Në një botë ku aleancat e vjetra po testohen dhe fuqitë e mëdha po shkruajnë rregulla të reja, Bashkimi Europian ndodhet në një pozicion më të dobët se kurrë më parë: midis një Amerike gjithnjë e më proteksioniste dhe një Kine gjithnjë e më agresive ekonomikisht. Përballë tarifave të Trump dhe shantazhit tregtar të Pekinit, prestigjozja The New York Times analizon se Brukseli nuk ka më luksin të bëjë politikë të jashtme me parime; tani është koha e mbijetesës gjeopolitike.
The New York Times:
Dikur dukej për shumëkënd sikur Presidenti Trump mund të ishte një arsye për Europën dhe Kinën që të afronin ekonomitë e tyre. Tarifat e planifikuara prej tij bënë pak për ta dalluar Bashkimin Europian, një aleat i vjetër i Shteteve të Bashkuara, nga Kina, sfiduesja kryesore e dominancës amerikane.
Nuk ka ndodhur ashtu. Përkundrazi, Bashkimi Europian e gjen veten në një grackë gjeopolitike midis dy ekonomive më të mëdha të botës.
Në Bruksel, zyrtarët po përpiqen të sigurojnë një marrëveshje të përafërt tregtare me homologët e tyre amerikanë përpara se Trump të godasë bllokun me tarifa të larta, të përgjithshme, që mund të trondisin ekonominë e BE-së.
Në të njëjtën kohë, politikëbërësit e Bashkimit Europian po përpiqen të nxisin homologët e tyre në Pekin që të ndalojnë së mbështeturi Rusinë, të ndalojnë së ndihmuari industrinë kineze me kaq shumë para shtetërore dhe të ngadalësojnë rrjedhën e mallrave të lira drejt Bashkimit Europian.
Por, në një moment të trazuar të sistemit tregtar global, Bashkimi Europian gjithashtu ka nevojë ta mbajë marrëdhënien me Kinën, fuqinë më të madhe prodhuese në botë, në një bazë relativisht të qëndrueshme.
Udhëheqësit nga Bashkimi Europian pritet të jenë në Pekin për një samit në fund të korrikut. Shpresat për këtë mbledhje janë të ulëta.
Edhe pse Kina e shtyn idenë se armiqësia e Trump ndaj tregtisë multilaterale po e shtyn Europën në krahët e saj, problemet e Europës me Kinën vetëm sa po rriten.
“Nuk ka një kartë të Kinës për Europën,” tha Liana Fix, një hulumtuese për Europën në Këshillin për Marrëdhënie me Jashtë.

(Kaja Kallas, nënkryetarja e Komisionit Evropian, dhe Wang Yi, ministri i jashtëm i Kinës, javën e kaluar në Bruksel)
Tensionet dolën plotësisht në pah javën e kaluar, kur Wang Yi, ministri i Jashtëm i Kinës, vizitoi Brukselin për takime në prag të samitit. Kina e përshkroi tonin si produktiv dhe hodhi poshtë idenë se dy palët kishin konflikte. Zyrtarët e Bashkimit Europian theksuan pikat e vazhdueshme që janë problem, përfshirë çekuilibrat tregtarë.
Ndarja u theksua edhe këtë fundjavë. Bashkimi Europian ka ndërmarrë së fundmi hapa për të kufizuar shpenzimet qeveritare për pajisje mjekësore nga Kina, duke argumentuar se agjencitë qeveritare kineze kanë trajtuar padrejtësisht kompanitë europiane dhe se ishte e nevojshme të barazohej fusha e lojës. Kina njoftoi të dielën se do të hakmerret.
Megjithatë, Bashkimi Europian mbetet në një vallëzim të brishtë me Kinën. Lidhjet ekonomike mes dy ekonomive janë të gjera. Shumë vende europiane mbeten thellësisht të varura nga Kina për materiale industriale. Dhe eksportet europiane drejt Kinës vazhdojnë të jenë të konsiderueshme, sidomos nga Gjermania, e cila ka pasur prej kohësh marrëdhënie të ngushta tregtare me Kinën.
