Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 15 July 2025Main stream

Zjarr në depon ushqimore në Lipjan, një zjarrfikës dërgohet në emergjencë

PRISHTINË, 15 korrik/ATSH/ Një zjarr i madh në Lipjan ka përfshirë një depo dhe zyrat qendrore të një rrjeti të supermarketeve që vepron në Kosovë.

Nga zjarri nuk raportohet për persona të lënduar nga radhët e civilëve, por megjithatë një zjarrëfikës është dërguar në emergjencë për trajtim mjekësor pasi pas intervenimit i është përkeqësuar gjendja.

Ekipet e zjarrfikësve janë në vendin e ngjarjes , duke u përballur me flakët që kishin përfshirë të gjithë objektin.

Ende nuk dihet shkaku i shpërthimit të zjarrit dhe as shuma e dëmeve materiale që janë shkaktuar.

/KosovaPress.

The post Zjarr në depon ushqimore në Lipjan, një zjarrfikës dërgohet në emergjencë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rritet me 48,2% flota e mjeteve në Shqipëri, gati 9 mijë të gjeneratës së fundit

TIRANË, 15 korrik /ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) njofton se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 është shënuar një rritje e ndjeshme e flotës aktive të mjeteve në Shqipëri, me 48,2% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020.

Sipas DPSHTRR, gjatë periudhës janar-qershor 2025 janë regjistruar 47.459 mjete, nga të cilat 81,5% janë autovetura. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020, ky numër përfaqëson një rritje prej 136.8%.

Sa i takon origjinës së mjeteve të regjistruara, kryeson Korea e Jugut me 20,5%, pasuar nga Italia me 16%, Gjermania me 15,5%, Zvicra me 8,8%, SHBA me 7,9% dhe Kina me 7,8%.

Gjithashtu, raporti evidenton se flota është rinovuar me 8862 mjete të gjeneratës së fundit (0-3 vite), duke shënuar një rritje prej 68% të regjistrimeve në krahasim me janar-qershorin e vitit 2023.

Po ashtu, gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 3796 çregjistrime të përhershme, ose 18,3% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

DPSHTRR u bën thirrje të gjithë drejtuesve të rinj dhe ekzistues të mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të kryejnë kontrollet periodike të mjeteve dhe, përpara se të importojnë një mjet, të verifikojnë kategorinë mjedisore të tij.

Tabela të publikuara nga DPSHTR
1 nga 4

/a.f//r.e/

The post Rritet me 48,2% flota e mjeteve në Shqipëri, gati 9 mijë të gjeneratës së fundit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tiranë – Lirohet një hapësirë publike tek “Ali Demi”


TIRANË, 15 korrik /ATSH/ Policia e Shtetit vijon punën në koordinim të plotë me Inspektoratin Kombëtar të Territorit, për lirimin e hapësirave publike të zëna në kundërshtim me ligjin.

Në këtë kuadër, është liruar sot një hapësirë publike në rrugën “Ali Demi” në Tiranë, e cila ishte zënë nga familjarët e një 67-vjeçari të arrestuar rreth një jave më parë, për të njëjtën paligjshmëri.

Gjatë këtij operacioni janë hequr blloqet e betonit që ishin vendosur në hapësirën e zënë, ndërkohë që më herët, nga e njëjta hapësirë, janë hequr dhe sekuestruar dy automjete të vendosura në mënyrë të kundërligjshme.

Për këtë rast, më datë 7 korrik 2025, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, Tiranë, arrestuan shtetasin B. D., 67 vjeç. Sot, ka nisur procedimi në gjendje të lirë për djalin e tij, shtetasin E. D., 25 vjeç.

Sipas Policisë së Shtetit, ata akuzohen se kanë falsifikuar dokumente në lidhje me pronësinë mbi këtë hapësirë publike, të cilën e zinin vazhdimisht me objekte të ndryshme, në kundërshtim me ligjin. Gjithashtu, familjarët e tyre konfliktoheshin me banorët e një pallati pranë kësaj hapësire, për të mos lejuar parkimin e automjeteve.

