Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Sigurimi i tërmeteve, si do të funksionojë skema

24 July 2025 at 23:00

Qeveria shqiptare ka rikthyer për konsultim pas dy vitesh projektligjin për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet.

Varianti i ri i projektligjit nuk sjell ndryshime të mëdha në thelbin e konceptimit të skemës së sigurimit nga tërmetet. Ai përcakton detyrimin për sigurimin e të gjitha banesave në vend, me pak përjashtime (psh. shtëpitë e ndërtuara prej argjile, qerpiçi, kallami, etj apo ndërtesave me vendndodhje të lëvizshme apo të përkohshme).

Skema e sigurimit do të administrohet nga një ent i posaçëm me kapital shtetëror që do të ngrihet për këtë qëllim, Fondi Kombëtar për Sigurimin e Detyrueshëm nga Tërmetet.

Shuma e sigurimit do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, ndërsa primi i sigurimit që do të paguajnë pronarët e banesave do të përcaktohet nga Fondi për tërmetet, pas marrjes së pëlqimit nga ministri përgjegjës për financat.

Për shtresat nevojë, primi i sigurimit do të financohet nga buxheti i shtetit.

Ashti si në variantin fillestar, projektligji i ri përcakton se subjektet që nuk zbatojnë detyrimin për të lidhur kontratë sigurimi nga tërmetet, nuk marrin shërbime kadastrale, nuk marrin shërbime nga e-Albania dhe as nga Qendra Kombëtare e Biznesit.

Ndër ndryshimet e pakta krahasuar me variantin fillestar të projektligjit është ndryshimi i përcaktimeve lidhur me afatin maksimal për dëmshpërblimin, që në variantin fillestar parashikohej të ishte 9 muaj.

Në projektligjin e ri, rregullat, afatet, kriteret dhe procedurat për pagesën e dëmeve të shkaktuara nga ngjarjet e tërmeteve përcaktohen me udhëzim ministrit të Financave. Megjithatë, në projektligj përcaktohet se dëmshpërblimi në varësi të shkallës së dëmtimit dhe masës së dëmshpërblimit, paguhet brenda tre muajve, duke filluar nga momenti i plotësimit të plotë të dokumentacionit përkatës.

Një risi e projektligjit të ri është edhe saktësimi i rregullave të dëmshpërblimit në rastin kur një person është i siguruar si me një kontratë të detyrueshme ashtu edhe nëpërmjet një kontrate sigurimi vullnetare. Në një rast të tillë, pagesa e dëmshpërblimit do të bëhet sipas kushteve të sigurimit të detyrueshëm. Për shumën e siguruar që tejkalon vlerën e kontratës së sigurimit të detyrueshëm, pagesa do të bëhet sipas kontratës së sigurimit vullnetar.

Një ndryshim tjetër në projektligj është heqja e parashikimit për mundësinë e menaxhimit të fondit nga një operator ndërkombëtar. Në projektligjin e mëparshëm, përcaktohej që Fondi për Termetet mund të delegonte menaxhimin dhe administrimin operacional pranë një Operatori Teknik Ndërkombëtar. Në versionin e ri të projektligjit, ky përcaktim është hequr.

Ndërkohë që në projektligjin e mëparshëm përcaktohej se menaxhimi i rrjetit të shitjeve do të bëhej nga një agjent i vetëm, i zgjedhur me vendim të Këshillit të Ministrave, në variantin e ri parashikohet mundësia që agjentët e shitjeve të jenë më shumë se një.

Këshilli i Ministrave do të përcaktojë përcakton agjentin/agjentët për menaxhimin e shitjeve, komisionet përkatëse dhe kushtet e bashkëpunimit me ta. Ky parashikim mund të krijojë më shumë hapësira për kompanitë private të sigurimeve, në mënyrë që ato të veprojnë si agjente dhe të përfitojnë nga komisionet e shitjes.

Projektligji i ri gjithashtu rishikon dispozitat që parashikonin mbikëqyrjen e Fondit për Termetet nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Në variantin e ri, përcaktimet për mbikëqyrjen e AMF-janë më të kufizuara, por nga ana tjetër e bëjnë më evazive dhe më pak të qartë për të kuptuar se në ç’masë dhe me çfarë instrumentesh AMF do ta mbikëqyrë këtë fond.

Projektligji i ri përcakton se AMF, në bazë të këtij ligji dhe përsa është e nevojshme në zbatim të legjislacionit për sigurimin dhe risigurimin në Republikën e Shqipërisë, mbikëqyr Fondin për Tërmetet, në drejtim të unifikimit të rregulloreve dhe standardizimit të akteve rregullatore gjatë veprimtarisë së tij me këtë ligj dhe ligjet e fushës, të transparencës ndaj publikut, të zbatueshmërisë së termave dhe kushteve të kontratave që lidhen me të siguruarit, si dhe të monitorimit të zbatueshmërisë së politikave të investimeve, kur konstaton se nuk janë në përputhje me aktet rregullatore të vendosura apo kur rrezikojnë pozicionin financiar të shoqërisë. Gjithashtu, AMF mund të nxjerrë rekomandime për përmirësimin e veprimtarisë së Fondit për Tërmetet.

Skema bazohet në modelin turk, por me ndryshime të rëndësishme

Projektligji i paraqitur nga qeveria shqiptare ngjason kryesisht në modelin e adoptuar nga Turqia, ku kjo skemë u ngrit me konsulencën e Bankës Botërore.

Në vitin 2020, Turqia e bëri sigurimin ndaj tërmetit të detyrueshëm më ligj dhe për menaxhimin e kësaj skeme u ngrit një ent i posaçëm shtetëror. Megjithatë, skema e aplikuar në Turqi ka disa ndryshime thelbësore nga ajo që propozohet në Shqipëri.

Në rastin e Turqisë, detyrimi ligjor për sigurim ekziston vetëm për banesat urbane dhe jo për ato rurale. Gjithashtu, ligji përcakton qartë se skema nuk do të marrë në sigurim atë kategori të ndërtimeve urbane që nuk plotëson kriteret teknike për t’u siguruar.

Ndërkohë, projektligji që propozohet në Shqipëri kërkon sigurimin e të gjitha banesave urbane dhe rurale, me përjashtim të ndërtimeve prej qerpiçi dhe atyre të lëvizshme. Kjo mund të krijojë një ekspozim të madh ndaj rrezikut financiar, sepse risiguruesit mund të mos pranojnë të risigurojnë ato objekte që nuk plotësojnë disa kritere minimale teknike.

Gjithashtu, Turqia ka të përcaktuara qartë një ndarje të primeve të sigurimit në varësi të shkallës së rrezikut. Territori i vendit është i ndarë në shtatë rajone dhe secili rajon ka një koeficient të veçantë rreziku për llogaritjen e primit, për shkak se rreziku i aktivitetit sizmik është i ndryshëm për pjesë të ndryshme të vendit. Gjithashtu, skema parashikon koeficientë të ndryshëm për ndërtimet me strukturë beton-arme dhe për ndërtimet e llojeve të tjera. Në projektligjin shqiptar nuk propozohet asnjë diferencim i tillë, megjithëse nuk përjashtohet që një diferencim të bëhet në fazën e përgatitjes së akteve nënligjore.

