Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 24 August 2025Main stream

Garda Kombëtare në Chicago/ Demokratët kritika Trump: Veprim i pakoordinuar

24 August 2025 at 14:57

Guvernatori demokrat i Illinois, JB Pritzker e ka quajtur “abuzim me pushtetit” planin e presidentit amerikan Donald Trump për të dërguar trupa të Gardës Kombëtare në Çikago. Në një deklaratë zyrtare, Pritzker tha se “nuk ka asnjë emergjencë që justifikon praninë e Gardës Kombëtare në Illinois” dhe se presidenti “po përpiqet të sajojë një krizë”.

Trump ka vendosur tashmë rreth 2,000 trupa në Uashington DC, qytet i drejtuar nga demokratët, duke e paraqitur operacionin si pjesë të një “goditjeje kundër krimit” në qytetet amerikane. Ai paralajmëroi se e njëjta politikë mund të shtrihet edhe në Çikago dhe Nju Jork.

Kryetari i bashkisë së Çikagos, Brandon Johnson, reagoi duke thënë se nuk ka marrë asnjë njoftim për vendosjen e trupave në qytet. Sipas tij, ky veprim është “i pa koordinuar, i panevojshëm dhe i pasigurt”, që mund të rrisë tensionet mes qytetarëve dhe forcave të rendit.

Ndërkohë, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka urdhëruar që trupat e Gardës Kombëtare në Uashington të jenë të armatosur, ndryshe nga udhëzimi fillestar i Pentagonit që e ndalonte mbajtjen e armëve.

Sipas mediave amerikane, deri në 1,700 pjesëtarë të Gardës Kombëtare pritet të mobilizohen në 19 shtete, me Teksasin që do të ketë numrin më të madh të trupave. Ata do të ndihmojnë Agjencinë e Emigracionit dhe Doganave (ICE) dhe do të shërbejnë si prani parandaluese.

Presidenti Trump e ka quajtur operacionin në kryeqytet një sukses, duke pohuar se Uashingtoni “tani është i sigurt” dhe nuk përjashtoi mundësinë e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme për të mbajtur trupat përtej afatit 30-ditor.

Megjithatë, një sondazh i Washington Post tregon se rreth 80% e banorëve të Uashingtonit janë kundër vendosjes së trupave federale dhe Gardës Kombëtare në qytet.

 

Ukraina godet rafinerinë ruse në bregdetin e Baltikut

24 August 2025 at 14:44

Një rafineri nafte në portin rus të Ust-Luga-s në Detin Baltik është përfshirë nga flakët pas një sulmi ukrainas me dron, tha sot guvernatori rajonal.

“Dhjetë dronë u rrëzuan mbi port”, shkroi guvernatori i rajonit të Leningradit, Alexander Drozdenko, në Telegram.

“Mbetjet e një mjeti ajror pa pilot shkaktuan një zjarr në terminalin Novatek”, shkroi ai, duke shtuar se shërbimet e zjarrfikësve dhe të mbrojtjes civile ishin të angazhuara në përpjekjet për shuarjen e zjarreve.

Novatek, një kompani prodhuese nafte dhe gazi – e lidhur me Kremlinin, ka në funksion një strukturë shumëmiliardëshe për prodhimin e gazit natyror të lëngshëm (LNG) në Gadishullin Arktik Yamal.

Terminali në Ust-Luga shndërron gazin e lëngshëm në produkte nafte si benzina ose vajguri, të cilat më pas eksportohen pjesërisht përmes Detit Baltik.

Megjithatë, Rusia gjithashtu ka nevojë për karburant aviacioni për të zhvilluar luftën e saj në Ukrainë.

Për këtë arsye, terminali në Detin Baltik është sulmuar edhe më parë.

Dhuna gjatë protestave në Serbi, si po reagon BE-ja?

24 August 2025 at 14:31

Situata në Serbi është e tensionuar: Çdo ditë ka raportime të reja për dhunë policore kundër demonstruesve, arrestime dhe akuza se qeveria e vendit të Ballkanit Perëndimor po punëson banda kriminale kundër popullsisë së vet civile.

Që kur një tendë stacioni treni u shemb në qytetin verior serb të Novi Sadit në nëntor 2024, duke vrarë 16 persona, protestat kundër qeverisë serbe kanë vazhduar të pandërprera. Demonstratat ishin paqësore për një kohë të gjatë – por ditët e fundit, dhuna është përshkallëzuar në rrugët e kryeqytetit, Beograd, dhe qyteteve të tjera. Presidenti populist i krahut të djathtë i vendit, Aleksandar Vuçiç tani dëshiron të veprojë edhe më ashpër ndaj protestuesve.

Si po reagon Brukseli ndaj përshkallëzimeve të fundit në vendin kandidat për në BE?