Operacioni u zhvillua nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DPPSh-së, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë dhe me shërbimet e Drejtorisë së Mirëmbajtjes së Trotuareve dhe Zgarave të Bashkisë Tiranë, në kuadër të një procedimi penal të regjistruar nga Prokuroria e Tiranës, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Vetëgjyqësia” dhe “Kanosja”.

Materialet procedurale për këtë rast janë referuar Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

/a.f/

The post Tiranë – Lirohet një hapësirë publike tek “Ali Demi” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kurti: Agjencia e Kosovës për Akreditim rikthehet anëtare me të drejta të plota në EQAR

PRISHTINË, 14 korrik/ATSH/ Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur sot se Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) është rikthyer si anëtare me të drejta të plota në Regjistrin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR).

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kurti kujtoi se në vitin 2018, gjatë qeverisjes së mëparshme, Kosova ishte përjashtuar nga ky organizëm evropian. “Shtatë vite më vonë, me qeverisjen tonë, kjo agjenci rikthehet si anëtare me të drejta të plota në këtë organizëm evropian,” theksoi ai.

Sipas Kurtit, ky zhvillim dëshmon përkushtimin institucional për të përmbushur standardet më të larta evropiane në fushën e arsimit të lartë dhe për të krijuar kushte të përshtatshme për suksesin akademik të studentëve të Kosovës.

/a.f/

The post Kurti: Agjencia e Kosovës për Akreditim rikthehet anëtare me të drejta të plota në EQAR appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 14 July 2025Main stream

Kosovë – Ambasadori francez: Gjeni kompromisin për të dalë nga ngërçi politik

PRISHTINË, 14 korrik/ATSH/ Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, u ka bërë thirrje liderëve politikë të Kosovës që të gjejnë rrugën drejt kompromisit dhe të sigurojnë funksionimin e institucioneve shtetërore.

Gjatë pritjes zyrtare të organizuar me rastin e Festës Kombëtare franceze në Kosovë, ku ishin të ftuar përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe të bashkësisë ndërkombëtare, ambasadori Guerot theksoi se për të nënshkruar dhe ratifikuar marrëveshjet ndërkombëtare që janë në interes të Kosovës, vendi ka nevojë për një Kuvend funksional dhe një Qeveri të mbështetur nga ai Kuvend.

“Jam shumë i kënaqur dhe krenar për punën e kryer nga Agjencia Franceze për Zhvillim (AFD), e cila, në 18 muajt e saj në Kosovë, ka zhvilluar tashmë disa projekte shumë ambicioze. Janë nënshkruar dy memorandume mirëkuptimi midis AFD-së dhe ministrive. Pres me padurim finalizimin e kësaj pune, e cila arrin në dhjetëra milionë euro. Kjo më sjell te mesazhi im i dytë, i drejtuar me respektin më të madh udhëheqësve politikë të Kosovës, këtij vendi mik të Francës. Për të nënshkruar dhe ratifikuar këto marrëveshje, na duhet një kuvend dhe na duhet një qeveri e mbështëtur nga ky kuvend. Qeveritë miqësore me Kosovën, përfshirë qeverinë franceze, kanë nevojë për partner për te ecur përpara dhe për të mbeshtetur Kosovën në rrugën drejt integrimit evropian. Dhe integrimi evropian kërkon dialog të lehtësuar nga BE-ja. Më lejoni të ju bëjë thirrje të gjithë udhëheqësve politikë në këtë vend, pa përjashtim, pavarësisht nga partia e tyre apo komuniteti që përfaqësojnë. Një thirrje që ata të gjejnë rrugën e tyre drejt kompromisit, të gjejnë rrugën e tyre për të dalë nga ngërçi me të cilin asnjë votues nuk është i kënaqur. Një thirrje për ta që të gjejnë mënyra për të siguruar funksionimin gjithëpërfshirës të institucioneve të Kosovës”, ka deklaruar Guerot.