Megjithëse ka një sipërfaqe më të vogël se Turqia, edhe në Shqipëri rreziku sizmik është i ndryshëm në zona të ndryshme dhe një vlerësim i saktë i primit të rrezikut do të kërkonte një diferencim të këtij lloji. Ndërkohë që edhe llojet dhe standardet e ndërtimeve janë shumë të ndryshme, duke pasur parasysh edhe spektrin e gjerë të detyrimit për sigurim. Një ndërtesë njëqindvjeçare në fshat nuk ka të njëjtin rrezik shembjeje me një banesë që ndërtohet sipas standardeve të sotme.

Nga ana tjetër, shembulli i Turqisë tregon edhe faktin që arritja e një mbulimi i të plotë me sigurimin e banesave, qoftë edhe me një skemë të detyrueshme, nuk është aq e lehtë.

Sipas të dhënave më të fundit, nga Fondi turk për Sigurimin e Tërmeteve (DASK), pavarësisht se sigurimi i banesës në zonat urbane është i detyrueshëm me ligj, shkalla e sigurimit të banesave vlerësohet në afërsisht 57%.

Tërmetet e 2019, 93% e dëmeve u paguan brenda një viti

Në nëntor 2019, një tërmet shkatërrues me magnitudë 6.4 ballë, goditi Shqipërinë, duke prekur mbi 200,000 njerëz në 11 bashki, përfshirë Tiranën dhe Durrësin, dhe duke shkaktuar një ndikim të konsiderueshëm ekonomik të vlerësuar në 7.5% të produktit të brendshëm bruto.

Tërmetet e shtatorit dhe nëntorit të vitit 2019 ishin edhe një provë për tregun e sigurimeve në Shqipëri në përballjen me dëmet nga katastrofat. Sipas informacioneve të publikuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, tërmetet shkaktuan mbi 6200 dëme për tregun e sigurimeve në Shqipëri. Gjithmonë duke iu referuar të dhënave nga AMF, rreth 93% e dëmeve u shlyen brenda një viti, deri në fund të vitit 2020, ndërsa një pjesë e vogël u paguan gjatë vitit 2021. Vlera e përgjithshme e dëmeve të lidhura me tërmetet për kompanitë e sigurimeve vlerësohet se arriti në rreth 40 milionë euro dhe në pjesën më të madhe u pagua nga risiguruesit.

Duke pasur parasysh se vlera e dëmeve të tërmetit të nëntorit 2019 arriti në afërsisht një miliard euro, tregu i sigurimeve sigurisht që pagoi një pjesë të vogël të tyre, edhe për shkak të shkallës së ulët të sigurimit të banesave nga shqiptarët. Megjithatë, tregu i sigurimeve arriti ti përgjigjej mirë dhe në një kohë relativisht të shpejtë klientëve të siguruar.

Primet e sigurimit vullnetar, 9 euro për frymë

Sipas të dhënave nga AMF, vitin e kaluar tregu i sigurimit të pronës nga katastrofat, i shprehur sipas primeve të shkruara bruto, kishte vlerën e 2.2 miliardë lekëve ose afërsisht 22.5 milionë eurove. E shprehur në prime sigurimi për frymë, çdo shqiptar shpenzon mesatarisht afërsisht 9 euro në vit për sigurimin e pronës nga katastrofat.

Primet e shkruara bruto shënuan një rritje me afërsisht 4% krahasuar me një vit më parë, por pesha e tyre specifike pësoi një rënie të mëtejshme në 9.8% të primeve të sigurimit të Jo-Jetës, nga 10% që përbënte një vit më parë. Shifrat e sigurimit janë qartësisht shumë modeste dhe në pjesën madhe vlerësohet se ky sigurimi është faktikisht i detyrueshëm, sepse kërkohet nga banka për sigurimin e pronave që lihen si kolateral për kreditë bankare.

Një nga shqetësimet kryesore të siguruesve është se ligji për sigurimin e detyrueshëm nga tërmetet faktikisht do të dekurajopjë edhe më shumë shqiptarët për blerë produkte të sigurimit vullnetar të pronës.

Ligji kërkon që sigurim të detyrueshëm vetëm për tërmetet dhe në teori kompanitë private të sigurimeve mund të vazhdojnë të mbulojnë rrezikun nga katastrofat e tjera.

Megjithatë, siguruesit mendojnë se në një vend ku kultura e sigurimit është minimale, pothuajsë askush nuk do të marrë iniciativën të bëjë një sigurim të dytë nga katastrofat e tjera natyrore, veç tërmeteve.

Në këtë mënyrë, sigurimi nga katastrofat e tjera natyrore do të ngelet si një lloj produkti vetëm për kredimarrësit e sektorit bankar, edhe më shumë nga sa ndodh sot. Mund të hipotizohet se të gjithë huamarrësit që kanë lënë një pronë si kolateral do të detyrohen të paguajnë çdo vit dy sigurimeve për pronën një në skemën e detyrueshme shtetërore dhe një që do të vazhdojë t’ua kërkojë banka.

Shqipëria vlerësohet si një vend me ekspozim të artë nga rrezikut të katastrofave natyrore. Raporti i Rrezikut Botëror 2021, i cili llogarit Indeksin e Rrezikut të Fatkeqësive për 181 vende, bazuar në kapacitetet përballuese, e rendit Shqipërinë të parën në Evropë dhe në vend të 61, në rang botëror.

Sipas Bankës Botërore, humbjet e mundshme në Shqipëri nga një fatkeqësi natyrore me një periudhë kthimi 250-vjeçare vlerësohen në rreth 2.1 miliardë euro për tërmetet dhe 1.2 miliardë euro për përmbytjet. Që nga viti 1900, Shqipëria është goditur nga dymbëdhjetë tërmete me magnitudë mbi 6 ballë./ E.Shehu

 

 

https://monitor.al/qeveria-rikthen-projektligjin-per-sigurimin-e-detyrueshem-nga-termetet/

 

 

The post Sigurimi i tërmeteve, si do të funksionojë skema appeared first on Revista Monitor.

Eurostat, Shqipëria e para në Evropë, 166% rritje të fluturimeve në qershor krahasuar me para pandeminë

By: xhir jeta
21 July 2025 at 14:59

Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e pushuesve të huaj, veçanërisht pas periudhës së pandemisë. Turizmi duket se është një ndër sektorët me rritjen më të shpejtë në vend. Një ndër faktorët kryesorë që ka ndikuar në këtë zhvillim është vendosja e linjave ajrore “low-cost”, ashtu si në shumë vende të tjera të Europës, çka ka sjellë një rritje të ndjeshme të numrit të fluturimeve komerciale.

