filloi të përshkruhej gjerësisht dhe të lavdërohej në poezi dhe këngë. Brezhnevi vuante nga barra e urdhrave. Kjo bënte pjesë në një politikë më të gjerë të mitologjizimit të mëtejshëm të luftës së viteve 1941-1945 dhe idealizimit të Ushtrisë së Kuqe në histori, art dhe hapësirën publike. Kujtesa e luftës ishte një element i rëndësishëm në edukimin e brezit të ri gjatë kësaj periudhe. Festimet e Ditës së Fitores më 9 maj, të rikthyera në vitin 1965, u bënë festa e dytë më e rëndësishme publike pas përvjetorit të revolucionit. Nga viti 1967 filloi rehabilitimi gradual dhe i pjesshëm i Stalinit.

Mihail Gorbaçovi, udhëheqësi i fundit i BRSS-së që erdhi në pushtet në vitin 1985, në thelb mbrojti shumë nga gënjeshtrat e propagandës komuniste. Ai e përshkroi “revolucionin” bolshevik si një zgjedhje të lirë të popullit. Duke promovuar sloganin e “kthimit te leninizmi”, ai foli për karakterin e keq të Stalinit dhe përgjegjësinë e tij për përndjekjen e komunistëve. Kolektivizimin e justifikoi si të domosdoshëm dhe në mënyrë të përsëritur e minimizoi numrin e viktimave. Ai mbrojti aleancën e BRSS-së me Hitlerin, si dhe ndërhyrjen sovjetike në vendet e bllokut lindor. Në të njëjtën kohë, politika e “glasnostit” (hapjes) që ai shpalli, krijoi kushtet për një proces shoqëror nga poshtë për të plotësuar “zonat bosh” të historisë.

Gënjeshtrat ishin një nga themelet kryesore të sistemit komunist. Manipulimi i historisë shërbente për të ruajtur pushtetin e elitave sunduese. Shpesh, ai merrte forma primitive. Simbolike është, për shembull, “zhdukja” e shefit të NKVD-së, Nikolai Jezhov, nga një fotografi e vitit 1937 me Stalinin pasi ky i fundit nuk e pëlqeu më, apo fshirja e faqes së Enciklopedisë së madhe sovjetike që kishte emrin dhe portretin e Lavrenti Berias, kreut të policisë politike, dhe zëvendësimi i saj me një hyrje të titulluar “Deti i Beringut” – pas ekzekutimit të tij në vitin 1953.

Autoritetet komuniste organizuan gjithashtu fushata të gjera dhe cinike propagandistike, duke përfshirë gjithë aparatin shtetëror. Për shembull, kur në vitin 1990 BRSS-ja më në fund e pranoi Masakrën e Katinit, Gorbaçovi njëkohësisht urdhëroi krijimin e një kundërpeshe propagandistike ndaj krimeve sovjetike kundër qytetarëve polakë. Si kundërpeshë do të shërbenin vrasjet e supozuara të ushtarëve sovjetikë gjatë Luftës Polako-Bolshevike (1919-1921). Jo vetëm deri para kolapsit të Bashkimit Sovjetik, por edhe në Rusinë e sotme historia mbeti – dhe vazhdon të mbetet – një mjet i dobishëm politik. Disa nga këto falsifikime përsëriten ende në Rusi dhe janë pjesë e politikës së saj historike. /Telegrafi/

The post Falsifikimi i kujtesës: Historia si mjet i propagandës komuniste appeared first on Telegrafi.

Shkrim i vitit 1534: “Shqipëria: Një provincë e fuqishme e Evropës”!

29 July 2025 at 13:45

Sebastian Franck (1499-c.1543) ishte humanist, teolog, botues dhe gjeograf gjerman. I lindur në Donauvert të Bavarisë, ai studioi teologji në Ingolshtat dhe Hajdelberg dhe u konvertua në protestantizëm nën ndikimin e Martin Lutherit. Franck kujtohet si një përkrahës i madh i lirisë së mendimit. Nga viti 1535 deri më 1539 drejtoi një shtypshkronjë në Ulm. Ndër botimet e tij ishte edhe një libër për gjeografinë e botës i titulluar Weltbuch: Spiegel und Bildnis des ganzen Erdbodens [Libri i Botës: Pasqyrë dhe imazh i gjithë planetit], botuar në Tybingen më 1534. Kjo vepër përmban një tekst për Shqipërinë dhe rajonin e Ballkanit, i marrë nga botimi i dytë (botuar në Ulm më 1542). Bëhet fjalë për një tekst tipik të epokës, i ndikuar fuqimisht nga Schedelsche Weltchronik [Kronika e Nurembergut] e Hartmann Schedel (1493) dhe nga Historia natyrore e Plini Plakut, ndërsa tregon se sa pak dihej ende për rajonin perëndimor të Ballkanit në shekullin e gjashtëmbëdhjetë.

