TIRANË, 24 korrik /ATSH/ Kryetari i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Mirëqeverisjen, Antikorrupsionin dhe Sundimin e Ligjit, Fatmir Xhafaj, bëri sot në një konferencë për mediet një bilanc të punës në përmbyllje të mandatit të veprimtarisë së këtij komisioni.
Xhafaj theksoi se ky Komision i Posaçëm Antikorrupsion e ka përmbushur qëllimin e ngritjes së tij ndonëse pati një mandat të kufizuar me vetëm 14 muaj dhe me periudhën elektorale në mes.
Xhafaj u shpreh se janë hartuar dy dokumente të rëndësishme kombëtare gjatë kohës së punës së komisionit.
I pari është dokumenti analitik me 700 faqe dhe i dyti plani kombëtar i veprimit që do i shërbejnë dhe qëllimit për negociatat e Shqipërisë me BE dhe integrimin e vendit, ku përfshihet përmirësimi i mëtejshëm i punës në luftën antikorrupsion.
“Komisioni me dokumentat e hartuara dhe të miratuara adresoi një sërë problematikash dhe vendosi piketa të qarta aq të domosdoshme për përballjen me 3 sfida kyç të zhvillimit, Mirëqeverisjen, Antikorrupsionin dhe Sundimin e ligjit, thelbësore për konsolidimin e shtetit të së drejtës. Ashtu si dhe nga ana tjetër përmes këtyre dokumenteve qartësoi përgjegjësitë për një rol më aktiv të Kuvendit në procesin e negociatave për Shqipërinë 2030 në BE dhe reformimin e vetë Kuvendit, nisur kjo edhe nga konteksti i zhvillimeve të integrimit europian të Shqipërisë dhe reflektimet ligjore dhe institucionale me sfidat në kuadër të këtij procesi”, tha Xhafaj, duke theksuar gjithashtu se metodologjia e veprimtarisë së Komisionit të Posaçëm, është një ndër më të plotat dhe më të qartat për të garantuar transparencën, gjithëpërfshirjen dhe profesionalizmin.
Kuvendi tha ai, këtë përvojë të krijuar, këtë model tashmë të realizuar, mund ta aplikojë në të gjitha proceset e tjera të ngjashme, në përmbushje edhe të rekomandimeve të vazhdueshme për këtë aspekt në raportet e Progresit të KE-së.
“Gjithë ky proces i ndërtuar është mbështetur dhe ka garantuar 4 parime themelore që janë gjithëpërfshirja, transparenca, profesionalizmi dhe standardet më të mira ndërkombëtare. Synimi kryesor i komisionit ka qenë dhe besoj se ia kemi arritur përmes metodologjisë së zbatuar që i gjithë ky proces në vetvete dhe veçanërisht dokumentet që janë hartuar së bashku me propozimet përkatëse të garantojnë standarde evropiane si dhe reflektimin në praktikat më të mira të vendeve të BE-së si dhe të jenë në përputhje të plotë me rekomandimet e BE dhe kriteret për pozicionet negociuese”, tha Xhafaj.
Duke folur për ndikimin e punës së bërë në këtë komision nga rreth 119 ekspertë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, ai përmendi disa nga arritjet, të cilat i çmon si vlera dhe risi të këtij procesi kompleks.
“Për herë të dytë në këto 10 vite, Kuvendi i Shqipërisë u shndërrua në hapësirën kushtetuese e institucionale për realizimin e një tjetër reforme shtetndërtuese që synon konsolidimin e shtetit të së drejtës por që i shërben edhe procesit të anëtarësimit për Shqipërinë 2030 në BE. Vështirë të gjeni një shembull të dytë, në rajon dhe më gjerë, të ndërmarrjes me iniciativë nga vende kandidate për BE, të projekteve të tilla kaq komplekse, përfshirëse dhe me ambicien e fortë për ndryshim”, tha Xhafaj.
“Përfshirje e gjerë e të gjithë faktorëve kyç të shoqërisë. Kjo e bën këtë një projekt kompleks për nga koordinimi dhe realizimi, por që përbën njëherësh edhe një model se si duhet të ndërtohen reforma të tilla duke shkuar nga analiza e situatës, te identifikimi i gjetjeve dhe adresimin e masave për zgjidhje, te procesi ligjvënës, dhe pastaj te zbatimi e monitorimi”, shtoi ai.
Xhafaj nënvizoi se, “ky proces ishte një kontribut tjetër me vlerë edhe në një aspekt tjetër me rëndësi lidhur me integrimin dhe imazhin e vendit. Një dëshmi e rritjes së vendit e institucioneve të tij edhe në një këndvështrim tjetër duke provuar se tashmë ne kemi kapacitetet për të ndërmarrë hapa të tilla, që vende të ngjashme me ne nuk kanë pasur kurajën t’i ndërmarrin”.
“Ne hartuam dhe miratuam një analizë, një Dokument Analitik prej rreth 700 faqesh, i pari dokument i këtij lloji që mban autorësinë e ekspertizës shqiptare. Analiza bën një skanim të situatës aktuale në 3 fushat, mbështetur në raportet përkatëse zyrtare të viteve të fundit, vendase dhe ndërkombëtare dhe kryesisht në gjetjet, vlerësimet, problematikat dhe rekomandimet e Raporteve të BE dhe dokumenteve ku shteti shqiptar ka shprehur angazhimet e tij në kuadër të procesit të integrimit”, shtoi Xhafaj.