Por eksportet e Europës janë në rënie, ndërkohë që importet kineze në bllok janë në rritje. Me produkte të lira nga gjigantët e ‘modës së shpejtë’ si Shein dhe Temu që përmbysin tregjet europiane, politikëbërësit po punojnë për të shtrënguar kufizimet ndaj këtyre importeve. Udhëheqësit europianë ankohen rregullisht se bankat shtetërore kineze subvencionojnë aq shumë prodhuesit vendas, saqë kompanitë europiane nuk mund të konkurrojnë.
Ankesat e Europës nuk kufizohen vetëm tek tregtia. Zyrtarët e Bashkimit Europian janë të zemëruar për mbështetjen që Kina i ka dhënë Rusisë gjatë luftës në Ukrainë, duke ofruar një treg për karburantin dhe produktet e tjera ruse, gjë që ka zbutur efektin e sanksioneve europiane.

(Pasojat e një sulmi me raketa ruse në Sloviansk të Ukrainës, muajin e kaluar. Zyrtarët e Bashkimit Evropian janë të zemëruar për mbështetjen e Kinës për Rusinë në luftën me Ukrainën)
Sipas ministrit të jashtëm danez, Lars Løkke Rasmussen, qëllimi i Bashkimit Europian nuk mund të jetë shkëputja nga Kina. “Bëhet fjalë për t’u angazhuar në kushte më të barabarta dhe për të pasur një qasje më transaksionale,” tha ai, gjatë një konference me gazetarët të premten.
Ndërkohë që Shtetet e Bashkuara po tronditin sistemin global tregtar me synimin për të zvogëluar deficitin tregtar, për të rritur të ardhurat dhe për të rikthyer prodhimin vendas, Bashkimi Europian gjendet në një pozitë të vetmuar. Ai është një bllok prej 27 shtetesh që së bashku përbëjnë ekonominë e tretë më të madhe në botë. BE-ja u krijua për të nxitur tregtinë ndërkufitare dhe mbetet një mbrojtës i fuqishëm i tregtisë së lirë.
“Europa dëshiron t’i tregojë botës se tregtia e lirë me një numër të madh vendesh është e mundur mbi bazën e rregullave,” tha Ursula von der Leyen, presidentja e Komisionit Europian, në një konferencë për shtyp muajin e kaluar.
BE-ja e ka thelluar tashmë bashkëpunimin tregtar me vende me qëndrime të ngjashme si Zvicra dhe Kanadaja. Zonja von der Leyen sugjeroi se mund të shkojë edhe më tej: të ndjekë një bashkëpunim të ri ndërmjet bllokut dhe një grupi tregtar prej 11 vendesh që përfshin Japoninë, Vietnamin dhe Australinë, por që nuk përfshin as Shtetet e Bashkuara dhe as Kinën.
Megjithatë, edhe pse zonja von der Leyen përpiqet të kalojë në ofensivë, zyrtarët e BE-së kanë kaluar muaj të tërë në një pozicion shumë më mbrojtës.
Kjo sepse, ndërsa Bashkimi Europian ka kritika për politikat që vijnë nga SHBA-ja dhe Kina, ai gjithashtu po goditet dhe po shqyhet mes të dyjave.

(Pako nga kompania “Shein” që presin të dërgohen në një fabrikë veshjesh në Guangzhou, Kinë, në shkurt)
Pavarësisht rezultatit të bisedimeve tregtare me administratën Trump, pritet që Bashkimi Europian të përfundojë me tarifa më të larta ndaj eksporteve të tij në Shtetet e Bashkuara sesa në fillim të vitit. Zyrtarët amerikanë e kanë përsëritur vazhdimisht se tarifat 10 përqind në të gjitha produktet nuk janë të negociueshme.
Zyrtarët europianë ka të ngjarë të detyrohen të bëjnë edhe lëshime për të siguruar një marrëveshje, përfshirë ndoshta një angazhim, për të mbajtur një qëndrim më të ashpër ndaj Kinës.
BE-ja është dakord me Trump-in që Kina ka ndjekur praktika të padrejta tregtare. Por blloku mund ta shtyjë Kinën vetëm deri në një pikë, për shkak të ndërlidhjes së thellë ekonomike mes tyre.
