Sezoni i ri artistik i Teatrit Kombëtar premton emocione të forta dhe reflektime të thella përmes një përzgjedhjeje të kujdesshme të shfaqjeve që do të ngjiten në skenë gjatë muajve në vijim. Në qendër të programit që do të nisë këtë vjeshtë janë katër drama që ndërthurin klasikën me bashkëkohoren, dhe që prekin temat e dashurisë, drejtësisë, fuqisë dhe njeriut përballë fatit, përcjellë KultPlus.
Krah dy tragjedive të mëdha të Shekspirit “Otello” dhe “Si ta doni”, si dhe “Drejtësi në Nuremberg” nga Abby Mann, një nga premierat më të shumëpritura ne Teatrin Kombetar do të jetë edhe “Det i thellë blu” e dramaturgut britanik Terence Rattigan, një vepër rrënqethëse mbi dashurinë e pakthyeshme dhe humbjen personale. Me një ndjeshmëri të hollë psikologjike, drama sjell portretin e një gruaje të ndarë mes pasionit të njëanshëm dhe realitetit të hidhur të vetmisë.
Ky sezon i ri vjen si një thirrje për dialog me të kaluarën dhe të tashmen, një ftesë për të reflektuar mbi ndjenjat më të thella njerëzore dhe për të festuar fuqinë e teatrit për të prekur mendjen dhe zemrën./KultPlus.com
Shembja e Teatrit Kombëtar simbolizon humbjen e hapësirave publike në Tiranë dhe zëvendësimin e tyre me kulla. Por kujtesa kolektive, zëri qytetar dhe sheshet nuk mund të zëvendësohen me beton.
Nga Teatri te trotuari – Kronika e një qyteti të shembur me ligj
Në fillimin e verës së 2018-ës Tirana pa, edhe pse ende e pandërgjegjshme për atë që po dëshmonte, të vendosej një mikrofon në një nga hapësirat publike të saj, në sheshin e Teatrit Kombëtar.
E dizajnuar në vitin 1938 nga arkitekti Giulio Berté, godina kishte shërbyer gjatë jetës së vetë kryesisht në tre funksione kryesore: si hapësirë socializimi të spektatorëve në pushimin para dhe mes akteve; si shesh vallëzimi për hapësirën e jashtme të restorantit kur nuk kishte shfaqje; si fushë ping-pongu duke shoqëruar fushën e tenisit dhe pishinën e kompleksit kulturor dhe sportiv “Skanderbeg”.
Tetëdhjetë vite më pas, ai shesh do të përdorej edhe si një hapësirë ku do të zhvillohej një protestë për ta mbrojtur atë.
Teatri i kishte mbyllur dyert dhe përveç punëtorëve, që herë pas here dilnin nga salla e kuqërremtë me kuti materialesh në duar, që nga 2 korriku i 2018, kur u vu shfaqja e fundit në skenë, nuk shiheshin më spektatorë në mjediset tij.
Tre ditë më pas, më 5 korrik, Kuvendi do të miratonte me 75 vota, “Ligjin për Teatrin”*, apo siç njihet ndryshe, “Ligji Special”, i cili e transferonte hapësirën publike, si sheshin ashtu edhe teatrin, tek shoqëria private, “Fusha shpk”, që kjo e fundit të mund të ndërtonte.
Pas atij votimi, protesta për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar mori përmasa të tjera dhe hyri në një rrugëtim ku dorëzimi nuk ishte opsion.
Në sheshin e teatrit u krijua një kuvend i qytetit. Një hapësirë e paindoktrinuar, e pakapur nga interesa të ngushta private apo motive antiligjore. Ndërsa ndërtesa që u mor nën kontroll nga qytetarët më 24 korrik 2019, të cilët filluan ta rijetëzonin edhe pse pa përvojë, mësuan ta menaxhonin dhe kujdeseshin për të.
Ndërsa salla zhvillonte aktivitete artistike dhe kulturore – rreth 65 shfaqje u vunë në skenë në më pak se 8 muaj – në sheshin e tij protesta zhvillohej 24 orë, 7 ditë në javë, në dukje si gardiane e teatrit, dhe njerëzit rojtarët e tij.
Teatri Kombëtar duke u shembur 17 maj 2020/Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, Flicr.
Nga një shesh proteste, tek një rrugë kalimi për kullën.
Ato 75 vota që miratuan ligjin Fusha, ishin edhe goditja e parë që iu dha Teatrit Kombëtar, 682 ditë përpara se Erion Veliaj të çonte fadromat për të shembur ndërtesat e tij, në orën 04:30 të mëngjesit të datës 17 maj 2020.
Miratimi i ligjit për teatrin ishte një goditje që iu bë jo vetëm protestës – si akt demokratik, – apo ndërtesës – si dëshmi e historisë së brezave para nesh – por edhe vetë hapësirës, sheshit si vendkrijim i fjalës së lirë dhe lirisë së shprehjes, nga vetë përfaqësuesit e pushtetit të popullit në kuvend.
Ato 75 kartonë jeshil, rrëzuan jo thjesht një ndërtesë, por hapësirën e përbashkët ku njerëzit shkonin për të qenë bashkë – jo thjesht për të kaluar, por për të mbetur. Ishte goditje ndaj asaj nyje urbane që mblidhte këdo, nga të katër anët, dhe nga të gjithë dhe më pas krijonte diçka.
Sot ajo hapësirë nuk ekziston më në qytet.
Shembja e “17 Majit”, i hapi rrugë lejeve të njëpasnjëshme nga “Rama & Veliaj”, të cilët vunë në zbatim planin e Bjarke Ingels, të kullës me teatër.
Sot pas më shumë se dy vjetësh nga fillimi i punimeve në atë shesh, hapësira publike nuk ekziston më. Në vend të saj, është një kalim i zgavruar në tunelin e betonuar, i cili qëndron i hijezuar nën ndërtesën si flutur e Bjarke Ingels, e cila sot të ngjan si porta hyrëse për në kullën e Fushës.
Të dyja kantieret sot janë bashkuar në një të vetëm dhe kanë lidhur mes tyresh hekurin i cili më pas mbulohet në beton, duke zhdukur krejtësisht atë çfarë ka mbetur nga dikur hapësira publike e teatrit.
Tashmë ato dy projekte po shpalosin në shkallë reale se si grabitet dhe më pas zaptohet me ligj hapësira publike.
Grabitje nga e cila do të përfitonte kushdo biznesmen apo politikan që ka investuar para në dy gropat tashmë të hapura dhe betonizuara në truallin e Teatrit Kombëtar.
Ndërsa ky i fundit, ashtu siç i ka ngritur kryet si karabina, të ngjan më shumë me një roje të kullës, e cila shkeli interesin publik, mori dhe përvetësoi tokën publike dhe grabiti përveç tokës edhe 33 kate ajër.
Teatri ishte vetëm fillimi
Ai shesh, ai mikrofon i hapur, ai mur ku shkruhej “Monument Kulture, mbrohet nga populli”, dhe nuk lejonte që qyteti të shembej me turp, duhej zhdukur.
Duhej vrarë ideja që hapësira publike është e jona. Sepse aty ku publiku mbledh zërin dhe kujtesën, aty nuk ndërtohen kulla, aty nuk qarkullon paraja e zezë.
Që ajo të rrjedhë pa pengesë, duhej zhdukur sheshi, duhej shembur gjithçka që kujtonte se qyteti është i njerëzve.
Kantieri i Pixel Tower/Doriana Musai, Citizens.al
Dhe ashtu ndodhi edhe me “Pazarin e Ri” – një tjetër hapësirë publike e zaptuar, e shndërruar në “pronë private” me çati xhami dhe çmime që përjashtojnë të përditshmit dhe larguan tregtarët.
Me Sheshin “Skënderbej”, që nga vendtakim për të gjithë, u bë një shesh që eskpozon vetëm kullat.
Me Liqenin Artificial apo atë të Farkës që është rrethuar me ndërtim dhe kulla biznesi.
Me vilat historike të qytetit, zonën historike të tij, e cila u flijua për një imazh që ka për fasadë hipokrizinë.
Në çdo goditje ndaj qytetit fshihet një gënjeshtër që ka emër: integrimi evropian. Sepse çdo kullë ndërtohet me emrin e zhvillimit, çdo shembje justifikohet me progresin, çdo përvetësim me modernizimin.
Por qyteti nuk matet me lartësinë e ndërtesave, por me lartësinë e qytetarëve që guxojnë të flasin. Dhe nëse zërat e tyre janë shtypur me beton, kjo nuk është rruga drejt Evropës. Është rruga drejt një talljeje publike me ëndrrën evropiane.
Ndërkohë që BE predikon pjesëmarrjen, decentralizimin, transparencën dhe mbrojtjen e trashëgimisë, qeveria jonë betonon, centralizon përjashton dhe zhduk kujtesën.
“Në BE vetëm me Edin!” slogani që Edi Rama shpalli si lokomotivë fushate elektorale, ishte më shumë se sa propagandë; ishte privatizimi simbolik i ëndrrës evropiane të të gjithë shqiptarëve. Një fjalë e thjeshtë që i vuri drynin qytetit ku çelësat e tij i ka një njeri i vetëm.
Por historia nuk mbyllet me shembjen e teatrit.
Në vend të ndërtesës së teatrit, ngrihet rrëfimi. Në vend të sheshit, mbetet kujtesa. Në vend të mikrofonit, jemi ne – sepse ne jemi Teatri. Qyteti është ende aty ku janë njerëzit që nuk harrojnë.
Dhe po, ajo hapësirë nuk është më fizike. Por ajo ekziston në çdo rrëfim, në çdo kujtim, në çdo artist që nuk u shit, në çdo qytetar që s’u tërhoq.
Në çdo deputet që nuk votoi “pro”, në çdo anëtar këshilli, punonjës administrate, që rezistoi dhe nuk pranoi të bëhej pjesë e krimit mbi qytetin.
Në çdo të ri që sot pyet: “Po kush e dha këtë vendim? Kush e firmosi këtë turp? Kush e heshti këtë vjedhje?”
Ata që firmosën, janë ende aty. Por edhe ne jemi ende këtu. Dhe sa kohë jemi, historia nuk mbyllet.
Ajo fillon aty ku kujtesa bëhet revoltë. Dhe hapësira publike rifillon aty ku qytetari e ndjen veten pronar jo të truallit, por të së drejtës për të thënë: Ky është qyteti im. Nuk jepet me koncesion.
Hipokrizia e “pastrimit” të hapësirave publike
Për të kompletuar farsën, po i kthehen qytetit me një tjetër maskë: atë të pastërtisë morale. Po shembin mbulesat e hijezuesve, po heqin çadrat, po dëbojnë kafenetë nga trotuaret si të kishin zbritur nga ndonjë Olimp i etikës urbane.
Por kush ua lejoi? Kush ua dha lejet të zgjeroheshin me platforma druri në trotuare? Kush i mbylli sytë për vite me radhë?
Ishte e njëjta administratë, e njëjta bashki, e njëjta qeveri që sot bën sikur është e tronditur nga “shpërdorimi i hapësirës publike”.
E njëjta dorë që i hapi rrugën, sot vjen dhe thotë: “Çfarë keni bërë kështu?” E njëjta dorë që firmosi lejet, sot vendos shiritin e verdhë për moral publik.
I toleruan, i ushqyen, i kthyen në normalitet – sepse për vite me radhë edhe trotuari ishte pronë për t’u shitur. Dhe kur erdhi momenti i “Rilindjes 2.0”, në vend që të godasin veten, godasin të vegjlit. Jo ata që ndërtojnë kulla, e zaptojnë hapësira publike duke i shkatërruar dhe vjedhur, por ata që vendosin një karrige plastike mbi pllakat e betonit të trotuareve.
Ky nuk është pastrim. Është amnezi e planifikuar, është rigrabitur dhe mbuluar me moral. Është një narrativë e prodhuar nga vetë shkaktarët e kaosit, që tani luajnë rolin e shpëtimtarit. Por qyteti nuk harroi. Sepse trotuaret nuk i zaptuan qytetarët – i zaptuan ata që shesin edhe ajrin midis hapave në rrugë.