“Plani Kombëtar i Veprimit përbën një tjetër vlerë dhe risi të këtij procesi. Ai është një dokument unik i këtij lloji në veprimtarinë e Kuvendit të Shqipërisë gjatë këtyre dekadave të demokracisë parlamentare në vendin tonë”, theksoi ai.
“Ky proces nuk mund të konsiderohej i plotë, pa realizimin e një procesi intensiv të konsultimit publik për të gjitha fazat e hartimit të dy dokumenteve”, tha Xhafaj, teksa përmendi 11 tryeza debati dhe diskutimi, 8 forume dialogu qytetar; 2 konferenca të nivelit të lartë për prezantimin e Analizës dhe Planit Kombëtar të Veprimit etj.
Përgjatë këtyre 14 muajve, tha më tej Xhafaj, komisioni ka përmbyllur dy fazat e para të tij dhe i ka dorëzuar Kuvendit dy dokumente parlamentare bazë: Dokumenti Analitik dhe Plani Kombëtar i Veprimit. Ai shpjegoi përmbajtjen e këtyre dokumenteve.
“Dokumenti Analitik për të tre fushat; Mirëqeverisja, Antikorrupsioni dhe Sundimi i Ligjit, është një dokument me 709 faqe dhe trajton të gjitha aspektet në 18 kapituj. Struktura e analizës është e organizuar në mënyrë të tillë që për çdo çështje të ofrohet një pasqyrë e situatës aktuale, duke shqyrtuar masat ligjore dhe institucionale të zbatuara. Për përgatitjen e kësaj analize, Ekspertët e Nivelit të Lartë kanë skanuar dhe analizuar mbi 15.000 faqe dokumente, analiza e raporte të ndryshme. Plani Kombëtar i Veprimit është një dokument që përcakton masa konkrete, horizontale dhe sektoriale, të cilat synojnë përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive të Kuvendit, në kuadër të procesit të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë BE. Plani kombëtar i veprimit përmban 56 fusha tematike të cilat adresojnë çështjet kryesore me 238 masa konkrete, nga të cilat 78 janë nisma ligjore dhe 160 masa institucionale. Këto janë dy dokumente të rëndësishëm parlamentar, produkt i punës së komisionit. Ndërkohë që kemi hapur rrugën edhe për zbatimin e masave ligjore dhe institucionale të parashikuara në Planin Kombëtar të Veprimit. Ashtu siç bëmë jo më larg se dje në diskutimin dhe konsultimin publik të dy projektligjeve si masa institucionale të propozuara në Planin Kombëtar të veprimit të shtyllës antikorrupsion dhe siç do bëjmë me procesin që pason. Dokumenti Analitik dhe Plani Kombëtar i Veprimit të miratuar e të publikuar në faqen e komisionit, përbëjnë dokumente parlamentare me rëndësi dhe janë pjesë e përgjegjësive dhe angazhimit të strukturave të Kuvendit në fushat respektive”, tha Xhafaj.
Sa i përket të ardhmes së veprimtarisë së Komisionit të Posaçëm, Fatmir Xhafaj tha se, bazuar edhe në diskutimet e deritanishme, mbështetur në Rezolutën e Kuvendit, por edhe në masat e propozuara në Planin Kombëtar të Veprimit, është e nevojshme që një Komision ose një nënkomision parlamentar i përhershëm ose një strukturë në nivel institucional që do gjykohet nga Parlamenti, të vijojë veprimtarinë e tij.
“Kjo për të vijuar me fazën e tretë të hartimit dhe miratimit të projektligjeve të identifikuara si masa nga Plani Kombëtar i Veprimit si pjesë e listës prioritare të ligjeve ashtu si dhe me vijimin e punës për realizimin e detyrës për kapitullin “III.3 – Konsolidimi i reformës në drejtësi”. Dokumenti analitik e veçanërisht Plani Kombëtar i Veprimit bashkëngjitur janë dokumente parlamentare me vlera të shumanshme, efekti shumë pozitiv i të cilave do të përcaktohet nga shkalla e angazhimit për zbatimin e tij nga Kuvendi dhe strukturat e tij në legjislaturën e ardhshme 2025 – 2029 në funksion të ambicies sonë legjitime, Shqipëria 2030 në BE”, tha Xhafaj teksa në përfundim falënderoi kolegët deputetë pjesëmarrës në këtë komision, Grupin e Ekspertëve të Nivelit të Lartë, Sekretariatin Teknik, stafin e Kuvendit dhe të gjithë aktorët që kanë marrë pjesë aktivisht në proceset e konsultimit dhe diskutimit, vendas dhe ndërkombëtar, përfaqësues të institucioneve publike, institucioneve të pavarura, shoqërisë civile, botën akademike, komuniteti i biznesit, qytetarë, që janë angazhuar në këtë proces dhe natyrisht gazetarët e lirë të medias që kanë përcjellë mbledhjet dhe janë përpjekur të pasqyrojnë me realizëm punën që është bërë”.
/gj.m/j.p/
The post Xhafaj dorëzon në Kuvend dy dokumentet e Komisionit Antikorrupsion: Plan kombëtar veprimi që i shërben dhe negociatave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.