Sipas të dhënave të Agjencisë Evropiane të Statistikave, për muajin qershor të vitit 2025 Shqipëria ka arritur një rezultat shumë pozitiv. Krahasuar me të njëjtin muaj para fillimit të pandemisë, numri i fluturimeve është rritur me plot 166.4% duke kryesuar Europën dhe rajonin. Kjo rritje e ndjeshme e trafikut ajror tregon jo vetëm rritjen e interesit për Shqipërinë si destinacion turistik, por edhe përmirësimin e infrastrukturës dhe ofertës turistike të vendit. Vetëm gjatë muajit qershor, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka mirëpritur rreth 1.15 milionë pasagjerë. Gjatë këtij muaji janë kryer 6,830 fluturime, që kanë lidhur Tiranën me 103 destinacione në 31 shtete, përmes 27 linjave ajrore që operojnë në këtë aeroport.

Po si paraqitet situata në rajon? Pas Shqipërisë, vendi me rritjen më të lartë të fluturimeve komerciale është Bosnja dhe Hercegovina, me një rritje prej 64.7%. Edhe Serbia ka shënuar një trend pozitiv, me një rritje prej 41.4%. Maqedonia e Veriut ka shënuar një rritje më të moderuar prej 21.8%, ndërsa Mali i Zi është i vetmi vend i rajonit që ka regjistruar një rënie në këtë drejtim, me -3.3%.

Çfarë ndodh në pjesën tjetër të Europës? Në rang europian, Shqipëria është vendi me rritjen më të madhe të numrit të fluturimeve, e ndjekur nga Islanda, me një rritje prej 106.9%. Më pas renditen Bosnja dhe Hercegovina, Serbia dhe Polonia.

Megjithatë, jo të gjitha shtetet kanë ruajtur një bilanc pozitiv. Sipas të dhënave, Letonia ka shënuar rënien më të madhe të fluturimeve komerciale, me -30.7%. Situata paraqitet gjithashtu negative për Suedinë (-23.6%), Finlandën (-22.3%) dhe Slloveninë (-21.7%).

“Zëra”, Episodi 3: Brisejda Lala dhe Arnen Sula flasin për restaurimin e Spaçit dhe kujtesën historike

11 July 2025 at 17:12

Në serinë e tretë të sezonit të katërt të podcastit “Zëra”, gazetarja Erisa Kryeziu sjell në diskutim mënyrën se si trajtohet kujtesa historike në Shqipëri duke marrë shkas nga rasti i restaurimeve të nisura dhe më pas të pezulluara në ish-burgun e Spaçit.

Të ftuar në këtë bisedë janë Brisejda Lala, studiuese e historisë, dhe Arnen Sula, arkitekt dhe drejtues i qendrës “Tek Bunkeri”.

Një projekt filmik ngjalli diskutime në muajin qershor mbi kujtesën historike pasi u shoqërua me ndërhyrje pa transparencë në burgun e Spaçit.

Sula ngre shqetësime për mënyrën se si u transformua ambienti i dhomës së takimeve në burg.

“Këto vrima që përdoreshin për të përgjuar familjarët e të burgosurve, edhe në çaste intime, janë zhdukur. Ato janë dëshmi të drejtpërdrejta të së kaluarës,” thotë ai.

Drejtuesi i qendrës “Tek Bunkeri” thekson se ndërhyrjet e fundit bien ndesh me Planin e Menaxhimit të Spaçit, që parashikonte ruajtjen e gjendjes ekzistuese për të reflektuar jo vetëm periudhën e diktaturës, por edhe dekadat e braktisjes dhe plaçkitjes pas saj.

“Rrezikojmë të humbasim historitë që ato mure mbartin,” paralajmëron ai.

Për studiuesen Brisejda Lala, është e papranueshme që, pas kaq vitesh, burgu i Spaçit ende nuk është shpallur muze. Ajo thekson se çdo ndërhyrje, sado e vogël, duhet të kalojë në filtrin e një studimi të mirëfilltë, duke respektuar statusin si Monument Kulture i Kategorisë II.

“Shoqëria shqiptare nuk e ka kthyer kokën nga e kaluara. Jemi zgjuar vonë,” thotë ajo, ndërsa e lidh këtë “rizgjim” me zhgënjimin kolektiv nga tranzicioni dhe shembujt pozitivë nga vendet ish-komuniste që e kanë integruar kujtesën historike në ndërtimin e identitetit kombëtar.

Arkitekti Sula kujton bisedat me ish-të dënuarit politikë, të cilët, sipas tij, ndihen të braktisur.

“Njëri prej tyre qante kur tregonte që as djali i vet nuk e dëgjon më,” thotë ai. Për të, kjo është dëshmi e një harrese shoqërore që shkon përtej institucioneve.

Lala shton se mungesa e një vendi zyrtar kujtese e bën të pamundur përfaqësimin e denjë të atyre që kanë vuajtur.

“Fatmirësisht, kemi ende të gjallë shumë prej tyre. Dëshmitë e tyre janë thelbësore për të ngritur narrativën e së vërtetës historike,” shpjegon ajo.

Podcastin mund ta ndiqni dhe në Spotify:

Në bisedë, Brisejda dhe Arneni nënvizojnë nevojën që të rinjtë të njihen me këtë pjesë të historisë. Kjo, sipas tyre bëhet në shkolla, duke e përfshirë këtë pjesë të historisë në kurrikulat shkollore.

“Edukimi duhet të fillojë që në shkollën 9-vjeçare, që duhet të kemi një lloj specifikimi të temave që do të zhvillohen në lidhje me komunizmin dhe zgjerim të njohurive”, u shpreh Brisejda Lala.

Sipas Lalës, shembujt në rajon për mënyrën si është trajtuar në shkolla janë të shumtë.

“Në Rumani kanë module të përcaktuara në klasën e 12-të që zhvillohet vetëm në diktaturën komuniste të implementuar në Rumani dhe ka edhe në klasën e 11-të një modul sa i përket periudhës së Holokasustit”.

Për Arnen Sulën, nevoja për të folur me të rinjtë për periudhën e diktaturës komuniste është e rëndësishme, pasi shumë pak dinë.

“Shumë nga situatat politike dhe sociale që kemi sot si shoqëri, vijnë si pasojë e traumave që na ka lenë diktatura”, argumenton Sula.

Lala sugjeron që të ketë një program të detyruara në shkolla për të vizituar vendet e kujtesës, ndërsa vë në dukje nevojën për të pasur një hartë të vendeve të kujtesës në Shqipëri.

Ndërsa Arnen Sula sjell në vëmendje praninë në postet drejtuese të sotme të personave që kanë shërbyer gjatë diktaturës.

“Është shumë e dhimbshme për ish të përndjekurit politikë të shikojnë figura të tilla ende në pozicione drejtuese”, u shpreh Sula.

