TIRANË, 4 gusht/ATSH/ Spitali Rajonal i Vlorës, me një ekip të përkushtuar mjekësh dhe infermierësh, ofron shërbim dhe kujdes mjekësor jo vetëm për qytetarët vlonjatë, por edhe për pushuesit vendas dhe turistët e huaj që zgjedhin këtë qytet për të kaluar pushimet verore.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu u shpreh se Vlora është vendi ku takohet historia me mikpritjen, ndërsa Spitali Rajonal i Vlorës është një pikë kyçe sigurie për pushuesit, në gatishmëri 24/7 për çdo rast urgjent, me një ekip të përkushtuar dhe shërbim cilësor.
Sipas Koçiut, “që nga 1 qershori, mbi 5,800 qytetarë kanë marrë ndihmë mjekësore, mes tyre edhe 360 turistë të huaj, të cilët kanë gjetur kujdes profesional dhe njerëzor. Kujdes shëndetësor në zemër të turizmit, për pushime të sigurta dhe pa shqetësime”, tha Koçiu në një postim në rrjetet sociale.
Një prej mjekeve të këtij spitali, pohon se në mesin e sezonit turistik janë paraqitur 2 600 pacientë, nga të cilët 200 pacientë të huaj, jo rezident në Shqipëri.
“Javën e fundit janë shtuar rastet e gastroenteriteve dhe rastet virale. Kemi edhe rastet e të sëmurëve kronikë, situata e të cilëve ka precipituar nga temperaturat e larta. Kemi një shtim të hospitalizimit të rasteve neurologjike, në patologji te të sëmurët kronikë dhe në infektiv”, u shpreh ajo.
Mjekja shtoi se ka një koordinim shumë të mirë me urgjencën lëvizëse 127 për raste e paraqitura të asfiksisë, djegieve, mbytjeve në det, traumave dhe aksidenteve.
“Javën e fundit të korrikut është shtuar numri i vizitave ditore, numri i të cilave ka shkuar deri në 150, nga këto 50-60 raste kanë qenë gastroenterite, gjendje febrile, tonsilite akute të cilat paraqiten me diarre, temperaturë, dobësi trupore, raste që janë menaxhuar më së miri nga stafi i pranim urgjencës”, vijoi mjekja, ndërsa këshilloi qytetarët që të mos ekspozohen gjatë në temperatura të lart dhe të ndjekin një regjim ushqimor të mirë dhe të shëndetshëm.
Nga Mimoza Picari Në Shqipëri sëmundjet jo të transmetueshme, ose siç njihen ndryshe sëmundjet kronike, po njohin rritje të vazhdueshme, ndërsa ekspertë të shëndetit publik konstatojnë mangësi në kujdesin e shëndetit parësor, hallka fillestare ku ndodh parandalimi dhe monitorimi i tyre. Përveç financimeve të ulëta, vihet re edhe një rol i dobët i mjekut të […]
Shtatë vitet e fundit Manjola* i kujton si endje nëpër klinika. Dëshira për të pasur fëmijë me bashkëshortin, me të cilin ka 15 vite martesë, nuk e ka zmbrapsur përpos vështirësive për ta pasur një të tillë në mënyrë natyrale.
Nga analizat dhe vizitat e kryera në disa klinika rezultoi se problemi qëndronte te bashkëshorti: numri i ulët i spermatozoideve të shëndetshëm në riprodhim.
“Na thanë që nuk mund të kishte fëmijë, vetëm nëse aplikohej me ‘in vitro’, por me spermatozoide të dikujt tjetër”, kujton Manjola.
“In vitro” është termi i shkurtuar në latinisht i procesit të “fekondimit në gotë” (shqip) që nënkupton riprodhimin e asistuar jashtë trupit të njeriut. Në zhargon quhet edhe “bebe në provëz”.
Në vitin 2015, Manjola ngulmoi që ta niste këtë proces, mirëpo kushtonte shumë.
“Një analizë spermatozoidi që bënte bashkëshorti, në atë kohë, kushtonte diku te 3,500 lekë,” tregon ajo, teksa kujton se vizitat në spitalet publike ishin të kota: “Mjekët na drejtonin te klinikat e tyre private!”.
Të dy nuk kishin punë fikse. Manjola angazhohej kryesisht si aktiviste e komunitetit rom, ndërsa bashkëshorti si mekanik. Të ardhurat i kishin nën minimalen prandaj, për ta, ishte thuajse e pamundur për ta provuar procesin “in vitro”.
Situata i shtyu që në vitin 2023 të shkonin si azilkërkues në Francë dhe tashmë, dy vite më pas, të jenë në pritje për ta provuar.
“Kjo ka qenë një nga arsyet që kam ardhur këtu,” tregon Manjola, “Burrit i kanë dhënë shpresë se mund të bëjmë fëmijë. Na kanë treguar edhe analizat që nuk përputhen fare me ato që kemi bërë në Shqipëri.”
Ajo tregon se autoritetet franceze po e ndihmojnë në proces duke përgjysmuar koston falë politikave sociale që aplikojnë.
Drejt procesit “in vitro” shkoi edhe Gentjana* me bashkëshortin. Në të 35-at, pas gjashtë vitesh bashkëjetesë, ata donin të kishin fëmijë. Ndiheshin të sigurt se kjo gjë do të ndodhte në mënyrë natyrale, për aq kohë sa edhe miqtë e tyre, në të njëjtën moshë ishin bërë prindër.
“Kam qenë e para që kam folur për dëshirën për fëmijë, ata në një moment u bënë, ndërsa ne na zgjati diku te një vit e gjysmë deri sa kuptuam që duhej të bënim ndonjë analizë se pse nuk po ndodhte”, tregon Gentjana.
Këshillimi me miqtë i drejtoi ata te mjekët, nga ku rezultoi se bashkëshorti i Gentjanës vuante nga varikoçela, një anomali e enëve të gjakut, që mund të shkaktojë infertilitet.
Në këto kushte ata u gjendën përballë dy mundësish: ndërhyrje kirurgjikale te partneri, që kërkonte 1 vit e gjysmë rikuperim, ose t’i futeshin procesit “in vitro”. Faktori kohë i shtyu që të zgjidhnin alternativën e dytë.
Mes konsultash dhe sugjerimesh, çifti iu drejtua një klinike private. Nxjerrja e 25 vezëve për moshën dhe parametrat që kishte Gentjana, 36 vjeçe, ishte një lajm shpresëdhënës. Mirëpo, edhe pse mbeti shtatzënë embrioni nuk u zhvillua, duke pësuar dështim.
Por në përsëritjen e procedurës gjërat shkuan mbarë. Transferimi i kryer pak muaj më vonë rezultoi me sukses dhe Gentjana mbeti shtatzënë.
