Borxhi publik u rrit në 55.7 % të PBB-së në fund të qershorit 2025 në krahasim me 53.9% që ishte në fund të vitit 2024, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave.
Brenda 6 muajve borxhi publik u rrit me 1.8% të PBB-së, si rrjedhojë e emetimit të eurobondit 650 milionë euro me afat 10 vjeçar në shkurt të këtij viti. Ministria e Financave po planifikon që niveli i borxhit publik të jetë në 57.6 për qind të PBB-së ketë vit. Ministri i financave, Petrit Malaj ka pohuar se borxhi do të vijë në ulje për shkak të shlyerjeve në 6 mujorin e dytë të 2025 të maturimeve të eurobondeve në të marra vitet e fundit.
Borxhi i përgjithshëm i qeverisë qendrore në fund të qershorit 2024 ka arritur mbi 1.3 trilion lekë. 56,3% të totalit e zë borxhi i brendshëm, ndërsa borxhi i jashtëm përbën 43.7%.
Ndarja sipas maturimit tregon se borxhi afatgjatë përbën pjesën dërrmuese të detyrimeve, me 84.1% të totalit, ndërsa borxhi afatshkurtër përfaqëson vetëm 15.9%.
Interesat e paguara për borxhin në gjashtëmujorin e parë të vitit 2024 arritën në 29.3 miliardë lekë, që përbën 1.2% të PBB-së.
Gati 63 për qind e borxhit të jashtëm është në euro. Ky ekspozim në rritje në ndaj euros mund të kthehet në rrezik veçanërisht leku zhvlerësohet.
Rritja e të ardhurave mbi parashikimet dhe nga ana tjetër paaftësia për të realizuar shpenzimet publike sipas programit buxhetor ka ndihmuar në rënien e borxhit publik përtej pritshmërive në vitet e fundit. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se në vitin 2024 borxhi publik arriti në 54,74% e PBB-së, me një rënie prej 2,7 pikësh në raport me vitin 2023. Ky ishte niveli më i ulët i borxhit publik në raport me PBB-së që nga viti 2008.
Megjithatë, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka lajmëruar shpenzimet publike të vendit do të rriten së paku me 7% të PBB-së në dhjetë vitet e ardhshme (afërsisht 1,7 mld euro).
Në vitin 2024, shpenzimet publike të vendit ishin rreth 31% të PBB-së, por në dekadën në vijim do të duhet të arrijnë mbi 38% të PBB-së, për shkak të nevojave më të larta për financimin e skemës së pensioneve dhe për financimet më të mëdha në sektorin e shëndetësisë, si pasojë e plakjes së popullsisë.
Stafi teknik i FMN-së projekton një rritje të shpenzimeve buxhetore, duke filluar nga viti 2026. Faktorët që do të ndikojnë më shumë janë shpenzimet për sigurime shoqërore, shpenzimet më të mëdha për mirëmbajtje dhe digjitalizim.
Për të ruajtur balancat, shpenzimet publike duhet të shoqërohen me rritje të të ardhurave. Veçanërisht, konsiderohet e rëndësishme reforma e pensioneve, e cila duhet të sigurojë një mbulim më të mirë të popullsisë me kontribute. Për rritjen e të ardhurave për sigurimet shoqërore, do të duhen reforma që përfshijnë uljen e informalitetit në tregun e punës, duke përfshirë edhe sektorin bujqësor./ B.Hoxha
Deri më 20 Korrik 2025 është afati i fundit për bashkitë me probleme financiare dhe për ato me detyrime të prapambetura, të kenë përfunduar hartimin e planit të shlyerjes së borxheve.
Ministri i Financave Petrit Malaj më herët u kërkoi bashkive që planin e rehabilitimit financiar, pasi ta kenë miratuar në këshillat bashkiak ta paraqesin pranë ministrisë. Plani duhet të sigurojë ecurinë e shlyerjeve të borxheve brenda 12 muajve.
Në total për 2024 niveli i detyrimeve të prapambetura për 61 bashkitë në rang vendi ka arritur në vlerën e rreth 3,2 mld lekëve apo rreth 33 mln euro sipas të dhënave të publikuara në raportin “Qeverisja vendore në Shqipëri- Raport mbi situatën 2024” të Institutit për Bashkitë të Shqipërisë.
Krahasuar me 2023 detyrimet e prapambetura të krijuara nga pushtetit vendor kanë zbritur në vlerën e 1,5 miliardë lekëve apo 32,8% më pak.
Por pavarësisht tendencës rënëse të totalit të vlerës së detyrimeve të prapambetura, ecuria me shlyerjen e tyre për secilën bashki paraqitet mikse.
Në 2024 nga të dhënat e raportit evidentohet se 14 bashki kanë shtuar vlerën e detyrimeve të prapambetura, ndërsa 3 bashki si ajo e Këlcyrës, Patosit dhe Mallkastrës nuk kanë krijuar detyrime të prapambetura të reja në 2024.
Po ashtu në 2024, sipas raportit 4 bashki në rang vendi paraqiten në vështirësi financiare, si bashkitë: Kavajë, Vorë, Cërrik, Dimal.
Sipas ligjit “Për financat vendore” nëse niveli i detyrimeve të prapambetura është më i lartë se 25% e shpenzimeve që bashkitë kanë bërë me burimet e veta ato konsiderohen në vështirësi financiare.
Nga totali i shpenzimeve që Bashkia Kavajë ka bërë në 2024 me burimet e veta, rreth 59% e tyre janë me borxhe të papaguara. Në Vorë shpenzimet me borxhe zenë 40%, në Dimal rreth 33% dhe në Cërrik rreth 37%.
Por pavarësisht se vlerat relative të detyrimeve të prapambetura për këto bashki janë poshtë nivelit prej 80% të kufirit ligjor të jeluar në raport rekomandohet se këto Bashki duhet të bëjnë përpjekje më të mëdha si në kahun e të ardhurave dhe në atë të shpenzimeve për të ulur më tej këtë nivel të lartë detyrimesh përgjatë vitit 2024 e në vijim.
Ndërsa për dy bashkitë Kavajë dhe Vorë që paraqiten në situatën e vështirësisë serioze financiare raporti i Institutit për Bashkitë e Shqipërisë thotë se sipas ligjit “Për financat vendore” hapat që parashikohen për të mundësuar daljen nga vështirësitë janë:
“Ministria e Financave, me marrjen e njoftimit nga kryetari i njësisë së vetëqeverisjes vendore ose kur e konstaton vetë, i propozon Këshillit të Ministrave masat për daljen nga situata e vështirësisë serioze financiare.
