‘Nuk do të ketë më kurrë një Ozzy tjetër’/ Yjet e muzikës i bëjnë homazh legjendës së rokut
Yjet e muzikës, fansat dhe ish-anëtarët e grupit i kanë bërë homazh Ozzy Osbourne, vokalistit të grupit të heavy metal, Black Sabbath, i cili ndërroi jetë një ditë më parë në moshën 76 vjeç.
Black Sabbath “kemi humbur vëllain tonë”, tha bashkëthemeluesi i grupit Tony Iommi, ndërsa basisti Geezer Butler kujtoi koncertin e tyre të fundit dhe bateristi Bill Ward ndau një foto të vjetër të tyre së bashku.
Vdekja e ikonës së muzikës të martën erdhi më pak se tre javë pasi grupi i tij luajti koncertin e lamtumirës në qytetin e tij të lindjes, Birmingham.
“Ai e donte atë që bënte, ai e donte muzikën, ai e donte të luante së bashku dhe jam shumë i lumtur që patëm mundësinë të mblidheshim përsëri për të bërë shfaqjen e lamtumirës”, tha Iommi për programin Today të BBC Radio 4, të mërkurën.
“Ishte fantastike të isha përsëri me të gjithë djemtë, dhe atmosfera, dhe ishte fantastike për Ozzy-n sepse ai me të vërtetë donte ta bënte këtë, ai u ndie si në shtëpi atje dhe ishte mirë për të gjithë ne.”
Osbourne, i njohur për shfaqjet live energjike dhe kontraverse, frymëzoi një brez muzikantësh.
“Është e pamundur të shprehet me fjalë se çfarë ka nënkuptuar Ozzy Osbourne për Metallica-n,” tha grupi në një deklaratë në X. “Hero, ikonë, pionier, frymëzim, mentor dhe, mbi të gjitha, mik janë disa fjalë që më vijnë në mendje.”
Henry Rollins, ish-frontman i grupit hardcore Black Flag, tha se ishte “e rrallë që dikush të jetë kaq sinonim” me një zhanër specifik muzikor.
“Por nëse doni të flisni për heavy metal, së pari është Ozzy Osbourne dhe Black Sabbath. Të gjithë të tjerët vijnë pas.”
Grupi amerikan i rokut Aerosmith e quajti atë “vëllai ynë në rock”.
Shokët e Osbourne në Black Sabbath shprehën homazhe të ndara në mediat sociale.
Bateristi Bill Ward kujtoi kohën e tyre së bashku dhe shkroi: “Ku do të të gjej tani? Në kujtime, në përqafimet tona të pathënë, në telefonatat tona të humbura? Jo, je përgjithmonë në zemrën time.”
Basisti dhe tekstshkruesi Geezer Butler shkroi: “Mirupafshim mik i dashur. Faleminderit për të gjitha ato vite – u argëtuam shumë. Katër fëmijë nga Aston – kush do ta kishte menduar, apo jo?”
Më 5 korrik, i vetëshpalluri “princ i errësirës” performoi në Birmingham i mbështetur nga shumë muzikantë që ai kishte frymëzuar, përfshirë Metallica dhe Guns N’ Roses./abcnews.al