Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 13 July 2025Main stream

Begaj takon Ali Ahmetin: Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, faktor shtetformues

TIRANË, 13 korrik/ATSH/ Gjatë vizitës njëditore në Ohër, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zhvilloi një takim me kreun e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.

Në një postim në rrjetet sociale, Presidenti Begaj vlerëson kontributin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut si faktor vendimtar në proceset shtetformuese dhe në mbështetjen e kursit euroatlantik të vendit.

“Me Ali Ahmetin është gjithmonë kënaqësi të takohesh dhe të ndash mendime. Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë faktor vendimtar shtetformues dhe mbështetës të palëkundur të rrugës euroatlantike të vendit, duke dëshmuar gjithmonë përkushtim ndaj paqes, stabilitetit, bashkëjetesës dhe vlerave demokratike,” shprehet Presidenti Begaj.

1 nga 3

/a.f/

The post Begaj takon Ali Ahmetin: Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, faktor shtetformues appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

OSHEE: Nuk do të ketë lidhje të reja me rrjetin për ndërtimet pa leje

TIRANË, 13 korrik/ATSH/ Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka deklaruar sot përmes një njoftimi për shtyp angazhimin e tij në kuadër të aksionit të ndërmarrë nga Qeveria Shqiptare për goditjen e paligjshmërisë në fushën e ndërtimit.

OSHEE shprehet i vendosur për të forcuar kontrollin dhe për të mos lejuar asnjë lidhje të re me rrjetin elektrik për ndërtesat që nuk përmbushin kriteret ligjore.

Sipas OSHEE, vëmendje e veçantë do t’u kushtohet kërkesave për lidhje të reja, me qëllim që të shmangen çdo përpjekje për të anashkaluar ligjin.

“Nuk do të pranojmë kërkesat për lidhje me energji elektrike të ndërtesave pa leje ndërtimi ose që nuk kanë zbatuar kushtet e lejes së ndërtimit”, thuhet në deklaratë.

Sipas OSHEE-së, vëmendje e veçantë do t’u kushtohet të gjitha kërkesave për lidhje të reja me qëllim që të shmangen çdo përpjekje për të anashkaluar ligjin.

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike thekson se mbetet i angazhuar të veprojë në përputhje me legjislacionin dhe të kontribuojë për një mjedis të ndërtuar të sigurt, të ligjshëm dhe në shërbim të qytetarëve.

/a.f/

The post OSHEE: Nuk do të ketë lidhje të reja me rrjetin për ndërtimet pa leje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hodhi mbeturina në Drinin e Zi, procedim penal dhe gjobë për 64-vjeçarin

TIRANË, 13 korrik/ATSH/ Drejtoria Vendore e Policisë Dibër ka reaguar sot në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale, ku shfaqet një shtetas i mitur duke hedhur mbeturina në lumin Drini i Zi.

Sipas njoftimit zyrtar, menjëherë pas publikimit të pamjeve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër kryen verifikimet përkatëse dhe në përfundim të veprimeve të para hetimore, referuan materialet në Prokurori. Si rezultat, nisi procedimi penal në gjendje të lirë për veprën penale “Ndotja e ujërave”, në ngarkim të shtetasit M. M., 64 vjeç, banues në fshatin Muhurr.

Policia bën me dije se M. M., gjatë punës në lokalin e tij, kishte lejuar një të mitur të hidhte mbeturina në ujërat e lumit Drini i Zi, duke shkaktuar ndotje të mjedisit.

Për këtë shkelje, Drejtoria e Mbrojtjes së Mjedisit ka vendosur ndaj shtetasit M. M. edhe një masë administrative në vlerën 13 milionë lekë.

Drejtoria Vendore e Policisë Dibër falënderon qytetarët dhe mediat për bashkëpunimin dhe i fton të vijojnë të denoncojnë çdo rast abuzimi apo shkeljeje të ligjit, duke garantuar reagim të menjëhershëm, të drejtë dhe të paanshëm.

/a.f/

The post Hodhi mbeturina në Drinin e Zi, procedim penal dhe gjobë për 64-vjeçarin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Liqeni i Seferanit, një ndër atraksionet natyrore më të vizituara në Belsh

TIRANË, 13 korrik /ATSH/ Liqeni i Seferanit në Belsh është kthyer në një nga atraksionet më të pëlqyera për turistët që zgjedhin të eksplorojnë bukuritë natyrore të Shqipërisë së mesme.

I pozicionuar në fshatin me të njëjtin emër, ky monument natyre përfaqëson një liqen karstik me një sipërfaqe prej rreth 87.5 hektarësh dhe një ekosistem të pasur, që tërheq vëmendjen e vizitorëve të apasionuar pas natyrës, qetësisë dhe biodiversitetit.

Liqeni ofron mundësi për ecje përgjatë brigjeve, vëzhgim të florës dhe faunës vendase, si dhe aktivitete të lehta rekreative, duke e kthyer këtë zonë në një pikë referimi për turizmin rural dhe natyror në qarkun e Elbasanit.

Falë infrastrukturës së përmirësuar dhe promovimit të qëndrueshëm të zonave të mbrojtura, Belshi po fiton gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve vendas dhe të huaj, të cilët shprehen të entuziazmuar nga peizazhi dhe mikpritja lokale.

Tashmë Belshi i rilindur tërësisht është një destinacion i rëndësishëm turistik në qarkun e Elbasanit.