Podcasti “Zëra” sjell në çdo episod zëra kritikë dhe reflektime për shoqërinë shqiptare, me qëllim të nxisë mendim të pavarur dhe dialog publik. Hapësira e këtij podcasti i dedikohet gjithashtu qytetarëve që angazhohen në kauza publike, zëri i të cilëve mbytet ose mpaket nga ngjarjet e shumta politike e sociale, që shpesh nuk e kalojnë kryeqytetin.

The post “Zëra”, Episodi 3: Brisejda Lala dhe Arnen Sula flasin për restaurimin e Spaçit dhe kujtesën historike appeared first on Citizens.al.

Rama: Prokurimet publike, me inteligjencë artificiale

TIRANË, 18 korrik/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama solli në vëmendje sot projektin e qeverisë për kryerjen e prokurimeve publike me inteligjencë artificiale, që sipas tij, do t’i japë fund ndërhyrjeve njerëzore në këtë proces.

Në një takim në Berat me përfaqësues të teknologjisë, inovacionit dhe start up-eve, Rama vlerësoi se teknologjia e re është bekim për vende si Shqipëria.

“Duke shfrytëzuar teknologjinë ne kemi bërë një kapërcim që nuk do ta kishim bërë dot në shërbimet publike. Por faktet tregojnë se ka akoma shumë për të bërë. Në aspektin e qeverisjes një nga produktet ku unë jam investuar personalisht janë prokurimet publike me inteligjencë artificiale”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se “prokurimet publike dhe konkurueshmëria në prokurime ka qenë dhe mbetet një problem, pavarësisht se kemi bërë shumë progres”.

“Ne kemi kapacitetin përmes teknologjisë që Shqipërinë ta kthejmë në vendin që e zhduk fare interferencën e njerëzve në prokurime. Jemi duke punuar për modelin e inteligjencës artificiale për prokurimet pa njerëz. Prokurimet i bën inteligjenca artificiale ku njerëzit kanë një rol vetëm në fund, sepse përgjegjësinë finale të firmës së kontratës nuk e merr dot kompjuteri por do e marrë njeriu”, theksoi Rama.

Nga ana tjetër, kryeministri theksoi se të gjithë punën nga termat e referencës që janë problem kryesor në hartimin e prokurimeve dhe që aty fillon loja deri tek vlerësimi i ofertave mund ta bëjë fare mirë inteligjenca artificiale.

“Ne jemi duke punuar për këtë produkt i cili nëse do të funksionojë dhe do të jetë I suksesshëm mund të jetë fare mirë ndër ato produkte që Shqipëria mund ta ofrojë për vendet e tjera”, shtoi Rama.

/j.p/

The post Rama: Prokurimet publike, me inteligjencë artificiale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TIA: Nisin fluturime direkte Tiranë – Amsterdam, çdo të martë dhe të shtunë

TIRANË, 14 korrik /ATSH/ Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Tiranë njoftoi sot se nisi fluturimi i parë direkt nga Rinasi drejt Amsterdamit (Holandë), me kompaninë “TUI fly”.

TIA bën të ditur se, nga kjo javë, çdo të martë dhe të shtunë, do të udhëtohet për në Amsterdam, drejt qytetit të mullinjve me erë, tulipanëve dhe kanaleve ikonike.

Përmes TIA-s udhëtimet dhe linjat e reja direkte, bëhen më të thjeshta, ndërsa destinacionet po shtohen çdo herë.

Hyrja e linjës së re të fluturimit në tregun shqiptar është pjesë e një tendence më të gjerë të interesit në rritje nga kompanitë ndërkombëtare, duke reflektuar atraktivitetin e Shqipërisë si destinacion turistik dhe investimi.

Kjo linjë e re pritet të ndikojë pozitivisht në rritjen e turizmit hyrës nga Holanda dhe Evropa Perëndimore, veçanërisht gjatë sezonit veror.

/r.e//a.f/

The post TIA: Nisin fluturime direkte Tiranë – Amsterdam, çdo të martë dhe të shtunë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Linjë e re ajrore mes Shqipërisë dhe Jordanisë

TIRANË, 9 korrik /ATSH/ Tirana International Airport vijon të zgjerohet si një nyjë e rëndësishme lidhëse mes Shqipërisë dhe destinacioneve ndërkombëtare, duke ofruar gjithnjë e më shumë mundësi për pasagjerët dhe promovimin e Shqipërisë si një destinacion turistik në rritje.

Tirana International Airport mirëpriti sot fluturimin e parë të kompanisë “Jordan Aviation” nga Amani, duke shënuar nisjen e një linje të re ajrore mes Jordanisë dhe Shqipërisë.

Kjo lidhje e re ajrore hap një kapitull të ri bashkëpunimi dhe krijon mundësi të reja për udhëtime mes dy vendeve.

Linja lehtëson udhëtimet si për qytetarët shqiptarë që dëshirojnë të vizitojnë Jordaninë dhe Lindjen e Mesme, ashtu edhe për turistët jordanezë që duan të zbulojnë bukuritë natyrore, trashëgiminë kulturore dhe mikpritjen tradicionale shqiptare.

1 nga 4

/a.gj//r.e//a.f/

The post Linjë e re ajrore mes Shqipërisë dhe Jordanisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FRANCË – Rreth 1 000 fluturime të anuluara, pas grevës së kontrollorëve të trafikut ajror

PARIS, 3 korrik /ATSH-AFP/ – Greva e kontrollorëve të trafikut ajror rezultoi sot në anulimin e 933 fluturimeve në Francë, sipas Autoritetit Francez të Aviacionit Civil (DGA).

Sipas të njëjtit burim, shkalla e grevës ishte 26,2%, me 272 kontrollorë të trafikut ajror që morën pjesë në aksion nga 1 000 personel shërbimi.

Nga ana e saj, shoqata kryesore evropiane e linjave ajrore, Airlines for Europe (A4E), vlerësoi se në Evropë, 1 500 fluturime do të anuloheshin sot dhe nesër, ditën e dytë të grevës, “duke prekur pothuajse 300 000 pasagjerë” në Kontinentin e Vjetër.

“Kjo grevë është e patolerueshme. Kontrolli francez i trafikut ajror është tashmë përgjegjës për disa nga vonesat më të këqija në Evropë dhe tani veprimet e një pakice kontrollorësh francezë të trafikut ajror do të prishin planet e pushimeve të mijëra njerëzve në Francë dhe Evropë”, tha drejtoresha ekzekutive e A4E, Ourania Georgoutsakou, e cituar në një deklaratë./ /os/

The post FRANCË – Rreth 1 000 fluturime të anuluara, pas grevës së kontrollorëve të trafikut ajror appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Po “shteron” rritja e kontribuuesve në sektorin privat, u shtuan vetëm 17 mijë më 2024

3 July 2025 at 10:00

Ulja e popullsisë së vendit përtej të gjithë skenarëve, sidomos pas pandemisë po jep efekte zinxhir në të gjitha fushat, duke përfshirë edhe sistemin publik të pensioneve.