Ai u shpreh se Franca do të vazhdojë të qëndrojë përkrahë Kosovës.
Në këtë ngjarje festive, me një video-mesazh u paraqit edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila përshëndeti popullin francez dhe kujtoi vlerat universale të 14 Korrikut.

Në anën tjetër, kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë se Kosova ka qenë dhe mbetet e përkushtuar për anëtarësim në BE.

/Kosovapress/

The post Kosovë – Ambasadori francez: Gjeni kompromisin për të dalë nga ngërçi politik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

OVL-UÇK reagon për rastin “Veteranët”: Mbrojtja e statusit të luftëtarëve të vërtetë është çështje parimore

PRISHTINË, 14 korrik/ATSH/  Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar ndaj vendimit gjyqësor, për shpalljen fajtorë të dhjetë nga të akuzuarit në rastin e njohur si “Veteranët”.

Nënkryetari i kësaj organizate, Gazmend Syla ka thënë për KosovaPress se OVL-UÇK e ka ndjekur me vëmendje vendimin e sotëm dhe shton se kjo organizatë ka qenë gjithmonë kundër përfshirjes së personave të pa merituar në listat e veteranëve.

Sipas Sylës, mbrojtja e statusit të luftëtarëve të vërtetë është çështje parimore për OVL-UÇK.

Ndërsa, Syla thekson se duket krejtësisht e pakuptimtë që njëkohësisht gjykata e dënon komisionin për verifikimin e veteranëve, dhe më pas i thotë qeverisë “verifikoni sërish 19.500 persona”.

“Ne kemi dyshime serioze që kjo qeveri në detyrë ka kompetencë ligjore apo politike për të ndërmarrë një proces kaq të rëndësishëm dhe të ndjeshëm. Rishikimi eventual i listave duhet të bëhet me kujdes të jashtëzakonshëm, me garanci të forta ligjore dhe morale, dhe assesi në mënyrë të njëanshme apo politike”, thekson Syla në një përgjigje me shkrim për KosovaPress.

Sot, Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtorë dhjetë nga të akuzuarit në rastin e njohur si “Veteranët”, ndërsa ka liruar nga aktakuza Nuredin Lushtakun dhe Smajl Elezajn, pasi sipas trupit gjykues ata nuk kanë pasur cilësinë e personit zyrtar.

Agim Çeku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari u shpallën fajtorë për veprime në kundërshtim me ligjin dhe me rregullat e përcaktuara nga Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Veteranëve të UÇK-së, duke ua mundësuar personave të tjerë të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme statusin e veteranit.

Ata u dënuan me nga një vit burgim, i cili duhet të ekzekutohet brenda 15 ditësh nga shpallja e vendimit. Trupi gjykues përbëhej nga Gazmend Bahtiri (kryetar) dhe anëtarët Ngadhnjim Arrni e Kushtrim Shyti, ndërsa aktakuza përfaqësohej nga prokurori Valdet Gashi.

Kryetari i trupit gjykues, Gazmend Bahtiri tha se Qeveria e Kosovës obligohet që brenda një viti të krijojë komisione të reja për të rishqyrtuar listën e personave aplikues për statusin veteran-luftëtarë, listë kjo me 19,500 persona.

Trupi gjykues deklaroi se qeveria pas përfundimit të rishqyrtimit të aplikimeve për statusin veteran- luftëtar, duhet të shpallë vlefshmërinë e statusit.

/Kosovapress/

The post OVL-UÇK reagon për rastin “Veteranët”: Mbrojtja e statusit të luftëtarëve të vërtetë është çështje parimore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Veteranët”, dënohen me burg ish-kryeministri i Kosovës Agim Çeku dhe 9 të tjerë

PRISHTINË, 14 korrik/ATSH/  Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtorë dhjetë nga të akuzuarit në rastin e njohur si “Veteranët”, ndërsa ka liruar nga aktakuza Nuredin Lushtakun dhe Smajl Elezajn, pasi sipas trupit gjykues, ata nuk kanë pasur cilësinë e personit zyrtar.