Në përgjithësi është një zonë me një peizazh natyror që të bënë për vete në të katër stinët por më interesante është pranvera dhe vjeshta, ku bimësia pikas me ngjyrat e saja të theksuara.

Gjithë krahina numëron rreth 84 liqene, midis tyre ka dhe të vegjël fare, por të gjithë janë të bukur dhe kanë karakteristikat e tyre.

Kanë një florë befasuese sidomos në pranverë. Disa numërohen me emra për bukurinë e tyre si, ai i Seferanit, Merhojes, Cestijes, Degës, me një florë të pasur si, zambaku i bardhë, zambaku i verdhë, karakteristikë për ujërat e këtyre liqeneve që tërheqin vëmendjen e vizitorëve.

Në perëndim të qytezës, në liqenin e Seferanit, ishte faltorja e Afërditës dhe kulti i saj ushtrohej duke hedhur në ujë enë e terrakota si dhurata për perëndeshën.

Liqeni i Seferanit
1 nga 2

The post Liqeni i Seferanit, një ndër atraksionet natyrore më të vizituara në Belsh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sot, tentativa e radhës për konstituimin e Kuvendit në Kosovë

PRISHTINË, 13 korrik/ATSH/ Deputetët do të mblidhen sot për të 46 herë më radhë në tentativën e 46-të për të konstituar Kuvendin e Kosovës.

Përveç betimit të deputetëve të zgjedhur, Kuvendi i ri ka mbetur i pa konstituar në mungesë të zgjedhjes së kryetarit të ri dhe nënkryetarëve. Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa nuk kanë arritur të sigurojnë votat e mjaftueshme për Albulena Haxhiun, të cilën e kanë propozuar si kryetare të Kuvendit. Në mungesë të numrave ata kanë propozuar që votimi nga i hapur të kalojë në të fshehtë.

Komisioni që mundëson votimin e fshehtë nuk po mbështetët nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Kjo çështje madje është dërguar në Gjykatën Kushtetuese, e cila ka dhënë aktgjykimin e saj, por i njëjti po interpretohen në mënyra të ndryshme nga subjektet politike.Kushtetuesja ka sjellë aktvendim sipas të cilit legjislatura e nëntë ka një muaj afat për konstituim – zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve.

PDK dhe AAK i kanë kërkuar LVV-së që ta ndërrojë kandidaten për kryetare të Kuvendit me arsyetimin se ka punuar në dëm të interesave të shtetit. Kurse, LDK ka deklaruar se nuk do ta votojë asnjë kandidatë.

Këto parti kanë thënë se Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa nuk kanë as votat për formimin e Qeverisë, për çka kanë thënë se nevojitet marrëveshje politike. Megjithatë, në LVV kanë thënë se kjo duhet provuar duke votuar fillimisht konstituimin e Kuvendit.

Ndërkohë, PDK dhe LDK iu ka drejtuar sërish Gjykatës Kushtetuese që të sqarojë nëse seancat e fundit kanë shkelur Kushtetutën. Gjithashtu, edhe presidentja Vjosa Osmani ka paralajmëruar se së shpejti do t’i dërgohet Kushtetuese se cilat janë masat që duhet të merren nëse nuk konstituohet Kuvendi deri më afatin e paraparë prej një muajsh.

Kujtojmë, zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më nëntë (9) shkurt. Mbledhja e parë për konstituimin e Kuvendit të ri është mbajtur më pesëmbëdhjetë (15) prill. Që nga ajo datë çdo dyzetetetë (48) orë po mbahen vazhdime të seancës konstituive pa arritur ndonjë rezultat konkret.

/kosovapress/

The post Sot, tentativa e radhës për konstituimin e Kuvendit në Kosovë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 12 July 2025Main stream

Intensifikohen kontrollet, radarë inteligjentë 24/7 në rrugët e vendit

TIRANË, 11 korrik /ATSH/ – Policia e Shtetit njoftoi sot se ka vendosur në funksionim tre radarë inteligjentë të llojit “Poliscan”, të cilët operojnë 24 orë në 7 ditë të javës, në të gjitha akset rrugore të vendit.

Krahas mjeteve të tjera inteligjente dhe radarëve automatikë ekzistues, këta radarë të rinj synojnë të parandalojnë aksidentet rrugore dhe të rrisin parametrat e sigurisë për të gjithë përdoruesit e rrugës.

Sipas Policisë së Shtetit, Policia Rrugore po intensifikon kontrollet në terren, duke përdorur pajisje të avancuara teknologjike për matjen e shpejtësisë dhe identifikimin automatik të shkelësve, jo vetëm për tejkalimin e shpejtësisë, por edhe për shkelje të tjera që përbëjnë rrezik për aksidente, si përdorimi i celularit gjatë drejtimit të mjetit, parakalimet e gabuara dhe mosvendosja e rripit të sigurimit.

“Qëllimi ynë nuk është vendosja e masave administrative, por parandalimi i aksidenteve nëpërmjet ndërgjegjësimit të përdoruesve të rrugës”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Policia e Shtetit apelon ndaj drejtuesve të mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, duke theksuar se tejkalimi i shpejtësisë mbetet një nga shkaktarët kryesorë të aksidenteve rrugore me pasoja fatale.