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Serbi, Andreas von Beckerath, bëri thirrje në një deklaratë “të gjitha palëve për të ulur tensionet“.  Çdo dyshim për përdorim të ekzagjeruar të forcës nga policia duhet të hetohet siç duhet.

I pyetur nga DW, Komisioni Evropian tha se po e monitoron nga afër situatën në Serbi. Qëndrimi i KE është i qartë: “E drejta për demonstrata paqësore dhe liria e tubimit duhet të respektohen dhe autoritetet duhet t’i mbrojnë pjesëmarrësit në tubime nga dëmtimet ose dhuna”, tha Guillaume Mercier, një zëdhënës i Komisionit. Megjithatë, këto deklarata nuk mjaftojnë për shumë politikanë dhe vëzhgues. Për muaj të tërë, ata kanë bërë thirrje për një qëndrim më të ashpër kundër qeverisë serbe dhe Presidentit Vuçiç.

Eurodeputeti Tonino Picula duke folur në Parlamentin Europian
Eurodeputeti Tonino Picula e ka kritikuar Brukselin për mosmiratimin e një qëndrimi më të unifikuar dhe kritik ndaj SerbisëFotografi: Dwi Anoraganingrum/Geisler-Fotopress/picture alliance

Kritika nga Parlamenti Europian

Një nga kritikët është eurodeputeti Tonino Picula. Si raportues për Serbinë në Parlamentin Evropian, ai i kushton shumë kohë vendit. Socialdemokrati kroat e kritikoi Brukselin të mërkurën, duke folur për stacionin televiziv N1 që mbulon të gjithë Ballkanin Perëndimor, për mosmiratimin e një qëndrimi më të unifikuar dhe kritik ndaj Serbisë. “BE-ja aktualisht nuk ka as motivimin dhe as kapacitetet për të vepruar ndryshe ndaj regjimit të Aleksandar Vuçiç.  Ndryshe nga Ukraina, uniteti i nevojshëm për të ushtruar presion mungon këtu”, tha Picula.

Këtu mund të luajnë rol gjithashtu interesat strategjike si të Brukselit ashtu edhe të Beogradit: Në vitin 2024, BE nënshkroi një marrëveshje me Serbinë, duke siguruar akses në litiumin serb. Për më tepër, Serbia ka shfrytëzuar me mjeshtëri marrëdhëniet e saj miqësore me Rusinë, thotë Antigona Imeri e Qendrës për Studime të Politikave Evropiane, një grup ekspertësh me seli në Bruksel. Duke pasur frikë nga një afrim me regjimin e presidentit të hershëm rus Vladimir Putin, Evropa ka qenë shumë e butë: “Kjo strategji zbutjeje e BE ka dështuar, ajo tani duhet të përdorë urgjentisht një ton ndryshe.”

Vetëm 40% për BE

Por edhe pas përshkallëzimit të fundit të dhunës, BE-ja vazhdon të veprojë me metodën “punohet si zakonisht” me Serbinë dhe dështoi ta bënte në mënyrë të qartë qeverinë përgjegjëse. “Kjo është e kuptueshme nga një perspektivë gjeopolitike, por bëhet problematike nëse krijon përshtypjen se shkon në kurriz të vlerave themelore të Unionit”, tha Imeri.

Përshtypja që krijohet minon besimin e shumë njerëzve në BE – dhe besimi në Serbi është tashmë relativisht i dobët: Në një sondazh të pranverës 2025 të kryer nga Instituti Ndërkombëtar Republikan, vetëm 40 përqind e të anketuarve thanë se do të votonin për pranimin e vendit të tyre në BE. Ndërkohë, më shumë se gjysma thonë se nuk besojnë më se BE është seriozisht e interesuar që shtetet e Ballkanit Perëndimor të bashkohen.

Ursula von der Leyen dhe Aleksandar Vuçiç shtrëngojnë duart në Beograd
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në Beograd më 25 tetor 2024Fotografi: Darko Vojinovic/AP Photo/picture alliance

BE partnerja më e rëndësishme ekonomike e Serbisë

Jo të gjithë ekspertët e konsiderojnë problematike strategjinë e Brukselit ndaj Beogradit: “Mendoj se është shumë herët për të vlerësuar qëndrimin e BE-së për këtë çështje”, thotë Nina Vujanoviç nga organizata kërkimore Bruegel me seli në Bruksel. BE-ja ka sinjalizuar se po e monitoron situatën dhe duhet të vazhdojë ta bëjë këtë.

Në vend që të ushtrojë presion, Brukseli duhet të përqendrohet në stimujt ekonomikë – atëherë rreziku i largimit të Serbisë tek Rusia do të ishte i ulët: “Serbia ka një interes shumë më të madh ekonomik në zbatimin e reformave të BE-së sesa në afrimin me Rusinë”, sipas Vujanoviç. Vendi ka qenë prej kohësh i lidhur ngushtë ekonomikisht me BE-në: Mbi 60 përqind e eksporteve serbe shkojnë në BE dhe mbi 60 përqind e investimeve të huaja direkte në Serbi vijnë prej andej.