Në këtë rast, Këshilli i Ministrave vendos:
a) të japë mbështetje financiare në formën e ndihmës apo huas, duke përcaktuar edhe planin për daljen e njësisë së vetëqeverisjes vendore nga situata e vështirësisë serioze financiare, si dhe planin e kthimit të shumës së dhënë;
b) të mandatojë Ministrinë e Financave për të negociuar ristrukturimin e borxheve dhe të detyrimeve të papaguara;
c) të shpallë njësinë e vetëqeverisjes vendore në mbikëqyrje financiare dhe të autorizojë Ministrinë e Financave si mbikëqyrës financiar të saj, duke respektuar rigorozisht këto kushte: i) njësia e vetëqeverisjes vendore nuk mund të marrë asnjë vendim që mund të çojë në shtimin e detyrimeve të saj financiare; ii) njësia e vetëqeverisjes vendore nuk mund të vendosë shërbime të reja publike, të themelojë sipërmarrje publike apo çdo institucion tjetër; iii) njësia e vetëqeverisjes vendore nuk mund të shlyejë asnjë detyrim financiar, të krijuar para shpalljes së rastit të vështirësisë financiare, përveç detyrimeve të përcaktuara shprehimisht në planin e rehabilitimit financiar”, citohet në raport.
Nga Kavaja, Tirana deri te Pogradeci 10 bashkitë mbajtëse kryesore të borxhit
10 bashkitë kryesuese me borxhin më të madh, si përqindje e totalit të detyrimeve të prapambetura janë e Kavajës dhe Tiranës pasuar nga Pogradeci, Vora, Rrogozhina, Dimali, Dibra, Cërriku, Peqini dhe Mati.
Pesha e borxhit të Bashkisë së Kavajës kundrejt totalit është 23%, e Tiranës 18%. Më pas e ndjekur nga Bashkia e Pogradecit me peshë 7,5% kundrejt totalit, Vora (4,8%), Rrogozhina (5%), Dimali (4,5%), Dibra (4%), Cërriku (3,6%), Peqini (2,5%) dhe Mati (2,4%).
Në 2024 konstatohet se 14 prej 61 bashkive e kanë shtuar vlerën e detyrimeve të prapambetura në raport me vitin paraardhës.
Spikasin Bashkia Rrogozhinë (+83.1 milionë lekë apo rreth 107% më shumë se 2023), Bashkia Mat (+49.3 milionë lekë apo 189% më shumë se në 2023) dhe Bashkia Berat (+47.6 milionë lekë apo 257% më shumë se 2023).
Nga ana tjetër, vërehet një ecuri pozitive në shlyerjen e detyrimeve të prapambetura nga Bashkia Durrës (-266.8 milionë lekë apo 85,6% më pak se në 2023), Bashkia Tiranë (-217.7 milionë lekë apo 28% më pak se në 2023), Bashkia Vorë (-209.5 milionë lekë apo 58% më pak se në 2023), Bashkia Lezhë (-119 milionë lekë apo 70% më pak se në 2023) dhe Bashkia Elbasan (-107.5 milionë lekë apo 87% më pak se nga 2023).
Ndërsa Bashkia Këlcyrë dhe Bashkia Patos për të katërtin vit rradhazi nuk krijojnë asnjë detyrim të prapambetur ndaj palëve të treta.
Pjesa më e madhe e detyrimeve të pashlyera janë për energjinë
Pjesa më e madhe e detyrimeve të pashlyera nga 61 bashkitë në rang vendi për 2024 rezulton se është për zërin e shpenzimeve “Të tjera” ku pjesën dërrmuese e zënë detyrimet e prapambetura të energjisë elektrike të njësive të qeverisjes vendore ndaj OSHEE sh.a..
Për zërin “Të tjera” detyrimet e parapambetura zëne një total prej 1.05 mld lekë apo rreth 33% të totalit të borxheve.
Detyrimet ndaj palëve të treta për projekte të investimeve publike (933 mln lekë) vijojnë të kenë një peshë prej 29,2% në totalin e detyrimeve të prapambetura në këtë periudhë. Ndërkohë që detyrimet që burojnë nga shërbimet e kryera nga palë të treta kapin vlerën e 527 mln lekë si dhe për vendime gjyqësore 316 mln lekë apo 10% të totalit të borxhit. / D.Azo
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, KPA u nda në vlerësimin e ankimit të kryer nga Komisioneri Publik, Florian Ballhysa ndaj vendimmarrjes së Komisionit për përfundimin e vetingut të ish-kryetarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Alfred Balla. Balla iu nënshtrua procesit të rivlerësimit kalimtar për shkak të punës së tij si ndihmës […]
Një qytetare e Elbasanit ka paditur bashkinë dhe kompaninë që menaxhon mbetjet, pas ndotjes së shkaktuar nga zjarret në landfill. Rasti synon drejtësinë mjedisore dhe vendos një precedent ligjor në Shqipëri.
Fatmira Sejrani, së bashku me organizatën “Drejtësi Sociale” depozitoi sot një padi kundër Bashkisë Elbasan dhe kompanisë “Eco-Elb” sh.a, për dëme shëndetësore të shkaktuara nga zjarri në vendgrumbullimin e mbetjeve.
Fatmira vuan nga probleme kronike të frymëmarrjes dhe gjatë ditëve me tym iu desh ta përdorte pompën e ajrit shumë herë më shpesh, sesa e përdorte në ditë normale.
Prej 1 korrikut, tymi i dendur përfshiu Elbasanin për gjashtë ditë me radhë, duke rënduar shëndetin e banorëve. Aktivistë dhe qytetarë zhvilluan protesta në Tiranë dhe Elbasan duke fajësuar për situatën ministrinë e Mjedisit dhe Prokurorinë.
Kjo ishte e disata herë që landfilli përfshihej nga zjarret, pas vitit 2022 dhe 2023, ndaj kërkesa ishte e qartë: hetim dhe përgjegjësi për degradimin e qëllimshëm të ajrit dhe shëndetit publik.
Avokati Genti Sejrani përfaqëson padinë e ngritur për dëmin shëndetësor, moral dhe mjedisor që pësoi Fatmira. Sipas tij, kjo është padi e parë në Shqipëri me objekt të tillë, një hap domethënës drejt drejtësisë mjedisore.
Ai tha për Citizens.al se qytetarët kanë të drejtën të kërkojnë llogari ligjërisht për pasojat e ndotjes sistematike.
“Nuk ka ndodhur më parë që të jetë ngritur padi me objekt të tillë: konstatim i cenimit me faj të ndotjes së mjedisit nga bashkia dhe kompania Eco-Elb, si dhe detyrimi i palëve të paditura për dëmshpërblim paditëses dhe qytetit,” tha Sejrani.
Sipas tij, padia inkurajon qytetarët e tjerë për t’iu drejtuar kësaj organizate nëse kanë përjetuar ndërlikime shëndetësore nga zjarret në landfill.
“Padia është një hap i rëndësishëm drejt kërkimit të drejtësisë mjedisore dhe llogaridhënies institucionale, në një qytet që prej vitesh përballet me ndotje sistematike dhe mungesë transparence mbi menaxhimin e mbetjeve urbane,” përmbylli avokati.