Sot, hapësira publike në Shqipëri nuk grabitet më natën – ajo miratohet me ligj, zbatohet me fadromë dhe justifikohet me moral të rremë.
Në emër të rendit, pastrohet kaosi që vetë kanë krijuar. Në emër të qytetarisë, përjashtohet qytetari. Në emër të zhvillimit, fshihet çdo gjurmë kujtese.
Por qyteti ka memorie. Dhe për sa kohë kujtojmë si u shemb Teatri, si u grabit sheshi, si u mbyt fjala dhe si u zëvendësua me beton – për aq kohë kjo histori nuk është e mbyllur.
Ata e duan qytetin pa njerëz, pa pyetje, pa rezistencë. Por qyteti nuk është kartolinë. Nuk është planimetria e një kompanie ndërtimi. Është ai vend ku dikush mund të ulet, të flasë, të protestojë, të kujtojë dhe të mos harrojë.
Për aq kohë sa nuk harrojmë, hapësira publike nuk është plotësisht e humbur. Ajo jeton në kujtesën tonë, derisa të kemi forcë ta rikthejmë.
Me mikrofonin e hapur. Me sheshin e mbushur. Dhe me qytetin si pronë të përbashkët, jo si çmim ndërtimi, jo si mall shumice për tu shitur tek kushdo kalimtar i rastit.
Shënim: Lista e deputetëve që votuan “pro” duke miratuar ligjin special, është marrë nga dokumentat e Kuvendit. Një numër i konsiderueshëm i atyre që votuan, 25% e tyre, sot janë në burg, nën hetim penal ose në kërkim nga SPAK.
*Projektligji për Teatrin 37/2018, formuluar “Për përcaktimin e procedurës së veçantë të për negocimin dhe lidhje ne kontratës me objekt: ‘Projektimin dhe realizimin e projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar’,” u botua online për konsultim më 8 qershor 2018. U shqyrtua dhe votua me procedurë të përshpejtuar 20 ditë më vonë dhe u rimiratua dy muaj më tutje pasi Presidenti e pati kthyer për rishqyrtim.
PUSTEC- Zjarr i përmasave të mëdha në Parkun Kombëtar të Prespës në zonën e Pustecit.
Vatra ka marrë përmasa gjatë minutave të fundit duke u përhapur në pyll.
Zjarrfikësit e bashkisë Pustec, forca të tjera nga shërbimet publike, ADZM dhe policia kufitare ndodhen në terren, situata paraqitet shumë e vështirë për shkak të përhapjes së madhe të vatrës.
Janë më tepër se 50 forca në terren që po bëjnë të mundur ndërhyrjen për izolimin fillimisht të flakëve, por situata mbetet kritike./abcnews.al
TIRANË, 26 korrik/ATSH/ Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi sot se ka goditur një rrjet për trafikun e kokainës nga Amerika Latine në Evropë.
Sipas SPAK, rrjeti ndërkombëtar ka trafikuar mbi 6 ton kokainë, me vlerë tregu 411 milionë euro, ndërsa 16 persona janë nën hetim.
“Në vijim të hetimeve, gjatë muajit korrik 2025, janë identifikuar dhe përfshirë në procedim edhe 6 (gjashtë) persona të tjerë: A. H., K. H., E.N., E. A., P.D. dhe I. Ll., të cilët dyshohen se janë përfshirë në disa episode të trafikimit të drogës. Edhe këta shtetas dyshohen për të njëjtat vepra penale në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal”, thuhet në njoftimin zyrtar të SPAK.
Sipas SPAK-ut, këto hetime janë realizuar në bashkëpunim me autoritetet evropiane të drejtësisë, Byronë Kombëtare të Hetimit, si dhe gjatë fazës së ekzekutimit me strukturat e hetimit në Policinë e Shtetit.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (Prokuroria e Posaçme), njoftoi sot se me vendimin e datës 15.05.2024, ka vendosur ndarjen e akteve nga procedimi penal nr. 184/1 i vitit 2021 dhe regjistrimin e procedimit penal nr. 184/3 i vitit 2024, ndaj 9 (nëntë) shtetasve të dyshuar: P. D., J. M., B. P., A. (alias D.,) Sh., R. Rr., G. (alias K., alias E.,) N., E. S., B. H., dhe J. P., për veprat penale të “Trafikimit të lëndëve narkotike” (neni 283/a/1 dhe neni 28/4), “Grupi i strukturuar kriminal” (neni 333/a), si dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.
Në vijim të hetimeve, gjatë muajit korrik 2025, janë identifikuar dhe përfshirë në procedim edhe 6 (gjashtë) persona të tjerë: A. H., K. H., E.N., E. A., P.D. dhe I. Ll., të cilët dyshohen se janë përfshirë në disa episode të trafikimit të drogës. Edhe këta shtetas dyshohen për të njëjtat vepra penale në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Këto hetime janë realizuar në bashkëpunim me autoritetet evropiane të drejtësisë, Byronë Kombëtare të Hetimit, si dhe gjatë fazës së ekzekutimit me strukturat e hetimit në Policinë e Shtetit.
Prokuroria e Posaçme ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së sigurimit personal ndaj 7 (shtatë) personave në hetim, kërkesë e cila është miratuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (Gjykata e Posaçme) me vendimin nr. 77, datë 25.07.2025, duke vendosur masën “arrest në burg”, bazuar në nenin 238 të Kodit të Procedurës Penale.
Vendimi u ekzekutua menjëherë në bashkëpunim me strukturat e Policisë së Shtetit. Më datë 25.07.2025 u bë e mundur arrestimi i gjashtë personave në hetim: A. H., K. H., E.N., E. A., P. D., I. Ll.
Gjatë ekzekutimit të masës së sigurisë, në banesën e shtetasit A. H. u gjetën dhe sekuestruan 3 armë zjarri të llojit pistoletë, të mbajtura pa leje, për të cilat është arrestuar në flagrancë.
Një prej të dyshuarve, shtetasi D. P. (alias D. B., alias E. S.), është shpallur në kërkim, dhe po punohet për lokalizimin dhe kapjen e tij në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe partnerët ndërkombëtarë. Për interesat e hetimit, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar dhe marrë miratimin e Gjykatës së Posaçme për kryerjen e kontrolleve në banesa, automjete dhe persona.
Deri në këto momente janë ekzekutuar 5 vendime të Gjykatës së Posaçme dhe janë realizuar kontrolle të shumta, nga të cilat ndër të tjera janë sekuestruar sende dhe materialet e mëposhtme:
Shuma monetare në total: Euro: 43,470 €, franga zvicerane: 5,000 CHF, 3 automjete, përfshirë një Mercedes Benz AMG G63, një Volksëagen Golf 7a, dhe një Volksëagen Sharan. Mjet lundrues: 1 skaf luksoz i markës “Hull Works Sarock 40”, prodhim i vitit 2025, i regjistruar në emër të një subjekti tregtar. Armë zjarri: 3 pistoleta, me krehër dhe fishekë. Ora të luksit: 1 orë Rolex, model 126613LN, 1 orë Richard Mille, model Mclaren RM50-03/68. Telefona celularë: 16 aparate celularë, kryesisht të markës iPhone dhe Samsung, disa me karta SIM aktive. Karta bankare dhe dokumente financiare: 19 karta bankare ndërkombëtare (Visa, Mastercard, American Express), të lëshuara në emër të personave nën hetim.
Dokumente bankare dhe transaksionesh financiare me llogari në Emiratet e Bashkuara, Gjermani, Itali dhe Panama.
Pajisje elektronike: 1 dron i markës DJI Mavic 2 Enterprise, me të gjithë aksesorët përkatës. 8 hard disqe të markës Hikvision, me kapacitet 6TB secili. 1 NVR Hikvision. 2 radio komunikimi Baofeng. Dokumentacion identifikimi dhe pronësie: Patentë dhe karta identiteti nga autoritete të Shqipërisë, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar. Leje drejtimi dhe dokumente lundrimi për mjetet lundruese. Certifikata pronësie, dokumente noteriale, kontrata shitblerjeje dhe deklarime të pasurisë. Etj.
Episodet të trafikut të drogës
Bazuar në informacionin hetimor të mbledhur nga Prokuroria e Posaçme, aktiviteti i këtij grupi të strukturuar kriminal për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike është konkretizuar përmes një sërë episodesh të zhvilluara kryesisht gjatë periudhës 2020–2021 në disa shtete të Bashkimit Evropian dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Episode të sekuestrimi të kokainës
Spanjë – shkurt 2020
Sekuestruar 400 kg.
Belgjikë – prill 2020
Sekuestruar 989.1 kg.
Kanali (Francë – Mbretëri e Bashkuar) – prill 2020
Sekuestruar 250 kg në një ngarkesë me destinacion Britaninë e Madhe.
Holandë – qershor 2020
Sekuestruar mbi 2000 kg kokainë. Vlera tregu e kësaj sasie llogaritet mbi 151 milionë euro
Holandë – tetor 2020
Sekuestruar 1484.07 kg.
Episode të sekuestrimit të hashashit
Rimini, Itali – korrik 2020
Sekuestruar 275 kg.
Bari, Itali – mars 2021
Sekuestruar 400 kg.
Algeciras, Spanjë –mars-shtator 2020
Sekuestruar rreth 1442 kg, ku 170 kg dyshohet se ishin për llogari të të hetuarve.
Episode të tjera
Francë – shkurt 2020
Sekuestruar një automjet dhe 72,000 euro cash.
Ky grup i strukturuar kriminal vepronte nëpërmjet një organizimi të sofistikuar kryesisht në trafikimin e kokainës nga Amerika Latine drejt disa prej vendeve të Bashkimit Evropian si dhe në Britaninë e Madhe. Lënda narkotike vinte kryesisht nga Santa Marta (Kolumbi) ose Ekuadori dhe transportohej me kontejnerë detarë drejt porteve të mëdha si Anvers (Belgjikë), Rotterdam (Holandë), apo në rrugë tokësore drejt Francës dhe përmes Kanalit (Channel Tunnel) për në Mbretërinë e Bashkuar. Në disa raste, ngarkesat shkarkoheshin edhe në portet e Italisë dhe Spanjës.
Sipas prokurorëve të çështjes, Altin Dumani dhe Adnan Xholi:
“Struktura organizative e këtij grupi kriminal, me shtrirje në disa kontinente dhe me 16 anëtarë të identifikuar deri tani, dëshmon nivelin e lartë të sofistikimit të grupeve kriminale shqiptare, aftësitë dhe shtrirjen e tyre në tregje kriminale ndërkombëtare.”
Transporti i drogës karakterizohej nga metoda të sofistikuara fshehjeje dhe një logjistikë e mirëorganizuar ndërkombëtare. Për fshehjen e drogës përdoreshin mënyra të ndryshme, si për shembull fshehje në paleta me dru (Belgjikë, Francë), kuti me banane (Holandë) dhe thasë me kokrra kakaoje (Rotterdam), duke e maskuar kështu si mall tregtar për të shmangur kontrollin doganor.
Organizimi i grupit ishte hierarkik dhe i ndarë në role të specializuara. Në krye këtij grupi kriminal qëndronin drejtuesit dhe financuesit të cilët jo vetëm porosisnin dhe financonin ngarkesat me drogë, por gjithashtu koordinonin rrugët, pikët e kontaktit dhe operacionet logjistike. Ata ishin ideatorët, investitorët dhe garantuesit e operacioneve, duke lidhur burimin e drogës në Amerikën Latine me tregjet evropiane përmes një zinxhiri të sofistikuar ndërmjetësimi. Shumica e tyre jetonin midis vendeve të Bashkimit Evropian, Britanisë së Madhe dhe në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Poshtë tyre vepronin bashkëpunëtorë që siguronin logjistikën dhe transportin. Këta persona gjenin kompani legjitime eksporti ose transporti, kontraktonin shoferë – shpesh shtetas rumunë – dhe përgatisnin ngarkesat duke i maskuar me mallra të ligjshëm si lëndë drusore apo kakao. Përmes tyre kalonin tonelata me lëndë narkotike drejt porteve të Belgjikës, Holandës apo kalimeve tokësore drejt Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Në terren, në vendet e destinacionit, funksiononte një tjetër hallkë e grupit – ajo e shpërndarjes. Këtu përfshiheshin persona që prisnin sasitë e drogës, siguronin dorëzimin, dhe shpërndanin lëndën narkotike sipas porosive lokale. Këta ishin krahu ekzekutiv i rrjetit në Britaninë e Madhe dhe Evropën Perëndimore.