Nga: Sebastian Franck[1]
Përktheu në anglisht (nga gjermanishtja): Robert Elsie
Përktheu në shqip (nga anglishtja): Agron Shala

Për Epirin në Rajonin e Evropës (Plini, Libri 4, Kreu 1)

Epiri, një krahinë e Evropës, ka një gjatësi prej 300 kalërimesh nga Lindja në Perëndim.[2] Ai kufizohet në Veri me Maqedoninë, në Lindje me Ahajën deri në lumin Akelou, dhe në Perëndim me Detin Jon. Teopompi shkruan për këtë rajon se përfshinte rreth 24 popuj. Ka tokë të begatë dhe pjellore përgjatë bregdetit, dhe dikur kishte shumë qytete dhe kala të fortifikuara, por krahina u shkatërrua si pasojë e një kryengritjeje të këtyre popujve kundër romakëve dhe, siç vëren Polibi, 70 qytete epirote u shkatërruan dhe u fshinë nga sipërfaqja nga Emili Pauli, me urdhër të perandorit, pas disfatës së maqedonasve dhe mbretit të Persisë. Nga këto qytete, 150 mijë njerëz u shitën në skllavëri të përhershme. Aty ndodhet një mal i quajtur Tomarur [Tomorr], i pasur me ujë dhe me 100 burime. Në rrethinat e Epirit ndodhen shumë krahina të tjera të bukura, si: Albania [Shqipëria], Iliria, Kroacia, Nistria (Istria) dhe Karnia (Kvarneri).

Shqipëria: Një provincë e fuqishme e Evropës

Njerëzit në Shqipëri lindin me flokë të bardhë, pasi është një krahinë e ftohtë që ballafaqohet me Azinë. Kjo tokë ka qen aq të mëdhenj endacakë saqë janë në gjendje të sulmojnë dhe të vrasin dema të egër dhe elefantë. Për këtë, lexo te Plini, Libri 8, dhe Isidori, Libri 9. Këta njerëz kanë sy shumëngjyrësh e të ndritshëm, ashtu që shohin më mirë natën sesa ditën. Solini është mahnitur nga kjo. Shqipëria ishte pak a shumë pjesë e Maqedonisë dhe i përkiste asaj. Brenda saj ndodhen qytetet e famshme të Didrachiumit [Durrachium = Durrës] dhe Apolonisë. Gjuha e këtij populli nuk kuptohet as nga grekët e as nga vendët (sllavët). Në Lindje shtrihet deti dhe në Perëndim ndodhet Iberia. Është një krahinë malore dhe banorët e saj dikur ishin barinj. Ishin njerëz të thjeshtë saqë nuk dinin ç’ishte paraja. Nuk dinin të numëronin më shumë se njëqind. Rrinin të mbyllur mes vetes. Nuk kishin njohuri për peshë apo masa, dhe nuk dinin të punonin fare tokën. Ishin të përgatitur vetëm për luftë, dhe adhuronin Diellin dhe Hënën. Kjo tokë ka gjarpërinj të mëdhenj, akrepa dhe merimanga vdekjeprurëse. Straboni thotë se ata kishin 26 gjuhë. Fillimisht u nënshtruan nga persët, pastaj nga maqedonasit, dhe më pas nga romakët në kohën e Trajanit. Sot është pushtuar nga turqit.

Iliria – një tokë e vendëve (sllave)

Pas rajonit të Shqipërisë shtrihen popujt ilirë, në Perëndim dhe në Veri. Ne tani i quajmë ata vendë [sllavë]: disa quhen boshnjakë, disa dalmatë, disa nistrianë, disa kroatë dhe disa kranjanë [karnolianë]. Boshnjakët ndodhen në brendësi drejt Hungarisë në Veri. Të tjerët, të vendosur përgjatë bregdetit, shtrihen deri te burimet e Timanit. Kjo krahinë e konsideron herezinë manikeane si pjesë të krishterimit. Domethënë, për ta çdo gjë varet nga origjina – e mira vjen nga e mira dhe e keqja nga e keqja [!?]. Ata nuk e pranojnë autoritetin e Kishës Romake. Nuk e pranojnë Krishtin si të njëjtë me Atin dhe, ndonëse janë të pavarur, e konsiderojnë veten të krishterë. Manastiret e tyre ndodhen në vende të largëta, në vende të largëta dhe toka të shkreta. Nëse një grua sëmuret, është zakon që ajo të shkojë te këta burra të shenjtë dhe të premtojë se do t’u shërbejë. Kur shërohet, qëndron me ta për një vit në bashkësinë monastike, së bashku me burrin e saj i cili gjithashtu i shërben Zotit. Këto rajone nuk kanë armë dhe nuk mund të mposhten nga anatema. Për Ilirinë, shih Plinin, Libri 3, Kreu 21.