Me mjete ekonomike sigurisht që mund të ushtrohet presion ndaj Vuçiçit dhe regjimit të tij: BE-ja i ka premtuar Serbisë një shumë marramendëse prej 1.6 miliardë eurosh deri në vitin 2027 – por këto fonde janë të lidhura me zbatimin e reformave. “BE-ja mund t’i shkurtojë këto fonde ose të vonojë ndarjen e tyre nëse përcakton se një vend nuk po i përmbush detyrimet e tij”, shpjegon Vujanoviç.

Presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti serb serb Aleksandar Vuçiç takohen në Moskë
Presidenti rus Vladimir Putin (majtas) me homologun e tij serb Aleksandar Vuçiç në Moskë më 9 maj 2025Fotografi: Alexander Zemlianichenko/AP Photo/picture alliance

Deri më tani, Serbia, e cila ka qenë kandidate për anëtarësim në BE që nga viti 2012, duket se është larg zbatimit të reformave të nevojshme për anëtarësimin në BE. Një raport i BE-së mbi sundimin e ligjit në Serbi, i botuar në korrik, zbuloi, ndër të tjera, se vazhdon të ushtrohet presion i fortë politik mbi gjyqësorin dhe shoqatat e shoqërisë civile. Ka shqetësime në rritje për sigurinë e gazetarëve në Serbi.

Pikërisht kundër kësaj gjendjeje, kanë dalë në rrugë për muaj të tërë studentët dhe shumë qytetarë të tjerë të vendit – pavarësisht rrezikut të arrestimit ose lëndimit nga policia. Nëse dhuna gjatë protestave vazhdon, BE-ja mund të vihet nën presion në rritje për të marrë një qëndrim më të qartë ndaj Beogradit./ DW

Fluks peshuesish në Velipojë, vlerësojnë hapësirat publike dhe çmimet e përballueshme

24 August 2025 at 14:13

Edhe pse jemi në javën e fundit të muajit gusht shumë qytetarë kanë zgjedhur të shijojnë bregdetin e Velipojës. Hapësira e gjerë publike dhe pastërtia e plazhit vlerësohen si dy nga arsyet kryesore pse turistët e zgjedhin Velipojën për të kaluar pushimet.

Qytetarët  thonë se në krahasim me disa vite më parë vërehet një përmirësim i shërbimeve të  ofruara .Ndërsa mikpritja e zonës e forcon më tej imazhin e Velipojës si një destinacion turistik në rritje.

Shtimi i plazheve publike dhe menaxhimi më i mirë i hapësirës bregdetare edhe këtë vit kanë sjellë rritje të numrit të pushuesve që frekuentojnë këtë plazh.

Me një shtrirje prej mbi 14 km, plazhi i Velipojës mbetet ndër më të preferuarit për vizitorët vendas dhe të huaj, në të gjitha stinët./abcnews.al

 

Pjesë e një grupi kriminal/ Pranga 19-vjeçarit në Fier, pritet ekstradimi drejt Italisë

24 August 2025 at 13:47

FIER- Finalizohet një tjetër operacion nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh, për kapjen e shtetasve në kërkim. Operacioni policor i koduar “Operacionalja 59”, vë në pranga një tjetër të kërkuar nga autoritetet italiane.

Kapet në Fier, një 19-vjeçar i akuzuar në Itali, për pjesëmarrje në organizatë kriminale që trafikonte lëndë narkotike.

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, strukturat e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh finalizuan operacionin e radhës, të koduar “Operacionalja 59”.

Gjatë këtij operacioni, u kap në Fier dhe u arrestua me qëllim ekstradimin në Itali, 19 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Cukalat, Berat.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Riminit i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për pjesëmarrje në organizatë kriminale që trafikonte lëndë narkotike. Maksimumi i dënimit është 10 vjet burgim.

Interpol Tirana vijon procedurat, në bashkëpunim me autoritetet italiane, për ekstradimin e këtij shtetasi.

Shpërthen bombola e gazit/ Elbasan, digjet magazina, vetëm dëme materiale

24 August 2025 at 13:35

ELBASAN– Një bombul gazi ka marrë flakë në një objekt që përdorej si magazinë në qëndër të Elbasanit.

Flakët janë përhapur në brendësi të godinës por menjëherë punonjësit e zjarrëfikëses kanë ndërhyrë duke vënë nën kontroll situatën.Nga zjarri I rënë ka pasur vetëm dëme materiale dhe fatmirësisht nuk ka pasur  dëme në njerëz.