Agim Çeku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari u shpallën fajtorë për veprime në kundërshtim me ligjin dhe me rregullat e përcaktuara nga Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Veteranëve të UÇK-së, duke ua mundësuar personave të tjerë të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme statusin e veteranit.

Të dënuarit u dënuan me nga 1 vit burgim, i cili duhet të ekzekutohet brenda 15 ditësh nga shpallja e vendimit. Trupi gjykues përbëhej nga Gazmend Bahtiri (kryetar) dhe anëtarët Ngadhnjim Arrni e Kushtrim Shyti, ndërsa aktakuza përfaqësohej nga prokurori Valdet Gashi.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 16 prill 2021 të akuzuarit i kishte liruar nga akuza. Por, Gjykata e Apelit më 26 prill 2022 e ka kthyer në rigjykim këtë rast.

/Kosovapress/

The post “Veteranët”, dënohen me burg ish-kryeministri i Kosovës Agim Çeku dhe 9 të tjerë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kontrolle me dronë dhe radarë Poliscan, mbi 3 mijë gjoba nga Policia Rrugore javën e fundit


TIRANË, 14 korrik/ATSH/ Policia e Shtetit bën të ditur se, gjatë javës së fundit, Njësia Operacionale për Sigurinë Rrugore ka zhvilluar kontrolle të shtuara në akset nacionale, me qëllim evidentimin dhe ndëshkimin e shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor që përbëjnë rrezik për jetën dhe sigurinë publike.

Kontrollet janë kryer përmes përdorimit të 2 dronëve dhe 3 radarëve të teknologjisë ‘Poliscan’, të cilët mundësojnë monitorimin në kohë reale të shkeljeve si tejkalimi i shpejtësisë së lejuar, parakalimet e gabuara, përdorimi i celularit gjatë drejtimit të mjetit, mosvendosja e rripit të sigurimit dhe drejtimi i mjetit nën efektin e alkoolit.

Si rezultat i kontrolleve, janë konstatuar dhe ndëshkuar me masa administrative në total: 765 raste për parakalime të gabuara; 423 raste për tejkalim të shpejtësisë, të shoqëruara me pezullime të lejeve të drejtimit dhe zbritje pikësh; 876 raste për mosvendosje të rripit të sigurimit; 1121 raste për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit; 128 raste për drejtim të mjetit nën efektin e alkoolit.

Policia Rrugore njofton se kontrollet intensive do të vijojnë edhe në vijim, duke përdorur mjetet më të avancuara të teknologjisë, me synim parandalimin e aksidenteve dhe garantimin e sigurisë për të gjithë përdoruesit e rrugës.

/a.f//r.e/

The post Kontrolle me dronë dhe radarë Poliscan, mbi 3 mijë gjoba nga Policia Rrugore javën e fundit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gjermani – Rama pritet nga kryeministri i Bavarisë, Söder

TIRANË, 14 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndodhet për një vizitë në Gjermani me ftesë të kryeministrit të Bavarisë, Markus Söder.

Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga mbërritja në Mynih, ku u prit nga kryeministri i Landit të Bavarisë, Markus Söder.

“Gjermani, Mynih – Të ftuar nga Kryeministri i Bavarisë, Markus Söder një mik i çmuar me të cilin kemi ndërtuar marrëdhënien e një partneriteti të posaçëm mes Shqipërisë dhe Bavarisë”, shkruan Rama në rrjetet sociale.

Kryeministri Edi Rama shoqërohet nga ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, nga ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj dhe drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj.

Pritet që diskutimet të kenë në fokus ekonominë, inovacionin dhe turizmin.

Rama në Mynih, pritet nga kryeministri i Bavarisë, Söder
1 nga 6

/a.f//r.e/

The post Gjermani – Rama pritet nga kryeministri i Bavarisë, Söder appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kapet me 14 mijë euro të padeklaruara në kufi, procedohet penalisht 40-vjeçari

TIRANË, 14 korrik/ATSH/ Shërbimet e Policisë Kufitare në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavijë kanë konstatuar dhe sekuestruar një shumë prej 14 mijë eurosh, të cilat një shtetas tentonte t’i nxirrte nga Shqipëria pa i deklaruar, në kundërshtim me ligjin.