Dalmacia, Sllavonia, Liburnia, Kroacia

Dalmacia është një krahinë e Evropës pranë territoreve të vendëve (sllave), e vendosur ndërmjet Hungarisë dhe Maqedonisë. Ajo tani quhet Sllavoni. Sipër saj, në skajin e fundit ndodhet Liburnia, ndërsa në fillim është Dalmacia, që tani quhet Kroaci. Edhe kjo mund të konsiderohet një provincë e Sllavonisë. Është një vend me njerëz të egër dhe grabitqarë. Për Liburninë, shih Plinin, Libri 3, Kreu 22. /Telegrafi/

__________
[1] Pjesë nga: Sebastian Franck, Weltbuch: spiegel vnd bildtnis des gantzen Erdtbodens, von Sebastiano Franco Wördensi in vier bücher, nämlich in Asiam, Aphricam, Europam vnd Americam gestelt (Ulm 1542), fq. 89r-90v. Me ndihmën e mirëseardhur nga Xhavit Muslija (Rotenturm, Zvicër). Përkthyer nga gjermanishtja e hershme re e lartë nga Robert Elsie.
[2] Një “kalërim” (gjermanisht Pferderitt, latinisht equidium) ishte një masë ekuivalente me një të gjashtëmbëdhjetën e një miljeje franceze.

The post Shkrim i vitit 1534: “Shqipëria: Një provincë e fuqishme e Evropës”! appeared first on Telegrafi.

Dënimi me 15 vjet burg për rrëmbimin e Hafir Shalës, avokati Kërveshi: Nuk do të ndalemi me kaq

17 July 2025 at 10:30

Gjykata Themelore Prishtinë, departamenti special, ka shpallur aktgjykim dënues për Slavisha Filliq (Slaviša Filić), ish zyrtar i Sigurimit Shtetëror në atë kohë.

Kështu ka shkruar në rrjetin social në Facebook, avokati Kujtim Kërveshi ku ndër të tjera ka thënë se denimi në mungesë është shqiptuar nga kjo gjykatë në lartësi prej 15 vitesh për vepren penale të Krimeve të Luftës kundër popullatës civile.

“Dr Hafir Shala ka qenë mjek, të cilin Filic bashkë me zyrtar të tjerë e kishin rrëmbyer afër udhëkryqit të Sllatinës deri sa po vinte në Prishtinë për të marrë barëra për t’i sjellë në Drenas. Këtë udhëtim po e bënte bashkë me dy persona të tjerë, shqiptar. Pasi Filic me kolegët e tij, i kishte ndarë Dr.Shalën dhe bashkëudhëtarët e tij, i dërguan të ndarë në stacionin policor, Dr.Shala nuk u pa më. Nuk kishte dal nga stacioni kryesor dhe nuk e kishte parë të gjallë askush. Dy bashkudhëtarët ishin dëshmitar okular”, ka shkruar Kërveshi.

Kërveshi tha se hetuesit policor në atë kohë, ndër ta, i ndjeri Fadil Syleviqi, kishin arritur të kuptojnë se kush e kishte rrëmbyer, Shalën.

“Ishte përcaktues, në bindjen tonë, në atë kohë angazhimi dhe veprimet e i ish Avokatit, ish kolegut tonë, Destan Rukiqi i cili me angazhimin e tij, e aktivizoj mekanizmin e “herimit”. Hetuesit policor në atë kohë, ndër ta, i ndjeri Fadil Syleviqi, kishin arritur të kuptojnë se kush e kishte rrëmbyer Dr Shalën. Mirëpo, meqë Filiq ishte pjesëtar i shërbimit shtetëror, hetuesit policor në atë kohë nuk kishin mandat të hetonin nivelin e tillë”.

Ai tutje tha se angazhimi i Kërveshi & Partners Law Firm ka qenë, mbetet, do të vashdoj, që të mbështes angazhim pa pagesë në zbardhjen e krimeve të luftës ndaj shqiptarëve.

“Dr.Hafir Shala nuk e kam njohur, por angazhimi i tij kishte qenë kolosal. Ndër pasuritë e mëdha kombëtare që Dr. Shala ka dhënë vendit tonë, sot jeton Gentrit H. Shala, i biri i tij, që duke e njohur tani Gentritin, mund ta imagjinoj se çfarë alamet burri paska pas qenë babai i tij, Dr.Shala. Për ne ka qenë nder i madh ky angazhim. Detyrohem të them, nuk e kemi mbyllë punën për rastin e Dr. Hafir Shala! Nuk përfundon vetëm me rastin e Nebojsha Filliq”, ka shkruar ndër të tjera Kërveshi. /Telegrafi/

The post Dënimi me 15 vjet burg për rrëmbimin e Hafir Shalës, avokati Kërveshi: Nuk do të ndalemi me kaq appeared first on Telegrafi.