Magazina ndodhej në një zonë të banuar por ndërhyrja e zjarrfikësve nuk ka lejuar që të përhapet në godinat aty pranë.

Vrau gruan, nuk pendohet/ Greqi, Pandeli Nakoleci paraqitet në prokurori, hesht para mediave

24 August 2025 at 13:23

I heshtur, me kokën Ulur dhe pa asnjë koment për Gazetarët . Ky është momenti kur Pandeli Nakoleci, 40 vjecari shqiptar që vrau bashkëshorten e tij në Volos të Greqisë u paraqit këtë të diel në Prokurori.

Autori I krimit makabër nuk zgjodhi ti përgjigjej pyetjes “Pse e bëre ?” të gazetarëve duke ruajtur kështu heshtjen. Mediat greke raportuan se 40 vjecari nuk kishte treguar shenja pendese për krimin e kryer  sipas dëshmive të tij të para përballë hetuesve, ndersa kishte pretenduar se motiv I krimit kishte qene tradhtia nga 36 vjecarja.

Pandeli Nakoleci u arrestua të shtunën, 24 orë pasi kreu krimin e rëndë në një parking në qendër të Volosit, rreth 200 metra larg shtëpisë ku jetonte me bashkëshorten dhe fëmijët e tyre.

40-vjecari Pandeli Nakoleci  i cili vrau në mënyrë makabre bashkëshorten e tij në sytë e fëmijëve të tyre të mitur njihej si përdorues i lëndëve Narkotike dhe familjare te tij kane treguar për ABC News se ai kishte pasur probleme te shëndetit mendor.

Çifti kishte pasur shumë debate kohët e fundit, ndërsa autori 40-vjeçar qershorin e kaluar me urdhër të prokurorit, u dërgua në një klinikë për ekzaminim psikiatrik, pasi tentoi vetëvrasje.

Pandeli Koleci ishte arrestuar dy herë më parë për posedim droge në vitin 2019, ndërsa në vitin 2018 ai u dënua me një vit burg për dëshmi të rreme. Në vitin 2020 ai u dënua me 4 vjet burg për pjesëmarrje në një organizatë kriminale dhe trafik droge. Më herët, në vitin 2013, ai u arrestua për falsifikim dhe hyrje të paligjshme në shtetin fqinj.

Bie Milan i Tares/ Disfatë e hidhur në nisje të sezonit të kampionatit italian

24 August 2025 at 13:19

Është vërtet fillimi, por një fillim dëshpërues. Tifozëve të Milanit iu shfaqën sërish “fantazmat” e vitit të kaluar, ndërsa skuadra e tyre dështoi që në startin e Serisë A.

Kremoneze arriti një fitore të papritur në “San Siro”, një përfundim që nuk besohej kur përballë ishte një gjigand I Italisë dhe një ekip I sapongjitur në elitë.

Për më tepër, miqtë ishin vazhdimisht në epërsi, duke shënuar fillimisht me anë të Federiko Baskirotos, e duke marrë përsëri avantazhin falë eurogolit të Federikos tjetër, Bonacolit.

Skuadra kuqezi, e drejtuar nga një trajner ekspert, edhe pse konservator si Masimiliano Alegri, padyshim që pati epërsi, duke bërë 24 gjuajtje ndaj vetëm 4 të miqve, por saktësia nuk ishte aspak në “San Siro”.

Vetëm gjashtë gjuajtje gjetën kuadratin, dhe 64 për qind mbajtje topi nuk dhanë rezultat, as kornet 9-2.

Goli I vetëm u shënua nga mbrojtësi serb, Pavlovic në fund të pjesës së parë, ndërsa Milani u duk se nuk pati sulm për të realizuar më shumë.

Mungesa e Leaos së dëmtuar ishte një minus, ndonëse ky nuk mund të jetë një justifikim për një skuadër të tillë.

“La Gazeta delo Sport” komenton: Milani nuk ekziston! Goditje e Kremonezes në “San Siro”! Alegri: Nuk mund të pësohen gola të tillë!”

“Il Korriere delo Sport” ia jep vendin kryesor Napolit që e nisi me fitore Serinë A, ndërsa për Milanin shkruan se është në errësirë pas eurogolit të Bonacolit!

Luka Modriç debutoi si titullar dhe ishte ndër më të mirët në fushë, ndërsa shqiptari I Zvicrës Ardon Jashari gjithashtu debutoi, veçse si zëvendësues në 74’.

Të shohim nëse investimet e klubit, nën udhëheqjen e Igli Tares, do të japin rezultat më vonë, duke nisur nga ndeshja në Leçe të premten e ardhshme.

Tre gola shqiptarë nëpër botë/ Uzuni, Seferi dhe Ajeti realizojnë në SHBA dhe Turqi

24 August 2025 at 13:16

Nga një cep i botës në tjetrin. Futbollistët shqiptarë e treguan veten edhe këtë herë, të paktën disa prej tyre, ndonëse jo që të gjithë festuan në fund.

