Aeroporti i Vlorës nën hetim nga SPAK
Struktura e Posaçme Anti Korrupsion (SPAK) po heton koncesionin e Aeroportit të Vlorës. Informacioni u konfirmua nga regjistri i kërkesave për të drejtë informimi, publikuar në faqen e institucionit.
Më 20 qershor, SPAK rezulton të ketë administruar një kërkesë për informacion në lidhje me ekzistencën ose jo të një hetimi mbi kontratën koncesionare të Aeroportit të Vlorës dhe nëse po, në çfarë faze ndodhej ai.
Në përgjigjen zyrtare, referuar më 7 korrik, SPAK deklaron se “ka regjistruar procedim penal në lidhje me kontratën dhe ky procedim ndodhet në fazën e hetimeve paraprake”.
Hetimi po ndodh teksa aeroporti ka kryer testet e para të fluturimeve nën një valë të shtuar kontestimesh nga organizatat mjedisore për mënyrën se si u konceptua në një zonë të mbrojtur.
Më herët, ka pasur pretendime për mënyrën se si u dha ky koncesion duke nxitur dyshime për favorizime.
Në maj, teksa u kryen fluturimet testuese, Citizens.al përmblodhi pretendimet dhe historikun e kësaj çështjeje në artikullin:
Historia e projektit për Aeroportin e Vlorës
Aeroporti në Vlorë është ide e hershme e qeverisë Rama. Që në fillim ajo u shoqërua me dritëhije ndikimesh dhe favorizimesh politike.
Zyrtarisht për këtë ide u mësua në tetor 2017 kur ministria e Infrastrukturës shpalli fituesin e tenderit për studimin e fizibilitetit nga një studio arkitekture e lidhur ngushtë me projektet e urbanistike të qeverisë: kompaninë Seed Consulting, asokohe në pronësi të ortakëve të Atelier 4, vëllezërit Alban, Andi dhe Olsi Efthimi (Eftimi).

Në janar 2018, kryeministri Rama deklaroi se kishte marrë kërkesë zyrtare për ndërtimin e aeroportit dhe se ai do të niste brenda qershorit të atij viti. Deklarata u bë ende pa u publikuar studimi i fizibilitetit dhe pa u shpallur ndonjë procedurë tenderimi.
Kërkesa në fjalë ishte nga konsorciumi turk i tre kompanive: “Cengiz Constr.” (Mehmet Cengiz), “Kalyon Constr.” (Ömer Faruk Kalyoncu) dhe “Kolin Constr.” (Celal Koloğlu) – të njohura për lidhjet e tyre të ngushta me Presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan.
Kjo kërkesë pasoi një vizitë të Ramës në Turqi, ku ai bëri të ditur se Erdoğan kishte premtuar ndihmë për krijimin e një kompanie ajrore shqiptare – Air Albania dhe se selia e saj do të ishte pikërisht Aeroporti i Vlorës.
Megjithatë, në prill 2019, konsorciumi turk u tërhoq nga koncesioni pa shpjegime dhe ministria njoftoi hapjen e një gare tjetër. Më herët Komisioneri përgjegjës për zgjerimin në BE qe shprehur se do ta shqyrtonte nëse kishte pasur shkelje të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) në rastin e kësaj ujdie.
Në shtator 2019, kryeministri njoftoi se projekti i ri ishte hartuar nga studioja Archea e arkitektit italian Marco Casamonti – edhe ky i lidhur ngushtë me projektet e urbanistike të qeverisë – dhe një ditë më pas, e prezantoi atë në qytetin e Vlorës.
Qeveria e dha përfundimisht me koncesion 35-vjeçar projektimin, ndërtimin dhe operimin e Aeroportit të Vlorës në dhjetor 2019.
Sipërmarrësit Behgjet Pacolli (Mabetex, Mabco Constructions) dhe Valon Ademi (2A Group) u shpallën fitues me një ofertë prej rreth 104 milionë eurosh. Në garë ishte dhe kompania e Aldi Çelit (AL-DE Corporation Ltd), por ajo u skualifikua pasi “nuk paraqiti ofertë”, argumentim që u kundërshtua nga përfaqësuesit e Çelit, të cilët ngritën pretendime për favorizime.
