“Energjia e së ardhmes” mbi djersën e blegtorëve të Taçit të Ersekës
Banorët e një fshati të Ersekës ankohen se kullotat e tyre po ua zë një kompani private, e cila ka fituar të drejtën për zhvillimin e një centrali fotovoltaik.
Fshatrat që po thahen nën hijen e paneleve diellore
Të enjten e parë të gushtit, në dalje të Ersekës, Petrit Zeqo na priti në fshatin e tij, Taç i Sipërm, rreth 2.5 kilometra larg qytetit.
Pavarësisht atmosferës së braktisjes, fshati kishte peizazh unik, shtëpi të grumbulluara dhe toka të punuara, ndërsa më në brendësi, një burim i vogël uji shërbente si çezmë publike.
“Këtë e ka sjellë një ushtar, për një vajzë të fshatit”, na tregoi Petriti simbolin e dashurisë së një periudhe tjetër, dëshmi që i ka qëndruar fshatit edhe sot.
Petriti na shoqëroi më tutje, pranë hijes së një arre të madhe ku po na priste një grup banorësh me vështrimin hedhur përballë makinerive të rënda që po sheshonin tokën.

Kullota, që banorët e përdornin për bagëtitë dhe si shteg për t’u lidhur me arat e tyre tanimë është shkretuar me dherat e dystuara mbi të.
Një central fotovoltaik, me qëllim prodhimin e energjisë elektrike do të zërë vend pak muaj më vonë. Punonjësit në terren, të shqetësuar nga prania jonë si media, hezitojnë të tregojnë edhe emrin e kompanisë, me justifikimin se “janë veçse punëtorë”.
“Të tëra sinoret, ku kanë qenë e ku janë tani akoma, janë të fshatit me vendim gjykate”, tha për Citizens.al Rrushan Byrekasi, 77-vjeç.
Ndërsa renditi me emra se kujt i përkasin të gjitha ngastrat e tokave të fshatit, Rrushani na tregoi se me kërkesë të pleqësisë dhe një vendim gjyqësor të fillim viteve 2000, kjo kullotë i ka kaluar në bashkëpronësi banorëve të fshatit.
Vendimin na e tregoi Petriti, i cili e kishte printuar si dokument.
“Na jepte të drejtë që kjo pronë që aktualisht këta po e marrin, po e tjetërsojnë, është e jona. Domethënë penalizojnë një fshat dhe favorizojnë privatin. Kjo është e jona, me qitap e me të tëra”, theksoi ai.
Sipas vendimit të 26 tetorit 2001 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kolonjë, 37 banorëve të fshatit ju takon secilit nga 1/37-ta pjesë e barabartë e rreth 522 hektarëve kullota (340.5 ha) dhe pyje (181.8 ha).
“Këtu, ku po bëhet ky punim është baza e blegtorisë që del blegtoria jonë, baza e ujit që marrim, edhe ujë të pijshëm edhe ujit vaditës. Këta po e shkatërrojnë. Jemi të detyruar të shpërngulemi, por s´dimë ku të vemi”, u shpreh i revoltuar Ferdinand Agolli.
Përbri tokës, ku tanimë po kryhen punime për sheshimin e saj, 150 krerë bagëtish të imëta kalojnë njëra pas tjetrës të ndjekura nga një zonjë e fshatit.
“Bëni diçka, nuk kemi ku të çojmë bagëtitë, me këto mbahemi”, na tha ajo, ndërsa ndaluam ta përshëndesnim.
Bashkëshorti, Rakip Agolli, na tregoi se ka 30 vite që merret me blegtori dhe se ky zanat është e vetmja mënyrë jetese për zonën. Centralin fotovoltaik, ai e ndjen si kërcënim për t’u larguar, për aq kohë sa nuk ka hapësira ku të kullosin bagëtitë.
“Kam pasur 300 krerë, tani 150, mot mund të kem dhe 30. Në fillim ishte mirë, nuk kishte vështirësi, kishte hapësirë, kullosnin. Tani ka vështirësi, vetëm me këtë dëmin që po na bëhet, me këtë diellorin, po na vjen në prag të shtëpisë, tani do detyrohemi të ikim,” tha Rakipi.
Sipas kryeplakut të fshatit, Ibrahim Byreku, ky shqetësim është ndjekur edhe në polici dhe pushtetin vendor, mirëpo sipas dokumenteve, kompania ndërtuese është në rregull.
“Kemi disa vendime gjyqi që i kemi pasur me sinore, por aktualisht sot, me dokumentacion (kullotat) nuk janë tonat. Kam vërtetuar dhe firmat dhe të tëra dhe për kaq sa di, ata zotërinjtë e kanë më vulë, me firmë me të tëra”, u shpreh i prerë Ibrahimi.
Në fshat ora kishte mbetur. Tek-tuk shikoje ndonjë shtëpi të re, të ndërtuar nga remitancat e emigrantëve, kryesisht në Amerikë dhe Kanada, ndërsa shërbimet e bashkisë zor se dalloheshin.

Kjo kuptohej nga kodrat e krijuara me plehrat, të cilat sipas banorëve herë pas here digjen, pasi askush nuk vjen t’i marrë.
Ndërhyrjet e makinerive për të sistemuar kullotën për parkun e energjisë diellore dukej se kishin shkaktuar dëme në kanalin vaditës të fshatit.
“Vit për vit pastrohej nga ana e bashkisë, tani nuk na vjen më uji. Kopshtet që mbillnim një domate, një piperkë, sivjet e kemi problem për ujin. Kjo ka ardhur nga devijimi i punimeve që kanë bërë atje”, tregoi Rakip Agolli.
Procedura jo transparente për parqet diellore
Trokitjes sonë për informacion nisur nga shqetësimet e banorëve, bashkia Kolonjë iu përgjigj: “Nënkryetarja është në mbledhje dhe nuk mundet të përgjigjet”, ndërsa na referoi ti adresonim pyetjet me shkrim.
Të dhënat e shqyrtuara nga Citizens.al tregojnë se 27.6 hektarë kullota të fshatit Taç u proceduan për t’u dhënë me qira në kohën kur vendi ishte në fushatë zgjedhore për zgjedhjet lokale të vitit 2023.
Më 3 maj 2023, Bashkia Kolonjë i propozoi Këshillit Bashkiak dhënien e tyre me qira për projekte energjetike. Po atë ditë u shqyrtuan edhe dy kërkesa të tjera po për qëllime energjetike për kullotat dhe pyjet në Rehovë dhe Selenicë, duke e çuar totalin në 127 hektarë.

Afati i përdorimit u vendos 10 vjet, me qira minimale 2,100 euro për hektar në vit – rreth 60 mijë euro në vit për parcelën në fshatrat Taç-Agalli.
Sipas të dhënave të Open Data Albania, tenderi i 12 qershorit 2023 pati vetëm një ofertues: kompania “Get Solar Solution”, e cila ofroi pikërisht çmimin dysheme dhe fitoi, pavarësisht mungesës së konkurrencës.
E njëjta praktikë u ndoq edhe për rreth 100 hektarë kullota në Rehovë dhe Selenicë, të cilat iu dhanë kompanive MET Invest dhe Kail Energy.
Më 30 prill 2025, qeveria miratoi projektin e “Get Solar Solution” për central fotovoltaik me kapacitet 24 MW dhe afat operimi 49 vjet.
The post “Energjia e së ardhmes” mbi djersën e blegtorëve të Taçit të Ersekës appeared first on Citizens.al.