Të dhënat zyrtare nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore tregojnë se numri i përgjithshëm i kontribuuesve është rritur me 16,939 persona në vitin 2024 në raport me 2023. Ky ritëm rritjeje është më i ngadaltë krahasuar me periudhat paraardhëse, p.sh., në vitin 2023 kishin 25,623 persona më shumë se me 2022. Gjithsesi nga viti 2020 në vitin 2024 rreth 55,5325 persona u shtuan në skemën e sigurimeve shoqërore, kryesisht nga rritja e numrit të kontribuuesve në zonat rurale.

Në vitin 2024 numri i fermerëve që paguan sigurime arritën në më shumë se 88 mijë, 13,415 persona ose me 17.7 për qind më shumë se në vitin 2023.

Nga ana tjetër të kontribuuesit në sektorin e privat që përfaqësojnë bizneset në zonat urbane u zgjeruan me vetëm 7,944 persona ose vetëm 1.5 për qind. Ky ishte ritmi më i ulët i rritjes së kontribuuesve në sektorin privat pas pandemisë (shiko grafikun e mëposhtëm).

Teksa kontribuuesit nga sektori publik u zgjeruan në të njëjtën periudhe me 1236 persona ose 0.7%.

Kontribuuesit që ndikojnë pozitivisht arkëtimet nga sigurimet janë rritur shumë pak vitin e kaluar, teksa rritja e fermerëve ka ndikim të kufizuar për shkak të vlerës së ulët të kontributit. Psh masa mujore e kontributit për të vetë- punësuarit ishte 9200 lekë në vitin 2024, ndërsa në bujqësi për zonat fushore ishte 3200 lekë në muaj, ndërsa në zonat malore 2450 lekë në muaj. Vitin e kaluar të ardhurat nga kontributet e fermerëve arritën në 3,2 miliardë lekë ose vetëm 2.3 % e të ardhurave të drejtpërdrejta nga kontributet totale.

Edhe pse ka pasur rritje të vetë- punësuarit në bujqësi, shuma e kontributeve që ata paguajnë është shpesh minimale, për shkak të nivelit të ulët të të ardhurave dhe skemave lehtësuese. Kjo rrit numrin e kontribuuesve, por jo qëndrueshmërinë financiare të skemës.

Ngadalësimi i kontribuuesve lidhet me dy faktorë themelore, i pari dhe më i rëndësishmi është reduktimi i popullsisë në moshe pune dhe i dyti informaliteti ende i lartë. Edhe pse numri i kontribuuesve është rritur, informaliteti mbetet i lartë, veçanërisht në sektorë si ndërtimi, tregtia dhe shërbimet.

Shqipëria po përballet me një plakje të popullsisë dhe emigrim të vazhdueshëm të të rinjve, çka e vë në presion skemën aktuale të pensioneve. Në vitin 2025, popullsia në moshe pune ra në 1,504,570, persona që përfaqëson një tkurrje totale prej 38 mijë personash në një vit dhe mbi 444 mijë në krahasim me vitin 2012, më i miri me numrin më të lartë të regjistrua 1,979,908 persona. / B.Hoxha

Burimi: ISSH

Burimi: ISSH

The post Po “shteron” rritja e kontribuuesve në sektorin privat, u shtuan vetëm 17 mijë më 2024 appeared first on Revista Monitor.

52% e pensionistëve nuk morën pension të plotë në 2024-n

By: Elva
2 July 2025 at 08:40

Në totalin e pensioneve të pleqërisë më shumë e gjysma e tyre, rreth 52 për qind, morën pagesa të pjesshme në vitin 2024 sipas të dhënave zyrtare më 2024. Kjo përqindje u zgjerua me tej nga niveli 49.7% në vitin 2023. Rritja e personave me pagesa të pjesshme tregon se gjithnjë e më shumë ata […]

The post 52% e pensionistëve nuk morën pension të plotë në 2024-n appeared first on BoldNews.al.

Pas sulmeve me raketa nga Irani, këto kompani ajrore paralajmërojnë pezullime në fluturime

23 June 2025 at 22:58

Pas sulmit me raketa nga Irani ndaj një baze amerikane në Katar, kompanitë ajrore në rajon kanë filluar të ndryshojnë oraret e fluturimeve dhe të marrin masa sigurie.

Qatar Airways ka njoftuar një “pezullim të përkohshëm” të fluturimeve dhe thotë se do të rifillojë operacionet “kur hapësira ajrore të rihapet”.

Etihad Airways ka devijuar disa fluturime për sot dhe nesër për shkak të kufizimeve në hapësirën ajrore të rajonit. Kompania ka paralajmëruar për vonesa dhe ndërprerje të mundshme në ditët në vijim.

Air Arabia ka deklaruar se disa fluturime mund të pësojnë ndërprerje “për shkak të përshkallëzimit të situatës dhe mbylljes së hapësirës ajrore”.

Kuëait Airways ka pezulluar të gjitha nisjet nga vendi për pjesën e mbetur të ditës. Më vonë, Kuvajti ka rihapur hapësirën e tij ajrore.

Pakistan International Airlines ka anuluar fluturimet drejt Katarit, Bahreinit, Kuvajtit dhe Dubait.

EgyptAir ka pezulluar fluturimet për në dhe nga qytetet e Gjirit deri në stabilizimin e situatës në rajon.

Air India ka ndaluar të gjitha operacionet drejt Lindjes së Mesme, si dhe “nga dhe drejt brigjeve lindore të Amerikës së Veriut dhe Evropës, me efekt të menjëhershëm, deri në një njoftim të dytë”. Fluturimet në ardhje nga Amerika e Veriut po devijohen në aeroporte të tjera.

IndiGo njofton se operacionet e saj drejt dhe nga Dubai, Doha, Bahreini, Arabia Saudite, Abu Dhabi, Kuvajti, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Gjeorgjia janë prekur ndjeshëm.

Kompanitë ajrore u bëjnë thirrje udhëtarëve që të kontrollojnë statusin e fluturimeve përpara nisjes dhe të jenë të përgatitur për ndryshime të papritura.

The post Pas sulmeve me raketa nga Irani, këto kompani ajrore paralajmërojnë pezullime në fluturime appeared first on Sot News | Lajme.

Aviacioni civil shqiptar në zgjerim të shpejtë, Rinasi drejt fluturimeve direkte me SHBA

TIRANË, 23 qershor/ATSH/ Rinasi po përgatitet për një hap të rëndësishëm në zhvillimin e aviacionit civil shqiptar, me nisjen e fluturimeve direkte, pa tranzit drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kreu i Autoritetit të Aviacionit Civil, Maksim Et’hemaj, në një intervistë në medie, informoi se pritet që këto fluturime të nisin në pranverën e vitit 2026, pasi pista e aeroportit të Rinasit po zgjatet dhe forcohet për t’iu përshtatur kërkesave teknike të avionëve që do të operojnë në këtë linjë.