PSRK-ja thotë se u vërtetua se Filiq ka qenë pjesë aktive në zhdukjen e doktorit Hafir Shala, mbrojtja pretendon të kundërtën

14 July 2025 at 17:39

Në fjalën përfundimtare të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, prokurori Kastriot Memaj tha se provat kanë vërtetuar se i akuzuari për krime lufte Sllavisha Filiq ka qenë pjesë aktive në zhdukjen e doktorit Hafir Shala. Mbrojtja e këtij të fundit, avokatja Milka Milosavleviq tha se nuk është vërtetuar fajësia e Filiqit.

Në këtë seancë, prokurori Memaj tha se para kësaj Gjykate është trajtuar një çështje me rëndësi të jashtëzakonshme, e cila jo vetëm që prek themelet e rendit juridik por shkon në thelb të vlerave universale të të drejtave të njeriut dhe dijnitetit njerëzor, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Ai tha se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor, PSRK-ja ka paraqitur prova të cilat në mënyrë koherente vërtetojnë se i akuzuari në bashkëkryerje ka marrë pjesë aktive në ndalimin arbitrar, keqtrajtimin dhe zhdukjen e doktorit Hafir Shala më 10 prill 1998.

Gjithashtu, prokurori theksoi se dëshmitë e dëshmitarëve okularë janë të qarta, të besueshme dhe në harmoni të plotë me provat tjera materiale, dhe se në kuadër të matjes së dënimit, Prokuroria vlerëson se ekziston një shkallë e lartë e dashjes dhe paramendimit.

“Veprimet e të akuzuarit janë kryer në bashkëpunim dhe në kuadër të një strukture shtetërore represive, pasojat e veprës penale janë të rënda dhe të pakthyeshme dhe nuk ekziston asnjë rrethanë lehtësuese për të akuzuarin, aq më tepër kur i akuzuari edhe më tej mbetet në arrati”, tha prokurori Memaj.

Prokurori Memaj i propozoi Gjykatës që të akuzuarin Filiq ta shpall fajtor për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” dhe t’i shqiptojë dënim në përputhje me natyrën dhe rrezikshmërinë e lartë të veprës penale, si dhe me qëllimin e dënimit si në aspketin individual, ashtu edhe në atë gjeneral.

Ndërsa, mbrojtësi i palës së dëmtuar, avokati Kujtim Kërveshi tha se nga të gjithë dëshmitarët që kanë dëshmuar, është vërtetuar përtej dyshimit të bazuar mirë se i akuzuari Sllavisha Filiq në ditën kritike, viktimën Hafir Shala e kishte rrëmbyer, duke e marrë pa asnjë urdhër.

Kërveshi tha se një gjë e cila u ka lënë përshtypje, janë rrethanat dhe roli se si Kryqi i Kuq nuk kishte pranuar që një dëshmitar– Sebastian Gricourt ta lironte nga imuniteti funksional- pra ta lejonte të dëshmojë, por se kjo çështje duhet të trajtohet nga organe të tjera.

Duke mbështetur aktakuzën e PSRK-së, Kërveshi i propozoi Gjykatës që të akuzuarin Filiq ta shpall fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit.

Ndërsa, mbrojtësja e të akuzuarit Sllavisha Filiq, avokatja Milka Milosavleviq tha se nuk është nxjerrë asnjë provë e besueshme e cila përtej dyshimit të bazuar mirë do të mund të vërtetonte se i akuzuari Filiq ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Ajo tha se nuk ka prova direkte se konkretisht i akuzuari Filiq ka marrë pjesë në këtë ngjarje dhe se nuk ka fotografi, procesverbal të komunikimit e as identifikime të besueshme, por vetëm dyshimin e bazuar, e që dyshimi nuk është provë.

“… Dyshimi i bazuar është bazë për hetim, por jo për gjykim”, tha avokatja Milosavleviq.

Milosavleviq tha se bën thirrje për gjykatën që në përputhje me KPRK-në dhe standardet ndërkombëtare, në mënyrë të drejtë e korrekte të sjellë aktgjykim lirues pasi që fajësia e të mbrojturit të saj, pranë kësaj Gjykate nuk është provuar.