Matjet e Institutit për Zhvillimin e Habitatit (Co-PLAN) më 2 korrik treguan nivele alarmante të ndotësve, mbi normat e lejuara nga BE.
U konstatua përqendrim i lartë komponentësh organikë dhe kimik (VOCs), grimcash pluhuri, bloze apo metalesh që ngeleshin pezull në ajër (PM2.5/PM10), nivele të larta metani (CH4) si dhe dioksidesh karboni (CO2) dhe azoti (NO2).
Personat me sëmundje të mushkërive ishin më të rrezikuarit në këtë situatë, e cila nuk u shoqërua me paralajmërim për masa mbrojtjeje nga institucionet.
Në një deklaratë të mëparshme për Citizens administratori i kompanisë publike “Eco Elb”, Leli Kaja, tha se zjarri u shkaktua nga temperaturat e larta. Sipas tij, prej të nxehtit të pazakontë, teksa u shpreh i hapur për hetime.
Vendgrumbullimi i mbetjeve në Elbasan është një investim në partneritet publik-privat i ardhur si rrjedhojë i së ashtuquajturës “skemë e incenratorëve” që përfshiu edhe Fierin dhe Tiranën.
Projekti prej 26 milionë eurosh në Elbasan, i nisur në vitin 2017, u mbyll me më shumë se 10 persona në burg për korrupsion dhe shpërdorim detyre, përfshirë këtu ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka.
Impianti u konfiskua në vitin 2021 dhe i kaloi në përdorim bashkive të qarkut Elbasan përmes shoqërisë aksionere “Eco-Elb”, por inceneratori i tij nuk u vu kurrë plotësisht në punë.
Administratori Kaja ka treguar për Citizens.al se impianti punoi vetëm 7 muaj gjatë vitit 2023 dhe është jashtë funksioni që prej dhjetorit të atij viti.
Rasti i zjarreve në vendgrumbullimin e Elbasanit pasqyron dështimin e menaxhimit të inceneratorëve në Shqipëri, me pasoja konkrete dhe të matshme.
Projektet në Elbasan, Fier dhe Tiranë u paguan shtrenjtë, por mbetën jofunksionale.
Prej mesditës së të hënës fusha e mbetjeve buzë lumit Shkumbin në Elbasan është nën pushtetin e flakëve. Tymi i zi dhe era mbuluan zonat përreth, duke arritur deri në qendër të qytetit.
Zjarri u përhap shpejt, duke përfshirë gjithë territorin e mbetjeve pranë ish-kombinatit metalurgjik. Forca të shumta zjarrfikëse ndërhynë për shuarjen e flakëve, përpjekje të cilat vijuan edhe gjatë mbrëmjes.
Temperaturat dyshohet se shkaktuan zjarrin
Leli Kaja, administratori i kompanisë publike “Eco-Elb”, e cila merret me trajtimin e mbetjeve, lidhi temperaturat e larta me shpërthimin e zjarrit.
Në një lidhje telefonike për Citizens.al ai përjashtoi neglizhencën njerëzore, duke theksuar për “shkaqe natyrore” dhe se kompania ishte duke bashkëpunuar dhe e hapur për hetime.
“Shkaku është për arsye natyrale, me temperaturat që shikoni dhe që po digjet kudo në çdo shtet e në çdo vend,” tha Kaja.
“Megjithatë janë organet kompetente ato që hetojnë më mirë, do t’ua lemë atyre të shprehen. Ne jemi të hapur për çdo lloj hetimi”, theksoi më tej administratori i “Eco-Elb”.
Sipas Kajës aktualisht janë aktive “disa vatra të vogla zjarri”, të cilat po kapsulohen me dhé.
Në një deklaratë për shtyp shpërndarë edhe në rrjetet sociale, Bashkia Elbasan tha të hënën se zjarri ishte përhapur edhe në zona të tjera si një ullishte në pjesën veriperëndimore, në pyllin me pisha, si dhe në fshatin Samurr.
“Temperaturat mbi 40 gradë sot në Elbasan dhe era e fortë favorizojnë flakët duke vështirësuar punën e ekipeve tona,” thuhej në njoftimin e bashkisë.
Zjarret nuk janë rastësi në Elbasan
Ky nuk është një episod i izoluar për Elbasanin. Çdo verë, fusha e mbetjeve në këtë qytet përfshihet nga zjarret.
Deri tani, asnjë masë efektive nuk është marrë për parandalim apo menaxhim të qëndrueshëm. Për këtë çështje Kaja pohoi për Citizens.al se kanë kërkuar ndërhyrje nga instancat më të larta, por pa sukses konkret.
“Nëse mali me plehra është i madh dhe ekspozohet në diell ne nuk kemi çfarë t’i bëjmë,” u shpreh Kaja, i cili tregoi se paralelisht ishte duke u kryer një studim fizibiliteti për ndërtimin e një vendgrumbullimi të ri.
“Po bëhet një studim, por akoma nuk është përfunduar,” theksoi administratori i “Eco-Elb”.
Por kërkesa për një vendgrumbullim të ri nuk gjeti përkrahjen e Këshillit Bashkiak, i cili në muajin mars votoi kundër projektvendimit. Shkak për këtë bllokim është bërë kontrata dhe situata e paqartë e “Eco-Elb” në lidhje me impiantin e inceneratorit.
Inceneratori “i fikur”, përshkallëzon krizën e mbetjeve
Impianti i inceneratorit të Elbasanit u përurua në prill 2017. Ai kushtoi 26 milionë euro dhe u ndërtua në partneritet me privatin për të përpunuar mbetjet e gjithë qarkut dhe paralelisht për të prodhuar energji.
Por sot, objekti është jashtë funksioni. Sipas administratorit të “Eco-Elb”, inceneratori punoi vetëm shtatë muaj në vitin 2023. Ai u fik në dhjetor të atij viti dhe prej atëherë nuk ka marrë asnjë përgjigje institucionale.
“Kemi çuar shkresat përkatëse çdo lloj bashkie dhe çdo lloj ministrie që ka të bëjë me këtë punë dhe jemi në pritje të zgjidhjes së situatës”, deklaroi Kaja për Citizens.al.
Çështja e inceneratorit kaloi një kalvar hetimesh dhe gjykimesh nën dyshimin se ishte sugjeruar dhe drejtuar nga interesa korruptive. Mbi 10 persona, përfshirë ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka, dhe ish-deputetin Alqi Bllako janë ndër të akuzuarit.
Impianti u konfiskua nga shteti në vitin 2021 dhe i kaloi në përdorim bashkive të qarkut Elbasan.
Agjencia Evropiane e Mjedisit (EEA) e ka renditur Shqipërinë në vendin e fundit në Evropë sa i takon cilësisë së ujërave në plazhe, duke përfshirë këtu det, liqene apo dhe lumenj. Raporti, i cili mbulon të dhënat e katër viteve të fundit (2021-2024), ngre shqetësime serioze mbi menaxhimin mjedisor në vend dhe pasigurinë që u kanoset pushuesve dhe ekosistemeve detare.