Foto ilustruese, pajisje të fertilizimit in vitro/Ministria e Shëndetësisë.
Përballja me infertilitetin
“In vitro” është një teknikë e aplikuar gjerësisht pas viteve 80-të, ku vezët e gruas pllenohen jashtë mitrës. Kësisoj, embrionet krijohen në laboratorë dhe më pas vendosen në mitër për t’u zhvilluar si shtatzëni.
Andrologu Evin Dani, vlerëson si pozitive ekzistencën e kësaj metode riprodhuese, por thekson se edhe në këtë proces mosha luan rol të rëndësishëm.
Ai thotë se pas moshës 35 vjeç, aftësia e grave për të prodhuar vezë të shëndetshme bie. Për këtë aplikohet një metodë, ku në një moshë më të hershme vezë të shëndetshme vendosen në konservim: ngrirje.
Por ndonëse shpesh pamundësia për të bërë fëmijë iu mveshet grave, statistikat tregojnë përqindje të lartë infertiliteti edhe mes burrave.
“Statistikat nxjerrin që në 60% të rasteve problem është gruaja dhe në 40% burri,” tregon andrologu Dani, i cili thekson se për të siguruar riprodhimin meshkujve iu duhet të gëzojnë numër dhe përqendrim të lartë spermatozoidesh të shëndetshëm: rreth 40 milionë.
“Kur kemi ulje të numrit të spermatozoideve, atëherë çifti do të vonojë ose nuk do të realizojë dot shtatzëni,” shpjegon andrologu.
Por, përveç numrit dhe dendësisë së lartë që të arrihet një shtatzëni duhet që spermatozoidet të kenë dhe lëvizshmëri.
“Mund të kesh numër, por jo lëvizshmëri, atëherë i bie që spermatozoidi të mos shkojë drejt vezës, të rrijë aty deri sa ta shkatërrojë organizmi”, shpjegon andrologu Dani, i cili shton se për të qenë riprodhues një burri i nevojitet të ketë në gjendje lëvizjeje të paktën 32% e spermatozoideve.
Dani shton se që një spermatozoid të quhet normal, duhet që mbi 4% e tërësisë së tyre të kenë formë morfologjike normale. Sipas tij, ndër shkaqet kryesore të infertilitetit te meshkujt është varikoçela.
“Enët e gjakut, për një arsye apo tjetër, nga dëmtimi i kllapave, do të sjellë si pasojë pellgëzimin dhe do të bëjë që të rritet temperatura e skrotumit dhe kjo sjell si pasojë atë që quhet dëmtim i spermatozoideve,” shpjegon andrologu.
Ndër shkaqe të tjera që kanë ndikim në infertilitet ai rreshton mënyrën e jetesës, ushqimin, lëndët toksike që përdoren për rritjen e frutave dhe perimeve si dhe temperatura e ambientit. Sipas mjekut, të tjerë shkaktarë janë edhe lëndët narkotike dhe duhani.
“Kemi vënë re që shumë veta që kanë dëmtim të spermatozoideve janë duhanpirës dhe me ndërprerjen e duhanit, pas 3-6 muajsh kemi rezultat”, shpjegon më tej doktor Dani.
Sipas mjekëve, djemtë dhe burrat e kanë të vështirë të flasin për jetën dhe organet e tyre seksuale. Mirëpo, së fundmi, kjo situatë ka ndryshuar falë edhe medias në sensibilizim dhe emisione të dedikuara.
“E konsiderojmë sukses sepse jeta seksuale nuk është se mbaron në një moshë të caktuar, ajo mbaron kur të mbarojë jeta,” thekson andrologu.
Prindërimi dhe kostoja e lartë e shpresës
Pas vitesh tentativë për të pasur fëmijë Erla dhe bashkëshorti iu drejtuan një klinike private në Tiranë për të nisur fertilizimin “in vitro”. Përtej përgjigjes së një mjekeje se “kurrë nuk do të bëhej nënë”, ajo gjeti forcën për të besuar te procedura.
Procesi kërkoi më tepër kohë se sa kishin menduar: gati pesë vite.
“E kam bërë disa herë procedurën dhe nuk më jepte rezultat. Unë gocën e kam me ‘in vitro’-n e katërt”, rrëfen Erla përvojën e saj.
Sot ajo është sërish shtatzënë, por në mënyrë natyrale. Fakt që i ka lumturuar pamasë të dy.
Erla kujton se në momentin kur lindi vajzën, mjeku i pati thënë që të mos provonte më me “in vitro” pasi do të kishte mundësi për shtatzëni normale.
Rrugëtim të njëjtë ka pasur edhe Brikena. Pas tri vitesh martesë ajo solli në jetë djalin e saj. Mirëpo më pas e kishte të vështirë të kalonte sërish në shtatzëni të dytë.
Shkak për këtë ishte një ndërlikim në tubat e fallopit, ku vezët e kanë të vështirë të kalojnë drejt mitrës për shkak të një bllokimi të tubave. Për këtë Brikena iu drejtua procedurës “in vitro” për të pasur mundësinë për një fëmijë të dytë.
Sot ajo gëzon edhe vajzën e saj, ndërsa gjithë procesi i fertilizimit i zgjati shtatë muaj, duke përfshirë analizat, ekot dhe transfertën e embrionit.
Ajo tregon për Citizens.al se nëse nuk do të kishte rezultuar e suksesshme që në tentativën e parë nuk do ta vijonte më tej, pasi stimulimet dhe mjekimet me hormone kanë efektet e tyre.
“In vitro e kam bërë vetëm për faktin që nesër pasnesër, kur të kalonin vitet mos të thosha pse nuk e provova, të mos më ngelej peng,” vijon ajo.
Foto ilustruese, pajisje të fertilizimit in vitro/Ministria e Shëndetësisë.
Pas çdo embrioni, një rrugëtim i lodhshëm emocional
Manjola e kujton si stresuese periudhën e analizave dhe konsultimeve në klinikat private për procesin “in vitro”. Ajo thotë se kjo i ndikoi edhe në sjelljen karshi bashkëshortit.
“Ka qenë stresuese dhe kam qenë pak agresive ato kohë. U bëra keq! Fillova ta përjetoj keq dhe ia hidhja fajin bashkëshortit”, ndan Manjola me Citizens.al
Për Gentjanën terapia te psikologu filloi paralelisht me nisjen e transfertës së dytë të fertilizimit “in vitro”.
“E kam vazhduar terapinë edhe pas lindjes. Ky është proces i ndërlikuar, por asgjë nuk është më e ndërlikuar se sa mëmësia”, rrëfen Gentjana.
Pyetjes nëse në të njëjtin proces ishte edhe partneri i saj, ajoi përgjigjet se “ata janë të lirë”.