Ndryshe, më 15 shtator 2023 Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë në mungesë ndaj Sllavisha Filiq, i cili ngarkohet se si pjesëtar i Sigurimit Shtetëror të Serbisë, së bashku me dy zyrtarë tjerë të paidentifikuar deri më tani nga organet tona, më 10 prill 1998 kishin ndaluar një veturë në Drenas, ku gjendeshin Hetem Sinani, Shaban Haziraj dhe Hafir Shala, ku të njëjtit sipas aktakuzës nga këta pjestarë ishin legjitimuar.

Aktakuza thotë se i akuzuari Filiq me dy zyrtarë tjerë (të tre të veshur me rroba civile) kishin marrë doktorin Shala dhe e kishin dërguar në objektin e Sigurimit Shtetëror në Prishtinë, ku mjeku Shala iu kishte nënshtruar rrahjeve dhe torturave dhe se nga ajo ditë më nuk dihet për fatin e tij.

Andaj, për këto veprime Filiq po ngarkohet me veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të ish-Jugosllavisë. /BetimpërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

The post PSRK-ja thotë se u vërtetua se Filiq ka qenë pjesë aktive në zhdukjen e doktorit Hafir Shala, mbrojtja pretendon të kundërtën appeared first on Telegrafi.

Arlis Shala rikthehet në shtëpi, Teuta zyrtarizon transferimin e portierit

By: armand
14 July 2025 at 17:41

Arlis Shala është futbollisti më i ri i Teutës. Pasi mbylli aventurën e tij me Vushtrrinë në Kosovë, portieri 24-vjeçar ka vendosur që të transferohet te ekipi durrsak në Superiore. Për Shalën, ky është një rikthim pasi më parë ka luajtur për Teutën U17 dhe atë U19 para se të transferohej në Itali te Cesena. […]

The post Arlis Shala rikthehet në shtëpi, Teuta zyrtarizon transferimin e portierit appeared first on BoldNews.al.

Prokurorja pas vendimit për Shalën: Do ta shqyrtojmë me kujdes aktgjykimin

14 July 2025 at 15:40

Prokurorja e Specializuar Kimbërli Uest ka mirëpritur aktgjykimin e sotëm në gjyqin e apelit ndaj Pjetër Shalës duke theksuar se zyra e saj do ta shqyrtojë me kujdes të gjithë aktgjykimin ditët e ardhshme.

“E mirëpres aktgjykimin e sotëm i cili përforcon sundimin e ligjit dhe kontribuon në arritjen e vënies para përgjegjësisë për krime serioze dhe vendosjen e drejtësisë për viktimat e Shala”, tha Uest në një reagim pas shpalljes së aktgjykimit nga Paneli i Gjykatës së Apelit të Dhomave të Specializuara.

“Mbaj shënim ndryshimin e gjatësisë së dënimit të shqiptuar dhe konstatimet e tjera të gjykatës. Zyra ime do ta shqyrtojë me kujdes të gjithë aktgjykimin ditët e ardhshme”, vazhdoi Prokurorja e Specializuar.

Në aktgjykimin e shkallës së parë të 16 korrikut 2024, Shala u shpall fajtor për tre akuza për krime lufte – ndalim arbitrar; torturë; dhe vrasje e paligjshme – dhe u dënua me 18 vjet burg.

Sot, Paneli i Gjykatës së Apelit i la në fuqi dënimet për të gjitha akuzat, theksoi natyrën e rëndë të krimeve dhe ndryshoi gjatësinë e dënimit të Shala në 13 vjet burg.

Sipas Krimet e Shalws u kryen në periudhën prej rreth 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave – kryesisht shqiptarë të Kosovës – që ishin paraburgosur në Fabrikën e Metalit në Kukës, Shqipëri.

Trupi Gjykues konstatoi në aktgjykimin e shkallës së parë se viktimat e kësaj çështjeje gjyqësore ishin mbajtur në kushte çnjerëzore e degraduese dhe i ishin nënshtruar abuzimit psikologjik e fizik, dhe një nga viktimat u vra.

Shala apeloi kundër aktgjykimit të shkallës së parë dhe seanca dëgjimore e apelit u zhvillua më 15 dhe 16 maj 2025.

Shala u arrestua më 16 mars 2021 në Belgjikë dhe u transferua në Njësinë e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 15 prill 2021. /KP/

The post Prokurorja pas vendimit për Shalën: Do ta shqyrtojmë me kujdes aktgjykimin appeared first on Telegrafi.

“Liria nuk gjykohet”, organizatat e luftës reagojnë rreth vendimit të ri të Speciales ndaj Pjetër Shalës

14 July 2025 at 13:57

Organizatat e dala nga lufta, kanë reaguar pas vendimit të Gjykatës së Apelit në Hagë, e cila uli dënimin Pjetër Shalës nga 18 në 13 vjet burgim.

OVL, SHIL dhe SHFD të UÇK-së e kanë konsideruar këtë vendim si një tjetër padrejtësi ndaj ish-luftëtarëve të UÇK-së.