Në origjinën e ngarkesave, në vendet e Amerikës Latine, qëndronin persona të paidentifikuar që shërbenin si pika kontakti. Ata ishin përgjegjës për sigurimin, ambalazhimin dhe dërgimin e drogës drejt porteve evropiane.
Gjithçka mbahej në kontroll nëpërmjet një komunikimi të koduar, aplikacionit Sky/ECC. Përdoruesit mbuloheshin pas pseudonimesh dhe kodeve PIN, që garantonin anonimitetin dhe shmangien e përgjimeve. Komunikimet përfshinin planet për dorëzime, paralajmërime për kontrolle doganore dhe udhëzime për mënyrën e reagimit në rast sekuestrimesh. Në raste dyshimi, telefonat fshiheshin, shkatërroheshin ose hidhnin për të mos lënë gjurmë.
Në aspektin e kryerjes së pagesave, grupi kishte zbatuar një metodë të sofistikuar për të shmangur sistemin bankar tradicional: sistemin informal të pagesës Haëala. Ky mekanizëm mundësonte transferimin e shumave të mëdha parash midis vendeve të ndryshme pa kaluar përmes kanaleve financiare formale, duke shmangur kështu gjurmët zyrtare të transaksioneve. Kjo formë pagesash përdorej për të fshehur origjinën dhe destinacionin e të ardhurave nga trafiku i drogës. Verifikimi i shumave bëhej përmes kartëmonedhave të koduara, ku ishin shënuar pseudonime, shumat e pagesave dhe datat specifike që funksiononin si “token” për të garantuar tërheqjen e saktë të shumës në pikën përkatëse.
Ky grup kriminal kishte gjithashtu akses në infrastrukturën doganore përmes lidhjeve me individë të përfshirë në porte apo agjenci kontrolli në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian. Nga komunikimet del qartë që sigurimi i bashkëpunimit me doganierë ose personel të porteve shihej nga drejtuesit e këtij grupi kriminal si faktor vendimtar për suksesin e kryerjes së trafikut të narkotikëve prej tyre.
Bashkëpunimi ndërkombëtar
Në këtë hetim të rëndësishëm, SPAK ka pasur një koordinim dhe bashkëpunim të shkëlqyer me EUROPOL, EUROJUST, agjencitë ligjzbatuese të Amerikës Latine, agjencitë partnere britanike dhe agjencitë ligjzbatuese të vendeve të BE dhe në mënyrë më specifike me shtete si Franca, Italia, Spanja, Holanda, Belgjika dhe Kroacia. Një koordinim mjaft cilësor ka qenë edhe ai me agjencitë ligjzbatuese vendase.
Prokurorët e çështjes, Altin Dumani dhe Adnan Xholi, nënvizojnë se: “ky hetim i suksesshëm i drejtuar nga SPAK është rezultat i drejtpërdrejtë i bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional dhe ndërkombëtar, veçanërisht me EUROPOL, EUROJUST, agjencitë e shteteve anëtare të BE-së, si dhe agjencitë ligjzbatuese partnere në Mbretërinë e Bashkuar, të cilët ofruan mbështetje përmes një analize të thelluar të të dhënave dhe zbatimit të një koordinimi efektiv ndërkombëtar policor. Vlera e materialit të zbuluar përmes analizës së të dhënave të komunikimit të dekriptuara nga Sky/ECC ka qenë thelbësore për të plotësuar provat e mbledhura gjatë hetimit dhe mbetet ende e vlefshme për arritjen e rezultateve të duhura hetimore. Ky informacion ka qenë thelbësor në identifikimin e veprave penale të rënda, të të dyshuarve, si dhe për përcaktimin e rolit të tyre në këtë grup të strukturuar kriminal”.
Kategoritë e dala nga lufta e UÇK-s si OVLe UÇK-së, SHIL, SHFD, Shoqata e të Burgosurve Politikë dhe Shoqëria “Lëvizja” kanë reaguar ndaj përdhosjes së flamurit kombëtar në Suharekë.
Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook thuhet se ky akt përbën, fyerje të rëndë ndaj kujtimit të dëshmorëve.
“Ne, kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së, reagojmë me indinjatë të thellë dhe dënim të ashpër ndaj aktit të përdhosjes së flamurit kombëtar nga disa individë të papërgjegjshëm në qytetin e Suharekës. Flamuri kuq e zi është simboli i gjakut dhe sakrificës, simboli që frymëzoi një popull të tërë për liri, që u ngrit mbi barrikada, e në zemrën e çdo shqiptari që nuk u përkul para pushtuesit. Ky akt përbën, fyerje të rëndë ndaj kujtimit të Dëshmorëve tanë, përbuzje të vlerave të luftës çlirimtare dhe provokon rëndë moralin kombëtar, që nuk mund të kalojë pa përgjegjësi”, thuhet në reagim.
Tutje në njoftim thuhet se kërkojnë reagim të menjëhershëm nga institucionet e rendit dhe drejtësisë, për të identifikuar dhe ndëshkuar autorët e këtij akti të shëmtuar.
“Bëjmë thirrje publike që ky rast të mos relativizohet, sepse ai është pasqyrë e një krize të thellë morale që duhet trajtuar me seriozitet dhe jo me indiferencë. Theksojmë se flamuri kuq e zi nuk është vetëm simbol i një shteti apo kohe, ai është vetë identiteti ynë kombëtar”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Ndryshe, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka konfirmuar se të miturit janë identifikuar dhe intervistuar nga policia në prani të prindërve të tyre.
“Me datë 23.07.2025, Policia ka pranuar një informacion dhe video-regjistrim që lidhen me një veprim të papërshtatshëm ndaj flamurit kombëtar nga dy të mitur në Studençan, Suharekë. Pas reagimit të menjëhershëm, të miturit janë intervistuar nga policia në prani të prindërve dhe kanë pranuar veprimin, duke theksuar se nuk kanë pasur qëllim nënçmimi dhe janë penduar”, ka thënë Bytyqi. /Telegrafi/
Gjashtë vjet më parë, më 23 korrik 2019, Teatri Kombëtar u mor në mbrojtje nga qytetarët. Në të vërtetë, ishte hera e parë që qyteti nisi të mbrohej me trup – jo thjesht si një godinë, por si ide, si truall, si simbol, si hapësirë për njerëzit dhe jo për interesat e betonit.
Qyteti nisi të përkufizohej jo më për çfarë ndërtohej mbi të, por për çfarë nuk lejohej të shembej. Sot, gjashtë vjet më vonë, një nga ekzekutorët e asaj shembjeje, Erion Veliaj, mban statusin zyrtar të të pandehurit.
Jo më thjesht në sytë tanë, por edhe në letrat e drejtësisë.
A është kjo një ditë feste? Po.
A mund të gëzojmë? Vështirë, sepse ndërkohë që fituam një akt simbolik drejtësie, humbëm gjithçka tjetër që ai simbol përfaqësonte.
Për më shumë se një dekadë kemi ngritur zërin për mbrojtjen e të përbashkëtës. Në sheshe, në media, në rrjete sociale.
Kemi protestuar për parqet, për shkollat, për trotuaret, për ajrin dhe për dritën. Për gjithçka që duhet të na përkiste të gjithëve dhe që na është marrë copë-copë.
Sot, për të mbyllur ciklin, vjen një absurditet i madh, se paskemi qenë ne fajtorët. Ne që pimë kafe. Ne që ulemi në trotuar, që “e kemi zënë qytetin” me praninë tonë.
Pas 12 vitesh ndërtimesh pa kriter, mijëra metra katrorë të zaptuar me leje e pa leje, tashmë sulmi vjen mbi karriget.
Është një zëvendësim i qëllimshëm i debatit të vërtetë mbi qytetin me një teatër të rremë histerie, ku gishtat tregojnë qytetarët, ndërkohë që ndërtuesit dhe firmëtarët ikin pa zhurmë nga pasarelat e betonit që vetë ngritën.
Nëse duam të dimë se kush e zuri realisht qytetin, s’mjafton të shohim kafenetë. Mjafton të shohim kullat.
Dhe ata që e zhdukën, sot na mësojnë si të sillemi në rrugët që vetë i ngushtuan.
Trotuaret janë kthyer në korridore mes kangjellave dhe xhamave të errët. Parkimet zënë gjithçka që mbetet. Parqet janë bërë qendra tregtare.
Ndërsa liqenet janë shndërruar në pasqyra uji, ku reflektojnë vitrinat e betonit, të vetkënaqura si Narcissus, tek pa veten të rekflektuar. Edhe ndonjë copë e gjelbër që shpëton mes betonit, konsiderohet luks.
Janë po ata që miratuan planet, që firmosën lejet, që shpikën rregullat. Dhe janë po ata që tani na flasin për “zaptimin e qytetit”.
Pas aksionit propagandistik në Theth, me truproje, dronë dhe buldozerë, u lançua një tjetër klishe: “Rilindja Urbane 2.0”. Faza e dytë, nëse mund ta quajmë kështu, e një projekti që nuk ka dhënë asnjëherë llogari për fazën e parë.
Nuk kemi parë asnjë raport për efektin ekonomik të ndërhyrjeve që kanë kushtuar 365 milionë euro. Nuk kemi parë asnjë analizë për impaktin social. Nuk dimë asnjë gjë për pasojat afatgjata. Dimë vetëm se qyteti është bërë më i shtrenjtë, më i dendur, më i zhurmshëm, më i pashëtitshëm, më i pajetueshëm.
Në qendër të këtij transformimi, që nuk ka më as pamje dhe as përmbajtje publike, qëndron Plani TR030, dizajnuar nga Stefano Boeri, pa asnjë garë publike, por me urdhër politik. U paraqit si “vizion i gjelbër”, si “pyll orbital” për të mbrojtur bujqësinë rreth qytetit.
Çfarë hipokrizie!
Atë që në fakt plani i Boerit bëri, ishte pikërisht ajo që u denoncua nga dhjetra ekspertë të akademisë dhe planifikimit urban në veçanti: në vend që të frenonte zgjerimin informal, e formalizoi atë me leje. Zhbëri kufijtë urbanë. Legjitimoi ndërtimet vertikale. Ngjeshi qytetin deri në kufijtë e frymëmarrjes.
Të gjitha këto u shoqëruan me imazhe të përpunuara në photoshop, me unaza të gjelbra dhe pyje masive, për të përdorur edhe dronë që fluturojnë vetëm sipër gënjeshtrave.
Tirana Riverside është shembulli më i ndyrë i këtij modeli. I promovuar si rindërtim post-tërmet dhe “smart city”, në një zonë të paqtë, që nuk ishte prekur nga tërmeti. Banorët u përzunë në dimrin e 2020-ës me polici.
Jo për t’i ndihmuar nga ndonjë fatkeqësi natyrore, por për t’ua marrë truallin. I gënjyen me dekada se do t’ia legalizonin investimin, por më pas i përzënë dhe i morën çfarë kishte qenë në posedim dhe përdorim të tyre. I shkatërruan shtëpinë, dyqanin apo garazhin dhe i flakën rrugëve.
Plani i ri solli vetëm përjashtim dhe beton. Dhe kjo është paradigma që po përsëritet. Projekti i qytetit të së ardhmes po ndërtohet duke zhdukur të shkuarën dhe duke përjashtuar të tashmen. A mund të ketë të ardhme ky qytet?
Ndërkohë, kriza e strehimit është kthyer në një krizë ekzistence. Qiratë janë më të larta se pagat. Në periferi, mbi 500 euro; në qendër, dyfish. Paga mesatare, vijon të qëndrojë në kufijtë 400 euro.
Apartamentet e reja fillojnë nga 1500 dhe shkojnë deri në 7000 euro për metër katror, sipas zonës. Janë ndërtuar mbi 10 milionë metra katrorë të reja, dhe shumica janë bosh.
