Zhavorri i festivalit Keinemusik, te Parku i Liqenit, hiqet dy muaj me vonesë
Dy muaj e gjysmë pas festivalit “Keinemusik”, zona jugore e Parkut të Liqenit Artificial në Tiranë po pastrohet nga zhavorri.
Rreth 1.7 ha tokë u mbushën me inerte nga kompani të kontraktuara nga artisti Rigels Rajku – njohur me nofkën Noizy, – i cili ishte organizator i festivalit të 31 majit.
Sipas lejes së bashkisë, pastrimi duhej të ishte mbyllur më 8 qershor, por realisht nisi fundjavën e shkuar. Zyrtarisht nuk ka një afat për rikthimin e zonës në gjendjen e mëparshme teksa mjedisorët dhe aktivistët e shoqërisë civile kanë shprehur shqetësimin për keqmenaxhimin e kësaj zone të gjelbër të qytetit.
Qytetarë raportuan për makineri të rënda që po lëviznin gjatë fundjavës në zonën e parkut pranë “Unazës së Madhe”. Citizens ishte në terren nga ku dëshmoi për praninë e një ekskavatori privat, i cili nuk mbante logo të bashkisë apo Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit (APR).
Punonjësi nuk pranoi të tregonte emrin e kompanisë. Ai tha se kishte tre ditë që ishte angazhuar për të lëvizur inertet, sipas një udhëzimi nga një inxhinier, të cilin tha se e kishte parë vetëm një ditë në zonë.
Udhëzimi ishte që të gërmonte deri në shtresën e fundit të zhavorrit. Ai tha se nuk kishte dijeni se ku do të dërgoheshin inertet.
Heqja e zhavorrit u konfirmua edhe nga APR, e cila i tha Citizens.al se po i vëzhgonte punimet. Për këtë ajo nisi dy foto me email. Megjithatë APR nuk tha se kush ishte kompania private që po punonte me makineri të rënda brenda parkut, apo se ku do të vendosen inertet.
Citizens.al raportoi në qershor për vonesat në pastrimin e zonës. Rasti ngjalli debate mbi mënyrën e menaxhimit të hapësirave publike nga aktivitetet private si dhe faktit se Parku i Madh i Liqenit Artificial nuk mbrohet me ligj me një status të caktuar mjedisor.
Lexoni gjithashtu:
- Liqeni i Tiranës, një park i pambrojtur me ligj që po rrethohet nga ndërtimet
- Një muaj nga festivali Keinemusik, ende zhavorr në Parkun e Liqenit
The post Zhavorri i festivalit Keinemusik, te Parku i Liqenit, hiqet dy muaj me vonesë appeared first on Citizens.al.