/a.f/

The post Intensifikohen kontrollet, radarë inteligjentë 24/7 në rrugët e vendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Rama: Diaspora, pjesë e kapaciteteve të bashkive në hartimin e projekteve

TIRANË, 11 korrik/ATSH/ Kryeministri dhe njëherazi kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë një bashkëbisedimi sot në Durrës me krerët e bashkive, theksoi rëndësinë e forcimit të kapaciteteve të pushtetit vendor për hartimin dhe zbatimin e projekteve zhvillimore, të cilat mundësojnë edhe fonde nga Bashkimi Evropianë

“Duhet të krijojmë një krah të jashtëm jashtë Shqipërisë, duke përfshirë shqiptarët e diasporës, të cilët janë të ditur dhe të gatshëm për të punuar me bashkitë si shkrues projektesh dhe si bashkëpunëtorë me bërthamën dhe kabinetin e bashkisë,” tha Rama.

Ai theksoi se, bazuar në aplikimet dhe përzgjedhjet, do të duhet të caktohet një fond për të paguar këta bashkëpunëtorë të jashtëm me një shumë të arsyeshme. Sipas Ramës, kjo do të ndihmonte bashkitë që nuk kanë kapacitete të mjaftueshme brenda territorit të tyre për të hartuar projekte konkurruese.

“Bashkia e Fushë-Arrëzit, ndoshta, nuk e ka këtë kapacitet brenda territorit të saj, por e ka nëse shkon jashtë territorit dhe kërkon ndihmën e njerëzve të vet që janë në diasporë,” shtoi ai.

Rama propozoi gjithashtu që të kërkohet bashkëpunim me vendet anëtare të BE-së për të atashuar ekspertë pranë bashkive, duke theksuar se mungesa e kapaciteteve për hartimin e projekteve është një boshllëk që pengon përfitimin e fondeve të BE-së.

“Vendosim një fond më shumë për projekte dhe vetëm 6 bashki e aksesojnë, sepse vetëm ato kërkojnë. Nga njëra anë nuk ke kapacitet të shkruash projekte, nga ana tjetër nuk kërkon, dhe pastaj pret nga BE-ja fonde, që është pa sens” tha Rama, duke nënvizuar se përmes këtyre dy rrugëve të reja synohet të plotësohet nevoja për kapacitete në këtë fazë të zhvillimit vendor.

Sipas tij, ky angazhim do të forcojë dhe eficiencën e bërthamave të bashkive në hartimin dhe zbatimin e projekteve zhvillimore.

Rama më tej vlerësoi Bashkinë e Lezhës të drejtuar nga Pjerin Ndreu si shembull pozitivë dhe që duhet ndjekur nga drejtuesit  e tjerë lokal.

/a.f/

The post Rama: Diaspora, pjesë e kapaciteteve të bashkive në hartimin e projekteve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Raporti i Komisionit Evropian thotë se shteti ligjor është i groposur në këtë vend

TIRANË, 11 korrik/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një dalje sot për mediet nga selia e PD, tha se “raporti i Komisionit Evropian groposi shtetin ligjor në vend”.

Sipas Berishës, qeveria po përhap dezinformim duke përdorur Presidencën dhe Kuvendin.

“Kam këtu një dokumentraport të Komisionit Evropian për gjendjen e shtetit ligjor në Shqipëri. Ky raport me një objektivitet të plotë zbërthen korporatat e reja të krijuara në Shqipëri. Pra sot, po të lexosh me vëmendje këtë raport, arrin në përfundimin se shteti ligjor është i groposur në këtë vend, pasi krahas Korporatës Energjetike, Korporatës së Investimeve, është krijuar korporata e prokurorëve me në krye Këshillin e Lartë të Prokurorisë, korporata e gjyqtarëve me në krye Këshillin e Lartë të Gjyqësorit dhe korporata e Artur Metanit, me në krye Artur Metanin.

Ai tha se “më duhet t’u paraqes shqiptarëve disa nga konstatimet më thelbësore të këtij raporti, që i përkushtohet funksionimit të shtetit ligjor në Shqipëri dhe konkretisht sistemit të drejtësisë.

“Koordinimi ndërinstitucional i këshillave, pra KLP, KLGJ dhe institucioneve të tjera të drejtësisë, nuk është përmirësuar. Është pra përtokë, sepse nuk kanë asnjë vullnet të koordinojnë, por vetëm të qeverisin si korporata të veçanta. Dhe kjo është një gjëmë për shtetin ligjor. Defekte të mëdha të konstatuara gjatë Vetting-ut dëshmojnë se në 56 për qind të rasteve gjykatësit u larguan nga detyra. Imagjinoni me sa ka mbetur drejtësia shqiptare. Nga qindra e qindra gjykatës dhe prokurorë, janë arritur të referojnë në prokurori vetëm 19, sepse shumica e tyre janë hequr pa shkaqe ligjore, përndryshe ata sipas ligjit dhe Kushtetutës duhet të shkonin para ligjit, para drejtësisë”, vijoi Berisha.

“Defektet e konstatuara më parë në emërimet e anëtarëve jomagjistratë në KLGJ dhe KLP mbeten njëlloj. Parlamenti emëroi tre anëtarë jomagjistratë në KLGJ dhe në KLP, por proceset u vonuan dhe u ndikuan shumë nga Parlamenti, i cili përdori diskualifikimet e shumta, natyrisht në kurriz të cilësive dhe kualifikimeve të kandidatëve. Vetting-u i jomagjistratëve të emëruar nga këto është defektoz dhe cenon transparencën, meritokracinë dhe të gjithë procesin”, theksoi Berisha.