Në reagimin e përbashkët, këto organizata shprehin “pakënaqësinë e thellë” me vendimin, duke theksuar se kishin pritur një aktgjykim lirues.

“Edhe pse dënimi është ulur, ne kemi pritur me bindje të plotë një vendim lirues, sepse besojmë në pafajësinë e bashkëluftëtarëve tanë, dhe në luftën tonë të drejtë për çlirim”, thuhet në deklaratë.

Sipas tyre, vendimi i Apelit nuk ndihmon drejtësinë, por “e thellon bindjen se kjo gjykatë ka karakter politik dhe nuk e trajton drejtësinë mbi baza të barabarta e të paanshme”.

Organizatat theksojnë se e vërteta është në anën e UÇK-së dhe nuk kanë frikë nga ajo.

“UÇK-ja nuk ka nevojë të mbrohet nga e vërteta, e vërteta historike është në anën tonë dhe bashkëluftëtarët tanë nuk do t’i nëpërkëmbë askush me procese të motivuara politikisht. Liria nuk gjykohet, ajo respektohet”, thuhet në reagim. /Telegrafi/

The post “Liria nuk gjykohet”, organizatat e luftës reagojnë rreth vendimit të ri të Speciales ndaj Pjetër Shalës appeared first on Telegrafi.

Vendim i ri për Pjetër Shalën, i ulet dënimi nga 18 në 13 vjet burgim

14 July 2025 at 13:31

Paneli i Apelit në Gjykatën Speciale ka marrë vendim për rastin e Pjetër Shalës, duke rrëzuar shumicën e pikave të ankesës së tij, por duke gjetur disa shkelje në aktgjykimin e shkallës së parë.

“Paneli miraton pjesërisht pikat 7, 12 dhe 14 të ankesës, dhe vendosi t’i ulë dënimin Shalës nga 18 në 13 vjet burgim.

“Paneli i Apelit la në fuqi verdiktin e fajësisë së z. Shala për krimet e luftës të ndalimit arbitrar (pika 1), torturës (pika 3), dhe vrasjes së paligjshme (pika 4)”, thuhet në njoftim.

Megjithatë, Paneli pranoi pjesërisht tri nga 14 pikat e apelit të Shalës dhe gjeti disa shkelje në vlerësimin e provave dhe në caktimin e dënimit.

Sa i përket dënimit për vrasjen e paligjshme, Apeli theksoi se “Trupi Gjykues nuk i dha peshë të mjaftueshme faktit që ai (Shala) nuk pati rol komandues në lidhje me kontributin personal të tij në krimin e vrasjes”.

Po ashtu, lidhur me disa viktima për të cilat Shala ishte shpallur fajtor për torturë apo ndalim arbitrar, Apeli konstatoi mungesë provash të mjaftueshme.

“Në gjyq nuk ishin paraqitur dëshmi gojore për keqtrajtimin e tyre… ndaj Paneli i Apelit prapësoi verdiktin e fajësisë për këta persona”, thuhet në njoftim.

Pavarësisht kësaj, Apeli konfirmoi se Shala mbetet fajtor për krime të rënda.

“Paneli i Apelit theksoi se ka konfirmuar verdiktet e fajësisë së Shalës për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes, dhe se ulja e dënimit të tij nuk sugjeron aspak se krimet për të cilat është shpallur fajtor dhe dënuar, nuk janë të rënda”, u theksua në aktgjykim.

Apeli gjithashtu theksoi se Dhomat e Specializuara kanë juridiksion vetëm mbi individë, e jo grupe apo organizata, dhe se “as UÇK-ja, as populli i Kosovës nuk ishin objekt i këtij procesi dhe nuk u shpallën përgjegjës dhe fajtorë për këto krime”.

Shala më 16 korrik të vitit të kaluar ishte shpallur fajtor për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe ishte dënuar 18 vjet burgim.

Më 2 shtator 2024, Mbrojtja e Shalës dorëzoi njoftimin për apel kundër aktgjykimit. /Telegrafi/

The post Vendim i ri për Pjetër Shalën, i ulet dënimi nga 18 në 13 vjet burgim appeared first on Telegrafi.

Apeli në Hagë shpall sot vendimin për Pjetër Shalën

14 July 2025 at 11:04

Paneli i Gjykatës së Apelit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë shpall sot aktgjykimin në rastin e Pjetër Shalës, i dënuar për krime lufte, të kryera në vitin 1999.

Shala, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u dënua me 18 vjet burg në korrik të vitit 2024, pasi u gjet fajtor për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme në Fabrikën e Metalit në Kukës – pjesa veriore e Shqipërisë.