Janë blerë, por jo për të jetuar në to. Janë blerë për të fituar. Dhe banorët që jetojnë pranë tyre, nuk e përballojnë më as qiranë, as taksat, as jetën. Të vetmet rrugë që u kanë mbetur janë jashtë qytetit – ose jashtë vendit.
Qyteti i premtuar i Boerit, Ramës dhe Veliajt, nuk ekziston.
Qyteti që kemi është qytet mallrash, jo qytetarësh. Me rrënimin e hapësirës publike, Tirana ka humbur pjesën më të rëndësishme të vetes – pjesën e përbashkët, hapësirën publike. Nuk është më një vend për të gjithë. Është një produkt për ata që kanë para. Për të tjerët – rruga, në kuptimin më të plotë të fjalës.
Tani që edhe Veliaj është zyrtarisht i pandehur, nuk mjafton të ndalemi tek një emër. Sepse ai nuk është i vetmi. Janë shumë të tjerë që heshtën, që firmosën, që përfituan.
Dhe janë shumë vendime që kaluan pa asnjë diskutim publik, pa asnjë konsultim me ata që do t’i preknin jetën realisht. Është koha për të kërkuar më shumë se një përgjegjës.
Është koha për të kërkuar përgjegjësi politike. Dhe mbi të gjitha, për të rikthyer pyetjen që na është mohuar për shumë gjatë: A është ky qyteti që donim? Dhe nëse jo, kush do ta paguajë këtë rrënojë?
TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Policia e Shtetit vijon operacionin policor ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, për kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Si rezultat i bashkëpunimit shumë të ngushtë të Interpol Tiranës me Interpol Abu Dhabi dhe me partnerët në Emiratet e Bashkuara Arabe, në kuadër të operacionit policor ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, pritet që gjatë ditës së sotme të finalizohen procedurat për ekstradimin nga Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe, në Shqipëri, të shtetasit shqiptar D. B., 37 vjeç, shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar, me rrezikshmëri shumë të lartë shoqërore, i akuzuar për një sërë veprash penale në fushën e krimeve kundër personit, të kryera në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe për armëmbajtje pa leje.
Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale: “Vrasja me paramendim”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal; “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”; “Grupi i strukturuar kriminal”; “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”; dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal.
TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Një 35-vjeçar turk i dënuar për mashtrim financiar është vënë në pranga nga Policia Kufitare në Morinë, ndërsa tentonte të hynte në territorin shqiptar.
Shtetasi Kadir Kuçukologu, banues në Turqi, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet turke, pasi ishte dënuar me 4 vjet burgim nga Gjykata e Lartë për Krimet në Karsikaya, për veprën penale “Vjedhje me anë të mashtrimit duke përdorur sisteme elektronike të përpunimit të të dhënave, bankë ose institucion huadhënës”.
Sipas Policisë së Shtetit, arrestimi i tij u bë i mundur falë bashkëpunimit mes Policisë Kufitare në Morinë dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, të cilat kishin siguruar informacion për përpjekjen e Kuçukologut për të hyrë në Shqipëri.
Pas kapjes, ndaj tij u mor masa e arrestit me qëllim ekstradimin drejt Turqisë.
Interpol Tirana është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet turke për finalizimin e procedurave ligjore.
Në momentin që fadromat prishën një nga katër shtëpizat e drurit të Zef Barit, në oborr kishte ende të stivuara materialet e ndërtimit. Gjithçka ndodhi shpejt dhe pa paralajmërim.
I revoltuar për “pabesinë e qeverisë” Zefi nisi të ndajë mendimin se banorët e Thethit u mashtruan nga Kryeministri një vit më parë, kur bashkë me premtimin për fshirjen e gjobave ai u pati bërë thirrje emigrantëve të kthehen dhe të investojnë në turizëm.
“Solla djemtë nga Gjermania dhe Franca ku kishin ndërtuar jetën e tyre dhe po investonim në shtëpizat e drurit. Na mashtroi dhe na preu në besë qeveria”, tha ai, teksa tregoi se shpenzimet shkonin deri në 30 mijë euro.
Sipas Zefit, të gjitha institucionet kanë qenë në dijeni për ndërtimet në Theth dhe “të gjithë thonin vazhdoni”.
Edhe familja e Bekim Koçekut nxitoi të largojë shtëpizat e drurit nga aksioni i Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT). Ata thanë se bashkë me investimin, po shuhej edhe përpjekja disa vjeçare për të ndërtuar të ardhmen në këtë vend.
“Kemi qenë plot me turistë dhe jemi detyruar t’i nxjerrim në orën 5 të mëngjesit nga shtëpia. Fëmija i tyre 10 vjeç qante se nuk po e kuptonte çfarë po ndodhte, ishte i trembur. Ky është krim!” tha mes lotësh, Edmira, motra e Bekimit, e cila shpjegoi për Citizens.al se u kishin kërkuar më kot autoriteteve t’i lejonin të punonin deri në shtator.
“Bekim Koçeku ka lënë garanci në bankë pensionin e invaliditetit për të ndërtuar këto shtëpi, tani ka 200 milionë lekë borxh”, tha e dëshpëruar Edmira, duke treguar tokat ku ata kanë jetuar ndër shekuj.
Qetësia e fshatit të fshehur mes maleve u trondit nga zhurma e fadromave javën e dytë të muajit korrik. Lugina u kthye në një skenë lufte, ku policë me kallashnikovë u përballën më banorë të zëmëruar që sulmuan me molotovë mjetet e IKMT-së.
Në mes të kësaj përplasjeje, qindra turistë që kishin rezervuar në Theth, anuluan rezervimet dhe ia mbathën. Bashkë me ta, duket se u largua edhe shpresa se fshati mund të ketë një të ardhme në turizëm.
A po prishen ndërtimet në Theth për “Paketën e maleve”?
Ekspertët fajësojnë një zinxhir të gjatë institucionesh për neglizhencë dhe degradim të situatës. Ndërkohë, banorët e Thethit pretendojnë se pas aksionit fshihet “Paketa e Maleve”.
“Për çfarë vijnë ato helikopterët me investitorë strategjikë?! Për të na marrë atë që është e jona. Këtu nuk ka tokë të xanun,” tha një banor i Thethit për Citizens.al.
Për t’i fryrë edhe më shumë këtij dyshimi, shërbeu edhe një postim gjatë ditës së shtunë, i kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Beci, ku ftonte të gjithë të interesuarit të aplikojnë për “Paketën e Maleve”.
Aranita Brahaj, drejtuese e Open Data Albania, e lidh këtë qasje me trysninë që kryeministri Rama ka bërë së fundmi në kërkesat për dorëheqjen e drejtuesve të drejtorive në autoritetet lokale.
“Nuk përjashtohet mundësia që edhe ‘reprezaljet’ që po ndërmerren nga Kryeministri në bashki të ndryshme, të jenë pjesë e një strategjie për të keqpërdorur stafet bashkiake në vendimmarrje klienteliste në transferim të paligjshëm të pronës publike,” tha Brahaj.
“Paketa e Maleve”, e miratuar në janar të këtij viti, synon “të nxisë zhvillimin dhe rigjallërimin ekonomik të zonave malore kundrejt lehtësirave fiskale dhe dhënies së tokave shtetërore në posedim”.
Ilustrim nga aksioni i IKMT-së në tokën e familjes Koçeku, Theth/Citizens.al
Aktualisht procesi është në fazën e shprehjes së interesit, e cila bëhet pa pagesë përmes e-albanias, si për bizneset, ashtu edhe për qytetarët.
Pa qenë pronarë trojesh, me një përzgjedhje pike në hartë, gjithsekush mund të interesohet për sado sipërfaqe të dëshirojë (e shprehur në hektarë).
Nevojitet vetëm një përshkrim me maksimumi 500 fjalë, të caktohet tipologjia e investimit: turizëm, energjetikë, blegtori, projekte sociale etj; dhe kohëzgjatja e posedimit të tokës: më pak ose më shumë se 10 vite. (link ilustrues)
Shprehja e interesit i dërgohet bashkive përkatëse, të cilat do t’i trajtojnë për evidentime për zonat zhvillimore. Ligji i “Paketës së Maleve” i lejon bashkitë që pas procesit të evidentimeve t’i propozojnë qeverisë të ndryshojë cilësimin e tokave duke shpallur “zona zhvillimore” zonat e interesuara.
Nga kjo paketë ligjore pritet të përfitojnë “500 aplikuesit e parë”.
Zef Preçi, drejtues i Qendrës për Kërkime Ekonomike (ACER) që ka kryer një vlerësim të rrezikut për korrupsion të këtij ligji thotë se ka mungesë transparence dhe se “përmbajtja krijon premisa për qëllime të fshehura ose të padeklaruara”.
“Ligji prek në mënyrë të rëndësishme interesa publike ndërsa bëhet fjalë për shitje të pasurisë shtetërore, për vlera të parëndësishme fare, tek subjekte private,” tha Preçi.
Sipas drejtuesit të ACER, ligji prek në mënyrë problematike ekuilibrin mes interesit publik dhe atij privat, veçanërisht në lidhje me mekanizmin e kalimit të pronës shtetërore te poseduesit jopronarë ose thënë ndryshe “faktikë” pa titull pronësie.
“Toka jonë iu duhet për tua dhënë investitorëve strategjikë, jemi të bindur që pas kësaj qëndron Paketa e Maleve”, tha një banor i Thethit për Citizens.al
Urbanisti Imeldi Sokoli, njëherësh anëtar i Këshillit Bashkiak Shkodër, nuk është i sigurt, por e cilëson jo të rastësishme hapjen e aplikimeve për “Paketën e Maleve” me ndërhyrjen në Theth.
“E njëjta gjë ka ndodhur me disa tentativa për të marrë investitorë strategjikë për resorte skish dhe kjo ka ndodhur diku nga marsi, kur Benet Beci shkoi me investitorët për të parë se ku mund të bëhet një resort dimëror,” thotë Sokoli.
Ilustrim nga aksioni i IKMT-së në Theth/Citizens.al
Edhe për Preçin, ndërhyrja në Theth nuk duket e rastësishme. Ai e konsideron atë vijim të tjetërsimit të territorit që ka nisur prej vitesh.
“Me sa duket përvoja e ndërhyrjes brutale të qeverisë në bregdetin e Jugut dhe në Tiranë (5 Maji), Portit të panevojshëm të Durrësit dhe etja e pashuar e lobistëve, oligarkëve dhe segmenteve të krimit që kane akumuluar pasuri kolosale po e shtyjnë agresivisht përpara edhe këtë proces fatal dhe të pakthyeshëm për fatin e pjesës më të bukur të natyrës sonë,” thotë ai.
Për Brahajn “Paketa e Maleve” është një ligj problematik “që rrezikon rendin juridik të pronësisë”.
“Krijon kompetenca arbitrare dhe anashkalon institucionet që kanë mandat ligjor për regjimin e pronësisë. Në mënyrë të pajustifikuar, ai i kalon kompetenca të ndjeshme stafeve bashkiake, duke shmangur rolin e sistemit gjyqësor dhe institucioneve të regjistrimit. Mund të quhet me plot kuptimin e fjalës ligj për keqqeverisje,” shpjegon Brahaj.
Analizuar sipas metodologjisë së vlerësimit të rrezikut për korrupsion, ky ligj, rezulton me nivel të lartë risku.
Ekziston mundësia që “klientë të pushtetit” të përfitojnë prona pa asnjë kosto privatizimi përmes procedurave arbitrare dhe të pakontrolluara.
“Krijojnë mundësinë që shumë nga klientët e bashkive, të cilët deri më tani kanë përfituar prona publike me qira apo përmes ankandeve për periudha 10-vjeçare, tani të përfitojnë në mënyrë arbitrare, pa garë të ndershme,” thotë Brahaj.
Duke u referuar hapjes së aplikimeve për këtë paketë, Zef Preçi, thotë se “do të ishte mirë që qeveria dhe Bashkia e Shkodrës të heqin dorë nga brutaliteti policor dhe të mos ngutet në kënaqjen e interesave okulte në dëm të komuniteteve lokale”.