Në ofertën fituese të sipërmarrësve Pacolli dhe Ademi ishte edhe dyshja e sipërmarrësve turq Cuneyt dhe Huseyin Arslan (YDA Insaat Sanayi Ve Ticaret Anonim Sirketi) – të cilët njihen gjithashtu për afërsinë me Presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan pasi me urdhër të tij ata ndërtuan Spitalin Rajonal Memorial të Fierit – por që në shtator 2022 ata ia shitën kuotat (40%) Pacollit për vetëm 4,450 euro.
Punimet për aeroportin nisën me një ceremoni solemne më 28 nëntor 2021, pavarësisht se projekti nuk kishte marrë ende leje mjedisi dhe ndërtimi – zyrtarisht qe miratuar vetëm “Leja e zhvillimit” dhënë nga qeveria në nëntor të atij viti, leja e mjedisit u dha një muaj më vonë dhe ajo e ndërtimit pas 15 muajsh të tjerë, më 9 nëntor 2022.
Shqetësimet për ndikimet në mjedis
Aeroporti i Vlorës nisi të ndërtohej pranë fshatit Akërni në lagunën e Nartës – një zonë e mbrojtur dhe vendbanim për më shumë se 62 lloje shpendësh të listuar në Direktivën e Shpendëve të BE-së.
Organizatat mjedisore denoncuan se si projekti shkelte ligjet kombëtare dhe konventat ndërkombëtare teksa rrezikonte dëme të rënda në ekosistemin e zonës dhe në rrugët migratore të shpendëve.

Qeveria mohoi shkeljet dhe në të gjitha rastet e mbrojti investimin duke u zotuar se ky aeroport është konform planit strategjik për zhvillimin e ekonomisë dhe turizmit, se ai do të jetë ndërkombëtar dhe se do të presë avionë të mëdhenj.
Por mjedisorët druajnë se zhurmat e mëdha dhe fluturimet e avionëve të mëdhenj do të dëmtojnë shpendë të rrezikuar si pelikanët kaçurrelë. Për këtë Konventa e Bernës ka kërkuar disa herë ndalimin e punimeve dhe rishikimin e projektit.
Ndërkohë masterplani i botuar nga ministria gjatë garës zbuloi se funksioni i vërtetë i aeroportit do të jetë për të pritur flukset e turistëve që parashikohet t’i drejtohen zonës së lagunës, e cila prezantohet me ndryshime rrënjësore me ndërtime resortesh, mjedisesh sportive, agrikulture dhe një porti jahtesh.
Përmasat e mëdha të aeroportit të Vlorës marrin kuptim edhe nga projektet e tjera me zhvillime kolosale në dëm të mjedisit që parashikohen në zonat përreth si derdhja e Vjosës, Hidrovori, Zvërneci dhe Sazani, dy të fundit, të prezantuara bujshëm vitin e shkuar nga dhëndri i Presidentit amerikan, Donald Trump, Jared Kushner. Ky fitoi statusin e investitorit strategjik në janar 2025.
Në prill 2025, Bashkia e Mynihut njoftoi tërheqjen nga përfshirja e saj si këshilltare në projektin e Aeroportit të Vlorës, pas presionit të vazhdueshëm nga organizatat mjedisore. Komiteti Ekonomik përgjegjës për ekonominë e qytetit gjerman u distancua kështu nga ndikimi negativ mjedisor që paraqet projekti.
Lexoni gjithashtu:
- “Jo fluturime në Nartë”, rikthehen protestat kundër Aeroportit të Vlorës
- Aeroporti i Vlorës, qeveria mohon biodiversitetin dhe statusin e mbrojtur
- Aeroporti i Vlorës, një premtim që vetëm “rinovohet”
The post Aeroporti i Vlorës nën hetim nga SPAK appeared first on Citizens.al.