Sipas aktakuzës, ai dhe pjesëtarë të tjerë të UÇK-së morën pjesë në ndalimin dhe keqtrajtimin e të dyshuarve për bashkëpunim me Serbinë dhe të atyre që nuk merrnin pjesë aktive në luftime.

Viktimat, sipas aktakuzës, ishin subjekt i dhunës fizike dhe psikologjike, përfshirë kërcënimet me vdekje, poshtërimet dhe ngacmimet.

Gjykata e urdhëroi Shalën të paguante edhe 208 mijë euro si kompensim për tetë viktima, ndërsa e shpalli të pafajshëm për veprën penale të trajtimit çnjerëzor.

Mbrojtja e tij e apeloi si aktgjykimin, ashtu edhe urdhrin për zhdëmtimin e viktimave. Megjithatë, vendimi për këtë të fundit nuk do të përfshihet në aktgjykimin që do të jepet sot. Dhomat e Specializuara të Kosovës, të njohura ndryshe si Gjykata Speciale, punojnë me ligjet e Kosovës, por prokurorët dhe gjyqtarët e tyre janë ndërkombëtarë.

Gjykata u themelua në vitin 2015 për të hetuar ish-pjesëtarët e UÇK-së, të cilët dyshohet se kanë kryer krime lufte dhe krime të tjera nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Selia e Speciales u vendos në Hagë të Holandës, për shkak të shqetësimeve se sistemi i drejtësisë në Kosovë nuk është mjaftueshëm i pavarur për të hetuar krimet e luftës, si dhe për shkak të dyshimeve për kërcënimin e dëshmitarëve.

Deri më tani, Gjykata Speciale shpalli dy aktgjykime për krime lufte, ndaj Salih Mustafës dhe Pjetër Shalës, dhe dy tjera për pengim të administrimit të drejtësisë, ndaj Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit.

Aktualisht, është duke vazhduar procesi gjyqësor kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-deputetit Rexhep Selimi dhe dy ish-kryetarëve të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi – që të gjithë ish-pjesëtarë të UÇK-së – të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Shala nuk luajti, u pagua e iku: Partizani harxhon gjysmë milioni euro për 5 dështime

By: user 2
5 July 2025 at 10:25

Partizani e Herolind Shala ndajnë tashmë rrugët. Goditja e madhe e fundit të kampionatit të kaluar, që duhet të ishte lideri i një skuadre që do të kërkojë titullin kampion në sezonin që duhet ende të nisë, doli një tjetër dështim i madh. U kuptua që në minutazhin me pikatore në javët e fundit dhe Final 4 e ndjekur nga pankina: Shala ishte jashtë forme dhe nuk mbante dot ritmin. Në total 2 ndeshje (1 në kampionat e 1 në Kupën e Shqipërisë) për një total prej vetëm 88’ lojë.

E si Partizani ka mësuar tashmë në këto 5 vitet e fundit, dalja është me më klasiken e përcjelljeve: “Partizani zyrtarizon përfundimin e bashkëpunimit me Herolind Shalën. Mesfushori dhe klubi kanë vendosur të ndërpresin me konsensus kontratën mes tyre. Partizani dëshiron të falenderojë Herolind Shalën që ishte pjesë e familjes së kuqe duke i uruar njëkohësisht suksese në karrierë” – shkruhet në komunikatën për shtyp të të kuqve.

DËSHTIME NË SERI…

U bënë disa sezone që lojtarët që mbërrijnë te Partizani për të bërë diferencën e bëjnë vetëm në pagesë. Në fushë rezultatet janë katastrofike, me prezenca të pakta e përfaqësime për tu harruar. I fundit në radhë ishte Eros Grezda, ish-mesfushori i kombëtares, që erdhi me super pagën e zakonshme dhe la për të dëshiruar në fushë dy vjet më parë. Goditja e madhe e asaj merkato së verës, ai që duhet të ishte lideri i një skuadre që kërkonte konfirmimin si kampion, doli dështimi i madh. U kuptua që në ndeshjet e Champions dhe Conference League: Grezda ishte jashtë forme dhe nuk mbante dot ritmin. Gjërat pastaj nuk është se u përmirësuan në kampionat, ku nga i nisur titullar, Grezda e pa veten të parakaluar nga të gjithë. Në total 17 ndeshje (2 në Champions e 6 në Conference e 9 në kampionat) për një total prej 589′ me vetëm një gol të shënuar.

