“Nata e Mërgimtarit” në Librazhd, festë dhe emocion për të tretin vit radhazi
Mbrëmja e 15 gushtit në Librazhd është shndërruar tashmë në një traditë të veçantë: “Nata e Mërgimtarit”. Për të tretin vit me radhë, kjo festë u organizua në sheshin qendror të qytetit, duke sjellë një atmosferë të gjallë dhe emocionuese për qindra qytetarë dhe emigrantë të rikthyer për pushime.
E konceptuar si një homazh për të gjithë ata që jetojnë jashtë vendit, por që mbajnë gjallë lidhjet me vendlindjen, festa mblodhi bashkë banorë të zonës, familjarë dhe mërgimtarë, të cilët përjetuan një mbrëmje të mbushur me muzikë, ngjyra dhe ndjenja.
Në skenën e improvizuar në qendër të qytetit performuan artistë të njohur nga rryma të ndryshme muzikore, duke krijuar një atmosferë festive dhe të gëzueshme për të gjithë të pranishmit.
Për shumë emigrantë, kjo natë përfaqëson jo vetëm një festë, por edhe një mundësi për t’u ribashkuar me familjen dhe komunitetin, për të ndjerë sërish afërsinë dhe përkatësinë ndaj qytetit të tyre. “Nata e Mërgimtarit” është pritur me entuziazëm dhe konsiderohet si një traditë e re që rikthen emocionin dhe ndjesinë e shtëpisë për ata që jetojnë larg.
Organizimi i kësaj feste nga Bashkia e Librazhdit vjen si një vlerësim për rolin dhe kontributin e mërgimtarëve në jetën sociale dhe ekonomike të qytetit, me shpresën që lidhja e tyre me vendlindjen të mbetet e fortë dhe frymëzuese edhe në vitet në vijim.