Projektligji për “Strategjinë kombëtare kundër ndërhyrjeve të huaja dhe dezinformimit” ka ngjallur kritika nga opozita dhe ekspertët e komunikimit.
Strategjia 2025-2030 ka kaluar në komisionet parlamentare nga shumica socialiste, sipas së cilës është realizuar në rekomandime nga Bashkimi Evropian.
Deputeti socialist Erion Braçe, i cili kryesoi Komisionin e Posaçëm që hartoi strategjinë, tha se fokusi ka qenë te forcimi i lirisë së shprehjes dhe ndërgjegjësimit për dezinformimi. Ai tha se strategjia e re vendos këtë çështje si prioritet strategjik kombëtar.
Sipas Braçes, siguria kibernetike është komponent tjetër kyç i strategjisë së sigurisë. Por opozita, nga ana tjetër, e kritikoi dokumentin duke ngritur dyshime për qëllimin e real të tij.
Përmes deputetit Asllan Dogjani, opozita ngriti dyshimet se projektligji për strategjinë kombëtare kundër dezinformimit synon në të vërtetë kontrollin politik mbi median. Sipas tij, nëse keqpërdoret ky projektligj rrezikon pluralizmin dhe lirinë e shprehjes në vend.
Skeptik duken edhe ekspertët e komunikimit. Pedagogu i gazetarisë, njëherësh drejtues i qendrës “Media Look”, Elvin Luku, e cilësoi strategjinë e propozuar nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar si “instrumentalizim të dezinformimit për kontroll”.
Luku kujtoi përpjekjet e shkuara të qeverisë socialiste për të miratuar të ashtuquajturën “paketë antishpifje”. Ai theksoi se termi “dezinformim” po përdoret si pretekst për të kufizuar median.
Sipas Lukut, edhe kjo nismë vijon logjikën e “paketës antishpifje” që dështoi më parë. Pedagogu tregoi për Citizens.al se një vit më parë qendra që ai drejton i kishte dërguar Kuvendit një analizë kritike ndaj draftit.
Për pedagogun e gazetarisë Erlis Çela një shqetësim më vete ka qenë procesi i ndjekur për hartimin e kësaj strategjie, që sipas tij ka qenë pa transparencë dhe gjithëpërfshirje.
Ai kujtoi se raportet ndërkombëtare evidentojnë presione mbi median në Shqipëri dhe përqendrim pronësie te një grusht njerëzish.
“Çdo ndërhyrje ligjore që nuk vjen si rezultat i një procesi transparent, gjithëpërfshirës dhe me garanci të forta kushtetuese, krijon dyshime të arsyeshme për qëllimet dhe efektet reale të saj”, tha Çela për Citizens.
Ai kritikoi edhe opozitën për qëndrimin pasiv dhe bojkotues në komisionin parlamentar. Sipas Çelës, mungesa e debatit publik dhe përfshirja e kufizuar e aktorëve të pavarur është problematike.
“Lufta kundër dezinformimit nuk duhet të jetë pretekst për kontroll politik të informacionit,” theksoi pedagogu i gazetarisë.
Çela shtoi se plani i veprimit të strategjisë së propozuar mbetet i paqartë dhe pa qartësi mbi aktet nënligjore. Edhe ai përmendi si precedent “paketën antishpifje” për të argumentuar shqetësimet e tij.
“Mungesa e një debati të gjerë publik dhe përfshirja e kufizuar e aktorëve të pavarur, siç janë gazetarët, organizatat e shoqërisë civile, ekspertët e medias dhe universitetet, ngre dyshime se kjo strategji mund të shërbejë më shumë si një mekanizëm për të ndëshkuar zërat kritikë sesa për të mbrojtur qytetarët nga dezinformimi me origjinë nga shtetet e huaja,” theksoi Çela.
Komisioni i posaçëm kundër dezinformimit u formua me qëllim rishikimin e kuadrit ligjir për parandalimin e ndërhyrjeve të huaja në proceset demokratike në vend.
Por opozita e bojkotoi punën e komisionit pasi ishte kundër propozimit të qeverisë. Pavarësisht kësaj komisioni vijoi punën në mënyrë të njëanshme.
Duke e kthyer në një strategji kombëtare, qeveria krijoi një plan-veprimi përmes së cilit angazhohet Këshilli i Ministrave për miratimin e akteve ligjore që bëjnë të mundur zbatimit e strategjisë.
Strategjia është e fokusuar te parandalimi i ndërhyrjeve të huaja në fushata zgjedhore, procese demokratike si dhe financimi politik i partive.
The post Strategjia e dezinformimit pritet me kritika nga eskpertët dhe opozita appeared first on Citizens.al.