Grupi austriak i sigurimeve, UNIQA, ka finalizuar daljen nga tregjet e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Javën e kaluar, u mbyll transferimi i paketës prej 90% të aksioneve të Sigal Uniqa Group Austria te Sigal Business Center, shoqëri në pronësi të Avni Ponarit, aksionar pakice dhe administrator i shoqërisë.
Ponari zotëronte në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe pjesën e mbetur prej 10% të aksioneve, ndërsa me blerjen e kuotave të UNIQA bëhet pronar i vetëm i kompanisë.
Palët kanë zgjedhur të mos e bëjnë publik çmimin e shitblerjes as në dokumentacionin e depozituar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, për transferimin e aksioneve. Sipas burimeve jozyrtare nga tregu i sigurimeve, besohet se kjo vlerë mund të ketë qenë pranë kufirit të 60 milionë eurove.
Në tregun shqiptar, Sigal Uniqa Group Austria ka pjesëmarrje kontrolluese edhe në shoqërinë e sigurimit të jetës Sigal Life Uniqa Group Austria. Nga ana e saj, Sigal Life Uniqa Group Austria zotëron 51% të aksioneve në shoqërinë Sigal Uniqa Invest (49% e aksioneve zotërohen nga Avni Ponari).
Sigal vepron gjithashtu në tregun kosovar, me dy ndërmarrjet e kontrolluara 100% prej saj, Sigal Uniqa Group Austria dhe Sigal Life Uniqa Group Austria.
Në Maqedoninë e Veriut, kompania vepron nëpërmjet Uniqa AD Skopje, me 99,95% të aksioneve dhe Uniqa Life AD Skopje, me 100% të aksioneve.
Largimi i UNIQA përfaqëson zhvillimin më të rëndësishëm në strukturën e pronësisë së tregut të sigurimeve për më shumë se 15 vjet.
Tashmë, pesha e kapitalit vendas në këtë treg rritet më tej, duke ndjekur një tendencë të ngjashme që ishte përvijuar pas vitit 2015 edhe në sektorin bankar. I vetmi grup i huaj në tregun e sigurimeve ngelet Vienna Insurance Group, që kontrollon kompanitë Sigma dhe Intersig. Në fund të 2024, dy kompanitë e Vienna Insurance Group zotëronin rreth 22% të tregut, sipas primeve të shkruara bruto.
Me shitjen e Sigal nga UNIQA, tashmë pjesa e kompanive me kapitalit vendas ka arritur në afërsisht 78% të tregut.
Sipas pasqyrave të konsoliduara financiare, në fund të vitit 2023 Sigal Uniqa Group Austria zotëronte aktive totale në vlerën e rreth 20.6 miliardë lekëve dhe një kapital aksionar prej 5.4 miliardë lekësh. Në të përfshihen edhe më shumë se tre miliardë lekë fitime të akumuluara dhe të pashpërndara.
Grupi e mbylli vitin 2023 me një fitim neto në vlerën e 768 milionë lekëve, ndërsa e ardhura gjithëpërfshirëse, e rregulluar me efektin negativ të kursit të këmbimit nga kompanitë jashtë Shqipërisë, ishte 558 milionë lekë.
Sigal është prej shumë vitesh kompania kryesuese e tregut të sigurimeve në Shqipëri për nga vlera e primeve të shkruara bruto. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), në fund të vitit 2024, Sigal zotëronte 25.5% të primeve të shkruara bruto të sigurimit të Jo-Jetës dhe 39.6% të primeve të shkruara bruto të sigurimit të Jetës.
The post UNIQA largohet zyrtarisht nga Shqipëria, finalizohet shitja te kompania e Avni Ponarit appeared first on Revista Monitor.