Në Mitrovicë hapet akademia ‘International Piano Balkan Academy’, thirren për aplikim artistët e rinj

Për herë të parë në Kosovë, një shtëpi me famë botërore në fushën e muzikës klasike, që realizon regjistrime CD dhe albume për artistë të njohur ndërkombëtarisht, po vjen për të kontribuar në Kosovë përmes International Piano Balkan Academy, e cila është hapur në Mitrovicë.
IPBA në Kosovë është hapur nga pianistja Melisa Ibrahimi, ku president dhe drejtor artistik ështe profesori me famë botërore Giuseppe Devastato.
Kjo akademi ka për qëllim të mbështesë pianistët e rinj nga Kosova dhe Ballkani, duke u ofruar mundësi për të zhvilluar karrierën e tyre përmes koncerteve, regjistrimeve profesionale, përgatitjes për gara ndërkombëtare dhe bursave për studime jashtë vendit.
Një mundësi e tillë nuk ka ndodhur më parë në Kosovë apo në rajon, dhe aplikimet janë hapur për vitin akademik që nis nga shtatori deri në qershor.
Gjatë këtij viti, studentët do të përfitojnë:
• Koncerte Recitale në Evropë
• Regjistrim profesional të një albumi CD me KNS Classical
• Bursa për studime ndërkombëtare në Evropë
• Përgatitje intensive për gara pianistike të nivelit të lartë Profesor i akademisë është Giuseppe Devastato, pianist i njohur botërisht, anëtar jurie në konkurse prestigjioze ndërkombëtare dhe pedagog në tri universitete në Spanjë dhe Itali./ KultPlus.com