“Sfida të mëdha mbeten në vlerësimin cilësor, emërimet, promovimet dhe transferimet e magjistratëve. Këshilli, thotë, nuk ka rregullore të veprimtarisë. Që të dy këshillat nuk u përmbahen kohërave dhe afateve. Ato kanë akumuluar një numër të madh dosjesh.
KLGJ nuk ka rregullore të brendshme të funksionimit efektiv, kurse i KLP duhet të rishqyrtohet”, shtoi Berisha, duke theksuar se është kufizuar aksesi në drejtësi, veçanërisht në Gjykatën e Apelit.

/a.f//r.e/

The post Berisha: Raporti i Komisionit Evropian thotë se shteti ligjor është i groposur në këtë vend appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Nuk ulemi me qeverinë për reformën territoriale

TIRANË, 11 korrik/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot se nuk ulet me qeverinë për reformën territorial.

Duke iu përgjigjur interesit të medias, Berisha tha se PD nuk njeh legjitimitetin e qeverisë.

“PD nuk njeh legjitimitetin e Edi Ramës si kryeministër dhe nuk mund të pranojë të ulet me të. PD nuk mund të pranojë legjitimitet karrigesh mbi farsa elektorale. Reforma zgjedhore bëhet nga partitë politike. Unë nuk them se PS nuk është një parti e spektrit politik në Shqipëri. Reformën zgjedhore e bëjnë partitë politike, nuk e bën qeveria. Ai po, bëri gjithçka, e anuloi reformën që u arrit, vuri dorën e tij dhe arriti ato që deshi”, tha Berisha.

“Por reforma zgjedhore është gjithnjë atribut i partive politike. PS është faktor politik i pluralizmit politik në Shqipëri, nuk u përcaktojmë ne kush do zgjedhë kryetar ajo apo kush është kryetari i saj, kështu që me PS ne nuk mund të themi se nuk do të ulemi për reformën elektorale. Ka rekomandime dhe ne ato do i shqyrtojmë. Por jo me qeverinë, me qeverinë nuk kemi asnjë punë. Qeveria nuk ka legjitimitet në këto zgjedhje, ka humbur legjitimitetin”, nënvizoi Berisha.

Berisha komentoi takimet e kryeministrit Edi Rama me krerët e Bashkive të zgjedhur nga Partia Socialiste.

“Marrja e kompetencave të qeverisë vendore nga qeveria qendrore është një akt i rëndë antikushtetues dhe është një shkelje e hapur e Kartës së Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës, të firmosur nga Shqipëria”, shtoi Berisha.

“Është një shkelje e rëndë e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të dhjetorit 2006 që ndalon apo i heq të drejtën qeverisë qendrore të mos bëj asnjë ndryshim në vendimet e qeverisë vendore”, theksoi Berisha.

“Gjykata Kushtetuese ka vendosur në atë vendim që për objeksionet që mund të ketë qeveria qendrore, ajo nuk mund të ndërhyjë në asnjë rrugë përveçse përmes gjykatave”, theksoi Berisha.

/a.f/

The post Berisha: Nuk ulemi me qeverinë për reformën territoriale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Firmat tek zarfet e dorëzuara nga DHL-ja, janë vetëm disa viza

TIRANË, 11 korrik/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha vijoi akuzat për atë që ai e cilëson si një farsë elektorale.

Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Berisha tha se “Firmat tek zarfet e dorëzuara nga DHL-ja e qeverisë janë vetëm disa viza”

“Jemi përsëri në fazën e procesit me të cilin DHL-ja e qeverisë u ka dorëzuar votuesve zarfet sepse kthimin ata po përpiqen ta fshehin. Sepse kthimi është edhe më i rëndë ose kaq i rëndë sa ky. Këtu keni një gjë që nuk do ta besoni.

Duke ndarë pamje, Berisha thekson se “të gjitha këto përfaqësojnë zarfet e adresuara Vangjelit, Adriatikut, Beharit… Tani, u lutem, shikoni firmat që ka vendosur Vangjeli, firma është një drejtëz. Firma, sikur gjoja e ka marrë Vangjeli këtë. Firma tjetër dy viza që kryqëzohen në fund. Firma tjetër, një vizë e shtrirë. Firma tjetër kjo, firma tjetër një zhgarravinë… Këto janë të tjera, vizë, kjo është firmë e DHL-së”, tha Berisha.

Berisha tha se “zarfet nuk u dorëzuan tek qytetarët, por në mënyrë kriminale u grumbulluan në një qendër, e cila i përdori ato për të plotësuar votat për PS-në. Ky është një proces që nuk do pranohet kurrë dhe shqiptarët, çfarëdo që të bëjë Edi Rama, i cili përpiqet me të gjithë mënyra të largojë vëmendjen nga demonstrimi i këtij krimi të shëmtuar, ai nuk do mund të shpëtojë.

“Këto zgjedhje nuk njihen dhe kjo farsë elektorale, ky krim madhor elektoral ka një autor dhe ai është Edi Rama. Ka një mbrojtës kryesor të saj dhe ai është Altin Troplini, i cili me qëndrimet që ka mbajtur ndaj krimit kushtetues elektoral dëshmon se nuk ka ligj, nuk ka moral, por është thjesht një skllav dhe bashkëpunëtor i krimit”, përfundoi Berisha.

/a.f/

The post Berisha: Firmat tek zarfet e dorëzuara nga DHL-ja, janë vetëm disa viza appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dështon sërish konstituimi i Kuvendit të Kosovës

PRISHTINË, 11 korrik/ATSH/ Ka dështuar sërish konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Ky është dështimi i të 45-të me radhë.