“Partnerët mund të jenë aty të të mbështesin në proces, por e gjitha barra fiziologjike është mbi ty”, vijon më tej Gentjana.
Sipas psikologes Tana Aliaj, infertiliteti sjell sfida të shumta fizike, emocionale dhe psikologjike te çiftet. Aliaj analizon se në tërësi koncepti i shoqërisë shqiptare për familjen dhe prioriteti që i jepet krijimit të saj nxit ndjesi zhgënjimi dhe humbjeje në çiftet që nuk ia dalin dot.
Sipas saj, gratë ndikohen më shumë në këtë proces.
“Ky presion shpesh çon në izolim emocional dhe vështirësi në ruajtjen e mirëqenies mendore dhe të marrëdhënies në çift”, shpjegon më tej Aliaj.
Për Erlën, mospasja e një fëmije pas tre tentativash të fertilizimit “in vitro” solli zhgënjim pas zhgënjimi.
“Fillon pastaj një moment që fajëson veten. Nuk është se ka pasur ndonjë krisje. Kemi qenë të dy së bashku duke i dhënë kurajë njëri-tjetrit dhe duke vazhduar akoma, duke këmbëngulur”, tregon ajo.
Sipas psikologes Aliaj, edhe burrat edhe gratë pësojnë dhimbje e trishtim kur secili prej tyre mëson se është infertil. Mirëpo, ndjenja e fajit dhe vetmisë dominon më shumë te gratë, sidomos në realitetin shqiptar.
“Ato shpesh ndihen si ‘të paplota’ për shkak të perceptimit të rrënjosur se të qenit grua lidhet automatikisht me të qenit nënë. Madje, ndjenja e fajit shkon përtej vetes dhe lidhet me pritshmëritë familjare për ‘t’u bërë nënë për prindërit’ apo për të përmbushur rolin që shoqëria i ka përcaktuar”.
Aliaj thekson se ka një presion të shtuar mbi çiftet infertilë, lidhur kjo edhe me strukturat familjare tradicionale.
“Ky presion i jashtëm forcon ndjesinë se vlera e çiftit matet me aftësinë për të lindur fëmijë, duke e lënë pak hapësirë për kuptim dhe mirëkuptim,” thekson psikologia.
Në studime të ndryshme çiftet në pritje e kanë vlerësuar ankthin e fertilizimit “in vitro” si më të madh se çdo ngjarje tjetër të jetës së tyre.
“Ndonëse zhvillimi i teknikave alternative ka ofruar shpresë për çiftet që përballen me infertilitetin është e rëndësishme të tejkalohen barrierat psikologjike dhe normat kulturore”, përfundon Aliaj.
Kosto të larta financiare, ende pak besim te “publikja”
Kostot e larta financiare dhe pamundësia ekonomike e shtynë Manjolën të shkonte jashtë shtetit, me shpresën se do të përfitonte nga programet sociale atje.
Për Gentjanën nuk ka një përgjigje të saktë të vlerës totale, pasi gjithë procesi ka qenë i fragmentarizuar në periudha të ndryshme.
“Rreth 2,500 euro ‘in vitro’ dhe nja 500 euro ilaçe. Pastaj për çdo transfertë diku te 1,000 euro,” tregon Gentjana.
Mirëpo, ajo kujton se për 14 injeksionet që ia bëri vetes për të përgatitur vezën për procesin e fertilizimit, iu desh të shkonte në Prishtinë, për shkak të kostos së përgjysmuar.
“Të nesëmem i kemi hipur makinës, shkuam në Prishtinë me firgorifer me vete. Diferenca ishte 500 euro deri në 1 mijë euro”, rrëfen Gentjana.
“Nëse dua edhe sot të provoj për një fëmijë të dytë, kam embrione në ngrirje dhe mund të shkoj ta bëj sërish procesin”, shton ajo, duke theksuar edhe kostot e analizave të herëpashershme për të gjithë procesin.
Nga ana tjetër, Brikena tregon për një kosto rreth 8,000 euro.
“Nga fillimi, analizat e mia, të bashkëshortit, pagesën që ishte 3,000 euro dhe ‘in vitro’, embrionet, vizitat, ekot e njëpasnjëshme,” rendit ajo në llogaritjen totale.
Kostoja më e lartë është paguar nga Erla, për shkak se ajo dhe bashkëshorti provuan katër herë. Sipas saj kostoja ka shkuar në 80,000 euro.
“S’do ta besosh, por ka shkuar… ka shkuar kaq sepse mjekimet dhe stimulimet janë të shtrenjta, edhe procedura kushton, analizat përsëri kushtojnë”, na tregon Erla.
Spitali Obstretik-Gjinekologjik “Koço Gliozheni”/Ministria e Shëndetësisë.
Në shkurt të vitit 2024, shërbimi i fertilizimit “in vitro” nisi në sistemin shëndetësor publik, pranë Spitalit Universitar Obstetrikë Gjinekologjik “Koço Gliozheni”. Pavarësisht se laboratori për fertilizimin u ndërtua në këtë institucion prej vitit 2013, financuar nga Bashkimi Evropian me rreth 250 mijë euro dhe trajnim të mjekëve jashtë vendit, kjo sallë nuk u hap kurrë për 11 vite.
Sipas të dhënave nga spitali “Koço Gliozheni” prej nisjes së shërbimit ka pasur shumë kërkesa nga çiftet shqiptare.
“Në vitin 2024 ka pasur 73 aplikime, ndërsa për vitin 2025 deri më tani janë 117 aplikime”, thuhet në përgjigjen zyrtare për Citizens.al nga spitali obstetrikë-gjinekologjik.
Megjithatë, ky proces është përzgjedhës. Sipas formularëve që plotësohen nga çiftet që nisin këtë procedurë, mosha e grave që pranohen për të kryer teknikat e FIV-ICSI (fertilizimi in vitro dhe Injektimi Intracitoplazmatik i Spermatozoidit) nuk duhet të kalojë 42 vjeç për gratë që kanë cikël menstrual të rregullt.
Sipas spitalit “Koço Gliozheni”, në vitin 2024, nga 73 aplikime janë pranuar 30 dhe nga 117 aplikime deri më tani në 2025-ën janë pranuar 53 çifte që plotësojnë kriteret.
Në vitin 2024 ka pasur 9 rezultate pozitive, ndërsa në vitin 2025 (deri më tani) janë 12 rezultate pozitive. Por nga të gjitha këto vetëm dy lindje të shëndetshme janë shënuar në spitalin “Koço Gliozheni” përmes fertilizimit “in vitro”.
Andrologu Dani shpjegon se përse rezultatet pozitive nuk përkthehen në lindje. Ai thotë se mund të ndodhë që të jetë kryer me sukses transferta e vezëve të pllenuara në uterus, por më pas ajo të mos zhvillohet më tej.