Heroi tragjik ishte Myrto Uzuni pasi sulmuesi kuqezi bëri një paraqitje të madhe në ligën profesioniste të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të pësuar humbjen 2-3.

Uzuni ishte autor i golit të barazimit të përkohshëm 1-1 në minutën e 39-të, në duelin që skuadra e tij Ostin, e luajti në Montreal. Kanadezët ishin disi më lart dhe morën epërsinë 3-1, ndonëse ylli i kombëtares nuk u dorëzua.

Në 77’, ai shërbeu pasimin për golin e shënuar nga shoku I ekipit, Volf. Shqiptari ka 3 gola e 2 asistë në 21 ndeshje, ende pak për nivelin e tij. Në Ligën e Parë të Turqisë lojtarët tanë ishin më të lumtur.

Dy lojtarët e kombëtares, Arlind Ajeti dhe Taulant Seferi shënuan gola dhe fituan ndeshjen. Bodrumspor mundi 3-1 rivalin Sakariaspor, edhe pse pësoi gol që në fillim.

Dhe pse fillimisht kaluan në avantazh miqtë e Sakariaspor, Bodrumspor vendosi baraspeshën në pjesën e parë. Në të dytën ishin Ajeti dhe Seferi që morën skenën. Fillimisht Ajeti në minutën e 60-të dhe më pas Seferi, vulosën fitorën për javën e tretë të Ligës së Parë.

Broja kthehet të martën/ Trajneri Parker jep lajmin e mirë për sulmuesin shqiptar

24 August 2025 at 13:11

Mezi pret që të vendosë këmbën në fushë. Armando Broja ende nuk është aktivizuar tek Bërnli në Angli, ndonëse trajneri i tij, Skot Parker, jep një afat për rikthimin, dhe nuk flitet për tepër larg.

Tekniku anglez deklaroi pas fitores 2-0 që skuadra e tij arriti në Premier Ligë ndaj Sandërlendit, se sulmuesi shqiptar është vetëm fare pak prapa formës së shokëve të tij, dhe se ai mund të ketë minuta që në ndeshjen e radhës.

Bërnli do të luajë këtë të martë në fushën e vet ndaj Derbi Kauntit në Kupën e Ligës, apo siç njihet zyrtarisht në Angli, Kupa Karabao.

Parker theksoi se nuk dëshiron të ndërmarrë asnjë rrezik me Brojën, padyshim duke pasur parasysh problemet e mëdha fizike që ka pasur sulmuesi 23-vjeçar në dy vitet e fundit.

Broja, që luajti sezonin e kaluar I huazuar tek Evertoni, realizoi transferimin e shpresuar, dhe Çelsi arriti qëllimin që kishte.

Bërnli e mori yllin kuqezi për 23 milionë euro, diçka më pak sesa 30 milionë që Blutë e Londrës kërkonin fillimisht, por gati dyfishin e vlerës që kartoni I tij ka në tregun e futbollit.

Barça, kampione e përmbysjeve/ Katalanasit fituan sërish një ndeshje të çmendur në Levante

24 August 2025 at 13:09

Ndoshta ende nuk kanë nxjerrë mësime. Yjet e Barcelonës janë të tillë “alienë” që arrijnë të fitojnë edhe në buzë të greminës, veçse suksese si ato në Levante të japin ndjenja të përziera.

Suksesi I madh 3-2, pas humbjes 0-2 në pjesën e parë, tregoi karakterin e hekurt të skuadrës së ndërtuar nga trajneri Hansi Flik, por edhe zgjoi kujtimet e eliminimit të papritur nga Championsi vjet përballë Interit.

Gjithsesi, le ta quajmë këtë Barçë “mbretëreshë të përmbysjeve”, ndërsa kampionia e Spanjës mbetet në vendin e parë në La Liga pas dy javësh, me dy fitore.

Levante arriti epërsinë e dyfishte falë lojës së rrufeshme, gabimeve të miqve, dhe një penalltie që ishte e dyshimtë, por që edhe mund të jepej.

Romero e Morales shënuan golat, por reagimi erdhi menjëherë pas pushimit.

Pedri në 48’ realizoi një supergol, ndërsa Ferran Torres barazoi katër minuta më pas. Barcelona padyshim që dominoi totalisht lojën, e nuk pritej ndryshe, e zotërimi I topit ishte në përmasa deri qesharake, 82 për qind.

Gjithsesi, fitorja erdhi me një autogol në minutën e parë shtesë, e trajneri Flik ishte I lehtësuar.