Kosova ka mbajtur zgjedhjet parlamentare më 9 shkurt, por ende nuk është bërë formimi i institucioneve të reja.

Procesi ka ngecur të zgjedhja e kryetarit të Kuvendit. Lëvizja Vetëvendosje, në koalicion me Guxo dhe Alternativa, nuk po arrin t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për ta zgjedhur Albulena Haxhiun. Ata po kërkojnë votim të fshehtë, por kjo, dhe kandidatura e Haxhiut, po kundërshtohen nga partitë e tjera parlamentare.

Presidentja Vjosa Osmani ka zhvilluar takime bashkë, dhe të ndara, me përfaqësues të partive politike – në përpjekje të zgjidhjes së krizës. Por, nuk ka pasur ndonjë ndryshim.

Thirrje për formim të institucioneve të reja kanë bërë edhe ambasadorë të akredituar në Kosovë si dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian.

Konstituimi i Kuvendit po dështon edhe pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese përmes së cilit iu kërkua deputetëve që ta bëjnë Kuvendin deri më 26 korrik.

/Kosovapress/

The post Dështon sërish konstituimi i Kuvendit të Kosovës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rafting në Vjosë, përvojë unike për të apasionuarit pas aventurës

TIRANË, 11 korrik /ATSH/ Lumi Vjosa, i njohur si “lumi i fundit i egër në Evropë”, po kthehet në një destinacion gjithnjë e më të preferuar për adhuruesit e natyrës, vëzhgimit, ecjes, por edhe sporteve ekstreme, falë mundësisë për të zhvilluar rafting në ujërat e tij të kristalta.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, ndau në rrjetet sociale foto të disa të rinjve që kanë shijuar adrenalinën e raftingut mbi Vjosë, duke ndjekur rrjedhën e këtij lumi magjik në jug të vendit.

Me rrjedhje të lirë dhe natyrë të paprekur, Vjosa përshkon një territor të mbrojtur me kanione, shpella dhe një biodiversitet të pasur, duke ofruar një përvojë të rrallë për ata që zgjedhin ta eksplorojnë përmes raftingut.

Në zonën e Përmetit, aktivitetet e raftingut janë organizuar në mënyrë të qëndrueshme, duke u kombinuar me struktura akomoduese ekologjike si kampingjet “glamping”. Këto iniciativa i ofrojnë vizitorëve jo vetëm aventurë dhe adrenalinë, por edhe mundësinë për të qëndruar në harmoni me natyrën.

Në prill 2025, përgjatë brigjeve piktoreske të Vjosës u zhvillua edhe Kampionati Kombëtar i Raftingut, një event që bashkoi sportistë dhe vizitorë nga e gjithë Shqipëria. Ky kampionat shërbeu si një nxitje për promovimin e mëtejshëm të turizmit aktiv dhe të qëndrueshëm në jug të vendit.

Raftingu në Vjosë nuk është vetëm një sport, është një përvojë gjithëpërfshirëse që ndërthur emocionin me bukuritë natyrore, duke kontribuar njëkohësisht në zhvillimin ekonomik të komuniteteve lokale dhe në rritjen e profilit ndërkombëtar të Shqipërisë si një destinacion turistik alternativ.

Rafting në Vjosë
1 nga 3

/a.f//r.e/

The post Rafting në Vjosë, përvojë unike për të apasionuarit pas aventurës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Konferenca për Rimëkëmbjen e Ukrainës, Rama: Duhet plan kurajoz dhe tërheqës për paqen

TIRANË, 10 korrik/ATSH/  Kryeministri Edi Rama ndodhet në Romë për të marrë pjesë në Konferencën për Rimëkëmbjen e Ukrainës (Ukraine Recovery Conference 2025), një nga forumet më të rëndësishme ndërkombëtare të këtij viti, që ka si qëllim mbështetjen për Ukrainën dhe rindërtimin e saj pas pasojave shkatërruese të luftës. Në momentin e mbërritjes, Kryeministri Rama është pritur nga Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni.

Ky forum, i mbështetur nga liderët botërorë, përfaqësues të lartë të Bashkimit Europian, G7-ës, organizatave ndërkombëtare, institucioneve financiare dhe sektorit privat, ka si qëllim koordinimin e ndihmës konkrete dhe investimeve strategjike në sektorët kyç në Ukrainë.

Kryeministri Rama iu drejtua këtij forumi me fjalën e rastit, duke theksuar angazhimin e Shqipërisë për të mbështetur Ukrainën në këtë periudhë të vështirë dhe për të kontribuar në procesin e rindërtimit të vendit pas luftës.

“Premtova që do të flas në mënyrë të pazakontë shkurt. Motra ime e dashur Giorgia, i kujtoi të gjithëve sot që të gjitha rrugët të çojnë në Romë!”, tha Rama.

“I dashur Antonio, ka qenë një përvojë e shkëlqyer udhëkryqi gëzimplotë, kaotik dhe i paqtë për t’i treguar të gjithëve  se nuk ka një vend më të sigurt se Italia ku të gjithë divizionet e sigurisë dhe të protokollit janë të pakuptimta.

“Dhe jam i sigurt që edhe Volodymyr e ka shijuar morinë e humanizmit në Nuvola ku të gjithë truprojat e tij, për herë të parë që prej luftës janë ndjerë të padobishëm”, vijoi kryeministri.