Kullat shekullore të paregjistruara
Urbanisti Imeldi Sokoli, ishte i pari që denoncoi kompleksin e shtëpizave të drurit pas oborrit të kishës. Ai e sheh këtë situatë të lidhur me paaftësinë për të menaxhuar territorin.
“Shteti justifikon mos-menaxhimin e situatës me këtë ndërhyrje brutale, në mes të sezonit,” thotë ai “Është totalisht problem i paaftësisë për të funksionuar instrumentet ligjore në territor”.
Urbanisti ka pikëpyetje edhe për mënyrën se si po zhvillohet aksioni i IKMT-së, duke e konsideruar “ndërhyrje të jashtëligjshme”.
“Minimalisht duhet të ishin njoftuar banorët, pra t’u ishte dhënë një paralajmërim, t’u ishte lënë kohë t’i hiqnin vetë dhe më pas të niste aksioni i prishjes,” thotë Sokoli.
Ai e sheh zanafillën e situatës së ndërtimeve pa leje, tek mungesa thuajse totale e regjistrimit të pronave në hipotekë, një gangrenë që nuk po gjen zgjidhje prej vitesh në Theth dhe fshatra të tjerë malorë.
“Ligjërisht të gjitha ndërtimet rezultojnë pa leje, edhe kullat e vjetra shekullore, jo vetëm ndërtimet e reja. Dhe ky është problemi,” sqaron më tej Sokoli.
Të njëjtin opinion ndan edhe Aranita Brahaj, kur shprehet se censi i pronave në zonat rurale nuk është bërë kurrë në mënyrë të plotë dhe asnjë qeveri nuk e ka ushtruar ketë detyrë.
Ilustrim nga aksioni policor i prishjeve të ndërtimeve në Theth/Citizens.al
“Pas 40 vitesh regjimi bolshevik, edhe qeverisja aktuale vazhdon të mohojë të drejtën e qytetarëve për të gëzuar plotësisht pronën, qoftë: truall themel i familjes, tokë bujqësore, kullota apo pyje. Si në formën e pronësisë, ashtu edhe në posedim të ligjshëm,” shpjegon ajo.
Amullinë me këtë e aksion e tregon edhe mungesa e të dhënave për numrin e objekteve pa leje që do të prisheshin.
Fillimisht u tha se ishin 10 ndërtime pa leje, më pas 40, më pas drejtuesit e IKMT-së folën për rreth 80 ndërtime, teksa në fund të javës së dytë të korrikut numri shkoi në rreth 120.
Situata me mbi 100 ndërtime pa leje duket se u ka shpëtuar institucioneve që kanë për detyrë kontrollin e territorit, përfshirë edhe administratën rajonale të Zonave të Mbrojtura.
Vitin e fundit, 2024-2025 në Parkun Kombëtar Alpet e Shqipërisë, ku përfshihet Thethi, nga rojet mjedisore janë mbajtur mbi 36 konstatime për gërmime, zënie fondi pyjor, prerje drurësh dhe hapje rrugësh në pyll.
“Këto konstatime, sipas klasifikimit te kundërvajtjes i janë dërguar institucioneve përkatëse dhe kur ka ndërtime vihen në dijeni, pasi institucioni ynë, në aktet ligjore nuk parashikon ndërtimet pa leje,” thanë për Citizens përfaqësues të administratës rajonale të zonave të mbrojtura Shkodër.
Mos-regjistrimit të pronës, i mbivendosen edhe shtresëzime të tjera ligjore që janë shtrënguese për banorët.
I shpallur Park Kombëtar që në vitin 1966, cilësimi i zonës kryesore si Qendër Historike në vitin 2017, i jep vlerë monumentale fshatit të Thethit, por nuk u jep banorëve mundësi zhvillimi të pronës.
Po ashtu edhe ligji për Zonat e Mbrojtura, sipas të cilit kjo zonë u përfshi në Parkun Kombëtar “Alpet e Shqipërisë”, në vitin 2022, kufizon ndërtimin.
Për ekspertët pikërisht këtu duhet të kishte lindur formalizimi.
“Ky është rasti tipik që shteti ishte i paaftë për t’i dhënë një instrument ligjor të aplikueshëm që këto banorë të kenë një pronë të ligjshme,” thotë Sokoli.
Organizatat mjedisore EcoAlbania, RiverWatch dhe EuroNatur thonë se industritë e nxjerrjes, ndotja dhe zhvillimi i pakontrolluar po dëmtojnë integritetin ekologjik të Parkut Kombëtar të Vjosës.
Në një deklaratë të përbashkët të publikuar të martën, më 1 korrik, ata paralajmërojnë qeverinë dhe autoritetet shqiptare se nëse gjendja nuk ndryshon rrezikohet biodiversiteti i lumit.
Deklarata vjen rreth një javë pasi EcoAlbania dhe Riverwatch denoncuan rrjedhjen e mbetjeve të naftës në Vjosë nga stacioni i Gorishtit – një situatë e përsëritur. Citizens.al ishte në terren për ta dëshmuar nivelin e lartë të ndotjes.
Nafta rridhte nga një vaskë mbetjesh të stacionit rreth 2 kilometra larg dhe bashkohej me përroin e Mërtirajt. Punonjës të Albpetrolit thanë se po punonin për ta pastruar kanalin.
Megjithatë për mjedisorët pastrimi nuk mjafton, ata kërkojnë zgjidhje të përhershme, si për shembull riparimi i tubave, cisternave dhe shmangja e derdhjeve të tjera.
Vendgrumbullimi i mbetjeve të Tepelenës/Foto:Joshua D. Lim
Pesë kërcënimet kryesore ndaj Vjosës
Organizatat mjedisore EcoAlbania, RiverWatch dhe EuroNatur e shoqëruan deklaratën e tyre me një raport në të cilin faktoheshin ndotjet nga rrjedhja e naftës, bitumit dhe mbetjet urbane pranë lumit.
Raporti “Hartëzimi i Presioneve” përfshin 52 pika të ndryshme në hartë ku evidentohen ndotjet, shpesh në shkelje të ligjit nr. 81/2017 “Për zonat e mbrojtura”. Harta digjitale e ndotjes është publikuar online dhe është e aksesueshme nga publiku dhe mediat.
Rrjedhjet e naftës konsiderohen tejet të rrezikshme pasi ndotin ujin dhe rrezikojnë biodiversitetin.
Ngjashëm edhe minierat e bitumit, kryesisht ato të zonës së Selenicës. Në raport thuhet se ato shkaktojnë ndotje të madhe të bregut dhe bien ndesh me planin e menaxhimit të parkut.
Raporti thekson se mbetjet urbane të hasura në disa pika përgjatë Vjosës dhe gjithashtu mbetjet plastike rrezikojnë shëndetin publik dhe faunën.
Nxjerrja e zhavorrit, kryesisht nga industria e ndërtimit, cilësohen me rrezik për shtratin dhe habitatet e peshqve. Ndërsa shpërdorimi i ujit në bujqësi dhe turizëm konsiderohet një tjetër aspekt që mund të dëmtojë parkun, kjo duke pasur parasysh uljet e prurjeve.
Organizatat theksojnë se nëse situata vazhdon, Vjosa rrezikon të mbrohet vetëm në letër. Në deklaratën e tyre të përbashkët ato u bëjnë thirrje autoriteteve të zbatojnë ligjin dhe të ndalojnë ndotjen.
Për këtë kërkohet monitorim i vazhdueshëm, rehabilitim nga ndotësit dhe menaxhim efikas i mbetjeve.
Qeveria shqiptare po ndjek procedurat për shpalljen e Luginës së Vjosës si Rezervat e Biosferës UNESCO.
“Por, nëse kërcënimet serioze të përmendura nuk adresohen dhe zgjidhen, përfshirja në UNESCO do të mbetet thjesht një status simbolik, ndërkohë që mbrojtja reale në terren do të mungojë,” theksohet në deklaratë.
Pika e ndotjes nga nafta në Vjosë duke u pastruar/Citizens.al
Reagimi i Albpetrol
Më 28 qershor, kompania Albpetrol reagoi publikisht për ndotjen nga zona naftëmbajtëse Gorisht-Kocul. Citizens.al i pati përcjellë kërkesë për informacion dhe koment zyrtar që më 23 qershor, por nuk mori përgjigje.
Albpetrol pranon se zona është e ndotur nga dekada shfrytëzimi, por pretendon se aktualisht nuk ka aktivitet ndotës. Sipas Albpetrolit, protokollet teknike po respektohen dhe ndotja aktivizohet vetëm në temperatura të larta.
Kompania premton rehabilitim të zonës sipas mundësive teknike dhe financiare.
Megjithatë, pamjet e Citizens.al dhe raportet nga organizatat mjedisore tregojnë një realitet më alarmant dhe të vazhdueshëm.
Pamjet e datave 20-25 qershor tregojnë shtresa të zeza që lundrojnë drejt ujit të Vjosës, të dokumentuara edhe me dron.
Vjosa është lumi i fundit i madh i egër në Evropë dhe habitat për mbi 1,100 specie. Shpallja e saj si park u konsiderua si fitore historike pas dhjetë vitesh fushatë. Por statusi ligjor duket se nuk mjafton. Kërkohet zbatim praktik dhe mbrojtje e vërtetë në terren.
Një përrua me naftë bruto derdhet në lumin Vjosa, i shpallur Park Kombëtar nga qeveria shqiptare si lumi i fundit i egër i Evropës.
Dëshmitë e drejtpërdrejta të ekipit të “RiverWatch” dhe “EcoAlbania” kanë nxjerrë në pah një ndotje të vazhdueshme, që mbahej në heshtje nga institucionet, të cilat një muaj më parë aplikuan për ta përfshirë Vojsën në UNESCO, si pjesë e Rrjetit të Rezervave të Biosferës.
“Nafta rrjedh në kanale nga një vend ku ruhet në pishina të hapura, katastrofë! Kontejnerët dhe tubacionet atje janë plotësisht të ndryshkur dhe rrjedhin, një skandal,” i tha Citizens.al Ulrich Eichelmann, drejtor i organizatës RiverWatch.
Ndotja buron nga stacioni i naftës në Gorisht të Selenicës, ndërtuar në vitet ’70, për marrjen dhe magazinimin e naftës nga vendburimi me qëllim transportin drejt Ballshit. Nafta e Gorishtit vërshon nga stacioni në Vjosë pasi i bashkohet Përroit të Madh të Mërtirajt.
Citizens.al e vizitoi sot pikën e derdhjes dhe stacionin. Aty ndodhej një grup prej 6 punonjësish të Albpetrol që kishin nisur të pastrojnë me ekskavator kanalin, vetëm pak ditë pas denoncimit.
Stacioni i naftës në Gorisht nga buron ndotja e Vjosës | Foto: Herti Maloku | Citizens.al
Një zgjidhje e përkohshme e një problemi më të madh. Një raport i Ecoalbania, tregon se zona e Gorisht-Koculit ka mbi 150 puse aktive të shpërndara në një sipërfaqe prej 6 km2, ku pika më e afërt ndodhet pranë shtratit të Vjosës.
Fotografi dhe aktivisti i RiverWatch Joshua David Lim, i cili e dokumentoi i pari ndotjen, e përshkroi këtë zonë të Vjosës si“një lumë të vdekur, ku asgjë nuk mbijeton”.
Ai tha për Citizens.al se këtë konstatim e përforcoi një gjarpër i ngordhur, të cilin ai dhe Eichelmann e gjetën mbi shtresën e trashë të naftës.
Zbulimi i kësaj pike të ndotur të Vjosës ndodhi disa javë më parë, kur Lim po fotografonte rrjedhën në vijim të një nisme që bashkë me “EcoAlbanian” synon krijimin e një harte virtuale të ndotjes së Parkut Kombëtar.
“Realiteti ishte absolutisht tronditës, nuk kisha parë kurrë diçka të tillë,” tha Lim për Citizens.al.
“Kam udhëtuar shumë, nga burimi deri në deltë të Vjosës dhe kam dëshmuar situata të ndryshme ndotjeje si mbeturina, nxjerrja e zhavorrit, por kjo derdhje nafte padyshim është më e rënda,” vijoi fotografi.