Gjatë kontrollit të ushtruar në çantën e shtetasit O. K., 40 vjeç, banues në Fier, u gjetën të fshehura 14 mijë euro të padeklaruara. Shuma u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërkohë që ndaj 40-vjeçarit ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër për veprime të mëtejshme.

/a.f//r.e/

The post Kapet me 14 mijë euro të padeklaruara në kufi, procedohet penalisht 40-vjeçari appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

E hënë, 14 korrik, mot i kthjellët me temperatura deri në 36°C

TIRANË, 14 korrik/ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se për ditën e hënë,  vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme.

Moti parashikohet i kthjellët në të gjithë territorin, me vranësira të pakta kalimtare, kryesisht në relievet malore në lindje gjatë orëve të mesditës dhe pasdites. Vranësira të vogla priten vetëm në Kukës, Dibër dhe Korçë

Era do të fryjë nga veriperëndimi dhe jugperëndimi me shpejtësi mesatare 7 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore era pritet të arrijë deri në 14 m/s, duke sjellë valëzim në det të forcës 1-2 ballë.

Temperaturat do të variojnë, në Shkodër deri në 36°C; Në Tiranë dhe Elbasan deri në 35-36°C; Në Gjirokastër deri në 36°C.

Në zonat bregdetare, si Durrës, Vlorë dhe Sarandë, temperaturat maksimale do të shkojnë deri në 34°C.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 19/36 Diell
Kukës 17/32 Diell pak re
Lezhë 16/35 Diell
Dibër 16/34 Diell pak re
Durrës 19/34 Diell
Tiranë 22/35 Diell
Elbasan 22/36 Diell
Berat 18/35 Diell
Vlorë 19/32 Diell
Korçë 15/31 Diell pak re
Gjirokastër 15/36 Diell
Sarandë 20/34 Diell

 

/ a.f /

The post E hënë, 14 korrik, mot i kthjellët me temperatura deri në 36°C appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Balla falenderon shqiptarët në Greqi për mbështetjen që i dhanë PS më 11 maj

TIRANË, 13 korrik/ATSH/ Ministri i Shtetit dhe drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla, zhvilloi një takim falënderues me komunitetin shqiptar në Athinë, në kuadër të një turneu pas fitores së thellë të PS në zgjedhjet e 11 majit 2025.

Gjatë ndalesës së tij në kryeqytetin grek, Balla u shpreh mirënjohës për mbështetjen e jashtëzakonshme që diaspora shqiptare në Greqi dhe në mbarë botën i dha Partisë Socialiste dhe Kryeministrit Edi Rama.

“Mirënjohje për të gjithë shqiptarët në çdo cep të Greqisë e në çdo anë të globit për mbështetjen e madhe më 11 maj për Edi Ramën dhe Partinë Socialiste,” shkroi Balla në një postim në rrjetet sociale nga Athina.

Duke vlerësuar kontributin e pakursyer të shqiptarëve në shoqërinë greke, Balla theksoi se sot ata përfaqësojnë një pjesë thelbësore të punës, ekonomisë, dijes, sportit dhe kulturës së Greqisë. Ai nënvizoi gjithashtu ndryshimin rrënjësor që ka ndodhur në vetëdijen dhe vetëbesimin e komunitetit shqiptar në këtë shtet fqinj.

“Ka mbaruar një herë e mirë koha kur hezitonin të thonin: ‘Jam nga Shqipëria’. Shqipëria ka qenë gjithnjë kryelartë për shqiptarët që jetojnë në Greqi, por sot edhe ata janë kryelartë për Shqipërinë.”

Takimi në Athinë është pjesë e një turi falënderimesh që Taulant Balla po zhvillon me përfaqësues të diasporës shqiptare në disa vende ku jeton një komunitet i madh dhe nga ku pjesëmarrja me votë ishte e madhe në zgjedhjet e fundit.