Në raport, EEA ka analizuar më shumë se 21,000 vende të caktuara për plazhe apo larje në të gjithë Evropën, duke u mbështetur në të dhënat publike të siguruara nga vendet anëtare dhe kandidate për t’u integruar në Bashkimin Evropian, si Shqipëria. Qëllimi është mbrojtja e shëndetit publik dhe e biodiversitetit përmes monitorimit të rregullt të cilësisë së ujërave, në kuadër të Planit të Veprimit për Zero Ndotje të BE-së.
Sipas të dhënave të mbledhura, nga 119 vende të njohura zyrtarisht për larje në Shqipëri, vetëm 16% e tyre janë vlerësuar si “me cilësi të shkëlqyer” të ujërave, një rënie dramatike prej 25 pikësh përqindjeje krahasuar me vitin 2023.
Më tej, gjysma e pikave të caktuara për plazhe dhe larje rezultojnë “me cilësi të mirë”, 11.8% “me cilësi të pranueshme” dhe 22.7% “me cilësi të dobët” – një përqindje kjo mbi 10 herë më e lartë se mesatarja evropiane prej vetëm 1.5% të ujërave me cilësi të dobët.
Problemi i thelluar i ndotjes: Një krizë e paralajmëruar
Të dhënat e raportuara nga Citizens.al edhe në vitin e kaluar, paralajmëronin për një situatë të përkeqësuar. Atëherë, ekspertët e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM) nënvizuan mungesën e investimeve në trajtimin e ujërave të ndotura, shkarkimet e pakontrolluara urbane dhe mungesën e një kalendari të qëndrueshëm monitorimi si shkaqet kryesore.
Raporti i EEA për vitin 2024 vetëm sa e konfirmon këtë përkeqësim. Në mënyrë shqetësuese, asnjë nga vendet e caktuara për plazhe dhe larje në Shqipëri nuk përmbushi marrjen e mostrës para sezonit, një kriter bazë për sigurinë e pushuesve.
Sipas standardeve evropiane, për çdo vend për larje kërkohet të merren të paktën katër mostra gjatë sezonit, përfshirë një mostër para fillimit të tij, me një interval që nuk duhet të kalojë një muaj.
Por pse po dështon Shqipëria në këtë pikë?Shkaqet e cilësisë së ulët të ujërave larës janë të shumta dhe të njohura:
Ndotja urbane dhe industriale pa filtra mbrojtës.
Mungesa e impianteve funksionale për trajtimin e ujërave të zeza.
Përdorimi i pakontrolluar i pesticideve në bujqësi.
Menaxhimi i dobët i mbetjeve dhe mungesa e një sistemi funksional të mbikëqyrjes mjedisore.
Këto faktorë po përkthehen në një kërcënim të drejtpërdrejtë për shëndetin publik përmes rrezikut nga infeksionet dhe sëmundjet që lidhen me ndotjen e ujit – dhe një dëm të pakthyeshëm për ekosistemet ujore dhe turizmin bregdetar.
Kontraste të forta me Evropën
Ndërkohë që vendet si Qipro (99.2%), Bullgaria, Greqia dhe Austria udhëheqin listën me “ujëra të shkëlqyera” në raportin e EEA-së, Shqipëria mbetet në fund, së bashku me Estoninë dhe Poloninë, duke reflektuar një hendek të thellë në përkushtimin institucional dhe implementimin e politikave mjedisore.
Raporti i thekson nevojën e ristrukturimit të sistemit të monitorimit të ujërave në Shqipëri, vendosjen e një kalendari të rregullt të marrjes së mostrave dhe investime afatgjata në infrastrukturën e trajtimit të ujërave të zeza.
Gjithashtu, kërkohet një bashkëpunim më i ngushtë me BE-në për rritjen e standardeve, transparencës dhe kapaciteteve teknike të institucioneve përgjegjëse. Vetëm kështu mund të ndalet rrëshqitja drejt një krize të përhershme mjedisore që dëmton jo vetëm natyrën, por edhe perspektivën turistike dhe ekonomike të vendit.
Si një tregues i mungesës së transparencës, të dhënat e listuara në raport nga AKM-ja nuk ishin të aksessueshme në momentin e botimit të këtij artikulli. Lidhja e bërë në raport rezultonte e paarritshme me webfaqen e AKM-së.
Bashkia Elbasan hapi në muajin shkurt tenderin për ndërtimin e sistemit “smart” të stacioneve të autobusëve – fituar nga PC Store me ofertë 185 mijë euro, – një investim i cilësuar i nevojshëm për transportin publik, por që bëhet teksa autobusët me të cilët udhëtojnë qytetarët janë jashtë standardeve: të amortizuar, pa orare fikse dhe pa mbulim të plotë.
Elbasani vuan prej vitesh mungesën e një shërbimi të denjë urban. Kompania që kishte monopolin mbi transportin publik, e njohur si “KRIVA”, ankohej për mungesën e subvencioneve nga pushteti vendor dhe me këtë justifikonte mungesën e investimeve në përmirësimin e flotës.
Në dukje, situata ndryshoi kur një kompani e re, e cila quhej “Elbasan Bus”, mori drejtimin e shërbimit. Bashkia e shpalli procedurën në faqen e saj, pa bërë shumë publicitet, dhe ia dha shërbimin kësaj kompanie që ishte hapur rishtazi, pa përvojë të qartë në transportin publik.
Por një verifikim i thjeshtë në Qendrën Kombëtare të Biznesit, tregon se pronari i “KRIVA”-s, (Vasil Janku) ishte i njëjtë me atë të kompanisë së re, vetëm me administrator tjetër – Tahir Tafani, sipërmarrës i një bar-kafe dhe linje transporti.
Rreth 8 muaj pas hapjes së kompanisë Janku ia shiti 100% të kuotave Tafanit për vetëm 1,000 euro. Kjo ndodhi në shkurt 2024, pesë muaj para se Bashkia Elbasan ta shpallte kompaninë “Elbasan Bus” fituese të konkursit për operimin në 8 linja urbane të qytetit – përfshirë linjën për në Varrezat Publike, për të cilën qytetarët ankohen se nuk është aktive.
Dokumentacioni zyrtar mungon mbi mënyrën se si u licencua kjo kompani, apo për kushtet që ajo plotësoi për të marrë përsipër linjat përkatëse, ndërsa konkursi i hapur tërhoqi vetëm një operator: pikërisht “Elbasan Bus”.
Në një kërkesë për informacion dërguar Bashkisë Elbasan mbi përzgjedhjen e subjektit fitues dhe procesin e licencimit, Citizens.al nuk mori përgjigje deri në publikimin e këtij shkrimi. Po ashtu, tentativat për të kontaktuar administratorin e kompanisë dështuan.