Megjithatë, Erla dhe Brikena, të dyja pjesë e administratës publike rrëfejnë se edhe nëse do t’iu jepej mundësia për ta kryer procesin në shtet, sërish do të zgjidhnin ta merrnin këtë shërbim në privat.
“Kam besim te mjeku që jam dhe nuk do ta ndërroja. Kam ndërruar disa mjekë dhe te ky kam gjetur besim”, rrëfen Erla.
“Ne që punojmë në shtet shkojmë të privati mbarojmë punë. Punojmë vetë aty dhe na sorollasin, jo më një qytetar i thjeshtë që nuk di ku të shkojë”, shprehet me mosbesim Brikena.
Projektligji “Për shëndetin seksual dhe riprodhues” ende në rishqyrtim nga ekspertët
“Me buxhetin e vitit të ardhshëm, rreth 150 çifte të reja do të mbështeten për të realizuar ëndrrën e tyre për të krijuar familje”, u shpreh ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu në dhjetor të 2024, duke u shprehur se ky shërbim brenda 2025-ës do të ofrohet edhe në Maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”.
Mirëpo, në aspekt ligjor fertilizimi “in vitro” u soll sërish në vëmendje përmes projektligjit “Për shëndetin riprodhues dhe atë seksual” që synon të garantojë të drejta seksuale dhe riprodhuese për qytetarët. Në këtë projektligj nuk përcaktohet qartë se si do të mbështeten çiftet që nuk munden dot të bëjnë fëmijë.
“Projektligji është tërhequr nga ministria, pas konsultimeve publike që ato patën në faqen e tyre online dhe që nga ai moment, nuk ka më asnjë reagim”, tha për Citizens.al Zheni Gjergji, kryetare e Komisionit të Shëndetësisë.
Sipas deputetes Gjergji, ky projektligj nuk kishte asnjë paketë sociale të parashtruar për gratë në nevojë dhe që nuk kanë mundësi ekonomike të kryejnë fertilizimin “in vitro”.
“Nuk ishte parashikuar asgjë, as nuk e citonte që do të ishte në institucionet publike, por thoshte në institucionet publike dhe jopublike. Nuk është se ishte prioritet publiku. Por ishte publike dhe private”, argumenton deputetja Gjergji.
Sipas Gjergjit, Shqipëria nuk ka ende një regjistër kombëtar të infertilitetit, duke mos pasur mundësi kësisoj të hartohen politika të duhura shtetërore.
*Emrat janë ndërruar për të ruajtur privatësinë e zonjave që besuan të rrëfejnë historinë e tyre për Citizens.al
Shpenzimet publike për shëndetësinë në Shqipëri zbritën në nivelin më të ulët që nga viti 2017, duke zënë vetëm 9.6% të totalit të shpenzimeve publike në vitin 2024, sipas një raporti të organizatës “Together for Life”.
Sipas analizës, megjithëse buxheti i ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka njohur rritje të ndjeshme gjatë viteve të pandemisë (2017–2021), vitet 2022 dhe 2023 kanë shënuar tkurrje progresive të financimeve.
“Në vitin 2024, pavarësisht rritjes në vlerë nominale, shpenzimet totale të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale vijojnë të jenë në rënie, duke rezultuar në 3.2% të PBB dhe 10.8% të shpenzimeve të përgjithshme publike. Shpenzimet publike për shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale në vitin 2024 shënojnë nivelin më të ulët të matur gjatë 7 viteve të fundit”, thuhet në raport.
Raporti thekson se në këto vite shëndetësia në Shqipëri është nën financuar, sidomos në aspektin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor.
“Kjo përforcohet më shumë nga niveli i lartë i pagesave nga xhepi me mbi 50% të totalit të shpenzimeve të bëra për shëndetësinë, të cilat përballohen nga vetë qytetarët”, thekson raporti.
Në nivel rajonal, vendi ynë renditet i fundit sa i takon shpenzimeve në sektorin shëndetësor.
“Përpos faktit që këto shpenzime rezultojnë më të ulëtat, nga analiza vërehet edhe një mospërputhje e shifrave të raportuara nga qeveria shqiptare në dokumentet e saj zyrtare me ato të publikuara nga institucionet ndërkombëtare”.
Grafikë nga raporti
Qytetarët shqiptarë vijojnë të paguajnë nga xhepi i tyre për shërbime në shëndetësi, më shumë se vendet e tjera ta rajonit, me një nivel prej 51.3% në vitin 2022.
Grafikë nga raporti
Sa i takon procedurave të ndjekura për tenderat publikë në shëndetësi sipas raportit kontratat përqendrohen në pak operatorë.
“Një numër i vogël kompanish fitojnë shumicën e tenderëve në sektorin farmaceutik dhe pajisje mjekësore, duke kufizuar konkurrencën dhe përjashtuar operatorët e rinj apo të vegjël”, thekson raporti.
Në krye të listës së operatorëve që kanë përfituar më shumë kontrata gjatë viteve të fundit janë:
INCOMED – 37 kontrata,
MEGAPHARMA – 28 kontrata,
MEDICAMENTA – 20 kontrata,
REJSI FARMA – 20 kontrata,
ALDOSCH-FARMA – 19 kontrata,
EVITA – 18 kontrata.
Ndërsa në 80% të procedurave të anuluara kanë ndodhur për shkak të gabimeve nga stafi përgjegjës.
“Nga 122 procedura të anuluara, 98 u anuluan për shkak të gabimeve në dokumentacionin e tenderit, duke reflektuar mangësi serioze në përgatitjen dhe menaxhimin e tyre”.
Po ashtu, në proceset e tenderimit vihet re nivel i ulët i konkurrencës, me një mesatare prej 1.37 operatorësh ekonomikë për procedurë.
Diferencat midis fondit limit dhe ofertave fituese për secilin lot janë minimale sipas raportit, duke ngritur shqetësime mbi mungesën e konkurrencës efektive dhe kriteret që kanë ndikuar në këtë rezultat.
Në përfundim raporti sugjeron disa rekomandime që fokusohen në rritjen e shpenzimeve publike për shëndetësinë, përmirësimin e transparencës dhe publikimit të të dhënave, rritjen e konkurrencës në tendera, forcimin e mekanizmave të monitorimit dhe auditimit dhe rishikim të kuadrit ligjor.
Gjatë kësaj jave, Inspektorati Shëndetësor ka mbyllur tetë institucione shëndetësore private që operonin në mënyrë të paligjshme, pa licencë për ushtrim të veprimtarisë.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, përmes një postimi në Facebook.
“Inspektorati Shëndetësor vazhdon punën profesionale duke garantuar respektimin e ligjit dhe standardeve të shërbimeve shëndetësore. Shëndeti i qytetarëve nuk mund dhe nuk do të lejohet që të rrezikohet nga veprimtari të paligjshme”, deklaroi Vitia.