Arkat e klubit, edhe në atë rast, u rënduan në mënyrë katastrofike në raport me kontributin. Në 6 muaj (6500 euro në muaj) Grezda ka fituar 39 mijë euro. Më saktë 40 mijë, sepse në kontratën e tij ka qenë klauzola e 1 mijë euro për çdo gol. E ai i shënuar në Conference League e ka rritur edhe pak dhimbjen financiare të të kuqve.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by FK PARTIZANI (@fkpartizani)

Para tij Partizani bëri të njëjtën gjë me Ergys Kaçen. Edhe ish-mesfushori i kombëtares, që erdhi me super pagën e zakonshme, la për të dëshiruar në fushë. Ai që duhej të ishte fari ndricues i lojës së të kuqve u kthye vetëm në një barrë financiare që klubi nuk po dinte si ta hiqte qafe. Pas 6 muajsh, në janar 2022, erdhi akordi me mirëkuptim nga të dy palët. Kaçe nuk do të ishte më lojtar i Partizanit, që me këtë lëvizje i lejoi vetes të kursente të paktën 60 mijë euro pagë të lojtarit që pagën e kishte për top player e përfaqësimet si më i zakonshmi i pankinës, madje as i denjë për të luajtur me fanellën e kryeqytetasve.

ARKAT PIKIATË

Siç duket te Partizani nuk kanë aspak nuhatje për të bërë goditjen diferencuese. Mjafton të kujtosh lëvizjet e mëdha të fundit që rezultuan po në dështime të mëdha. Edgar Çani erdhi me një kontratë prej 250 mijë euro në sezon dhe nuk luajti asnjë ndeshje me përjashtim të ndonjë fragmenti e një ndeshje në Kupën e Shqipërisë. Pasi fitoi titullin me Gegën, të kuqtë vendosën ta riprovonin me Ferhan Hasanin, por Buba mori vetëm 120 mijë eurot e gjashtë muajve kontratë me pak minuta në fushë e asnjë gjurmë. Për fat një pjesë të kuqtë e kthyen mbrapsht falë shpërblimit të UEFA-s, për prezencën e shqiptaro-maqedonasit në Euro 2020 me Maqedoninë e Veriut.

Vetëm se llogaritë nuk dalin: pesë lojtarët “e mëdhenj” nuk kanë mbledhur së bashku as një “kampionat” me prezenca, ndërsa janë paguar deri në largim me bukurinë e 470 mijë eurove.

The post Shala nuk luajti, u pagua e iku: Partizani harxhon gjysmë milioni euro për 5 dështime appeared first on Lapsi.al.

Partizani largon mesfushorin Herolind Shala

TIRANË, 4 korrik /ATSH/ Herolind Shala nuk do të jetë më pjesë e Partizanit.

Klubi kryeqytetas njoftoi këtë të premte, se është vendosur mes palëve për ndërprerjen e kontratës, e cila ishte e vlefshme deri në qershor të vitit 2026.

“Partizani zyrtarizon përfundimin e bashkëpunimit me Herolind Shalën. Mesfushori dhe klubi kanë vendosur të ndërpresin me konsensus kontratën mes tyre.

Partizani dëshiron të falenderojë Herolind Shalës që ishte pjesë e familjes së kuqe duke i uruar njëkohësisht suksese në karrierë”, shkruan klubi.

Ish-mesfushori i Kombëtares u bashkua me Partizanin më 16 prill, por nuk ka arritur të bindë me formën e tij.

Në karrierën e tij të pasur, Shala ka luajtur në kampionate të ndryshme, si ai norvegjez, danez, çek dhe turk.

/gj.m//r.e//a.f/

The post Partizani largon mesfushorin Herolind Shala appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

EPITAF MBI VETË POLITIKANIN

2 July 2025 at 12:36

Poezi nga: Hilaire Belloc 
Përkthyer nga: Besnik Hamiti dhe Agron Shala

Ceremonia madhështore dhe absurde u shpalos,
Kur kufoma e politikanit u varros.
Të njohurit e tij e tallnin dhe e shanin
Unë qava: sepse doja që ta varnin

Edhe diçka për të njëjtin

Ky, më i shquari në sojin e vet,
Korruptoi, ngacmoi, mashtroi dhe shantazoi çdo vjet:
Por vdekjen madje edhe politikanët do të dështojnë
Ta korruptojnë ose mashtrojnë, ta ngacmojnë ose shantazhojnë.

Për një politikan tjetër

Politikani i vdekur dhe në baltë i shndërruar,
Mund të bëhej një tapë erën për ta ndaluar
S’më pëlqejnë shkujat, por prapë dyshoj
Tapën ta prek me dorë veten ta detyroj.

Edhe për një tjetër

Fama Manipuluesit të saj të dashur lavdi i dhuron,
Dhe Manipuluesi është i pavdekshëm për sa kohë që jeton.

Epitaf mbi vetveten

Lauda tu Ilarion audacem et splendidum,
Ti që gjithmonë gjërat i fillon dhe kurrë nuk i mbaron.

The post EPITAF MBI VETË POLITIKANIN appeared first on Telegrafi.

❌
❌