Sink Flik

“Ne e pamë se Levante di të luajë futboll. U mbrojtën shumë mirë dhe patën lojtarë të shpejtë në kundërsulme. Nuk ishte e lehtë të mbroheshim me gabimet që bëmë. Pas pushimit ne ishim më mirë, edhe pse krijuam raste edhe në pjesën e parë. Në pjesën e dytë ndryshim disi, por na ndihmuan golat e shpejtë që shënuam. Fituam besim para portës, ndonëse nuk ishte e lehtë të fitoheshin tri pikë këtu”.

Gazeta barceloniste “El Mundo Deportivo” është e lumtur me titullin: Të pashkatërrueshëm! Barça e Flikut përballoi problemet dhe arriti një fitore të paparë që nga viti 1962!”

Ja edhe e përditshmja tjetër nga Katalonja, “Sport”: Përmbysja e parë! Barça i mbijeton nisjes së keqe të ndeshjes dhe një penalltie me polemika për të fituar!” Katalanasit kryesojnë La Ligën me 6 pikë dhe cilësohen favoritë për të mbrojtur titullin.

Saranda, destinacion për të huajt/ Turistët: Shqipëria është një zbulim i mrekullueshëm

24 August 2025 at 12:57

Saranda është transformuar në një prej destinacioneve më të pëlqyera për të pushuar në Shqipëri nga turistët e huaj. Brigjet e kristalta të jugut të Shqipërisë, po kthehen gjithnjë e më shumë, në një destinacion të preferuar turistik për vizitore nga e gjithë bota.

Në Lukovë përveç turistëve shqiptarë, besnikë të fshatit turistik gjen edhe  pushues të huaj. Kryesisht gjerman e ukrainas te mahnitur nga natyra , ushqimi vendas dhe mikpritja e subjekteve të vogla ku familjet vendase presin pushuesit.

“Jam nga Gjermania, ne fakt po udhëtojmë neper bote dhe ndaluam këtu te shijojmë diellin dhe detin. Ky det është shume i bukur i madh dhe plot me hapësira publike.”

Maks nga Ukraina ka gjetur në Lukove, një vend për t’u rilidhur me natyrën dhe për të shijuar aktivitete që ofron deti. Ai ka zgjedhur të kalojë gjithë muajin në Lukovë dhe u sugjeron miqve të tij të vijnë aty, pasi plazhet aty janë një mrekulli që dora e njeriut mund t’i prekë me një buxhet fare minimal.

“Jam Maks, kam ardhur nga Ukraina, e gjeta Lukovën prej shokut tim i cili ka ardhur këtu me përpara dhe ka një biznes këtu. Po me pëlqen shume këtu, po relaksohem, po bëjmë xhiro me kajak në det.”

“Çmimet në përgjithësi janë dhe në varësi të vendit ku ulesh për të marrë shërbim, por janë të pranueshme. Mua me pëlqen këtu natyra, sepse me kujton vendin tim, dhe po jam i kënaqur këtu.”

“Kam marrë një apartament këtu dhe do të qëndroj gjithë muajin gusht. Kam marrë gjithë kohën time dhe po e shijoj këtu. Gjithë kohën po shpërndaj vendndodhjen dhe foto nga ky vend me miqtë e mi dhe po u sugjeroj atyre te vijnë këtu.”

Lukova që deri disa vite me parë  ishte e pamësuar me turiste të huaj, sot është destinacioni i tyre. Ky pushues nga Spanja ka mbërritur me familjen, për pushime dhe ndalesa e parë është fshati me bregdetin kristal.

“Është hera e parë që po vijmë në Shqipëri. Kemi ardhur të shohim një vend të ri, që po ndryshon shpejt, dhe që është ndryshe. Po shohim një vend që është duke ndërtuar, me një natyrë të mrekullueshme, dhe me plazhe mbresëlënëse dhe pse po shohim që në disa plazhe po ndodh ajo qe ndodhi edhe në Spanjë, duke bërë shumë hotele dhe ndërtime pranë detit, dhe kjo bën te humbi natyra dhe ajo që e bën Shqipërinë të jetë “ Shqipëria”. Kemi takuar njerëz të mrekullueshëm në Shqipëri, njerëz të dashur që shprehin gatishmëri të na e bëjnë jetën më të lehtë, na ka pëlqyer shumë ushqimi sidomos peshku, keni gastronomi të mrekullueshme. Kemi për të vizituar Beratin dhe Tiranën dhe shpresoj se do të kënaqemi po kaq shumë dhe andej”

Në një kohe kur turizmi shqiptar është në rritje, këto turistë të huaj dëshmojnë potencialin e madh turistik të vendit tonë, edhe disa kilometra larg qyteteve.

 

Më pak mjekë kërkojnë të largohen, ulen kërkesat për certifikata pune jashtë vendit

24 August 2025 at 12:36

SHQIPËRI– Bien kërkesat e mjekëve për t’u larguar nga Shqipëria.