Zërat e qytetarëve: Shpërfillje oraresh dhe mungesë higjiene
Përdoruesit kryesorë të transportit publik në Elbasan janë të moshuarit, gratë me fëmijë dhe nxënësit. Ata ankohen kryesisht për mungesë linjash, mosrespektim të orareve dhe mungesë higjiene.
“Dikur ka qenë autobusi për varrezat, tani nuk e shoh më,” thotë një e moshuar, 77-vjeçare, e cila shpreson që linja të vendoset sërish në punë.
“Nisesha nga Banesat për në Varreza, linja ka qenë këtu në lagjen time,” vijon ajo, “vërtetë autobusët janë copë-copë, verës plas vapa, por të paktën mund të lëviznim.”
Një tjetër e moshuar, Bukuria, shpreh gjithashtu shqetësimin për mungesën e linjës së Varrezave.
“Nuk mendojnë se është linjë që lëvizin prindër që kanë fëmijë, apo të dashurit e tyre atje dhe janë kryesisht të moshuar ata?” ngre shqetësimin e saj si pyetje retorike.
Agroni, një banor tjetër, i cili e përdor shpesh autobusin për të lëvizur drejt poliambulancës për të marrë shërbim shëndetësor, shton: “Paguajmë çmim sa në Tiranë, por shërbimi është mizerabël. Autobusët janë të pisët dhe pa orare. Është e turpshme për Elbasanin.”
Nxënësit, nga ana tjetër, ankohen për mbingarkesën në orët e mëngjesit, sidomos në linjat kryesore, ndërsa autobusëve u mungon ajrosja apo kondicioneri.
“Autobusët janë të vegjël e sidomos në mëngjes janë plot. Shtypemi aty! Kushte nuk ka e sidomos tani që filloi vapa nuk di si durojmë për të shkuar në shkollë,” tha një nxënës.
Qytetarë të tjerë, si Ermira Osmani, përmendin si shqetësim amortizimin dhe ndotjen që autobusët e vjetër shkaktojnë në qytet.
“Sedilet janë zhul dhe autobusët shumë të papastër. Shërbimi i transportit në Elbasan është i keq,” thekson ajo.
Kjo panoramë e transportit publik në Elbasan ndodh teksa bashkia promovon imazhin e një qyteti me stacione “smart” që synon zero emetime gazrash.
Në fakt bashkia ka përfshirë në Planin e Veprimit për Energjinë e Qëndrueshme dhe Klimën objektivin për të ripërtërirë flotën urbane me mjete të gjelbra, por në realitet autobusët e sotëm janë kthyer në burime ndotje.
Tirana ka 16 linja urbane dhe mbi 300 autobusë, por për banorët e Treshit – një zonë periferike në Njësinë Administrative Nr. 11 – transporti publik mbetet luks i paarritshëm. Me një popullsi prej mbi 65 mijë banorësh, kjo zonë nuk ka qasje të drejtpërdrejtë në asnjë nga linjat ekzistuese.
Banorët kujtojnë për Citizens.al se dikur kanë pasur linjë autobusi, por pas vitit 2020 ajo u hoq.
“Na vunë një herë një autobus të vogël, linja e Bërxullit [njësi e Bashkisë Vorë]… as dy vjet nuk na e lanë,” thotë Xhelali, një nga banorët e zonës. “Pastaj ishte një autobus i linjës së Institutit [Bashkia Kamëz], që u fut te lagjja jonë, pak kohë e lanë edhe atë, para 4-5 vitesh.”
Për të arritur stacionin më të afërt, te Treshi, pranë shinave në rrethin ku bëhen bashkë rrugët “Lunxheri-Kastriotet”, atyre u duhet mbi gjysmë orë ecje, një sfidë që përkeqëson aksesin në arsim, punë e shërbime bazë.
Institucionet përgjegjëse – Bashkia Tiranë, Bashkia Vorë dhe ajo e Kamzës – bëjnë ping-pong me përgjegjësinë, ndërkohë që asnjë zgjidhje konkrete nuk është ofruar që prej ndërprerjes së linjës Kashar-Bërxullë në vitin 2023.
“[…] para pandemisë ka pasur linjë të transportit publik por jo e licencuar nga Bashkia Vorë.” tha kjo bashki për Citizens.al ndërsa nuk shpjegon arsyet se përse nuk u ofrohet një zgjidhje banorëve duke licencuar një kompani.
Qytetarë duke hipur në autobusin e linjës Kamëz-Qendër (Tiranë)/Shinat e Trenit tek Treshit, në kryeqytet.
Banorët flasin për një neglizhencë të thellë: “Janë tallur me ne në këto 30 vite, gjithë jetën në këmbë,” thekson Xhelali.
“Vijnë vetëm për vota,” shprehet e zhgënjyer Rita, një nënë e dy fëmijëve, të cilët ndjekin shkollën në Laprakë – mbi 3 kilometra larg – sepse zona nuk ka gjimnaz.
“E kanë harruar këtë lagjen tonë!” thekson më tej ajo.
Kjo mungesë e qasjes në transport përbën një problematikë serioze të barazisë sociale dhe urbanistike në Tiranë.
Dashnor Memaj, kryetar i Shoqatës së Transportit Urban, konfirmoi për Citizens.al se te zona e ashtuquajtur “Shinat e Trenit” te Treshi, kalojnë linjat “Institut-Qendër” dhe “Kamëz-Qendër”. Ndërkohë rreth 1.2 kilometra më tutje atyre u shërben linja “Vorë-Qendër” te qendra tregtare “Casa Italia”.
“Dal me fëmijët, pasi kanë qejf të shkojnë te lodrat, por na zë frika,” thotë Silva, një tjetër banore, e cila tregon se i druhen faktit se fëmijët lodhen të dalin deri në rrugën kryesore, teksa taksitë kërkojnë 300-400 lekë vetëm për një rrugë.
“Fëmija im shkon në shkollë në këmbë, unë përditë në këmbë, nuk e di si nuk menduan njëherë për ne,” vijoi ajo.
Qytetarë duke ecur në këmbë dhe automjete në rrugën Princ Vidi, ku mungon një linjë e transportit publik.
Bashkia Vorë i tha Citizens.al se për zonën që mbulon “nuk ka pasur ankesa nga banorët për shtim linje të re”.
Citizens iu drejtua Bashkisë Kamëz, e cila tha se “zona te rruga ‘Princ Vidi’ rrugicat përreth, deri në Bërxullë, nuk janë pjesë e juridiksionit të saj”.
Kryetari i Shoqatës së Transportit Qytetas, Kostandin Foni, sugjeroi që për këtë çështje t’i drejtoheshim Drejtorisë së Transportit Publik pranë Bashkisë Tiranë, pasi ajo harton mbulimin me linjat urbane.
Bashkia Tiranë pranoi se për linjën “Kashar-Bërxullë” në periudhën 2018-2023 qe lidhur kontratë shërbimi me kompaninë “Denisi Trans”, por që pas përfundimit të kontratës nuk e ka rinovuar atë.