Rama më tej tha se “Shqipëria është një vend i vogël, me burime modeste. Ajo nuk ka fuqi për të ndryshuar shumë në fushë-betejë, por kemi qenë dhe do të jemi së bashku me Italinë dhe me miqtë e partnerët europianë kudo e kurdo që Ukraina do të ketë nevojë për ne të jemi”.

“Duke qenë se na u tha të flisnim vetëm 3 minuta dhe unë dua të udhëheq në fund të fundit përmes shembullit, dua vetëm të them që kushdo foli përpara meje, e kushdo do të flasë pas meje, ka thënë e do të thotë mjaftueshëm që unë të mos mund të shtoj diçka me interes që ju të shpenzoni kohën”, tha Rama gjatë fjalës së tij.

Kreu i qeverisë kujtoi dhe ndarjen nga jeta të Papa Françeskut.

“Në këtë qytet që jo shumë kohë më parë i dha lamtumirën një njeriu të madh paqeje, që quhej Papa Françesku, që ndërkohë që mbështesim Ukrainën të luftojë e po kështu të rindërtohet, ne duhet të bëjmë maksimumin që të mos e lëmë paqen në rreshtin e dytë të mendimeve tona.  Nuk duhet ta lëmë fjalën “paqe” të ndajë më tej shoqëritë tona demokratike e të tjetërsojë pjesë të tjera të shoqërisë sonë e të mbjellë mosmarrëveshje midis shoqërive tona.

“Nuk duhet të lëmë askund po kështu, jashtë kufijve të Europës demokratike të na japë leksione ne, Komunitetit Europian se çfarë është paqja e lufta e si tingëllon kjo paqe. Ne nuk jemi komunitet luftënxitës dhe Ukraina nuk është agresori e as autori i kësaj lufte të përgjakshme në dyert e Europës, ditë e natë. Askush nuk ka një formulë magjike sigurisht, e unë aq më pak. Të flasësh për paqen nuk e ndal luftën e as nuk e bën Vladimir Putinin një paqedashës”, tha Rama.

Në fund Rama tha se “ndërkohë që po bëjmë të gjitha gjërat e duhura për të mos ta lënë në baltë Ukrainën, ne nuk do të jemi të fortë mjaftueshëm për t’i dhënë fund kësaj lufte, për të shpëtuar Ukrainën në qoftë se nuk kemi plan tonin të fuqishëm, kurajoz e tërheqës për paqen. Paqja është e vetmja e ardhme për të cilën mund të flasë Europa. E ashtu siç tha dikur Papa i ndjerë Françesku në Romë, ndjej praninë jo të së shkuarës, por të së ardhmes.”, përfundoi Rama fjalën e tij.

Konferenca e Rimëkëmbjes së Ukrainës është ngjarja kryesore ndërkombëtare mbi rindërtimin e Ukrainës. Edicioni i Romës vjen pas Konferencave të Luganos (2022), Londrës (2023) dhe Berlinit (2024). Qëllimi i konferencës është të vazhdojë mobilizimin e qeverive, sektorit privat, institucioneve financiare ndërkombëtare, komuniteteve lokale dhe shoqërisë civile për rimëkëmbjen, rindërtimin dhe modernizimin e Ukrainës.

Në konferencë ishin më shumë se 5000 pjesëmarrës, rreth njëqind delegacione zyrtare dhe 40 organizata ndërkombëtare, 2 mijë kompani (nga të cilat rreth 500 janë italiane), qindra përfaqësues të autoriteteve lokale dhe shoqërisë civile.

Konferenca për Rimëkëmbjen e Ukrainës
1 nga 10

The post Konferenca për Rimëkëmbjen e Ukrainës, Rama: Duhet plan kurajoz dhe tërheqës për paqen appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kosovë – Kërkohet marrja e masave për parandalimin e zjarreve në vendgrumbullimet e mbeturinave

PRISHTINË, 10 korrik/ATSH/ Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit e Kosovës ka bërë thirrje për marrjen e masave të menjëhershme për parandalimin e zjarreve në vendgrumbullimet urbane të mbeturinave.

“Me rritjen e temperaturave gjatë muajve të verës, rreziku për shpërthimin e zjarreve në depot e mbeturinave është shumë i lartë”, ka thënë AMMK.

Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit ka theksuar se zjarret në depot përbëjnë rrezik serioz për shëndetin e qytetarëve dhe mjedisin. Në njoftim lexohet se rasti i zjarrit në landfillin e Elbasanit në Shqipëri.

Sipas AMMK-së, komunat dhe autoritetet lokale, operatorët e menaxhimit të mbeturinave dhe menaxherët e vendgrumbullimeve komunale duhet të veprojnë. Ndër masat që kërkohen janë inspektime dhe monitorim të shtuar për të identifikuar vatrat e mundshme të zjarrit; Vendosja e rojeve dhe patrullimeve, sidomos gjatë orëve me rrezik të lartë (mesditë, pasdite); Krijimi i brezave të pastruar përreth vendgrumbullimeve, për të parandaluar përhapjen e flakëve; Sigurimi i mjeteve për ndërhyrje të shpejtë, përfshirë ujë dhe pajisje zjarrfikëse; Sensibilizimi i qytetarëve për të shmangur hedhjen e materialeve të ndezura apo të rrezikshme pranë vendgrumbullimeve; Vendosja e rezervuarëve me ujë dhe mjete profesionale brenda perimetrit të vendgrumbullimeve. Ndërkaq, sa i përket pasojave nga djegia e mbeturinave urbane, dëmet për mjedisin sipas AMMK-së janë: Ndotje e ajrit nga gazrat toksikë; Ndotje e ujit dhe tokës nga metalet e rënda që rrjedhin nga hiri i djegur; Ndikim negativ në biodiversitet.