“Pista po zgjatet, po forcohet. Presim që marrëveshja me operatorin amerikan të nënshkruhet në shtator-tetor dhe nëse gjërat shkojnë siç ne parashikojmë, për shkak të situatës gjeopolitike që po ndodh, presim që në pranverën e vitit 2026 të nisin fluturimet direkte për dhe nga aeroporti i Rinasit drejt Shteteve të Bashkuara”, tha Et’hemaj.

Ai sqaroi se marrëveshja me operatorin amerikan pritet të nënshkruhet në shtator-tetor të këtij viti dhe se për aeroportin e Vlorës, i cili është ndërtuar që në fillim për të përballuar fluturime të tilla, do të nevojitet një kohë shtesë për certifikim dhe miratime, ndaj pritet të nisë aktivitetin rreth 2 vite më vonë.

“Sepse do të duhet të certifikohet, proces për të cilin me Aeroportin e Rinasit e kemi përfunduar, për të marrë lejet, miratimet, për të vazhduar. Pra i pari do të jetë Aeroporti i Rinasit, në pranverë të vitit 2026, i ndjekur nga Aeroporti i Vlorës, një ose dy vite më vonë”, theksoi kreu i AAC-së.

Ky zhvillim është pjesë e një strategjie më të gjerë për avancimin e aviacionit civil në vend, duke përfshirë futjen e organizatave të mirëmbajtjes së avionëve, hapjen e shkollave të aviacionit civil dhe ushtarak, si dhe zgjerimin e infrastrukturës aeroportuale.

Et’hemaj vuri në dukje se aeroporti i Vlorës ofron një avantazh të rëndësishëm për pasagjerët dhe turizmin, duke mundësuar akses më të shpejtë në rivierën shqiptare në më pak se një orë, falë përmirësimeve infrastrukturore të fundit si tuneli i Llogorasë dhe autostrada Rrogozhinë-Vlorë.

Sipas tij, në vitet e fundit, konkurrenca në tregun e aviacionit shqiptar ka sjellë ulje të çmimeve dhe rritje të numrit të pasagjerëve.

“Në vitin 2018 vetëm 6,7% e popullsisë kishte akses në fluturime, ndërsa vitin e kaluar kjo shifër arriti në 42%, dhe këtë vit pritet të rritet në 47%. Parashikimet tregojnë se numri i pasagjerëve do të dyfishohet deri në vitin 2042, duke kaluar nga 12 milionë në 24 milionë”, shtoi ai.

Autoritetet synojnë që aviacioni të jetë një mjet transporti sa më i sigurt dhe i aksesueshëm për të gjitha shtresat e shoqërisë, duke ndihmuar kështu në zhvillimin ekonomik dhe turistik të vendit. /j.p/

 

 

The post Aviacioni civil shqiptar në zgjerim të shpejtë, Rinasi drejt fluturimeve direkte me SHBA appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ACI, Shqipëria “kampione” e Europës në ndërlidhjen aeroportuale, 191% rritje të fluturimeve direkte pas pandemisë

By: xhir jeta
23 June 2025 at 13:44

Shqipëria vijon të jetë një histori suksesi në rajon dhe në Evropë sa i përket ndërlidhjes ajrore, falë rritjes së vazhdueshme jo vetëm të numrit të pasagjerëve, por edhe konektivitetit. Të dhënat nga raporti i vitit 2025 të ACI (Këshilli Ndërkombëtar i Aeroporteve) “Rankimi i Shteteve Evropiane bazuar në ndryshimin e lidhjeve ajrore” për vitin 2025, në krahasim me vitin 2019 dhe 2024, tregojnë zhvillime të rëndësishme në ndërlidhjen ajrore, ku Shqipëria shfaqet mes performuesve më të mirë.

Për shtetet jo – BE, ndryshimi i Shqipërisë krahasimisht me vitin 2019, kohë në të cilën vendi u përball me pandeminë Covid-19 është rritur me +56% duke u rankuar në vendin e dytë për këtë tregues pas Uzbekistanit i cili ka një rritje me +73%.

Për këtë tregues Shqipëria lë pas edhe fqinjët e saj ballkanikë, të cilët gjithashtu paraqesin një rritje nga pandemia duke u renditur Bosnje e Hercegovinga (+40%); Maqedonia e Veriut (+17%), Serbia (+8), Kosova (+1) ndërsa Mali i Zi ka vlerë negative me (-6%).

Kjo përforcon trendin pozitiv të rritjes së linjave ajrore dhe tërheqjes së operatorëve të huaj, të mbështetur nga rritja e turizmit dhe zhvillimi i infrastrukturës aeroportuale.

Ndërkohë, Shqipëria mban vendin e parë në të gjithë Europën, përfshirë dhe për vendet jo – BE për rritjen e ndërlidhjes ajrore direkte krahasuar me vitin parapandemik 2019, duke pasur një rritje prej +191%.

Ky rezultat e bën Shqipërinë lider në të gjithë Evropën për rritjen e ndërlidhjes ajrore në periudhën post-pandemike, duke reflektuar zhvillimet infrastrukturore si hapjen e linjave të reja ajrore low cost, interesin në rritje të operatorëve të huaj ajrorë për të operuar në tregun shqiptar, ashtu edhe investimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, të ndërmarra nga Grupi Kastrati, që pas marrjes së koncesionit në fund të vitit 2019.

Pas Shqipërisë, rritjen më të mirë ndër vendet e Ballkanit e ka Kosova me (+97%) e ndjekur nga Bosnje dhe Hervegovina (+52%); Maqedonia e Veriut (+33%); Serbia (+31%); dhe Mali Zi (4%).

Ky trend sugjeron se Shqipëria është në rrugën e duhur për t’u bërë një nyje rajonale ajrore, veçanërisht në segmentin e destinacioneve turistike mesdhetare.

ACI: Aeroporti “Nënë Tereza” kryeson në rajon, rritje rekord prej 56% në lidhjet ajrore

TIRANË, 23 qershor /ATSH/ Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) “Nënë Tereza” është pozicionuar si një nga qendrat më dinamike të lidhjes ajrore në rajon.

Sipas të dhënave zyrtare të ACI Europe për vitin 2025, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës shënon një rritje rekord prej 56% në lidhjet ajrore, krahasuar me vitin 2019, duke tejkaluar ndjeshëm mesataren europiane, e cila mbetet në rënie me 9%.

Referuar të dhënave, TIA jo vetëm që kryeson në rajon, duke lënë pas vendet fqinje si Kosova me rritje 1%, Serbia me 8% dhe Maqedonia e Veriut me 17%, por pozicionohet si një nga aeroportet më dinamike në Europë për zhvillimin e lidhjes ajrore.