Ndotje e përsëritur prej vitesh
Përroi i mbetjeve të naftës nga Stacioini i Gorishtit/ Foto: Herti Maloku | Citizens.al
Ky nuk është një incident i izoluar. Në vitin 2018, një reportazh i Balkan Insight denonconte të njëjtën formë ndotjeje në të njëjtin vend, mes fshatrave Karbunarë dhe Poçem ku kompani koncesionare depozitonin dhe transportonin naftë bruto në mënyrë të pakontrolluar.
“Vite më parë kam vërejtur rrjedhje apo njolla nafte në Poçem, megjithatë, nuk isha në dijeni se kjo katastrofë po ndodhte ende,” tha Eichelmann.
Edhe pse pikat e shpimit dhe depozitimit ndodhen jashtë kufijve zyrtarë të Parkut Kombëtar të Vjosës, përroi i ndotur përshkon kufirin e tij dhe bashkohet me Vjosën brenda territorit të mbrojtur.
“Qeveria duhet ta mbyllë menjëherë gjithë zonën duke përfshirë ‘lumin e naftës’ 1,5 km të gjatë, si dhe pellgjet me infrastrukturën e kalbur”, thekson Eichelmann.
“Një zgjidhje e përkohshme”
Derdhja e kanalit të në Vjosë, duke u pastruar nga ekskavatori i Albpetrol | Foto: Herti Maloku | Citizens.al
Të hënën, pas denoncimeve publike, Albpetrol nisi pastrimin e përroit në Mërtiraj. Të mërkurën, ekipi i Citizens.al ishte në terren për të parë nga afër situatën.
Një ekskavator dhe dy kamionë po largonin mbetjet e naftës që rridhnin drejt lumit. Edhe pse ndotja mbetet e pranishme, niveli i saj ishte më i ulët krahasuar me pamjet tronditëse të dokumentuara më parë.
Një prej punëtorëve na tregoi se kjo ishte dita e tretë e pastrimit, por nxehtësia e verës e kishte shkrirë materialin ndotës, duke e bërë procesin më të vështirë. Ai tha se mbetjet do të përdoreshin për mbushjen e rrugëve në zonat rurale.
Rreth 150 metra më larg, pusi i naftës vijonte punën normalisht, ndërsa ndërtesat përreth, të rrënuara dhe të braktisura, krijonin pamjen e një industrie të lënë pas dore.
Njëri përsëriti se ndotja vjen nga depozitimet e vjetra, të krijuara gjatë procesit të ndarjes së naftës nga uji dhe dheu në stacionin e Gorishtit.
Por pyetja që mbetet pa përgjigje është pse ky pastrim nuk u ndërmor më herët, para se mbetjet të shpërndaheshin dhe shkriheshin nga i nxehti, apo para se Vjosa të merrte statusin e Parkut Kombëtar.
Një banor i zonës tha për Citizens.al se përpjekjet aktuale janë të kota nëse nuk ndërhyhet drejtpërdrejt në burimin e ndotjes, që vazhdon të rrjedhë naftë në mënyrë të pakontrolluar.
Të njëjtën ditë, autobotët e Albpetrolit vijonin të ngarkonin naftë bruto për rafinim, duke treguar se aktiviteti ekonomik në zonë vazhdon pa ndalesë, ndërkohë që masat për të ndaluar ndotjen mungojnë.
Organizata RiverWatch deklaroi për Citizens.al se ka nisur njoftimin e partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë Bashkimin Evropian dhe bankën gjermane KfW, për situatën alarmante në zonë.
“Ky është një krim mjedisor me përmasa të reja,” u shpreh drejtuesi i organizatës, duke theksuar se do të ndërmerren veprime në disa fronte.
Parku Kombëtar i Vjosës, i shpallur në mars 2023, aspiron të bëhet pjesë e Rrjetit të Rezervave të Biosferës të UNESCO-s. Por rrjedhjet e naftës dhe mungesa e reagimit institucional po rrezikojnë seriozisht këtë status.
“Ajo fushë dukej si një peizazh nga një film depresiv hollivudian,” tha Ulrich Eichelmann nga RiverËatch, duke nënvizuar se Vjosa nuk mund të mbrohet vetëm në letër.
Dy vite pas shpalljes së parkut, aktivitetet ekonomike brenda kufijve të mbrojtur vazhdojnë. Urbanizimi, turizmi masiv, nxjerrja e naftës dhe mungesa e kontrollit institucional po e kthejnë emërtimin “Park Kombëtar” thjesht në një formalitet.
Më 25 maj, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, bëri të ditur aplikimin për të përfshirë luginën e Vjosës në listën e Organizatës për Edukim, Shkencë dhe Kulturë të Kombeve të Bashkuara (UNESCO) si pjesë e Rrjetit të Rezervave të Biosferës.
Megjithatë, vendimi përfundimtar do të merret në shtator 2025, gjatë sesionit të 37-të të programit MAB (Njeriu dhe Biosfera) teksa asgjë duket se nuk do t’i ndryshojë aspektit të mbrojtjes luginës dhe zonave përreth.
“Vjosa sot nuk është vetëm një lumë, është një model i zhvillimit të qëndrueshëm,” u shpreh Kumbaro, duke e konsideruar me rëndësi aplikimin.
Punën për aplikimin e kanë koordinuar ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM) dhe Komisioni Kombëtar Shqiptar për UNESCO-n.
Citizens kontaktoi Besiana Gurin nga EcoAlbania, organizatë e cila ka punuar prej vitesh për të mbrojtur rrjedhën e Vjosës. Ajo tha se ky status është më shumë një “brandim dhe vëmendje ndërkombëtare”, krahas mbrojtjes ligjore ekzistuese.
E pyetur nëse ky status mund ta mbrojë më tepër Vjosën nga projektet infrastrukturore, si për shembull projekti i Ujësjellësit të Himarës, që parashikohet t’i marrë prurjet nga burimi i lumit të Shushicës – degë e Vjosës – Guri sqaron se nëse aplikimi pranohet, zbatimi i rekomandimeve nga UNESCO nuk janë të detyrueshme për shtetin shqiptar dhe nuk parashikohen penalitete për to.
“Vijnë gjëra pozitive me këtë, do ketë më shumë vëmendje në jetesën rurale dhe që të ruhet si e tillë, pra të ruhet jetesa e njeriut në harmoni me natyrën” përmbyll Guri.
Megjithatë, ndërsa Vjosa fiton statuse degët e saj mbeten larg sigurisë së propaganduar.
Në një editorial për Citizens.al, gazetari i njohur i çështjeve të mjedisit, Artan Rama, e ka quajtur procesin e dhënies status mbrojtjeje për Vjosën një lloj “fasade të gjelbër“ të qeverisë, ku simbolika përdoret për të mbuluar problemet e mëdha që prekin lumin.
Parku, edhe pse i shpallur, nuk ka drejtori, staf menaxhimi, konfliktet për shfrytëzimin e ujit janë të thella, ndërsa ndryshimet e fundit ligjore tashmë lejojnë ndërtimin e hoteleve luksoze edhe brenda nën-zonave qendrore të parqeve.
Rama paralajmëron se përtej marrëveshjeve me marka globale si Patagonia dhe deklaratave në samite ndërkombëtare, çështja e Vjosës është kapur nga burokracia dhe politika, duke humbur karakterin e saj publik dhe komunitar.
“Vetëm banorët që nuk largohen kanë motive të thella dhe të qëndrueshme për të mbrojtur lumin,” shkruan ai, duke ftuar për një narrativë të re, që përfshin komunitetin lokal dhe jo vetëm marrëveshje ndërkombëtare.
Aktualisht banorët e zonës së Shushicës dhe organizata mjedisore si Eco Albania janë në beteja ligjore për të ndaluar projektin e Ujësjellësit të Himarës.
Gjykata Administrative e Lushnjës rrëzoi kërkesën për sigurim padie, e cila do t’i bllokonte punimet. Ndërkohë, paralelisht, në të njëjtën gjykatë po zhvillohet procesi për anulimin e kontratës.
Kështu, përtej statusit (të mundshëm) prestigjioz të UNESCO-s apo statusit Park Kombëtar: Ruajtja reale e natyrës dhe jetës njerëzore që është e lidhur ngushtë me të mbeten sfida për Vjosën.
Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump njëherësh ish-këshilltar i tij në Shtëpinë e Bardhë, u shfaq (me videocall) sot në Tiranë si investitor strategjik, i cili me projektet që ka marrë përsipër në Shqipëri dhe Serbi po e prezanton veten si “shpëtimtari” që po ndërlidh një rajon – që ka dalluar për konflikte – drejt një të ardhme të begatë.
Por prezantimi i tij nuk tha gjë për transparencën, konkurrencën, trashëgiminë kulturore dhe çështjet e mjedisit, pika këto të mbrojtura dhe promovuara fort nga Bashkimi Evropian.
Në samitin e “Future Investment Initiative (FII) Institute” të quajtur “FII Priority Europe Tirana 2025” – një platformë globale që synon promovimin e dialogut ndërkombëtar mbi investimet dhe zhvillimin ekonomik – Kushner nuk u paraqit fizikisht sikurse pritej, por foli përmes një thirrjeje videofonike.
Ai u shfaq si themeluesi dhe drejtori i Affinity Partners, e cila në Shqipëri ka marrë statusin e investitorit strategjik për ndërtimin e dy komplekseve turistike me qindra vila dhe hotele në Zvërnec dhe Sazan.
Kushner foli për horizontin e investimeve “në një Shqipëri të bashkuar me një treg në rritje si Ballkani”. Prezantimi si folës në Tiranë vjen rreth një vit pasi projektet e tij në Serbi dhe Shqipëri kanë ngjallur shqetësime.
Projekti $500 milionësh për të ndërtuar tre kulla 30 katëshe në truallin e ish-Shtabit të Përgjithshëm dhe Ministrisë së Mbrojtjes – bombarduar nga NATO në vitin 1999 – është vënë në pikëpyetje këtë javë pasi rezultoi se dy godinave iu hoq statusi si monumente kulture përmes një ekspertize të falsifikuar.
Administrata e Presidentit Vucic e ka justifikuar “marrëveshjen Kushner” me idenë e rritjes së investimeve të huaja dhe se qeveria do të përfitojë 22.5% të të ardhurave nga projekti, ndërsa dhëndri i Trump do të përfshijë në ndërtimin e “Trump Hotel” një memorial për viktimat e bombardimeve të NATO-s dhe një muze kushtuar historisë së ish-ministrisë.
Ilustrim, projekti i Kushnerit në Beograd/Kushner,X.
Por, aty ku disa shohin investime, të tjerë shohin përfitime mbi traumat kolektive dhe trashëgiminë historike. Përballë kritikave nga opozita dhe opinioni publik serb se “po jepet truall për influencëpolitike”, qeveria serbe është mbrojtur duke thënë se trualli “nuk është shitur, por dhënë në përdorim për 99 vjet”.
Godinat, të cilat mbartin vlerë arkitektonike të stilit modernist, janë përfshinë në listën e organizatës Europa Nostra mes 7 ndërtesave historike më të rrezikuara në Evropë.
Rasti kujton qasjen që u ndoq me Teatrin Kombëtar në Shqipëri, i cili gjithashtu qe përfshirë në listën e Europa Nostra. Ndërtesës iu hoq statusi monument kulture, dhe pas dy vitesh protesta, me një akt-ekspertimi të kontestuar – pa oponencë teknike – mbrëmjen e 14 majit 2020, Këshilli Bashkiak i Tiranës votëbesoi me email shembjen e tij.
Në këtë kontekst, ajo që po ndodh në Beograd me projektet e Kushner, dhe e shkuara aspak pozitive me procedurat e ndjekura për projektet e mëdha të infrastrukturës dhe investimeve publike në Shqipëri, vjen si paralajmërim i asaj që po i afrohet brigjeve të Zvërnecit dhe ishullit të Sazanit:
Dy resorte gjigande me të paktën 10 mijë dhoma, të cilat do të ndërtohen pavarësisht shkeljeve të mundshme në procedura dhe ligje.
Në janar, Citizens.al shpjegoi se si Kushner siguroi të drejtën për të zhvilluar Sazanin nëpërmjet një procesi që ngjan më shumë si manovër politike për të fituar përkrahjen e familjes dhe Presidentit amerikan, Donald Trump, sesa garë transparente për zhvillimin e turizmit.