AMMK ka përmendur edhe rreziqet për shëndetin siç janë sëmundje të frymëmarrjes, probleme kardiovaskulare, rrezik për kancer nga ekspozimi ndaj dioksinave dhe substancave kancerogjene, dëme në sistemin nervor, veçanërisht tek fëmijët, çrregullime hormonale dhe probleme në sistemin riprodhues.

Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit u ka bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo rast zjarri ose tym të dyshimtë.

/Kosovapress/

The post Kosovë – Kërkohet marrja e masave për parandalimin e zjarreve në vendgrumbullimet e mbeturinave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Kaltërsi dhe relaks në plazhin publik të Velipojës

TIRANË, 10 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot në rrjetet sociale pamje nga plazhi publik i Velipojës, një destinacion turistik që tërheq pushues vendas dhe të huaj.

Rama, teksa ndan foto nga vija bregdetare e Velipojës e mbushur me pushues shkruan: “Kaltërsi dhe relaks që vjen nga plazhi publik i Velipojës së bukur”.

Në fotot e publikuara nga kryeministri Rama ravijëzohen zonat publike të plazhit të Velipojës, këndet sportive, si edhe pamja përrallore ku ndërthuret e kaltra e detit Adriatik me blunë e qiellit, rëra e pastër me veti kuruese dhe qytetarë të cilët shijojnë rrezet e diellit ose argëtohen përmes aktiviteteve sportive. Në foto janë dhe tabelat orientuese, që i njohin pushuesit me hapësirën që u rezervohet në plazhet publike përgjatë vijës bregdetare të Velipojës.

Velipoja, me plazhin e saj të gjerë me rërë dhe natyrën e virgjër, po kthehet gjithnjë e më shumë në një destinacion të preferuar për turistët vendas dhe të huaj. Por jo vetëm Velipoja.

Në zonat bregdetare të vendit këtë vit ka më shumë plazhe publike në dispozicion të pushuesve, në dallim nga vitet e kaluara. Këtë vit përveçse ka hapësira më të shtuara të plazheve publike, bashkitë bregdetare kanë siguruar edhe çadra falas për qytetarët dhe turistët e huaj që mbushin plazhet çdo ditë e çdo orë deri në perëndimin e diellit.

Gjithashtu, bashkitë kanë vendosur edhe tabela identifikuese, në mënyrë që turistët të kenë informacion përpara se t’i frekuentojnë këto plazhe. Kjo është një ofertë më e mirë për të gjithë ata që duan të kalojnë pushimet në stacione publike plazhi.

Këto ditë në të gjithë vendin ka nisur aksioni për lirimin e plazheve dhe hapësirat publike, pas urdhrit të kryeministrit Edi Rama.

Plazhi publik në Velipojë
1 nga 11

/a.f//r.e/

The post Rama: Kaltërsi dhe relaks në plazhin publik të Velipojës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndihmëssekretari i Shtetit do të vizitojë Kosovën, Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën

TIRANË, 10 korrik/ATSH/ Ndihmëssekretari i Shtetit në detyrë, Brendan Hanrahan, do të zhvillojë vizita zyrtare në Kosovë, Serbi dhe Bonjë e Hercegovinë.

Kjo është bërë e ditur nga vetë ai përmes një postimi në rrjetin social X. “Po shkoj në Bosnjë dhe Hercegovinë, Serbi dhe Kosovë pas bisedave produktive në Dejton dhe Uashington. Është një përvjetor i rëndësishëm dhe një kohë vendimtare në Ballkanin Perëndimor. Pres me padurim forcimin e lidhjeve midis SHBA-së dhe vendeve në rajon”, ka shkruar ai.

Më herët të mërkurën, presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka njoftuar se është takuar me Hanrahanin në Uashington. Osmani ka shkruar se ritheksuan përkushtimin e tyre për thellimin e partneritetit strategjik midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara. “Kosova është e gatshme ta avancojë bashkëpunimin me SHBA-të në fusha kyçe si mbrojtja, ekonomia, si dhe investimet strategjike me interes të ndërsjellë”, ka thënë Vjosa Osmani.

Ajo më tej ka shkruar se “Qëndrojmë krah për krah me SHBA-të në vlera, në vizion dhe në veprim”.

/Kosovapress/

The post Ndihmëssekretari i Shtetit do të vizitojë Kosovën, Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bllokohet rruga Shkup – Hani i Elezit

PRISHTINË, 9 korrik/ATSH/ Rruga Shkup-Han i Elezit është bllokuar për të gjitha automjetet, për shkak të zjarrit në afërsi të tunelit në Maqedoni të Veriut, njoftoi të mërkurën Qendra Kombëtare e Menaxhimit Kufitar.

“Ju informojmë se bazuar në informatën e pranuar nga pala e Republika e Maqedonisë së Veriut, rruga Shkup Hani i Elezit është bllokuar për të gjitha automjetet për shkak të zjarrit në afërsi të tunelit në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, thuhet në njoftimin e 9 korrikut në Facebook.

Rreth 300 raste zjarresh janë regjistruar në Kosovë vetëm gjatë pesë ditëve të fundit, si pasojë e temperaturave të larta që kanë përfshirë vendin, raporton KosovaPress.

Drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave (AME), Genc Metaj, tha se gjatë kësaj periudhe ekipet kanë ndërhyrë në 295 raste zjarresh nëpër komuna të ndryshme të Kosovës.

