Shehaj: Rama, dëbuesi i emigrantëve hiqet si hero i tyre nëpërmjet kapjes së mediave
Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj ka reaguar pas përplasjes publike mes Edi Ramës dhe Nigel Farage, duke e cilësuar atë një “teatër liderash populistë”. Shehaj argumenton se forca e Ramës për të bërë shpëtimtarin e emigrantëve shqiptarë, edhe pse është përgjegjësi për ikjen e tyre, vjen nga kontrolli mbi mediat dhe manipulimi i opinionit publik.
“Një teatër dhe dy lidera populistë që përfitojnë: Farage ekstremisti që mbron anglezët nga shqiptarët, Rama kryeministri që pasi jua bën jetën të pamundur në Shqipëri, tani shitet si mbrojtës i shqiptarëve.”
Për Shehajn, problemi thelbësor nuk është aftësia politike e Ramës, por infrastruktura e propagandës që ai ka ndërtuar përmes kontrollit të mediave.
“Por kjo nuk është çështje zotësie. Është rezultat i kontrollit pothuajse absolut që Rama ka mbi mediat. Në këto 12 vite ka ndodhur pikërisht kjo gjë, është manipuluar opinioni publik nëpërmjet kontrollit të informacionit.”
Ai kujton disa nga skandalet më të mëdha të qeverisë Rama, që sipas tij janë relativizuar nga ky kontroll mbi informacionin.
“Raste si ky kanë ndodhur në mënyrë të përditshme në këto 12 vite, nga skandali i inceneratorëve te McGonigal, nga mungesa e ilaçeve te arrestimi i Veliajt.”
Në fund, Shehaj paralajmëron se nëse nuk kuptohet rrënja e këtij pushteti të pakontrollueshëm, përballja me Ramën do të mbetet e kotë.
“Cila është zgjidhja? Zgjidhja është që të jemi të vetëdijshëm se kontrolli mbi mediat është burimi i pushtetit absolut të Ramës. Zhvendosja e vëmendjes në çështje dytësore si treni bullgar, listat e hapura, opozita e pareformuar, apo votat e diasporës, thjesht do të forcojë edhe më tepër pushtetin e Ramës” – thekson Shehaj. ©Lapsi.al
Lexo më tej: Kush fiton nga telenovela e verës Rama – Nigel Farage?
The post Shehaj: Rama, dëbuesi i emigrantëve hiqet si hero i tyre nëpërmjet kapjes së mediave appeared first on Lapsi.al.