Ai ka bërë thirrje për respektim të rregullave dhe ligjit nga të gjitha institucionet që ofrojnë shërbime shëndetësore, duke theksuar se kontrollet do të vazhdojnë me intensitet të njëjtë.
Ministri gjithashtu falënderoi Inspektoratin Shëndetësor dhe të gjithë inspektorët për përkushtimin dhe angazhimin e tyre të përditshëm në mbrojtje të sigurisë shëndetësore të qytetarëve./Telegrafi/
TIRANË, 27 qershor/ATSH/ Ekipet shëndetësore të Njësive Vendore të Kujdesit Shëndetësor janë në gatishmëri për të ofruar ndihmën e parë dhe këshilla mjekësore për çdo pushues në zonat bregdetare.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau në rrjetet sociale momente nga puna e ekipeve të NJVKSH në plazhet e Zvërnecit, Semanit, Divjakës dhe Sarandës.
“Në këto ditë të nxehta vere në brigjet e Zvërnecit, Semanit, Divjakës dhe Sarandës, ekipet tona shëndetësore janë çdo ditë në gatishmëri për të ofruar ndihmën e parë dhe këshilla mjekësore për çdo pushues që ka nevojë”, theksoi Koçiu.
Ministrja Koçiu tha se “tendat shëndetësore verore janë aty për t’u kujdesur që pushimet tuaja të jenë të sigurta dhe me kujdesin e duhur shëndetësor”.
Përveç ekipeve shëndetësore të NJVKSH, gjatë sezonit turistik veror janë në funksion të plotë edhe 36 qendra shëndetësore në të gjithë vendin, nga veriu në jug. Ato garantojnë shërbim mjekësor 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, për të gjithë pushuesit, vendas apo të huaj.
Qendrat shëndetësore verore janë të vendosura pranë pikave më të frekuentuara turistike dhe plazheve, duke garantuar ndërhyrje të menjëhershme në çdo situatë emergjente, si dhe duke ofruar shërbime parandaluese dhe këshillimore për të ruajtur shëndetin e pushuesve.
Djersitjet gjatë natës janë një përjetim i zakonshëm për shumë njerëz, veçanërisht gjatë muajve të verës. Por çfarë ndodh kur këto djersitje ndodhin në temperatura normale, në dhoma të freskëta dhe pa asnjë arsye të dukshme? Mjekët paralajmërojnë se në shumë raste, djersitjet e përsëritura gjatë natës mund të jenë shenjë e një problemi serioz shëndetësor, i cili nuk duhet neglizhuar.
Ja disa nga shkaqet më të zakonshme:
-Çrregullime hormonale, si hipertiroidizmi apo menopauza te gratë
-Infeksione të fshehura, përfshirë tuberkulozin
-Luhatje të nivelit të sheqerit në gjak te personat me diabet
-Ankthi ose stresi i akumuluar emocional
-Sëmundje më të rënda, si limfoma apo kanceri, që mund të manifestohen përmes djersitjes së natës
Ekspertët këshillojnë që nëse djersitjet ndodhin vazhdimisht, pa shkak të dukshëm dhe shoqërohen me humbje peshe, lodhje ose temperaturë, duhet të bëhet një kontroll mjekësor i plotë.
“Shumë njerëz e justifikojnë me vapën, por kur ndodh çdo natë dhe zgjohesh i lagur në djersë, nuk është normale,”- thonë mjekët.
Tiranë, 12 qershor /ATSH/ Me nisjen e sezonit turistik 2025, në të gjithë vendin janë hapur 36 qendrat shëndetësore verore që do të jenë në shërbim të qytetarëve 24 orë në shtatë ditë të javës.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha sot se gjatë këtij sezoni veror, në qendrën shëndetësore në Shkëmbin e Kavajës, mjekja Alesia dhe infermiere Elda do të jenë çdo ditë në shërbim të pushuesve në bregdetin e Durrësit, ndërsa ka falënderuar dy profesionistet e sistemit shëndetësor për përkushtimin.
Nga ana e saj, doktoreshë Alesia Preni, pjesë e QSHV te Shkëmbi i Kavajës, shprehet se u bë pjesë e kësaj qendre pas thirrjes së MSHMS për mjekë dhe infermierë pranë qendrave shëndetësore verore të hapura në të gjithë vendin.
“Situata paraqitet e qetë. Kemi pasur 40 vizita gjatë kësaj jave, ndërsa presim pacientë gjatë 24 orëve në shtatë ditë të javës”, thotë ajo.
Ndërsa, infermierja Elda Tusha thotë se prej tre vitesh punon pranë QSHV te Shkëmbi i Kavajës. “Përveç vizitave shëndetësore në qendër, ne ofrojmë edhe shërbimin në bregdet apo kudo ku pacientët ndodhen apo shfaqin një problematikë të caktuar”, pohon ajo.
Gjithashtu, edhe pushuesit në bregdetin e Durrësit, shprehen të kënaqur për shërbimin shëndetësor që marrin duke pushuar në plazh, ndërsa thonë se “Shqipëria ka ndryshuar për mirë”.
Këto qendra shëndetësore do të qëndrojnë të hapura deri në 30 shtator 2025 për një sezon turistik të sigurt dhe të shëndetshëm për të gjithë pushuesit vendas dhe ata të huaj.
Gjatë periudhës 1 qershor 2024 deri në 30 shtator 2024 në këto qendra shëndetësore verore u realizuan 80 765 vizita mjekësore, ku 32% u kryen për shtetas të huaj.
TIRANË, 6 qershor /ATSH/ Ekipi i Institutit të Shëndetit Publik të Shqipërisë mori pjesë në Konferencën e IV-të Rajonale për Promovim dhe Edukim Shëndetësor, organizuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) në bashkëpunim me Asociacionin Kosovar të Promotorëve dhe Edukatorëve Shëndetësor, në kuadër të 100-vjetorit të themelimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.
Sipas njoftimit të ISHP-së, temë qendrore e konferencës ishte “Fuqizimi i komuniteteve të shëndetshme, arritjet dhe sfidat në promovimin e shëndetit”, ndërsa konferenca mblodhi profesionistë të shëndetit publik, akademikë dhe studiues nga rajoni dhe më gjerë për të ndarë përvoja, ide dhe hulumtime të ndryshme.
Ekipi i ISHP Shqipëri kontribuoi me prezantime shkencore, duke ndarë praktikat dhe eksperiencat në fushën e edukimit dhe promovimit shëndetësor.
Gjatë ceremonisë së 100-vjetorit të Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, Prof. Asc. Eugena Tomini, Drejtoreshë e ISHP-së Tiranë, përshëndeti të pranishmit duke vlerësuar kontributin historik të Institutit në mbrojtjen e shëndetit publik. Ajo theksoi bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet dy institucioneve dhe uroi për një rrugëtim edhe më të suksesshëm në të ardhmen.