Në konferencën e thirrur për media, Metaj tha se dita më e rënduar ka qenë 7 korriku, kur janë shënuar gjithsej 66 raste të zjarreve, prej të cilave 57 kanë ndodhur pasdite.

/Kosovapress/

The post Bllokohet rruga Shkup – Hani i Elezit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Metaj: Rreth 300 vatra zjarresh në 5 ditët e fundit në Kosovë, 3 ende aktive

PRISHTINË, 9 korrik/ATSH/ Rreth 300 raste zjarresh janë regjistruar në Kosovë vetëm gjatë pesë ditëve të fundit, si pasojë e temperaturave të larta që kanë përfshirë vendin.

Drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave (AME), Genc Metaj, tha se gjatë kësaj periudhe ekipet kanë ndërhyrë në 295 raste zjarresh nëpër komuna të ndryshme të Kosovës.

Në konferencën e thirrur për media, Metaj deklaroi se dita më e rënduar ka qenë 7 korriku, kur janë shënuar gjithsej 66 raste të zjarreve, prej të cilave 57 kanë ndodhur pasdite.

Metaj shtoi se situata është menaxhuar me sukses deri më tani, por rreziku mbetet i lartë për shkak të kushteve të motit.

Sipas tij, dyshohet që zjarrëvëniet mund të jenë të qëllimshme dhe shumica prej tyre janë në toka bujqësore dhe që shpërndahen edhe në zona malore.Metaj tha se numri i zjarrfikësve është i kënaqshëm, por duhet të jetë edhe më i madh.

Drejtori i AME-së, Genc Metaj tregoi se aktualisht janë 3 vatra aktive, një në Pejë dhe dy në Skënderaj.

AME apelon për kujdes të shtuar nga qytetarët dhe bashkëpunim në parandalimin e zjarreve, duke shmangur ndezjen e zjarreve në hapësira të hapura dhe duke raportuar çdo rast të dyshimtë.

Metaj u shprehu ngushëllime familjarëve, të afërmve dhe miqve për vdekjen e shefit të Operativës në Brigadën e Zjarrfikësve të Gjakovës, Kaqun Lima.

/kosovapress/

The post Metaj: Rreth 300 vatra zjarresh në 5 ditët e fundit në Kosovë, 3 ende aktive appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vdekja e 27-vjeçarit në Lipjan, PDK kërkon dorëheqjen e Sveçlës

PRISHTINË, 9 korrik/ATSH/ Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar dorëheqjen e ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, si një akt moral të përgjegjësisë së tij pas rastit të 27-vjeçarit Agon Fejzullahu në Lipjan, i cili vdiq mëngjesin e së hënës, pak pas arrestimit nga zyrtarë policorë të Kosovës.

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, tha se organet e shtetit duhet t’i shkojnë deri në fund zbardhjes së rastit.

“Kërkoj përgjegjësi nga organet e shtetit për zbardhjen deri në fund të kësaj ngjarjeje që na ka tronditur të gjithëve. Në emër të PDK-së, kërkoj dorëheqjen e ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme si një akt moral i përgjegjësisë së tij politike dhe ligjore,” tha ai.

Këtë koment ai e bëri nga foltorja e Kuvendit, pas dështimit për herë të 44-të të konstituimit të legjislaturës së nëntë.

/kosovapress/

The post Vdekja e 27-vjeçarit në Lipjan, PDK kërkon dorëheqjen e Sveçlës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nis Evropiani i Esports në Kosovë, Kurti: Ngjarje e madhe, ta mbështesim me zemër ekipin tonë

PRISHTINË, 9 korrik/ATSH/ Në Kosovë nisi sot Kampionati Evropian i Esports në Prishtinë. Në turne marrin pjesë 36 ekipe nga 24 shtete të Evropës. Ndeshjet do të zhvillohen në Palestrën e Sporteve “1 Tetori”.

Kosova jo vetëm që do të jetë mikpritëse e kësaj gare madhore, por edhe do të përfaqësohet me ekipin e saj kombëtar.

Në ceremoninë e hapjes zyrtare, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i cili të pranishmëve iu drejtua në gjuhën angleze. Ai theksoi se megjithëse në botë ky njihet si sport i ri, Kosova ka një histori të gjatë në këtë aktivitet pasi të rinjtë kosovarë shumë vite më parë filluan angazhimin e tyre në lojërat elektronike nëpër qendra interneti, duke hedhur hapat e parë drejtë rritjes profesionale në këtë sport.

Kurti gjithashtu bëri thirrje që nga sot, deri më 13 korrik, ekipi përfaqësues i Kosovës në këtë garë të mbështetet me zemër nga të gjithë adhuruesit dhe praktikuesit e lojërave elektronike-Esports.

Altin Preniqi, Kryetar i Federatës së Esports në Kosovë, tha se organizimi i këtij evropiani është moment historik për Kosovën sepse ky sport sjellë energji të madhe, e mbi të gjitha, miliarda shikues online nga e gjithë bota, duke u bërë kështu mundësi e rrallë për promovimin e imazhit të Republikës së Kosovës në mbarë rruzullin tokësorë.

Ky kampionat organizohet nga Federata Esports Kosova me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Ndeshja e parë do të zhvillohet sot ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Çekisë.

/Kosovapress/

The post Nis Evropiani i Esports në Kosovë, Kurti: Ngjarje e madhe, ta mbështesim me zemër ekipin tonë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