Nga një “vizitor” i ftuar nga autoritetet shqiptare, brenda pak muajve Kushner u shndërrua në “investitor strategjik”, ndërkohë që legjislacioni për zonat e mbrojtura ndryshoi me urgjencë për të lejuar ndërtimet në territore të ndjeshme ekologjikisht siç është zona e Zvërnecit dhe Sazanit.
Pjesëmarrja e Kushner si folës kryesor në forumin e investimeve këtë fundjavë në Shqipëri konfirmon se projektet e tij kanë mbështetje politike të nivelit të lartë në Shqipëri dhe Serbi.
Ai zbuloi se nisma për të investuar në Sazan dhe Zvërnec i erdhi pasi takoi Ramën në një vizitë turistike në vitin 2021 dhe mori dijeni për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës, e cila ishte një incentivë për projektin e madh turistik jo shumë larg tij.
Ishulli i Sazanit përmban monumente natyrore si “Barriera koralore e grykës së Djallit” dhe “Faleza e Sazanit”, të cilat janë të mbrojtura me ligj. Ndërtimi në këtë zonë ngre pikëpyetje mbi ruajtjen e pasurisë natyrore dhe ndikimin në ekosistemet lokale.
Projekti i Jared Kushner per Zvernecin/Kushner,X.
“Zona është 60 milje larg nga Italia, 60 milje larg nga Korfuzi dhe një aeroport po ndërtohet jo shumë larg, kështu që është një mundësi fantastike investimi,” tha Kushner, sipas së cilit mjedisi në zonë do të ruhet. Megjithatë ai nuk tregoi aspekte konkrete se si do ta bënte këtë.
Por a është kjo ajo që i duhet Shqipërisë, një vendi që pret të integrohet në BE?
Çështja nuk është vetëm për luksin që pretendon të sjellë Kushner, i cili tregoi se familjarisht do të ketë një rezidencë në zonën ku po investon në Shqipëri. Është për precedentët që po konfirmohen: Zhvillimi i zonave të mbrojtura pa konsultim publik, në mungesë të plotë transparence në procesin e përzgjedhjes së investitorëve, dhe lidhjet e dyshimta mes interesave të politikës dhe kapitalit ndërkombëtar.
Për Shqipërinë, rasti i Sazanit dhe Zvërnecit nuk është thjesht çështje turistike, por një provë për integritetin e institucioneve të saj përballë rasteve që përsëriten: Aeroporti i Vlorës, Marina e Vlorës, Marina e Durrësit dhe në horizont Divjaka apo zonat e mbrojtura në male të kërcënuara nga e ashtuquajtura “Paketa e Maleve”.
Prej vitit 2024 kur Kushner bëri publik projektet, pak ose aspak është bërë me dije nga autoritetet shqiptare. Prej janarit 2025 kur u mësua se Kushner mori statusin 10-vjeçar të investitorit strategjik nuk dihet gjë për vijimin e procedurave të mëtejshme.
Palët do të duhet të vendosnin për mënyrën se si do t’i jepen Kushnerit mbi 45 hektarë truall dhe formulën e partneritetit publik-privat, – me gjasë do të zbatohet formula që i dha rreth 80 hektarë të Portit të Durrësit projektit me plot dritë-hije “Durrës Yacht & Marina” të Mohamed Alabbar ku Autoriteti Portual Durrës mbajti 33% të aksioneve – por nga qeveria dhe Korporata e Investimeve nuk ka transparencë nëse është arritur ndonjë marrëveshje dhe nëse po, cila është ajo.
Në regjistrat e qeverisë është dhe shembulli i keq i “Marina di Valona”, ku sipërmarrësit Geront Çela iu dha statusi i investitorit strategjik dhe mundësia për të privatizuar 5.75 hektarë të portit të Vlorës përmes ligjit kontrovers “Shqipëria 1 euro”.
Nëse historia e këtyre projekteve përsëritet – dhe gjasat janë që të ndodhë – atëherë kjo nuk është më rastësi, por një strategji që kërkon të zhbëjë përfundimisht kufijtë mes privatit dhe publikes, fitimit dhe përgjegjësisë, kufij shumë larg “begatisë” që Kushner prezantoi në platformën “FII Priority Europe Tirana 2025”, kufij të një praktike korruptive ndikimi për influenca dhe pushtet.
Në orët e para të 17 majit 2020, teksa vendi ishte nën diktatin e kufizimeve nga pandemia e COVID-19, Tirana u trondit nga një ndërhyrje e dhunshme shtetërore, gjurmët e së cilës mbeten ende në kujtesën e protagonistëve të asaj nate, por jo vetëm.
Rreth 800 forca të policisë, të shoqëruar me një njësi të ndërhyrjeve speciale, rrethuan një nga godinat më popullore të asaj periudhe në qendër: Teatrin Kombëtar.
Të thirrur nga Policia Bashkiake dhe Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit ndërhynë për të nxjerrë forcërisht dhjetëra qytetarë, aktivistë dhe artistë, të cilët ishin ngujuar në ndërtesën e Teatrit në shenjë proteste kundër projektit që parashikonte shembjen e tij.
Dhuna policore pasoi ndërhyrjen e IKMT-së, e cila shembi teatrin, bashkë me rekuizitat dhe sendet që protestuesit kishin brenda. Pamjet e momentit ku fasada kryesore rrëzohej përdhe u shpërnda në mediat kryesore mëngjesin e saj dite.
Pas më shumë se dy vitesh protesta, teatri, kthyer në simbol të ruajtjes së trashëgimisë kulturore, rezistencës kundër autoritarizmit dhe mungesës së transparencës, ishte shembur.
Protesta e mëngjesit thirrur nga një pjesë e aktivistëve dhe opozita nuk ndryshoi asgjë, veçse shfaqi të tjera skena dhune nga policia.
Teatri Kombëtar u përdor politikisht gjatë fushatës zgjedhore të 25 prillit 2021, ku socialistët premtuan nisjen e ndërtimit të teatrit të ri me arkitekturë moderne brenda atij viti.
Në korrik, Gjykata Kushtetuese shpalli antikushtetuese aktet që mundësuan kalimin e pronësisë nga qeveria te bashkia Tiranë. Ligji foli në vonesë – kryesisht për shkak se reforma në drejtësi kishte nxjerrë jashtë funksioni gjykatën – dhe godina ishte shembur tashmë.
Ajo që nisi si një projekt në partneritet publik-privat u shoqërua me mungesë transparence, shtyrje afatesh dhe dyshime mbi qëllimet e vërteta të ndërhyrjes: zhvillimi i një projekti kullash prapa teatrit.
Shoqëria civile nuk u tërhoq. Ajo dhe një pjesë e artistëve dhe opinionit publik kërkuan vazhdimisht llogari ndaj autoriteteve duke e konsideruar projektin e ri një formë “fshirjeje historike”.
Teatri Kombëtar duke u shembur 17 maj 2020/Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, Flicr.
“5 vite më vonë pa godinë, si u rikthye plani i kullave”
Sot bëhen pesë vite nga dita e shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar, ndërtuar në vitin 1938 nga arkitekti Giulio Berté në një stil të arkitekturës moderne italiane. Godina u rikonceptua pas Luftës së Dytë Botërore me ndërhyrje nga arkitektë si Anton Lufi, Semih Pashallari etj.
Por “urgjenca” për të shembur teatrin nuk u reflektua në urgjencë për të ndërtuar godinën e re, edhe pse kjo u premtua disa herë nga kryetari i bashkisë Erion Veliaj, i cili sot ndodhet në paraburgim nën hetime si i dyshuar për korrupsion dhe pastrim parash.
Më 21 dhjetor 2022 në një ceremoni të mbyllur për publikun dhe median, Veliaj së bashku me kryeministrin Rama, përfaqësues të qeverisë dhe artistë të pozicionuar “pro” tyre, përuruan nisjen e punimeve për teatrin e ri.
U deshën dy vite për të inaguruar punimet e godinës, por tre vite sërish ishin të pamajftueshme për të përfunduar atë.
Përpos premtimeve të përvitshme për të ndërtuar godinën e re, prej 5 vitesh hapësira ku qendronte teatri mbeti bosh, e rrethuar dhe pa të drejtën e shfrytëzimit si një pronë publike nga qytetarët.
U hapën dy tenderë për ndërtimin dhe një për projektimin e Teatrit Kombëtar (megjithëse nga qeveria dhe bashkia këmbëngulej se projekti i Bjarke Ingels ishte gati, i dhuruar nga kompania “Fusha shpk” e sipërmarrësit Shkëlqim Fusha pas tërheqjes nga partneriteti publik-privat), të cilët kushtuan 1.85 miliardë lekë pa TVSH.
Tenderët patën mungesë konkurrence, pasi u skualifikua oferta më e ulët dhe u kateogrizuan me flamur të kuq nga “Open Data Albania” (ODA).
Trualli i Teatrit Kombëtar pastruar nga inertet pas shembjes/Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, Flicr.
Sipas të dhënave të analizuara nga ODA, projekti për ndërtimin e godinës së TK, ishte investimi i dytë publik me peshën më të lartë në buxhetin e shtetit për vitin 2022.
Parashikimet në letër, e projektonin Teatrin e ri Kombëtar të përfunduar brenda periudhës 2022-2024, edhe pse zyrtarisht nisja e punimeve u shpall në ditet e fundit të vitit 2022 dhe puna nuk nisi deri në maj të 2023.
Pasi dështuan të realizojnë ligjin special për ndërtimin e teatrit të ri kombëtar dhe kullave pas tij, sipërmarrësi Fusha dhe qeveria hartuan një plan të ri.
Një kullë 33 katëshe do të ngrihet pas Teatrit Kombëtar, mbi një sipërfaqe publike prej 1,266 m2, të cilën bashkia Tiranë e “dhuroi” përmes një marrëveshjeje ku do të marrë në këmbim sipërfaqe ndërtimi.
Kompania “Fusha” ishte ofruar që në vitin 2018 për ndërtimin “falas” të teatrit në këmbim të një sipërfaqeje trualli të bashkisë për të ngritur një kompleks prej 6 kullash. Aktualisht, teatri po ndërtohet nga fondet publike dhe megjithatë sipërmarrësi Fusha po e realizon ambicien për të ndërtuar mbi tokë publike në zemër të kryeqytetit.
Për të realizuar këtë plan u shembën dhe një sërë barësh dhe restorantesh popullore që ndodhesin në pedonale duke shkërmoqur të tjera vende të rëndësishme për kujtesën.
Premtimet për ndërtimin e godinës u ndryshuan disa herë, afatet janë shkelur po ashtu disa herë brenda këtyre 5 viteve, teksa kryetari i bashkisë ndodhet në burg, afati përfundimtar i teatrit mbetet për “shfaqjen tjetër politike”.
Edicioni i katërt i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Ambient të Hapur PrizrenFest do të mbahet sivjet nga data 21 deri më 28 korrik në Prizren.
Për tetë ditë, njëmbëdhjetë lokacione të shpërndara gjithandej qytetit do të shndërrohen në skena teatrore për të pritur mbi 20 shfaqje e performanca nga Palestina, Franca, Anglia, Italia, Greqia, Turqia, Bullgaria, Shqipëria, Maqedonia e Veriut e Kosova.
Programi i sivjetëm i festivalit përpos që i bën konak botës në Prizren, na fton ta imagjinojmë dhe pranojmë teatrin në të gjitha mënyrat e bërjes së tij, por mbi të gjitha ta njohim e ta ritheksojmë fuqinë e shprehjes teatrore për të krijuar hapësira të përbashkëta për reflektim shoqëror.
Edhe në këtë edicion, nderojmë trashëgiminë kulturore e historike të qytetit tonë, duke e shndërruar atë në një skenë teatri dhe duke e sjellë teatrin e botës në të.
Prej formave më klasike të shprehjes teatrore deri tek ato më alternative e eksperimentale, ky program që ju flet të gjitha grupeve të audiencave, navigon nëpër tema që lidhen me luftën, shërimin, kujtesën, identitetin, rezistencën, heshtjen, shëndetin mendor, ambientin e dhunën shtetërore.