Një ngjarje domethënëse për forcimin e partneriteteve profesionale dhe për zhvillimin e mëtejshëm të shëndetit publik në rajon. /e.i/ /a.g/
Ekipi i ISHP Shqipëri në Konferencën e IV-të Rajonale për Promovim dhe Edukim Shëndetësor
Një raport i publikuar nga shoqata “Together for Life” tregon se korrupsioni është i gjithëpërhapur në sistemin shëndetësor. Sipas ekspertëve, korrupsioni në shëndetësi është një nga format më shqetësuese për qytetarët, që e kthyer në praktikë të zakonshme cenon qasjen në kujdes shëndetësor.
BIRN
“Kur kisha nënën tek Trauma, veç lekë kërkonin dhe të drejtonin: shko merr këtë aty. I linin njerëzit derisa na drejtonin për të blerë protezë dhe të gjitha gjërat e nevojshme për ndërhyrjen. Nuk ia mban kujt të ankohet, sepse nuk të kapin me dorë”. Kjo është vetëm një nga dëshmitë e familjarëve për përvojën e tyre me korrupsionin në spitalet shqiptare, e publikuar në raportin “Vlerësim i perceptimit të publikut shqiptar mbi korrupsionin në sektorin e shëndetësisë” nga shoqata “Together for Life”.
Raporti i publikuar në maj 2025 bazohet në anketimin e 1 mijë qytetarëve dhe njerr në pah një fenomen mjaft shqetësues në sektorin e shëndetësisë. Të dhënat tregojnë se 8 në 10 persona shprehin bindjen se sistemi shëndetësor në Shqipëri është i korruptuar.
“83% e të anketuarve e konsiderojnë sistemin shëndetësor si të korruptuar,” thekson raporti.
Alma Lahe, një prej eksperteve të këtij raporti, argumenton se ajo që i prek pacientët dhe për të cilën ata tregojnë ndjeshmëri më të madhe është korrupsioni i vogël, që e ndjejnë drejtpërdrejt në xhepin e tyre.
“Nga raporti i publikuar nga TFL rezulton se korrupsioni është një fenomen mjaft i përhapur në këtë sektor dhe ai është i përhapur në të gjitha nivelet, duke filluar nga korrupsioni i ‘vogël’ nëpërmjet mirëmbajtjes së ofruesve të shërbimit që kërkojnë, apo pranojnë pagesë jo formale nga pacientët për shërbime që duhet të ofrohen falas dhe deri te korrupsioni i ‘madh’ që përfshin institucionet e larta dhe që ka të bëjë me procedurat tenderuese në infrastrukturë, pajisje apo shërbime,” tha Lahe për BIRN.
Raporti i Shoqatës “Together for Life” tregon se korrupsioni ka prekur të gjitha nivelet e sistemit shëndetësor. Spitalet universitare perceptohen si më të korruptuarat nga 8 në 10 të anketuar (81%); spitalet rajonale perceptohen si shumë të korruptuara nga 76% e të anketuarve, ndërsa spitalet bashkiake perceptohen si shumë të korruptuara nga 60% e burrave dhe 55% e grave.
Presidenti i Këshillit Kombëtar të Urdhrit të Mjekëve, Dritan Trepça është i vetëdijshëm se korrupsioni në sistemin shëndetësor perceptohet si një ndër format më shqetësuese të korrupsionit publik për qytetarët.
“Një nga burimet më të zakonshme të perceptimit për korrupsion në shëndetësi është praktika e ryshfetit apo ‘bakshishit’ për mjekët, infermierët, apo personelin tjetër për të marrë kujdes të favorshëm, më të shpejtë, apo më të kujdesshëm. Këto praktika, ndonëse shpesh justifikohen si ‘traditë’ apo ‘falënderim’, në realitet ushqejnë një sistem informal pagesash që cenon barazinë në qasje,” tha Trepça.
Shkaqet e korrupsionit
Gjetjet e raportit të shoqatës “Together for Life” tregojnë se 70% e pacientëve kanë paguar ryshfet për shërbimin e kërkuar, sepse u është lënë të kuptohet se ndryshe nuk do ta merrnin atë shërbim. Ndërkohë, 53% e të anketuarve thonë se kanë paguar për të marrë shërbim më të mirë, 42% për të përshpejtuar marrjen e shërbimit dhe 22% të pacientëvë u është kërkuar pagesë drejtpërdrejt nga stafi.
“Tre në katër pjesëmarrës (75%) raportojnë se kanë dhënë ryshfet për kryerjen e operacioneve dhe trajtimeve. Kjo sugjeron një presion të madh mbi pacientët për të siguruar trajtim adekuat në raste urgjente ose jetike,” thekson raporti.
“Vizitat në spitalet publike (56%) dhe lindjet e kujdesi obstetrik-gjinekologjik (52%) janë ndër shërbimet për të cilat pjesëmarrësit në anketë pranojnë se kanë dhënë ryshfet”, nënvizohet në raportin “Vlerësim i perceptimit të publikut shqiptar mbi korrupsionin në sektorin e shëndetësisë”.
Rreth 2 në 3 të intervistuar (63%) mendojnë se shkaku kryesor i përhapjes së korrupsionit në sistemin shëndetësor është kultura e pranuar e ryshfetit në shoqërinë shqiptare. Sipas raportit, mungesa e kontrollit dhe e ndëshkimeve nga autoritetet është faktori kryesor që nxit korrupsionin në shëndetësi. Po ashtu, qytetarët përmendin keqmenaxhimin dhe mungesën e transparencës, mungesën e vetëdijes dhe guximit për të raportuar korrupsionin, pagat e ulëta të personelit shëndetësor si dhe nënfinancimin e sistemit nga shteti si shkaqe kryesore.
Doktor Trepçka nga Urdhri i Mjekëve thotë se perceptimi për korrupsionin në sektorin e shëndetësisë është një ndër pengesat për ndërtimin e një sistemi të drejtë, efikas dhe të besueshëm.
“Korrupsioni i perceptuar, edhe kur nuk është i faktuar, në çdo rast krijon një klimë mosbesimi që dëmton si qytetarin, ashtu edhe vetë profesionistin. Zgjidhja kërkon një qasje të gjithanshme: transparencë, drejtësi, ndërgjegjësim dhe forcim të institucioneve,” thekson ai.
Lahe nga shoqata “Together for Life” thekson se shoqëria civile ka një rol të rëndësishëm në monitorimin e institucioneve, me qëllim që të kërkojë transparencë.
“Është roli dhe misioni i shoqërisë civile të jenë aktivë në monitorim dhe në të kërkuarit nga institucionet të jenë më transparente, të përgjegjshme dhe llogaridhënëse”, thotë ekspertja Alma Lahe.