1 nga 2

/e.xh//a.f//r.e/

The post ACI: Aeroporti “Nënë Tereza” kryeson në rajon, rritje rekord prej 56% në lidhjet ajrore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UNIQA largohet zyrtarisht nga Shqipëria, finalizohet shitja te kompania e Avni Ponarit

22 June 2025 at 23:00

Grupi austriak i sigurimeve, UNIQA, ka finalizuar daljen nga tregjet e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Javën e kaluar, u mbyll transferimi i paketës prej 90% të aksioneve të Sigal Uniqa Group Austria te Sigal Business Center, shoqëri në pronësi të Avni Ponarit, aksionar pakice dhe administrator i shoqërisë.

Ponari zotëronte në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe pjesën e mbetur prej 10% të aksioneve, ndërsa me blerjen e kuotave të UNIQA bëhet pronar i vetëm i kompanisë.

Palët kanë zgjedhur të mos e bëjnë publik çmimin e shitblerjes as në dokumentacionin e depozituar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, për transferimin e aksioneve. Sipas burimeve jozyrtare nga tregu i sigurimeve, besohet se kjo vlerë mund të ketë qenë pranë kufirit të 60 milionë eurove.

Në tregun shqiptar, Sigal Uniqa Group Austria ka pjesëmarrje kontrolluese edhe në shoqërinë e sigurimit të jetës Sigal Life Uniqa Group Austria. Nga ana e saj, Sigal Life Uniqa Group Austria zotëron 51% të aksioneve në shoqërinë Sigal Uniqa Invest (49% e aksioneve zotërohen nga Avni Ponari).

Sigal vepron gjithashtu në tregun kosovar, me dy ndërmarrjet e kontrolluara 100% prej saj, Sigal Uniqa Group Austria dhe Sigal Life Uniqa Group Austria.

Në Maqedoninë e Veriut, kompania vepron nëpërmjet Uniqa AD Skopje, me 99,95% të aksioneve dhe Uniqa Life AD Skopje, me 100% të aksioneve.

Largimi i UNIQA përfaqëson zhvillimin më të rëndësishëm në strukturën e pronësisë së tregut të sigurimeve për më shumë se 15 vjet.

Tashmë, pesha e kapitalit vendas në këtë treg rritet më tej, duke ndjekur një tendencë të ngjashme që ishte përvijuar pas vitit 2015 edhe në sektorin bankar. I vetmi grup i huaj në tregun e sigurimeve ngelet Vienna Insurance Group, që kontrollon kompanitë Sigma dhe Intersig. Në fund të 2024, dy kompanitë e Vienna Insurance Group zotëronin rreth 22% të tregut, sipas primeve të shkruara bruto.

Me shitjen e Sigal nga UNIQA, tashmë pjesa e kompanive me kapitalit vendas ka arritur në afërsisht 78% të tregut.

Sipas pasqyrave të konsoliduara financiare, në fund të vitit 2023 Sigal Uniqa Group Austria zotëronte aktive totale në vlerën e rreth 20.6 miliardë lekëve dhe një kapital aksionar prej 5.4 miliardë lekësh. Në të përfshihen edhe më shumë se tre miliardë lekë fitime të akumuluara dhe të pashpërndara.

Grupi e mbylli vitin 2023 me një fitim neto në vlerën e 768 milionë lekëve, ndërsa e ardhura gjithëpërfshirëse, e rregulluar me efektin negativ të kursit të këmbimit nga kompanitë jashtë Shqipërisë, ishte 558 milionë lekë.

Sigal është prej shumë vitesh kompania kryesuese e tregut të sigurimeve në Shqipëri për nga vlera e primeve të shkruara bruto. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), në fund të vitit 2024, Sigal zotëronte 25.5% të primeve të shkruara bruto të sigurimit të Jo-Jetës dhe 39.6% të primeve të shkruara bruto të sigurimit të Jetës.

The post UNIQA largohet zyrtarisht nga Shqipëria, finalizohet shitja te kompania e Avni Ponarit appeared first on Revista Monitor.

TEL AVIV – Izraeli mbyll sërish hapësirën ajrore pas sulmeve amerikane ndaj Iranit

22 June 2025 at 06:43

TEL AVIV, 22 qershor /ATSH-DPA/- Izraeli ka mbyllur sërish hapësirën e tij ajrore për shkak të frikës së përshkallëzimit të konfliktit – pas sulmeve të SHBA-së ndaj objekteve bërthamore në Iran.

Autoriteti izraelit i aviacionit njoftoi sot se, për shkak të situatës aktuale të sigurisë, të gjitha fluturimet ishin pezulluar.

“Megjithatë, kalimet tokësore për në Egjipt dhe Jordani mbeten të hapura si zakonisht”, shtoi autoriteti.

Izraeli fillimisht e mbylli hapësirën e tij ajrore – pas nisjes së sulmeve ndaj Iranit më 13 qershor.

Megjithatë, që atëherë, një numër i kufizuar fluturimesh speciale janë lejuar të operojnë në aeroportin e Tel Avivit, kryesisht për të sjellë izraelitët e bllokuar në shtëpi dhe për të evakuuar shtetasit e huaj. //a.i/

The post TEL AVIV – Izraeli mbyll sërish hapësirën ajrore pas sulmeve amerikane ndaj Iranit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Qeveria britanike organizon fluturime çarter nga Izraeli për qytetarët e saj

20 June 2025 at 13:39

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar po përgatit organizimin e fluturimeve çarter nga Izraeli për të ndihmuar qytetarët britanikë në zonë, ndërsa situata në rajon po përkeqësohet.

Sipas një njoftimi të Downing Street, qytetarëve britanikë u është kërkuar që të regjistrojnë praninë e tyre pranë Ministrisë së Jashtme për të qëndruar në kontakt me autoritetet dhe për të marrë udhëzime të mëtejshme lidhur me fluturimet.

PA Media raporton se qeveria po bashkëpunon ngushtë me autoritetet izraelite për të organizuar transportin jashtë rajonit, sapo hapësira ajrore të rihapet. Kryeministri Sir Keir Starmer ka bërë thirrje për një zgjidhje diplomatike mes palëve në konflikt.

“Ne këshillojmë qytetarët britanikë që të vazhdojnë regjistrimin në Izrael dhe Territoret e Pushtuara Palestinase, për të qenë të kontaktueshëm dhe për udhëzime të mëtejshme mbi fluturimet,” tha një zëdhënës i qeverisë.

Sekretari i Jashtëm pritet të bëjë njoftimin zyrtar për organizimin e fluturimeve çarter nga aeroporti i Tel Avivit në ditët në vijim.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Qeveria britanike organizon fluturime çarter nga Izraeli për qytetarët e saj appeared first on Euronews Albania.