I sjellim këto tema në skenat e sivjetme të PrizrenFestit, jo për të rikonfirmuar atë që tashmë e dijmë për gjendjen në të cilën ndodhet sot bota përreth nesh, por për të treguar se ashtu siç brengat dhe tragjeditë shoqërore nuk njohin kufij, njëlloj nuk njeh kufij as këmbëngulja dhe shpresa jonë për t’u bërë bashkë nëpërmjet teatrit – gjuhës që ne e flasim më së miri. Pra ne, së bashku, nuk i frikësohemi territ që e kemi përreth nesh, por i bëjmë ballë me publikun dhe artistë nga anembanë botës, për të nderuar tregimet që na bëjnë bashkë.
Programi i sivjetëm i PrizrenFest përmban shfaqje për të rritur e për fëmijë si dhe një program edukativ e diskursiv. Gjithashtu, sivjet afrohemi me publikun, jo vetëm nëpërmjet skenave të ngritura nëpër qytet dhe formave tradicionale të tij, por edhe duke e dërguar teatrin tek ata që nuk mund të vijnë në teatër dhe duke e bërë teatrin të qasshëm për të gjithë, nëpërmjet një programi të posaçëm në shtëpinë e të moshuarve, me shfaqjen “La Beauté du Souvenir” nga Franca si dhe nëpërmjet teatrit me gjuhë të shenjave me shfaqjen e programit për fëmijë “Three”.
PrizrenFest 2025 nis më 21 korrik nga ora 21:00 në Teatrin mbi Lumë, me shfaqjen e baletit “Muzg” nën koreografinë e balerinit shqiptar të njohur ndërkombëtarisht Eno Peçi, ndërsa përmbyllet me shfaqjen “Monologët e Gazës” nën regjinë e artistes palestineze Iman Aoun më 28 korrik nga ora 21:00 në Teatrin mbi Lumë.
Përgjatë tetë ditëve të festivalit, në Teatrin “Bekim Fehmiu” të Qytetit të Prizrenit do të jipen shfaqjet “Komedia e zezë” nga Kosova, “5 fytyrat e heshtjes” nga Shqipëria, “Unë jam vet grua” nga Kosova, “Drunks” nga Bullgaria.
Skena e ngritur në oborrin e Kishës së Zojës Ndihmëtare do të bëhet nikoçire e shfaqjeve “Elettra” nga Italia dhe “P’tit Jean Le Géant” nga Franca.
Në Amfiteatrin e Autostradës Bienale do të jipet shfaqja “Oedipus Rex” nga Greqia ndërsa “8%” nga Maqedonia e Veriut jipet në Autostrada Hangar.
Lidhja e Prizrenit do të bëhet skenë për shfaqjen “Oranges and Stones” nga Palestina, e Burgu i qytetit të Prizrenit për shfaqjen “Bëje ose vdis” nga Kosova, ndërsa që në Kejin pranë xhamisë së Sinan Pashës do të zë vend shfaqja “Unboxed – Unpacking Prejudice” nga Anglia.
Ekspozita “Teatri Ilegal” gjithashtu do të jetë e hapur përgjatë gjithë festivalit në hollin e Teatrit “Bekim Fehmiu”. Të gjitha shfaqjet e programit për fëmijë do të jipen në Teatrin mbi Lumë.
Hyrja në të gjitha ngjarjet e edicionit të sivjetëm të PrizrenFest është falas! Ndërsa pas përfundimit të shfaqjeve, për çdo mbrëmje mblidhemi e festojmë bashkë me muzikë të përzgjedhur në pikëtakimin e festivalit në Kejin e Sinan Pashës.
Nga 21 deri më 28 korrik, shihemi në skenat e ngritura teatrore të PrizrenFestit!
Për më shumë detaje në lidhje me programin e sivjetëm, lokacionet dhe oraret, mund të ndiqni faqet në rrjetet sociale në Instagram – PrizrenFest dhe Facebook – PrizrenFest./ KultPlus.com
Në ambientet e bibliotekës “Sotir Kolea” në Tiranë, Muzeu Historik Kombëtar zhvilloi sot një aktivitet me vlerë historike dhe kulturore, në kuadër të ciklit të bisedave me ekspertë të albanologjisë.
I ftuar në këtë veprimtari ishte studiuesi Mark Palnikaj, i cili ndau me publikun të dhëna të rëndësishme nga relacionet e Fra Giacinto da Sospello, një dorëshkrim i vitit 1652, që ruhet në Bibliotekën e Bashkisë së Fermos në Itali. Dokumenti përshkruan 16 misione fetare të zhvilluara ndër vite në trojet shqiptare dhe përmban fakte të vyera historike e sociale për Shqipërinë e shekullit XVII.
Me këtë aktivitet, Muzeu Historik Kombëtar vijon misionin për promovimin e historisë kombëtare, duke sjellë në vëmendje dokumente, figura dhe ngjarje që dëshmojnë për identitetin dhe trashëgiminë shqiptare./ atsh/ KultPlus.com
Komedia romantike e William Shakespeare, “Si ta doni”, do të jetë pjesë e sezonit të ri të Teatrit Kombëtar.
Kjo komedi romantike për dashurinë dhe lirinë, vjen me regji të John Blondell dhe me interpretim nga Genti Deçka, Lulzim Zeqja, Laert Vasili, Luli Bitri, Elia Zaharia, Donald Shehu, Dritan Boriçi, Besmir Bitraku, Flaura Kureta, Erjona Kakeli, Florian Agalliu, Ilirda Bejleri, Krist Lleshi.
“Si ta doni”, në origjinal “As you like it”, është një komedi baritore nga William Shakespeare që besohet se është shkruar në vitin 1599. Ajo u vu në skenë në Wilton House në 1603. Prej atëherë është adaptuar si pjesë për radio, film dhe muzikal.
“As You Like It” ndjek heroinën e saj Rosalind ndërsa ajo ikën nga persekutimi në oborrin e xhaxhait të saj, e shoqëruar nga kushërira, Celia për të gjetur sigurinë dhe dashurinë, në Pyllin e Ardenit. Në pyll, ata ndeshen me një sërë personazhesh të paharrueshëm, veçanërisht udhëtarin melankolik Jaques, i cili reciton një nga fjalimet më të famshme të shkruara nga Shekspiri, “Gjithë bota është një skenë” dhe ofron një kontrast të mprehtë me personazhet e tjerë në shfaqje, duke vëzhguar dhe diskutuar gjithmonë vështirësitë e jetës në vend./atsh/KultPlus.com
Parku Kombëtar i Butrintit ka regjistruar një numër rekord vizitorësh në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025.
Në periudhën janar-qershor 2025, Butrinti mirëpriti 105,615 vizitorë. Krahasuar me qershorin e vitit të kaluar, kjo shifër përkthehet në 71% më shumë vizitorë dhe në 76% më shumë të ardhura.
Këto shifra janë një tregues i qartë i rëndësisë dhe potencialit të jashtëzakonshëm që ka trashëgimia jonë kulturore dhe natyrore. Butrinti përveç se është krenari kombëtare është gjithshtu në listën e pasurive botërore të UNESCO-s.
Ai ndodhet 25 km larg qytetit të Sarandës dhe shtrihet në brigjet e detit Jon.
Në brendësi të parkut gjendet qendra kryesore arkeologjike e Butrintit, ndërsa përreth saj ka edhe monumente të tjera që dëshmojnë për qytetërim mbi 3000-vjeçar.
Ky park është një kombinim fantastik i mjediseve detare, lumore, lagunore, fushor e kodrinor, ku janë mjaft të pranishme edhe elementet historike, të tillë si Kalaja mesjetare e Ali Pashë Tepelenës, e sidomos rrënojat arkeologjike të qytetit të Butrintit, me fillesat që në sh.IV p.e.s. Për këtë arsye, pjesa arkeologjike e saj, në Gadishullin e Butrintit, është shpallur pjesë e UNESCO-s, që më 1999, gjë që rrit më tej atraksionin ekoturistik. /atsh/ KultPlus.com
TIRANË, 29 qershor /ATSH/ Vallet nga trevat shqiptare erdhën përmes interpretimit të grupeve të ndryshme folklorike në Festivalin Folklorik Tipologjik Kombëtar të Valles Popullore Burimore.
Festivali këtë vit zhvilloi edicionin e tij të 13-të dhe u zhvillua për dy ditë me radhë në qytetin e Lushnjës.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau sot në rrjetet sociale pamje nga klipi përmbledhës i edicionit XIII të Festivalit Folklorik Tipologjik Kombëtar të Valles Popullore Burimore.
“Tradita që flet përmes valleve. Klipi përmbledhës i edicionit XIII të Festivalit Folklorik Tipologjik Kombëtar të Valles Popullore Burimore, zhvilluar në Lushnjë, sjell atmosferën magjike të dy netëve ku vallja, kostumet dhe ritmet e trevave shqiptare u bënë një gjuhë e përbashkët e shpirtit kombëtar”, shkroi Gonxhja.
Ky aktivitet kulturor ka për qëllim të paraqesë vlerat dhe arritjet më të mira në gjininë e valles popullore, si dhe të gjallërojë jetën kulturore.
Në festival vjen krijimtaria më cilësore e të gjitha rretheve të vendit, ku bëhet edhe paraqitja e kostumeve popullore kombëtare.
Në këtë festival merrnin pjesë grupe të ndryshme, por çmimi i parë i këtij edicioni të 13-të këtë vit shkoi për grupin e Hasit.
Juria në Festivalin Folklorik Tipologjik Kombëtar të Valles Popullore Burimore e vlerësoi për origjinalitetin, ruajtjen e elementëve burimorë dhe interpretimin artistik.
Festivali Ndërkombëtar i Muzikës së Dhomës çel sot edicionin e tij jubilar të 20-të pranë katedrales “Shën Luçia”.
Ky festival, tashmë i njohur për nivelin e lartë profesional dhe artistik të koncerteve do të prezantojë përgjatë një muaji zhanre të ndryshme të muzikës së dhomës.
Kryetarja e bashkisë Durrës, Emiriana Sako tha se festivali do të vijojë deri në 21 korrik dhe do të sjellë në zemër të qytetit bregdetar, në katedralen “Shën Luçia”, një udhëtim të pasur përmes muzikës së dhomës.
“Artistë nga mbi 10 vende, formacione të njohura, projekte të reja artistike dhe bashkëpunime ndërkombëtare, në një festival që bashkon traditën dhe risinë, tingujt klasikë dhe emocionin e drejtpërdrejtë”, tha Sako.
Sipas programit, festivali nis sot me koncertin e trios “Amadeus”, grupi i njohur që vjen nga Austria, ndërsa performanca e fundit e parashikuar në datën 21 korrik do të jetë një koncert piano kuartet me artistë nga Shqipëria, Amerika dhe Italia.
Festivali zhvillohet nga shoqata Arti dhe Kultura Italo-Shqiptare, që u krijua me iniciativën e disa artistëve durrsakë, të cilët kanë studiuar e kaluar një pjesë të veprimtarisë së tyre në Itali. Qëllimi i kësaj shoqate ka qenë dhe është bashkëpunimi i artistëve shqiptarë me të huaj, këmbimi i eksperiencave të kulturave të vendeve të ndryshme.
Gjatë aktivitetit të këtyre viteve kjo shoqatë ka organizuar mjaft koncerte në Durrës, Tiranë dhe Itali të cilat kanë përcjellë në publik një nivel të lartë interpretimi artistik.
Sipas organizatorëve ky festival u krijua pikërisht me qëllimin për të siguruar një vazhdueshmëri jo vetëm në njohjen e kulturave të ndryshme nëpërmjet artistëve të ardhur nga Italia, Austria, Franca, Greqia, Zvicra, Kosova, etj., por edhe me dëshirën e madhe për t’u ballafaquar me këto kultura dhe kjo nëpërmjet shfaqjeve të përbashkëta me instrumentistë shqiptarë.
Një tjetër synim i këtij aktiviteti është pjesëmarrja e artistëve shqiptarë, që jetojnë e punojnë jashtë Shqipërisë./atsh/ KultPlus.com