Përdornin preparate të skaduara në klinikë/ Arrestohen dy dentistët në Tiranë, procedohen 12 të tjerë (EMRAT)
Ditën e sotme, Policia e Shtetit, ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Siguria Dentare”, të zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë, me qëllim garantimin e sigurisë së pacientëve në klinikat dentare.
Gjatë kontrolleve në një klinikë dentare në Rrugën e Kavajës, policia zbuloi një sasi të konsiderueshme preparatesh dhe materialesh dentare të skaduara, të cilat përdoreshin për shërbime si terapi, ortodoncë, kirurgji, ura porcelani, proteza dhe implante dentare.
Si rezultat i hetimeve, u arrestuan në flagrancë administratori i klinikës, Ervin Zeka, 40-vjeç, dhe një nga stomatologët, Kejdi Myzyri, 26-vjeç.
Gjithashtu, 12 punonjës të tjerë të klinikës janë proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Materialet u sekuestruan si provë materiale, ndërsa çështja është referuar në Prokurorinë e Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore.
Të arrestuarit dhe të proceduarit po përballen me akuza për “Prodhimin dhe tregtimin e barnave dhe pajisjeve mjekësore të falsifikuara ose të rrezikshme për jetën dhe shëndetin”, “Punësim i paligjshëm” dhe “Fshehje të ardhurash”.
Policia ka bërë të ditur se kontrollet në klinikat dentare do të vijojnë në të gjithë vendin, në funksion të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve.
The post Përdornin preparate të skaduara në klinikë/ Arrestohen dy dentistët në Tiranë, procedohen 12 të tjerë (EMRAT) appeared first on Albeu.com.