Ekspertët e raportit rekomandojnë ndër të tjera se: “Për të rikthyer besimin e publikut, është thelbësore që rastet e korrupsionit të ndiqen dhe ndëshkohen në mënyrë të drejtë, të paanshme dhe në kohë nga autoritetet përkatëse. Kjo përfshin zbatimin konsekuent të ligjit dhe shmangien e çdo tolerance ndaj praktikave korruptive në sektorin shëndetësor”.
Një raport i publikuar nga shoqata “Together for Life” tregon se korrupsioni është i gjithëpërhapur në sistemin shëndetësor. Sipas ekspertëve, korrupsioni në shëndetësi është një nga format më shqetësuese për qytetarët, që e kthyer në praktikë të zakonshme cenon qasjen në kujdes shëndetësor. “Kur kisha nënën tek Trauma, veç lekë kërkonin dhe të drejtonin: shko […]
“Kur kisha nënën tek Trauma, veç lekë kërkonin dhe të drejtonin: shko merr këtë aty. I linin njerëzit derisa na drejtonin për të blerë protezë dhe të gjitha gjërat e nevojshme për ndërhyrjen. Nuk ia mban kujt të ankohet, sepse nuk të kapin me dorë”. Kjo është vetëm një nga dëshmitë e familjarëve për përvojën […]
Kur u përball me probleme kardiovaskulare këtë pranverë, Hasan Çaushit nga fshati Nikoliq i Hasit i shkoi ndërmend që të zgjidhte vdekjen përballë shtrimit në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza në Tiranë. Por burri 75-vjeçar e gjeti një rrugëdalje në spitalin rajonal “Isa Grezda” në Gjakovën fqinje, ku BIRN e takoi ndërsa po kurohej në […]
Miley Cyrus ka zbuluar se zëri i saj unik është rezultat i një çrregullimi në kordat vokale të quajtur Reinke’s edema.
Në një intervistë të dhënë për Zane Lowe në Apple Music, Cyrus e përshkroi këtë gjendje si “abuzim me kordat vokale.”
“Kur je 21 vjeç dhe rri zgjuar, pi, tymos dhe feston pas çdo koncerti, kjo nuk ndihmon,” tha ajo. “Por në rastin tim, kjo nuk është arsyeja. Pra, zëri im gjithmonë ka tingëlluar kështu — është pjesë e anatomisë sime unike.”
Sipas Cleveland Clinic, Reinke’s edema është një gjendje beninje që shkakton ënjtje të kordave vokale. Është më e zakonshme te femrat dhe te njerëzit që kanë një histori të gjatë të pirjes së duhanit.
Këngëtarja e “Flowers” sqaroi se ka një “polip të madh” në kordat e saj vokale “i cili më ka dhënë shumë nga toni dhe tekstura që më karakterizojnë si artiste.”
“Por është jashtëzakonisht e vështirë për të performuar me të,” shtoi artistja, “sepse është si të vraposh maratonë me pesha në kyçet e këmbëve.”
“Edhe kur flas ndonjëherë, në fund të ditës i telefonoj mamit dhe ajo më thotë: ‘Dukesh sikur po flet nëpërmjet një radioje,’” vazhdoi Cyrus. “Dhe atëherë e kupton që jam vërtet e lodhur, sepse kjo krijon atë ‘vocal fry’ të theksuar.”
Megjithë vështirësitë, ajo e quajti gjendjen e saj një “bekim” dhe tha se nuk ka asnjë plan për të bërë operacion.
“Zëri im është jashtëzakonisht unik falë kësaj, por unë kam këtë Reinke’s edema dhe këtë polip të madh, dhe nuk dua ta heq kurrë, sepse ekziston mundësia që pas operacionit të mos tingëlloj më si vetja,” zbuloi këngëtarja.
Pas një liste të gjatë ekzaminimesh të kryera në një klinikë private për vajzën e saj 10-vjeçare, Arsilda kërkon të blejë në farmaci medikamentet që i ka përshkruar mjeku. Me recetën në telefonin e saj, ajo i shpjegon farmacistes se i nevojitet një antibiotik dhe një suplement për të luftuar infeksionin e së bijës. “Vajza […]
TIRANË, 6 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Izrael, në Qendrën Mjekësore Sheba në Tel-Aviv, rankuar e 8-ta në botë, me të cilën po jetësohet marrëveshje partneriteti me QSUT, duke nisur nga Onkologjiku ku tanimë ekipi i Sheba dhe ekipi shqiptar kujdesen bashkërisht, për të vazhduar me ngritjen në QSUT të qendrës së Sheba-s për inovacionin dhe inteligjencën artificiale.
Kryeministri Rama u prit në këtë vizitë zyrtare nga prof. Yitshak Kreiss, njëherësh edhe drejtor i përgjithshëm i Qendrës Mjekësore Sheba në Tel-Aviv. Profesor Kreiss i shprehu kreut të qeverisë shqiptare, faktin se nëse po kërkohet të bëhet një revolucion në shëndetësinë shqiptare, atëherë duhet t’i besohet të rinjve, sepse ata janë të bindur dhe e dinë se çfarë bëjnë.
“Janë ata që po drejtojnë një pavijon të ri urgjence sot, me pacientë të vërtetë. Ky pavijon urgjence punon me pacientë të vërtetë, ku pacienti vjen dhe nuk e takon mjekun. Pacienti hyn, jep emrin dhe të dhënat e identitetit dhe fillon të bëjë bisedën me asistentin virtual shëndetësor. Asistenti virtual di gjithë historikun e pacientit dhe bën të gjitha pyetjet se pse ka ardhur këtu, pasi mjekët harxhojnë shumë kohë duke marrë informacione, dhe në këtë sistem, asistenti virtual di gjithë historikun e pacientit me sekonda”, tha Kreiss.
Më pas, profesori Kreiss shpjegoi të gjithë procedurën që bën asistenti virtual shëndetësor, nga zgjedhja e gjuhës së bisedës, te rekomandimi për imazherinë, laboratorin dhe ekzaminimin fizik mjekësor që duhet të bëjë pacienti.
“Pasi përfundon marrjen e historikut, vetë sistemi përcakton për marrjen e analizave në laborator, sepse mjeku është nën stres gjatë gjithë kohës dhe sistemi e di se çfarë duhet të bëjë laboratori dhe më pas e dërgon edhe tek imazheria dhe aty merren vendimet.
Ne nuk mund ta bëjmë gjithçka menjëherë, por këtu kemi një sistem, ku ne e vendosim mjekun te qendra e komandimit dhe ata bëjnë mbikqyrjen dhe vëzhgimin. Ne nuk jemi aq guximtarë sa t’i besojmë gjithçka makinerisë, por ne jemi vendi i parë në botë që të trajtojmë pacientë realë në pavijonin e urgjencës nëpërmjet inteligjencës artificiale, por nën mbikëqyrjen njerëzore”, vijoi ai.