Njësoj si dy bashkitë e tjera, edhe Bashkia Tiranë nuk sqaroi nëse ka pasur ndonjë studim për këtë komunitet apo për përshtatjen e linjave të tjera për ta mbuluar dhe zonën e Treshit duke e lënë çështjen pa zgjidhje.
Më 11 maj 2025, Shqipëria voton në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Gjatë këtij muaji, Citizens.al zgjodhi një formë ndryshe të raportimit të fushatës elektorale, duke u distancuar nga propaganda e partive politike, për t’u fokusuar tek ajo që ndodh realisht.
Çfarë na tregoi kjo fushatë? Më shumë sesa një garë idesh politike, partitë e vjetra vunë në skenë një lojë të pabarabartë, me shumë zhurmë dhe pak substancë. Aktorët kryesorë shfrytëzuan çdo aset për të ndikuar te publiku, ndërsa partitë e reja u fokusuan kryesisht me fushata njerëzore dhe aktivitet në rrjetet sociale.
Nën këtë dinamikë qytetarët u lanë shpesh përballë një oferte të mjegullt dhe të pashtjelluar politike teksa premtimet variuan nga “Pasaporta Evropiane”, te “Pastrimi i Shqipërisë”, “Heqja e vizave me SHBA-në”, “Vendosja e euros si monedhë zyrtare” etj.
Ky artikull sjell një panoramë të asaj që ndodhi — nga premtimet që sfidojnë logjikën ekonomike, te heshtja përballë komuniteteve të margjinalizuara; nga televizionet që përqafuan pushtetin, te diaspora e trajtuar si rezervuar votash.
Një vështrim kritik përtej retorikës, për të kuptuar dhe shpjeguar ofertën politike 2025.
Ne analizuam retorikën e zbrazët për përfaqësim dhe barazi, duke treguar se vetëm dy parti ofruan një qëndrim të qartë për barazinë gjinore. Për pjesën tjetër, kjo çështje trajtohet si një instrument për stabilitet familjar, jo si një çështje e demokracisë.
Premtimet për fuqizimin e vajzave dhe grave mbeten më shumë një dekor elektoral sesa një synim konkret. Për këtë çështje Citizens i kushtoi edhe një nga seritë e podkastit “Zëra”.
Nga “Shqipëria bëhet!” te “Shqipëria Madhështore”, e deri te slogane si “Shqipëria 2030 në BE vetëm me Edi Ramën dhe PS”, fushata e vitit 2025 u karakterizua nga mesazhe të mëdha dhe të personalizuara.
Partitë shqiptare vijuan të shmangin apo ngatërrojnë pozicionimin e qartë ideologjik, duke harruar konceptet tradicionale të së majtës dhe së djathtës.
Në këtë kontekst, Citizens i kushtoi vëmendje mënyrës sesi sloganet u përdorën si mjete të fuqishme emocionale për të tërhequr votues, më shumë sesa për të artikuluar vizione politike të qarta.
Monitorimi i edicioneve informative të tre televizioneve kombëtare për tre javët e para të fushatës tregoi një prirje të qartë favorizuese ndaj partisë në pushtet dhe partisë më të madhe të opozitës, ku figura si Edi Rama dhe Sali Berisha dominuan ekranin.
Diversiteti politik u mbyt nga një propagandë e drejtuar te pushteti, duke lënë zërat alternativë pa mbulim. Partitë e reja nuk gjetën hapësira duke u shtyrë kështu gjithmonë e më shumë në një fushatë online, si një zgjidhje pa shumë kosto dhe përtej “duopolit mediatik PS-PD”.
Një raport i Altax vlerësoi se realizimi i premtimeve elektorale kërkon disa dhjetëra miliardë euro, ndërkohë që buxheti vjetor i shtetit është vetëm 7-8 miliardë. Premtimet elektorale, në këtë kontekst, u dukën më afër “spekulimeve të mirëmenduara” sesa strategjive për zhvillim.
Edhe në këto zgjedhje, komuniteti rom dhe egjiptian u la jashtë vëmendjes. Jeta e tyre në skajet e politikës pasqyron një mungesë të thellë të vullnetit për përfshirje dhe integrim të barabartë.
Ndërkohë PS me kandidimin e një figure të spikatur në shoqërinë civile nga ky komunitet u mundua ta portretizojë veten si alternativën e duhur që mund të japë zgjidhje dhe përfaqësim.
Por kjo dukej lëvizje e qëllimshme, pasi kështu PS la menjëanë përgjegjësitë e 12 viteve qeverisje për këtë komunitet.
Raportimet të ndryshme treguan për shfrytëzim të aseteve publike – shkolla dhe zyra shtetërore – në funksion të partisë në pushtet. Kjo praktikë që thellon mosbesimin ndaj institucioneve dhe dëmton integritetin e procesit zgjedhor u theksua në rrethe.
Mësues të ndryshëm treguan për trysninë që ndeshën nga politika, teksa shkollat dhe profilet e tyre online u kthyen në një makineri për të përzgjatur propagandën e qeverisë.
“Oferta e gjelbër” mbeti një deklaratë pa substancë nga ana e partive politike duke e lënë të pashpresë idenë se qeveria e ardhshme mund t’u japë zgjidhje problemeve të mjedisit përballë ndryshimeve klimaterike, projekteve për zhvillim dhe trysnisë për të prodhuar më shumë energji.
Premtimet për të kaluar nga hidrocentralet drejt energjisë diellore dhe erës përballen me sfida dhe pikëpyetje mbi qëndrueshmërinë dhe realizueshmërinë e tyre në një raport të balancuar ndërmjet interesave ekonomike dhe sociale.
Diaspora, me gjithë të drejtën historike për të votuar për herë të parë nga jashtë, u trajtua më shumë si një burim votash sesa një zë për përfaqësim të sinqertë.
Në një përpjekje për të siguruar mbështetjen e emigrantëve për zgjedhjet parlamentare, partitë politike kryesore kanë zhvilluar dhjetëra takime me diasporën, nga Evropa në Amerikë, por asnjë prej tyre nuk ofroi transparencë për shpenzimet, ndërsa kandidatët që vinin nga diaspora ishin të paktë.
Sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së, rreth 245 mijë shqiptarë jorezidentë në Shqipëri u regjistruan për të votuar nga jashtë. Shumica ishin nga Italia (36.5%), Greqia (27.3%), Gjermania (10.2%) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (8.2%).
Me këtë numër dhe shpërndarje, votat e diasporës mund të ndikojnë në fatet e deri 4 mandateve në Tiranë dhe të paktën të 6 mandateve në Durrës, Fier dhe Elbasan.
Partitë e mëdha përfituan më shumë nga fondet publike, ndërsa të rejat mbetën jashtë skemës. Ndërkohë në listat zgjedhore u përfshinë 16 kandidatë nën hetim nga SPAK.