Në 6 mujorin e parë të këtij viti, pranë “Urdhrit të Mjekut”, kanë mbërritur më pak kërkesa për tërheqjen e certifikatës së sjelljes së mirë, kriter bazë për punësim në klinika apo spitale të huaja.

Nëse vitin e kaluar në të njëjtën periudhë ka pasur 80 kërkesa për këtë dokument, këtë vit janë rreth 20 më pak.

“Gjatë këtij 6 mujori kanë kërkuar certifikatën e sjelljes së mirë 65 mjekë. Duke e krahasuar me 6 mujorin e vitit të kaluar shihet një rënie e lehtë e kërkesës për marrjen e kësaj certifikatë. Gjatë vitit 2024, në 6 mujorin e parë kanë qenë rreth 80 kërkesa, ndërsa në total kanë qenë 150 certifikata”.

Frenimin e mjekëve për të punuar jashtë vendit, Presidenti i Urdhrit të Mjekut, Dritan Trepça e lidh me përmirësimin e infrastrukturës në sistemin shëndetësor, si dhe me politikat e ndërmarra së fundmi nga qeveria për rritjen e pagave.

“Mendoj se përmirësimet që janë bërë në infrastrukturën shëndetësore, si dhe rritja e pagave, që u bë këtë vit në të gjithë sistemin shëndetësor”

Edhe, pse jo në shifra të kënaqshme, pozitive për Trepçan shihet fakti që ka mjek, të cilët po rikthehen për të kontribuar në sistemin tonë shëndetësor, pas një eksperience të fituar në vendet e BE-së./abcnews.al

EMRI/ Kultivonte kanabis në oborr të banesës, arrestohet 38-vjeçari në Kurbin

24 August 2025 at 12:12

KURBIN- Një 38-vjeçar nga Kurbini është arrestuar pasi ishte kultivuar 116 bimë narkotike në oborrin e banesës së tij, në fshatin Laç.

Anton Biba u kap në flagrancë duke u kujdesur për bimët narkotike. Bimët narkotike u asgjësuan me anë të djegies, përveç një pjese që u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Operacioni policor antikanabis “Koordinata” vijon në të gjithë territorin e vendit.

 

Rama publikon fotot: Plazh në Vjosë

24 August 2025 at 11:52

Brigjet e lumit Vjosë, zemra e Parkut Kombëtar, preferohet nga turistë vendas dhe të huaj. Kryeministri i vendit, Edi Rama, ka publikuar pamje nga turistë, të cilët po shijojnë natyrën buzë lumit të Vjosës.

“Plazh në Vjosë”, shkruan Rama.

Me rrjedhën e saj të lirë përmes kanioneve, pyjeve të dendur dhe fushave të gjelbra, Vjosa është cilësuar si lumi i fundit i egër në Europë.

Kjo veçori e bën atë një magnet për turistët që kërkojnë autenticitet, biodiversitet dhe aktivitete të qëndrueshme në natyrë.

Autoritetet shpresojnë që përmes promovimit dhe ruajtjes së Vjosës si Park Kombëtar, Shqipëria të kthehet në një destinacion model për ekoturizmin në Ballkan dhe më gjerë.

“Telenovela” vazhdon/ Nuk ka kuorum, Kuvendi i Kosovës nuk arrin të konstituohet

24 August 2025 at 11:39

KOSOVË– Telenovela vazhdon! Ka dështuar sërish seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje propozoi sërish Hekuran Muratin, por nuk arriti të marrë votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur në krye të Kuvendit.

Po ashtu dhe e propozuara e dytë e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, nuk mori besimin e deputetëve për t’u zgjedhur.

Edhe emri i tretë Dimal Basha, i propozuar nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosjes nuk mori votat e nevojshme.

Në këto kushte, kryesuesi i seancës Avni Dehari njoftoi se seanca e radhës do mbahet më 26 gusht, në orën 11:00./abcnews.al

 

Aksident në Fier/ Makina merr para kalimtarin, i lënduari në gjendje kritike për jetën

24 August 2025 at 11:21

FIER- Në kryqëzimin pranë shkollës së muzikës në Fier, një automjet tip “Land Rover”, i drejtuar nga një 17-vjeçar, ka përplasur një qytetar që po kalonte rrugën.

I plagosuri është dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal Fier në gjendje të rëndë dhe në rrezik për jetën.

Policia ka shoqëruar drejtuesin e mjetit dhe po punon për të zbardhur shkaqet e aksidentit./abcnews.al

Aksident me vdekje në Fier, drejtuesi i mjetit dyshohet se pësoi arrest kardiak

24 August 2025 at 10:53

Nje aksident rrugor ne fshatin Kallm i Vogël, ka shkaktuar vdekjen e nje 63-vjeçari.

Ngjarja ka ndodhur rreth ores 10:00 ne fshatin Kallm i Vogël ne rrugen kryesore te fshatit.

