Orges Shehi kërkon përqendrim maksimal te Ballkani para ndeshjes vendimtare me Shamrock Rovers
Trajneri i Ballkanit, Orges Shehi, ka kërkuar angazhim dhe përqendrim maksimal nga futbollistët e tij për ndeshjen kthyese të raundit të tretë kualifikues në Ligën e Konferencës ndaj Shamrock Rovers.
Ballkani, që ka marrë pjesë dy edicione rresht në fazën grupore të kësaj gare, e fitoi 1-0 ndeshjen e parë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Tani i duhet një tjetër rezultat pozitiv për të siguruar kalimin në fazën e “play-off”-it të garës së tretë më të rëndësishme të UEFA-s.
Përballja Shamrock Rovers – Ballkani zhvillohet të enjten, nga ora 21:00, në stadiumin “Tallaght” të Dublinit.
“Vijmë këtu pas fitores 1-0 në ndeshjen e parë dhe e dimë që na pret një përballje vendimtare. Duhet të ruajmë të njëjtin angazhim dhe përqendrim, për të qenë sa më afër kualifikimit,” deklaroi Shehi për faqen zyrtare të klubit.
Tekniku konfirmoi se vetëm qendërmbrojtësi Ivica Batarelo, i lënduar në ndeshjen e parë, mungon për këtë takim.
Shehi pret një ndeshje të fortë: “Presim një kundërshtar më agresiv që do të kërkojë të shfrytëzojë avantazhin e fushës, por kemi marrë masat e duhura për t’iu përgjigjur”.
Ballkani merr pjesë në kualifikimet e garave evropiane që nga sezoni 2022/23, kur debutoi dhe arriti menjëherë fazën grupore të Ligës së Konferencës.
Suksesi u përsërit edhe sezonin pasues, ndërsa në edicionin e kaluar skuadra u ndal në raundin e tretë nga Larne i Irlandës së Veriut. /Telegrafi/
The post Orges Shehi kërkon përqendrim maksimal te Ballkani para ndeshjes vendimtare me Shamrock Rovers appeared first on Telegrafi.