Ky fakt e vë në pikëpyetje besueshmërinë e sistemit të filtrimit etik të kandidatëve ndërsa ngarkon me përgjegjësi direkte partitë politike, dhe kryetarët e tyre të cilët jo vetëm që i përfshinë në lista, por disa prej tyre i vunë edhe në lista të mbyllura.
Fushata në rrjetet sociale u shoqërua edhe me angazhimin e profileve anonime dhe manipulimeve vizuale ku u përdor edhe inteligjenca artificiale. Kjo shndërroi informimin publik në një terren të vështirë për të dalluar të vërtetën nga publiku dhe qytetarët.
Këta të fundit u ekspozuan rrezikshëm përballë manipulimit, teksa mediat tradicionale dështuan të bëjnë filtrin e duhur.
Në prag të zgjedhjeve, ekspertja e të drejtave të njeriut dhe çështjeve të integritetit në politikë, Edlira Cepani, iu përgjigj pyetjeve të ndjekësve të Citizens.al mbi financimin e partive politike, premtimet elektorale dhe transparencës gjatë fushatës.
Zgjedhjet Parlamentare të vitit 2025 në Shqipëri mund të përshkruhen si një garë formale e zhvilluar në një “skenografi të kontrolluar”.
Edhe pse procesi u shënua nga një klimë më e qetë se në të shkuarën, zgjedhësit shpesh mbetën të painformuar, të papërfaqësuar dhe të papërfshirë realisht. Në një muaj ku format ishin të shumta, batutat të zëshme dhe ngjyrat të forta, ajo që mungoi më së shumti ishte përmbajtja.
Citizens.al do të vazhdojë të jetë këtu, pavarësisht fushatave dhe propagandës, për të ndjekur, analizuar dhe raportuar me integritet, ngjarjet që kanë vërtetë rëndësi.
Kreu i Komisionit të Prokurimeve Publike, Jonaid Myzyri akuzohet nga SPAK, së bashku me vartësit e tij, se kanë ndërhyrë në mënyrë të drejtpërdrejtë në vendimmarrje, duke shpallur fitues të tenderit për mirëmbajtjen e rrugës Rreshën-Ura e Repsit bashkimin e operatorëve ekonomikë që kishin paraqitur ofertën më të lartë, duke shkaktuar një dëm prej afro 500 […]
Kolegji konstatoi se ndryshimi i qëndrimit të drejtuesit të SPAK në çështjen e vetingut të prokurorit Robert Kote, nga kërkesa për shkarkim në kërkesën për lënien në fuqi të konfirmimit të tij, është i barasvlefshëm me heqjen dorë nga ankimi, duke sjellë pushimin e gjykimit. Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) shpalli të premten, më […]
Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) shpalli të premten, më 18 korrik, vendimin për pushimin e gjykimit të shkaqeve të ankimit të Komisionerit Publik ndaj konfirmimit në detyrë të prokurorit të Tiranës, Robert Kote, për shkak të tërheqjes nga ankimi nga ana e drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, i cili aktualisht ushtron kompetencat e komisionerëve. […]
Në ditët kur inspektorët e IKMT-së ishin të zënë me aksionin e çlirimit të hapësirave publike nga ndërtimet pa leje, një tapet betoni zëvendësoi brutalisht barin e gjelbër në lulishten kryesore të qytetit të Kukësit. Betonizimi i lulishtes së vetme të Kukësit po bëhet me bekimin e Bashkisë si pjesë e një projekti për ndërtimin […]
TIRANË, 10 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot në rrjetet sociale pamje nga plazhi publik i Velipojës, një destinacion turistik që tërheq pushues vendas dhe të huaj.
Rama, teksa ndan foto nga vija bregdetare e Velipojës e mbushur me pushues shkruan: “Kaltërsi dhe relaks që vjen nga plazhi publik i Velipojës së bukur”.
Në fotot e publikuara nga kryeministri Rama ravijëzohen zonat publike të plazhit të Velipojës, këndet sportive, si edhe pamja përrallore ku ndërthuret e kaltra e detit Adriatik me blunë e qiellit, rëra e pastër me veti kuruese dhe qytetarë të cilët shijojnë rrezet e diellit ose argëtohen përmes aktiviteteve sportive. Në foto janë dhe tabelat orientuese, që i njohin pushuesit me hapësirën që u rezervohet në plazhet publike përgjatë vijës bregdetare të Velipojës.
Velipoja, me plazhin e saj të gjerë me rërë dhe natyrën e virgjër, po kthehet gjithnjë e më shumë në një destinacion të preferuar për turistët vendas dhe të huaj. Por jo vetëm Velipoja.
Në zonat bregdetare të vendit këtë vit ka më shumë plazhe publike në dispozicion të pushuesve, në dallim nga vitet e kaluara. Këtë vit përveçse ka hapësira më të shtuara të plazheve publike, bashkitë bregdetare kanë siguruar edhe çadra falas për qytetarët dhe turistët e huaj që mbushin plazhet çdo ditë e çdo orë deri në perëndimin e diellit.
Gjithashtu, bashkitë kanë vendosur edhe tabela identifikuese, në mënyrë që turistët të kenë informacion përpara se t’i frekuentojnë këto plazhe. Kjo është një ofertë më e mirë për të gjithë ata që duan të kalojnë pushimet në stacione publike plazhi.
Këto ditë në të gjithë vendin ka nisur aksioni për lirimin e plazheve dhe hapësirat publike, pas urdhrit të kryeministrit Edi Rama.
Kolegji i Posaçëm i Apelimit rihapi procesin ndaj prokurorit Robert Kote pasi e gjeti të paqartë proceduralisht qëndrimin përfundimtar të përfaqësuesit të SPAK-ut, Klodian Braho. Vendimi për rihapje u mor, siç u tha në seancën e së mërkurës, për të sqaruar nëse tërheqja e SPAK nga kërkesa për shkarkimin e Kotes ishte njëkohësisht edhe tërheqje […]
Kuvendi i Shqipërisë mbylli të enjten punimet e legjislaturës së 10-të parlamentare duke votuar një dyzinë me ligje të propozuara nga qeveria, por duke lënë mënjanë raportimin e institucioneve të pavarura – kushtetuese dhe atyre të krijuara me ligj – një proces mbikëqyrës parlamentar që duhej të kryhej brenda muajit qershor, sipas detyrimit ligjor në […]
TIRANË, 6 korrik/ATSH/ Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, së bashku me drejtuesit e IMT-së, Policisë Bashkiake, strukturat e tyre dhe Policinë e Shtetit ishin në disa zona kyçe dhe të populluara në kryeqytet, si Bulevardi “Zogu i Parë”, Pazari i Ri, zona pas Muzeut Kombëtar dhe një kompleks pranë zonës së njohur si ’21 Dhjetori’.
Inspektimi erdhi në kuadër të aksionit kombëtar për rikthimin e trotuareve, shesheve dhe hapësirave publike, jo vetëm në qendër por kudo, tek dhe për qytetarët.