Balla ka theksuar se kjo mbështetje do të kthehet në përgjegjësi dhe angazhim të drejtpërdrejtë të qeverisë për të fuqizuar më tej lidhjen me diasporën dhe për t’u dhënë atyre zë në vendimmarrjen kombëtare.

1 nga 3

/a.f/

The post Balla falenderon shqiptarët në Greqi për mbështetjen që i dhanë PS më 11 maj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Haradinaj takon Hanrahan: Anëtarësimi në NATO, Kosova e përkushtuar

PRISHTINË, 13 korrik/ATSH/ Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka zhvilluar një takim në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë me Zyrtarin e Lartë të Byrosë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Brendan Hanrahan, si dhe me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit në detyrë, Mark Fleming.

Në këtë takim, Haradinaj ka theksuar rëndësinë strategjike të forcimit të marrëdhënieve bilaterale mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me fokus të veçantë në thellimin e partneritetit në fushën e sigurisë, transmeton KosovaPress.

Ai ka rikonfirmuar përkushtimin e Kosovës për anëtarësim të plotë në NATO, duke vlerësuar mbështetjen amerikane si jetike për këtë proces.

“Aleanca jonë me Amerikën është e përjetshme dhe e pathyeshme. Përkushtimi ynë si vend është i palëkundur për ta forcuar këtë aleancë çdo ditë”, është shprehur Haradinaj pas takimit.

/Kosovapress/

The post Haradinaj takon Hanrahan: Anëtarësimi në NATO, Kosova e përkushtuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Krasniqi takon Hanrahan: Kosova ka nevojë për stabilitet të qëndrueshëm

PRISHTINË, 13 korrik/ATSH/  Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi është takuar sot me zyrtarin e lartë amerikan për Çështje Evropiane në Departamentin e Shtetit, Brendan Hanrahan.

Krasniqi përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” tha se në këtë takim u diskutua për zhvillimet aktuale në vend dhe në rajon teksa thotë se ShBA mbeten aleati më i fuqishëm i Kosovës, transmeton KosovaPress.

“Diskutova për zhvillimet aktuale në vend dhe në rajon. Ritheksova përkushtimin e Partisë Demokratike të Kosovës për bashkëpunim politik, funksionalitet institucional dhe zgjidhje që i shërbejnë qytetarëve. Kosova ka nevojë për stabilitet të qëndrueshëm, ekonomi të fortë dhe zhvillim në çdo fushë”, ka shkruar ai.

Zyrtar i Lartë për Çështje Evropiane në Departamentin e Shtetit, Brendan Hanrahan ka arritur dje në Kosovë ku po zhvillon takime me liderët e partive politike në vend.

/KosovaPress/

The post Krasniqi takon Hanrahan: Kosova ka nevojë për stabilitet të qëndrueshëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dështon sërish konstituimi i Kuvendit, opozita akuzon Kurtin


PRISHTINË, 13 korrik/ATSH/ Ka dështuar sërish konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Shkak për dështimin e 46-të në radhë ishte mos arritja e 61 votave të nevojshme nga mazhoranca për t’i hapur rrugën votimit të fshehtë, si edhe votimit të Albuela Haxhiut si kryetare të Kuvendit, propozim i Lëvizjes Vetëvendosjes dhe aleatëve të saj në mazhorancë.

Seanca e radhës do të mbahet të martën, më 15 korrik, në orën 11:00.

Pas dështimit të seancës së 46-të të konstituimit të Kuvendit, edhe kësaj radhe partitë e tjera, PDK, LDK e AAK-ja kanë shfrytëzuar foltoren e Kuvendit për t’i dhënë qëndrimet e tyre lidhur me krizën politike në vend.

Deputeti i PDK-së, Fadil Demaku tha se që nga pavarësia e Kosovës, Kosova asnjëherë nuk është përballur me një papërgjegjësi kaq të madhe institucionale, e krejt kjo sipas tij, si pasojë e egos së pa kontrolluar për pushtet nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Ndërsa, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj shtoi se fakti që fjalimet e deputetëve po mbahen pa mikrofon, regji e rekordim zyrtarë nga Kuvendi, tregon se institucioni që duhet të jetë tempull i demokracisë, është sot pasqyrë e një krize të thellë politike që po dëmton funksionimin demokratik të shtetit.