Denoncimi/ Sigurimet e Astrit Hados vonojnë pagesat për lejen e lindjes

By: Ela
16 June 2025 at 15:11

Nënat që përfitojnë lejen e lindjes po përballen sërish me vonesa shqetësuese në derdhjen e pagesave mujore. Data shënon 16 dhe akoma nuk është bërë asnjë pagesë për këtë muaj nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore i cili drejtohet nga Astrit Hado. Edhe pse pagesa e lejes së lindjes në Shqipëri vijon të jetë ndër më […]

The post Denoncimi/ Sigurimet e Astrit Hados vonojnë pagesat për lejen e lindjes appeared first on BoldNews.al.

PAMJET/ Avionët shmangin Lindjen e Mesme, anulohen fluturimet Tiranë – Tel Aviv

By: user 6
13 June 2025 at 20:29

Mijëra udhëtarë në mbarë botën po përballen me anulime të shumta të fluturimeve këtë të premte, pasi Izraeli nisi sulmin ndaj Iranit. Hapësira ajrore përgjatë Iranit, Irakut, Izraelit dhe Jordanisë u zhyt në kaos pasi Izraeli nisi një valë raketash ndaj Iranit gjatë natës. Kjo shkaktoi devijim të dhjetëra fluturimeve duke lënë mijëra pasagjerë të bllokuar.

Aeroporti “Ben Gurion” i Tel Avivit është i mbyllur deri në një njoftim të mëtejshëm dhe kompanitë kryesore ajrore, përfshirë Emirates, Lufthansa, Air France, United dhe Delta, kanë anuluar fluturimet drejt rajonit.

Edhe fluturimet mes Tiranës dhe Tel Avivit janë anuluar këtë të premte. Pas sulmit, Irani, Iraku, Jordania dhe Siria mbyllën gjithashtu hapësirën e tyre ajrore. Autoritetet e aviacionit në Iran kanë mbyllur hapësirën ajrore të vendit deri në njoftim të mëtejshëm, sipas raporteve të medias shtetërore.

9-second video of the clearing of Iranian and Iraqi airspace. pic.twitter.com/VZLWbmk9sC

— Flightradar24 (@flightradar24) June 13, 2025


Kufiri lindor i vendit me Iranin është një nga korridoret më të ngarkuara të trafikut ajror në botë, ku kalojnë shumë fluturime nga Evropa në Azi. Eurocontrol vlerëson se të paktën 1 800 fluturime janë prekur deri më tani vetëm për në Evropë dhe anasjelltas.

Trafiku ajror po devijohet ose në jug, nëpërmjet Egjiptit dhe Arabisë Saudite, ose në veri, nëpërmjet Turqisë, Azerbajxhanit dhe Turkmenistanit. 29 fluturime me 2427 pasagjerë u devijuan për në Qipro. 20 fluturime nga Evropa dhe SHBA-të zbarkuan në Larnaka dhe 9 në Pafos.

Pasagjerëve iu ofruan dhoma hoteli, thanë mediat lokale. Nëse keni një fluturim të rezervuar për në vendet e prekura, përfshirë Libanin, Jordaninë dhe Azerbajxhanin, ju këshillohet të monitoroni nga afër faqet e internetit të linjave ajrore dhe aeroporteve për përditësime. /LAPSI.al

The post PAMJET/ Avionët shmangin Lindjen e Mesme, anulohen fluturimet Tiranë – Tel Aviv appeared first on Lapsi.al.

Anulohen fluturimet Tiranë-Tel Aviv, mbyllet edhe ambasada e Izraelit

By: user 5
13 June 2025 at 18:31

Pas përshkallëzimit të situatës në Lindjen e Mesme, janë anuluar fluturimet mes Shqipërisë dhe Izraelit.Ministria e Jashtme e Izraelit po ashtu ka urdhëruar mbylljen e të gjitha misioneve diplomatike dhe pezullimin e shërbimeve konsullore në të gjithë botën, përfshirë edhe ambasadën në Shqipëri.

‘Në dritën e zhvillimeve të fundit, misionet izraelite në mbarë botën do të mbyllen dhe shërbimet konsullore nuk do të ofrohen. Një formular online është i disponueshëm për izraelitët jashtë vendit për të raportuar vendndodhjen dhe statusin e tyre aktual.

Ju lutemi plotësojeni atë për të ndihmuar Ministrinë e Punëve të Jashtme të qëndrojë e përditësuar. Në rast emergjence ose fatkeqësie, kontaktoni menjëherë Dhomën e Situatave të Ministrisë.

Kontrolloni rekomandimet e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për vendin ku ndodheni aktualisht, si dhe udhëzimet e përgjithshme të sigurisë për izraelitët jashtë vendit:

a. Shmangni shfaqjen e simboleve hebraike ose izraelite në hapësirat publike.

b. Përmbahuni nga postimi i detajeve të identifikueshme në lidhje me vendndodhjen tuaj ose planet e udhëtimit në mediat sociale.

c. Shmangni pjesëmarrjen në tubime ose ngjarje të mëdha që lidhen me Izraelin ose komunitetet hebraike.

d. Bashkëpunoni me forcat lokale të sigurisë dhe ndiqni udhëzimet e tyre menjëherë nëse ekspozoheni ndaj aktivitetit armiqësor.

e. Qëndroni shumë vigjilentë në vendet publike.

f. Në rast emergjence, kontaktoni misionin në vendin e rezidencës duke përdorur numrat e emergjencës që shfaqen në faqen “Na Kontaktoni”.’– thuhet në njoftimin e Ambasadës.

The post Anulohen fluturimet Tiranë-Tel Aviv, mbyllet edhe ambasada e Izraelit appeared first on Lapsi.al.

Sulmet e Izraelit ndaj Iranit, anulohen fluturimet Tiranë-Tel Aviv dhe anasjelltas

By: gaze tare
13 June 2025 at 16:43

Pas përshkallëzimit të situatës në Lindjen e Mesme, ku Izraeli ka ndërmarrë një seri sulmesh ndaj objektivave strategjike në Iran, janë anuluar fluturimet mes Shqipërisë dhe Izraelit.

Sipas të dhënave nga faqja zyrtare e Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit, janë anuluar dy fluturime nga Tel Aviv drejt Tiranës dhe një fluturim nga Tirana drejt Tel Avivit. Një prej avionëve nga Tel Aviv duhej të mbërrinte në Tiranë në 15:40 dhe tjetri në 16:20, por të dy janë anuluar.

Ndërkohë, nga Tirana ishte parashikuar një fluturim në orën 17:20 drejt Tel Avivit, por edhe ai është anuluar. Ndërkohë, në mbrëmje vonë në 23:30 parashikohet një tjetër fluturim nga Rinasi në Tel Aviv, por edhe ai me shumë gjasë do të anulohet si të tjerët.

The post Sulmet e Izraelit ndaj Iranit, anulohen fluturimet Tiranë-Tel Aviv dhe anasjelltas appeared first on iconstyle.al.

❌
❌