Projekti që i jep fund propagandës së gjelbër me Farkën
Ndërsa propagandohej si parku i dytë i madh i Tiranës, liqeni i Farkës u shndërrua në zonë vilash dhe kullash eksluzive. Në dekadën e fundit, kodrat e gjelbra rreth liqenit u shndërruan në kantiere të mëdha ndërtimi.
Projekti më i fundit “Albora’s Lake” parashikon plot 17 kulla dhe dhjetëra rezidenca e vila private, në atë që duket se i jep fund një herë e përgjithmonë konceptit të publikes në parkun e madh të Farkës.
Një masiv ndërtesash buzë liqenit
Projekti “Albora’s Lake” u paraqit në festivalin kontrovers të arkitekturës “Bread & Heart” që u mbajt në qershor.
Lexo editorialin: “Bukë, zemër dhe beton“.
Ai është realizuar nga studioja e arkitektit britanik Amin Taha, Groupwork, i cili ishte gjithashtu prezent në festival si i ftuar.
“Albora’s lake” parashikon një kompleks “të frikshëm” ndërtimi të shtrirë në rreth 30-35 hektarë tokë në verilindje të Liqenit të Farkës.
Sipas maketeve të shqyrtuara nga Citizens.al aty parashikohet të ndërtohen të paktën pesë rreshta me rreth 70 vila, 40 pallate (pesë deri në dhjetë kate), një impiant me qendër tregtare, galeri dhe pishinë olimpike, një park dhe pak më tutje një masiv prej 17 kullash 30-katëshe.

Në etiketën shpjeguese të maketit theksohej se lejet për këtë koncept janë siguruar në periudhën 2024-2025 dhe se puna ka nisur me periudhë përmbyllëse vitet 2027-30.
Aktualisht i vetmi dokument publik që flet për këtë projekt është një rend dite i mbledhjeve të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit. Në mbledhjen e 28 janarit 2025, KKTU shpreh shkurtimisht se parashikohet miratimi i lejes së zhvillimit.
Nuk është e qartë nëse ky projekt realisht ka nisur të ndërtohet. Në të njëjtën zonë po ndërton edhe grupi Balfin, i sipërmarrësit Samir Mane.
Prej vitit 2023, kompania e sipërmarrësit Mane po zhvillon projektin e “Rolling Hills Liqeni” me hyrje-dalje direkte në anën lindore të “Unazës së Madhe”.
Sipas broshurës prezantuese për shitjet (fq 14-15), kuptohet se në zonën ku mendohet të shtrihet projekti i “Albora’s Lake” është konceptuar faza e dytë e vilave dhe komplekseve rezidenciale të Balfinit.
Kush është zhvilluesi?
Projekti i “Albora’s Lake” është porositur nga “Lion Construction shpk” e sipërmarrësve Erion Gina dhe Bardhjus Bushaj, të cilët kanë një portofol të rëndësishëm ndërtimesh në Tiranë dhe bregdet dhe gëzojnë lidhje dhe kontakte me sipërmarrës të tjerë si Aleksandër Frangaj, Florenc Gjikuria, etj.
Kompania “Lion Construction” është e njohur për projektin në ish-restorantin “Lion Park” në hyrjen verilindore të Liqenit Artificial të Tiranës, që pas vitit 2019 u shndërrua në kullën 14-katëshe “Lion Residence”.
Në maj të vitit 2022, Gina dhe Bushaj i blenë Samir Manes për rreth 250 mijë euro kompaninë “Urbalb Construction”, e cila në dhjetor të atij viti mori leje ndërtimi për shndërrimin e ish-“Shkollës së Partisë” në Laprakë në një kullë 34-katëshe.
Projekti, i konceptuar nga “ylli i arkitekturës”, italiani Giacomo Garziano (GG-Loop), tanimë quhet “Lion Residence II”, në 2025 leja u rishikuar, duke shtuar një kat nëntokë.
Gina dhe Bushaj zotërojnë gjithashtu kompani të tjera si “Top Realty Albania”, “Golden Key”, “Seaside Construction”, apo “EBG Group”, me të cilat ata kanë zhvilluar projekte të tjera ndërtimi si “Drymades Village, njohur si Santorini” (2021), “Village Square” (2023), apo dhe “Park Houses Mjull-Bathore”.

Farka – Nga park publik, në park rezidencial
Liqeni i Farkës ndodhet rreth 10 km nga qendra e Tiranës dhe 10 vitet e fundit është promovuar si “parku i dytë” i qytetit. Por ai ka pasur vetëm 1.1 hektarë hapësirë publike, sipas Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit.
Pjesa më e madhe e sipërfaqes së parkut është liqeni, pra pjesa ujore, rreth 75 hektarë.
Për krahasim, Parku i Liqenit Artificial, shtrihet në rreth 157 hektarë tokë dhe ka një liqen me sipërfaqe rreth 45 hektarë.
Kjo mangësi në sipërfaqe toke ka bërë që Farka të promovohej kryesisht për rekreacionet e ujit, si peshkimi, kanotazhi dhe noti.
Por në 10 vitet e fundit, investimet e bashkisë u kufizuan në shëtitore, pemë, rrugë për biçikleta dhe jo zgjerim të parkut.
Ndërkohë ndërtimet zunë kodrat përreth duke zbehur krejtësisht propagandën e gjelbër me mbjellje pemësh.
Pamjet satelitore të Google tregojnë se në vitin 2015, vetëm 3% e truallit rreth liqenit ishin të urbanizuara; ndërsa sot, ndërtimet zënë rreth 20% të kodrave dhe plani i “Albora’s Lake” synon ta çojë deri në 35%.
Në një perimetër prej rreth 195 hektarësh përgjatë liqenit 10 vite më parë kishte rreth 6 hektarë parcela trojesh me ndërtime. Pra, 97% e kodrave të Farkës ishte e gjelbër.
Sot, pamjet satelitore tregojnë për një katrahurë ndërtimesh. Kodrave u janë shtuar rreth 39 hektarë me parcela ndërtimore, të cilat zënë 20% të së njëjtës hapësirë të dikurshme.
Nëse marrim të mirëqenë se parcela që kërkon projekti “Albora’s Lake” është rreth 30 hektarë, përqindja e kodrave të urbanizuara shkon në 35% duke shuar përgjithmonë vizionin e një parku publik.

Parku i premtuar i Farkës ishte në fakt pronë private, e cila nuk u ble e as nuk u tjetërsua nga bashkia e Tiranës për ti shërbyer publikut.
Investimet e bashkisë për shëtitore, dekor dhe mbjellje pemësh rreth liqenit duken sot si një plan i mirëmenduar për t’i shërbyer komplekseve private dhe jo qytetarëve të Tiranës.
Ndërkohë duket e paqartë se si do të mund të ushqehet me infrastrukturë dhe shërbime kjo dyndje e madhe rezidenciale në një zonë të konsideruar “rekreative”.
The post Projekti që i jep fund propagandës së gjelbër me Farkën appeared first on Citizens.al.