Viktimë eshte vete drejtuesi i mjetit i cili dyshohet se ka pesuar arrest kardiak duke humbur kontrollin e mjetit dhe duke perfunduar në një kanal pranë rrugës.

Policia ndodhet në vendngjarje dhe po punon për të zbardhur rrethanar e aksidentit.

Arrestohet në Belgjikë Shkëlqim Vokri, i dënuar për trafikim të 250 kilogramëve kokainë në Holandë

24 August 2025 at 10:30

Në Belgjikë është arrestuar 56-vjeçari Shkëlqim Vokri, i shpallur në kërkim dhe i dënuar në Holandë për trafikimin e një sasie prej  25o kilogramë lëndë narkotike, e llojit kokainë.

Ky shtetas rezultonte i shpallur në kërkim nga autoritetet e shtetit holandez, pasi, bazuar në urdhrin e arrestit europian dhe ndërkombëtar (EAW/IAW), duhet të vazhdojë vuajtjen e dënimit prej 686 ditësh burgim të mbetura, lidhur me veprën penale të “Shkeljes së aktit për drogat” (trafikim të lëndëve narkotike), të parashikuar nga Kodi Penal Holandez.

Ky operacion i suksesshëm u realizua falë shkëmbimit në kohë reale të informacionit të siguruar nga Fast Albania dhe bashkëpunimit operacional ndërmjet strukturave të FAST Albania, pranë Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale të Policisë së Shtetit, dhe partnerëve ndërkombëtarë, konkretisht me FAST Holandën dhe FAST Belgjikën.

Policia e Shtetit, nëpërmjet strukturave të saj të specializuara, thotë se mbetet e angazhuar maksimalisht në bashkëpunimin ndërkombëtar, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, me qëllim vënien e tyre përpara drejtësisë.

Studimi: Një mutacion i rrallë gjenetik mundëson imunitet të përgjithshëm ndaj viruseve

24 August 2025 at 10:19

Një studim i kohëve të fundit i botuar në revistën “Science Translational Medicine” zbuloi se rikrijimi i një mutacioni të rrallë gjenetik mund të mundësojë imunitet pothuajse të përgjithshëm ndaj viruseve.

Një mutacion i rrallë gjenetik, një mangësi në gjenin 15 të stimuluar nga interferoni (ISG15) që duket se i bën njerëzit pothuajse të paprekshëm ndaj viruseve, është rikrijuar në kafshë laboratorike, duke rritur shpresat se një ditë mund të përdoret si terapi.

Njerëzit me mungesë të ISG15 përjetojnë inflamacion të lehtë dhe të vazhdueshëm, por proteinat e tyre që luftojnë virusin mbeten vazhdimisht aktive. Pavarësisht ekspozimit ndaj infeksioneve të zakonshme si gripi, fruthi dhe variçela, ata raportojnë vetëm simptoma të lehta.

“Në thellësi të mendjes sime, vazhdoja të mendoja se nëse mund të prodhonim këtë lloj aktivizimi imunitar të lehtë tek njerëzit e tjerë, mund t’i mbronim ata nga pothuajse çdo virus”, tha imunologu i Universitetit të Kolumbias, Dusan Bogunovic, i cili e zbuloi për herë të parë fenomenin 13 vjet më parë.

Bogunovic dhe kolegët e tij kanë përdorur teknologji të ngjashme me vaksinat mRNA për të siguruar një mungesë të përkohshme të ISG15 te kafshët laboratorike.

Trupat e minjve dhe hamsterëve të cilëve iu nënshtrua trajtimit krijuan 10 proteina kyçe me efekte antivirale që bllokuan infeksionet në faza të shumëfishta.

Të infektuara më tej me SARS-CoV-2, proteinat e kafshëve të vaksinuara e kufizuan infeksionin, por nuk ndërhynë në pjesën tjetër të sistemit imunitar të kafshëve.

“Ne gjenerojmë vetëm një sasi të vogël të këtyre 10 proteinave, për një kohë shumë të shkurtër, dhe kjo çon në shumë më pak inflamacion sesa ajo që shohim te individët me mungesë të ISG15”, shpjegoi Bogunovic, duke nënvizuar se inflamacioni është “i mjaftueshëm” për të parandaluar sëmundjet virale.

Edhe pse efekti mbrojtës zgjati deri në katër ditë, ai potencialisht mund të ofrojë mbrojtje afatshkurtër për punonjësit e kujdesit shëndetësor përpara se të jenë në dispozicion vaksina specifike.

Teknika mund të forcojë përgjigjet ndaj pandemive të ardhshme si COVID-19 ose Gripi Spanjoll, por mbetet në fazën e testimit të hershëm me pengesa të mëdha në shpërndarjen e sigurt të mRNA-së aty ku është e nevojshme tek njerëzit.

❌
❌