Drejtuesi i Qendrës Shëndetësore Sheba theksoi se për këtë projekt janë shpenzuar shumë para, por nëse arrihet që në një vit të provohet që sistemi merr vendime me më pak gabime sesa njerëzit, atëherë mund të eliminohet edhe nevoja e mjekut.
“Njerëzit më thonë është një ndryshim i vogël, por për ne është ndryshim i madh. Nëse ne mund të reduktojmë me 30% ngarkesën e mjekëve, kemi 800 pacientë çdo ditë dhe nëse arrijmë të reduktojmë ngarkesën e mjekëve me 30-40%, atëherë ky është një fillim shumë i mirë”, theksoi Kreiss.
Nga ana e tij, kreu i qeverisë shqiptare i shprehu falënderimet e rastit profesor Kreissit, ndërsa e cilësoi këtë vizitë zyrtare të shumëpritur një takim që u bë realitet. “Faleminderit, është një nder i madh dhe një privilegj. Me zor po prisja që të vija këtu prej shumë kohësh, takimi u bë realitet, por u bë realitet edhe takimi me mjekët dhe ekipin nga spitali “Nënë Tereza”. Jemi shumë të lumtur sa i takon të ardhmes, edhe falë pranisë suaj në Tiranë, dhe falë mbështetjes suaj, të cilën e vlerësojmë shumë”, tha Rama.
Nga vizita zyrtare e Kryeministrit Rama në Qendrën Mjekësore Sheba në Tel Aviv
Zbulohen mashtrime të mëdha në sistemin shëndetësor gjerman. Një tjetër model mashtrimi profesional është krijimi i të ashtuquajturave kompani fiktive. Ozempic, fillimisht një ilaç për diabetin, po bën bujë të madhe, pasi trendi filloi në Hollywood. Një shiringë Ozempic për humbje peshe kushton nga 80 deri në 217 euro, në varësi të dozës. Por edhe […]
Ishemitë cerebrale janë shkaktari i dytë më i madh i vdekjeve në Shqipëri, por sistemi publik shëndetësor nuk garanton ndërhyrjet jetëshpëtuese, duke i detyruar pacientët dhe familjarët e tyre që të paguajnë nga xhepi mijëra euro në një spital privat për të mbijetuar. Kur motra e tij pësoi ishemi cerebrale vitin e kaluar, Arbeni* u […]
Kryeministri Edi Rama, gjatë një vizite në Spitalin Memorial në Fier, ka njoftuar nisjen e fazës së re të autonomisë spitalore, ku mjekët dhe infermierët do të përfitojnë shpërblime financiare bazuar në performancën e tyre.
Sipas Ramës, ky proces ka filluar rreth katër vite më parë me autonominë menaxheriale, duke u larguar nga një sistem i centralizuar dhe burokratik drejt një modeli më modern dhe efikas. Qëllimi kryesor është përmirësimi i shërbimit për pacientët, ndërsa stafi mjekësor do të vlerësohet financiarisht në bazë të rezultateve dhe kontributit në punë.
Rama theksoi se me kalimin në autonominë financiare, shpërblimi nuk do të jetë më i barabartë për të gjithë, por i diferencuar sipas performancës, duke krijuar mundësinë që ata me rezultate më të mira të përfitojnë më shumë se tavani i kategorisë së tyre.
Funksionalizimi i sistemit unik dhe të integruar të informimit shëndetësor ishte njëra ndër premtimet me të cilat, Lëvizja Vetëvendosje kryesonte plan-programin me të cilin, kishte ardhur në pushtet.
Katër vjet pas, qendrat mjekësore vazhdojnë të mbështeten në dokumentet klasike, ato të shkruara me dorë.
E kjo ngase sistemi aktual bazik “B HIS”, ka probleme të vazhdueshme.
”Fatkeqësisht nuk është e kompletuar tërësisht, po të ishte do veprohej ndryshe. Duke marrë parasysh se ka rënie të shpeshta të sistemit sepse është në gjithë Kosovën. Për shkak të ngecjeve ne obligohemi zë punojmë në formë klasike, letra e protokolle. E kur punon t’i fusim në sistem. Ka periudha kur punon brenda ditës por ka periudha që bie deri në 10 herë brenda ditës. Është ngarkesë e pacientëve, e stafit, duhet të kthehet në funksion”, ka thënë Bujar Gashi, Drejtor i QKMF në Prishtinë.
Po të vihej në praktikë, efekti sipas Gashit do ta lehtësonte dinamikën e institucioneve shëndetësore.
”Jashtëzakonisht do e lehtësonte punën, puna do përgjysmohej për shkak se SISH e shkurton kohën e punës. Çka bisedojmë me pacientët nga anamneza, ekzaminimi fizik, diagnoza dhe referimi bëhet krejt në kompjuter çka është më e lehtë. Minimizohen gabimet dhe s’ka gabime në barnatore e pritjet do jenë shumë më të vogla”, ka shtuar Gashi.
Arsyeja kryesore sipas Besim Kodrës nga Shoqata për Mbrojtjen e Pacientëve në Kosovë është mungesa e vullnetit të institucioneve për të treguar transparencë.
E sipas tij, funksionalizmi i tërësishëm i Sistemit Informativ Shëndetësor nuk mund te pritet në një të ardhme të afërt.
”Ka shumë faktorë jo veç kompani, mund të jenë biznese që nuk duan të kenë transparencë. Shembull, në institucionet private MSH nuk ka dijeni se çka po ndodhë, kjo i bie që kanë interes të mos bëhet. Konsideroj se MSH duhet të marrë me prioritet funksionalizilin e SISH dhe ta rrisë transparencën se përpos se e ndihmon shëndetësinë është edhe parakusht për të nisur fondin. Nuk ka shanc të bëhet. Hiç. SISH merr vite, për mu mbetet interesante se si nuk ka lëvizje progresive në këtë drejtim sepse duhet ta bëjmë atë, të shtrirë në tërë institucionet. Të përgatiten njerëzit e atëherë konsiderohet ae është konsiliduar. Sa më shpejtë të nis puna aq më mire”, ka thënë Besim Kodra, nga Shoqata për Mbrojtjen e Pacientëve në Kosovë.
Televizioni ka pyetur Ministrinë e Shëndetësisë rreth fazës së procesit për funksionalizimin e SISH por e njëjta, siç ndodhë rëndom, nuk është përgjigjur.
Funksionalizimi i sistemit në fjalë mbetet parakusht për krijimin e Fondit për Sigurime Shëndetësore./Dukagjini/