Zemaj tha se kjo është një sabotim i qëllimshëm i shtetit nga LVV-ja.

E deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj tha se më 26 korrik bëhen një muaj nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese për konstituim të Kuvendit, ndërsa LVV-ja sipas saj, nuk ka angazhim as ditorë, javorë e mujorë për të konstatuar Kuvendin e Kosovës.

Kadrjaj theksoi se kjo po bëhet qëllimshëm për bojkot të konstituimit të Kuvendit të Kosovës nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje.

 

/Kosovapress/

The post Dështon sërish konstituimi i Kuvendit, opozita akuzon Kurtin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Siguria kibernetike, AKSK zgjeron listën e infrastrukturave kritike

TIRANË, 13 korrik/ATSH/ Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK ) ka përfshirë operatorë të rinj në listën e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit. Në një intervistë për RTSH, Saimir Kapllani, Drejtor i Analizës së Përputhshmërisë, Riskut dhe Kontrollit në AKSK ka treguar cilat janë këto kategori.

“Kemi një numër rreth 215 infrastruktura të listuara kritike dhe të rëndësishme dhe përkatësisht 133 infrastruktura kritike dhe 82 të rëndësishme. Risi e kësaj liste janë edhe shtimi i sektorëve që deri më tani nuk kanë qenë pjesë e listës së infrastrukturave kritike. Sektorët më të rëndësishëm që përfshihen në listë janë sektori i medias, sektori i turizmit, edukimit, ofruesit e shërbimit të internetit”, tha Kapllani.

Zgjerimi i listës së infrastrukturave kritike do të ketë ndikim në sigurinë kibernetike në vend.

“Identifikimi si pjesë e infrastrukturës kritike sjellë një sërë benefitesh për këto institucione që të kenë mundësi të mbrohen dhe të monitorohen në kohë reale. Ndikimi është i drejtpërdrejtë dhe qëllimi është rritja e nivelit të sigurisë kibernetike në nivel kombëtar”, theksoi Kapllani.

AKSK do të ofrojë mbështetje teknike dhe trajnime të dedikuara për subjektet e përfshira, me qëllim zbatimin efektiv të kërkesave ligjore.

/a.f/

The post Siguria kibernetike, AKSK zgjeron listën e infrastrukturave kritike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dhërmi – Ndoti ujin dhe shkeli perimetrin e sigurisë, 100 mijë lekë gjobë dhe procedim penal për drejtuesin e skafit

TIRANË 13 korrik /ATSH/  Policia Kufitare e Dhërmiut, në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare, ndërhyri menjëherë pas një denoncimi për hedhje mbeturinash në det dhe shkelje të perimetrit të sigurisë ujore nga një mjet lundrues, pranë plazhit të Dhërmiut.

Pas lokalizimit të mjetit lundrues, shërbimet e Policisë bënë të mundur ndëshkimin e subjektit tregtar që kishte në pronësi skafin, me masë administrative prej 100 000 lekësh, për shkelje të nenit 24/c të ligjit nr. 43/2020, që ndalon zhvillimin e aktiviteteve jashtë zonave të kufizuara.

Gjithashtu, ndaj drejtuesit të mjetit lundrues, shtetasit G. I., 25 vjeç, nisi procedimi penal në gjendje të lirë për veprën penale “Ndotja e ujërave”, pasi gjatë pastrimit të skafit kishte hedhur mbeturina në det.

Policia Kufitare apelon për respektimin me rigorozitet të perimetrit të sigurisë ujore dhe të rregullave për përdorimin e mjeteve lundruese, si dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo shkelje në numrin pa pagesë 112.