“Asnjë subjekt nuk ka të drejtë të pushtojë hapësira në kurriz të komunitetit. Strukturat do të vijojnë me vendosmëri në zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e interesit publik. Apeli im shkon për çdo subjekt në shkelje, që të lirojë shpejt e vullnetarisht hapësirat e zëna, duke kontribuar për një qytet më të pastër, më të sigurt dhe të aksesueshëm nga të gjithë”, tha ministri Hoxha.
Reagimet e para pozitive nga vetë subjektet nuk kanë munguar. Shumë subjekte kanë nisur sot të çmontonin strukturat e lokaleve, që kanë në shkelje.
“Falënderim për strukturat, që pavarësisht temperaturave të larta janë në terren, e mbi të gjitha për qytetarët që mbështesin këtë përpjekje për rregull e bashkëjetesë”, shkruan ministri i Brendshëm në një postim në rrjetet sociale.
“Për momentin mund të konfirmojmë se ka një ndërprerje të energjisë elektrike në rrjetin tonë elektrik”, tha për AFP Hana Klimova, një zëdhënëse e operatorit të rrjetit CEPS.
Një pjesë e Republikës Çeke mbetën pa energji elektrike të premten pas një ndërprerjeje të madhe të energjisë elektrike, njoftoi operatori i rrjetit elektrik të vendit.
“Ndërprerja ka prekur një pjesë më të madhe të Republikës Çeke”, shtoi ajo. Kryeministri Petr Fiala e përshkroi atë si një situatë “të jashtëzakonshme dhe të pakëndshme” në një postim në X. Ministri çek i Transportit, Martin Kupka, tha se linjat e trenave në pesë nga 14 rrethet e vendit ishin ndalur, përfshirë kryeqytetin, Pragën .
Menjëherë pas raportimeve të para për ndërprerjen e energjisë, CEPS tha se shkaku ishte një linjë e rrëzuar e energjisë. Ai shtoi se furnizimi me energji elektrike ishte rikthyer në shumicën e zonave të prekura.
Rrjeti i metrosë së Pragës u ndërpre përkohësisht, por linjat A dhe C u rivendosën brenda vetëm 15 minutash, dhe linja B u rivendos brenda gjysmë ore. E.ON, kompania që drejton rrjetin në pjesën jugore të vendit, tha se furnizimi i saj nuk ishte prekur.
Polonia fqinje tha gjithashtu se nuk kishte regjistruar ndonjë problem. Ndërprerja e energjisë elektrike në Çeki vjen disa muaj pasi një ndërprerje edhe më e madhe e çoi Spanjën dhe Portugalinë në errësirë për disa orë.
Ky incident ishte rezultat i një “rritjeje të tensionit”, por në atë kohë kishte pasur frikë se gadishulli Iberik kishte rënë viktimë e një sulmi kibernetik. Ndërprerja e energjisë elektrike e së premtes vjen gjithashtu pas një vale të nxehti që goditi Evropën së fundmi . Energjia elektrike bëhet veçanërisht e rëndësishme për të vënë në punë ventilatorët ose sistemet e tjera të ftohjes.
Megjithatë, të premten, Praga regjistroi temperatura vetëm rreth 25 gradë Celsius (77 Fahrenheit), më të ulëta nga 34 gradët e regjistruara të enjten.
Kolegji i Posaçëm i Apelimit shtyu të premten seancën dëgjimore ndaj prokurorit Kledian Llaho, pasi avokati i këtij të fundit kërkoi kohë për tu njohur me dosjen. KPA vuri në dukje gjatë vendimmarrjes së Llaho kishte marrë materialet në fund të vitit 2022 dhe se kishte pasur kohë të mjaftueshme për të caktuar mbrojtës dhe […]
Banka Botërore rekomandoi masa dhe reforma radikale për të përmirësuar më tej transparencën për borxhet shtetërore të vendeve në të gjithë botën.
Në raportin “Radical Debt Transparency” që u publikua së fundmi nga Banka Botërore, vendet në zhvillim me të ardhura të mesme të larta, ku bën pjesë edhe Shqipëria, kanë mungesë transparence në disa segmente të huamarrjes.
Për këto vende, përfshirë Shqipërinë, raporti rekomandon një sërë reformash konkrete për të forcuar transparencën dhe për të parandaluar krijimin e borxheve të fshehura apo të keqmenaxhuara. Grupi i vendeve ku bën pjesë edhe Shqipëria duhet të miratojë një legjislacion që detyron publikimin e detajuar të huave, përfshirë termat e kontratës dhe kolateralin.
Kërkohet që të përcaktohet më qartë definicioni i borxhit publik në përputhje me standardet ndërkombëtare (duke përfshirë edhe detyrimet e ndërmarrjeve publike dhe garancitë), teksa duhet të limitohet përdorimi i klauzolave konfidenciale dhe të ndalohet nënshkrimi i marrëveshjeve që kërkojnë fshehtësi totale.
Të borxhi publik duhet të përfshihen detyrimet e ndërmarrjeve shtetërore, huamarrjet e autoriteteve vendore, detyrimet e kushtëzuara (garancitë, PPP etj.).
Për vendet si Shqipëria kërkohet të rritet roli i Kuvendit dhe i Kontrollit të Lartë të Shtetit në shqyrtimin e strategjisë së borxhit, në aprovimin e huave të reja dhe auditimin e kontratave ekzistuese.
Gjithashtu sugjerohen auditime të rregullta nga institucione të pavarura për huat me risk të lartë (p.sh., të lidhura me burime natyrore apo projekte të mëdha infrastrukturore).
Nëse ndodh ristrukturim i huave vendi ynë duhet të publikojë kushtet e reja të dakorduara dhe të shmangë marrëveshjet selektive.
Grupit të vendeve ku bën pjesë Shqipëria i kërkohet publikimi i një formati të strukturuar hua pas huaje të çdo marrëveshjeje të re borxhi, me termat kryesorë financiarë.
Gjithashtu rekomandohet krijimi i një portali zyrtar mbi borxhin publik ku publikohen kontratat kryesore, raportet e rregullta analitike dhe planifikimi i huamarrjeve dhe vlerësimi i rreziqeve.
Në 2024 borxhi publik arriti në 54,74% e PBB-së, me një rënie prej 2,7 pikësh në raport me vitin 2023. Ky ishte niveli më i ulët i borxhit publik në raport me PBB-së që nga viti 2008. Ulja e borxhit vitin e kaluar nuk erdhi për shkak të një programi të planifikuar, por nga mosrealizimi i shpenzimeve buxhetore sipas planit. Paaftësia për të shpenzuar çoi në një konsolidim fiskal të detyruar. Por ndërkohë një seri detyrimesh nga ndërmarrjet publike dhe të tjera nuk janë të përfshira në treguesit zyrtar të borxhit publik./ B.Hoxha