Kina, së fundmi, ia ka kujtuar BE-së me kosto këtë realitet.
Si përgjigje ndaj tarifave të SHBA-së, Kina kufizoi eksportet globale të magneteve me elementë të rrallë, që janë thelbësorë për prodhimin e një game të gjerë mallrash, nga makinat dhe dronët, te robotët industrialë dhe raketat.
Duke qenë se Kina dominon prodhimin e elementëve të rrallë, ajo mund t’u shkaktojë dëm serioz partnerëve të saj tregtarë me kufizime të tilla.
Fillimisht, politikanët europianë shpresonin që këto kufizime të preknin kryesisht kompanitë amerikane. Por edhe firmat europiane janë përballur me vonesa të mëdha për të marrë aprovimin e Kinës për blerjet e këtyre materialeve.
Ngadalësimi nuk lidhet vetëm me probleme logjistike për shkak të radhës së aplikimeve që Kina po përpunon. Përkundrazi, duket se është i lidhur me një pikë të vjetër tensioni tregtar mes Europës dhe Kinës.
Prej vitesh, qeveria kineze ka kërkuar që kompanitë e huaja të ndajnë ose të transferojnë teknologjinë te partnerët kinezë si kusht për të hyrë në tregun kinez. Kohët e fundit, prodhuesit europianë të makinave dhe kompani të tjera kanë mbetur prapa krahasuar me konkurrentët kinezë, të cilët udhëheqin zhvillimin në makinat elektrike, panelet diellore dhe teknologjitë e tjera.

(Një parking makinash në sipërmarrjen e përbashkët Shanghai Automotive Industrial Corporation-Volkswagen në prill në Shangai)
Duke pasur parasysh këtë, zyrtarët e Bashkimit Europian kanë ushtruar presion mbi kompanitë kineze që të transferojnë teknologji si pjesë e çmimit për hyrjen në tregun europian.
Bashkimi Europian gjithashtu i është bashkuar Shteteve të Bashkuara në kufizimin e dërgesave drejt Kinës të pajisjeve për prodhimin e çipave më të shpejtë, të cilët kanë përdorim si ushtarak ashtu edhe civil.
Kjo ka zemëruar zyrtarët kinezë. Ministri i Tregtisë i Kinës, Wang Wentao, i bëri thirrje Europës që të heqë kontrollin ndaj eksporteve të teknologjisë së lartë drejt Kinës si pjesë e diskutimeve për rifillimin e furnizimit me elementë të rrallë.
“Ministri Wang Wentao shprehu shpresën që BE-ja të na takojë në gjysmë të rrugës dhe të ndërmarrë masa efektive për të lehtësuar, mbrojtur dhe promovuar tregtinë e përputhshme të produkteve të teknologjisë së lartë drejt Kinës,” tha Ministria e Tregtisë në një deklaratë muajin e kaluar.
Në samitin që do të mbahet këtë muaj në Pekin, tha ai, zyrtarët europianë ka të ngjarë të vazhdojnë të ushtrojnë presion mbi zyrtarët kinezë për të siguruar akses më të qëndrueshëm në elementët e rrallë.
Jens Eskelund, presidenti i Dhomës së Tregtisë së Bashkimit Europian në Kinë, tha se dhoma dëshiron gjithashtu që takimet të përqendrohen në përpjekjen për të bindur zyrtarët kinezë për nevojën e rregullave më transparente dhe të parashikueshme, si dhe të trajtohet vështirësia në rritje për kompanitë e huaja që duan të bëjnë biznes në Kinë.
Por perspektiva për ndryshime të ndjeshme, apo ndonjë afrim të vërtetë mes Europës dhe Kinës, është e zymtë. Toni që vjen nga Europa nuk është pozitive.
Zonja von der Leyen, në një fjalim në takimin e G7-s muajin e kaluar në Kanada, tha se Kina është e angazhuar në një cikël “dominimi, varësie dhe shantazhi.”
Përgatiti ©LAPSI.AL
The post Mes presionit të SHBA dhe Kinës, Bashkimi Europian më në vështirësi se kurrë appeared first on Lapsi.al.