/a.f/

The post Dhërmi – Ndoti ujin dhe shkeli perimetrin e sigurisë, 100 mijë lekë gjobë dhe procedim penal për drejtuesin e skafit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Siguria Detare – Shpëtohen 18 shtetas, 36 mjete lundruese të bllokuara nga Ksamili në Koman


TIRANË, 13 korrik /ATSH/ Policia Kufitare, në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare, vijon operacionin “Siguria Detare”, me qëllim garantimin e sigurisë për pushuesit dhe përdoruesit e mjeteve lundruese përgjatë gjithë vijës bregdetare, zonave liqenore dhe lumore.

Gjatë javës së fundit janë kontrolluar 254 mjete lundruese, nga të cilat 36 janë bllokuar për shkelje të perimetrit të sigurisë, ushtrim aktivitetesh jashtë zonave të miratuara dhe mungesë dokumentacioni. Ndër mjetet e bllokuara përfshihen 24 Jet Ski, 5 skafe, 4 gomone dhe 3 varka metalike.

Gjithashtu, janë konstatuar 13 mjete duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar jetën e pushuesve. Drejtuesit e tyre janë ndëshkuar me masë administrative prej 100,000 lekësh secili.

Policia Kufitare ka ndërhyrë në 10 raste, nga Ksamili në Velipojë, për të shpëtuar 18 shtetas (shqiptarë dhe të huaj) që ndodheshin në rrezik për shkak të dallgëve të forta apo defekteve në mjetet lundruese.

Policia e Shtetit apelon për respektimin e rregullave të sigurisë detare dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo shkelje në numrin 112.

/a.f/

The post Siguria Detare – Shpëtohen 18 shtetas, 36 mjete lundruese të bllokuara nga Ksamili në Koman appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Begaj takon Ali Ahmetin: Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, faktor shtetformues

TIRANË, 13 korrik/ATSH/ Gjatë vizitës njëditore në Ohër, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zhvilloi një takim me kreun e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.

Në një postim në rrjetet sociale, Presidenti Begaj vlerëson kontributin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut si faktor vendimtar në proceset shtetformuese dhe në mbështetjen e kursit euroatlantik të vendit.

“Me Ali Ahmetin është gjithmonë kënaqësi të takohesh dhe të ndash mendime. Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë faktor vendimtar shtetformues dhe mbështetës të palëkundur të rrugës euroatlantike të vendit, duke dëshmuar gjithmonë përkushtim ndaj paqes, stabilitetit, bashkëjetesës dhe vlerave demokratike,” shprehet Presidenti Begaj.

1 nga 3

/a.f/

The post Begaj takon Ali Ahmetin: Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, faktor shtetformues appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

OSHEE: Nuk do të ketë lidhje të reja me rrjetin për ndërtimet pa leje

TIRANË, 13 korrik/ATSH/ Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka deklaruar sot përmes një njoftimi për shtyp angazhimin e tij në kuadër të aksionit të ndërmarrë nga Qeveria Shqiptare për goditjen e paligjshmërisë në fushën e ndërtimit.

OSHEE shprehet i vendosur për të forcuar kontrollin dhe për të mos lejuar asnjë lidhje të re me rrjetin elektrik për ndërtesat që nuk përmbushin kriteret ligjore.

Sipas OSHEE, vëmendje e veçantë do t’u kushtohet kërkesave për lidhje të reja, me qëllim që të shmangen çdo përpjekje për të anashkaluar ligjin.

“Nuk do të pranojmë kërkesat për lidhje me energji elektrike të ndërtesave pa leje ndërtimi ose që nuk kanë zbatuar kushtet e lejes së ndërtimit”, thuhet në deklaratë.

Sipas OSHEE-së, vëmendje e veçantë do t’u kushtohet të gjitha kërkesave për lidhje të reja me qëllim që të shmangen çdo përpjekje për të anashkaluar ligjin.

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike thekson se mbetet i angazhuar të veprojë në përputhje me legjislacionin dhe të kontribuojë për një mjedis të ndërtuar të sigurt, të ligjshëm dhe në shërbim të qytetarëve.

/a.f/

The post OSHEE: Nuk do të ketë lidhje të reja me rrjetin për ndërtimet pa leje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